Thursday, 28 July 2011

Heshtje korriku


Astrit Lulushi

Ndëshkimi i padrejtë nuk është gje e mirë. Eshtë taktikë përgjithësisht joefektive e një drejtuesi të keq. Edhe kërcënimi është një lloj ndëshkimi; ndonjëhere më i keq se vetë dënimi. Nga kjo del se ndëshkimi është kundërveprim ndaj kërcënimit, qark ku vërtitet politika e pas-diktaturës.

Teorikisht, burgosja padrejtësisht e një personi është krim, keqtrajtimi e vrasja, edhe më krim. Por burgosja e një populli, quhet thjesht “izolim”. T’i vrasësh të gjithë, është krim më i lehtë sesa të vrasësh disa. Kjo shkon kundër çdo arsyeje. Apo ndodh sepse kur të gjithë vriten, nuk mbetet kush për të dënuar a u dënuar?

Krimet e komunizmit në Shqipëri nuk janë ndëshkuar. Duket se nuk pritet të dënohen. Ndodh kjo sepse; shpirtërisht, s’ka mbetur kush gallë, prandaj shihen si krime te lehta? Sepse ish të vuajturit  jane të pafuqishëm, nuk kanë gjë në dorë? Apo sepse ish-shkaktarët e vuajtjeve janë sot më të pushtetshëm dhe përbëjnë shumicën? Pyetje të ngarkuara.

Që në vitin 1991, ndëshkimi i krimeve të llahtarëshme të komunizmit ndaj individit u hoq si alternativë dhe ndërsa ish të dënuarve - veç udhës së mërgimit - shumë rrugë nuk u hapën - ish përgjëgjësve të krimit u doli frika, e nuk luajtën nga vendi.

Vite kaluan, dhe kërcënimet u bënë shprehje politikanësh, të cilët si pjestarë të ish nomenklaturës – tashmë të çliruar nga frika e dënimit  – u hodhën në veprime politike ngërçuese. Në këtë gjendje ndodhet politika sot. Dhe rrethi vazhdon i mbyllur, ndërsa shumë ndjehen se po marrin kundërpërgjigjen e ndëshkimit - sikur po dënohen për prishjen e rehatisë komuniste, që filloi më 2 korrik 1990 me krizën e ambasadave. Prandaj edhe besueshmëria ndaj politikanëve  – me anim nga e kaluara pozitare -  shprehet me ‘të gjithë janë të korruptuar’.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: