Monday, 12 November 2012

Pluhuradhë




 


Nga Fatmir Terziu


Në qytetin tim as që i trembeshin pluhurit

Shkencëtarët le t'i masnin kokrizat e dëmshme

... Pluhurin ... që kthehej në formula

dhe formate vdekjesh kancerogjene të armiqve.



Në qytetin tim edhe sot e kësaj dite këmishat

Marrin ngjyrën e gritë menjëherë

Kur e bardha zor se është jetëgjatë

Zor se veç grisë tjetër ngjyrë ka vlerë...



...Kështu nisi dikur kënga e pluhurit

Në qytetin tim me ditë të vecantë vere

dhe plluhuri trishtoi këngë-kumriat

Që mërguan prej kalasë dhe çative.



Dhe pluhuri hyri në çdo gen

Në rrugë trotuare..., spitale

Pluhurin tashmë ngado e gjen

Madje edhe në fjalimet më optimiste.



Pluhuri, mat përbuzjen e yjeve

Mbushur me besimin e trukut në ajër

Kur mbi diell mbretëron larushja

Zagushia cmirë-vapë pluhur-mbarsur

Krekosja avullore në kokën e tij si çadër:

‘Yjet janë kurora ime në çdo rast!’



Rënkimi i gjatë nën valë e ultravalë rrezesh

Bardjegur therje e vragave shpirtvrarë

Në këtë pluhur që mbetet nën kalema dhe tastiera

Yjet vërtet janë një kurorë për pluhuradhë...



Pluhur me lotë margaritarë

Pluhur, me një gëzim të tmershëm

Dashuruar në sekretin e udhës flakë

Qëmtuar nga frika e shtrenjtë

Pluhur, lule e fushë-kohës që jetojmë

Pluhur, gjiganti i tokës nën plagë.



I madh nën timonin e yjeve

I madh në planetin Tokë

Më i lartë se pylli, se muret e Kalasë

Më i gjatë se hija në zgjatjen e Perëndimit

Ke marr dhe pëlqimin e fuqisë!

Se pluhuri dhe fryma e bën njeriun...



Jetojmë me pluhur miqtë e mi

Pluhuri na ndjek ngado në këtë udhë

Pa pluhur dhe jeta s’do kishte kuptim

Pa pluhur as era s’do kishte vrull...



Në qytetin tim i tremben pluhurit

Shkencëtarët masin kokrizat e tij të dëmshme

Pluhurin e kthejnë pastaj në formula

Eh,...formate vdekjesh kancerogjene.



BUZËDEHJE



Perceptimi im nënvizon retë dhe shkrirjen e tyre në vegime

Buzët e mia janë një kaos dhe faqet e mia janë natë

Por në duart e mia është drita një djegje e ndritshme.



I grirosur mavijosur nga kurora e gjelbërt e ullishtes

Unë vetëm shkund një degë ulliri dhe shoh mjegull

Tendosje e gjallë e shpirtit në një tango pafjalë ngjethëse.



Dritë shkëndijë e lirë u shkëput e vegoi lart

Mes drurëve të moçëm paqeprurës në jetë

Shpirti im, i njeriut, i dritës, i vetë jetës së gjallë!



Engjëll i së blertës prurje dhuratë e natyrës

Në dorën time ajo degëz e paqtë shtrëngimesh

Një shkrehje e florrinjtë në buzë të dehura...



BRINJËTHERRJE



Gjymtyrët e mia zdrukthen tokës së avullt të Gushtit nopran

Pak ajër shkërmoq grinë buzëmbrëmjeve buzë Skampës

Sytë e mi kanë klepsur, se zjarri i ka vënë qetë në ëndërra.



Në të çarrat e mureve të Kalasë kaos i brendshëm

Unë vetëm se gërvishta historinë e gati rrënova muret e saj

Dhe brinjët e mia shtatë grimëshe o Zot më therën!



Por qyteti i ëmbël vazhdon të tijën në ecjen e natës gri

Pa avull të tejdukshëm frymëmarrjet ndanë neoneve nën avlli

Gurrët e lashtë kremtojnë motet dhe ditët me Lavdi!



Frute të vockla sapodala ndanë bahçeve tkurren frikëplot

Një lajm përhapet zë klubet e rrugicat pushton përditë

Pallate, pallate ... eh, kudo veç mallkime, ... më kot.

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: