Wednesday, 27 July 2011

NJË VËLLIM ME TREGIME, NGA AUTORI I BUBULINOS, VIRON KONA

 



Nga: Fran GJOKA
arsimtar e publicist

1.
Duke lexuar librin e ri me titullin metaforik “Dielli është imi” të shkrimtarit të mirënjohur Viron Kona, befasohemi me energjitë krijuese, produktin letrar dhe origjinalitetin që na afron pareshtur ky autor me krijimtarinë e tij të bollshme dhe cilësore. Emri i tij, ka kohë që ka tërhequr vëmendjen e botuesve shqiptarë dhe të huaj, e, tashmë, së fundi, edhe të atyre suedezë në Veriun e largët.  Nuk është fjala thjesht te  numri i librave, që tashmë i kalojnë tridhjetë tituj, por në vlerësimet e shumta që bëjnë lexues, studiues, kritikë të letërsisë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Mjafton të lexosh librin “Blerimi i një fushe me krijime të bukura”, përmbledhje me shkrime kushtuar krijimtarisë së Viron Konës, të përgatitur nga Ibrahim Hadarmataj dhe kupton menjëherë se kjo krijimtari nuk kalon pa u ndjerë dhe pa lënë gjurmë te lexuesi. Siç pohon autori, në një intervistë: “Ashtu sikurse lumi e gjen vetë rrugën e tij, ashtu dhe letërsia e mirë, e gjen vetë rrugën për te lexuesi”. Në librin për krijimtarinë letrare të V. Konës, kanë shprehur vlerësime,  për veprën e tij letrare, mbi 65 autorë dhe, po aq, edhe fëmijë e të rinj.
Ndërkohë që, Kona, është nderuar edhe me çmime për krijimtarinë, siç ishte edhe vlerësimi që i bëri UNICEF-i, ciklit të Bubulinos, i përzgjedhur dhe i admiruar veçanërisht nga lexuesit e vegjël shqiptarë, këtej dhe andej kufijve, por tashmë edhe fëmijëve suedezë, të cilët, Bubulinon, e kanë nga librat e kërkuar, madje të futur edhe në program shkollor.



Me këtë rast, do t`i drejtohesha fjalëve të redaktorit të librit “Eh, mor Bubulino!”, në suedisht, Sokol Demaku. Në mesazhet e tij, gjatë kohës së përkthimit të librit, midis të tjerash, në një këmbim mendimesh me studiuesin dhe publicistin e njohur, Prof. Murat Gecaj, shprehej: “Ditët po kalojnë shumë shpejt, por mua nuk po më pritet 17 maji ( 2011). Besoj se do të jetë dita më e lumtur për mua, që arrita të sjell në mesin e miqëve suedezë, Viron Konën, shkrimtarin e vyer shqiptar për fëmijë e të rinj...”dhe më tej: ”Besoj se vizita e tij, këtu, do të bëj jehonë. Këtë e them, nga interesimi i miqëve suedezë...” Dhe, “profecia” e Sokol Demakut doli më se e vërtetë: Viron Kona shkoi në Suedi, për përurimin e librit të tij në gjuhën suedeze. Mediat i kushtuan rëndësi dhe e vlerësuan librin dhe vizitën e këtij shkrimtari të njohur.
Gazetari i njohur suedez Erik Jullander, në shkrimin e tij të faqes së parë, në gazetën “Boras Tidning”, shprehet: “Boråsi (Suedi) tani ka shansin të njihet me heroin e fëmijëve, Bubulinon... Bubulino ka shëtitur tërë Shqipërinë dhe,  me siguri, një ditë do shkojë në Mars. Tani ai është në Borås.... Bubulino?  Po ky është emri i një fëmije të ri shqiptar, ku flitet për jetën e tij në librin me 12 vazhdime. Tani kemi librin  e parë të përkthyer në suedisht, i cili pa dritën këtu në praninë e autorit Viron Kona, në qytetin Borås, që personalisht ndau, në biblioteka, shkolla dhe nxënës. 300 ekzemplarët e librit, të botuar në suedisht. Librat e tij janë të përshtatshëm për klasat e ulëta e të mesme dh, qëllimi është që mos të jenë vetëm të këndshëm për lexim, por që të kenë edhe karakter mësimdhënjeje.
Vizita e parë në vendlindjen e Astrit Lindgren, nuk e ka zhgënjyer Vironin.
“-Pipi Çorapegjata është  përkthyer në shqip, prandaj unë dua të shkruaj një libër për Bubulinon në Suedi.
-Bubulino dhe Pipi pajtohen shumë mirë me njëri – tjetrin?
-Plotësisht...”
2.
Tashmë, dëshiroj të ndalem shkurtimisht te libri, që kemi në duar, “Dielli është i imi”. 13 tregimet e tij përfaqësojnë tematika të larmishme, subjekte dhe fabula interesante, të vendosura në imagjinatën e  pasur të Viron Konës, të gdhendura me daltën e “mjeshtrit” ose të endura me pasion e dashuri, në laboratorin e tij krijues. Ashtu si në veprat e tjera, edhe gjatë leximit të këtij libri, ndiejmë dhe kuptojmë lehtësisht se fabulat, episodet e ndodhitë interesante të tregimeve, në shumicën e tyre, janë ngjarje të përjetuara nga vetë autori.  Siç thotë me të drejtë Gëtja: ”Çdo shkrimtar, në një farë mase, paraqet në veprat e tij vetëveten, shpesh edhe kundër vullnetit të vet”. Duke qenë me cilësi të rralla vëzhguese, duke shfaqur dëshira dhe interesim të vazhdueshëm për të njohur shumanshmërinë e jetës dhe të veprimtarisë njerëzore, Viron Kona ka grumbulluar në mendjen e tij krijuese një material të pasur lëndor, që përfshin vlera shqiptare, tradita dhe zakone, arkeologji, kulturë, gjeografi dhe shkencë e, mbi të gjitha, një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore, që ndodhet  e shkrirë në librat   e tij të shumtë, për të rritur dhe për fëmijë. Tregimet e këtij libr, afrojnë vlera artistike me theks kombëtar dhe njerëzor, i falin lexuesit emocione dhe mesazhe të qarta e mbresëlënëse. Autori ka  gjithnjë prirjen të shkojë në çdo skaj të vendit, duke shpalosur përpara lexuesit bukuritë dhe madhështinë, pasuritë e vyera, por edhe peisazhet e rrallë dhe magjepse, që shfaqen nga Veriu në Jug.
Duke bashkëbiseduar një ditë, për metodën krijuese, Viron Kona më përmendi shprehjen e mençur të Emersonit: “Shënojeni diçka aty për aty. Një shënim, vlen sa një barrë kujtimesh”. Mesazhet e  Viron Konës janë mbresëlënëse, të besueshme. Gjejmë në këtë libër tema nga jeta e sotme e refugjatit, nga jeta e vështirë që duhet të përballojë njeriu për mbijetesë, nga jeta e dikurshme ushtarake, duke pikëzuar probleme, ide dhe episode nga këndvështrime të parrahura dhe origjinale, sikurse, ndeshemi edhe me temën e shkollës, ku vet autori duke qenë nga profesioni mësues, na i tregon ato me një gjuhë të pasur dhe tharm letrar e artistik. 

“Dielli është imi”,  të “rrëmben” si pa kuptuar kohën, sepse buron si një përrua i pastër e i ndritshëm, ai rrjedh natyrshëm dhe pa sforco. Libri të nxit të shfletosh faqet njëra pas tjetrës, duke pritur me padurim e kureshtje mesazhin dhe befasinë e zgjidhjes së tregimit. Nis me tregimin “Duke pirë kafe”,  vijon me dy tregime me temë
nga jeta ushtarake e dikurshme, por që në thelb shprehin: njëri efektin dhe vlerën frymëzuese të muzikës së Verdit, (“Ne ishim ushtarë”),  tjetri, dashurinë, humanizmin dhe ndjeshmërinë njerëzore,( ”Yllkoja” ). Ndërkohë që libri pikëzon tregime të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar në kushtet e ekonomisë së tregut, të cilat shfaqen me ngjyra të gjalla e jetësore, te tregimet: “Kur digjesh nxjerr mësim” dhe tregimi tepër i veçantë: ”Këpucët e mëdha”. Krahas këtyre, autori na përçon mesazhin, se jeta duhet jetuar dhe, sado e  ashpër që të shfaqet ajo, njeriu duhet të dijë të gjejë rrugët që e zbusin këtë ashpërsi, duke zbuluar anët e bukura të jetës. E, në këtë kuadër, më duhet të nënvizoj leksikun e pasur dhe humorin e shëndetshëm që pasojnë këto tregime. Ndërkaq, janë interesante dy tregimet për shkollën se si, ai, ku autori rrëfen me një gjuhë të ngrohtë dhe ndjeshmëri, për ditën e parë në shkollë të një mësuesi,(“Mësuesit”), si dhe tregimi tjetër, ku shpalosen tipa dhe karaktere të ndryshëm, ashtu dhe qendrime, që mbajnë ata në çaste të veçanta të jetës.(“Gjithçka mund të ndodhë”).
Në pjesën e dytë të librit, tregimet e këndshme  shfaqen njëri pas tjetrit. Siç vë në dukje edhe vetë autori, ato janë subjekte të mbështetura në biseda anekdotike, të trajtuara artistikisht, me një stil rrëfimi të ngrohtë, tërheqës dhe të rrjedhshëm. Të krijohet përshtypja se autori ndodhet në një tavolinë mes miqsh dhe, bashkërisht, rrëfejnë ndodhi e ngjarje, siç janë tregimet: “Peshku i artë”, “Llulla çudibërëse”,   “Dielli është imi”  dhe “Mashtruesi”. 
Mund të themi se libri ngjason me një mozaik ngjyrash e subjektesh, që e paraqesin jetën shqiptare, me nuanca dhe detaje, me figuracion të pasur artistik. Kudo bie në sy, ajo çfarë është dhe e veçanta tek e gjithë krijimtaria e  Viron Konës: thjeshtësia e të shkruarit, bukuria e shprehjes dhe e mendimit, dialogu tërheqës i vlerësuar aq shumë, në studimin e gjuhëtarit të njohur Gjovalin Shkurtaj dhe të shumë autoriteteve të tjera të gjuhësisë dhe letërsisë shqiptare.
Meqenëse kam marrë përsipër parathënjen e këtij libri, dëshiroj të shpreh edhe një vlerësim të veçantë për Eni Jakupin, që ka realizuar me një “gjuhë” të bukur piktorike ilustrimet e librit. Me aftësinë e saj vëzhguese, për të kapur drejtpërdrejtë thelbin e tregimeve, piktorja ka paraqitur çaste kulmore, të ideve dhe mesazheve të tyre, duke i dhënë kështu, njëherazi, vlerë librit në tërësi.
E ftoj lexuesin të nisë t’i lexojë faqet e këtij libri. Kam bindjen se, aty, ai do të ndiej shpirtërisht pulsin e jetës, do të takojë e bashkëbisedojë me personazhe, tipa e karaktere, që diku i ka parë ose i ka njohur; do të nxitet të përfytyrojë peisazhe me bukuri origjinale, që shpesh na kalojnë pranë,  pa i ndjerë e pa i vënë re.

Lezhë, 26 korrik 2011
(Shkrimi dërgohet për publikim, te “Fjala e Lirë”, nga Prof. Murat Gecaj)

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: