Friday, 18 January 2013

Borërënie dhe art-komoditet alla-revolucion




Nga Fatmir Terziu

Dëbora u prit me ditë të binte në Londër. Ekranet  të paktën këtë  bënë të parin lajm, ... ditë me radhë. Ama ra. Diku zbardhi, diku njomi me tretjen e saj të menjëhershme, diku nuk begenisi të shtrihej gjerë e gjatë. Dhe bora, e bardha borë, që binte në disa forma nga Qielli, u bë e dashuruara e fotografive. Ajo u bë pjesë arti. Art komoditeti të ardhur nga Qielli! Edhe unë e ndera një të tillë me gishtin e lagur. E bëra foto, e bëra art komoditeti. Dhe ndanë fotos sime, jo më larg se ku bora po kokrizohej dixhitalisht në celularin tim, ndodhej godina e punës sime, një institucion universitar në zemër të Londrës. Ngjitur me të, pak metra në këmbë, ndodhet Southbank, aty ku vendosen zakonisht vlera arti. Vlera si ato që pashë sot...
Qindra etiketa salcë domatesh, të grumbulluara në kohën e komunizmit, formonin kanvazin 75x32 metra, duke na dhënë ne, mua, dhe atyre që erdhën për të shpëtuar kokën nga lagja nën dëborë, por edhe atyre që mëshonin në kamera, “Artin e komoditetit” (The art-comodity). Kjo stinë vlerash jashtë rënies së dëborës, e cilësuar si ‘puna e artit në moshën e riprodhimit mekanik’ e paraqitur nga Andy Uarhol në vitin 1962, me 100 kanaçe salce dhe konservash, tani shtrihej në kanvazin e vajit të njohur ndryshe si Albright Knox Art Gallery. Më saktë atje ku nis e ëndërrohet ‘kostumi’ postmodern... Dhe sillja ndërmend një thënie të Uiliam Morrisit që thotë se postmodernizmi gjendet ‘në ëndërrimin se arti mund të nyjelidhë mes jetës sociale’.
Duke parë dëshira të tilla që kokrizojnë dixhitalisht dëborën, të bardhën dëborë, natyrisht mendoja të përktheja formëzimin në logjikën e vet, duke menduar se jo çdo shtypje dixhitale në kamerat e tipta, apo në ato celulare, mund të jetë artefakt (art i bërë me dorën e njeriut) komoditeti, se në mjaft raste kur dëbora zbardhte pishëzat ndanë Tamizit, apo edhe ndanë Southbankut, artefaktet e tejkalonin komoditetin, nusëronin nga Dora e Zotit, krijuesit, që në këtë rast ishte harruar nga shkrepësit ëndërrimtarë.
Këtë utopi-socialiste të mashtrimit me ëndërra, që lehtëson produkt-artin dorëbërë, nën shkrepje apo shtypje mekanike, e gjejmë ende edhe diku, aty ku prurja e avant-gardes sovjetike, akoma qëndron si një talismani e revolucionarizimit të artit, atij revolucionarizimi, që nisi në shekullin e njëzetë. Në anën tjetër në këndin poetik, apo edhe atë të prozës, kjo ardhje siberike, në mesin e të padukshmit ‘avand-gard-revolucion’, ose mish-mashit absurd, duket qartë se është një gishtprekje art-politike, në tërë thelbin e saj. Në periudhën e Majakovskit, ajo shfaqej ndryshe, duke bërë art-politikë me rrjeshtat revolucionare marksiste-leniniste të njerëzve, që lexonin të detyruar, sot pasardhësit e poetit, ata që u dashuruan në kurset letrare të paskohës së tij, kanë zbritur anëve të rikthejnë art-komoditetin e kanaçeve të supës dhe salcës së domates pa u ndjerë, se bëjnë të njëjtën mënyrë, atë të ‘revolucionarizimit’ të artit.
Është një histori nën dëborë, miq mos u lodhni ta lini pa u ndjerë seriozisht! Një ditë të mbarë, me supë, e pse jo edhe me salcë domatesh...Dijeni se keni ngrënë art-komoditet!
Lexo më shumë tek: http://www.fjalaelire.com/root/17285.html

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: