Thursday, 28 July 2011

Libri, miku më i sinqertë i shkrimtarit Hysni Qehajaj (Rreth librit me tregime “Jetë pa preferenca”)

 
SHPENDI TOPOLLAJ       


   




   Edhe pse në jetën e përditëshme dhe atë të krijimtarisë së tij letrare, inxhinier Hysni Qehajaj, është një njeri dhe krijues epikurian, përsëri emri i tij është shumë i njohur në qarqet e letrave shqipe.
   Me prirje të hershme artisti, ky burrë i urtë, i thjeshtë dhe i dashuruar pas letërsisë, teksa “haheshim” miqësisht një ditë, se kush e kishte përcaktuar më saktë vlerën e librave, na e mbylli gojën, kur u shpreh:
- Më mirë nga të gjithë e ka thënë Ciceroni: “Librat janë ushqim i djalërisë, zbavitje e pleqërisë, dritë në shtëpinë e errët, shokë ditën, natën, në ndjenja dhe në udhëtim.”
   Asgjë tjetër nuk i shkon më shumë për shtat këtij shkrimtari, tashti të moshuar, dhe aq të freskët në atë që nxjerr nga pena e tij dhe që shenjtërisht, i puth librat, sa herë ia dhuron dikush.
Hysniu, ka parapëlqyer prozën. Ai ka botuar tregime, novela dhe romane. Ka një mënyrë tepër tërheqëse në të shkruar, por edhe në përzgjedhjen që u bën temave. Deri pak kohë më parë, ai është marrë me historitë, reminishencat dhe mbresat e vendlindjes, Elbasanit, të pas viteve 30 - të deri në çlirimin e vendit, kurse te libri i porsa botuar nga shtëpia botuese “Globus - R”, “Jetë pa preferenca”, merret me historitë dhe mbresat e qyteteve ku ka punuar dhe banuar në vitet e pasçlirimit. Dhjetë tregimet e këtij libri, janë si një mozaik me realitete dhe të vërteta, kryesisht nga Shqipëria e kohës së mallkuar të luftës së klasave, derisa njerëzit shpërthyen pengesat dhe u dyndën ku mundën dhe me çfarë mundën. Siç na e paraqet edhe në kopertinë, pamjen e qytetit të Durrësit, ku dallon Vila majë kodre, edhe vetë kjo përmbledhje, çelet me tregimin “Vila e mbretit në kodër”. Po ta shohësh me kujdes, jemi para një skice më shumë sesa para një tregimi, por aftësia e këtij autori, e ngre lart, shumë lart, nivelin dhe lexuesi asqë bëhet merak se ç`gjinie i përket ajo. Vila e ndërtuar në një vend mjaft piktoresk, në një farë kuptimi, mbart mbi vete, tërë historinë e Durrësit. Ajo gjithmonë ka tërhequr me arkitekturën, por edhe me misterin e saj, vëmendjen e qytetarëve të thjeshtë. Pengimi i tyre për ta vizituar a për ta soditur nga pranë, ruajtja e saj me roja dhe frekuentimi vetëm nga persona shumë të rëndësishëm, e ka shtuar kërshërinë e këtij objekti dhe i ka dhënë krahë fantazisë së njerëzve. Ja sesi shkruan autori: “I prirë përherë nga dëshira për të parë një pallat mbretëror, i ardhuri i zakonshëm që i është afruar dhe që e di se nuk e qasin, nis megjithatë, të rrahë me vete për të përfytyruar, sesi mund të jetë gjithçka atje brenda; si mund të jetë hyrja nga sheshi, shkallët, dera kryesore; si i hapet vizitorit kati përdhe; si e ka bërë mjeshtri ngjitjen për të te katet e sipërm dhe zbritjen për në të ndarat e nëndheshme; si janë sallat e pritjes dhe oda përreth, në lidhje me të, etj.” Ata, kanë mprehur një shqisë që vetëm duke parë se cilat drita janë ndezur, përcaktojnë se kush mund të ketë ardhur, madje edhe çfarë bëhet atje. Në atë Vilë, priten e përcillen Sekretarë të Parë partishë komuniste, Kryeministra si N. Hrushovi, me të cilin u lodhën duke pritur banorët e qytetit, derisa u mbeti nofka “indiferentë” e deri princër si Norodom Sihanuku me Monikën e tij të bukur. Por fatkeqësisht dhe në kontrast me marramendjen e gjithëçkaje mbart kjo ndërtesë madhështore, aty në sallat e saj të pa anë, mbi ata tapete të kushtueshëm dhe nën ata shandanë të mëdhenj vezullues, diktatori thur plane, për të prerë kokat e shokëve të tij. “Aty, atij, i davariteshin avujt e kokës, i ndriçoheshin dyshimet për t`u mëshuar pastaj më shumë bindjeve mbi çka kishte menduar dhe për ta pasur kështu më të qartë se gjer ku e si ta çonte deri në fund atë që kishte vendosur”. Ndaj dhe populli shihte skena të pashpjegueshme: në një veturë të zezë që zbriste teposhtë, njëri ministër që autori e quan “qyqari”, i vënë mes ish shokësh, rrinte kokëkëputur prej mandatës që kishte marrë.
   Volteri, kur e donte puna që t`i përgjigjej pyetjes se “Çfarë ndryshimi ka midis të mirës dhe të bukurës?  thoshte se: “E mira ka nevojë gjithmonë për prova, e bukura jo!” Nisur nga kjo, kuptohet se shkrimtari që merret me të mirën, e ka më të vështirë, kur shkruan për të. Edhe Hysni Qehajaj, duke u marrë thuajse vetëm me të mirën dhe për pasojë, edhe me të keqen, ka zgjedhur rrugën më të mundimshme të të shkruarit. Janë një sërë tregimesh si “Retrospektivë”, “Kitara dhe libri”, “Pengu i Rushan beut”. “Jetë pa preferenca”, “Ec e gjeje”, të cilat ngjasojnë për nga tematika. Ndeshet virtyti me vesin, si në planin midis vetë njerëzve, ashtu edhe midis tyre dhe shtetit. Nuk duhet harruar, se në Shqipërinë komuniste, për afro një gjysmë shekulli, qëndroi me dorë të hekurt një regjim që u kishte shpallur luftë shtetasve të tij, dhe që pa drojë dhe pa pike turpi, deklaronte me zë të lartë se jam shtet i diktaturës. Dhe pastaj, pas aq e aq telasheve, vuajtjeve, mjerimeve që u  shkaktonte atyre, ironikisht shpallte se jemi shteti më demokratik në botë.          Mësues i ndershëm fshati, ishte Ser Letni, por shpirtin e tij të ndjeshëm, të dhënë pas artit e sidomos piktures, nuk e linte kush të qetë. Shoqërinë e tij me mësuesin e kulturuar Lumnir Shalla, që lexonte Dumanë, Stevensonin, Poen e Remarkun e shihnin me dyshim. Dhe pastaj i “shpërndanë”: Lumnirin e çuan ushtar, kurse Serin, e hoqën nga arsimi. I mbetur pa punë, ai përpiqet të bëjë diçka, duke u futur në një orkestër, ku mund të luante me kitarën që i kishte dhuruar shoku i tij, por që ende nuk dinte t`i binte me nota dhe gjithmonë krijonte disonancë. E ndihmon një njeri i mirë, duke e akompanjuar, por kur edhe ai largohet, violinisti që nuk e hiqte borsalinon edhe kur i binte veglës, shpirtkeq, nuk pranon ta ndihmojë duke ia bërë atij qëndrimin të pamundur. Në këto kushte Seri, e lë fare atë punë dhe pa të ardhura, nuk di nga t`ia mbajë. Kitara për të është e tepërt, ndaj pranon ta këmbejë me një libër të austriakut Pomiakowski, për historinë e Perandorisë osmane, si për t`i kujtuar atij herë pas here, se kjo perandoria jonë komuniste, ishte shumë më e  egër se ajo. Pak a shumë e tillë është edhe historia e mësesit tjetër, nga Gjirokastra që duke dëgjuar fshehurazi Radoi Londrën, kishte harruar të hiqte fishon dhe çuditi të madh e të vogël, në “bulevardin” e qytezëz ku shërbente dhe që kishte mbaruar, para se Kryetari i Degës së Brendëshme, t`i vinte hekurat.
Asgjë të tepërt nuk kishte Rushan beu i tregimit “Pengu” i Rushan beut”, e megjithatë, shihet shtrembër, si ai, si i biri Shabë Sina. Dhe ja sa bukur e ka përshkruar situatën e asaj kohe autori Qehajaj: “Në vitin 1945, me t`ardhur në fuqi qeveria komuniste, që e kishte shpallur veten “qeveria popullore”, tatoi me taksa “të jashtëzakonshme” të gjithë ata që ajo i cilësoi “të kamur”; tregtarët e manifakturës, pronarët me toka shumë, agallarët e hasrave të mëdha të duhanit, të thasëve të misrit e të grurit, bakallët e magripëve të vajit të ullirit e të dengjeve të orizit, neqezët e floririt që patën përdorë pa ngurrim fajden, bejlerët e mesëm që kishin qëndruar pa ikur si dhe bejlerët e vegjël, të cilët kishin pasur, ndofta, më pak tokë se fshatari më në gjendje i fshatit, por që u venin titullin “beu” pas, kur i përmendnin emrin.” Ka dhe tallje, dhe ironi, dhe sarkazëm në këtë përshkrim të rrjedhshëm e të thjeshtë. Komunistët paskeshin dashur që njerëzit, në kohën e para ardhjes së tyre në pushtet, të mos merreshin me asnjë punë, të mos fitonin diçka me djersën e ballit e tek e fundit, të mos luftonin për përmirësimin e jetës së tyre dhe të familjeve që kishin në ngarkim, pra të mos mundeshin t`i shkollonin ata për t`i bërë edhe më të denjë, për vendin e tyre. Dhe kur Rushani, beu pa brekë në b. pyeste në erdhi në fuqi Çërçilli, dhe arrestohet, i  biri detyrohet t`i thotë, atje në qeli ku e takon:
- Po nuk hoqe dorë nga këto marrina kështu ti, xhanëm? Mblidh or` mendjen, se po na merr më qafë.   
Ky pak a shumë është edhe fati i Gonit te tregimi “Ec e gjeje’, që dikur, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, i kishin humbur triskat dhe kur e pa të mërzitur një njeri i mirë, e mori në punë për ta shpëtuar nga ajo gjendje. Por ku të linin rehat spiunët e pafund që dinin se i ati i tij ishte në burg për fshehje floriri dhe që sot në demokraci, nuk gjente dot dokumentet e duhura për burgosjen e tij apo për pronat që duhet të marrë, duke i nxjerrë lloj - lloj arsyesh, sa detyrohet të pranojë se edhe sot ata janë në fuqi.
“Jetë pa preference” është ndofta tregimi më i dhimbshëm. Aty ndeshim fatin e një mësueseje, Pranverës, e cila ishte e hijshme si emiri që mbante dhe që drejtori e shfrytëzonte, duke e mashtruar se do e merrte për grua. Me prindër të vdekur dhe e rritur në jetimore, ajo kishte vetëm një daji që ishte bir i një tregtari të madh. Ky i biri vazhdonte punën, kurse mbesën e tij, e heqin nga arsimi dhe e flakin në rrugë. Aq sa ajo, e detyruar, pranon të bëhet bashkshortja e një tjetër fatkeqi që ishte edhe ai troku. I varfër, por i sinqertë. Dhe ajo këtë kërkonte; pak sinqeritet.
Në llojin e tyre, përqasen edhe tregimet “Kampionët” dhe “Shpërblimi i manisë”, ku njëri ka maninë e një teorie mbi tërheqjen në dashuri, të cilës i beson, me gjithë anën e saj qesharake dhe kapiteni i anijes “Kallmi” që nuk i beson kasafortës dhe duke i vendosur dollarët e emergjencës, në një kovë boje të zbrazët, gati i humbet fare ato, duke rrezikuar të ndëshkohej.
Të përafërt për nga tematika janë edhe dy tregimet e tjera, “Absurdi” dhe “Telefoni i hapur”. Këtu autori merret me shqetësimin e ditës. Vanesa, gruaja e ndarë nga burri, kthehet në jug të Italisë, ku punon si pastruese, vetëm e vetëm pse i shoqi dëgjon më shumë se ç`duhet njerëzit e tij  mosmirënjohës, në Shqipëri dhe që pas gjyqit thonin se “e kishin bo, ene për presion.” Ajo ishte dinjitoze, dhe nuk mund të duronte poshtërimet e injorantëve me mentalitete të tejkaluara.
Po kështu ngjet edhe me Mirelën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, e cila nuk ishte e kënaqur me fejesat e martesat me shkesi, me djem që nuk ishin në gjendje t`i jepnin asnjë lloj kënaqësie shpirtërore. E përhumbur në dëshirën, për t`u përkëdhelur e për të dëgjuar fjalë të ëmbla, ajo bie viktimë e mashtruesit me telefon, derisa ngatërron dynjanë.
Në të vërtetë, familjeve shqiptare në emigracion, shpesh u lindin probleme të papritura, nga interesa të vogla, xhelozira, tradhtira, përshtatje e ekzagjeruar me botën perëndimore, tejkalim i koncepteve shqiptare në marrëdhëniet burrë - grua, influencim i prindërve në vendimet e çiftit etj. të cilat shpien deri në shkatërrimin e saj, duke krijuar drama sidomos për fëmijët. Kështu që shkrimtarët tanë do kenë boll material për të shkruar në të ardhmen. Hapja e vendit, me gjithë të mirat e saj, i ka si bashkudhëtare edhe këto fenomene. E sidoqë A. Shopenhaueri thotë se “Gratë janë pushtuar nga gjendja e mungesës së arsyes. Tek ato mbisundon influenca e përshtypjes së gjërave me të cilat ato hasen.” - përsëri Hysniu, nuk është i prirur t`i bëjë fajtore ato. Futja në botën misterioze, të bukur dhe delikate të mendimeve dhe ndjenjave të tyre, i jep më shumë vlerë tregimeve, ku ato janë vendosur si protagoniste.
   Po ta shohësh me kujdes, Hysniu edhe pse përdor një gjuhë shumë të pastër, për çka ka meritë dhe gruaja e tij - korrektore Teuta, e cila është mësuese e gjuhës dhe e letërsisë, përsëri herë pas here, vendos në vendin e duhur fjalë të dialektit, të zhargonit, të cilat, e forcojnë frazën dhe e bëjnë atë më të larmishme. P.sh. “Do ketë ardhë n`oj`i madh atje, ose, kanë n`oj`i mbledhje”. “Raftë prej arapllanit, e u baftë copa - copa.”
Interesante është, se të gjithë ata që gjallojnë në tregimet e Hysni Qehajajt, janë njerëz të thjeshtë, me pretendime të vogla për jetën, por që reagojnë sipas mënyrës së tyre, sa herë ndeshin me probleme, qoftë dhe rutinore. Kështu, të krijohet ideja se ky autor, u sugjeron kolegëve, lërini njerëzit e rëndësishëm, mjaft u morët me ta. Hidhni sytë edhe nga masa e njerëzve të zakonshëm, pa poste, të cilët kanë gjithsesi, jetën e tyre, preokupimet e tyre, shqetësimet e tyre, aspiratat e tyre dhe fatet e tyre.
Më ka bërë gjithmonë përshtypje fakti, se Hysni Qehajaj, gjatë leximeve të tij të shumta, mban shënime për fjalë të mençura të autorëve të ndryshëm. Kurse në të gjitha shkrimet e tij, ai nuk i përdor asnjëherë ato. Ai gjithçka e do nga dora e tij. Edhe kjo është pjesë përcaktuese e individualitetit krijues e një shkrimtari, pjesë e “tekave” të tij krijuese, pjesë joshëse e vetë botës së madhe të librit, i cili për Hysniun, mbeti miku i vërtetë dhe i sinqertë, siç e quante atë për veten e tij, Volteri.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: