(Intervistë me shkrimtarin dhe fabulistin Miltiadh Davidhi)
Bisedoi Raimonda MOISIU
Atë ç’ka unë dëshiroj të shpreh në hyrje të kësaj interviste mund të them
që në fillim se shkrimtari, poeti dhe fabulisti Miltiadh Davidhi, është një nga
ata krijues që botën e brendëshme njerëzore e reflektojnë në marrëdhëniet e
botës artistike e filozofike në udhëtimin e tij mbresëlënës në rrugën e artit.
Në këtë intervistë ai na shpalos ndjeshëm, ngrohtë e bukur, si u bë nga një
mjek-veteriner – në poet dhe shkrimtar, ç’farë e frymëzoi atë dhe cila është
lidhja e profesionit të tij me letërsinë, që sot ai kur kthen sytë pas ndër
vitë, nuk e ka të vështirë të na sjellë kujtimet për vendin ku lindi e u rrit,
për njerëzit që e rrethonin dhe ndikimin e madhërishëm që ata patën te ai.
Miltiadh Davidhi ka lindur në Krutje të Lushnjës në 12 shtator 1955.Pasi mbaron
shkollën fillore dhe të mesmen në vendlindje, Krutje, vazhdon studimet për
mjekësi veterinare dhe diplomohet ne 1980-ën.Aktualisht jeton në Noçera
Superiore të Salernos, Itali. Poezitë e para i botoi në gazetën lokale
“Shkëndija”kur ishte vetëm 18 vjeç.Është autor i këtyre librave;
POEZI –“Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”,2001,Dituria.
-“Ujëvara hëne”,2008,Toena.(Parathënia e këtij libri është botuar, në
gazetën Iliria në Amerikë).-“I njëjti zë njeriu”,2011,Uegen.- “Globi mbi fije
bari”,”Duke ecur në rrugica ajri”.
PROZË- “Bregu i ferrparajsës”Roman,2010,Ada,-“ Në humnerën e pafund të një
krimi.”, Tregime,- “Në kopështin e dashurisë”, Novelë.
Është përfshirë në antologjinë poetike ''Lotët e virgjër'' botuar nga
Prof.Dr.Fatmir Terziu dhe Agim Mato,’’Në historinë e letërsisë shqipe për
fëmijë’’ shkruar nga Astrit Bishqemi, si dhe në antologjinë me tregime botuar
nga shtëpia botuese Ada.
Për të janë të shumtë shkrimtarët e kritika e kohës që janë prononcuar duke
shkruar si; Poeti Faslli Haliti,Prof.Dr. Klara Kodra,poeti dhe shkrimtari
disident Visar Zhiti,Prof. Dr. Fatmir Terziu,Shkrimtari Kozma Gjini etj.Po
kështu poezitë,tregimet,fabulat e fragmentet e romanit të tij,janë vlerësuar
dhe vlerësohen çdo ditë nga shumë shkrimtarë e poetë të tjerë me emër e të
rinj,nëpër faqet letrare që botohen prej gazetave e grupimeve letrare.
Bisedoi: Raimonda MOISIU
-Ju jeni një nga shkrimtarët
pionierë të fillim -viteve të demokracisë në Shqipëri. Kalimi juaj i sukseshëm
nga veteriner në poet e prozator. Ç’mund të na thoni si filloi karriera juaj
letrare?Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
Së pari ju falënderoj për këtë intervistë. Ndihem i nderuar që
intervistohem nga një shkrimtare si ju. Pyetja që sapo më bëtë më kthen vite prapa në fëmijërinë e largët e njëkohësisht kaq të afërt. Sepse
sado që vitet ikin shpirti mbetka sërish i ri, mbetka fëmijë, zog ëndrrash që
fluturon në gjithë hapësirën e qiellit të jetës, i papajtuar e dorëzuar me këtë
realitet ndryshimesh sa të bukur e hyjnor, po dhe aq të dhimbshëm, mbetka atje
në fëmijërinë e bukur pa u tretur si vesëz mbi fijen e blertë të kujtimeve. Dhe
pikërisht në atë fëmijëri të largët dhe mbreslënëse i rritur me ajrin e pastër
të fushave të Myzeqesë, unë nisa të shkruaja poezitë e para në moshën 12
vjeçare. Një nxitje për fillimin e udhëtimit të bukur në rrugën e artit, të
paktën kështu më ka mbetur në kujtesë, ka shërbyer si fillesë shpërthimi
ndjenjash, poezia ’’Vaji i bilbilit’’ e Mjedës. Të cilën pasi e lexova u
përlota dhe doja të shkruaja dhe unë një poezi të tillë, të dhimbshme dhe aq të
bukur. Natyrisht që këto ishin ëndrra fëmijërore pa vlerë artistike, por ajo që
për mua pati rëndësi ishte të kuptuarit e një shpirti të ndjeshëm, të dashur
dhe të një këmbëngulje për të pikturuar me fjalë gjurmët e vogla të jetës sime
dhe shoqërisë e ambientit ku jetoja. Vazhdoja të shkruaja poezi e poema duke
mbushur fletore të tëra të cilat do kisha dëshirë të madhe t’i lexoja dhe
njeherë, por që asnjë s’kam ruajtur. S’mendoja kurrë se një dit do bëhesha shkrimtar.
I quaja dëshira fëminore dhe copëza flokënaje dëbore të tretëshme. Por shpirti vazhdonte të mbetej i ndjeshëm dhe
përjetonte gjithçka të bukur a të dhimbshme të jetës sime. Dhe në moshën 18
vjeçare botova për herë të parë dy poezi satirike në gazetën ’’Shkëndija’’ të
Lushnjës. Kryeredaktor i gazetës ishte shkrimtari Gazmend Kongoli i cili pasi i
lexoi më sugjeroi të vazhdoja të shkruaja në zhanrin e humorit, ku sipas tij
shkrimtarët që shkruanin në këtë zhanër ishin të pakët. Shpejt nisa të dërgoja poezi, shkrime gazetareske
bashkë me një shokun tim, Vladimir Shani të cilat dhe ato filluan të na
botoheshin , duke u bërë korespondentë vullnetar (kështu quheshim atëherë) në
gazetën shkëndija, ku redaktor vite më vonë do ishte dhe kryeredaktori i gazetës
’’Dielli’’ në Amerikë, i nderuari zoti Dalip Greca, i cili kur ishte
kryeredaktor i gazetës ’’Iliria’’botoi dhe parathënien e librit tim me poezi
’’Ujëvara Hëne’’. Po kështu kam vazhduar të shkruaj dhe në Institutin e Lartë
Bujqësor, ku unë studjova për Veterinari, në gazetën’’Studenti i bujqësisë’’,
ku kryeredaktor ishte poeti dhe shkrimtari Xhevdet Shehu dhe zëvëndës
shkrimtari e poeti moderrn që
tashmë jeton në Amerikë, zoti Thani Naqe.Në vitin e fundit të Institutit unë
tashmë kisha përgatitur një vëllim me poezi ku u diskutua në rrethin letrar të
Fakultetit ku i deleguar ishte shkrimtari që tashmë s’jeton më, zoti Moisi
Zaloshnja, ku mendimi i shokëve dhe i tij ishte që ky vëllim të nisej për botim
në shtëpinë botuese Naim Frashëri, pasi ti bëja dhe disa ndryshime, vëllim të
cilin unë se dërgova kurrë për botim, se u emërova në një kompleks gjedhi shumë
të madh në Nb.29 nëntori. Kështu gjatë 10 vjetëve që punova në atë kompleks,
megjithse ecja duke shkelur mbi lirika e copëza vargjesh, s’kisha mundësi e
kohë të shkruaja duke harruar veten time në punë. Ishte një kompleks gjedhi me
2000-3000 krerë, 3000-4000 të imtëa (dhenë) e qindra kuaj dhe unë një mjek i
vetëm. Kjo bëri që të rinisja sërish të shkruaja pas viteve 90- të me fitoren e
demokracisë. Pra, isha një mjek veteriner me shpirt të dashur dhe të ndjeshëm
poeti, por njëkohësisht dhe 24- orë në detyrë. Ishin kohë të tilla.
-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj,
-prindërit, artet, letërsia, apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i
vetëm që ka luajtur një rol të vecantë në frymëzimin tuaj?
Talenti lind bashkë me njeriun, ai në rrugëtimin e tij duhet vetëm ta
zbulojë atë, unë talentin e kisha zbuluar, ndërsa për t’u zhvilluar më tej e
ecur përpara në rrugën e artit kanë
ndikuan shumë prindërit e mi, jeta e
tyre e shkuar, dashuria vuajtja e mundimi për të na rritur në një kohë të
varfër, vdekja e vëllait të vogël në një moshë të njomë, vdekjet e gjyshërve,
shokëve, miqve që unë i doja aq shumë dhe që s’i gjeja më, vdekja e babës i
cili ka qënë rrobaqepës shumë i mirë dhe njeri shumë i dashur në fshatin tim,
njeri gojëmjaltë dhe që ju gjëndej njerëzve për çdo hall në një kohë shumë të
varfër e të mjerë dhe që të gjithë fëmijët që e njohën e thërrisnin baba Lili. Më
kujtohet kur një mbasdite trokitën në derë dhe i kërkuan babait 250 lekë të
atëhershëme. Im atë ia dha nga xhepi menjëherë dhe i tha të trokiste sa herë të
kishte ndonjë hall, a nevojë tjetër. Nëna mbas ikjes së hallexhiut i tha:
-Po ç’bëre kështu i dhe të vetmet lekë që kishe, po tani çdo bësh për
fëmijët e tu?
-Ka zoti për ta u përgjigj im atë, ndaj mos e prish zemrën. Dhe me te
vërtetë pa kaluar një orë trokiti një tjetër që do qepte pantallona dhe i dha 200 lekë në dorë tim
ati.
-E i tha nënës sime, s’të thashë mos të prishje zemrën? Ja dhe lekët për
fëmijët tanë! Të gjitha këto e gjithçka tjetër natyrisht që i kam përjetuar
fort, duke i vëzhguar me imtësi e lënë gjurmë
të patretëshme në kujtesë. Gjithashtu e konsideroj veten me fat që kam
lindur në Krutje të Lushnjës, se dhe pse ishte fshat, kishte kulturë e traditë të lashtë dhe mësues shumë
të mirë e me emër dhe shumë të zotë, si Neritan Papamusta, Skënder Fusha, Vait
Gjyla, Loli Davidhi (drejtori i gjimnazit), LLazar Lëngu, Seid Prishta, Kristaq
Çuko, Trifon Gjermëni, Myhyrije Kollçaku..etj.etj. Ende i ndjej po ato emocione
që më krijonin me zërat e tyre kur shpjegonin aq bukur dhe me aq përkushtim.
Krutja kishte gjimnazin e parë në rreth, ku vinin për të studjuar nga të gjithë
fshatrat e rrethit, kishte pallat kulture të kategorisë së parë ku çdo ditë
shfaqeshin filma, çdo të shtunë ose të djelë vinin e shfaqeshin koncerte me këngë e humor nga estradat e
qyteteve të shqipërisë si dhe teatri popullor kombëtar, kishte bibliotekë të madhe me libra, librari ku unë
përpija çdo libër me poezi që dilte e duke e porositur shitësen Goni Daka të
m’i ruante, kishte ekip futbolli të kategorisë së tretë, ekipin e volejbollit
të vajzave që përfaqëson ende në kategorinë superiore qytetin e Lushnjës…Pra u
rrita në një vënd me kulturë, me dije dhe në një peizazh të mrekullueshëm të
fushave aq pjellore, ku do ishte i pashmangshëm ndikimi i tyre. Në një
vënd që e desha aq shumë, por që s’u
ktheva të jetoja më atje, dhe më duhet të jetoja si refugjat larg vëndlindjes
sime,se mbas mbarimit të shkollës u emërova në Çermë të Lushnjës, ku ende e kam
shtëpinë. Pra dy herë refugjat, një herë në monizëm dhe sërish tani në
demokraci, mbasi prej disa vjetësh jetoj tek fëmijët në Modena dhe në Salerno.
Duke qënë se mbi kokë kishim një re të zezë diktature që lëshonte flakë
vetëtime në çdo hap që hidhnim, unë jetova duke i përjetuar me lotë në shpirt
gjithë ngjarjet e dhimbshme e burgosjet e njerëzve me të cilat do t’ë shkruaja tregimet e mia në ’’lëtër’’ të kujtesës për
t’i hedhur sot në demokraci. Në një takim para se të vdiste Shkrimtari i madh
për fëmijë Odhise Grillo duke lexuar Fabulat e mia më pati thënë:
-Ke bërë shumë mirë që nuk ke botuar në monizëm se kështu si shkruan ti, do
ishe kalbur burgjeve!
-Në cilin rol e ndjeni veten vërtet më me ndikim si poet, prozator apo si
doktor veteriner? Ku qëndron ndryshimi mes tyre?
Në të dyja pozicionet jam ndiherë shumë mirë. Unë botën e marr në harmoni
të plotë. Mendoj që kam qënë me fat që kam mbaruar për mjek veteriner, se zotëroj
mirë shkencën e mjekësisë, që është aq e domosdoshme për një kulturë të
përgjithshme, e jo më për një shkrimtar për përshkrime të hollësishme dhe
depërtime në thellësi të qënies me frymë. Ndjehesha i kënaqur kur pas një rasti shumë të rëndë
fitoja mbi sëmundjen dhe kur vija në stallë të nesërmen lopa që kisha shpëtuar
sa ndjente zhurmën e motorrit tim, rendte nga fundi i stallës për të ardhur
pranë meje e më përkëdhelej duke fërkuar kokën pas trupit tim, sikur donte të
më falenderonte që i kisha shpëtuar jetën. Përlotesha unë dhe pronari e
stallierët e saj, dhe mendoja të gjeja ndryshimin midis nesh dhe kafsheve. Jemi
ne më mosmirnjohës ndaj të mirave që na bëjnë, se sa kafshët. Kafshët nuk
flasin, po të dish të sillesh me to do ndjehesh shumë mirë dhe do kuptosh dhe
dashurinë e tyre për ty dhe me sy dhe në lëvizje e xhestikulacione. S’po e
teproj të them se atë kënaqësi që gjeja kur punoja me kafshët, s’po e gjej më
dot mes njerëzve.
-Ju jeni poet. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj
disa tituj të vëllimeve me poezi; “Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”,
“Ujëvara hëne”, I njëjti zë njeriu”, “Globi mbi fije bari”, “Duke ecur në
rrugica ajri”, i përshirë edhe në disa antollogji me poezi. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante
e përkushtim profesional?
Për të mbërritur tek e bukura, tek vlera e saj, duhet të mundohesh ta gjesh
se ku fshihet e bukura, të jetosh bashkë me të, ti ndjesh frymëmarrjen, të
rrahurat e zemrës, dhimbjen e lumturinë e saj. E bukura nuk është ajo që shfaqet,
por ajo e fshura pas shfaqjes. Kur ta takosh do bindesh me të vërtetë që ke
takuar të bukurën e vërtetë. Dhe atëherë nuk mund të ndahesh më dot prej saj.
Pra duhet të futesh thellë realitetit, për të krijuar një realitet të ri. Por
deri atëherë do kënaqesh me pak rrathë drite që vijnë prej saj. Duhet një farë
kohe të bëhesh pjesë e së bukurës, e madhështisë së saj. Dhe aty mbërrihet duke
studjuar poetë të mëdhenj me durimin e vdekjes për të kapërcyer vdekjen e
vërtetë. Disa mund ta arrijnë në moshë të re, disa dhe në moshë të vjetër, për
këtë receta nuk ka, varet nga këmbëngulja dhe aftësitë e çdo njërit.
-Secili,- thotë Dritëro Agolli,-ka në vete të fshehur një luanë, varet kur
ai shpërthen. Por gjithsesi duhet shumë durim, punë e talent. Pa këto nuk mund
të ecet përpara.
-Ç’farë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të
vecantë kur ju shkruani një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?
Ç’do hap që hedh në jetë, ç’do hapësirë e re qielli, ç’do lindje e perëndim
i veçantë dielli, ç’do formë hëne e reje, ylli e drite në hapësirë mendimi,
ç’do fije bari, ç’do cicërimë gjetheje nëpër erë, petale ëndrre e lehje e
plagosur zëri. Ç’do tingull Universi e rënkim i popullit tim, largimi i së
dashurës, gjithçka që jeton e vdes para syve të mi, që unë përpiqem ta
’’pushtoj’’ me dritë mirësie të sinqertë. Unë kam krah e sy të padukshëm prej
të gjithëve,por i dukshëm për të vëmëndëshmit dhe të mënçurit e kësaj bote, për
të dashurit e njerëzit e mirë, për sytë e së dashurës sime të përjetëshme e
fëmijëve të mi, dhe fëmijëve të Universit. Ndaj futem sa më thellë në detin e
dhimbjes e gëzimit njerëzor, në shpirtin tim e të secilit për të parë e prekur
koralet mahnitëse e shumë ngjyrëshe të shpirtrave.
Natyrisht si gjithë poetët dhe unë s’bëj përjashtim.Ndjehem i lumtur kur
realizoj të them atë ç’ka kam dashur në një poezi. Dhe sidomos, kur ajo
pëlqehet dhe nga poetë e lexuas të tjerë.
-Kur shkruani poezi, cili është vendi juaj më i preferuar, në studio, në
natyrë, apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Vëndi im më i preferuar… flakërima e diellit kur lind, krahu i një zogu në
ikje, ajo pjesës hëne në perëndim, ajo copëz tryeze mbi gjethen e një peme, ajo
pikëz vese mbi petale trëndafili, ajo dritëz e bardhë që futuron me erën që nuk
pret. Ndaj mbaj me vete një bllok e një stilet kudo që të ndodhem. Dhe mbaj
shënim fjalët e trëndafilit e mbi supe thërmimin e një kaltërsie që më pëshpërit
në shpirt, e hesht si një zog mbi degë jete kur s’kam gjë për të thënë duke
tundur krahët, e flakur tej plogështinë.
-Çfarë është muza për ju,është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
Po e thashë dhe më parë talentet lindin bashkë me njeriun, egzistojnë në
genet e tij, të cilat mund të jenë shfaqur në një formë, apo formë tjetër dhe
tek paraardhësit e tij. Ne duhet vetëm që këto talente të fshehura në qënien
tonë t’i zbulojmë gjatë jetës dhe ti vemë në përdorimë për të mirën e shoqërisë dhe tonën.
-Ju shkruani poezi dhe prozë?Cili ka qënë poezia, tregimi apo novela juaj e
parë?
Poezinë e parë të shkruar… ua thashë më përpara ajo ishte një përpjekje
fëminore, por debutimi i parë ka qënë botimi i dy poezive satirike ’’Sil
Qemanja’’ dhe ’’Hyskë Sasia’’. Ndërsa tregimi im i parë është ’’Dhëmbë
gjarpëri’’, botuar në revistën letre artistike ’’Obelisk’’dhe në antologjinë me
tregime të shtëpisë botuese ’’Ada’’, botuar nga ministrija e kulturës dhe e
arteve, ku jeni përfshirë dhe ju. Novela e parë është ’’Në kopështin e
dashurisë’’e lexuar dhe prononcuar nga poeti Faslli Haliti, por ende e
pabotuar.
-Ju jeni edhe prozator. Që nga romani “Bregu i Ferrparajsës”, “Në humnerën
e pafund të një krimi”, novelën “Në kopështin e dashurisë” “Tregime” në shtypin
letrar, në antollogjinë me “Tregime” nga shtëpia botuese ADA, tashmë një
shkrimtar i afirmuar, autor i disa librave.Ç’farë mendoni se ka mbetur
konstante?
Stili i të shkruarit. Si në tregimet, romanin dhe novelën e pa ndryshueshme
ka mbetur mënyra e të shkruarit, ajo e të rrefyerit në prozë poetike. E di që
kjo është forma më e vështirë, por dhe
më e bukura, më brilantja. Gjithmonë gjërat e vështira më kanë sjellë kënaqësi.
Mendoj se zanafilla e kësaj mënyre të shkruari është poezia. Duke kërkuar një
’’ngopje’’ më të madhe të shprehuri se sa në poezi, besoj se e kam gjetur në
mënyrën e të rrëfyerit nëpër tregime, romanin dhe novelën.
- Në veprat tuaja, ju keni përshkruar karaktere komplekse e dominuese në
atë mënyrë sa lexuesit lidhen vërtet me ta. A mund të na thoni se si e arrini
ju këtë?
Mendoj që këtë e kam arritur(në se është realizuar vërtetë ashtu siç duhet,
sepse gjithmonë ka vënd për t’u përmirësuar), nëpërmjet futjes sa më thellë në
psikologjinë e botën e brëndëshme të personazhit dhe në zbërthimin e saj në
pjesëza shpirti të vërteta. Duke medituar e lidhur fort ambientin ku ndodh
ngjarja me gjëndjen në të cilën ndodhet personazhi, ku peizazhi ’’pikturohet’’
sipas ngjarjes që ndodh në shërbim të mesazhit që dua të jap në vepër. Duke e
përjetuar ngjarjen, rrugët në të cilët ecën personazhi, duke u trishtuar,
përlotur e gëzuar si vet ai ose ajo. Ndryshe, gjithçka që shkruan është
sipërfaqësore dhe e pavërtetë për lexuesin, dhe pse mund të jetë ndodhia jote.
Dhe sajesë po të jetë, po të shkruhet kështu, përjetohet si e vërtetë nga
lexuesi. I rishikoj shumë herë, mbasi e
kam lënë një farë kohe të ’’ftohen’’. Gjithmonë duke punuar për një përsosje të
vazhdushme me çdo fjalë, paragraf e fjali, me
figuracionin letrar të përdorur në funksion të mesazhit që dua të japë.
Po kështu vendosja e personazhit në ambientin që i shërben më mirë ngjarjes që
trajton në vepër për mua është primare.
-Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e
intelektual?
Shkrimtari është pjesë e së tërës, e Universit dhe e shoqërisë njerëzore.
Nuk mund të jetoj duke u mbyllur në labirinthet e errëta të indiferencës.
Ndryshe kjo indiferencë do ia hante dhe atij kokën një ditë, nëse nuk do
vepronte në kohën e duhur, kuptohet bashkë me të tjerët. Nga mund të mos
revoltohesh, kur po të kthesh kokën pas, ecja drejt dritës e zhvillimit është
si e qindra e mijëra vjet prapa, kur të njëjtat probleme, halle, vuajtje e
padrejtësi janë si ato të para 100 vjetëve?! Janë po ata ’’peshq’’ të uritur në
dete shpirtrash dhe po ata peshkaqen me emra të ndryshëm që shqyejnë mishra e
zgjerojnë territore pasurish, duke krijuar dy shtresa njerëzish, të pasurit dhe
të varfërit, pa shtresën e mesme.
-Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një prozë, në rastin
tuaj, të romanit apo novelës. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e
krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i
paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën,
apo anasjelltas?
Në romanin ’’Bregu i ferrparajsës’’personazhet paraqiten nga jeta reale dhe
me emra reale ashtu siç dhe janë treguar nga miku im Italian, Antonio Baglivo,
se ngjarja ka ndodhur në Itali, pra nuk është ngjarja ime, nuk janë përjetimet
e mia. Aty jepet sakrifica e Melisës për dashurinë e vertetë, por që s’e gjeti
kurrë atë. Jepet triumfi i saj shpirtëror mbi të keqen. Melisa është një
personifikim i grave të gjithë globit si nga bukuria, nderi dashuria dhe
shpirti burrëror. Natyrisht që dhe fantazia aty ka vendin e vet, personazhet
udhëtojnë nga e njohura në të panjohurën (si dhe në romanet e të tjerëve), duke
i mbajtur frymën lexuesit deri në mbarimin e tij në faqen e fundit. Po kështu
ka ndryshime dhe në kohë. Shpërthimi e vezuvit nuk është bërë në 1943, por
shekuj më parë. Është patur kujdes që romani të kishte vazhdimësinë,
stilin,meditimin filozofik dhe jetësor të personazheve, botën e tyre të
brëndëshme, ndryshe nga njëri personazh tek tjetri, mënyrën e veçantë të të
folurit të tyre, gjuhën e rrjedhëshme të përdorur, zgjedhja e fjalëve, si dhe
të shkruarit në formën e një proze poetike, që ndjehet nga faqja e parë deri në
faqen e fundit. Natyrisht që nuk është e lehtë të ndërtosh një roman po qe se
nuk i ke të qarta idetë dhe mesazhet që do të përçoshë. Gjithçka që përshkruhet
nga peizazhi e vëndi i vendosjes së ngjarjes, janë në shërbim të mesazhit
kryesor. Po kështu është vepruar dhe me novelën e pabotuar e cila është një
novelë surrealiste, me personazhe e emra realë. I kam kushtuar shumë rëndësi
formës dhe përmbajtjes së veprës, si dhe stilit të shkruarit i cili dallohet
qartë si në tregimet e botuara në gazeta, novelën dhe romanin. Këto mendoj se
janë disa nga elementët thelbësore të prozës sime, të cilat do t’i vinte re
kushdo që do i lexonte ato, elemente që duhen thelluar e përsosur më tej nga
ana ime.
-Zhanrin e prozës “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?
Zhanri i prozës erdhi si nevojë e domosdoshme për të shtrirë më tej
frymëmarrjen time poetike në të shprehurit të mendimeve e personazheve që
flinin në qënien time që nga fëmijëria e deri më tani. Poezia s’mund ti
shprehte më ato, duhej proza ti tregonte me nje frymëmarrje më të plotë për
mushkritë e etura për lirinë e fjalës dhe mendimit të lirë. Kështu vura re se u
ndjeva më i plotësuar si para vetes dhe para lexuesit. Natyrisht tani si poezia
dhe proza janë preferenza ime, paksa menjanë është lënë fabula.
-Ju jeni mjaft i sukseshëm si shkrimtar, i vlerësuar nga kritikët e kohës,
nga poeti Faslli Haliti , Prof.Dr.Klara Kodra, poeti e shkrimtari disident
Visar Zhiti, Prof.Dr.Fatmir Terziu,shkrimtarët Astrit Bishqemi,Kozma
Gjini…etj., por edhe me marrëveshjen e mrekullueshme të admirimit nga lexuesit
e shumtë vendas e të huaj? Si ndiheni për këtë?
Si për fabulat, poezitë e prozën time gjithmonë është folur me superlativa,
por unë kam shikuar punën duke mos rënë preh e vetëkënaqësisë. S’kam vrapuar
nëpër televizione e nëpër pronovime librash ku thuren lajka boshe pa fund, por
kam preferuar të futem sërish para
kompjuterit dhe i kam parë sërish ato ç’ka kam shkruar ndoshta për të satën
herë. Natyrisht si kushdo tjetër shkrimtar në rrugëtimin e gjatë
ndjehem i lumtur, por kjo për mua është dhe një obligim për t’u përsosur
më tej në veprat e mëvonshme. Pra është një fillim i ri mendimi për të ecur më
tej, duke u përpjekur ta mbush kohën time në mënyrë produktive.
-Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare,
artistike dhe mendimin filozofik.Ku qëndron forca e inspirimit tuaj?
Ju falënderoj për vlerësimin dhe konkluzionin tuaj, për ato ç’ka kam shkruar,
mendoj se është permbledhja e dijeve gjatë jetës, këndi i shikimit, studimit
dhe vlerësimit të asaj që mendon e që bënë, dashuria për njeriun e natyrën,
këmbëngulja e mënyra se si i përjeton ngjarjet e jetës e peizazhet që shfaqen
para teje, lëvizjet nga një vënd në një vënd tjetër, ngjarjet e peizazhet e
reja, sinqeriteti ndaj jetës e pikës së lotit, dashuria ndaj saj dhe njerëzve,
forca e shpirtit dhe aftësia e të menduarit e të shprehurit të asaj që përjeton
e shkruan. Fjala për shkrimtarin është si grimca e zotit, krijon Universin e
tij letrar.
-Ju krijoni edhe fabula, një zhanër disi i vështirë, por ju ja kini dalë ta
bëni. Me modele tërheqëse e shpotitëse. Cfarë iu tërheq më shumë nga realiteti
e si mund ta konceptosh atë artistikisht në një fabulë?
Është e vërtetë unë librat e parë i kam botuar me fabula dhe fillimisht më
i njohur u bëra në fabul, ku që me botimin e dy librave të mi të parë’’Rosa që
bleu tapet’’ botuar nga shtëpia botuese ‘’Toena’’ me redaktor fabulistin tonë
më të mirë Ferid Lamaj, dhe librin
’’Fabula të reja’’ botuar nga shtëpia botuese ’’Dituria’’, unë u përfshiva duke
u përzgjedhur nga grup autorësh në ’’Historinë e letërsisë shqipe për fëmijë’’
me autor shkrimtarin e nderuar Astrit Bishqemi ku përmëndesha krahas Ferid
Lamajt e Sotir Lashovës. Libri ’’Fabula të reja ndodhet dhe në biblotekat
periferike dhe atë qëndrore të Stokolmit në Suedi. Kam botuar ’’Parajsa
Danteske përballë Ezopit plak’’ po tek ’’Dituria’’, që është një libër me poezi
dhe fabula. E sërish tek Toena librin me fabula:’’Mjekër dhia, mjekër cjapi’’.
Zhanri i fabulës është i vështirë, por dhe shumë i bukur kur arrin ta
realizosh. Dhe për ta realizuar duhet ta duash fabulën, humorin e mesazhin e
saj, personazhet e saj të cilët janë kafshët, të futesh sa më thellë në të.
Ndërsa poezia është ndjenjë, dhimbje shpirti, dashuri njerëzore, fabula është
mënçuri. Dhe realiteti jonë është i mbushur plot me materiale për të krijuar
fabula duke filluar nga parlamenti e
deri në bazë tek qeverisjet vendore, e duke përfunduar në jetën tonë të
përditshme të mbushur plot me ngjarje të tilla. Pa e ngatërruar fabulën me
humorin e zakonshëm. Fabula është vëzhgim i imtë i realitetit. Me një subjekt
fabule mund të shkruash një roman. Problemi i teknikës së të shkruajtur të
fabulës fitohet gjatë përvojës dhe punës me të. Përfitoj nga kjo intervistë të
përshëndes Prof.Dr.Fatmir Terziu i cili në shkrimin e tij të botuar tek ’’Fjala
e lirë’’ në internet me titull:’’ Fabula një aspekt i krijimtarisë
shqiptare’’më ka komentuar si zë të veçantë
të fabulës shqiptare nder vite, krahas Ferid Lamajt e Bardhyl Mezinit, me
titull ’’Fabula e Davidhit dhe shpallja’’ ku flet për një nga fabulat e mia më
të njohura në internet, Fabulën ’’Liria.’’
-Kur ju shkruajtët romanin “Bregu i ferrparajsës ”, i vlerësuar nga kritika
e kohës, ky roman nuk është fantazi, por është bota e brendëshme njerëzore.Si
shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote
të re” me tipikë ;burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?
Në këtë roman synimi im ishte futja sa më thellë në botën e brëndshme të
personazheve të cilët nuk janë të shumtë dhe unë e kisha të lehtë ta bëja. Kjo
i shkon për shtat mënyrës se si unë i konceptoj dhe i shkruaj përjetimet e mia
gjatë ngjarjes. Meditimi i tyre në çdo situatë të krijuar. Dhe vendosja e
emrave në krijimin e një ’’bote të re’’erdhi natyrshëm. Në fillim bregu i detit
quhej ’’bregu i peshkatarëve’’ dhe më vonë si pasojë e kthimit të ushtarëve të
vrarë me arkivole të shumtë, natyrshëm
mori emrin ’’bregu i ferrparajsës’’, megjithse gjithmonë kam dashur ta
titulloja ’’Melisa’’. Qysh në fillim unë i kisha të qartë rrugëtimin e
personazheve të mi dhe fundin e tyre. Frymzimi im ishte vëndi ku ndodhesha.
Polika është një perrlë buzë detit vendosur mbi malin yll, ku kishte jetuar dhe
Heminguej e kishte shkruar’’Plaku dhe
deti’’. Aty ishte dhe piknisja e ushtarëve për në frontin e largët të
lindes. Po kështu ndodhej dhe një kala me ngjarje interesante. Jo shumë larg
Vezuvi i shtrirë si një luan në gjumë, me kraterin e hapur si një gojë drejtuar
nga qielli. Ndërsa rrëfimin e ngjarjes e vendosa të tregohej nga miku im italian,
Antonio Baglivo, se në fakt ai ma tregoi këtë ngjarje. Dhe e shkrova
shpejt brënda dy muajësh. S’po e kuptoja gjëndjen në të cilën ndodhesha. Kurrë
nuk kisha menduar të shkruaja një roman. Më dukej i vështirë ndërtimi i tij.
Por isha i mbushur e mundohesha të gjeja kohë për të shkrura. Isha si një
’’vullkan’’ në shpërthim. Ecja mbi të vdekurit e tij shekullor e më dukej se ua
dëgjoja zërat. Qëndroja në një vënd të mrekullushëm buzë detit dhe ia dëgjoja
këngën e zërat e valëve të tij që mundoheshin të më rrëfenin gjithçka të
fshehur nga koha. Nipi im, Marko atëherë dy vjeç, zgjohej e shpesh mi griste
duke i rrëmbyer fletët e shkruara. Dhe kështu përfundoj romani im duke rrëmbyer
kohë nga koha, një roman i vogël e modest.
-Shumë vargje lirike Cfarë është dashuria për ju? Kur një burrë e ndjen se
është i dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj
letraro-artistike?
Dashuria për mua është vet egzistenca e qënies njerëzore. Çdo gjë në këtë
planet mbin e çel vetëm nga dashuria. Dashuria largon retë e bën më të bukur
sytë e qiejve, krijon valë e dallgë për të pastruar shpirtin e detit, të mëson
si të rendësh me krahë të lira, duke i dhënë kuptim egzistencës, si të s’fidosh lodhjen, jetën, vdekjen e të
falësh dashuri kudo që të shkosh.
Ai që e ka takuar e di, dashuria s’është heshtje nate, a fjalë e pathënë
dite, por përndritje agimi me sinjale aurore që flasin, petale e bukur luleje,
që për vdekje mundohesh t’i marrësh erë e ta përkëdhelësh me gishtërinj
padurimi që dridhen, dallgë brënda kraharorit të detit të shpirtit në dukje të
qetë, thikë e ëmbël drite për sytë e qiellit, gurgullim burimi e kulluar ku me
duar pi kristale dhimbjesh, shi i padurueshëm që freskon e ngop rrëkezën që
vuan. Ai që e ka takuar e di, është rrufe e bukur që të plagos e të bën të
vuash kujtimin e asaj plage gjithë jetën. Unë e kam takuar e jetoj me të. Ndaj
në vargjet e mia është dhe do jetë e pranishme deri në frymëmarrjen e fundit të
vargut e muzës sime. Ajo është në gjakun e në çdo qelizë të trupit tim, në çdo
pjesës të fijes së barit, në çdo cicërimë të lumtur zogu të shpirtit tim. Nga
ajo jam krijuar e tashmë kam një familje
të madhe. Kam tre vajza e një djalë,një mbesë të shkëlqyer e dy nipër të
mrekullueshëm. E megjithatë ndihem i dashuruar si në ditën e parë të njohjes me
të. E natyrisht, sa më fortë të jesh i
dashuruar aq më natyrshëm shkruan dhe për dashurinë, se nuk je ti më që shkruan
por është dora, sytë,buzët, zemra e frymëmarrja e saj. Është zëri i saj që flet
nëpër vargje. Ndryshe nuk mund të thuhet se je i dashuruar. Duhet të kërkosh
një dashuri tjetër.
-Pse shkruan Miltiadh Davidhi…?
Sepse nuk mund të rri dot pa shkruar e të shkel me këmbë copëzat e shpirtit
tim, pjesësa zemre e trupi, petale të
sapo çelura mendimesh, që më dalin si flakërimë drite për jetën në çdo hap që
hedh, sepse s’mund të jetoj dot pa frymëmarrjen e oksigjenin e lumturisë që ndjen shkrimtari pasi ka
përfunduar një poezi a një prozë të bukur e të arrirë. Ndryshe do isha i vdekur
së gjalli. Sepse ne kemi vuajtur gjithmonë nga mos shkruajturit e ngjarjeve
jetësore të groposura në tokën e harresës. Homeri i shkruajti Iliadën dhe
Odisenë dhe i verbër e pa sy. Sepse nuk mund të rilindësh më në këtë jetë e të
thuash atë që ke lënë pa shkruar.
-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma
për të bërë?Cfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
Jo, absolutisht nuk mendoj se kam arritur atje ku duhet, kam ende shumë për
të thënë e bërë. Njeriu është qënie moderrne e përkryer që jeton e ndjen çdo
çast të jetës,në çdo vënd që shkon, që fikson në kujtesë gjithçka që shikon e
jeton. Dhe ato natyrshëm lenë gjurmët e tyre, të cilat më vonë sherbejnë për
një ecje të re në rrugën e artit. Aktualisht jam duke shkruar një vëllim të ri
me poezi. Projektet për të ardhmen do jenë përpjekjet e mia për të botuar
vëllimin me tregime, novelën dhe dy vëllimet e përfunduar me poezi.
-A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së cilës ia sheh gjurmët edhe sot?
Natyrisht që kam, unë mbi gjurmët e tyre ecin çdo ditë, mbi to marr fryme e
bëj projektet e së ardhmes. Sa më e pasur të jete jeta e njeriut me ngjarje,
sidomos fëmijëria e rinia, aq më i ’’pasur’’ është një shkrimtar me subjekte
për të shkruajtur.
-Autorët tuaj më të preferuar…
Autorët e mi të preferuar janë të shumtë: U.Shekspir, M.Servantes,Ç.Dikens,
A.Kronin, E.Hemingej, N.Hikmet, A.Pushkin, S.Esenin, A.Ahmatova, B.Breht,
Sadiu, Gëte, P.Neruda, G.Lorka, R. Bërns, I.Kadare, D.Agolli, V.Zhiti etj.etj.
-Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?
Mendoi se ka filluar të lëvizë e të dalë nga faza e inekzistences së plotë
që ka qënë. Këtu do përshëndesja punën e filluar me kritikën letrare nga
Prof.Dok.Fatmir Terziu, Prof.Dokt. Klara Kodra, Poeti e shkrimtari Faslli
Haliti, Poetja Fatime Kulli, nga i ndjeri poet Perikli Jorgoni, Fatmir Minguli,
etj. Por kjo punë e nisur duhet të thellohet dhe nga shkrimtarë e kritikë të
tjerë kompetentë për këtë punë, se shikojmë të marrin stafetën e kritikës
njerëz që s’kanë lidhje fare me kritikën dhe që nuk e njohin atë.
-Jetoni në Itali, çfarë iu lidh me Lushnjën…?
Me Lushnjën më lidhin njerëzit e mi, shokët, miqtë që i dua dhe më duan
sinqerisht, më lidhin varret e pjesët e shpirtit tim mbetur e mbirë si bar
rreth tyre. Vetëm gjëndja ekonomike të bën të ikësh larg tyre duke mbetur me
kokën pas.
-Mesazhi juaj për talentet e reja, por edhe për shkrimtaret femra në
përgjithësi…..
Do ju uroja rrugëtim të mbarë në udhën e bukur dhe plot ngjitje, zbritje e
kthesa të vështira të letrave shqipe. Të lexojnë shumë letërsinë e poetëve
nobelist botëror, të përfitojnë nga përvoja e tyre dhe të ecin duke qënë vetja
deri sa të arrijnë të krijojnë stilin e tyre. Ne, brezat e lindur e rritur në
diktaturë, s’e patëm letërsinë e mirëfilltë botërore. Diktatura na e ndaloi
atë. Ajo që më gëzon është shpërthimi i
një numuri të madh shkrimtaresh femra, të cilat po shkruajnë një letërsi
moderrne nëpër botë ku punojnë dhe jetojnë. Mund të përmëndja këtu Luljeta
Lleshanakun,Fatime Kullin,Raimonda Moisiun, Flutura Açkën,Irma Kurtin,Irena
Papën etj.,të cilat po shkruajnë,botojnë e konkurojnë me dinjitet në konkurset
botërore të poezisë e prozës duke marrë dhe çmime.
Ju Faleminderit
Intervistoi Raimonda Moisiu
Fjala e Lire - Free Speech
No comments:
Post a Comment