Monday, 18 February 2013

M I U




 ELMAZ QERRETI

poemë.
PJESA E PARË
Lapureku krahëpurteku
Thirri Miun në një shpellë.
Jashtë dita rreze çonte,
Brenda shpella nxinte sterrë.

Biseduan kokë më kokë,
Jo me kamer e gazetarë.
Një Akrep u bënte roje,
Tamam si një bodigard.

Pak më vonë vjen Zhuzhaku,
Ligaveci zvarrë-zvarrë,
Vjen Urithi qimellakë,
Edhe ulen ballë për ballë.

Merimanga vjen stolisur,
Tualet e fustan mode,
Sikur do të konkuronte
Brenda shpellës per “Miss Bote”

Lapureku qe në krye,
Gjithë të tjerët rreth e qark.
-Pylli do të jetë yni,
Qoftë ditë, qoftë natë.

Unë gjitar e çfarë gjitari
  rri futur në  skuta,
Ndërsa pyllin e gëzojnë
Miza, zogj, edhe flutura.

U hodh zonja Merimangë
Nga pezhishka, ku qe shtrirë:
-Ç’do të thoni, ju, zotëri,
Se ju qenki më të mirë?
    2
Ti vërtet je gjitar,
Por tek ti ne s’kemi besë,
Se ti trupin e ke mi,
Ndërsa krahët i ke shpezë.

Nesër , po të vijë puna,
Na kthen krahët edhe ikën.
Me një dorë na jep bukën,
Me një dorë na ngul thikën.

-S’është ashtu, kërceu Miu,
Lapureku është besnik.
Jashtë dielli nis të ftohej,
Po lëshonte më pak dritë.

-Domosdo , u hodh Zhuzhaku
Do ta mbrosh , këtë e di,
Sepse nënën e ka zog ,
Ndërsa babën e ka mi.

Ti ashtu duhet të flasësh ,
Sepse ndryshe turpëron fisin
-More miq, t’i lemë këto,
Por më thoni nga t’ia nsim.

Lapureku mblodhi veten
Edhe mbylli njerin sy.
-Uluni zonja Merimangë,
Ne mezi të kemi ty.

Ne ju kemi duarartë,
Endëse të mbaruar.
Dielli po i mblidhte rrezet
Në të perënduar.
   3
Ne ju kemi mjeshte cirku,
Model krenarie .
Pylli nis që të errej,
Të mbushej me hije.

Unë veç për ju mendoj
S’dua gjë në jetë
Merimaga u qetësua,
U mbështet mbi rrjetë.

Veç për ju më dridhet shpirti,
Ma bën zemra tak.
Si duroni gjithfarë shpendësh
Që të vijnë përqark ?

Miu lëvizi pak nga vendi
Me bishtin përpjetë:
-Sot këtu të lidhim besën,
T’i luftojmë përjetë.

-Të mos mbetet fole zogu,
Vezë e zogj përtokë.
Gjithë pylli është yni,
Me dru e me tokë .

Dëgjoi Qarri, i ra pika,
Plasarit lëkurën ,
Dëgjoi Pisha dhe u tha,
Shtrëmbëroi fytyrën.

Dëgjoi Lulja, vari thekët,
Shkoi poleni kot.
Ca marrule që nga dega
Ranë nëpër tokë.
4
Dëgjoi Qielli dhe u nxi,
Plasi vetëtima.
Miu nxori pak turinjtë
Dhe u fsheh tek vrima.

Një zë erdhi që nga qielli,
Zbriti qe nga retë:
-Pylli ka vend për të gjithë
Per minj dhe për bletë.

-Jo, mor, jo, shpërtheu Miu,
Zoçkat peng i dua.
Më të mirën , bukuroshen,
Do ta marrë për grua.

Le të shtohet fisi ynë
Me minj e lapurekë,
Lapurëkë të rinj të lindin ,
Të sundojnë përjetë.

Po s’pranuan , le të ngordhin,
Të më njohin mua.
do jenë skllavet e mia ,
do t’i hajë guva.

Edhe sallën e koncerteve,
Të ma bëni hi.
Lapureku u kenaq,
Iu bë trupi më i zi.

Në atë sallë na kanë sharë ,
Na kanë vënë në lojë
Tani tymi edhe zjarri ,
Le t’i përvëloi.
5
Zjarr të marrë arena e cirkut,
Me Çufo dhe ketrra.
Le të digjen edhe vallet,
Kenget ne kaseta.

Le të piqen pa dalë mirë
Zogjtë nëpër vezë
Ja,ashtu me shijojne,
Spërkatur me vesë.

Laureshën të ma sillni
Këtu si robinë.
Lapureku u shkerrmoq,
Sytë vetëtië.

Laureshën ta martojme
Me zotin Lapurek,
Ajo bëhet zonjë e madhe
Dhe ky bëhet mbret.

Edhe pylli ndryshon pamje,
Bëhet mbretëri
Përmbi supe do të hedhë
Një mantel të ri.

Bravo,bravo ! duartrokitën,
U hodhën përpjet.
Mbretëria të na rrojë ,
Ta kem për jetë.

Dhe filluan te kercenin
Rrethe e rrotull me gezim:
“Mbreteria jone e madhe,
Mbreteria jone e mire”.
6
Hidhet Miu kërcen rrok,
Lapureku pak me tutje,
Merimanga e dredh belin,
Si një vallëtare turke.

Ligaveci kërcen shtrirë,
Mezin e ngre pakëz,
Sikur do që të kërcejë,
Vallen e Osman Takës.

Dhe Akrepi me s’duroi,
“Fiu” e flak skafandën
Dhe për beli e shtrëngoi
Ëmbël  Merimangën.

Merimanga u zalis,
Këputi fare belin.
Bulkthi i natës me kitarë ,
Sa s’e këputi telin.

Veç një zë, e preu festën ,
Mu në mes e preu vallen
Ishte zëri i Lapurekut
Që pushtoi gjithë sallën.

-Tani jashtë, në aksion!
Ose sonte, ose kurrë!
Jashte Hëna ngatërrohej
Nëpër shkure, nëpër drurë.
7
PJESA E DYTË

Kthehen Zogjtë nga koncerti,
Një nga një e dy nga dy,
Copra këngësh edhe vallesh,
U kanë mbetur nëpër sy.

Dhe ngacmojnë njeri-tjetrin,
Çik në gushë e çik në sqetull.
Shpupurisen nëpër gjethe
Edhe shkojnë për të fjetur.

Pylli hesht e rri behotë,
Zogjtë qeshin, si të marrët.
Gjithë foletë qenë zbrazur,
Kur i sheh, të merr të qarët.

Gjithë foletë qenë prishur,
Hedhur, si kësula bari.
Tërë gëzimi u bë helm,
Sytë flakë i dogji zjarri.

Obobo, ç’u bënë zoçkat,
Ç’u bënë vezët në fole?
Lotët bien që nga qielli,
Porsi vezët një nga një .

Edhe guri po lotonte ,
Copra-copra u shkërrmoq,
Vezët thyer, hedhur poshtë,
Nesër s’do të kishte zogj.

U poq loti mu në sy,
Syri ra që nga qerpiku,
Nëpër flakë po fluturonte
Pendëpërzhitur Qukapiku.
8
Zhvatur pendët me lëkurë,
Lidhur sqepin me pezhishkë.
Nje Urith i zi me maskë,
Ua bën pamjen më të trishtë.

Në stomak këndon uria,
Syri qepet për pak gjumë.
Urith ziu shtrëngon dhëmbt
Mbushur maska gjithë shkumë.

Vaji i zogjve hyn ndër guva,
Zoçkat dridhen gjithë frikë
Shpresë e tyre përpëlitet,
Shpresë e tyre po jep shpirt.

Ajo natë s’kishte yje,
S’kishte qielli dritë hëne,
Yjet qenë pika loti,
Hëna qe fytëre nëne.

Ajo natë s’kishte erë ,
Që të prehej nëpër ledhe,
Era kishte shpirt nëne,
Përpëlitej nëpër gjethe.

Ajo natë s’ishte natë,
Ajo natë qe njeri,
Ajo natë po jepte kujen
Dhe po qante me oi.

Ajo natë s’kishte fund,
Treqind ditë e netë bashkë.
Një lumë derdhej brenda guvës,
Një lumë dilte guvës jashtë.
9
Oh, sa vonë që lindi dielli
Sa i zbehtë, sa i vrarë,
Ndoshta peng dhe atë
Ndoshta , ndoshta kishin marrë.

Obobo , moj nëna ime,
U bënë zogjtë si të marrë,
Salla e shfaqjeve u përflak,
Edhe cirku mori zjarr.

Iku posta mori fund,
Gjithë centrali mori udhët,
Vijnë impulset, s’i merr kush,
Sikur bien në vesh të shurdhët.

Tërë guvat qenë zënë
Me pizhishka, porsi rrjetë,
Zjarri erdhi që nga qielli,
Edhe shkoi prapë tek retë.

U vërsulën që të gjithë:
Lauresha dhe Bilbili,
Gushëkuqi, Qukapiku,
Gjeraqina dhe Trishtili.

Tym dhe flakë u bë pyllnaja,
U derdh gjaku lemeri.
Ca luftonin për foletë,
Ca luftonin për mbreteri.

Qukapiku e kap Miun
Çëk tek bishti, çëk me dhëmbë.
Miu bëj që të shpëtojë,
Iu bë bishti dy pëllëmbë.
10
Gjeraqina kap Urithin,
Sytë fkakë i çojnë Zhuzhakut,
Ligaveci bëj të ikë ,
Copë iu rop lëkurë e barkut.

Lapureku s’dukej fare,
Nuk u bë fare i gjallë,
Gushëkuqi qe plagosur,
Dhe në gushë, dhe në balë.

E mjekonte Lauresha,
Edhe bari qe bërë gjak,
Gusha skuqur , si thëngjill,
Sikur kishte marrë flakë.

Edhe bishti i Dallëndyshes,
Si gërshërë ishte bërë
Lauresha me urgjencë,
Vjen e ikën, bëhet erë..

Që nga guva del ca tym,
Si nga koka e çibukut.
Vjen një erë si mish i djegur,
Digjej trupi i Minukut.

Oh, ç’rrëmujë, ankth e frikë,
Përgjon vdekja në çdo skutë.
Këmbëthyer, pendëperzhitur,
Zogjtë iknin gjithë ngut.

Një s’gjen lisin, një folenë,
Një s’gjen zoçkat, nis të qaj.
Dielli përmbi sup të malit ,
Po filmonte çdo detaj.
11
Ja, dy sy që po shkëlqejnë,
Që lëvizin, porsi zhivë.
TV-PYLLI po jep lajmet
Me një spot televiziv.

Ja tani një “speciale “,
Zëri në ekran na preku,
Pa dëgjoni, pa dëgjoni,
Një mesazh nga Lapureku:

Miqtë e mi, zogj të pyllit,       
Ju uroj me gjithë shpirt
Dielli mbylli njerin sy,
U bë dita më pak ditë.

Jam me ju në jetë të jetëve,
Se jam gjaku, fisi juaj
Dhe më ndjeni , më besoni ,
Sa po heq dhe po vuaj.

Jam i gatshëm që të vij,
Edhe  pse nuk duroj dritë
Le t’i varim në litar  
Që të gjithë ata banditë.

Që të mos guxojnë kurrë
Që t’ju prekin fije floku.
Të më falni, s’mbaj dot lotët ,
Se në gjoks kam zemër zogu.

Qeshi pylli me të madhe,
Qeshi lisi , qeshi qarri,
Iku Lapureku shulas,
Sa të mund, si i marri.  


12

Zogjtë s’folën, vazhduan punën
Jep e merr e ngri fole
Një e ngritën këtu pranë,
Tjetrën po e ngrenë atje.

Një kronikë e gëzuar,
Në ekran tani po del
Cicërimat edhe këngët
Lulëzojnë tani një degë.

Hyjnë e dalin nëpër salla,
Gazetarë, operatorë.
Marrin, japin intervista,
Nëpër  studio dhe oborr.

Gjallërohet prapë pylli
Edhe kënga prapë nis.
Sa të bukura foletë,
Posi vila lis më lis.


No comments: