Saturday, 23 March 2013

DY POEZI NGA FATMIR TERZIU




Risi

S’ka qetësi kopshti im. Stina
Mbërtheckat bumbashe nisi t’i gajasë
Varur si një karficë tekanjoze një degëz
Nga pema kurizdalë e fqinjit
Tejzgjatet mbi gardh pa masë

Dhe... Hisen e Diellit e kthen në lojë.

Ka vrull kopshti im. Pema
Shterpe gudulis pragun e fqinjit
Vazhdon t’ia zgjasë qafën degëzës
Mëngjeseve të ftohta ende fraq

Dhe .... Me kopshtin e komshiut bën paq.

Tufa-tufa zogjtë vizitorë të përditshëm
(Ri)sjellin dritëzën e Diellit aty pranë
Fresk u bëjnë luleve që u çelen gojëzat
mbi qilimin që shtriqet tej e mbanë
Dhe ... degëzën e kthejnë në shilivarsë.

Kështu (ri)lindin për-ditë
Nëpërmjet fuqisë së qiellit
Dritës së diellit
Shkëlqimit të hënës
Flakës së zjarrit
Shpejtësisë së dritës
Turfullimës së erës
Thellësisë së detit
Stabilitetit të dheut
Qëndrueshmërisë së shkëmbit...

 .... të gjithë risitë e Kopshtit!

Konkluzion

Kjo ditë nuk është konkluzion. Shallin
Gri ka hedhur supeve buzëmbrëmja
E tejdukshme si vetë muzika
Por e prushtë në thirrjen shlodhëse
Si zëri që shkelmon nga brenda
Një filozofi e panjohur... loti
Rrjedh në kanapenë tënde plot vjollca.
Imagjino këtë ditë si copëza puzlash
 (ri)ndërtoje tërë ditësinë tënde
Thirri më pas gjeneratat
Ditën ta kenë plot dritë
Besimi rëshqet, dhe nënqeshet
prej ditëve që vijnë pas nën komandë.
Dhe vjen pastaj një ditë
Sërish në kanapenë tënde
Të rimbjellë vjollcat e shkulura
Pa puzla rikthen ditët në terr
Dhe unë e qëndis këtë mbi mermer.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: