Saturday, 5 January 2013

Flet shkrimtari dhe publicisti Vasil TABAKU:



“Letërsia është perandoria e ndryshimit dhe e së ndryshmes. Shkrimtarët dhe artistët  janë PASURI KOMBËTARE”.
Shkrimtari dhe publicisti,  Vasil Tabaku  është autor i 13 librave në disa gjini si poezi, prozë, publicistikë, analiza e esse me të cilat ai tashmë ka krijuar influencën e tij në letrat shqipe dhe publicistikën shqiptare dhe ballkanike. Vasil Tabaku, duket si një personazh që sikur vjen nga “Muzeu Historik i EPOKAVE”, zërin e kontributin e tij e kini dëgjuar jo vetëm në emisionet Radiofonike por edhe në  RTSH. Por ajo c’ka e bën atë të shquar,- ai ka rekord  botimesh  rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime të veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj. Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “Nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”, “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.
- Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.
VEPRAT LETRARE:“Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976, “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981, “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987, “Ndërrimi i epokave“, studime, 1988, “Bota në sytë e mi”, ese, 1990, “Klithmë drite“, poezi, 1998, “Vit i mbrapshtë”,  “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999,  “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000, “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001, “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005, “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006, ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007,“SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën persishte, Teheran, 2004, "Dhimbjes i rrine te vogela kepucet e heshtjes" Tirane 2012
ËSHTË PREZANTUAR:Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003, Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”, Holzminde/Germany, 2003.Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm e të larmishme, që përmendëm më lart Vasil Tabaku ka në proces të finalizimit edhe dy libra, një roman dhe një libër poetik, kurse një pjesë e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njeh mirë italishten dhe rusishten. Në këtë bisedë, shkrimtari, poeti, publicisti dhe gazetari veteran i RTSH dhe aktualisht në ATSH, -Vasil TABAKU flet për veten dhe krijimtarinë e tij.
Bisedoi:Raimonda MOISIU
-Ju jeni një nga shkrimtarët pionierë të letrave shqip. Kalimi  juaj i sukseshëm nga mësues në poet, prozator publicist e gazetar.  C’mund të na thoni si filloi karriera tuaj shumë dimensionale? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
- …eh po ju më thoni të kthej kokën pas…natyrisht, kur njeriu ecën e ecën, dikur  ndalet dhe kthen kokën.Ja, tej diku është buzeqeshja ime prej gjimnazisti, fytyra ime e ciltër dhe naive… një poezi e vogël lirike,,naive e vibruese, shkruar fshehtas mësuesit të letërsisë …Druajtje, ëndërra, netë pa gjumë dhe…dështime të natyrshme. Ajo poezi nuk u lexua kurrë nga asnjë, por ama ishte poezia ime e parë…”Me fustanin prej drite të Hënës,me buzëqeshjen prej luleve të mollës,kalove ti mespërmes ëndërrës,dhe  humbe ashtu sic humbet flukëza e dëborës…” Kjo bëri që unë të shkruaja pastaj e të shkruaja pambarim.Filloj kështu një maratonë e poezisë, që  më bënë të ndjehem gjallë edhe sot.Ndërsa kur  mbarova fakultetin dhe isha mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës, isha autor  i një libri poetik.  Kisha botuar që student vëllimin poetik “Hyrja e Pranverës” dhe ndërkohë  kisha botuar dhe  shkrime publicistike tek gazeta “Zëri i Rinisë” apo gazeta “Drita” duke i dhënë kështu vetes edhe një mundësi tjetër krijuese, atë të publicistikes.Sa e bukur aq dhe e vështirë, shpesh  duhej të përshtateshe, të shkruaje duke anashkaluar problemet, në të kundërtën, duhej të përballeshe me një trysni politike, pa e kuptuar as vet shëndrroheshe në “armik  i klasës”. Pra  ishin vitet 1977,1978 ku unë një mësues fshati  isha edhe poet edhe  gazetarm, ose me saktë korespondent i “Zërit të Rinisë” në Mallakastër dhe Fier.Në Ballsh ishte duke u ndërtuar Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës, një kantier  i madh pune,  isha si të thuash atëherë kronisti i kësaj vepre të madhe industriale duke botuar  reportazhe dhe shkrime në shumë gazeta të kohës …Ishte  vërtet bukur por dhe e vështirë… Por duhet të them se në Mallakastër pata një stinë të bëgatë krijimtarie poetike ku botova edhe dy libra të tjerë poetikë, librin “Në të gjitha ditët” dhe librin tjetër “Me këngën time dhe jetën”. E kuptova që tashmë ishte nisur një rrugë pakthim, poezia  dhe publicistika…Dy bashkëudhëtare të cilat nuk m’u ndanë asnjëherë gjatë gjithë jëtës…Ah, edhe dicka…Në Mallakastër njoha dhe Resmën…vajzën që do të shëndrrohej në Muzën time të fuqishme të poezisë së mëpastajme. Resma ishte për mua dashuria dhe jeta, ëndërra dhe drita, shpresa dhe familja.Resma ishte një realitet magjik që  po e prekja për herë të parë e do të shëndrrohej për mua në një mit, himn i shpirtit të madh e të bukur të femrës…
-Mu kujtua shprehja e shkrimtarit të madh, Stefan King, kur e pyetën: “ Se si mund   të bëhesh  shkrimtar. Ai iu përgjigj –“merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve të tjerë dhe lexoni cdo gjë të tyre, –mos mendoni jo vetëm si të shkruani libra.” A ndani të njëjtën filozofi me të?
-  Po, do të thosha se është më tepër një sentencë se sa një rrëfim për procedurën e krijimit letrar…Të bëhesh shkrimtar? Pak e veshtirë t’i pergjigjesh.Të shkruarit nuk është artizanat,zeje apo  profesion…Jo të shkruarit është së pari frymë, gjëndje dhe e lindur bashkë me artistin.Kam bindjen se mund të mbarosh  disa shkolla dhe fakultete, por kurrë nuk mund të mësosh si të shkruash…Të shkruarit, vjen, nuk fitohet, Të shkruarit ndoshta është magji…Mbase…Stefan King, ka të drejtë..mbase…Nuk them se jam perfekt në këtë përgjigje, por gjithësesi kështu mendoj dhe…
- Ju jeni prozator; romane novela, tregime esse, ….Tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i dhjetra librave.Cfarë mendoni se ka mbetur konstante?
- Asgjë nuk  mbetet konstante…Gjithcka është  në ndryshim të vazhdueshëm.Krijimtaria i ngjan një vullkani në errupsion të plotë…Cdo libër është një destinacion, ndryshe mund të them një qytet, që ti si shkrimtar në rrugëtimin tënd krijues, tashmë e ke arritur, e ke krijuar, e ke eksploruar, e ke bërë tëndin dhe  pastaj ikën. Ikën se nuk mund të rrish aty përjetësisht, pasi do të shkruash librin tjetër…Dhe krijimi i një libri tjetër është një tjetër gjëndje, një tjetër performancë, një tjetër botë një tjetër frymë…Ndryshimi është thelbi i krijimtarisë.Qyteti nga qyteti ndryshon ashtu si libri nga libri, roman, poezi, ese,  publicistikë…dhe ti si një ZOT, i vështron nga sipër dhe kuptohet, nuk je i kënaqur.Do të doje t’i prishje dhe t’i bëje nga e para, por kjo jo gjithmonë është e mundur. Megjithatë, pikërisht ky ndryshim, kjo mosngjashmëri dhe asnjëherë konstante e bën letërsinë  univers të larmishëm dhe të magjishme, të bukur dhe tërheqëse. Letërsia është perandoria e ndryshimit dhe e së ndryshmes…
-Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një prozë, në rastin tuaj, të romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
- Romani im “Baleti i drerit të plagosur” është më tepër fryti i realiteti. Ai është  rrëfim artistik për luftën dhe paqen në KOSOVË.Unë si  shkrimtar,artist  dhe publicist e përjetova thellë këtë luftë në vendin e Dardanisë, truallit mitik të legjendave dhe mbi të gjitha të Eposit të Kreshnikëve.Pata si të thuash afeksion të menjëhershëm.U elektrizova.Kjo mbase nga ndjeshmëritë e mia më të herëshme. Në periudhën  e viteve 90 deri në  98 –ën, unë isha gazetar në Radio Televizionin Shqiptar dhe aty arrita të realizoj një sërë emisionesh televizive të drejtperdrejtë  për Kosovën, përpjekjet dhe luftën e madhe për liri.Po ashtu realizova disa  filma dokumentarë për ngjarje dhe emra të  njohur të Kosovës. Kjo e rriti mjaft ndjeshmërinë time si krijues dhe unë tashmë isha i gatshëm për një vepër më madhore. Romanin. I gjithë shkrimi i romanit si  vepër për mua ishte nga sfidat më të mëdha të jetës sime…O Zot ! Po kishim dëgjuar aq ngjarje dhe ndodhi, bëma heroike dhe tragjedi, makabritete dhe vepra të llahtarshme të genocidit serb në  gjithë Kosovën. E pra në shënimet e mia si gazetar, në blloqet e mi dhe diktofonat, kishte shumë dhimbje, klithma, britma njerzore, përdhunime masive, të femrave të pambrojtura.Vrasje të përbindëshme dhe tortura…Dhe kuptohet, unë tashmë isha i mbushur gjer në shpërthim. Si mund të heshtja, si mund të mos ulërija…pra në rastin tim si të mos  shkruaja…Dhe e shkrova romanin thuajse për një vit, pastaj m’u desh të përballesha me përpunimin e gjatë.Në roman ka skena makabre, përdhunimi, torturash, vrasjesh dhe shkeljesh  të paprecedenta të të drejtave njerzore…Natyrisht,  për të mos e shëndruar veprën rimë në një libër thjesht tmerri m’u desh të hiqja shumë skena të paimagjinueshme krimesh.Skena të cilat unë i kisha marrë direkt nga realiteti i paimagjinueshëm i genocidit  dhe spastrimit etnik në Kosovë…Në shpirt kisha një pezm të rëndë…Isha shumë borxhli ndaj Kosovës dhe shqiptarëve atje…Romani rrinte  si  dhimbja pa emër brenda ndërgjegjes sime.Isha  midis realitetit dhe fantazisë. Përpara atij realiteti, fantazia ime si krijues ishte tepër e varfër…realiteti i luftës në Kosovë ishte mbi cdo fantazi, sado e madhe dhe e shfrenuar të ishte ajo…Atëhere unë lashë vetëm skenat reale të krimeve të sërbëve, lashë realitetin e shëndruar me shumë dhimbje në art e në letërsi. Ky  është romani im për Kosovën “Baleti i drerit të plagosur” me shënimin në faqe të parë “Këtë roman ja kushtoj miqëve të mi poetë të Kosovës…”
-Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?
- Mbase romani erdhi tek unë si  formë përgjigjeje ndaj Kosovës.Unë i detyrohesha shumë Kosovës si vend dhe si  shpirt…Ndoshta poezitë e shumta që kisha shkruar për Kosovën, nuk arritën ta përmbushin pengun tim ndaj këtij vendi  të mrekulleshëm më njerëz  fisnikë dhe dinjitozë që vinin nga lufta drejt lirisë si vet mitet. Në roman miti i Eposit të Kreshnikëve gërshetohet pazgjidhshmërisht me realitetin duke dhënë kështu një vepër letrare mikse; midis legjendës, realitetit dhe magjikes. Romani ishte kështu një  formë përgjigjeje e imja ndaj detyrimit që unë kisha, kam dhe do të kem ndaj Kosovës…Mund të them se romani “Baleti i drerit të plagosur” është dhe bashkëbisedimi im i pandërprerë me këtë vend krenar dhe njëherësh mitik e heroik…
-Shquheni në prozën  për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik.Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtar që i përket dy epokave - realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste?
- Brezi im i krijuesëve letrarë e artistikë,  i përket  dy rrymave ët ndryshme krijuese, asaj tw Realizmit Socialist  dhe periudhës pas viteve 90 kur u përmbys komunizmi. Ndryshimi në fakt është thelbësor, por ajo c’ka mbetet brenda këtyre  dy rrymave është  vlera njerëzore e krijimit letraro – artistik. Inspirimi  im ka qënë dhe mbetet bota shpirtërore e njeriut, e cila tek krijimtaria ime është shëndrruar në  lajtmotiv të përjetshëm.Në librat e mi të botuar  para  viteve 1990,  dominon  ndjeshmëria e thellë shpirtërore, nuk mund të them se i kam shpëtuar edhe ndonjë klisheje të kohës, por gjithësesi, krijimtaria ime poetike, pasi deri në vitet  1990, kam botuar vetëm poezi,- nuk është  dominuar nga  letërsia e angazhuar.Në diktaturë, letërsia e angjazhuar lidhej me  seri emrash krijues që ishin shumë afër pushtetit dhe i thurrnin ditirambe Partisë, diktatorit E.Hoxha dhe komunizmit.Unë nën diktaturë, qëndrova vetëm tek poezia, sepse poezia  ishte më e “lirë” dhe më e shpenguar, operoje si të mundeshe sa nga lashtësia tek realiteti, pa u bërë krijues i oborrit…
-Ku qëndron ndryshimi midis këtyre dy epokave. Ju biles kini edhe një libër studimi të titulluar “Ndërrimi i epokave”, apo librin me esse: ““Bota në sytë e mij”,? Cfarë iu tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht?
- Ndryshimi është sa thelbësor aq dhe domethënës. Është  ndërrim epokash dhe konceptesh,  përmbysje dogmash dhe lindja e  lirisë në art, letërsi e jetë. Mos harrojmë, diktatura ishte regjimi që burgosi muzikën. O Zot ! Po a burgoset arti?!...Le të rikujtojmë këtu Festivalin e 11 të këngës në RTV, apo i quajtur ndryshe festivali i ndaluar. Apo burgosja dhe internimi i shkrimtarëve e artistëve…Këtë kam dashur të theksoja tek libri  me studime sociale “Ndërrimi i epokave”, përmbysjen dhe  lindjen. Kjo theksohet më shumë tek libri im eseistik “Monumentet e munguara të Demokracisë”. Ne si vend hymë vonë në  epokën e Demokracisë, por gjithësesi si popull ishim uragan që kishim shpërthyer  me kohë edhe brenda mureve qikllopik të diktaturës komuniste.Ndërsa realiteti për mua si krijues mbetet nga referencat kryesore, pa të cilin do të isha mbase inekzistent.Koherenca në krijimtari është sa jetike aq dhe artistike.Të gjithë librat e mi nuk ka dyshim që janë produkt i realitetit, i përgjigjen atij, në të gjitha format e ekzistencës.
--Kur ju shkruajtët romanin “ Baleti i drerit të plagosur”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, ky roman nuk është fantazi, por është bota e brendëshme njerëzore.Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?
- Romani “Baleti i drerit të plagosur” është para së gjithash një rrefim realist dhe tronditës.Është i gjithi  përmendore për luftën dhe lirinë e Kosovës , veprën madhore të njerëzve të saj.Rrethanat brenda romanit përkojnë rrënqethshwm me atë realitet tronditës të Kosovës, ndaj aty dhe shumë nga emrat e personazheve, thuajse kanë mbetur si në realitet, të pandryshuar, pasi unë  lëndën e romanit e mora nga ai realitet, duke e shkruar me emrat realë, më  bëri të ndjehesha më afër tyre, më intim,    njerzor dhe më  i natyrshëm.Natyrisht aty ka personazhe  që unë më vonë i stilizova, për të vetmin fakt që të mos kompromentoheshin me subjektin rrënqethës si  përdhunimet, vrasjet, apo dhe  raportet e tjerë…Një pjesë e mirë e tyre  janë  emra publik dhe me situata që nuk doja t’i kompromentoja. Por në fakt romani mbeti realizim  dhe produkt i  realitetit të caktuar dhe unikal…
-Ju jeni edhe poet. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj të vëllimeve me poezi;  “ Hyrja e Parnverës”, “Në të gjitha ditët”,  “Me këngën time dhe jetën”, “Klithmë drite”, “Vështrim i ngrirë”, “Dhimbjes i rrinë te vogëla kepucët e heshtjes”, të përkthyera pjesërisht në italisht, gjermanisht e persisht. C’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
- Poezia është dashuria ime e parë…Kam qënë ende i vogël, në pragun e adoleshencës kur “zhgaravisja” vargjet e mundimshem poetik,  gjithësesi ishte bukur, stërmundim i madh,  lodhje prej ferri…Qindra fletë të grisura, përsëri e përsëri  zhgaravitje vargjesh deri në vetmohim. Të gjithë librat e mi poetik, janë  frymëmarrje e thellë e shpirtit njerzor ndaj realitetit dhe botës. Poezia është magji, e cila është thuajse e pamundur të shpjegohet.Unë jam nga ata njerëz dhe krijues që mendoj se poezia nuk mund të zbërthehet, nuk mund të pranoj logjikën e ftohtë cerebrale të spjegimit të hollësishëm. Por unë mund të them me shumë sinqeritet, që poezia është për mua fryma e shpirtit, poezia është jeta ime, kuptimi im dhe pse jo “shpjegimi”im…
-Cfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të vecantë kur ju shkruani një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?
- Nuk mund të them se kam frymëzim të  vecantë, sepse gjendja e të shkruarit është   situatë tepër e pashpjegueshme, inkandeshencë e shpirtit dhe mendimit…Kur shkruan, ( të paktën si e ndjej unë brenda vehtes) është gjendje transi…pse jo dhe magjie.Është  universi i talentit njerëzor që triumfon mbi ndërgjegjen duke dhënë produktin e krijimit poetik…
-Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio,  në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
- Shiko, poezia ka një specifikë…ajo nuk shkruhet  kur do ti, por kur do ajo ( pra poezia), ajo vjen atëherë kur ti nuk e pret, pra nuk e parashikon, në studio, natyrë apo kafe…eh, po  unë do të thosha thjeshtë, -Poezia është trilli më i bukur njerëzor. Shumicen e poezive i kam shkruar duke ecur, pastaj jam ulur e i kam hedhur në letër…
-Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
-Muza…Nuk besoj se do ketë, kush aftësinë për ta shpjeguar. Muza  lind,shpërthen dhe materializohet në mënyrë magjike. E vetmja fjalë që mund ta shpjegoj muzën mendoj se është fjala e mistershme MAGJI. Muza është magji. Poeti përjeton  gjendje vërtetë të mistershme dhe tepër të vecantë, fjalët nuk dalin nga gjuha, por ato gurgullojnë nga shpirti i poetit, dergjen plot dirtë e ngjyra nëpër qiellin e madh të poezisë për t’u shëndrruar në këngë të mrekulleshme ku jeta është vërtet e magjishme. Kështu është poezia, e bukur, e mistershme dhe marramendëse…
-Ju shkruani poezi dhe prozë?Cili ka qënë poezia,  tregimi apo novela tuaj e parë?
- E para, mbase poezia, e cila tashmë ka humbur në  stuhinë time krijuese. Libri im i parë është libri poetik “Hyrja e pranverës”.Isha ende student nw fakultetin e Gjuhë – Letërsisë dhe ju them sinqerisht që ka qënë ndër ditët e mia më të bukura.Kopjen e parë të sapo dalë nga shtypshkronja, ma ka sjellë shkrimtari i madh Jakov Xoxa, kushëri i nënës sime.Dhe mua m’u duk sikur më solli vet botën, jam përlotur, më pas erdhën me radhë  librat e tjerë.
-Ju shkruani poezi lirika dashurie “të pastra dhe të drejtpërdrejta në të shprehur” –dhe vërtet jeni ndër poetët e rrallë që me vargjet tuaja shpërthyese ilustroni dashurinë njerëzore. Cfarë ju ka shtyrë për të shkruar lirika të tilla? C’është dashuria për ju” Kur e ndjen një burrë se është i dashuruar? Si ia arrini ta reflektoni në poezitë tuaja?
- Nuk e di, thonë që njeriu në jetë dashuronë vetëm një herë,  të tjerat janë karikatura të dashurisë, ose dashuricka. Poezinë e parë për dashurinë e kam shkruar për Resmën, femrën e cila më  pas u bë njeriu më i afërt e  i shtrenjtë në jetën time, bashkëshortja e mrekulleshme. Ishte ndjesi e prekëshme, reale dhe e vërtetë…Resma ka në dorëshkrim të paktën një cikël të tërë poetik, shpresoj të jenë vërtetë të mrekulleshme dhe teper orgjinale…( Asnjë prej tyre  nuk janë botuar, ato do të botohen mbase në librin tim me poezi të zgjedhura). Të gjithë librat e mi poetikë janë të mbushur me lirika  dashurie. Kuptohet, poeti është në këtë rast përfaqsues i gjithë të dashuruarëve, nuk flitet vetëm për poezitë e e dashurisë sime individuale, pasi poeti në këtë rast përgjithëson. Dashuria është shpirti i JETËS. Njeriu pa dashuri do të ishte si një pemë e tharë. Dashuria ushqen vlerat, guximin, krenarinë, aventurën dhe cmendurinë, ndaj dhe është e bukur, e mrekulleshme dhe pushtuese e jashtëzakonshme. Dashuria  në poezi është drita hyjnore e fshehtë, e cila nuk mund të ndalet, as mund të  imponohet, ajo vjen vet, është e vetvetishme, e nuk e njeh ligjin e të shkruarit, Dashuria ka  pushtet  të pashpjegueshëm në poezi. Si e tillë ajo shëndrrohet në uragan shpirtëror që të rrëmben. Kur ti e kupton se je i dashuruar…eh, i kërkon ndihmë poezisë të shprehesh. Poezia është shumë bujare në këtë rast dhe shpërthen. Ja pra kështu ndodh…
-Cfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e intelektual?
- Poeti jeton brenda një realiteti të caktuar dhe si i tillë ai është edhe  qytetar i Botës dhe natyrisht ka  ndijimet e veta. Vetë titulli i librit tim më të fundit poetik ka domethënie shpërthyese dhe qytetare “Dhimbjes i rrinë të ngushta këpucët e heshtjes” Në këtë rast cdo koment do të ishte i tepërt…
- Kombinimi i së tashmes me të shkuarën, i letërsisë me publicistikën në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së suksesshme, por edhe një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër. Si ia arritët ju ta realizonit këtë në romanin; “Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007.
-Nëse nuk do të isha publicist, unë nuk do ta kisha shkruar dot romanin tim “Baleti i drerit të plagosur” Kjo vepër erdhi pikërisht nga këto perceptime publicistike dhe reale, të cilat unë i  përjetoja si gazetar profesionist, si në Televizionin Komëtar Shtetëror, apo në Radio dhe në Gazetë. E thash më lart, romani ishte produkt i një trysnie të fuqishme mediatike dhe  borxhit unikal ndaj Kosovës, gjë e cila u materializua  në vitin 2007 me botimin e suksesshëm të romanit.
-Kam shfletuar me interes të vecantë librat tuaj studimore, shkrime trajtesa, analiza politike, kritikë letrare  e publikime në fushën e publicistikës.Si keni arritur ju, të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?
- Është padyshim  harc i madh që  shkrimtari, artisti dhe publicisti Iipaguan pavarsisë intelektuale. Që të mos mbetesh peng i asnjërës e në këtë rast  pavarësisë së të shkruarit dhe padyshim lirisë së të menduarit,  duhet të jeshë shumë i sinqert me lexuesin, të mos e bëshë atë palë, pra të mos e imponosh që ai të mendoj si ti që shkruan, por të mendoj i lirë dhe të gjykoj po aq i lirë, pavarësisht preferencave të tua politike.Në Shqipërinë e kohës sime kjo thuajse është utopi, pra tërësisht e pamundur.Vecanërisht në librat e mi eseistikë dhe me sfond politik, unë nuk do të thosha se jam SHENJT, më besoni që kam qënë tepër realist dhe i hapur.Unë i përkas asaj kategorie krijuesish që i besojmë shumë DEMOKRACISË, dhe natyrisht, liria ka qënë kështu BIBLA ime e krijimit…
-A ka ndonjë moment paralel gjatë eksperiencës tuaj, që si rrjedhojë ka sjellë edhe këndvështrimin paralel mbi përvojën jetësore, social-politike  e historike?
- Po kjo mendoj se i ndodh  shumë krijuesëve. Në fund të fundit  artisti dhe shkrimtari janë produke sociale dhe si të tillë ata nuk mund të mos preken nga “virusi” i kohës në të cilën ata jetojnë. Duke qënë të tillë, padyshim janë tepër të brishtë e delikatë.Ndaj ata meritojnë  gjithë përkujdesin e mbrojtjen e vet shoqerisë ku jetonë, pasi unë do të thosha pa drojtje se shkrimtarët dhe artistët  janë PASURI KOMBËTARE.
-Ju keni një karrierë të gjatë në gazetari, si një nga gazetarët më aktivë në mediat e vendit.. Edhe  si folës në radio, TV, edhe si kryeredaktor në disa organe të shtypit shqiptar.Keni botuar rreth 5450 shkrime publicistikë, analiza politike, sociale, si dhe shkrime të vecanta studimore në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare. A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca tuaj të emisioneve të lajmeve dhe artikujve publicistikë?
- Nuk di se si mund ti ndaj…pasi janë shumë,  natyrisht është një  kohë shtrirje e gjatë.Por unë do të sjell këtu një  moment vërtetë të vecantë. Isha gazetar në Televizionin Shqiptar, aty nga  viti 1996. Punoja për një emision të zgjeruar për  Kosovën, mbylljen  nga Serbia të Universitetit të Prishtinës. Një rast i jashtëzakonshëm dhe tepër tronditës. Emisioni do të ishte i drejtpërdrejt në trasmetim satelitor në gjithë Europën,natyrisht për të sensibilizuar botën e Perëndimit për këtë rast tipik diktatorial të Milloshevicit. Kisha shumë pak materiale dhe një mik nga Prishtina, për të më prurë materiale për emisionin televiziv, sëbashku m dy djem të rinj udhëtuan përmes dimrit ( ishte muaji shkurt 1996 duke kaluar ilegalisht kufirin nëpër male sepse nuk i lejonte regjimi i egër i Milloshevicit të vinin në Shqiperi nga Kosova.) Pas një udhëtimi  prej dy ditësh  ilegalisht nëpër male,  tre miqtë e mij nga Prishtina erdhën në Tiranë. Ishte mëngjes dhe para RTV Shqiptar rrinin tre  njërëz  të lodhur, të parruar, por tepër optimist, që më në fund kishin mundur të vinin dhe të takoni gazetarin e TVSH Vasil Tabakun, duke prurë materiale vërtetë të rralla.O Zot, kam shtangur. Ata të mobiluar nga një frymë e shenjtë lirie kishin sfiduar vdekjen e sigurtë, kalimin ilegal të kufirit dhe dimrin e egër të Alpeve. I pushtova si tre njerëzit e mij më të shtrenjtë dhe sytë e mi ishin të mbushur me lotë…
-.....që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni dhënë lajmet për herë të parë” ?

- Lajmet…Është tepër e vështirë ti shpjegosh disa gjëra.Të trasmetosh lajmin tek të tjerët  është një ndijesi e bukur por dhe emocionuese, me përgjegjeësi  natyrisht…Në studion e Radio Kontaktit jepja edicionin e lajmeve me dy gazetare të njohura tashmë, Elona Meco dhe Eva Simoni.Kishte ndodhur dicka e pazakontë në tunelet e Krrabës ishte vjedhur floriri i depozituar për Thesarin e Shtetit. Nuk isha informuar më parë me lajmet  isha ulur në pult bashkë me Eva Simonin dhe po lexoja lajmin se ishte kapur grabitësi, një fshatar me gomarin të ngarkuar me dy kosha me flori. Papritur shpërtheva në të qeshura të papërmbajtëshme, ishim në trasmetim të drejtpërdrejt…Po ctë bësh edhe gazetarët njerëz janë…Si mund ta besoja që Thesari i Shteti ishte vjedhur nga një fshatar me gomarin e tij…Në një kohë kur ne në lajme lexonim deklaratat e qeverisë së kohës se “ tunelet e floririt ishin të super mbrojtur dhe super ruajtur…”

 --   A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetar? Cfarë ka ndikuar te ju më shumë apo dicka e papritur që ju zgjodhët të jeni edhe gazetar?

-  Gazetarinë e kam përjetuar herët, që student.Për arsye ekonomike, për të siguruar bursën për të vazhduar shkollën e latrë, kam punuar si korrespondent i “Zërit të Rinisë”por edhe  i gazetave të tjera si Zëri i Popullit” apo “Bashkimi” dhe më tepër si gazetar  me reportazhe për aksionistët nëpër hekurudhat që ndërtoheshin aso kohe si Elbasan –Librazhd dhe Fier – Ballsh. Ka qënë  periudhë mjaft e bukur, intensive dhe e lodhëshme, pasi njëherësh duhej të përballoja dhe studimet, leksionet dhe provimet. Megjithatë them se po të mos ishte nevoja ime e madhe ekonomike, ndoshta do të kisha qëndruar larg gazetarisë, por tashmë unë kisha hyrë kokë e këmbë në detin e gazetarisë,  nuk dilja dot më pasi shumë gjëra tek unë ishin shëndruar në pasion…

- A mendoni se “OLD TIMES”  rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërisë, krahasuar me audiencën e viteve ’80, kur ju jepnit lajmet?
-  Gjithësesi ndryshimi është  sa thelbësor aq dhe cilësor.Në këtë rast krahasimi mendoj se është shumë domethënës. Tashmë  LAJMI, ka fituar më tepër hapësirë, më shumë intensitet dhe vjen  mjaft shpejt drejt audiencës apo lexuesit. “OLD TIMES” është padyshim një revolucion teknologjik mjaft cilësor por dhe mjaft i efekshëm krahasuar me dinamikën dhe shpejtësinë e emetimit të LAJMIT në vitet ’80 apo dhe fillimit të viteve ‘90 kur unë isha gazetar televiziv apo dhe radiofonik.Padyshim që audienca e sotme mendoj se është më e madhe por edhe më e informuar, kjo falë teknologjisë dixhitale por edhe emancipimit tërësor të vet LAJMIT dhe gazetarisë shqiptare.Gazetari i viteve ‘80 përvec censurës kishte dhe autocensurën, e cila sikundër dihet i rrinte si një “shpatë Demokleu” mbi kokë, ndërsa  sot, gazetarët vec  formimit  akademik tejet të avancuar kanë mundësinë e trajnimeve nëpër mediat prestigjioze perëndimore por edhe vjeljen e një përvoje mjaft profesionale nga kolegë të  ndryshëm si në  rajon,  në Europë apo dhe SHBA.
-Cfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato c’ka ju keni lexuar, dhënë lajme  apo vënë re?

-  Së pari dua të theksoj faktin se  dallimet janë ende esenciale e në ndonjë rast edhe tepër  dalluese. E kam fjalën në krahasimin  me mediat perëndimore. Gazetaria shqiptare pas viteve ’90, përjetoj një rilindje, një trasformim mjaft rrënjësor.Mjafton të  flasim këtu për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, dy  nga  vlerat kryesorë që i kishin munguar tërësisht medias shqiptare nën diktaturë për më tepër se  45 vjetë.Pikërisht këtu fillon dhe rilindja mediatike shqiptare, por edhe ajo ballkanike, pasi dhe Ballkani kishte po të njëjtat probleme si dhe Shqipëria .Kujtojmë këtu ish-Jugosllavinë, Bullgarinë apo shtete të tjera ballkanike.Gazetaria shqiptare pas viteve ’90 fitoj një dimension të ri: - lirinë e shprehjes dhe lirinë  mediatike, e cila natyrisht pati dhe keqpërdorimet e saj, pse jo dhe deformime të dukëshme. Një pjesë e mediave në Shqipëri, ende vazhdojnë të jenë të  ndërvarura nga qarqe të caktuara politike apo dhe nga pronarë të politizuar, gjë e cila ka krijuar shpesh edhe debate, por më së shumti deformime të vërtetësisë së lajmit apo dhe qëndrime subjektive.Megjithatë, unë mendoj edhe pse  gazetaria shqiptare ende ka probleme të raporteve të saj me realitetin apo dhe vërtetësinë e faktit, ka ecur mjaft përpara, ka euvoluar, është bërë më fleksibële dhe ka fituar një fizionomi bashkëkohore  në shumë raste dinjitoze.Mes gazetarëve shqiptarë ka emra tepër të shkëlqyer, profesinistë të nderuar dhe  dominant në tregun mediatik.Po ashtu dhe  organe të shtypit apo media audiovizive që janë sa prestigjioze aq dhe të pavarura,që kanë fituar besimin e shqiptarëve, pse jo dhe më gjerë.

-Cfarë mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot? Cili ka qënë keqkupimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj krijuese?
- Nëse do të flasim për kritikë lëtrare të mirfilltë, mendoj se kjo kritikë në Shqipëri, aktualisht mungon. Në vend të saj ka disa “qoka” të  miqëve apo disa  njerëzve të interesuar për autorin që bëjnë vetëm ca shënime me lëvdata. Në ndonjë rat këto lëvdata e kalojnë sensin e masës dhe e paraqesin autorin sikur të jetë  gjeni, zbulim në fushën e letrave shqipe, kur në të vërtetë është thjeshtë një krijues i rëndomtë  pse jo dhe mediokër. Mungesa e kritikës profesioniste si për letërsinë ashtu dhe për artin në përgjithësi, mendoj se ka sjell një pështjellim të madh tëk  qëndrimi estetik dhe vlerësues i lexuesit të mirfilltë. Nuk flas këtu për lexuesin e kualifikuar, pasi ai di mirë ta bëjë vlerësimin e veprës së lexuar, unë flas për ata qindra mijëra lexuës të thjeshtë që  manipulohen nga gjithfarë lloj grafomanësh.E meqë jam në këtë pikë, do të bëja apel për një  qëndrim më korrekt dhe racional të atyre që  marrin mundimin të bëjnë shënime për librat, pse jo dhe më të përgjegjëshëm në vlerësimet që bëjnë për autorë të ndryshëm.Në kohëzgjatjen e karrierës sime krijuese, ka patur  disa raste keqkuptimesh, nëse do ti  etiketoja kështu.Përgjithësisht këto keqkuptime kanë ardhur nga mediat e shkruara apo audiovizive. Këto media e kanë shëndrruar në biznes lancimin e mediokritetit  në letërsi dhe në art duke marrë shuma të konsiderueshme lekësh…dhe padyshim që kjo përvecëse është e trishtueshme për të gjithë krijuesit seriozë dhe të talentuar, por  mbi të gjitha është një superfyerjë dhe  shkelje e cdo etike qytetare dhe mediatike.Por c’t’i bësh ja që kjo ndodh dhe  është mjaft refraktare ndaj cdo vërejtje që ne bëjmë për këtë fenomen sa grotesk aq dhe  të papranueshëm.Praktika të tilla ndaj letërsië dhe artit në Shqipëri duhet të marrin fund, pasi këto lloj praktikash dëmtojnë rëndë imazhin e vërtetë të Letërsisë dhe Artit.

-Mendoni e shpresoni se gazeta “Drita”, do të rikthehet”
- Nuk besoj….Gazeta “Drita” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” ishte një  editim mjaft i sukseseshëm dhe serioz, por gjithësesi i  kompromentuar thellë nga partitizmi social-komunist i rregjimit të diktaturës.Si e tillë, kjo gazetë edhe pse e suksesëhme, nuk mund të kapërxej epokat dhe të rifitoj statusin e një organi të preferuar edhe në Demokraci. Cdo  kalim i tillë për mendimin tim do të ishte një bastardim. Koha natyrisht sugjeron tashmë forma dhe mënyra më racionale e  përfaqësuese për Letërsinë dhe Artin në Shqipëri. Është koha kur Shqipëria po ribën vlerat e saj dhe po ridimensionon shpirtin e madh, po reformon Kulturën , Artin dhe gjithë universin  krijues shqiptar. Organe letrare tashmë kanë dalë disa, por ende të pakonsoliduara dhe të orjentuara drejt, por gjithësesi ato kanë filluar të pohojnë vetveten dhe të shëndrrohen në tribuna të vlerave të Letërsisë dhe Artit në vend.
-Cfarë ju pëlqen dhe cfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti  “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si gazetar profesionist e i karrierës, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore   dhe në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit?
- Punën time, pra gazetarinë, unë e dua, e admiroj e adhuroj  dhe e respektoj. Të qenurit GAZETAR, për mua do të thotë të jesh nga njerëzit më të privilegjuar për lidhjet me realitetin, me kohën dhe njerëzit. Gazetaria  është për mua një eksperiencë e jashtëzakonshme të cilën mendoj se rrallëkush e ka në profesionet e tjera.Gazetaria, më dha mundësinë të zbuloj Shqipërinë skaj më skaj, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim.Jo unë nuk besoj se kam vënd të Shqipërisë, fshat apo qytet, pa e shkelur dhe pa e pasqyruar në shkrime, reportazhe, emisione televiziv apo radiofonik…Kjo padyshim është një nga mrekullitë që ta jep vetëm GAZETARIA.Po kështu dhe në shumë shtete si të Ballkanit, Europës apo më gjerë…Gazetari është në fakt  njeri mjaft i emancipuar pse jo dhe mjaft i orjentuar në kohë, traditë, histori, politikë dhe konceptet bazë.Duke qënë i tillë, gazetari është  udhërrëfyes për lexuesin, shikuesin e dëgjuesin.Shpesh gazetari është një sfidues i madh i dogmave, hipokrizisë politike dhe trilleve të kohës.Gazetari di të ndricoj mjaft denjësisht të VËRTETËN dhe unë do të thosha se gazetari është DISHEPULL i së VËRTETËS.
-Si jeni ndier përballë botës së frikëshme  të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?Cfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymmtim dhe vetëvrasje intelektuale’?
-  Është mëse normale që të përballesh më mediokritetin, hipokrizinë apo shfaqje klanore.Nuk mund t’u shmangesh, pasi ata janë kudo, të gjithgjendëshëm dhe mjaft të “aftë” për të manipuluar dhe depërtuar kudo.Ku nuk i gjen mediokrët, kudo, në punë, në jetë, në art dhe në letërsi. Një vecori specifike e mediokritetit është  kapja e  monopoleve ta letërsisë dhe artit, pasi janë sfera mjaft të shëndritëshme e vezullese që të bëjnë njeri publik, të njohur, të famshëm, e në ndonjë rast pse jo dhe të pasur.Përballë tyre shpesh jam ndjer i carmatosur, i persekutuar e në ndonjë rast edhe me plagë pas shpine. Them pas shpine, pasi mediokrët janë të pabesë, aspak burrëror dhe aq më teper trima.Në punë, në ndonjë rast, ka ndodhur që mbi krye të kem patur një mediokër.Një drejtues  hipokrit dhe mjeshtër të klaneve.Ndërsa aftësinë time krijuese si shkrimtarë  ky monument i mediokritetit e ka parë si armike të egër dhe kuptohet, më ka sulmuar në të gjitha format e luftës intelektuale dhe profesionale.Dhe për fat të keq në ndonjë rast edhe ja ka dal të fitoj. Gjithësesi unë asnjëherë nuk kam qënë thjeshtë  viktimë e këtyre sulmeve, pasi kam luftuar më mjaft dinjitet, pse jo dhe me shumë lodhje, mund dhe sakrifica. Por ka shumë raste kur këto përmendorë të gjalla të mediokritetit kanë bërë dhe “beteja” tronditëse dhe këtej  kanë dalë edhe “vetgjymtimet” intelektuale apo thënë ndryshe edhe “vetvrasjet intelektuale”. Sepse mediokriteti ka vetëm një pasion, të vras intelektin, aftësinë dhe të vërtetën.Por nëse më lejoni, unë doja të thosha që mediokriteti, nuk është vetëm një fenomen shqiptar, ai është kudo në cdo skaj të Botës.
-Si shkrimtar, poet  dhe publicist cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë` në vëndin tonë?
- Krijuesi artistik, e në menyrë  të vecantë shkrimtari është  një atdhetar i  përkushtuar, njeriu më i pasionuar pas vendit dhe popullit të vet.Vetë natyra e shkrimtarit padyshim që është tëpër e lidhur me kombin e vet, pasi në një mënyrë apo në një tjetër kombi është referenca e tij e gjithkohëshme dhe e pazëvendësueshmë si në veprat e veta letrare ashtu dhe në veprimtarinë e tij intelektuale.Dhe në këtë  kontekst, edhe unë do të thosha me shumë ciltërsi se kombi është identiteti im.Gjithë puna dhe krijimtaria ime artistike lidhet pazgjidhshnmërisht me kombin tim, me problemet, arritjet dhe vlerat e tij. Kjo  më bënë më të motivuar, pse jo dhe më të përkushtuar dhe krenar. Unë nuk mund të konceptoj një shkrimtarë pa identitetin e tij kombëtar dhe pa vecoritë e tij si komb.Ndryshe shkrimtar global  për mua  nuk ka dhe nuk do të ketë,  pasi fizionomia krijuese buron pikërisht nëpërmjet  vlerave të vecanta dhe tipareve dalluese kombëtare. Cdo shkrimtar,  është produkt i kombit të vet, i filozofisë dhe konceptit  të vecantë sikundër krijimtaria ime letrare është njëqindpërqint shqiptare dhe  ka aromë Shqipërie…Përsa i përket qëndrimit tim si shkrimtar ndaj pushtetit, do të thoja se  unë  në të gjitha pushtetet, kam qënë dhe do të jem  me qëndrime opozitare. Shkrimtari gjithmonë kërkon e kërkon më të mirën nga pushtetit.Shkrimtari dhe shpirti i tij rrebel nuk mund t’i nënshtrohet peshës specifike të pushtetit.Shkrimtari është nga vet natyra një kryengritës i pandreqëshëm dhe asnjëherë konformist.Pushtetet venë e vijnë por shkrimtari mbetet, ai është  unik dhe natyrisht ngrihet mbi pushtetin si një sfidë. Përsa i përket qëndrimit tim ndaj partive politike, në fakt  është tejet kritik dhe kërkues.Partitë politike kanë programet e tyre, të cilat në një mënyrë apo tjetrën janë programe që përmbushin ambicjet politike dhe ekonomike apo dhe sociale të krereve të tyre por asnjëherë pretendimet e shkrimtarëve, që në të vërtetë kërkojnë më të mirën e mundëshme për kombin, vendin dhe njerzit. Ndërsa përsa i përket demokracisë, do të thoja se është ëndërra më e bukur e të gjithë shqiptarëve që ende nuk është përmbushur plotësisht, por gjithësesi ka ardhur dhe po konsolidon vlerat e saj në këtë vend të përgjakur nga diktatura komuniste për rreth 45 vjet dhe të lodhur nga tranzicioni tepër i gjatë… 
-Kur shprehemi  “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë autorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
- Unë jam një lexues mjaft i pasionuar dhe  tepër kërkues.Unë për fat kam ndoshta edhe  një nga bibliotekat më të pasura individuale në shtëpinë time. Një bibliotekë mbase moshatare me mua, të cilët e kam pasion dhe e dua shumë. Për mua, në konceptin tim eseistik  në krijimtarinë letrare pak rëndësi kanë brezat krijues, për mua rendësi ka vlera që ai shkrimtar sjellë, kontributi i tij, risitë dhe forca shprehëse. Nuk paragjykoj asnjë brez krijuesisht, aq më tepër  të ashtuquajturin “Brez i Letërsisë së Realizmit Socialist” Kuptohet  shkrimtarët e asaj periudhe i shërbyen një epoke të caktuar dhe në një farë mënyre janë dhe përfaqësues specifik të një ideologjie të caktuar, e cila për hir të së vërtetës tashmë është e mbyllur dhe aspak funksionale. Letërsia e Realizmit Socialist, mbeti  kështu si një letërsi muzeale me të mirat dhe  mangësistë e veta, brenda një etape të caktuar kohore. Studiuesit  kanë gjithë  ekskluzivitetin të thonë mendimet e tyre dhe ta analizojnë mbase gjer edhe në detaje. Padyshim që në Letërsinë Shqipe ka mjaft emra të spikatur si I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, J.Xoxa,A.Podrimja apo dhe më të vonshëm si  Xh.Spahiu, B.Londo etj.Ndërsa letërsia  botërore ofron shumë emra të larmishëm dhe padyshim të suksesëshëm, të cilët  për fat të mirë  pas viteve ’90 janë prezent edhe në gjuhën shqipe.
-Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?
- Projektet e mia krijuese ende janë të shumta për fat të mirë pasi edhe unë vet ende jam në gjendje të mirë  krijuese.Ndër duar kam  shumë poezi që ende nuk e di se kur do t’i materializoj brenda faqeve të një libri. Po të keni vënë re në pasqyrën e botimeve të veprave të mia ndër vite, librat poetik vijnë  me një kohshtrirje mjaft të gjatë nga njëri-tjetri, dhe kjo për vet faktin se unë ndoshta shkruaj vërtetë shumë poezi, por  botoj pak. Pra matem si të thuash shumë, duke qënë tepër i rreptë, aspak tolerantë me përzgjedhjen e tyre për një libër të ri poetik. Në  projekt kam një roman të ri, i cili thuajse është në përfundim, por  ende nuk mund të flas për një datë të saktë botimi . Po ashtu kam ndër duar dhe një libër  eseistik për  Poezinë Moderne Shqipe.Që të jem i sinqert asgjë nuk kam peng në punën time krijuese. Por nëse do të thoshim “peng” mendoj se shkrimtari gjithmonë ka një peng, shkrimin e veprës së tij më të mirë, të cilën ende nuk e ka shkruar.
- A është i lirë shtypi sot?
- Të flasësh për lirinë e shtypit, është relative, pse jo dhe pak e vështirë, pasi liria  ka vetëm një emër dhe vetëm një kuptim LIRI.  Në Shqipëri  unë e them me bindje se kjo liri është relative dhe natyrisht e interpretueshme.Shtyp të lirë unë do të quaja atë shtyp apo media që  ka si bibël të VËRTETËN, dhe kjo   aktualisht  është ende një dëshirë apo një postulatë, se sa një realitet. Realiteti flet për shtyp të angazhar dhe partiak, pra shtyp që ndërvaret në ekzistencën e vet nga biznesmenë, të cilët e duan gazetën, radion apo dhe televizionin për t’a përdorur në interes të biznesit dhe klaneve të tyre.Po kështu dhe shtypi partiak, i cili dihet është një shtyp i angazhuar politikisht dhe i shërben asaj partie që e financon. Në Shqipëri është ende herët për të folur për një shtyp të lirë, pasi asnjë  gazetë, radio apo televizion nuk siguron ekzistencën nëpërmjet tregut mediatik. Të gjitha këto produkte medaiatike kanë si bazë të mbijetesës thjeshtë financuesit, të cilët në shumicën e rasteve janë dhe editorë apo shefa “të mëdhenj” pra më  drejt -bosët.Natyrishtë këta “bëjnë dhe ligjin” për editimet e tyre.Në ndonjë rast këta “shefa” mediatik apo bosa  janë dhe vanitozë cinikë apo edhe mediokër.Por natyrisht, krahasuar me shtypin e para viteve ’90, kur diktatura kontrollonte cdo gërmë dhe cdo fjalë, tashmë ka  mjaft elementë të shtypit të lirë që demonstrohen mjaftueshëm në shumë organe dhe media. Këtë gjë uroj ta thellojmë më tej dhe ta shëndrrojmë në një devizë të qartë për shtypin shqiptar që të ketë për bibël vetëm të VËRTETËN.
-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot....
-  Të jenë vetvetja, të jetojnë kohën denjësisht  me të gjitha dimensionet e saj dhe natyrisht të shëndrrohen në promotor të zhvillimit  dhe përparimit. Inteligjiencia e një vendi është pjesa më e cmuar, më e rëndësishme dhe më e shëndritëshme e shoqërisë dhe padyshim vlera e pakontestueshme e saj. Roli i inteligjiencies në Shqipëri është përcaktues dhe udhëheqës drejt  të nesërmes bashkëkohore dhe dinjitoze.Ta duan Shqipërinë, pasi është gjithcka për ta, është toka dhe jeta, është ëndërra dhe shpresa, është drita dhe përparimi, është dashuria dhe identiteti i tyre.
Ju faleminderit!
Bisedoi:Raimonda MOISIU

No comments: