Wednesday, 27 July 2011

NË PELLGUN E FATIT

 
Bilall Maliqi



1.

Edhe pas katër stinëve rri mbyllur
Në vetminë tënde tani të dryshkur
Mbyllas të rri edhe kujtesëmbresa
Sikur ky reliev mu në mes trekëndëshit

Zbute mallin e shtrirë n’katror dhembjeje
E kjo dhembje nuk ka tjetër gjuhë
Ajo flet e këndon për shpresën e shkrirë
Në kujtesën e rënduar banon jetësisht

Peshë ka ky mall, i lagur është lotësisht
Lutem për ty, për dhimbjen që pjell zi
Në mes faqeve të ndara malli banon
Rruga lidhet me ëndrrën e paparë kurrë

2.

Je pjesë e ëndrrës sime të degdisur
Aty të kam mu në skenën e përlloçur
Më s’ka rehati shpirti im i lodhur
Nga zabel vuajtjesh është shtrydhur

Si ti radhis fjalët në ditar të grisur
Kur koha nuk i ruajti zjarret e pafikura
Dikur në motet e shkrira në klishe malli
Ato i vargëruan, e i ruajnë diku engjujt

Humb kohë në katror të vogël dhome
Dëshmi i ke ditët e netët e shpeshta
Që shpupurish kujtimet si në përralla
E ti, futesh në barkun e ëndrrave plle

3.

Shko tani e futu në pellgun e fatit
Kërko dashurinë e pakërkuar kurrë
Në do të takohesh me të, koha ndalet
Edhe tik-taket e orës nuk do të rrahin

Engjujt do të mërziten për këtë fat(keq)
Do të lotojnë mbi ditarin e vargëruar
Në kohën e dashurisë së rilindur
Hej, Portën hapur e ke në timin shpirt

Kur të duash kthehu sybukura ime
Të presin muzat buzëqeshur
Do të hysh në të miat vargje
Sall edhe njëherë, e s’të lëshoj më kurrë…

Preshevë, 26 korrik 2011

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: