Tuesday, 1 January 2013

Fragmenti VI- "Një mall i pashuar"-novelë



Vihelme Vranari Haxhiraj


         


Mbarova studimet dhe u ktheva në atdhe. Në shtëpi më pritën si ujët e paktë. Gjatë qëndrimit tim disa ditor për t'u çmallur në familje, më shumë kohë kaloja me nënën. Një mëngjes ishim vetëm. Ndërsa po më shtronte tavolinën për mëngjes me gatime nga duart e saj të arta, u ul përballë meje , mbështeti faqen e saj mbi pëllëmbën e dorës dhe po më vështronte gjithë mall. Nuk ngopej duke më parë, apo duke më pasur pranë.
-Aurel, sa e mirë ishte ajo! Kishe të drejtë, biro! Edhe engjëlli e kishte zili.
-Nuk të kuptoj nënë. Për kë e ke fjalën?
-Për Brikenën , vajzën që doje ti...
-Briii...Brikenën...? E ke takuar? Ku? Në ç'rrethana, moj nënë?- pyetje pambarim dhe kulaçi m'u bë si shkëmb në fyt. Pastaj më nisi një kollë që desh u mbyta. Nuk kapërditesha dot. Me pak ujë u qetësova dhe lëmshi u zvarg drejt stomakut për t'u bërë si një peshë e rëndë në kraharor, e cila më merrte frymën.
-Më fal, biri im! Nuk e dija që ajo ende jeton brenda shpirtit tënd.
-Të lutem nënë, më trego! Si është ...ku është?
-Eh , more bir ajo ishte vajzë që ta pije në kupë. Ishte nuse për djalë të vetëm.
-Mos nënë...Të lutem pse ishte? Mos vallë ka vd...?
-Gjallë është bir, gjallë...Jo vetëm bukuria, por sjellja e saj ishte për t'u admiruar. Ka qenë mësuese këtu në shkollën tonë, tre vjet pasi ti shkove me studime... Ishte e fejuar në Tiranë me një inxhinier që punonte në sharrat e FushArrëzit. E njoha një ditë që binte shi i rrëmbyeshëm. Ajo vinte nga shtëpia dhe zbriti nga një kamion. Që nga koka deri te këmbët ishte bërë si kokosh i lagur. Shkolla e re është dy hapa larg portës së shtëpisë sonë. Më erdhi keq si për ju, fëmijët e mij. Nuk e njihja. Gjithsesi e ftova të hynte brenda në shtëpi si mësuesen e nipit, djalit të tët vëllai. Nusja i dhe rroba që u ndërrua. I dhashë një gotë qumësht të ngrohtë që nuk donte ta pranonte, sepse e vlerësonte dhe i vinte keq për skamjen që kishte mbuluar fshatin. E gjora vajzë! Nuk donte t'ua hiqte nga goja fëmijëve. Në bisedë e sipër e mora vesh kush ishte. Atëherë u kujtova që e kisha takuar kur shkuat në ekskursion. U ngrita, e putha, e përqafova me dhembshuri nëne sikur të ishte nusja jote.
-Sa shumë të ka dashur im bir, moj vajzë... Të donte sa veten, por...
-Nuk e di se si ndodhi...ai ... ai nuk u bë më i gjallë. Dikush më erdhi dhe më tha, se nuk e meritoja Aurelin, por arsyen nuk e dija. Tani jam fejuar me një të sërës sime dhe martohem në muajin korrik...Kështu ishte shkruar për ne...secili mori rrugën e vet, -belbëzoi mes ngashërimash.
-Nënë, nuk ka mundësi...Ka diçka në këtë mes. Nuk di se si mund të vrasësh dashurinë e dy të rinjve. Dua ta di se kush e bëri këtë krim...
-Pasi ia tregova babait tënd bisedën me Brikenën, më tha: "gjyshi i saj nga nëna, kishte qenë partizan dhe më pas kaloi me nacionalistët. Biografia e saj, nuk e lejon martesën e atyre të dyve...Më mirë që ndodhi kështu, grua..."
Menjëherë më shkoi ndërmend interesimi i babait për të dhe familjen e saj.
"Deri këtu paska arritur im Atë?! Nuk është vetëm ai, jo, jo nuk besoj... Tani e shoh se ato probleme shqetësuese që lashë pas në Rusi, i gjeta përpara, në vendin tim. Lufta e klasave që kishte dënuar të dashurën time, më kishte prerë ëndrrat e së ardhmes në mes. Plumbi rikoshetë që kishte plagosur Brikenën, më kishte vrarë edhe mua shpirtërisht duke m'i mohuar ëndrrat, shpresat dhe dashurinë... Çfarë sistemi vrastar! Me një gurë vranë dy zogj.Më kishte diktuar dhe ndryshuar jetën bashkë me të ardhmen, kundër vullnetit tim. Kjo ishte një padrejtësi që më kishte dhunuar e mohuar liritë dhe të drejtat e mija. A gjendet ndonjë njeri apo institucion që të më sqarojë, se kush duhet të përgjigjet për zemrën time të plagosur? A ka ilaç për të mjekuar plagët që më hapën?- pyesja si i tërbuar. Gjithë kohës vrisja mendjen se kush e bëri këtë gjëmë? Për çdo çast mendoja për dhembjen e Brikenës, e vetme dhe pa mbështetje. Si e ka përballur vallë? Ishte aq e re dhe ia vranë shiprtin, i shuan ëndrrën dhe i varrosën shpresat.
Atë çast ndjeva një mall të pashuar që nuk do të shuhej kurrë. Në deje më gëloi vlagu i dashurisë së përjetshme që do të flinte brenda çdo qelize të qenies sime, pasi ajo më kishte gllabëruar deri në skllavëri trupin, mendjen, shpirtin dhe zemrën...Gjithçkaje mund t'i gjendet mjekim...Një krah i thyer,apo një këmbë e thyer, zëvendësohen me protezë. Tani pyes:
"A ka protezë për një zemër të thyer?!" U largova nga fshati me një dhembje të patreguar. Nuk do të gjej qetësi derisa të gjejë personin që ka mbajtur letërkëmbimet tona. Por me kohë, kur njoha sa në ç'bodrume të errëta ferri fshihej e vërteta, humba çdo shpreë për ta gjetur se kush e kryeu krimin ndaj një dashurie të pafajshme.

***

Kisha vite martuar. Kam qenë me fat në këtë drejtim. Bashkëshortja ime është një femër e mrekullueshme, e cila u bë balsam për shpirtin tim të gangrenizuar, më ka dhuruar tre engjëj. Jam baba i dy vajzave dhe një djali. Kam një familje të bukur. Nuk ankohem për asgjë, veçse herë-herë...
 Ndërkohë që punoja si përkthyes, jepja edhe leksione si pedagog i jashtëm në universitet. Një mëngjes sekretarja më njoftoi se më kërkonte dikush, së cilës i thashë që po e prisja. "Kush të jetë vallë qysh në orët e para të ditës?"- pyeta ndërgjegjen dhe vazhdova punë...
Një trokitje e lehtë në derë... Si duket nuk më dëgjoi se vura re që nuk po hynte. Në atë çast isha i zënë me punë, gjithsesi kurrë nuk ia lejoj vetes mungesën e mirësjelljes me askënd. U ngrita dhe hapa derën...
-Urdhëroni brenda,- e ftova dhe u ktheva me vërtik te tavolina e punës, pa vënë re se kush ishte. Duke kërkuar diçka në një fjalor anglisht, dëgjova një zë të njohur dhe tejet të dashur. Ngrita kokën dhe u breshtova në karrige. Isha mpirë i tëri. Dukej sikur isha shndërruar në një trung të thatë, ku në kokë e në të gjithë muskujt më lëvrinin miliona milingona. Më kishte zënë ngërçi gojën dhe nuk e hapja dot. Kurse në fyt më zvargej një dhembje e madhe që buronte nga e gjithë qenia ime.
-Mirëmëngjes !- theu heshtjen ajo. Pas mëse tetëmbëdhjetë vitesh ishte e para herë që u thye akulli që kishte ngrirë si akujt polar fjalën si mjet komunikimi mes nesh. Heshtja nisi të flasë...pas mëse njëzetë vitesh...
-Ti, ti këtu?! Nga nuk të kam kërkuar dhe nuk të kam gjetur dot. Nuk numërohen netët e pagjumta të vetmisë sime, ku mes agonisë së mallit dhe errësirës jetoja me heshtjen tënde. Sa shumë e kam pritur një lajm apo një fjalë shprese nga ty, kurse ti,ti...nuk denjove t'u përgjigjeshe letrave të mija. Përse më mohove? Përse më zhgënjeve? Të kam dashur si asgjë tjetër në këtë botë. Shtrihesha në shtrat dhe zgjohesha me emrin tënd në gojë. Shikoja sa e sa vajza të reja e të bukura që më luteshin, kurse unë në fytyrën e tyre shihja vetëm ty, portretin tënd të dashur. Shkoja në leksion apo në provim dhe emri yt, prania jote që edhe pse bëheshe përditë dhe më e largët, por vegimi yt i pranishëm në përfytyrimet e mija, më jepte forcë. Gjashtë vjet jetova vetëm për ty. Kurse ti...ti nuk më dhe asnjë sqarim...dua një spjegim përse ma bëre këtë?
-Ke të drejtë për gjithçka që shprehe, megjithëse ti nuk e di se sa shumë e kam vuajtur unë mungesën e një lajmi nga ty.
-S'është e vërtetë. Të lutem, po më fyen... Jo deri këtu! Të kam dërguar qindra letra dhe ti vetëm ke heshtur.
-Aurel, të betohem për dashurinë tonë të pamundur, për betimin e bërë dhe besën që i dhamë njëri-tjetrit në heshtje atje, te ulliri i moçëm; të
përgjërohem për gjithë ato çaste të bukura që kaluam bashkë; përunjem me nderim për dashurinë time që trokiti vetëm njëherë, për dashurinë tonë të parë, për atë kohë të pakthyeshme se, nuk kam marrë asnjë letër. Atëherë kur mbarova vitin e parë të universitetit, nuk e kundërshtova dot më familjen time dhe pranova fejesën me mblesëri.
-Kush, kush e bëri këtë krim? Jam i bindur se një dorë tinëzare a një mendje mizore ka vepruar në fshehtësi.
-Isha në vitin e fundit të gjimnazit. Ishte koha kur nuk shpresoja më të merrja lajm nga ty, dikush më tha : "E di që keni qenë të dashuruar ti me Aurelin, por rrugët tuaja janë ndarë që atë ditë që ai mori të drejtën e studimit. Ndaj hiqe atë nga mendja njëherë e mirë. E ardhmja e tij është e ndritur, kurse ti gjej fatin tënd."
-Këto fjalë dua t'i dëgjojë nga goja e tij. Pastaj cili je ti, që më tregon se ç'duhet të bëj.
-Unë jam ai që... -dhe u zhduk si hije ashtu siç edhe ishte shfaqur.
-Jo nuk e kuptoj dot këtë... Nuk di se çfarë emri t'i vë. Së paku, më thuaj, a je e lumtur? Çfarë njeriu është bashkëshorti yt?
 -Lumturia ime janë dy fëmijët e mi, për të cilët jam e bindur se çdo prind do të krenohej. Përsa i përket bashkëshortit, e ke gabim. Kam marrë një njeri shumë të mirë që më vlerëson, më do, të cilin unë e respektoj, por ...
Di që dashuria vjen vetëm njëherë. Gjithashtu di se atëherë ato dy vite  i përkasin një lumturie të pakrahasueshme që do ta ruaj si gjënë më të vyer.
Harrova që kisha punë. Gjithsesi u ulëm dhe folëm gjatë për njëri -tjetrin. Ajo kishte punuar mësuese për shumë vite në malësinë e veriut. Së fundmi e pyeta se për çfarë ishte munduar. Si kërkoi të ndërhyja për nipin e të shoqit, u ngrit dhe bëri të dilte.
-A mund të pimë ndonjë kafe a diçka...ndoshta një bisedë më të qetë, natyrisht miqësore...
-Nuk kemi pse ia heqim petët byrekut, pasi lëndojmë shumë njerëz që na duan dhe nuk e meritojnë shqetësimin...as tradhtinë. Një jetë bashkëshortore e tradhtuar i ngjan enës së qelqit të ciflosur, e cila është çbërë. Të dy e dimë si ena e thyer, edhe jeta, rinia, ndjenjat e së shkuarës, as nuk mund të rikthehen dhe as nuk ribëhen më si dikur... 
     -Të kuptoj. Ti si gjithmonë e matur. Një gjë e kam shumë të qartë se  bota është si portokalli, e cila në rrugëtimin e saj i përballë dhe i ritakon njerëzit, pavarësisht nga koha që ka kaluar...,dhe në çast i citova vargjet e shkruara nga miku i fëmijëve Odhise Grillo:
"Dashuria e parë nuk harrohet,
dëgjoje këtë fjalë që trondit,

veç mali me malin s'takohen,
po njerëzit takohen një ditë...

Ne u ndamë në errësirë,
Jeta ndarje ka,
Porse zemra lamtumirë,
Zemrës nuk i thaaa...!" -dhe vazhdova...
  -Brikena, prej lindjes e deri në vdekje jetojmë përmes përjetimeve, duke lënë pas mallin e pashuar. Këtë nuk e mohojmë dot, as unë dhe as ti. Lidhja jonë, dashuria jonë e parë ishte dhe le të ngelet e veçantë, e papërlyer. Ajo më zgjati dorën. Pastaj mes një nuri farfuritës në fytyrën e purpurtë që ende ishte rrëzëllitse, belbëzoi me një zë të shuar...
  - Ndoshta... një kafe mundet...
  -Vendos ti... ku dhe kur...
  -Si sot një javë te Kafe Flora, - më buzëqeshi idhët dhe më zgjati dorën.    Gjatë përshëndetjes ndjeva drithërimat e një shpirti të zhuritur. Pastaj m'u afrua, u zgjat dhe më përqafoi... Aroma e lulelimonit, e veçantë për lëkurën e saj delikate, bëri që të arratisem në rininë tonë rreth njëzetë vite më parë. Në atë përqafim miqësor ndjeva dashurinë e pavdekshme që depërtoi në dy trupa të rrëqethur si ndër ethe. Pas atij mëngjesi të rilindur, nuk e pashë më Brikenën.
  Në takimin e lënë për një kafe me Brikenën, shkova me vonesë pasi më doli një e papritur në katedër.
   Hyra rrëmbimthi me shpresë se do ta gjeja. Hodha sytë përrreth, por mjerisht...
Atë çast m'u afrua baristi dhe më pyeti:
    "Më falni mos kërkoni njeri ?
-Po...por erdha vonë...Eh, kështu ndodh kur je në vartësi të të tjerëve.
-Një zonjë elegante ju priti gati një orë... më pas u largua. M'u lut t' ju jepja këtë..."- ndërkohë më zgjati një zarf pa adresë! E pashë gjithë dyshim se mos po më provokonte.
Më vërejti gjatë dhe kur vuri re pavendosmërinë time , më vuri dorën në sup dhe më vështroi me dashamirësi.
-Profesor, unë ju njoh. Kam qenë studenti juaj i korrespodencës. Ndaj kini besim tek unë... E mora letrën pasi mësova se kujt i adresohej...
E falenderova dhe u ula në një kënd të Bar-kafesë. Porosita një kafe dhe me duart që më dridheshin hapa zarfin me padurimin e adoleshentit të dikurshëm. Ishte një shkrim i nxituar gruaje. Gjithsesi e njoha. Ishte shkrimi i saj. I hodha një sy, por çuditërisht nuk kishte asnjë emër. Vetëm një firmë mes së cilës qëndronte një trung i vetëm ku ishin dy shkronja A dhe B.
"I dashuri im i munguar
 E dija që nuk do të vije, gjithsesi unë erdha... E mora me mend... Eh... Natyrisht kjo është vazhdimësi e mungeesës tënde të gjatë. Ndaj sot, këtu vendosa të të shkruaj disa rreshta. Ndoshta janë të pamjaftueshme letra dhe lapsi për t'i thënë të gjitha të pathënat.
  Tani po të shkruaj ty, që ishe gjithçka për mua. Duhet ta dish se nuk e kam të lehtë. Dikur shkruaja mrekullisht gjithçka që ndieja për ty. Për fat të keq ti nuk i mësove kurrë. Porse çka ndodhi mes nesh, u përmbys. Përgjigja jote që nuk mbërriti kurrë, më mundonte, më bënte që mos të të besoja. Ndaj kërkoja të hyja në mendjen time, të dëgjoja emocionet dhe zjarrin e ndjeshmërisë që më ngjalle ti. Duke pushtuar ndërgjegjen, doja të të lexoja fjalë që nuk t'i kisha thënë kurrë më parë, të cilat kanë ngelur ende të pashprehura, të varrosura në skutat e errëta të mendjes sime. Përherë, përmes errësirës dëgjoj zërin tënd që më pëshpërit:
  "E dashura ime e parë jetoje jetën, se ti meriton më të mirat e kësaj bote. Vuajtja nuk është për ty. Ti ke lindur për të dashuruar dhe për të të dashur..."- e përsëri vetpërgjigjem, po prej errsirës së shpirtit:
  -Oh, jo këtë...mos ma këshillo! Nuk mundem. Nuk arrij dot ta rinisë nga e para. Për mua kishte vetëm një herë të parë. I pari dhe i fundit ishe ti që hyre në çdo qelizë të qenies sime. Mjerisht nuk jam e zonja për të parë, për të menduar, për të prekur, për të dashur, për të shijuar apo për të buzëqeshur dhe për të rijetuar një ndjenjë të re.
 Dëgjoj zërin tënd që ende më belbëzon. Kam nevojë për rehatinë dhe qetësinë që më jepte ai zë. Veçse këtë që provoj, nuk duhet ta ndiej, por duhet ta harroj. Por fatkeqësisht nuk është e lehtë. Më e vështirë është të provosh të gjitha këto ndjesi që më torturojnë. Por është e pamundur se ti je larg.
  I dashuri im i parë, ndodh nganjëherë që të ndiej pranë. Vetëm një shkak dhe në atë çast zemra ime lëviz. Atëherë unë ndihem mirë me veten...Por kur kthehem në realitet, gjithçka shndërrohet si më parë... boshësi dhe errësirë.
Nga njëherë nuk dua ta kujtoj, ta ndiej dashurinë që kam për ty. Pasi një zemër e plagosur, lëngon...Kurse lotët kapërdihen mes fytyrës sime të lodhur.
   Gjithsesi të jam mirënjohëse...sepse ti më mësove të dua. Ishe ti shkaku që brenda meje lindi dashuria. Provova lumturinë më të madhe që mund të përftoj një adoleshente. Zemra ime vuan për të vetmen dashuri tënde. Por ti kurrë nuk mund të jesh i imi. I përket një tjetre, me të cilën ke ndërtuar diçka të madhe, strehën tuaj të ngrohtë, familjen. Ndërsa mendoj këto, si mund të harroj përqafimet, frymëmarrjen dhe puthjet e tua. Ndaj nëpër arratisje ëndrrash, kërkoj ëmbëlsinë tënde, butësinë e karakterit tënd. Kurse ti më kërkon të rinis një dashuri të re?
  Oh, tepër vonë, i dashuri im. Unë të dua vetëm ty. Të harroj?! Më kërkon tepër, tej mundësive të mia ...I dashur, si mund të harroj? Plagosja e shpirtit që më shkaktove ti, nuk më jep forcë, por sot hapi plagë të reja.
  Më fal nëse kërkoj shumë! Kjo ndodh se nuk e harroj dot dashurinë që më dhurove. Ti ishe gjithë jeta ime. Edhe pse e di se është e pamundur, askuh nuk më ndalon të të dua. Kjo ndjenjë ndoshta do të jetojë gjatë tek unë. As ti, as unë dhe askush nuk e di se si do të jetë e nesërmja. Veç një gjë e kam të qartë, se doja të jetoja për ty dhe vetëm me ty , pa menduar për të nesërmen. Bëra shaka nëse kur u takuam, të thashë se jam mirë, se askush nuk ndihet mirë kur e ka shpirtin të vrarë. Ndoshta një ditë zemra ime do ta gjejë paqen dhe lumturinë e munguar. Ndoshta në një botë tjetër, në eternitet, por vetëm me ty. Nuk është faji yt dhe as imi që fati ynë ishte i tillë. Qofsh i lumtur, dashuria ime. Lamtumirë!...
 Më fal nëse fjalët e mija nuk janë të përkryera... aq sa meriton dashuria jonë...
  E jotja në jetë dhe vdekje B...!"

  ***
  Kaluan vite...Pas rënies së murit të Berlinit, vendet e kampit socialist rrëzuan perandorinë pa perandor të diktaturës komuniste. Kjo gjë ndodhi edhe në vendin tim, ku për rrëzimin e pushtetit komunist, bashkë me studentët dhe njerëzit e munduar, u rendita edhe unë. U ngritën popujt e lindjes në këmbë për vendosjen e demokracisë në vendet e tyre dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës, pasi ai sistem e shkatërroi, e tjetërsoi dhe e varfëroi njeriun jo vetëm materialisht, por edhe mendërisht apo shpirtërisht. Ai ishte regjim diktature vrastare, ku sa jetë të pafajshme u varrosën, sa ëndrra u vranë pamëshirë, se dëshira u mohuan ende palindur dhe sa ndjenja u bënë të pa mundura. Ndaj të gjithë pa përjashtim kishim nevojë për një rilindje, për të ditur se cilët kishim qenë apo cilët jemi në të vërtetë dhe se ç'jemi në gjendje të bëjmë. Të gjithëve na duhej të shikonim përpara drejt një jete të re që ofron e ardhmja, pa e lënë të shkuarën ta mbulojë pluhuri i harresës. Harresa është armiku më i madh i vetvetes dhe i kombit.
  Pas ngjarjeve të viteve nëntëdhjetë i lumtur për ndryshimet që ndodhën, me mendimin se do të bëhej më e mira për vendin tim, të rropaturin e shekujve , një mëngjes po shkoja në punë. Dikush më ndali duke më thirrur në emër. Si u përshëndetëm, e bëmë bashkë atë copë rrugë që më kishte ngelur.
-Ia bëmë forra edhe ne shqiptarët e ndrydhur nën diktaturën komuniste. Nuk hapa gojë, por shqyeva sytë, sepse ai kishte punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ishte nga ata që kishin hapur varre dhe kishin kallur në qelitë e ftohta të vdekjes mijëra të pafajshëm.
-Më vjen mirë që së fundmi e kuptuan shqiptarët se ç'duhej të bënin. Të vetëm nuk bënin dot asgjë, por së paku ndoqën shembullin e të tjerëve, -iu përgjigja.
-Ah, desh harrova...Duke hequr dokumentet sekrete të shtetit të "kalbur" që rrëzuam, gjeta edhe disa gjëra që të përkasin ty. Kur të duash dhe nëse të interesojnë ende, eja t'i marrësh tek Kuvendi Popullor. 
-Përse aty dhe jo gjetiu?
-Aaa, nuk paske ditur gjë! S'ke faj. Por unë jam zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor Pluralist. Tani jemi të gjithë njësoj, apo jo...?
-Bukur e the! Je vetëzgjedhur, dhe jo të kanë përzgjedhur...
Me mendje bluaja : "Ç'të keqe apo sabotim paskam bërë që paskam qenë nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit?!"- pyesja veten.
Ndaj qysh atë ditë shkova në zyrën e tij. Më ra këmisha nga krahët, kur më dorëzoi një dëng me letra. Ishin letrat e padërguara ,të mijat dhe të Brikenës, e cila pasi shkoi mësuese në fshatin tim ,kishte marrë adresën time tek nëna. Mjerisht të gjitha ishin të çensuruara nga Sigurimi i Shtetit. Ai ndyrësirë kishte qenë personi që kishte shkuar tek Brikena për t'i bërë presion për ndjenjat e saj. Ishte pikërisht ai që i merrte letrat, i lexonte dhe pastaj i "deshifronte" se mos në fjalët e dashurisë sonë të pafajshme kishte kode të veçanta për rrëzimin e Pushtetit Popullor në vend. Ishte pikërisht ai që sajoi tradhtinë e gjyshit të Brikenës dhe ia futi në tru babait tim të gjorë, që besonte këdo që kishte një pozitë që të fuste frikën.
"-O Zot, çfarë plehrash dhe kërmash që kutërbojnë atmsferën, mban mbi tokë. Mjerë ne! Ti dhe njerëz si ti do të sjellin ndryshimet politike, sociale dhe kulturore në vend?!
Lum si ne!
Vendosjen dhe ndërtimin e shtetit demokratik tani e kemi të siguruar. Natyrisht ju që ishit dje në krye,i njihni mirë rrugët e ngjitjes në nivelet e larta të pushtetit, ndaj vazhdoni ta ndërtoni...! E meritoni....se keni vuajtur!"- i klitha me histerizëm...doja ta grushtoja, por ishte ajo godinë, të cilën mua nuk ma lejonte ndërgjegja ta përdhosja. Vetëm u largova gjithë tërsëllim, me një rëndesë në shpirt dhe me zhgënjim të paparë. Nuk shkova në shtëpi. I telefonova gruas sime të mrekulluehme se më doli një punë. Ky pohim i rremë ishte vazhdimësi i jetës sime, i një jete të gënjeshtërt që kisha jetuar. 

  Epilog

Vonë, aq vonë sa...koha nuk rikthehet më dhe e bëra nuk çbëhet më kurrë. Vitet e fundit që i përkasin shekullit të ri kam emigruar jashtë shtetit Rasësisht mësova me dhembje se, Brikena paskesh vdekur në Bruksel, ku jetonte me burrin dhe fëmijët. 
Kjo ngjarje e hidhur më bëri t'u rikthehem e të rilexoj letrat e mija dhe të sajat. Gjatë freskimit të kujtesës, ndjeva se plagët e shpirtit nisën të rrjedhin lirshëm. Një mall i pashuar më ka pushtuar kurmin, shpirtin dhe mendjen. Nostalgjia për ta përjetuar edhe njëherë rininë, më kaploi trupin dhe më mpiu trurin si i dehuri, të cilit nuk i punon më logjika.
Mendja e lodhur nga padrejtësitë e pafundme, nisi të parafytyrojë vegime qiellore, ku udhëtarë të përjetësisë ishim ne të dy, unë dhe Brikena.
E shoh atë tek më flet me lot në sy, aq butë dhe ëmbël sa më duket se kemi ecur bashkë dorëpërdore... gjatë gjithë këtyre viteve.
"-Sa shumë u deshëm, i dashuri im i parë! Por nuk na lanë...Ndaj grindeshim me veten, sepse na pëlqente të zbraznim shpirtin tonë të plagosur që na e boshuan ende të pangopur me mirësi dhe dashuri. Në ndjenjën tonë fatkeqe kishte pasion, shpresë, provokim, miklim, iluzion, sepse e tillë është dashuria, e verbër dhe lozonjare, e cila hyri vrullshëm në skutat e shpirtit tonë, ashtu symbyllur. Ndaj triumfoi intriga, sepse edhe ajo është pjesë e pasionit, i cili nis me lajka dhe kur ka jetëgjatësi, përfundon me grindje. Edhe ato kanë bukurinë e tyre, sepse jeta nuk është vaj, por e mbushur plot me luftë dhe përpjekje, ku nuk mund të shmangim dot zënkat.     
Dashurinë e kishim brenda vetes, e bashkë me të gëlonim e galoponim si të harbuar edhe ne të dy. Me shijet dhe dëshirat tona, ne e krijuam, e lindëm, e ushqyem, e rritëm atë, duke iu bindur pa arsye aromës dhe afshit të saj. Para saj ne u përulëm, u përgjëruam me lotë në sy, u gjunjëzuam, duke përfunduar si skllevërit të lidhur me fije të padukshme pas saj. Herë-herë ajo ndjenjë sublime na dukej si një aventurë tekanjoze e moshës së rinisë. Përsa kohë jemi gjallë, shpresojmë te dashuria dhe për aq sa kohë frymojmë, nuk ndalim së dashuruari. E në këto raste dashuria paraqitet jo si ndjesi, por si qenie hyjnore, e cila na bënë të harrojmë të këqijat e kësaj bote gënjeshtare, kësaj bote mbushur me intriga dhe me ligësi.
Që të mos e humbasim dhe të mos e lëndojmë gëzimin që na dhuron kjo ndjesi, duam ta mbajmë larg nga gënjeshtra apo hipokrizia, që ajo të ngelet e pastër dhe e pacënuar. Mes dashurisë nuk duhet të hyjë dyshimi, sepse sjell mobesimin, i cili i ngjan krimbit që e ha mollën e kuqe nga brenda, apo ngjason me poçen e bukur prej porcelani të rrallë, ose prej fajance, e cila nga pakujdesia është ciflosur. Unë e kam të qartë, e kam ditur se dashuria jonë ishte e sinqertë, me të cilën nënkuptojmë ndjesinë që dhuron besimin, njeh faljen, pranon lutjen, beson në përgjërimin dhe na fali lumturi të pakufijshme. Për fat të keq të gjitha këto ndjesi nuk mund të ekzistojnë njëkohësisht brenda të së njëjtës qenie, sepse smira me mllefin nuk lejojnë që ajo të rritet e shëndetshme. Ishin këto arsye, që e bënë të pamundur dashurinë tonë. Zemër, një dashuri e lënë përgjysmë, si e jona, i ngjan kufomës që është larguar nga kjo botë, apo dikujt që vdes pa e shijuar jetën, pra pa e njohur të jetuarin e vërtetë..."-përfundoi ajo ligjërimin.
E dashur, faleminderit për sa deklarove... Jo më kot të kam quajtur hyjneshë. Nuk di nëse beson në mrekullitë. Rëndësi ka që të rigjeta dhe kjo është mrekulli. Unë e dija, madje gjithmonë e kam ditur dhe e di se malli i dashurisë së parë ngelet i ndezur në përjetësi. Tani e kam të qartë se, përse nuk gjendet medikament për të shëruar zemrat e plagosura, të thyera dhe të lënduara, që kanë lënë vragë të pashlyeshme pas që përherë shkaktojnë dhembje. E dashur, ne të dy përjetuam dashurinë e vërtetë, ndaj nuk duhet të jemi pishman. Gjithashtu e di mirë se dashuri të tilla , sado jetëshkurtra, nuk vdesin kurrë...!
Nisa ta kërkoj me sy, që të vazhdonim bisedën dhe udhëtimin tonë të lënë në mesrrugë. Por ajo mes mjegullës vraponte mbi një urë e më pas bashkë me retë u ngjit lart... Me sy e duar drejt qiellit, kërkoja atë, pasi doja të shuaja mallin e pashuar. Tani e kam të qartë se dashuria ka gjuhën e vetë që jo kushdo është në gjendje ta kuptojë. Ndoshta ngaqë është e vështirë për t'u deshifruar, kuptuar dhe lexuar nga të gjithë. Gjuha e dashurisë është e lashtë qysh nga zanafilla e njerëzimit dhe u përket vetëm atyre që janë në gjendje ta lexojnë. Të tjerët që nuk e kuptojnë këtë ndjenjë, e shkatërrojnë duke shkaktuar dhembje dhe brenga. Ndaj me të drejtë pyes : "A ka protezë për zemrat e copëtuara?!"

Përfundoi më 7/ 10 2012 -e dielë
                             Vivra

No comments: