Wednesday, 23 January 2013

OSMAN HAXHIU, FIGURË QENDRORE NË LUFTËN E VLORËS






100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe figura e Osman Haxhiut, patriotit të madh për liri e pavarësi, udhëheqësit të luftës së Vlorës më 1920, parlamentarit të parë shqiptar/

Nga Dikter Mustafaraj, Mësuese në pension


Këtë vit 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë u festua me madhështi, por në mënyrë të veçantë në Vlorë. Dhe s'kishte pse të ndodhte ndryshe.
Dhjetëra mijëra njerëz, fëmijë, të rinj, pleq, invalidë u derdhën në Sheshin e Flamurit e në çdo cep të qytetit si një lumë lëvizës. Festuan të gjithë bashkë, toskë e gegë nga Shqipëria, bashkëkombas nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria... dhe nga të katër anët e botës.
Të gjithë kudo që kalonin, kudo që shëtisnin në qytet, reflektonin në sytë e tyre gëzim, hare, krenari.
Vlora me emër, Vlora patriotike, u hapi krahët të gjithëve sepse përherë i ka mirëpritur ata që duan Atdheun, patriotët e thjeshtë e të ndershëm, të gjithë ata brenda dhe jashtë vendit që kanë menduar, që kanë punuar në një mënyrë apo në një tjetër për Shqipërinë që të jetë e lirë, e pavaruar, e begatë.
Duhet kujtuar, që vlonjatët, krahas patriotizmit, gjithnjë e kurdoherë janë shfaqur mikpritës, jo vetëm në kohë fatkeqësish, në kohë lufte, por edhe në gëzime.
Këtë e treguan edhe kësaj here, kur krahas pritjes në hotele e resort, hapën dyert për të strehuar vullnetarisht mbi njëmijë miqtë e ardhur nga jashtë vendit.
Një fakt që dua të përmend dhe që nuk do të harrohet kurrë, janë edhe shqiptarët e Kosovës që erdhën për të kremtuar ditën më madhështore, më fatlume për Shqipërinë. Sa bukur, sa ilaritet solli ardhja e tyre në këmbë e me kuaj si 100 vjet më parë.
Ata erdhën në tribunë për t'u takuar me personalitetet më të larta të shtetit, me pushtetarët e Vlorës. Nuk ka gjë më të mrekullueshme se kjo. Gjithë sheshi u elektrizua. Brohoritjet ishin të pafund.
Vlora nuk nderoi vetëm birin e saj, Ismail Qemalin, por edhe Isa Boletinin, duke i vendosur bustet e tyre përkrah njëri tjetrit, ashtu siç ishin 100 vite më parë. Kjo është mjaft simbolike, sepse lë mesazh: Për çështjet e mëdha, pavarësia dhe liria e atdheut, të gjithë bashkë, bashkohen me njëri tjetrin.
Dhe këtu ka qendruar enigma e luftrave shekullore, e përplasjeve të popullit shqiptar nga më të vjetrit në Evropë, me fuqitë më të mëha të kohrave dhe mbi të gjitha ka mbijetuar dhe ekziston edhe sot.
Populli e ka bërë historinë jo vetëm me luftë por ka derdur në vargje të mahnitshme jo vetëm momentet kyçe të luftrave por edhe të personaliteteve të shquara të këtij kombi, siç janë dëshmorët, udhëheqësit e luftrave për liri e pavarësi, për personalitetet e shquara në shumë fusha: diplomaci, politikë, art, shkenvcë.
Populli, më mirë se shumë historianë, pushtetarë të lartë apo të ulët, ka qenë dhe mbetet obvjektiv në vlerësimet e ngjarjeve të rëndësishme historike, personaliteteve historikë që janë gdhenduar aq bukur në vargjet e tij, në këngë.
Që nga koha e Gjergj Kastriotit, Skënderbeu e deri në ditët e sotme kanë mbijetuar ato vargje, ato këngë, që transmetohen nga njëri brez në tjetrin, duke mbjellë, vaditur e lulëzuar përjetësisht pemën e madhe të patriotizmit.
Në këtë 100 vjetor ishte një gjë e mirë, që për herë të parë u nderuan figura njerëzish që kontribuan për pavarësinë, por u harruan mjaft të tjerë, sidomos nga jugu i Shqipërisë, që kanë dhënë aq shumë, sa nuk duhet të mbeteshin në hije.
U përmendën të gjithë firmëtarët e pavarësisë e të Kongresit të Lushnjes, koha e Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, etj, por u lanë të haruar mjaft figura të shquara të krahinave të jugut, veçanërisht të Vlorës, që kanë dhënë aq shumë për këtë vend, jo vetëm me pjesëmarrjen e tyre në ngjarjet e mëdha të kohës, me mbështetjen në kohën e Rilinjes Kombëtare, në kryengritjet para shpalljes së pavarësisë (mjaft prej tyre ishin lidhur me Ismail Qemalin që në Stamboll, e mbështetën atë për gjithçka për të arritur në fitoren e pavarësisë, për ta mbrojtur atë nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm). Ata kanë humbur në atë përpjekje pasurinë, u janë djegur shtëpitë, kanë dhënë para për të ndihmuar luftrat, kryengritjet, janë internuar në vendet më të largëta me vite të tëra, janë burgosur në burgjet e rënda të Janinës...
Përse ndodhi kjo, kur Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu 500 vjet më parë kërkoi bashkimin e gjithë shqiptarëve, po ashtu Lidhja e Prizrenit, lufta mbarëkombëtare për liri e pavarësi, lufta heroike famëmadhe e Vlorës, Lufta NÇL kundër okupatorëve, duke u radhitur me aleatëtë fitimtarë.
Folën historianët në median e shkruar apo atë vizive për shumë figura me njolla në veprimtarinë e tyre; treguan fakte, dokumenta, por nuk i përfilli njeri...
Foli patriarku i letrave shqipe Dritëro Agolli dhe bëri vërejtje mjaft objektive, por prap nuk u muarr asgjë parasysh.
Nën regjimin komunist kemi vuajtur nga kjo gjë, nga mohimi i disa figurave patriotike, Tani u bë po e njejta gjë. Ky mendim s'është vetëm i imi, por i shumë njerëzve, jo vetëm të afërt, familjarë të figurave të ndritura të kombit, që e kanë vuajtur trajtimin e keq gjatë 45 vjetëve: janë internuar burgosur, pushkatuar, janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë, duke i çuar nëpër katonj e bodrume, biles u kanë rrëmbyer jo vetëm pronat por edhe plaçkat e shtëpisë, u kanë mohuar shkollimin etj (Për ironi, edhe sot, trashëgimtarët e tyre, ose kanë marë shumë pak ose s'kanë marrë gjë fare, sidomos ata që i kanë pasur në fshat etj).
Këta quhen pinjollë të ish pronarëve, si diçka e kaluar, pa vlerë, siç është e pakryera e foljes "jam" në gjuhën shqipe (që ka kuptimin e diçkaje që i përket vetëm së kaluarës, jo të tashmes). E pra, këta patriotë të pa emër, të harruar në këtë 100 vjetor pavarësie, kanë një emër të madh në histori. Ata kanë zenë vend në qindra e mijëra faqe dokumentash historike, jo vetëm brënda, por edhe jashtë, si në ato turke, austrohungareze, italiane, franceze, në faqe të tëra gazetash të këtyre vendeve dhe të atdheut tonë. Por s'mund të mohoen dhjetra, qindra, mijëra vargje popullore e këngë, margaritarë të çmuar për bëmat, heroizmat, sakrificat e heronjve, patriotëve të të gjitha kohëravet. Ato thurrën dhe këndohen edhe në ditët tona në kopshte, shkolla, në raste festash, dasmash, në përkujtime të ngjarjeve historike. Dihet nga të gjithë që disa gjëra kryesore, ngjarje, luftra etj i kemi mësuar nga historia, por më shumë nga krijimet popullore, që edhe armiqtë e jashtëm e të brëndshëm si kanë zhdukur dot, siç kanë humbur shumë dokumenta të vlefshme. Për të ilustruar këto mendime, mund të shkruhen qindra faqe, të jepen shumë shembuj, por po përqëndrohen në mënyrë te veçantë për përpjekjet e Jugut të Shqipërisë para e pas pavarësisë, për mjaft figura si p.sh. për Elmaz Xhafer Kaninën (për të cilin Illyria, ka botuar një artikull për të të datës 15-17 Nëntor 1997). Ai bashkë me patriotët e tjerë vlonjatë: Ibrahim Avdullahu, Duro Shaska, Ali Beqiri, Adem Risilia, Mahmut Myftiu, Muço Sharra, për aktivitetin patriotik para e pas pavarësisë u burgosën e u internuan disa herë. Ata nuk qenë firmëtarë të pavarësisë, por ndihmuan në fitoren e saj, qenë miqtë e përkrahësit më të mëdhenj të Ismail Qemalit, e strehonin në shtëpitë e tyre, e shoqëronin jashtë shtetit si në Francë, Itali etj. Nuk përmenden edhe dëshmorët e Luftës Vlorës: Selam Musai, Sali Vranishti, Kanan Mazje, Zigur Lelo, Toto Hoço, Metno Metja etj... që janë kthyer në legjendë gjatë këtyre 100 vjetëve. Përshtypje më të madhe bëri harrimi komplet i Luftës së Vlorës, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të çerekshekullit të kaluar (që as regjimi komunist s'i mohoi) në të cilën dhanë ndihmën e çmuar si për pavarësinë edhe për Kongresin e Lushnjes, përkrah nënshkrimeve të tyre. Këta qenë: Qazim Koçuli, Q. Kokoshi, M. Hamzaraj, Hamza Isai, Dhimitër Qypi, Muhamet Miftari, Abaz Mezini, Ymer Radhima, Jani Minga, (plaku), Halim Xhelo. Dihet nga të gjithë që, po të mos ishte bërë lufta e Vlorës s'do të kishte liri, Shqipëria o të coptohej e s'do të ishte në kufijtë e sotëm. Në mënyrë të veçantë është e pakuptimtë mospërmendja e Osman Haxhiut (Kryetarit të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare), deputet i parlamentit të parë Shqiptar në 1921.
Kërkohej që herët më 1909 për tu arrestuar për veprimtari patriotike, që kishte dhënë familjarisht një kontribut të shquar si për shpalljen e pavarësisë, ashtu edhe për Kongresin e Lushnjes. Gjatë 20 vjetëve familjen e tij e kanë vizituar për 28 Nëntorin mjaft të djathtë, kurse për 100 vjetor s'u përmend fare.
Gjithashtu më 28 Nëntor 1912 kërkoi flamurin bashkë me klerikët e feve të tjera: At Mark Moçko, babai i teqesë së Kuzumbabasë dhe Dom Nikollë Kaçorri, Haxhi Muhameti, Vehbi Dibra e klerikë të tjerë firmosën aktin e themelimit të klerit duke e shkëputur nga Kleri mysliman i Perandorisë Osmane.
Edhe Osman Haxhia, i biri, u lind e u rrit në një familje patriotike e ndoqi shembullin e të atit. Lindi në Vlorë, më, 28 Tetor 1885, në një familje të mesme qytetare.
Mësimet e para i mori në mejtepin e qytetit e më vonë kreu studimet në "Robert Kollezh" në një nga shkollat me të famshme të Stambollit. Aty mësoi turqishten, gjermanishten, frengjishten. Në atë kohë zuri miqësi me djemtë e Ismail Qemalit, Et-hem e Qazim Vlorën. Që në moshë të re u radhit në lëviyjen për pavarësi të Shqipërisë. Në Stamboll u lidh ngushtë me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Mullo Xhaferr Drashovicën etj.., i hapën atij horizonte të reja. Ai ishte një djalosh i shkathët, i zgjuar, sypatrembur, që u ushqye me idetë e rilindasve e u njoh si një luftëtar aktiv për ti vënë ato në jetë. Shpejt ra në sy të perandorisë Osmane e u syrgjinos në Arabinë Saudite. Patriotët Shqiptarë në Siri, Stamboll, Egjipt, Liban etj...,e ndihmuan të arratisej prej andej. Ai u arratis me një anije që transportonte vaj për në Kofuz e më pas në Atdhe, ku filloi një aktivitet të ngjeshur patriotik, me krijimin e Klubit "Labëria" u bë anëtar i tij, pati fatin të takohej e bisedonte me Ismail Qemalin e të merrte pjesë në fushatën elektorale "për të zgjedhur këtë kombian të shkëlqyer". Ishte nënpunës në Prefekturën e Janinës ku u përfshinë trazirat e atjeshme e kërkohej për tu arrestuar bashkë me të tjerët. Duke parashikuar këto masa të egra, I. Qemali u arratis nga Perandoria Osmane e shkoi në Athinë, por i kundërshtua nga grekët dhe u detyrua të vendosej në Korfuz e më pas në Bari, Napoli e Romë. Pas lirimit të të burgosurve të Vlorës, Osman Haxhiu kthehet në Vlorë e më 1911 me ardhjen e Et-hem bej Vlorës u zhvilluan biseda e takime, ku ai bashkë me patriotë të tjerë merrnin këshilla nga larg , nga Ismail Qemali për organizimin më të mirë të lëvizjes kombëtare.
Pas Kuvendit të kryengritësve malësorë të Gërçes, edhe vlonjatët kërkuan nga Porta e Lartë të njohurit e kombit shqiptar me ato të drejta që kanë kombet e tjera.
Në nëntë muajt e parë të vitit 1912 aktiviteti i vlonjatëve qe i madh. Ata ndiqnin këshillat e Ismail Qemalit, që lëvizte nëpër Europë për zgjedhje të re diplomatike.
Disa ditë përpara shpalljes së pavarësisë, komisioni i ngritur, ku merrte pjesë dhe Osman Haxhiu, krijoi një qendër ushtarake në Shkozë të Sevasterit, që do të kishte fuqinë e një komande ushtarake në luftë kundër shovinistëve grekë.
Pas ardhjes së Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë, që u vendos në shtëpinë e Hasan Sharrës, ai u rrethua nga patriotët e Vlorës, midis tyre qe edhe Osman Haxhiu. Më 1913 ky i fundit u caktua sekretar i prefekturës. Edhe pse u ngarkua në këtë detyrë, me urdhër të ministrit të brendshëm Mehmet Pashë Dërralla, bashkë me Alem Mehmetin e Et-hem Vlorën gjatë muajve shkurt - prill 1913 qëndruan në Ilne për organizimin e banorëve të krahinave në mbështetje të frontit për marrjen e Janinës nga Grekët. Kur Esat Pashë Toptani i dërgoi ultimatumin qeverisë së Vlorës, i mbështetur nga Myfit bej Libohova, Dërvish Biçaku, Eqerem bej Vlora,kërkonte prishjen e qeverisë së Vlorës, dhe krijimin e saj në Durres. Me propozimin e Vienës e Romësiu kërkua qeverisë së Vlorës që përfaqësuesi shqiptar në KKN (Këshilli i Kontrrollit Ndërkombëtar) të ishte Myfit bej Libohova.
Shoqërues të Ismail Qemalit qenë: Fejzi Alizoti, Ali Asllani, Osman Haxhiu, Ibrahim Avdullahu. Ismail Qemali nuk e pranoi M. Libohovën dhe propozoi për delegat Luigj Gurakuqin.
Kur Ismail Qemali u padit në implikimin e komplotit të Beqir Yrebenëse, që u arrestua e u gjykua për komplotin e kundërshtimin e Princ Vidit e përkrahjen e princit turk, Izet Pasha. Kjo s'qe gjë tjetër vetëm pretekst për eliminim politik të Ismail Qemalit.
Osman Haxhiu e Ibrahim Abdullahu qenë të vetmit që kërkuan takim me avokatin shqiptar Kristo Floqi e biseduan për pafajësinë e Ismail Qemalit. Osman Haxhiu shprehu në atë kohë, në mënyrë proverbiale mendimin e tij, se," Esat Pashë Toptani ishte një mace e zezë e vatanit në politikë". Më 22 Janar të vitit 1914, ndër ata që përcollën Ismail Qemalin qe edhe Osman Haxhiu. Ky përkrahu Princ Vidin. Për përcaktimin e delegatëve për pritjen e tij në Durrës Osman Haxhiu, Abaz Mezini, I Avdullahu kërkuan që për pritjen e Princ Vidit në Durrës të ishte dhe Ismail Qemali, por përgjigja e KKN qe e prerë "Dërgimi i tij si përshtatet kohës...".
Në atë delegaion mori pjesë dhe Osman Haxhiu, patriotët e Vlorës, Elmaz Xhaferri Kanina, Ibrahim Avdullahu. Po këta patriotë të Vlorës u dërguan në Nice të Francës për tu takuar me Ismail Qemalin dhe i kërkuan që të ishte mes tyre, por kjo nuk u prit mirë nga Qeveria e Durrësit, pasi ministër i brëndshëm ishte Esat Pashë Toptani, i cili urdhëroi prfektin e Vlorës që të arrestonin Ismail Qemalin me të mberritur në qytet. Me këtë rast rrethet patriotike i dërguan telegram Princ Vidit, ku shpehej hapur protesta e tyre. Më 1 Korrik Ismail Qemaliu takua me Princ Vidin e i shprehu shqetësimin për pushtimin e viseve nga grekët, kundërshtoi protokollin e Korfuzit etj, por nga përgjigjet e Princ Vidit, ai u zhgënjye. I propozoi atij bashëpunim me kryengritësit e Haxhi Qamilit etj.. etj... Në vitet 1913 --14 kur krahinat viheshin në rrezik për t'u aneksuar nga grekët, kur bandat e Haxhi Qamilit dogjën e përvëluan shumë fshatra e arritën në portat e Vlorës, Osmani i hollë e i thatë si përteka, eshtak, po mjaft energjik, autoritar, i mençur më shumë se një i moshuar ( ishte mbi 20 vjeç) u vu në krye të komisionit që të bëhej pajtimi me Haxhi Qamilin, dhe ia arriti qëllimit. Vlora shpëtoi pa u jegur, falë aftësive të tij diplomatike.
Më 1916 për popullaritetin e madh që kishte krijuar, emërohet prefekt i Vlorës. Me fakte është vërtetuar që italianët kishin shfaqur synimin për aneksimin e Vlorës. Titullari i zyrës së sekretariatit për punën civile, Ugo Kapialbi paraqiti një akt skllavërues italian, (do binte ca punëtorë), Osmani me kurajo e shpejtësi e grisi aktin në mënyrë demostrative duke i thënë"këta nuk janë punëtorë, por spiunë, kjo rrugë të çon drejt drejt kolonizmit të Vlorës.
Pas kësaj u përzu nga puna, por asnjëri se përgojoi, përkundrazi në opinion publik figura e tij, ngrihet lart e më lart. Janë bërë shumë memorandume që i dërgoheshin Lidhjes së kombeve për largimin e trupave italianë nga Vlora. Këto u firmosën nga patriotët vlonjatë, me në krye Osman Haxhiun. Për këtë punë erdhi një elegacion për të vëzhguar më mirë situatën. Patriotët vlonjatë me në krye Osman Haxhiun vendosën të festonin Bajramin në Zhamione e Tahakëve dhe më pas të demostronin në rrugët e qytetit me flamur në dorë.

Nëntori nëntëmbëdhjetë
Osman, çe bëre beli
Mu te sheshi i Xhamisë
E more vdekjen në sy,
Demir Zyko skrapraliu

Ndërkaq italianë u informuan për këtë e mblodhën forca të shumta karabinierësh. Një marshall që drejtonte operaionin thirri: O Haxhiun, e i tha: "Osman, thuaju manifestuesve të mos bëjnë gabim të dalin me flamurin shqiptar, se kjo ska kuptim, ju keni flamurin italian e ska vend për dy flamuj, ndryshe do të përdorim armët". Toni i marshallit ishte shumë urdhërues por vlonjatët nuk u trembën.
Kur manifestuesit dolën nga xhamia, marshalli hoqi flamurin e ia lidhi në bisht të një qeni që shëtiste nëpër rrugë. Atëhere Osmain Haxhiu me bastunin e tij e goditi në kokë. Në fillim italianët e arrestuan, por kur morën në telefon, gjenerali italian, nga frika e zemërimit të demostruesve, dha urdhër të lirohet. Gjatë muajve që pasuan, pra në gjysmën e parë të vitit 1920, italianët po përgatiteshin në mënyrë të ethshme në të gjithë drejtimin për ta pushtuar Vlorën. Pikërisht, në këtë periudhë, si një meteor i ndritur del më në pah se kurrë Osman Haxhiu, që populli e quajti Osman Nuri.
Ai i ushqyer që herët me ndjenja patriotike. I kalitur që në moshë të re kundër armiqve e tradhëtarëve të vendit, ai vuri në dispozicion të qëndresës popullore jo vetëm mendjen, por edhe gjithë pasurinë e tij. Me shumë simpati një artikullshkrues ka thënë:"Ishte më i pasuri kur filloi lufta dhe doli më i varfëri nga ajo"...
Vendimet historike të Kongresit të Lushnjes hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Në zbatim të tyre, në mars të vitit 1920, u zgjodh "Kryetar i Komitetit të Mbrojtjes" për Vlorën. Kuvendi i Barçallasë që u mbajt më 28 maj të vitit 1920 me këtë kryetar të zgjedhur miratuan vendimin për shporrjen e agresorëve. Në mbledhjen e komandantëve të çetave mori miratimine tyre që përfaqësonin 4000 vullnetarë.
Më 3 Qershor dërguan i ultimatumin italianeve, i firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: Ne e dimë se një popull i vogël siç është populli shqiptar, s'mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s'mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij.... Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe, të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë:

" O Qemal për këtë ditë
Të ishe ndodhur i gjallë
Ç'do të kishin parë sytë
Osmani 20 vjeç djalë
Bridhte malit pa opinga
Bashkë me Sali Muranë..

Në mjaft këngë bëhet portreti i Osman Haxhiut në mënyrë të mrekullueshme, si:

" Ç'të them për Osman Picarë
agai që mbahet rëndë
kur shkon kaluar në kalë
flet pak dhe me mënd.
Ështe ilaç për fukaranë
për krahinë, mall e gjënë
miqtë e tij i ka të rrallë
një flori, tjatri argjëndë.... Mato Hasani nga Brataj.

Luftra e Vlorës zgjati 3 muaj e u bë një luftë mbarëkombëtare. Ajo mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku ai tregoi vitalitetin e tij të rrallë e i tha botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës se ç'është në gjëndje të bëj një popull i vogël, fukara, por patriot edhe kur lufton kundër një fuqie të madhe 40-miljonëshe. Ajo luftë mbarë shqiptare, ku vetëm treva labe dha rreth 100 dëshmorë e u plagosën mbi 130 vetë.
Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se "Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare" e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës.
Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:

Ulu o mali me borë
që të shoh përtej ne Vlorë
Osman Haxhiun me forë
që ngrihet Baba Tomorrë....

Fytyra e këtij "vigani" siç shkruajnë bashkëkohësit apo "Leonidhë të vërtetë" , siç shkruan shtypi i kohës, është gdhendur në vargjet monumentale

..Osmani ç'i hipi kalit
bëri poshtë buzës së malit
seç i foli gjeneralit
dil sterës e jo limanit
breshkamadh i breshkamadhit
të shoç të zotë e vatanit....

Këtu figura e tij del epike, madhështore, si një gjeneral popullor, i paharruar. Për këtë figurë të shquar mund mund të shkruajmë faqe të tëra pa fund. Por duhet të theksojmë se, emri i tij është përmendur shkarazi në monizëm, po ashtu edhe sot.
Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çiflikun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit.
Në 50 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë u dekoruan me më të thjeshtën medalje "Për veprimtari patriotike" që është shumë pak. Atë medalje e meriton çdo luftëtar i Luftës së Vlorës.
Në kohën e demokracisë s'është kujtuar Lufta heroike e Vlorës ashtu siç duhej, edhe në raste përvjetorësh.
Bashkia e qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin"Qytetar Nderi", i ka vëne një lagjeje e një rruge emrin e tij, kurse presidenti Alfred Moisiui akordoi medaljen.
Atdhetari i madh, Osman Haxhiu, veprimtaria e të cilit meriton t'u bëhet e njohur lexuesve shqiptarë të kohës sonë dhe të ardhmes.
Atdhetarë të tillësi Osman Haxhiu meritojnë të nderohene të përkujtohen jo vetëm nga populli, që i ka përjetësuar nëpërmjet këngëve të tij të bukura, por edhe nga qeveritarët tanë në shkallë krahinore e kombëtare. Ata bënë aq shumë për ne e për pasardhësit tanë. Ne duhet të përpiqemi të shkundim pluhurin e harresës që ka rrezik ti mbulojë emrat e tyre.
Për të ndriçuar figurën e Heroit kryesor të Luftës së Vlorës të vitit 1920 anëtarit të guximshëm e të mënçur të parlamentit të parë shqiptar, përkrahësisht të qeverisë së parë demokratike Fan Nolit e të gjithë përparimtarëve të kohës për të cilën Vlora (dhe jo vetem Vlora) duhet të bëjë edhe diçka më shumë për të përkujtuar kujtimin e tij.
Pavarësisht nga qëndrimi i qeverive të çdo kohe e ngjyre, populli, pa u marë leje zençelarëve pushtetarë, që kur Heroi i Drashovicës ishte gjallë e deri sot, bëmat dhe veprën e Osman Haxhiut e derdhi në vargje lapidarë, që sfidojnëkohërat, zensët e tërë mohimet e tyre.
Lule Osman Efendi
Tishin dy a tri si ti
Do të bëhej Shqipëri..

Ky paragraf është marë nga një shkrim i Ibrahim Gani. Faqa e fundit është marrë nga parathënia e akademikut Shaban Demiraj në monografinë " Osman Haxhiu" të historianit Bardhosh Gaçe.

No comments: