Thursday, 28 July 2011

POEZI NGA VASO PAPAJ


Vaso Papaj
  Je akoma mbi qytet?...
 
Çngjyroset nata si një albatros gjigant
E vidhet ngadalë  me flatra,              
                                                     andej, gjat’Autostradës
Po zbehen si me drojë syt’ e verdhë të shumkatsheve
Ngordhin dritat e përkulura të rrugëve ,
                                               të lodhura nga puna e natës.
Si pelikan i pangopur zbriti agimi,
                                                    në këtë qytet të rrëmujtë.
Por ky qytet s’është më i imi,
                                 është qytet i të gjithëve dhe i askujt.
 
 
Ndoshta nga tarracat e kateve shtatëmbëdhjetë,
                                                   me kopshte si parajsa vet,
ka mbetur në një qoshe Zoti e na shikon.
S’ e di, ndoshta dhe na përgjon,..
E di Ai, që në këto rrugë, qielli nuk shihet më?!...
Do të jetë e fundit vepër arti modern
Pasuria mbyt lirinë…Edhe qiellin e rrëmben...
 
 
Ç’e harxhova ditën sot, si një monedhë kusuri!
Pesëdhjet lekë, një gazetë
Merre, palose dhe fute nën xhaketë.
Ndërsa qyteti i të gjithëve dhe i askujt
                                    nën smog me shpejtësi po humbet.
 
 
Zot, a je akoma mbi qytet?...
Zbrit, sonte dua të t’ takojë.
Tek Bari i lagjes.
                           Paça kësmet!
                                 Tek bangot e vjetra gjysmëbosh.
Mos ki frikë, nuk loz bixhoz.
Vetëm një raki:
                               me speca, me domate, me turshi.
Sa merak kam të të them,
                                          kështu esëll:  Jam i lodhur!

     Parfumi
 
Ndonjëherë parfumin ndjejë
I sigurt… Je ti
Me  erën më vjen këtej  
Më bën shoqëri.
 
Ndonjëherë edhe pendohem
Ç’ t’ i bëj… Xhelozi
Era vjen dhe pse s’ dorëzohem
Të merr përsëri.
 
Mbrëmjeve të majit, gëzimet
S’ i harroj aspak
Me guxim rrëmoj kujtimet
Kur kam qenë çunak.
 
Po shumë herë edhe kujdesem
Mos shoh’ ëndrra kot
Në dëshp’rim, prap’ mund të kthehem
Pas fitores së plotë.
 
Dhe atëhere mbaj të keqen
Dhimbja triumfon
Një arsye gjej... Të ndreqem
Mendja ma kërkon.
 
Ndaj përsëri, përsëri të ndjejë
I sigurtë... Je ti
Me erën më vjen këtej
Rrotull meje rri.
 
Ishe nga ato
Ishe nga ato
Që takohen një herë vetëm
E pastaj, të mbeten pranë tërë jetën
Ishe nga ato
Që ndjehen me një të parë
E pas kësaj,  për asgjë s’ ka të ndarë.
 


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: