Monday, 23 January 2012

Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!

 

Në këtë jetë ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe. (Nënë Tereza)

Fatmir Terziu


Në udhën e gjatë të metaforave
Me kafshë,
                me insekte,
                          me shtazëri në vetvete
Hapa ngutës. Tretje dhe puthje
Jetë që matet me akrepat lëvizës
Ditënatë kacavjerrëse mes aritmetikës
Zbrazja e lavjerësve në ulërimë e sipër.
Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!

Bikini të strukura sënduqeve modernë
Në këtë udhë të qepur për askushedi
Tufa lulesh që mbajnë erëmyku mbi mermer
Një grimë,
              një premtim,
                              një zhgënjim që therr.
Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!

Krehje të instikta gjatë kësaj udhe
Në xhama,
               reflekse,
                        pllaka kristal
Akuj të ngrirë. Akuj të shkrirë
Statujat me mish të ftohtë gërryejnë vetveten
Ky lindi hero!”, ... “kjo vdiq heroinë!”
Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!

Harresa të ngutshme në fletore me vija
Mes shifrave njëshe,
                           dyshe
                                ... apo trinjake
Hutime çasti. Përlotje dhe ikje
Jetë që riciklohet mes memorjes
Gjurmë të moçme, shenjëza motake
Prehje në fushën e largët
Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!




Fjala e Lire - Free Speech

1 comment:

Anonymous said...

Nje vjershe lirike shume e ndjere dhe me nje gjuhe te bukur. Mendoj se shprehja "Faleminderit per diten...Faleminderit per naten! sikur e thyen pak lirizmin e vargjeve te bukura. Sikur te shkruhej vetem ne fund te lirikes, dhe i thyer si varg mendoj se do te kishte me force se shprehuri:
""Faleminderit per diten...

....Faleminderit per naten!
Pershendetje!

Zana