Wednesday, 27 February 2013

Krizë


Nga Fatmir Terziu

Krizë

Të gjitha, të gjitha halat në brendësi të trupit
Zinxhir kolonash nën mish
nur i tejlarë mes jodit larg turpit
gjallesë e kripur nga vetëjeta. Uji
damarët t’i shkund mbi ecejake fati
nga një copë luspë për të gjithë;
racionojnë rrezet që krihen tek ty
lakuriqësinë ta ka falur Zoti.
Ndjekja si një bishë në sulm;
luftëra pa shpresë nën dallgë
asgjë përreth; veç plagë...
Zbatica-baticat shënojnë:
dashuritë e tua ishin peshkore.
I mardhur ujërave ky tis
një fat të ndjek ngado
i vjetër sa vetë ujnaja, por pis
botëujta në një risk të ri.
Dhe koha qan e qesh me ty. Krizë!

Monolog Deti

Garnizon i tërë stërkalash. Gatitu
Alarmin e japin valët
Dallgë të armatosura në thellësi
Pështyjnë mbi mure të dremitura. Fjalët
ditënata i shtyn në gojëza gjallesash
Djersë të ftohta dush koralesh
valë të gatshme nën Komandë
Kërkoj ndjesë bukuroshja ime,
Fati e solli të fjetohesh...
                     ...rrjetuar përpëlitjesh ...

Paqëti e mplakur

Në ardhjen tënde të mjegullt. Trarët
Kapërcyen zhurmën e ndjedhur ujqërish
Kavardisën athshëm lehoninë
E vitit që u mbars mbi acar...
Dhe i folën Detit ngadalë
Dhe i shkruan qashtër mbi valë
Dhe mbetën pafjalë
Dhe ndenjën në radhë
Aq vite sa malet zunë vallen
... dhe valët së kërcyeri më nuk ndalen.
Në ardhjen tënde të gritë
Vetëm thinjat e kanë fjalën!

Trazim

E meritoj vetëm prej teje. Det
Më quaj në gjuhën tënde ç’të duash
Kauboj më thuaj në daç
Edhe pse kurrë s’mi pe pantallonat e mia
Të gjëra mode të huaj
Mbi gurë të kriposura i lashë atë ditë
rrezet arnuan vite të tëra me radhë
... vlagë të ngrira plot mall...
E meritoj qoftë edhe ndëshkimin
Braktisjen tënde e ndjej edhe netëve
Ngrirë si astar i arnuar largësish
Me fate sinonime të dallgëve...



Anarki

I ndjeshëm Poseidoni, la lirinë e valëve
Ndjeshëm dallgët migruan: njerëzit
padashje i kthyen në dallgë jete...

... dhe në zemrat njerëzore hyri dëshira,
Të privatizonin edhe Detin!(?)

Deti na mori zgjerim. Valët
Evidencë e gjallë gati në grisje
Festen kish kthyer mënjanë bregu
Flurudhë ylberesh plot ngjizje
Tretej toka, zhdukej jodi  
Miq të Detit po deshët mos e besoni:
humbi Fronin e tij Posedoni...!

Jolineare

Pa kohë:

Karfica pafund i dhuroi Deti bregut
shkulur nga zemra e tij e madhe
kur pa të rrëndohej me beton e hekur
harroi dashurinë e tij shekullore..
... dhe nisi të plakej!

Në kohën e parë:

Diell i shpirtit tim, përshpirtja e vetme që tret
Kurrë s’është natë kur je pranë meje
Retë sa shfaqen ikin tutje grykave flejnë mbi det
Të ndjej afshin tënd të nxehtë deri në deje.

Në kohën e shkuar:

Të gjeta, o Det! Vetëheqje e çalë nga dihama jote
veten e degdisa për Ju gjithashtu
të gjej paqen në zhurmën anakrone
të drejtoj gishtat e shtrembëruara nga noti
... unë jam trupjeta jote qëmoti.

Vetë koha:

Det! Ne duhet të kemi një marëveshje
Edhe pse të dy jemi shpirttrazuar
Kërkoj ndjes kur shfaqem me pak veshje
Moda e shekujve më ka hutuar!


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: