Monday, 14 November 2011

PAS LIBRIT TË PARË EDHE TJETRI,, “DASHURI ENGJËJSH”


               
                       -Kushtuar mësueses Lumturi Vladi-

Nga: Bardhyl Xhama
Shkrimtar e publicist,
“Mësues i merituar”-Tiranë





Libri “Dashuri engjëjsh”, i sapo venë në qarkulli nga Shtëpia Botuese “Toena” dhe i përuruar në Panairin e 14-të të Librit, “Tirana-2011”, i kushtohet mësueses Lumturi Vladit dhe është përgatitur e redaktuar nga shkrimtari Skënder Hasko. Që në fillim, nuk mund të mos e theksojmë këtu, se është e vështirë të gjindet një rast i ngjashëm, pra që nxënësit tanë të shkruajnë dhe t’i tubojnë mendimet e tyre jo në një, por në dy libra, kushtuar mësueses së tyre të dashur.
Para se të flasim për botimin në fjalë, pra “Dashuri engjëjsh”, dëshiroj t’i njoh shkurt lexuesit me mësuese Lumen, siç e thërrasin shkurt, veçanërisht nxënësit e saj. Ka 38 vjet, që edukon dhe mëson brezin e ri. Nga këto, shumë vite ka qenë në dispozicion, duke shkuar nga një shkollë në tjetrën, në Tiranë e në fshatrat në afërsi. Për disa vite ka qenë drejtoreshë në shkollat  tetëvjeçare “11 janari” e “Hoxha Tahsin” dhe, së fundi,  mësuese në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”, ku është edhe sot.
Mësuese Lumja ka shërbyer e shërben me pasion për mësimin dhe edukimin e nxënësve. Kudo, që ka qenë, ka fituar dashurinë e respektin e fëmijëve, të cilët kanë gjetur tek ajo cilësi të vyera  të një mësimdhënëseje dhe edukatoreje të përkushtuar, duke i trajtuar  ata si një nënë e dytë. Është edhe kjo arsyeja pse nxënësit e quajnë atë edhe “Nënë Tereza”. Është ky shkaku pse do të gjejmë te libri “Dashuria e engjëjve”, edhe mendime e vlerësime të nxënësve, nga më të rrallët e më të bukurit.
Kështu, tani le të ndalemi te botimi në fjalë. Është një libër voluminoz, me 350 faqe, përgatitur me cilësi. Nuk është as roman, as përmbledhje me tregime ose vjersha, as rrëfim biografik. Edhe pse ai ka diçka prej tyre, libri “Dashuri engjëjsh” është i një lloji krejt të veçantë. Në të gjejmë të shkruara afërsisht 300  letra, përshkrime e poezi, nga afër 100 nxënës të shkollave, ku ka punuar Lumja.
 E ka shprehur bukur e qartë shkrimtari Skënder Hasko, në hyrje të librit, mesazhin që përcillet te lexuesit. Ai nënvizon: “Ashtu si te libri “Qindra zemra, te një zemër”, edhe te ky libër pasqyrohet thjesht, por me shumë dashuri, portreti i mësueses Lume Vladi, shkruar nga nxënësit e saj...Fëmijët janë engjëj dhe engjëjt nuk gënjejnë”.
Siç del dhe nga materiali shkrimor, që përmblidhet në këtë libër, fëmijët nxënës tregohen të çiltër, shprehen me shpirt për mësuesen, se gjithçka u buron nga zemra, u lind vetëvetiu. Në letrat, urimet, përshkrimet ose vjershat e tyre, në shumicën e rasteve, vihet re thjeshtësia e të shkruarit, lirshmëria për të shprehur dashurinë e vlerësimin për mësuese Lumen. Por  shpesh herë ata shprehen edhe me fjalë nga më vlerësueset,  sepse mësuesja për ta është e madhërishme, është gjithçka, pra edhe si nënë e dytë, edhe si qiell, edhe si diell, edhe si det, edhe si e bukura e dheut, edhe si një hyjni që nuk ka të dytë në botë etj. Natyrisht, ne të mëdhenjëve na duket se e tepërojnë ca, por duhet të kemi parasysh  moshën e çiltërsinë e fëmijëve, naivitetin e tyre në të shprehurit e mendimeve, dëshirën për ta vlerësuar mësuesen si një qenie jashtëtokësore, të mbinatyrshme. Por të mos harrojmë se kjo ndodh, kur fëmija sinqerisht e do mësuesen e vet, kur gjen tek ajo, sipas mendimit të tij,  mësimdhënësen shembullore, edukatoren e përkryer që, veç të tjerash, e do si fëmijën e saj.



Kopertinat e librit të dytë, “Dashuri engjëjsh”

Le të përmendim, midis dhjetërave rastesh,  disa shprehte dhe epitete, që i bëhen mësuese Lumes, në këto shkrime të këtij libri, nga nxënësit e saj. Ajo, për ta “ka një zemër të madhe, që ua ka falur të gjithë nxënësve”, “Njëmijë fjalë janë pak për të treguar, në të vërtetë, zemrën e mirë të mësueses sonë”,   që është “më e mira nga të gjitha” dhe i drejtohen me sinqeritet: “Je mësuese mrekulli,/ Fjalëmjaltë, zemërflori”, “Më e mira në Shqipëri/ Është mësuesja Lumturi”; “bukuria jote s’krahasohet me hënën”; “Ti, për mua, je e bukura e dheut”, “Zemrën e kam ndarë në dy pjesë, për ty dhe nënën time”; “ti ma vodhe zemrën” etj. Besoj është e mjaftueshme me kaq, për të treguar dashurinë dhe respektin  e pakufishëm të këtyre nxënësve për mësuesen e tyre, por edhe teprimet në vlerësime, siç tjhamë dhe më lart, që natyrisht rrjedhin nga mosha e tyre e vogël.
Një aspekt tjetër, që dua të nënvizoj për këtë libër të rrallë, është dhe fakti që shumë nga këto shkrime e vjersha, që janë përmbledhur në të, mbartin edhe vlera artistike, si të thuash, janë krijime të mirëfillta letrare për moshën. Edhe për këtë gjë, do të përmendim ndonjë shembull. Vjersha “Mësuesja jonë” ka 6 vargje, që janë këto: “Më je e dashur, sa më s’ka,/ Më jep dije e njohuri,/ Mbi këtë botë, mrekulli./ Ti na fal dashuri e ngrohtësi/ Dhe zemrat tona i mbush/ Plotpërplot me lumturi”. Pra, ajo është e thjeshtë, e bukur, me kuptim e pa teprim. Në një vjershë tjetër shkruhet: “Ti ne na flet,/ Me fjalë të ëmbla,/ Ashtu siç na flet,/ Përditë edhe nëna”.  Ka dhe shumë e shumë të tilla. Madje, mendoj se është gjë e bukur, që janë marrë edhe strofa nga poetë të shquar dhe janë përshtatur me fantazi për mësuese Lumen. Edhe kjo është një zotësi, ta themi, artistike e fëmijëve.
Në këtë libër, në fund, është vendosur edhe një fashikull me fotografi me ngjyra. E çmoj me vlerë këtë praktikë botuese, sepse në këto foto lexuesi shikon e mëson disa aspekte e ndodhi shoqërore e familjare të mësueses Lumturi Vladi, që e bëjnë më të kuptueshëm përmbajtjen e librit.


Kopertina e librit të parë, “Qindra zemra, në një zemër”

Libri ka edhe një vlerë tjetër praktike. Duke e lexuar atë, në rreth 100 autorë-nxënës, që kanë shkruar, ka emra të bukur e interesantë, emra të traditës, por edhe të rinj. Është një brez  fëmijësh, që rriten dhe edukohen  në një kohë të re, demokratike, prandaj kanë dhe emra të kohës. Është intersnte të shënojmë se shumica dërmuese e atyre, që kanë krijimet e tyre në këtë libër, janë femra, pra rreth dy të tretat e tyre. Pra, ato duket se janë më të ndjeshme, më dashamirëse ndaj mësuesve, veçanërisht në rastin konkret, ndaj mësuese Lumes.
Sikurse e theksova më lart,  përmbledhja “Dashuri engjëjsh” nuk është një libër artistik. Më tepër, është si një biografi e një lloji të veçantë, vlerësuese, për një mësuese konkrete, që nxënësit e saj e duan dhe r adhurojnë. Por lexuesi i gjërë, veçanërisht nxënësi, mësuesi e prindi,  ka se çfarë të mësojë prej tij. Nxënësit do të gjejnë aty vetëveten, por  edhe do të vlerësojnë krijimet e shoqeve e shokëve të tyre, me të mirat e mangësitë që kanë. Se kështu, mund të marrin e të përdorin edhe ndonjë shembull urimi a vlerësimi, për mësuesen a mësuesin e tyre. Ndërsa mësuesve, besoj se u vlen që të ndjekin shembullin e Lumes për t’u bërë të dashur e të respektuar për nxënësit, ashtu si ajo. Por edhe për të njohur më mirë psikologjinë  e fëmijëve. Libri u vlen edhe prindërve, për ta kuptuar më mirë  botën shpirtërore të fëmijëve të tyre. Pra, në përgjithësi, ka vlera për tërë ata, që do ta lexojnë.
Në përurimet e librave dhe paraqitjen e tyre me anën e shkrimeve, është bërë traditë që, në përgjithësi, bëhet vlerësimi i librit, duke e quajtur këtë si një ngjarje festive, ditë gëzimi për librin, për diturinë. Edhe unë, me këtë shkrim modest,  këtë u mundova të bëj, pra të nxjerr në pah disa nga vlerat e këtij botimi.
Me këtë rast, i përshëndes dhe i përgëzoj nga zemra të gjithë nxënësit, të cilët janë bashkautorë në këto dy përmbledhje dhe, veçanërisht, mësuesen Lumturi Vladi, që me sjelljen, punën dhe veprimtarinë e saj të rrallë, edukative e pedagogjike, i i frymëzoi ata të shkruajnë kaq shumë e kaq bukur dhe me sinqeritetin e moshës!

Tiranë, 14 nëntor 2011

1 comment:

Anisa BOCI said...

Te shkruash nje liber autobiografik per veten eshte shume shume here me e lehte sesa te tjeret te te shkruajne per ty. Zysh Lumja eshte nje mesuese shume e perkushtuar kundrejt nxenesve me nje dashuri dhe vleresim teper te madh per ta.Edhe une kam pasur fatin te rritem ne nje staf pedagogjik te mbivleresuar nen drejtimin e Zysh Lumes, e admiroj per fuqine e saj si nje lider dhe e falenderoj perzemersisht per pergatitjen arsimore qe kam fituar.Urime te metejshme ...(ish nxenese e mesueses Lumturi VLADI)