Sunday, 3 February 2013

DUKE U NISUR NGA POMANOKU


Walt Whitman
Përktheu:
Agim MATO




I

Duke u nisur nga Pomanoku në trajtë peshku,  ku kam lindur,
I shëndetshëm dhe i rritur mirë nga një nënë e përsosur,
Pasi brodha shumë vende, i dashuruar me trotuaret që gumëzhijnë,
Banor Mannahatta, qytetin tim, ose në savanat e jugut,
Apo ushtar në kamp me çantën e shpinës dhe armën, apo minator
në Kaliforni,
Apo me jetën e vrazhdtë në shtëpinë time në pyjet e Dakotës,
I mësuar  me mishin e freskët dhe ujin e burimeve pranverore,
Apo i tërhequr për të soditur e medituar në një vetmi të thellë,
larg zallamahisë së turmave, në çaste habie e lumturie,
njohës i Misurit që rrjedh duke dhuruar falas freskun e
 tij, i  Niagarës së fuqishme,
njohës i kopeve të buajve që kullosin nëpër rrafshnalta, dhe
demave të kërleshur me gjoksin e gjerë,
ekspert për tokën e shkëmbinjtë, për lulet e muajit të pestë, për
 yjet, shiun, borën, e gjithë çudirat,
Duke studiuar trillet e zogut poliglot dhe fluturimin e  fajkoit të
 malit,
duke dëgjuar në agim të pashoqen mëllenjë eremite nga kedrat
 e kënetave,
I vetmuar, duke kënduar në Perëndim, akordoj këngën për një
 Botë të Re.

II

Fitore, bashkim, besim, kohë dhe identitet,
Pakte të pazgjidhshme, pasuri dhe  mister,
Progres i përjetshëm, kosmosi dhe kronikat moderne.


Kjo, pra, është jeta,
Këtu është ajo që ka ardhur në sipërfaqe pas kaq shumë shtërzimesh
 lindjeje e spazmash.

Sa e çuditëshme! Sa e vërtetë!
Nën këmbë- trualli hyjnor,  lart - koka, dielli.

Shihni globin që vjen rrotull,
Kontinentet paraardhëse largohen në grup,
Kontinentet e të tashmes dhe të ardhmes, shikoji, në veri
dhe në jug, me istmin në mes...

Shihni, hapësira të gjera pa asnjë gjurmë jete,
ndryshojnë si në ëndërr, mbushen
me shpejtësi,
Sulen mbi to masa të panumërta,
dhe të mbuluara janë tashmë me artet, institucionet më të dëgjuara,
ku mbi të gjitha shquajnë njerëzit.

Ja, pra, projektuar mes përmes kohës,
Për mua një auditorium i pafund.

Përparojnë me hapa të rregulltë e ritmikë
dhe nuk ndalen kurrë,
rradhët e një vazhdimësie njerëzish, AMERICANOS,
njëqind milionë,
Një brezluan rolin e vet dhe i le vendin
Një tjetër brezi të luajë rolin e tij dhe kalon tej,
Me fytyrat e kthyera anash ose prapa drejt meje për të dëgjuasr,
drejt meje me sytëretrospektivë.

III

AMERICANOS! Triumfatorë! Marshim i njerzimit!
ballë të të gjithëve! Marshim i shekullit! Libertad! Masat!
Për ju një program me këngë.
 
Këngët e padeve,
Këngët e Misisipit përmes udhës së gjatë gjer në Gjirin
e Meksikës,
Këngët e Ohajos, Indianës, Ajovës, Uiskonsinit, Minesotës,
Illinoisit,
Këngët që burojnë nga qendra e Kansasit  dhe derdhen gjithandej,
si shigjeta flakësh drithmonjëse, të pashtershme, për të ngjizur
  jetën anekënd.
IV

Merri fletët e mia Amerikë, çoi në Jug, çoi në Veri,
Bëj t’i mirëpresin kudo, sepse ato janë pjella jote,
Përqafoni Lindjen dhe Perëndimin, sepse dhe ata duan
t’u përqafojnë,
Dhe ju që paraprini, bashkohuni me to me dashuri,
sepse me dashuri ju bashkohen edhe juve.

Studiova me kujdes kohët e vjetra,
U ula në këmbët e mjeshtërve të mëdhenj,
mjeshtra që duhet të kthehen, nëse është e mundur tani,
dhe të studiojnë mua.

Në emër të këtyre shteteve të përbuzja Antikitetin?
Por këto shtete janë bija të lashtësisë, enkas për ta nderuar.

V

Poetë të vdekur, filozofë, priftërinj,
Martirë, artistë, shpikës, qeveri të zhdukura prej kohësh,
terzinj të gjuhëve në të tjera brigje,
Kombe dikur të fuqishme, tani të rrudhur, tërhequr, apo  shkretuar,
Unë nuk guxoj të vazhdoj më tej pa respektuar atë çka keni lënë
pas vetes,
E kam egzaminuar me kujdes, e kam gjetur të admirueshme,
(e kam rrotulluar nga të gjitha anët,)
Mendoj se kurrë nuk mund të ishte më e madhe, ka atë meritë
që i takon,
Për këtë qëllim e kam hetuar gjatë, intensivisht,
pastaj e kam venë mënjanë,
Unë qëndroj në vendin tim me ditët e mia këtu.

Këtu femrat dhe meshkujt e këtij dheu,
Këtu trashëgimtarët dhe trashëgimtaret  e botës, këtu flaka
e materies,
Këtu, shpjegimi spiritual, e thotë hapur,
Gjithnjë duke u kujdesur, finalen e formave të dukshme,
Përmbushësi i dëshirave, pas pritjes së gjatë tani përparon,
Ja, shiko si po vjen zotëruesi im, Shpirti.

VI
Shpirti,
gjjithmonë e përgjithmonë,
më solid është  e më i errët se toka,  ka më shumë batica e zbatica
            se sa deti.

Do të shkruaj poemat e materies, sepse besoj që ato janë poemat më
të ndjera,
Do të bëj  poezitë e trupit tim dhe të vdekshmërisë sime,
Sepse kështu besoj se do t’i jap vetes poezitë e shpirtit tim dhe
pavdekësisë sime.

Do të shkruaj një këngë për këto shtete që askush nuk do mundet
 çdo rrethanë t'i nënshtrohet një shteti tjetër
Do të shkruaj një këngë për respektin e ndërsjelltë ndërmjet të gjitha
 shteteve, apo dyve prej tyre,
Dhe do të bëjë një këngë për Njëshin që është formuar nga të gjithë
Njëshi  rrëzëllitës dhe i armatosur me shigjeta, koka e të cilit del
            mbi  të tjerat,
Njëshi guximtar e luftarak që përfshin të gjithë  dhe i kapërxen
(Sado të larta të jenë kokat e tjera , ky Njësh, del mbi të gjitha.)

Do të njoh vendet e bashkëkohësave,
Do të përshkoj tërë gjeografinë e globit dhe do të përshëndes me
            kortezi çdo qytet të vogël e të madh,
Dhe preokupimet e tyre! Do të ve në poemat e mia heroizmin që rri
 tek ata, në tokë dhe në det,
Dhe këtë do ta relatoj nga pikëpamja e Amerikës.

Do të këngoj këngën për shoqërinë e miqve,
do të tregoj për atë që jep qëndrueshmëria e shokëve,
domethënë idealin e tyre, që bazohet dashurinë  burrërore,
            duke marrë shembull prej meje;
Do të le të çlirohen e të më përpijnë flakët e zjarrit që mundohen të
 më konsumojnë,
Do t’i fryj hirit që të nxjerr zjarrin e fshehur gjatë prej tij,
Do t’i  jap lirinë e plotë,
Do të shkruaj poemën e ungjillit të shokëve dhe të dashurisë,
Sepse kush, përveç meje  mund ta kuptojë dashurinë me të gjitha
 gëzimet e vuajtjet e saj,
Kush, në mos unë, duhet të jetë poet i shokëve?

VII

Besoj me sinqeritet  tek epokat, racat, vlerat,
Hyj dhe ndjehem mirë në shpirtin e popullit,
Këtu buron kënga e besimit të pafund.

Omnes! Omnes![1] Të tjerët le të mohojnë ç’të duan,
Unë shkruaj edhe poemën e së keqes, e shfaq edhe këtë anë të saj,
Unë vetë jam i përzjer me të mirën dhe të keqen, kështu edhe
 kombi im: pohoj se e keqja në realitet nuk egziston
(Ose, nëse ajo ekziston, është e rëndësishme për ju, për vendin ose
për mua si çdo gjë tjetër).

Edhe unë, duke ndjekur shumë dhe i ndjekur nga të tjerët, përuroj
një besim të ri, dhe zbres në arenë,
(Dhe ndoshta jam i destinuar  të lëshoj britmën më të lartë, ulërimën
shurdhuese të fitimtarit
Kush e di? mundet ende të çlirohet prej meje dhe të fluturojë mbi
 gjithshka.)

Asgjë nuk është qëllim më vete,
Them se gjithshka, toka dhe yjet e qiellit, kanë për qëllim besimin.
Them se askush nuk ka qenë ndonjëherë gjysma e mjaftueshme e
devotshmërisë,
Askush ndonjëherë nuk ka adhuruar ose veneruar  gjysmë
 mjaftueshme,
Asnjë nuk ka filluar të mendojë se sa hyjnor është ai vet, se sa  
e sigurt është e ardhmja.

Unë them se madhështia e vërtetë dhe e përhershme e këtyre shteteve
duhet të jetë  feja e tyre,
Në të kundërtën nuk do të kemi madhështi të vërtetë e të
përherëshme.
   (As karakteri , as jeta nuk është e denjë pa besimin,
   as atdheu, as burri, as gruaja pa besimin.)

VIII

Ç’je duke bërë djalosh?
Qënke shumë i zellshëm? I kushtohesh kështu letërsisë, shkencës,
 artit, dashurisë?
Në të vertet, ashtu si politika, ti zgjedh prioritetet, ambicjet,
            përkushtimet që do të të udhëheqin?

Mirë, atëhere, - nuk kundërshtoj asgjë, nga që jam poet, i them.
Veçse kujdes! Shumë shpejt shemben, të djegura nga besimi,
sepse jo e gjithë materja  është lëndë për të mbajtur ndezur flakën
e pashuar, thelbin e jetës mbi tokë,
shumë e shumë gjëra nuk shkojnë me besimin.

IX

Ç’kërkon kështu i menduar dhe i heshtur?
Për ç’ gjë ke nevojë kamerad?
Bir i dashur, mendon se është dashuria?
Dëgjo, i dashuri bir – dëgjo Amerikë, dëgjo bijë ose bir,
është e vështirë të duash tej mase një burrë o një grua, dhe dihet
është diçka që të jep sadisfaksion, e madhe,
por ka diçka që është më të madhe, që i bën të përkojnë të gjitha,
e madhërishme, tej materies, me duart që i shtrin vazhdimisht
dhe ofron për të gjithë.

X

E dini ju, se vetëm për të sjell mbi tokë farën e besimit më të  madh
Unë këndoj këngët e mëposhtme, secila sipas specifikës së vet?
Kameradi im!
Përse ti nuk  ndan me mua dy madhështi, dhe një të tretë që rritet
 më e shkëlqyer se më parë,
Madhështinë e Demokracisë e Dadhurisë dhe madhështinë e
            Besimit?

Përzihen tek unë, të dukëshmet dhe të padukëshmet,
oqean misterioz ku derdhen lumenjtë,
shpirt profetik i materies që regëtin dhe lëviz brënda meje,
qënie të gjalla, prani që janë pa dyshim përbri nesh në ajër, dhe
për të cilat asgjë nuk dimë,
kontakte të çdo dite, të çdo ore që nuk doni të më braktisni,
ato që zgjedh unë, ato që më bëjnë shenjë e më kërkojnë mua.

Jo kush më jep puthjen e përditshme që nga fëmijëria
ka mbështjellë dhe endur rreth meje atë që më lidh me të,
më shumë se me tjetër gjë unë jam lidhur me qiejt dhe me gjithë
 botën e shpirtrave,
përsa kanë bërë për mua, duke më sugjeruar temat.

Oh, çfarë temash: barazia! E mesmja e artë!
Duke kënduar nën diellin e sapo lerë, apo në mesditë, ose në
 perëndim,
tinguj muzikorë që rrjedhin nëpërmjet epokave, e mbërrijnë këtu
përfitoj nga akordet  tuaja të guximëshme, i  pasuroj
 dhe gëzueshëm i shpërndaj.

XI

Në Alabama, gjatë shetitjeve të mia mëngjesore,
kam parë klloçkën  e mëllenjës në çerdhen midis ferrave të  ngrohë
 vezët,
pastaj kam parë mashkullin e saj, jam ndalur  
të dëgjoj nga afër tek  këndonte me gjithë shpirt, i gëzuar,
dhe duke mbajtur frymën mendoja se ajo për të cilën këndonte 
realisht nuk ishte e gjitha  për atë që ndodhte aty,
ndoshta jo vetëm për vete dhe shoqen e tij, jo gjithshka vinte si
 refleks i jehonave,
por sepse, si  pa ndjerë, fshehtësisht, nga larg,
u trasmetonte një urdhër okult atyre që po lindnin.

XII

Demokraci! Pranë teje një gjoks tani gufohet dhe këndon me gëzim.

Ma femme! për fëmijtë, pas nesh e pas nesh,
për ata që janë tashmë këtu dhe për ata që do të vijnë,
unë, i ngazëllyert nga që i pres me padurim, bëj të derdhen hymne
 më të fuqishme dhe më superbe,
të pa dëgjuara kurrë mbi dhe.

Thurr këngë gjithë pasion për t’u dhënë jetë atyre,
dhe këngë për ju kriminelë të jashtligjshëm, sepse ju hetoj me sytë
e një të afërmi dhe ju marr me vete, si çdo njeri tjetër.

Do të thurr poemën e vërtetë të bollëkut,
për të fituar në trup e në tru çfarëdo gjëje që i bashkohet dhe e ndjek
 dhe nuk bie të vdesë.
Do të mbroj egoizmin dhe do të tregoj se është në bazë të
 gjithshkaje dhe do të jem bard i personalitetit
dhe do të tregoj mashkullin e femrën sepse të dy janë të barabartë,
dhe organet dhe akti seksual! Përqëndrohuni tek unë, sepse jam
i vendosur ta demostroj me
zë të qartë e kurajoz se sa të denjë jeni,
dhe do të tregoj se në të tashmen nuk ka mospërkryerje, nuk mund
 të ketë në të ardhmen,
dhe do të tregoj se gjithshka që do të ndodhë, për këdo do të jetë më
 bukur,
dhe do të tregoj se asgjë nuk mund  të ndodhë më e bukur se vdekja,
dhe unë do të shtroj një fill me poemat e mia sepse koha dhe
 ngjarjet formojnë një unitet,
dhe të gjitha gjërat e universit janë mrekulli të përkryera dhe çdo gjë
 është e thellë sa çdo tjetër.

Nuk do të shkruaj poema vetëm për disa,
po do të shkruaj poema, këngë, mendime, drejtuar të gjithëve.
Dhe nuk do të këndoj duke ju referuar një dite, por duke ju referuar
            të gjitha ditëve,
dhe nuk do të bëj poema, as pjesën më të vogël të një poeme
            që nuk do të ketë lidhje me shpirtin,
sepse duke vëzhguar objektet e universit, nuk kam gjetur asnjë prej
 tyre, qoftë edhe një pjesë të tyre
që të mos ketë lidhje me  shpirtin.

XIII

A ka kërkuar dikush për të parë shpirtin?
Shiko, forma dhe shprehja jote, individë, substancë, kafshë, e pemë,
            lumenj që rrjedhin, shkëmbinj e plazhe,
të gjitha posedojnë gëzime shpirtërore dhe i çlirojnë ato.
Si pastaj trupi i vërtetë të vdesë dhe të varroset?

Çdo element i trupit tënd të vërtetë, i trupit të vërtetë të çdo burri e
 gruaje,
do t’u nënshtrohet duarve të pastruesve të kufomave dhe do të
            lëvizë drejt sferave më të denja,
duke mbartur ç’ka akumuluar nga momenti i lindjes e deri në
 vdekje.

Togu i shkronjave të tipografit nuk të bën përshtypje,
            kuptimi i tyre është qëllimi kryesor,
ashtu dhe  substanca e jetës së një burri e një gruaje janë kthyer në
            shpirt e në trup,
pavarësisht, para ose pas vdekjes.

Shiko, trupi nxë dhe është e kuptueshme, meraku është që ai të
 nxejë  shpirtin.

Kushdo qofsh ti, është madhështor, është hyjnor trupi yt, dhe
 çdo pjesë e tij!
XIV

Kushdo qofsh, për ty shpallje pa fund!

Bijë e këtyre viseve, e prisje poetin tënd?
Prisje dikë me fjalët e rrjedhëshme dhe  me dorën që të fton?
Drejt burrit të shteteve dhe drejt gruas së shteteve,
fjalë ngazëllimi, fjalë për viset e Demokracisë.

Toka të bashkuara, prodhuese të bukës!
Tokë e hekurit dhe qymyrit! Tokë e arit! Tokë e pambukut, e
 orizit, e sheqerit!
Tokë e grurit, e gjedhit, e derrit! Tokë e leshit dhe e  kërpit! Tokë e
 mollëve dhe e rrushit!
Tokë e ultësirave kullosore, e fushave të barit të botës, tokë e
 pllajave pambarim të ajrit që ta ka ënda!
Tokë e kopeve, e kopshteve, e shtëpive të shëndetëshme prej
 qerpiçi!
Tokë ku gjarpëron Kolumbia në veriperëndim, Koloradoja në
 jugperëndim!

Tokë e Cheasepeakes në lindje! Tokë e Delawares!
Tokë e Ontarios, Eries, Huronit, Michiganit!
Tokë e Trembëdhjetë të Vjetërve! Tokë e Massachusetts! Tokë e
 Vermontit dhe e Connecticut!
Tokë e brigjeve oqeanike! Tokë e sierrave dhe majave!
Tokë e anijeve dhe marinarëve! Tokë e peshkatarëve!
Toka të koklavitura! të ngjeshura bashkë! të apasionuara!
Pranë njera tjetrës! Motra të vogla e të mëdha! të dobësuara!
Tokë e grave të mëdha!motra me përvojë dhe motra pa përvojë!
Tokë me frymëmarrje të thellë! Rifreskuar nga Arktiku! të përshkuara
nga flladi meksikan!Të ndryshme! kompakte!
Tokë e  Pennsylvanisa, e Virginias, e dy Karolinave!
Të gjitha dhe sejcila prej meje të shumëdashura! Oh, kombet e mia
të patrembura! Ju përqafoj të gjitha, me dashuri të përsosur!
Nuk mund të ndahem nga ju! as nga njëra më shumë se nga tjetra!
Oh, vdekje! oh, pavarësisht gjithçkaje jam ende mes jush në këtë
            orë, i padukshëm,me dashuri të papërmbajtur,
Ndërsa eci në New England, mik, udhëtar,
Apo pllaquritem me këmbët zbathur në zgrib të valëve të verës në
brigjet me rërë të Paumanokut,
Ose përshkoj preritë, për të banuar përsëri në Çikago, e në çdo
qytet,
Për të ndjekur shfaqjet, lindjet, përmirësimet, strukturat, artin,
Për të dëgjuar oratorët dhe oratoret në sallat publike,
Në të gjitha dhe për të gjitha shtetet për të gjithë jetën, krah meje
 çdo burrë e çdo grua,
Lousianas e xheorxhxianas, krah meje aq sa unë jam pranë tyre,
Dhe ata të Missisipit e Arkansas, me mua gjithmonë, dhe unë përbri
            secilit prej tyre, 
dhe pastaj sërish në fushat në perëndim të shpinës së lumit, përsëri
            në shtëpinë time prej qerpiçi,
sërish duke u kthyer në lindje në shtetet buzë detit apo Maryland,
duke sfiduar me gëzim dimrin, borën dhe akullin të mirëpritur prej
 meje,
bir i vërtetë i Maine, ose i shtetit të Granitit, i shtetit të Gjirit të
            Narragansettit, i shtetit të Perandorisë
dhe sërish në anije, drejt brigjeve të reja, sërish për të përfshirë, për
 të mirëseardhur çdo vëlla të ri,
Duke i dedikuar kështu këto fletë çdo të ardhuri që nga momenti që
 bashkohet me atë që e ka paraprirë,
Duke mbërritur unë vet me ta, për të qenë shok dhe i barabartë,
            duke ardhur tashmë tek ty personalisht,
Duke caktuar veprimet, personazhet, shfaqjet me mua.

XV

Me mua, rregulloni hapin, nxitoni, nxitoni!

Për jetën tuaj bashkohuni me mua,
(Ndoshta do më duhet  të bind veten shumë herë para se  të jap
 pëlqimin për ju)
Po dhe vet natyra nuk duhet të bindet shumë herë?

Nuk jam një adhurues i “dolce affettuoso”, nuk jam i tillë:
Mjekrosh, i pjekur nga dielli, me qafën e nxirrë, repulsiv,
kam ardhur të luftojmë të bashkuar,
për të mbërritur tek vlerat e qëndrueshme të Gjithësisë,
sepse ato që unë ofroj, cilatdo qofshin, duke këmbëngulur, fitohen.

XVI

Ndal për një çast në rrugëtimin tim,
Këtu për ju! Këtu për Amerikën!
Sërish lëvdoj të sotmen, sërish shpall të ardhmen e Shteteve të
            lumtura e krenare,
sa për të shkuarën shqiptoj atë që ajri ruan nga indigjenët e kuq.
Indigjenët e kuq,
nga të cilët rrjedhim, duke trashëguar natyrshëm zhurmën e shiut
dhe të erërave, thirrjet e zogjve dhe kafshëve në pyll,
të rrokjezuara në emra Okonee, Koosa, Ottawa, Monongahela,
Sauk, Natchez, Kattahokee, Kaqueta, Orinoko,
Wabash, Miami, Saginaw, Çipeva, Oshkosh, Walla-Walla.

XVII

Në zhvillim të pandërprerë, këtej e më tutje,
parime, rraca, përmirësime të stuhishme, të shpejta e të
            guximëshme,
një botë e rregulluar nga e para, perspektiva e lavdisë që zgjerohet
 parreshtur,
një rracë e re që dominon paraardhëset, që rritet më e madhe se to
            nga konkurrencat e reja,
nga politikat e reja, letërsitë dhe besimet e reja, shpikjet e reja dhe
 artet.

Kjo shpall zërin tim – nuk do të fle më por do të rilind,
ju oqeane, që keni qenë të qetë brenda meje! Ju ndej si përgatisni
pambarimisht valë dhe stuhi të papërballueshme.

XVIII

Shikoni si nxjerrin tym në poemat e mia anije me avull,
shikoni si mbërrijnë pandërprerje në poemat e mia emigrantët dhe
 zbarkojnë,
shikoni, en arriere[2], wigwam[3], gjurmët, kasollen e gjuetarit, barkën
e sheshtë, fletët e misrit, pretendimin, gardhin dosido, fshatin në
 humbëtirë,
shikoni nga një anë Detin e Perëndimit, nga ana tjetër Detin Lindor,
si lëvizin para dhe si tërhiqen në poemat e mia si në brigjet e tyre,
shikoni kullotat dhe pyjet në poemat e mia – kafshët e egra dhe ato
 shtëpiake – dhe  tej tributë, kopetë e pafundme të bizonëve që kullosin
barin kaçurrel,
shikoni në poemat e mia qytetet solide, të shtrira në gjerësi me rrugë të
shtruara, ndërtesat prej çeliku e guri, automjetet që s’pushojnë,
            tregëtinë,
shikoni presat me cilindra që i lëviz avulli, telegrafin elektrik që
 zgjatet në të gjithë kontinentin,
shikoni nëpërmjet humnerave të Atlantikut impulsin amerikan të arrijë
Europën, impulset europiane përgjigjen siç duhet,
shikoni lokomotivën e shpejtë dhe të fuqishme që niset, dhe gulçon
 duke fishkëllyer,
shikoni plugjet që lërojnë fushën, minatorët që gërmojnë minierat-
shikoni fabrikat e panumërta,
mekanikët të okupuar në tavolinat me mjetet e tyre, shikoni të shfaqen
prej tyre gjykatësit supremë, filozofët, presidentët, të
 veshur me rrobat e punës,
shikoni mua, të dashuruar, duke i rënë kryq e tërthor fushave e ofiçinave
të shteteve, natë e ditë i dashuruar,
dëgjoni gumëzhitjen e jehonave të këngëve të mia – lexoni aludimet
më në fund të përmbushura.

XIX

Oh, kamerado, mu afro! Ti dhe unë më në fund, vetëm ne të dy.
Një fjalë për të çliruar ecjen përpara drejt pafundmes!
Oh, diçka dalldisëse dhe të patregueshme! Oh, muzikë e egër!
Oh, triumfi im! – edhe ti do të triumfosh;
Oh, dorë brënda dorës – të përshëndesësh është kënaqsi – oh, përsëri një që më aspiron e më do!
Oh, forcoje shtrëngimin – forcoje, forcoje me mua.



[1] Të gjithëve,-lat.
[2] en arriere fr.- pjesa e pasme, nga mbrapa
[3] wigwam - banesë përdorur nga indigjenët e Amerikës

No comments: