Wednesday, 26 October 2011

ATI YNË QË ZBRET NË TOKË



 Nga Agim Mato
 
 
 “Mëkatar nuk është ai që hedh poshtë
perënditë e turmës, por ai që bashkohet
me mendimin e turmës   për perënditë”
 
                                 LUKIANI
 
 
 
Çdo mbrëmje shkryqëzohem nga Golgotaja
dhe endem pranë bazave ushtarake,
pranë bareve të ndriçuara,
pranë çifteve moderne
dhe të dehurve.
 
Endem në mijëra Jeruzaleme
duke trokitur në portat e farisenjve,
në portat e monopoleve
dhe të bankave.
 
Mirëmbrëmani, u them.Dymijë vjet u mundova të
 zbusja për ju
shpirtin e trazuar të popujve.
Dymijë vjet që i shtegëtova kopetë e tyre nëpër rërën
përvëluese
të  shekujve  
drejt tokës së premtuar,
duke i mbajtur orë e çast
me erën e thimjamit të shpresës.
 
 
 
Isha bariu i tyre.
I kullosja
nëpër lëndinat biblike të harrimit
dhe në hajate kishash e manastiresh i mërzeja.
 
 
Në muzgjet romane e bizantine të kishave
u fola kaq herë për amëshimin në qiej
ku do të ngjiteshin shpirtrat e tyre
të transportuar nga engjujt.
 
 
Si dukeshin kur  dëgjonin profkat e mija!
Si i përpinte fantazia e tyre,
fantazia e të uriturve, e të verbërve,
fantazia e llahtarëshme
si toka e një shkretëtire pa ujë.
 
 
Isha bariu që grigjën time
ua dorëzoja vetëm therrtoreve tuaja,
vetëm pangopësisë suaj.
 
 
Mirëmbrëma, farisenj. E di se tani ju vjen ndot nga
                            firoma ime prej avujsh mbytës
të shpirtërave që vuajnë,
nga eshtrat e mija të mbuluara nga miliarda puthje,
si një masë xhelatinoze,
si një rrobe e neveritëshme e mjerimit
që s’kam si ta xhvesh.
 
 
Herë, herë, atje lart, i kryqëzuar,
më duket vetja
si ata shirita të lyer me ngjitës e të varur nëpër lokalet
                                                                       tuaja
ku venë e ngecin mizat gjatë verës.
 
 
Ende ngecin tek unë turma të gënjyerish.
 
 
 ju kujtohet koha kur turmat e urritura të skllevlërve
                                                                  endeshin
                                 në teatrin e pafund të Mesdheut
duke shirë si në një lëm të stërmadh
natë e ditë mitet,
duke plaçkitur tempujt
dhe rendnin duke ngritur pluhurin e hapave të tyre
drejt sheshmejdaneve të luftrave të para klasore?
 
 
 
Ishte hera e parë që e kuptuat,
farisenj,
se pushteti juaj nuk ishte i përjetshëm.
 
 
 
Së largu,
duke gjuajtur me heshta epikuriane Olympin,
dëgjohej e qeshura tallëse e Lukianit,
teksa perënditë pagane
si laraska të trembura
shpopullonin qiellin.
 
 
Po skllevërit, që ishin mësuar të mos e shihnin
                                               bosh atë qiell,
ku vërtitej nebuloza e frikës dhe e padijes,
prej lëndës së saj më krijuan mua.
 
 
Po ku ta dinin ata se edhe frika,
edhe padija,
ishin prona juaj, farisenj,
dhe unë, perëndia e re
që nisa t’u shërbej?
Unë u bëra mesia
jo i skllevërve
por i juaji.
 
 
Dhe që atëhere
“hyjaaa”
vija përpara kopetë e tyre dhe ndërseja priftërinjtë.
 
 
Ndërsa ju, me emrin tim në gojë,
me drurin e shenjtë të kryqëzimit
që e ngrinit lart,
kryqëzatë pas kryqëzate,
rendët drejt popujve që u faleshin ende diellit, demit
                                                             apo zjarrit
dhe ktheheshit çdo herë
me karvanet e ngarkuara me ar, fildish e mëndafsh,
me bananet, kokosin, kafenë e tropikut,
me skalpet e zogjve,
erëzat e Orientit,
me milionat e skllevërve të zinj
që shtynin galerat mbi një oqean dhimbjesh të pafund.
 
 
 
 
Mirëmbrëmani, farisenj, ju që jeni bërë
aksionerë  bankash e monopolesh,
aksionerë partish e parlamentesh!
Unë jam ndërgjegjja juaj e çoroditur
që vjen e ju takon pas allishverisheve të ditës,
jam rrufepritësi i zemëratave të turmës,
jam dordoleci juaj
që bëj roje natë e ditë
mbi togjet e arit të grumbulluar.
 
 
Ju kujtohet kur grisnit sandalet tuaja
në pazaret gjithë pluhur të Jerusalemit,
në pazaret e Romës
dhe të Kostandinopolit?  Ditën gërthisnit për të
                                                        tregëtuar
zografisjet me shëmbëlltyrën time,
qirinjtë prej dhjami,
kurse natën uleshit të ushqenit
me gjakun e budallenjve
viçin tuaj të florinjtë,
perëndinë tuaj të vetme.
 
Këtë perëndi ju e ruani në bankat tuaja
që ngrihen të rrepta në qiell.
Ato janë tempujt tuaj.
Çdo banknotë
është një ikonë e vogël ku faleni.
 
 
Është firasur grigja ime.
 
 
Mëkot kishat tundin këmborët e mëdha në qafat e tyre
                                               për të ndjellur turmat
që vrapojnë udhëve si në ethe.
U bënë fodullë veshët e tyre.
U bënë fodullë edhe veshët e të papunëve
që duken si të ngeshëm
dhe mblidhen grupe grupe nëpër sheshe,
ku tymi i duhanit lundron sipër kokave të tyre
si Kashta e Kumtrit sipër regëtimave të dheut.
 
 
Është firasur grigja ime. Navatat e katedraleve
nuk mbushen më të dielave si dikur.
Barqet e tyre të mëdhenj janë si barqet e oqeanikëve
që nuk gjejnë ngarkesë dhe e anullojnë udhëtimin.
Lumi i predikimeve që derdhet nga amvona
ujit vetëm kokat e hutuara të pleqve të matufjepsur,
që kanë prerë biletën e ravgimit për në amëshim,
kokat e grave supersticioze, të pafata,
që vuajnë nga ankthi i një pritjeje absurde,
kokat e politikanëve
që shfaqen sa për sy e faqe
për hatër të zgjedhësve,
ujit kokat pa koka,
trupat pa shpirt
dhe shpirtrat  pa trup.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: