Wednesday, 27 July 2011

KAM DËSHIRË

 Vullnet Mato



Kam dëshirë e më pëlqen shumë,
të jem sqepi i një zogu këngëtar,
të jem vala që vrapon nëpër lumë,
të jem rrëkeja që shket nëpër bar.

Kam dëshirë e nostalgji të vjetër,
të jem flutur që rend mbi lulishte,
të jem ketër te një pyll i gjelbër,
të jem gjinkallë e degëve ahishte.

Kam dëshirë e ëndërroj shpesh herë,
të jem gjethe te shushurima e plepit,
të jem syri përgjimtar te një skifter,
të jem era e lagur e dallgës së detit.

Kam dëshirë e më rrëmben malli,
të jem bri dreri që josh sorkadhet, 
të jem përrua që gurgullon te zalli,
të jem puthja diellore që zgjon malet.

Kam dëshirë e më pëlqen në jetën time,
të jem re shiu mes vapës përvëluese,
Të jem thëngjill zjarri te vatrat jetime,
Të jem pikë loti te qerpiku i nuseve,

Kam dëshirë e bëhem gati si i marrë,
të jem bajrak kuqezi i shqipo emigrimit,
të jem pikë gjaku për vëllamin kosovar,
të jem gërshëra që pret shiritin e bashkimit...
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: