Wednesday, 27 July 2011

M.Hamiti në “Financial Times”: Serbia të mos bëhet kandidate për BE



Londër, 27 korrik 2011 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Dr. Muhamet Hamiti ka botuar sot (e mërkurë, 27 korrik 2011) një shkrim në gazetën prestigjioze “The Financial Times” (FT) me të cilin argumenton se qëndrimi obstruksionit i Serbisë ndaj Kosovës e diskualifikon atë për të marrës statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Më poshtë po e japim përkthimin e shkrimit të Ambasadorit Hamiti në FT:
Me qëndrimin ndaj Kosovës, Serbia e përjashton veten nga statusi i kandidatit për BE
Editoriali i juaj “Ëndrra e Serbisë për në BE” (25 korrik), u bën thirrje qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian që ta shpërblejnë Serbinë me statusin e kandidatit për BE, me arsyetimin se Serbia “është bërë e pranueshme për botën mbarë” pas arrestimit të kriminelëve kryesorë serbë të luftës, të akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime e Hagës. Përderisa arrestimet e liderëve serbë të Bosnjës të kohës së luftës Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, bashkëpunëtorët e Millosheviqit në krime, ishin zhvillime të mirëseardhura, janë fare të pamjaftueshme për ta kualifikuar Serbinë për status të kandidatit për BE.
Sjellja obstruktive e qeverisë së presidentit Boris Tadiq e minon pajtimin në Kosovë në përpjekje për ta sfiduar ekzistencën e shtetit demokratik të Kosovës, për krijimin e të cilit bashkësia ndërkombëtare, dhe vetë BE-ja, kanë investuar shumë. Mohimi i pavarësisë së Kosovës dhe thirrja për ndërrim të kufijve në Ballkan rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, të cilat janë arritur me statusin përfundimtar të Kosovës.
Serbia sot vazhdon ta mohojë trashëgiminë e vet kriminale dhe fushatën e tmerrshme të spastrimit etnik kundër popullit shqiptar të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-99, kur u masakruan 12000 kosovarë dhe kur gjysma e popullsisë së Kosovës u dëbua nga vendlindja e vet.
Serbia qe tri vite i ka bllokuar eksportet e Kosovës, duke e shkelur haptas Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Për më tej, refuzimi i Serbisë për të marrë pjesë në bisedimet me Kosovën të lehtësuara nga BE-ja këtë muaj, qëllimi i shpallur i të cilave është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë dhe rritja e perspektivës për integrim me BE-në për të dyja vendet, e zhvesh qëndrimin e saj hipokrit ndaj vlerave evropiane, kur bëhet fjalë për Kosovën.
Dr Muhamet Hamiti
Ambasador i Republikës së Kosovës në MB

* * *
Ambasadori i Kosovës ka botuar reagimin te gazeta “The Financial Times” e Londrës pas një shkrimi editorial në këtë gazetë që lavdëronte me të madhe Serbinë, e cila, simbas saj, ishte bërë vend i pranuar nga bota mbarë, mbasi që kishte arrestuar nëntë të dyshuar për krime lufte në tetë vjetët e fundit. “Serbia nuk kërcënon më paqen dhe stabilitetin në fqinjësinë e vet”, thuhet në editorial, duke nënvizur se “demonët ultranacionalistë që kanë shkatërruar reputacionin e Serbisë para njëzet vjetësh janë nënshtruar”. Te Boris Tadiqi, president i zgjedhur në mënyrë demokratike, Serbia ka një lider të kalibrit rajonal që po e drejton vendin e vet me shkathtësi vendin në drejtim të moderuar pro-perëndimor, vazhdon lavdi i gazetës “The Financial Times” në shkrimin “Ëndrra e Serbisë për në BE”. Ky lider do të donte që BE-ja ta emërtonte Serbinë candidate zyrtare për anëtarësim, por “Unioni Evropian mund të mos jetë i gatshëm të veprojë kaq shpejt”, shpreh dronë me keqardhje kjo gazetë në komentin e vet.

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: