Tuesday, 7 July 2009

A fle shpirti poetik i poetit...?

Në bursën poetike aktuale shqiptare të kudondodhur, sigurisht që ka një rritje cilësore, që duhet të na gëzoj, por dua të ndaj mendimin, se po ritet inflacioni cilësor poetik (po ta shprehim me termologjinë ekonomike). Një pasoj e tillë përligjet me kushtet ekonomike dhe politike të shoqërisë ku jetojmë, si dhe në një farë mase dhe nga mungesa e prurjeve të reja potenciale .
Dhe ky realitet, që citoj më poshtë, kjo masë “krijuesish” mbetet një anë. Një pjesë tjetër po vet-vlerësohet si letra me vlerë, apo si të sëmurë virtuoz të vetvetes. Ndoshta me të parën mesa duket thëngjij të tillë po shtohen në Oxhakun e poezisë... Me të dytën shumë blozë i rikthehet fatit të kësaj pjese të krijimtarisë shqiptare.


Arqile Gjata

Meditime poetike

Shpirti poetik i poetit! A fle shpirti poetik i poetit?! Është kjo një retorikë që shoqëron psikoanalizën dhe kritikën kahmoti. Dhe në se po atëherë ku ndjehet ky shpirt i [pa] fjetur i poetit. Që në çastet që krijohet (apo dhe në se lind) dhe merr këmbët të rrugëtoj, ky shpirt-poetik ka me vete edhe mendimin e tij poetik, ndjesitë, ëndrrat e tij. Ky shpirt-poetik “luan” në pafundësi me to. Luan me to si një “lodër” e sajuar dhe e certifikuar vetëm për atë. Poetë të mëdhenj në botë si Burns, Kavafis, Dostojevski, Esenini, Elyar, Gëte etj pikërisht kanë bërë që poezitë e tyre të vihen në lëvizjen e këtij shpirti poetik. Edhe në letersinë shqipe të lëvruar në të gjitha trevat shqiptare kjo shpirt-poetikë ka dimensionet e veta. E shkuara flet ndoshta më ndryshe. Por unë preferoj tek shpirt-poetika e sotme. Të paktën tek ajo që unë kam lexuar e shijoj sot. Poeti Arjan Leka e shpreh këtë me një filozofi, me unin e tij poetik si më poshtë:
“ Kur linda,
Zoti më fali një lodër,
dhe “luaj”,
më tha,
“prishe, mos ki frikë,
mund ta nisësh nga këmbët,
por më mbarë është me sytë .”

...Po, kështu luan poeti...! Shpirti poetik lodron me sytë, ato duhen “rigjeneruar”, duhen të “sofistikohen”, të shpirtzmadhohen në mënyrë dhe trajtë të atillë për të ndjerë përtej vetes dhe ambientit,për të parë në thellësi dhe larg dhe të...
Kështu unë, pa nxituar të rrëkej shpirtin poetik, sillem ditëve të jetës time...për gjithë javën, në mbrëmje dhe në të gdhirë . Shpesh më del përpara fytyra e ëmbël cipë hollë e shpirtit krijues dhe më thotë:
- Edhe qielli dhe uji, edhe toka dhe ajri, edhe gjethet dhe insektet, edhe lodrat dhe vdekja, edhe e shëmtuara dhe rrënqethësja e kanë të fshehur në brendësi të thelbit shpirtin poetik. Andaj krijuesi, poeti gjithkahera është në rrugëtim krijues i përcaktuar nga virtyti i mendimit dhe nga fisnikëria e shpirt-formimit artistik. Shpirti poetik i poetit është gjithmonë në lëvizje, në kërkim, në pikturim,në ëndërrime dhe në pafjetësi; Për faktin se, ai “fotografon” dhe ndodhet në lëvizje (gjetje dhe forma) krijuese për të dhënë imazhe, ndjesi dhe pamje shpirtërore si produkte të unit artistiko-letrar. Si pasoj, ky – unë krijues (shpirti i tij) përzgjedh, mbjell, kultivon, selit vazhdimësinë e poezisë...
“Një re, Një vetëtimë. Një re, Pastaj një re tjetër (Dhe unë pikturoj ëndrrën time...” nga Fatmir Terziu)

E gjitha pra lakohet dhe lëkundet në shpirtin poetik dhe e gjitha që vjen nga “Asgjë-“ja riskohet në tërë labirinthin filozofik. Është një preambulë poetike e dalë nga shpirti për të dëshmuar me mënyrë tjetër, me të vecantën e saj në poezi. Këtë e sheh tek poezia e këtij poeti dhe e dikton në tërë fjalë-filozofinë e saj. Gjithësesi, kudo dhe kurdoherë ndodh një fenomen i pashmangshëm e i rëndësishëm. Gjithkush krijues e shikon botën e tij shpirtërore (krijuese) në forma, trajta, ngjyra, në pështjellime, në peshë dhe në sasi, në veçori dhe cilësi si shumatore individuale. Si rrjedhojë, shpirti i tij poetik është buzëqeshje dhe kompozim në eksplorim të vazhdueshëm artistik dhe potencialisht të ngarkuara “elektrikisht” me risi dhe vlera në kohë dhe hapësirë në bashkë-kuptim reciprok...
Po i ilustroj këto mendime me disa vargje nga poema “Dritarja” të poetit të madh grek Jani Ricos, të përkthyer në shqip me shumë përkushtim nga Pilo Zyba.
“Rri këtu përballë dritares, vështroj kalimtarët,
dhe vështrohem brenda në sytë e tyre. Më duket vetja
si një fotografi e heshtur, në një kornizë të vjetër,
e varur jashtë shtëpisë , në perëndim të murit,
unë dhe dritarja ime .
............................................................................
Ç’farë më tepër mund të kem nga kjo dritare?
Po të duash ta hapësh përgjysmë, dhe pa parë fare jashtë,
mund të ndjekësh nga brenda një pamje,
skema të vërteta të rrugës, në një vend më të thellë,
dhe në një kohë më të gjatë,
me një ndriçim të një distance të madhe,
në një kohë, që të gjitha këto lozin teatër poshtë syve të tu .”
dhe një tjetër copëz të vogël poezie nga poetja Bajame Hoxha (Çeliku)
“Kur vinte pranvera,
me lotët e mia e vadisja .
Kur vinte dimri,
Me psherëtimat e mia e mbysja...”


Pafjetsia e shpirtit poetik është rrjedhojë e lidhjes monolite e mendimit poetikë mes perceptimit e ndjesisë së poezisë si muzikë .( sigurisht, një sentencë e tillë është thënë dhe trajtuar shumë e shumë herë...) Por dua të veçoj një shembull “etalon”:
”Shpirti i poetit është nën ndikimin e përhershëm të emocioneve trupore dhe njerëzore, ky shpirt poetik dhe kur”fle”kompozon me ca shkrepëtizma të veçanta të zemrës, që ngjajnë si varka pa motor që udhëtojnë brenda vetes.”siç shprehet aq mjeshtërisht zoti Vaid Hyzoti për poezinë e Grigor Jovanit .
Muzika më e ndjerë, më e dashur dhe më e bukur për njeriun është natyrisht poezia . Gjithkush krijues hulumton buzëqeshjen stilistike, dalton me përsosmëri të fshehtat të kudondodhura artistikisht, përkëdhel bukurinë poetike që ”askush s’e ka parë”, por e ka perceptuar, përqafuar,, ëndërruar dhe dashuruar. Shpirti i poetit dhe kur ka “mbritur” nën rasën e varrit, ai përsëri rrugëton, mediton, lexohet dhe jeton midis të gjallëve . Një realitet dhe një filozofi të tillë poetike e gjejmë shpesh, por së fundi e gjeta të trupëzuar artistikisht në poezinë e V.Hyzotit .
“Edi;diku do gjendet një varr.
Mos vini rasa, as pllaka,as nishan.
Në pata mirësi-të gjithë e dhashë.
Trupin ma fshihni, si të isha cigan . “

Përfundimisht dua të shprehem se:
- Shpirti i poetit nuk fle . Ai bashkëjeton me poezinë si një qenie e veçantë e pa përsëritshme dhe në pafundësi rrugëton dhe as në gjumë ai nuk e braktis vetveten . Dhe se “kombi”i shpirtit poetik është vazhdimisht në gjendje të krijoj dhe të gjej të gjitha shtigjet që të ruaj pafjetësinë e përjetëshme të shpirtit poetik të poetit .

* * *
Që në çastin, që shpirti poetik i poetit bie në gjumë, në letargji, apo divorcohen me njeri tjetrin; ai pushon së qëni poet... Kur ai shuhet së menduari dhe lëvruari në trajta dhe figuracione poetike, atëherë poeti, krijuesi tjetërsohet në një lëndë amorfe, në një masë të zakonshme biologjike, që tretet dhe nuk i ngelet asgjë për ta kujtuar (vlerësuar)...
Në bursën poetike aktuale shqiptare të kudondodhur, sigurisht që ka një rritje cilësore, që duhet të na gëzoj, por dua të ndaj mendimin, se po ritet inflacioni cilësor poetik (po ta shprehim me termologjinë ekonomike). Një pasoj e tillë përligjet me kushtet ekonomike dhe politike të shoqërisë ku jetojmë, si dhe në një farë mase dhe nga mungesa e prurjeve të reja potenciale .
Dhe ky realitet, që citova më sipër, kjo masë “krijuesish” mbetet një anë. Një pjesë tjetër po vet-vlerësohet si letra me vlerë, apo si të sëmurë virtuoz të vetvetes. Ndoshta me të parën mesa duket thëngjij të tillë po shtohen në Oxhakun e poezisë... Me të dytën shumë blozë i rikthehet fatit të kësaj pjese të krijimtarisë shqiptare.

Nga Arqile Gjata 4-7-2009 Athinë

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: