Saturday, 16 March 2013

DIBRA E MADHE DO TË MBETET GJITHËMONË E MADHE


           
 
 
 
            1.
            Sot e kapërceva vargmalin e Korabit të bardhë, e trupova Drinin e Zi. Vij për herë të parë në qytetin e Dibrës së Madhe. Vij si shqiptar i lirë i Shqipërisë së Vjetër, si qytetar i lirë i Botës së Re. Vij në këtë “festë libri”, sepse festa të tilla janë qytetënim, dinjitet, integrim, progres. Aq ma mirë kur të dy i kemi simbole: autorin e veprës - Azgan Haklaj dhe veprën e tij: “Edhe Zoti po flet Shqip”.
           
            Dibra e Madhe është “barometër” politik. Këtë privilegj etno-historik ia jep pozicioni gjeo-strategjik i veçantë i saj. Qyshse nga koha e penestëve ilirë ka shtrirje vertikale në luginën e Drinit të Zi, pothuaj në rrjedhën e mesme lumore të tij, e cila i ndan gati likpërmjet Malësinë Dibrane dhe Ultinën Dibrane tue i ujambledh rrjedhat horizontale të lugjeve e shpatinave të dy Dibrave” – asaj të Epërme dhe asaj të Poshtme. Përveç kësaj, Dibra në shtrirjen përgjatë vijës të kufinit të sotëm Shqipëri – Maqedoni ndahet në dy pjesë gjeo-politike – në Dibra e Madhe dhe në Dibra e Vogël me një unitet të prejkohshëm e të përjetshëm etno-historik. Në dy skajinat e Drinit të Zi ky kufi shqiptaro-shqiptar ndahet ndërmjet disa shteteve ballkanike: kah jugu në kryeburim prej liqenit të Prespës keqndahet ndërmjet Shqipërisë, Greqisë e Maqedonisë dhe në rrjedhecjeje kah veriu para bigimit natyror me Drinin e Bardhë keqndahet ndërmjet Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Në mes këtyne ndamjeve tragjike, të thikta e çkyese etnike, jetnon e vepron në të gjitha stinët e kohnat Dibra – si lumë i mendjes dhe si mal i luftnave.
           
            Dibra e Madhe është një korridor i madh (ndër)kombëtar lidhnues ndërveti i shqiptarëve etnik qyshse nga kohënat pellazgo-ilire si në dy kahjet vertikale jug-veri të luginës të Drinit të Zi, po edhe në degëzime horizontale nëpër grykat e Setës e të Radikës dhe në qafat e Murrës e të Buallit. Ky korridor i ka lidh vargmalet e Korabit me detet Adriatik e Jon (nga Ulqini në Durrës e në Vlorë) dhe me Egjeun (nepërmjet Luginës së Vardarit). Ky korridor e ka lidh Dibren e Madhe (që një i huaj, Feliks Petani, në vitin 1502 e vlerëson si “një qendër e rëndësishme qytetare”) me gjithato kryeqëndra historike, zyrtare e shpirtërore të shqiptarëve: Shkupin e Prishtinën, Tiranën e Ulqinin, Çamërinë e Toplicën, Pazarin e Ri (Sanxhak) e Preshevën.
 
            Dibra e Madhe do të bahet edhe ma e madhe me Rrugën e Arbrit. Kjo rrugë iliro-arbnore e karvajeve dhe e qerreve prej vitit 2008 në rreth 75 km të saj po ndërtohet si autostradë tue shembë male e tuj hap tunele; po dritëvjen si projekt madhor i Qeverisë Berisha. Kjo rrugë (ndër)kombëtare e zhvillimit ekonomik e kulturor dhe e bashkimit të dibranëve e të shqiptarëve do të shkurtojnë aq shumë distancat kilometrike e politike saqë një nga garantët bestar të  përfundimit të saj, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, lider i të ardhmes, artnon bukur në qytetin tuaj më 26 janar 2013 me thanien simbolike: “Dibra me Tiranën do të jetë vetëm një kafe larg”.
Kjo Rruga e Arbrit është edhe “Rruga e Skënderbeut”se realisht niston nga Monumenti i Skënderbeut në Tiranë dhe vijavjen deri tek Monumenti i Skënderbeut në Dibër të Madhe dhe mbasandejna nëpër grykën e ngushtë e të bukur të Radikës trupon në drejtim të Gostivarit e të Tetovës deri tek Monumenti i Skënderbeut në Shkup.
 
Në të dy Dibrat shqiptare universitetet e Tetovës e të Tiranës i kanë shtri krahët institucional të dijes, po vet Dibra e bardhë në të dy anët e Drinit të Zi është një “universitet popullor” me të nandë malet e krahina të saj si bajraku i Lurës, Topalltia, etj., me “oden dibrane”, me një popull elitar dhe me vigan të elitës kombëtare shqiptare.
 
Në koftë se ia fillnoj nga viti 1218 në mesjetë me të parin e dinastisë princërore feudale të Gropajve, me sevasti Andrea Gropa i betejave historike, dhe vargavijmë deri tek koha e sotme e demokracisë me kryebashkiakun demokrat të metropolit shqiptar të Tiranës, Lulzim Basha – i vlerësuem përveçëm nga diplomatë, politikanë e media si “golden boy”(djalë i artë), “një yll në ngjitje”, një nga “princat e demokracisë, integrimeve e zhvillimeve shqiptare”, etj. më duhet të përmendi me dhjetra e (pse jo) qindra emra të jehonshëm, që e lartangritën Dibren në histori sa mali Korab e përndryshe: në gjeografi e kemi Korabin ma të madhin mal në trojet etnike shqiptare.
 
Në koftë se do të përmendi emna emblematik familjesh dibrane më duhet të hulmoj një kohë të gjatë. Gazetari dibran në Amerikë, i palodhuni Beqir Sina, më vjen në ndihmë teksa shkruan se në Dibër të Madhe e kanë të skalitun emnin edhe në gurët e ndërtimeve tipike shumë familje si: Cami, Marku, Dema, Kolari, Mjeshtri, Papraniku, Erebeli, Pustina, Koleci, Ruci, Peliku, Fida, Shehu, Lita, Maqellara, Kosovrasti, Stercani, Kazani, Uruçi, Rusi, Dovolani, Kerçishta, Klloboçishta, Velia, Mirza, Duka, Ballanca, etj.
 
Jo rastësisht kohnat shqiptare e kanë vlerësue Dibrën si “Universitet Popullor” sepse i ka dhanë kombit shqiptar presidentë e kryeministra, dhjetra ministra, qindra personalitete të shkencës, letërsisë, fesë, arteve, kulturës, etj.
Jo rastësisht nga epoka e Mbretit Zog deri tek e Sali Berishës kemi disa ministra të arsimit nga Dibra e kryesisht nga Dibra e Madhe: Abdurrahim Dibra, Faik Shatku, Tefta Cami, Ylli Vejsiu, Myqerem Tafaj.
Jo rastësisht Ismail Qemal Bej Vlora në Shpalljen e Pavarësisë më 1912 i pati në të dy krahët e tij dy atdhetarë dibranë: Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) nga Dibra e Madhe - kryetar të Senatit (Pleqësisë) dhe Dom Nikollë Kaçorri nga Lura – nënkryetar i Qeverisë së parë shqiptare.
 
Etnografi e gjeografi francez Ami Bue (i lindun në Hamburg) në shek. XIX  në veprën e tij shkencore për Shqipërinë dëshmon se populli i Dibrës është “i vyeshëm”, shprehimisht: ka vlera të larta. Lideri historik i Shqiptarëve, Prof. dr. Sali Berisha, e ka fjaladritë Dibrën si një vend “me histori të madhe”.
 
Sot: në këtë festë të librit “Edhe Zoti po flet Shqip” të autorit Azgan Haklaj, në këtë “Odë Dibrane” të promovimit të këtij libri visaror nga “Art-Klub” dhe Bashkia e Dibrës së Madhe, në këtë ditë kur policia sllave-maqedonase i përgjaku fëmijët e pafajshëm shqiptar në Shkupin dardan, një zë i vetëdijshëm iu jehon kohnave e brezave:
Dibër e Madhe kurrë nuk do të mbetesh e vogël!
As Ne – Shqiptaria, o Dibër e Madhe, me Ty - kurrë nuk do të jemi të vegjël!
 
2.
Kur hymë në Dibër të Madhe po e dvetsha si shpesh për vendbetejat e Skënderbeut poetin e kulturologun e mirënjohur Agim Doçi që nuk e di ae mban dekoratën “Mjeshtër i Madh”, po shumëkush e dinë që është dhandërr në Dibër të Madhe, i martuem me një zonjë të nderuar e të kulturuar, me Yllka Çaushollin, lobuese fisnike si kryetare e Komitetit të Rrugës së Arbërit.
Betejat kundërosmane të Skënderbeut në treva dibrane janë të shumta. Dikush i numëron shtatëmbëdhjetë të tilla. Fortpërmenden ajo e Torviollit, Grykës së Radikës, Otonetës, Oranikut, Mireshit, Sfetigradit, etj. Dibra gjeo-administrative e etno-historike në veprat e bashkëluftëtarëve  e historiografëve skënderbegian, Marin Barleci dhe Gjon Muzaka, ishte shumë e madhe, me dy rajone - Dibra e Epërme dhe Dibra e Poshtme - në brigje të luginës së Drinit të Zi, me shtrirje  nga Tetova, në thellësi të luginës së Vardarit, në  rrethina të Pellgut të Ohrit, etj.
Krenari vitale të papërseritshme e të përjetshme më jep vendlindja ime – Malësia e Gjakovës (Tropoja - Malësia e Mirë) në brigje të Drinit të Bashkuar e në shtatlartësi të Alpeve, veçse kur udhaeci në Dibër të Madhe nëpër vende ku ka rrugëtue, kuvendue e luftue Skënderbeu, është një ndjesi e krenari e rrallë që nuk e takon e provon gjithkund në hapësinat etnike shqiptare.
Monumentin e Skënderbeut në Dibër të Madhe nuk e prekën fashistët e Luftës së Dytë Botërore, po e hoqën nga piedestali në vitin 1945 shovinistët sllavo-komunistë maqedonas. Në nëntor 2003 më rastisi në Amerikë me e pa Skënderbeun të derdhun në bronx kur dibranët atdhetarë të Staten Island të Nju Jorkut e udhanisën përmbi Atlantik për në Dibër të Madhe. Sot e takova Skënderbeun në qendër të qytetit Dibër e Madhe, si edhe kohë ma parë në qytetin tjetër dibran, në Peshkopi. Dy Dibrat etno-historike në dy shtete kufitare me njana-tjetrën kanë nga një Skënderbe – simbolin e vet kombëtar. Si askund tjetër në Shqipërinë e Vjetër, si në asnjë vend tjetër të planetit.
 
Ky libri i sotëm “Edhe Zoti po flet Shqip” ka një fjalë palcore memoriale (fq.191) të mbajtur në Dibër të Madhe nga Azgan Haklaj si president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar (UAKSH), në festën e Flamurit, nëntor 2009. Aty prognozon me idealizëm e realizëm: “Tashmë në të gjitha trojet shqiptare jemi të gjithë sëbashku, është sëbashku me ne shpata e Skënderbeut, gjoksi shkamb i Mic Sokolit dhe pena e Samiut, është diplomacia e Ibrahim Rugovës, qëndresa dhe emblema shqiptare Sali Berisha.Në këtë festë kemi përjetuar nëntorin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Adem Jasharit dhe të Ali Ahmetit. Së shpejti do të kemi nëntorin e fundit kur ta realizojmë ëndrrën shekullore për të cilën shqiptarët luftuan me shekuj”.
 
Në korrik të vitit 2010, studiuesi i themeltë, euriditi i heshtur, mr. Ruzhdi Lata, myftiu i Dibrës së Madhe, “Qytetar Nderi” i Peshkopisë, aktualisht kandidat potencial për kryetar komune i Dibrës së Madhe, kumton se Skënderbeu në trevën dibrane e mblodhi ma të parin kuvend, në mesin e muajit nëntor 1443, “Kuvendin e Dibrës”- me krerë vendas të dy Dibrave: të Epërme e të Poshtme, ku rishpalosi dhe nisi jetësimin e planit të veprimeve të tij politiko-luftarake.
 Kjo e vërtetë historike e kumtueme nga njeriu i besimit e i studimit, Ruzhdi Lata, ka të bajnë me kohën kur Skënderbeu, sanxhakbej i Nikopolit, pasi luftoi përkrah komandantit hungarez, Janosh Huniadit, me thyerjen në betejën e 3 nëntorit 1443 në Nishin etnik shqiptar, bashkë me qindra shqiptarë bashkëluftëtarë dhe nipin e tij, Hamza Kastrioti, u nis për ngritjen e Flamurit të Lirisë Shqiptare, Flamurin e Kastriotëve në Krujën historike më 28 nëntor 1443. Jo rastësisht i ra rrugës nga Prizreni dhe ndali disa ditë në Dibër të Madhe. Skënderbeu, pas Kuvendit të Dibres, me një grup shqiptarësh u nistue drejt Krujës të merrte paqësisht e përdredhnisht postin e tij të maparshëm si subash. Ndërkohë, Dibra e Madhe, dy Dibrat e historisë, futen nën zotërimin e vet skanderbegian territore nga kështjellat e Kalkandelenit (Tetovë) e në lindje kështjellën e Sobrit (Derven), në Ohër, etj.
Skënderbeu lindi si udhëheqës pasi ishte princ i dinastisë së Kastriotëve, u përgaditë si ushtarak në Stamboll, bani emën të madh në karrierë politike e në luftna të rrepta, po me trevën dibrane ka lidhje historike të veçantë e të përjetshme. E para: nga Dibra e Madhe u nis si burrshtetas shqiptar. E dyta, nga Dibra e Madhe nisi shteti historik i Skënderbeut rrugëtimin për tek Flamuri Shqiptar në Krujë dhe më 2 mars 1444 tek Beslidhja Shqiptare në Lezhë.
 
            3.
            Kur erdha në Dibër të Madhe vetlypa me u pikapjek me rilindasin 39 vjeçar, Said Najdeni- Dibrani (Hoxhë Vokën). E gjeta përnjiherë tek “Sheshi Rilindasit”. Ishte i derdhun në bronx: busti i tij hijeshonte përkrah me atë të dibranit tjetër rilindas nga Reka e Epërme, Josif Bagerin.
Nuk jam i pari dhe as i vetmi i kësaj dite e i kësaj kohe që vij në Dibër të Madhe dhe mirëdue me u takue dhe me e nderue Said Efëndi Dibranin, që ndonëse e thirrnin edhe “Hoxha i Vogël” ishte një burrë i madh i kombit shqiptar. Kaherë, burra të zotë të kombit shqiptar: Aqif Pashë Elbasani, Mytezim Këlliçi, Sadik Pasha, Islam Vrioni, Qenani Abdyli, dr. Ibrahim Temo, Prenç Xhelali, Dervish Biçaku, Dervish Hima, Hafëz Ali Korça e të tjerë, kur erdhën si delegatë në Kongresin e Dibrës (1909) i shkuan tek vorri dhe i mbajtën tek kryet fjalime të zjarrta atdhetarie e mirënjohjeje.
 
Njeriu mbetet i madh me krejt një jetë, vetëm me një akt, veç me një fjalë. Rilindasi dibran, Said Najdeni, mbetet i madh në histori për të tria njëherash dhe njejtësisht, po due për me e veçue fjalën e fundit të shpirtit të tij, amanetin e tij të artë: "Pa fitue Shqipëria lirinë, mos më vini gurë mbi varrin tim. Pasi të fitohet liria të m'i vini gurët duke i shkruar shqip. Mbi ta të vini një flamur."
Dibra e Madhe e kreu këtë amanet të madh me vetëveprim e vetëfinancim kombëtar e qytetar të saj. Në mes të shumtëve po i veçantoj katër penestë të rinj të shek. XXI:  Ali Ahmetin – ish komandantin e përgjithshëm i UÇK në Maqedoni dhe kryetar i partisë BDI në koalicion  qeverisës; gjeneralin epokal, hero i gjallë i Dibrës së Madhe - Gëzim Ostrenin; kryetarin e bashkisë dibrane me arritje meritore, djalin emblematik të Dibrës së Madhe, doktorin e shkencave mjekësore - Argëtim Fida; myftiun e Dibrës së Madhe, misionarin e Zotit, kumtuesin e historisë shqiptare dhe tribunin e angazhimeve qytetare - Ruzhdi Latën. Secili me kaçikin e vet kombëtar, politik e kulturor, secili në linjën e menyrën e vet ma të mirë atdhetare, zyrtare e civile, në bashkari me të tjerët, e ngritën në qytetin e Dibrës së Madhe një kompleks memorial të pazakontë, me emnin simbolik – Sheshi “Rilindasit”, ku gravitojnë, rrezatojnë e hyjnojnë Përmendorja “ABC” (e Kongresit të Dibrës – 1909), bustet e dy rilindasve të penës e të aksionit kombëtar: dibrani musliman, Said Efëndi Najdeni dhe dibrani ortodoks, Josif Bageri.
 
Kulturologu i veprimit e poeti i meditimit, Minella Kureta–“Mjeshtër i Madh”, më açikon se në këtë përurim në ditëfestën e Flamurit – 2009 ishte i pranishëm e përshendeti edhe Azgan Haklaj në cilësinë e presidentit të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar.
Kjo më hulloi me krahasimue një paralele simbolike: Dje - rilindasi vizionar, iluminist e veprimtar, Said Najdeni Dibrani, pishtar i arsimit shqip, nga fundjeta e tij profetizonte: “edhe zogu e bilbili do të këndojnë lirisht shqip”. Sot - rilindasi modern e veprimtari kulturolog i bashkimit kombëtar dhe i integrimeve shqiptare, Azgan Haklaj, vjen për të disaten herë në Dibër të Madhe me fjalë e kangë shqipe, vjen edhe me veprën ma të fundit “Edhe Zoti po flet Shqip”.
Tashti, realisht, për Shqiptarët e shek. XXI gjithçka po frymon Shqip: edhe Skënderbeu i madh, edhe rilindasit Said Najdeni e Josif Bageri, edhe zogu e bilbili në këto troje etnike, edhe Zoti lart në qiell e në Tokën e Ardhmërinë tonë dhe në këtë vepër publicistike të Azgan Haklajt.
 
Rilindasi kombëtar Said Najden Dibrani që Ismail Qemal Bej Vlora në kujtimet e veta e cilëson “një nga miqtë e mi të vjetër shqiptarë” (kryen sëbashku misione kombëtare shqiptare në Romë e deri në Tripoli), ishte mik edhe i vllaznëve rilindas Naim e Sami Frashëri (në Stamboll), ishte mik edhe i tropojanit Haxhi Zekë Byberit (qyshse në burgun e Edrenesë në Turqi). Kreu studimet e larta teologjike në Edrene e në Stamboll. Meritoi tituj e grada fetare. Dinte shqip, frengjisht, turqisht e osmanisht. Autor i disa veprave si “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht” (Sofie, 1900). Tri herë: më 1889, 1893 dhe 1900 (ri)hapi shkollën shqipe në Dibër të Madhe.
Bashkidealistë veprimtarë rilindas, pas vdekjes së Said Najden Dibranit në moshën 39 vjeçare (v. 1903) ia thanë fjalët e mendjes e të zemrës: Shahin Kolonja theksonte: “ishte shqiptarë i vërtetë, i stolisur me vetia të mira e me urtësi, me mish e me shpirt për mbarëvajtjen e Atdheut", Nikolla Naço e cilësonte: “ushtari i palodhur i Shqipërisë”, Kristo Luarasi komentonte: “do t'i kish bërë shumë shërbime kombit sikur të kish rrojtur akoma", Hafëz Ali Korça portretizonte:“I ndjeri Said pati qenë një nga idealistët e vjetër, është përpjekur tepër për shkronjat shqipe, pati shkruar edhe një libër…I mjeri ka vuajtur, por edhe ka vdekur i tuberkolizuar në rrugë të atdhetarizmit." etj.
 
Rilindasi Said Najdeni e ka varrin tek Xhamia e Sahatit në qytetin e Dibrës së Madhe, tek kjo xhami kompleks arkitekturor i veçantë, që myftiu i saj, historiani ynë, veprimtari i komunitetit qytetës dibran, Ruzhdi Lata, e cilëson si “qendër e dyfishtë - fetare dhe historike”, tek kjo xhami e ndërtueme si mirënjohje për tiranasit që iu hapën dyert e zemrat dibranëve të përzanë me gjak e flakë nga serbët në vitin 1913, tek kjo xhami harkavijë rrethatue me muri guri që shpreh forcën dhe me 100 dritare të hapuna që simbolizojnë 100-vjetorin e Pavarësisë, etj.
Në përurimin e “Xhamisë së Sahatit” në Dibër të Madhe që i përnget asaj të Et’hem Beut të Tiranës, kanë ardh bashkarisht edhe shumë nga “dibranët e Tiranës”, me kryebashkiakun e kryeqytetit, Lulzim Basha, me kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti (që ishte dhe foli në Gjakovë në promovimin e këtij libri të Azganit), gjeneral Xhemal Gjunkshi – shef i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare; Prof. dr. Petrit Bare – një nga të paktët “Qytetar Nderi” i Dibrës së Madhe; Faruk Borova – kryetar i Shoqatës “Bashkësia Dibrane” në Tiranë; Flamur Gjymyshka – drejtor i Përgjithshëm i Doganave; Florent Pustina – drejtor i Infrastrukturës në Tiranë;  Yllka Çausholli – kryetare e Komitetit për Rrugën e Arbërit;  Hysen Xhara – kryetar i njësisë bashkiake nr. 4 në Tiranë, etj.
 
4.
Me fol në kuvendim në Dibër të Madhe është privilegj, me fol si redaktor i librit të Azgan Haklajt “Edhe Zoti po flet Shqip” është kënaqësi. Po ky libër visaror që e keni në duart tuaja fletahapet me parathanien time me titull: “Azgan Haklaj po ecë në kambë…”(fq.5-13), parathanie që mban nënshkrimin tim si drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, prandaj nuk po i rithem edhe një herë këto, sepse mos me e përserit vetëveten para jush besoj se është matuni e mirëpritun. Diku-diku i kam ra gatë e gatë fjalës teme si referues kryesor, po me e lexue po e lexoj edhe vertikalisht, sa ma shkurtas, pasi plotor ka me dalë në gazeta e në faqe interneti.
 
Para disa ditësh lexova në shtyp se personaliteti i njohur shqiptar, mr. Ruzhdi Lata, dha dorëheqje si myftiu i Dibrës së Madhe dhe iu fut politikës direkte dhe së shpejti, pas 24 marsit 2013 (siç parathonë opinionet, anketat e takimet në “tri Dibrat”) do të jetë i votëbesuem masivisht si kryetar i komunës të Dibres së Madhe. Ky është një akt i lartë atdhetarie, civilizim bashkëkohor, ndjenjë e lartë qytetarie, që nuk lenë vend e rend me diskutue nga askush se ku ndahen e bashkohen ndërveti kryekomunari e myftiu i juaj. Vetë Dibra e Madhe e ka dhanë para njëqind vjetësh shembullin e vet: I madhi Hoxhë Vehbi Agolli (Dibra) i dhanun pas teologjisë, historisë, përkthimeve, krijimtarisë, etj., djali i myftiut të Dibres së Madhe, Ahmet Efëndiut, kur ishte Kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, u zgjodh kryetar i Senatit (Parlamentit) dhe përkohësisht edhe zv/kryetar i Qeverisë, kur Ismail Qemalit iku me mision diplomatik kombëtar në Europë. Prapë Dibra e Vendit, në anën tjetër të Drinit të Zi, në bajrakun e Lurës, na e jep një shembull tjetër: I madhi Dom Nikollë Kaçorri, ipeshkv i Durrësit, me dekorata nga Papa për veprimtari kishtare, shkoi në Vlonë si politikan atdhetar dhe u zgjodh nënkryetar i Qeverisë Shqiptare. Fan Noli u rrit njejtësisht në Amerikë si peshkop ortodoks shqiptar dhe si politikan shqiptar, gjersa u zgjodh deputet i Kolonisë Shqiptare të Amerikës në Parlamentin e Shqipërisë (1921-1923 dhe 1923-1924), ministër i Jashtëm në Qeverinë e Xhafer Ypit (1922), kryetar i Partisë Popullore Shqiptare, pastaj edhe kryeministër i Shqipërisë (qershor-dhjetor 1924), etj. Është e njohun thania e ish-kryeministrit britanik, mikut të madh të shqiptarëve, Tony Blair: “Si politikan u bëra mbasi kam njohur Zotin dhe jam bërë besimtar”.
Dibra, jo krejt rastësisht, ka një traditë të lartë fetare kombëtare. Shteti i pavarun Shqiptar ka pasë kryetar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë si dibranin Muharrem Mullaj (në vitet ’30), dibranin Selim Muça (prej vitit 2004), etj. dhe Kryemyfti të Shqipërisë dibranin Hoxhë Vehbi Agollin (Dibra) në kohën e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorë, dibranin Sali Hoxha në fillimet e demokracisë pluraliste shqiptare, etj. Ajo çka i ka shërbye historisë dhe i duhet kohës së sotme është edhe fakti se Dibra kurrë nuk i ka paragjykue apo mënjanue fetarët e vet me tituj e grada të larta fetare kur i kanë hyrë politikës. Përkundrazi edhe kur i kanë sulmue armiqtë e kombit tonë si Hoxhë Said Efëndi Najdeni (Dibrani) kur hapi shkollat shqipe e merrej me politikë kombëtare i thoshin “ka dalë nga feja”, etj. dhe e burgosën në dhena të huaj, dibranët i morën në mbrojtje, iu dhanë nderime të larta, i skaliten në histori.
 
Kandidatura e Ruzhdi Latës është Thirrje e Zotit, është zëri i ndërgjegjes së tij shqiptare, është kërkesë e kohës e zhvillimeve kombëtare. Sot, në këtë mesditë, regjisori e aktori që i ndez skenat dhe i ndrit ekranet, miku im i hershëm, djali i Mirditës së Madhe, besimtari katolik i vyer, Llesh Kola, që e kemi moderator të këtij promovimi të tanishëm, i tha diçka të veçantë dhe reale mr. Ruzhdi Latës: “Ju jeni një zgjedhje e vonuar dhe një kryetar i munguar. Ju keni qënë një “kryetar shpirtëror” dhe tani do të jeni edhe kryetar funksionar i komunës të Dibrës së Madhe’.
 
Atdhetarë të përmasave të tilla si Ruzhdi Lata i duhen Dibrës së Madhe që të mos mbesin e vogël nga numri i përgjithshëm i shqiptarëve, si në dy komunat e tjera dibrane, (të ndame veças në vitin 2004!) në atë të Qendër Zhupë ku mbisundojnë mbi 80 për qind të quajtun turqë, mbi 12 për qind maqedonas të ardhun kaq thellë në tokën tonë etnike shqiptare, mbi 7 për qind kanë mbetë shqiptarët, etj.,ndërsa në komunën tjetër, në atë Mavrovë-Rostushë maqedonasit e ardhun janë rreth 51 për qind, turqit e “vet-shpallun” janë mbi 31 për qind, shqiptarët kanë ra deri nën 18 për qind, etj.
 
Ndokush e koncepton euriditin bashkëkohor Ruzhdi Lata vetëm si historian, po as kjo nuk është pak, veçanarisht kur kemi të bajmë me një historian të tillë të përmasave të mëdha, që e ftojnë në simpoziume e konferenca shkencore dhe ka mbajt kumtime me tematikë e randësi kombëtare, që ka vepra historike dorëshkrimore e foto arkivore, etj. po edhe publikime të prejkohëshme.
Magjistri i shkencave filologjike Ruzhdi Lata është edhe pedagog i orientalistikës në tri universitete në kohë të njëpasnjëshme: në Universitetin e Prishtinës (fakulteti filologjik – dega e gjuhëve orientale) deri në vitin 1991 kur e largojnë serbët me dhunë, biles e vazhdoi edhe dy vjet të tjera mësimdhanien në shtëpi private – sipas kërkesave e mundësive shqiptare të kohës; në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup (1994-1995); në katedren e orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës, prej vitit 2009.
 
Poligioti shqiptar Ruzhdi Lata është njohës i themeltë i gjuhëve të huaja si i arabishtes e i turqishtes, përveç atyre serbo-kroatisht e maqedonisht. Diçka e çmuar: gjatë karrierës së tij është marrë energjikisht e cilësisht me përkthime nga arabishtja si vepra e dhjetë e Sahihil-Buhariut, nga turqishtja romanin “Dashuria e Talatit me Fitneten” i ideologut e veprimtarit të madh rilindas Sami Frashërit, etj. Njëherash e prej kaherit është edhe publicist i niveleve të mira, që ka botue artikuj cilësor për personalitete të larta si Haxhi Vehbi Dibra, Fuat Dibra, Haki Sharofi, etj.
 
 
Ndokush e këndvështron mr. Ruzhdi Latën si (ish)myfti apo si historian. Të tjerë nuk ia evidentojnë në lartësinë e merituar veprimtarinë e çmuar krijuese e publikuese të tij, rolin si pedagog apo si përkthyes. Po të gjithë nuk duhet t’ia harrojnë, përkundrazi t’ia pasqyrojnë e lartësojnë veprimtarinë e tij në politikën kombëtare shqiptare, në politikën e mirëfilltë partiake, në politiken e pajtimit qytetar, në politikat humanitare, pasi edhe këto kanë të bajnë drejtpërdrejtë me misionin e tij si kryetar i komunës së Dibres së Madhe.
 
Politika e tij nuk niston sot me shpalljen e kandidaturës e zgjedhjen së shpejti kryekomunar i Dibres së Madhe, po është prej hejcekurit – në vitet ’90 të shek. XX – si përkrahës i pandalun i Lëvizjes Demokratike në Dibër të Madhe e në treva të tjera shqiptare, kontributiv cilësor në themelimin e partive politike shqiptare në Dibër, etj. Po nuk ka ba një politikë për politikë, sepse ky 60 vjeçar rinor më ngjan si një “Anton Çeta i Dibrës”, pasi është i palodhun në pajtimin e popullatës në raste konfliktesh të të gjitha niveleve dhe i ka të shenjueme mbi 180 pajtime të tilla. Zoti ia prift’ të mbarën!
 
            Personaliteti shqiptar shumëdimensional Ruzhdi Lata shquhet ndër vite si organizator për ndihmesë materiale për nevojën e kosovarëve, për pritjen dhe sistemimin e bashkëatdhetarëve nga Kosova në Dibër, për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Maqedoni, për nevojat e qytetarëve të Peshkopisë në krizën e vitit 1997, etj. Zoti ia ndrittë jetën e vepren e tij të derisotme e të nesërme!
Për punën e bërë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dekorohet ‘Qytetar Nderi nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë’.
            5.
            Fillimisht iu thashë se është hera e parë që po vij në Dibër të Madhe po Historia Kombëtare dëshmon pafundësisht se Dibra është tek të gjithë Shqiptarët e kësaj Toke e të kësaj Bote, se vet Dibra është Shqiptari, mirëfilli Shqiptari, e betejave të mëdha dhe e mendjeve të ndrituna.
           
            Çdo eveniment kombëtar epokal i pushkës apo i penës edhe nga fillesa të Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare është parapri’ apo përcjellë me kuvende edhe në Dibrën e Madhe.
 
Lidhja Shqiptare e Prizrenit u mbajt në Prizren më 10 qershor 1878 dhe pas katër muajsh u mblodh në këtë qytet të hershëm, Kuvendi i Dibrës, më 1 nëntor 1878 si dhe i dyti Kuvend i Dibres (20 tetor 1880), i kryesuem nga Iljaz Pashë Dibra (Çoku).
 
Lidhja e Pejës, e kryesueme nga Haxhi Zekë Biberaj, u mbajt në qytetin e Pejë më 23-29 janar 1899 dhe pa kalue muaji u mblodh edhe në këtë qytet (me një miting të hapur dhe me dyer të mbyllura) Kuvendi i Dibrës, më 27-28 shkurt 1899.
 
Në prag të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorë u mbajt Kuvendi i Dibrës, më 23-29 korrik 1909 (i kryesuem nga Vehbi Agolli (Dibra).
 
Dibra e ka shenjtërinë e vet: Në kohëra të vështira burrat e mëdhenj tue fillue te Skënderbeu, si i thonë asaj fjalës së moçme: “kanë marrë dorë” në Dibër. Dhe kur ndonjani nuk mundi ta bajnë këtë akt kombëtar e hyjnor, atëherë Dibra “iu dha krahë”, iu dha mbështetje…
 
Fuqinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit organizatori kryesor i saj, Ymer Haxhi Prizreni, që u zgjodh kryetar i “Komitetit Kombëtar” me fuqi ekzekutive në vitin 1878 e shihte tek  Iljaz Pashë Qoku (Dibra) i Dibrës së Epërme, i kësaj treve peneste ilire, të cilin e zgjodhën kryetar të Këshillit të Përgjithshëm (me fuqi legjislative).
 
Ismail Qemal Bej Vlora nuk po shkonte nga Durrësi në vendlindjen e vet për të ngrit Flamurin e Pavarësisë në vitin 1912 pa pjesmarrjen e Haxhi Vehbi Agolli (Dibra), i cili do të firmoste Aktin e Pavarësisë, do të bekonte Flamurin e Pavarësisë, do të zgjidhej kryetar i Pleqësisë (Senatit).
 
Këta dy burrshtetas të mëdhenj të kombit shqiptar, njani me mbiemnin vetjak Çoku e tjetri Agolli, e morën për mbiemën të ri simbolik – mbiemnin “Dibra”, jo vetëm për faktin se të dy lindën në Dibër të Madhe, po për faktin tjetër: Dibra e Madhe është aq e madhe sa ua dha emnin e vet.
           
            Këtë dimension të prejkohshëm e të sotëm na e paraqet politikani e veprimtari Azgan Haklaj tek vepra e tij “Edhe Zoti po flet Shqip”, tek fjala e tij e mbajtun më 28 nëntor 2009 në “Sheshin Rilindasit” në qytetin e Dibrës së Madhe: “Flamuri i Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit me të cilin kanë luftuar Adem Jashari dhe Ali Ahmeti tashmë valëvitet krenar në Bruksel midis flamujve të tjerë perëndimorë”.
 
            6.
            Drejtësisht më vjen mirë se ende në qytetin e Dibrës së Madhe me rrethina, edhe në këtë sallë promovimi, ndihet jehona e vizitës të liderit emblematik, kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, demokrat i Dhjetorit ’90, ish student në Hollandë – në një nga universitetet ma të hershme të Europës (Utrechet, 1632).  Nuk ka se si të harrohet ajo pritje e ngrohtë klasike dibrane për liderin e ri, Lulzim Basha. Ndonëse frynte era e ftohtë e luginës së Drinit e të Radikës, fijatke bora e maleve të larta të Dibres e të Sharrit, më thanë edhe sot para se të vinim në këtë kuvendim libri visaror, se dibranët dhe trevat përreth saj kishin ardhë e dalë herët në pritje të liderit Lulzim Basha, çka nuk e bajnë shpesh e për të gjithë. Malet e Dibres i njohin mirë vargmalet elitare të kombit.
 
Është hera e tretë në treva etnike shqiptare në Maqedoni që më rastis të dveti (in)direkt e të më prognozojnë e hipotekojnë të njëjtin fakt: “Lulzim Basha është një burrshtetas i ri”. E veçanta është se këtë portretizim ma fjalathonë njejtësisht në vise e kohë të ndryshme tre kryetarë komune: Ramiz Merko i Strugës më 8 dhjetor 2011 në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës (pronë e tij – tempull i dijes); Izet Mexhiti i Çairit në Shkup, master i shkencave ekonomike, një qytetar euridit dhe talent i rrallë i qeverisjes vendore, në atë mesanatë të 12 gushtit 2012 në koncertin festiv jubilar në kalanë e Shkupit, si edhe në mesditën e sotme, më 2 mars 2013, dr. Argëtim Fida në Dibër të Madhe, që veprimtaria e tij dymandatore mirëpret mirënjohje qytetare e zyrtare.
 
Disa personalitete shqiptare në Dibër të Madhe si mr. Ruzhdi Lata, klerik i njohur, historian, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, përkthyes, politikan, bamirës, publicist i mirënjohun në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, në diasporen dibrane në SHBA, etj. vizitën e fundjanarit 2013 të Lulëzim Bashës në Dibër të Madhe, i thirrun me ftesë të Myftinisë të tij për përurimin e një objekti kulti të rrallë – Xhamisë së Sahatit, e vlerëson dhe e bekon lartësisht me pak fjalë: “E solli Zoti!”.
 
Biznesmeni dibran, Miço Duka, ky njeri mirësor që e kemi në këtë promovim, që e kam njohur vjet në Shkup, të cilin politikani e kulturologu Azgan Haklaj e thërret miqësisht e seriozisht “komandant Radika”, më fjalathotë diçka në esencë e tipike: “Lulzim Basha është një menaxher i mirë i drejtimit të punëve, menaxher i fjalës së mençur, menaxher i kulturës së tij të plotë”.
 
Sapo hymë në qytetin e Dibrës së Madhe, me tri personalitete që do të flasin edhe në këtë promovim libri, Agim Doçi, Yllka Çausholli, Minella Kureta shkuam direkt e në hotel “Uraniku – Capa”, ku pata nderin ta njoh pronarin fisnik e të zgjuar të Banjave të Dibres së Madhe - Capa, biznesmenin atdhedashës, qytetdashës e kulturdashës, Mexhit Capa me zonjën e tij të fisme. Ky çift i mbrrimë me vlera njerëzore të traditës e të biznesit i miradministron të jashtëzakonshmet Banja të Dibrës – Capa që për efektet shëruese dhe përbërje minerale klasifikohen në vendin e parë në Europë dhe të tretin në botë (sipas AKAO) po edhe vet kjo dyshe e rrallë qytetëse janë në rendin e parë të mirënjohjes dibrane si “vlerë e shtuar e Dibres së Madhe”, si “krenari e merituar e saj”, si “sherbëtor të Zotit për shëndetin e popullit të kombeve, feve, bindjeve e moshave të ndryshme”. Ky burrë tipik dibran i mendjes e i lapsit, Mexhit Capa, e njihte nga afër liderin e ri Lulzim Basha në imazhin mediatik dhe sëvonit në kuvendim dibran edhe në restorantin e tij “Uraniku”, në atë pritje të papërseritshme të myftinisë e bashkisë së Dibrës më 26 janarit 2013 në ditëpërurimin e “Xhamisë Sahat”. Në rrjedhë bisede në kafen tij, Mexhit Capa i mendimit e i veprimit dibran e kombëtar, e lëshon lirshëm mendimin e tij për Lulzim Bashën me një fjalë të vetme e të pandigjueshme prej meje: “dalëzot”.
 
Mjaftonte kaq e më dukej sikur i kishte thanë të gjitha. Lideri i ri Lulzim Basha në kabinetin dymandator të Qeverisë Berisha përsa kohë ishte në krye të tri ministrive iu doli zot institucioneve të tij, detyrave të tij, ishte ministër “dalëzot”. Si ministër i Transporteve iu doli zot punëve në kontributet për “Rrugën e Kombit” duke u përballë edhe me klane antishqiptare. Si ministër i Punëve të Jashtme iu doli zot sipërmarrjeve diplomatike për pavarësinë e Kosovës e problematikat shqiptare në Ballkan duke u përballun edhe me armiqtë mijëvjeçar sllavë. Si ministër i Punëve të Brendshme iu doli zot kryerjes së obligimeve të larta dhe kyçe dikasteriale që siguruan Lëvizjen e Lirë të Shqiptarëve në hapësirën “Shengen” të Europës së Bashkuar. I doli zot fushatës elektorale brilante, moderne, klasike në llojin e vet që i dha fitoren si kryetar i bashkisë së Tiranës dhe iu ka dalë zotë objektivave të tij madhore me projekte e realitete duke i dhanë metropolit shqiptar të shek. XXI fytyrën, frymën e buzëqeshjen e merituar.
            Lideri Lulzim Basha me emnin dhe veprimtarinë e tij ka zënë vend edhe në këtë libër të Azgan Haklajt: “Edhe Zoti po flet Shqip” (fq. 145)
           
            Kryebashkiaku demokrat i Tiranës, Lulzim Basha (që më shpeshthonë se është me gjenezë prejardhjeje nga ky vend qytetës) në takimin e parë me kryetarin e komunës të Dibres së Madhe, dr. Argëtim Fida dhe me këshillin komunal, në fjalën e tij miqësi e mesazh vetëpohoi se “ndihej rehat si në vendlindjen e tij”. Njëherash e bani aty një portretizim krahasimor të përkryer të Dibres të sotme, duke sjellë pashlyeshmërisht në memorialin e kohës konfiguraconin etno-historik të “tri Dibrave”: “Dibra e Vendit” – ku i përcaktoi në një të vetme Dibrat të dy anët e kufinit shqiptaro-shqiptar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë. Një “Dibër e Madhe”- (siç e cilëson ai vet) -  në Tiranë. Një “Dibër e Madhe në Amerikë, ku gjenden rreth 13 mijë dibranë” – saktësonte Basha.
 
            Këto “tri Dibra” më ngjajnë si një e vetme, si një shqiponjë shqiptare me krahë të hapuna: me rrënjë e këmbë, me trupagjoks në Dibrën historike (në Dibrën e Madhe e të Vogël) me krahë etno-historikë në Tiranë (Dibra e Tiranës) dhe në Amerikë (Dibra e Amerikës) kryesisht e lisnueme në Staten Island (“Ishullin e Dibranëve”) në Nju York.
Dibra e Madhe i ban nder Kombit Shqiptar, ashtu sikurse Kombi Shqiptar nderohet me Dibrën e Madhe.
 
            6.
            Në kryeqytetin e Dardanisë, në Shkup, në mbramjen e 12 gushtit  2012, përkujtohej 100 -vjetori i Kryengritjes Shqiptare Kundërosmane të Vilajetit të Kosovës, kryengritje e udhëhequn nga ideologu e strategu Hasan Prishtina që çoi në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlonë.
            Në tribunë doli tribunali Ali Ahmeti – sfinksi i kohës shqiptare, rilindasi i shquar  modern shqiptar. Ai e bani një deklaratë tokaqiell, siç dijnë ta bajnë vetëm burrashtetas si Ali Ahmeti. Teksa iu drejtue Shkupit zyrtar m’u duk si Zeusi pellazgo-ilir, si Zeusi i antikitetit shqiptar:
-          Kujdes. Mos na mërzitni se edhe rrufetë i zbresim nga Qielli...!
 
Politikëbërësit e lartë maqedonas në Shkupin dardan e fortdinin se “kokrren e rrufesë” e
kishte Ali Ahmeti, Zeusi shqiptar i shek. XXI, djali i Zajasit të Kërçovës të penestëve ilirë.
Nga treva e tij peneste është prijësi mesjetar Andrea Gropa (Çoku) që në lidhje aleancore shqiptare me Andrea Muzaka e Gjergji II Balsha në vitin 1372 (sipas akademikut Kristo Frashëri tek “Historia e Dibrës”) e mundi Marko Kraljeviçin – të birin e mbretit serb Vukashin që e sulmoi pabesisht dhe ia mori përgjakshëm e përkohësisht Ohrin. Dinastia peneste Gropa e rimori Pellgun e Ohrit etnik shqiptar dhe e futi në zotërimet e veta dibrane e të rrethinave të tjera shqiptare.
Prapë erdhën krajl të rinj sllavë dhe na e rimorën prapë Ohrin…Dhe Ali Ahmeti i Kërçovës peneste ilire e pruni Maqedoninë dhe Ndërkombëtarët deri tek “Marrëveshja e Ohrit” më 13 gusht 2001.
 Ali Ahmeti e ka “kokrrën e rrufesë…”!
Aty në atë përkujtim të njëqindtë, në atë festim solemn e apel, isha në krahë të politikanit
kombëtar e kulturologut rilindas Azgan Haklaj se të nesërmen do të promovonim veprën e tij “Për Kombin, Për Demokracinë”, redaktor i së cilës isha unë, si edhe i veprës së sotme “Edhe Zoti po flet Shqip”. Azgan Haklaj foli aty, në atë tribunë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, pas Ali Ahmetit legjendar; foli në kalanë e Shkupit pas Izet Mexhitit – kryetarit të Çairit, që pret mandatin e tretë të fitores, dhe pas Mehmet Prishtinës – nipit të kombëtarit Hasan Beg Prishtina; foli edhe në promovimin e librit të tij, një veprimtari nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë, veçmas të sekretarit shtetëror të saj, zotit Muzafer Bislimi. Fjala e rilindasit të ri e modern, Azgan Haklaj, mbajtur në kalanë historike të Shkupit, është pjesë vitale e librit që promovojmë sot, (fq. 236-239) me titullin domethanës “ Shkupi, ky qytet simbol i Shqiptarëve”.
 
            Atë ditë të 12 gushtit 2012 i besoja ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së e liderit emblematik të BDI-së, Ali Ahmeti, siç i besoj Tokës dhe Qiellit, se edhe ky “Zeus shqiptar” yllsojë në kohën shqiptare për të çue Maqedoninë kundërshqiptare në Marrëveshjen e Ohrit më 13 gusht 2001 dhe ndikojë hyjnisht që edhe Zoti me folë Shqip në shek. XXI, në “Shekullin e Shqiptarëve”.
 
            Prej asaj ditë e prisja legjendën e gjallë Ali Ahmeti se kur do t’i zbriste rrufetë nga qielli.
            E kjo ndodhi në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, në nëntorin 2012, në Shkupin dardan, kur Lideri Historik i Shqiptarëve, prof. dr. Sali Berisha, foli për një ëndërr gjithëshqiptare, për një aksiomë historike: për Bashkimin e Shqiptarëve në shek. XXI të zhvillimeve e integrimeve shqiptare e euro-atlantike, në këtë kohë me shpresë e dritë kur “Edhe Zoti po flet Shqip”.
           
                                                                                               
                                                                                                Ramiz  LUSHAJ
           
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: