Thursday, 14 March 2013

EKSPOZITE PIKTURE NE FIER





   Në sallën e Galerisë Arteve Figurative në Fier është hapur këto ditë ekspozita e piktorit fierak Bajram Mato. Qindra vizitorë, intelektual të fushave të ndryshme, artistë, letrarë, biznesmenë, nxënës shkollash e qytetar të thjeshtë, dashamirës të artit e të kulturës ngjisin përditë shkallët e kësaj godine për të shijuar tabllotë e ekspozuara të këtij artisti.
    Bajram Mato është një piktor i njohur tashmë për vizitorin fierak që në vitet ’90 kur ai debutoi për herë të parë në sallën e Galerisë së Artit në Tiranë me një punim të karakterit klasik me temë nga puna dhe sakrifica e naftëtarëve. Pikërisht me këtë punim ai fitoi edhe çmim në konkursin e shpallur në vitin 1984 me rastin e 40 vjetorit të çlirimit të atdheut.
    Mato u lind në qytezën e vogël të Roskovecit në vitin 1955. Në vitet 1972 – 1976 mbaroi studimet në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe pas tij punoi në ndërmarrje të ndryshme të kantjerit të naftës.
    Në vitet e tranzicionit emigroi familjarisht në Itali. Aty kalon një pjesë të jetës ku zhvilloi më tej karierën e tij artistike dhe tashmë është kthyer sërish në atdhe për të jetuar e punuar këtu përgjithmonë.
    Në vitin 1993 Bajrami hap ekspozitën e parë në Itali dhe një vit më vonë, më 1994 hap ekspozitën e dytë në qytetin e vogël Arezzo të Napolit. Në vitin 2001 hap sërish një tjetër ekspozitë me njëqind punime, duke tërhequr kështu vëmëndjen e kritikës serioze italiane. Përgjithësisht në vendin fqinj piktori ka trajtuar temën e njohur të emigracionit, temë kjo me joshje të theksuar për shumë krijues të emigruar. Pikërisht ky transformim rrënjësor në jetën e tij solli edhe transformimet në temën e trajtuar, tashmë dhe debutimin e tij të fundit në galerinë e artit Fier. Kalvari i gjatë i mundimeve, qëndresa, ëndërra e fitimit dhe pespektiva e zymtë e emigracionit janë temat e tij më të preferuara. Por ajo që të bije më tepër në sy te ky autor është stili i tij i veçantë. “Në pikturat e Matos të bije në sy ngarkesa kontradiktore e ngjyrës dhe drita e tablove, e cila jep ngarkesën emotive të autorit në momentin e perceptimit të tij artistik, do të shkruanin për të Prof. Pier Françesco Greci dhe Fabrizia Fabbroni. Më tej, ata do ta konsideronin pikturën e tij “të virgjër”, “një pikturë që udhëhiqet nga instiktet e artistit dhe qendron largë formulave akademike”. Madje ata do të thoshin për të se “Mato pikturon italisht”.
    Mënyra e interpretimit të idesë, gjuha e mesazhit, jepet nëpërmjet kontrastit të ngjyrave më tepër sesa rregullsisë së figurës.
    Në tablot me pamje urbane ai paraqet aspekte nga qytetet dhe fshatrat italiane. Por ajo që të bën më tepër përshtypje te ky realitet perëndimor është fryma shqiptare që e përshkon atë në çdo vepër të këtij artisti. Kjo frymë shfaqet si frymëmarrje dhe prezencë e personazheve emigrant të cilët janë të kudondodhur brenda ambienteve të tilla.
    Një hapsirë të gjerë të krijimtarinë e tij zë peisazhi i natyrës. “Natyra” e Bajram Matos vjen e tejngopur me ngjyrat e stinëve ku njëra prej tyre dominon në funksionin semantik të idesë. Stina e çeljeve p.sh. vjen me ngarkesë të theksuar të ngjyrës së bardhë, aq sa duket sikur tërë lulëzimi i drurëve ka vërshuar si ujrat duke pushtuar edhe trungjet e tyre.
    Njeriu jepet real dhe veçanërisht ato personazhe të cilët autori i ka njohur drejtpërsëdrejti në jetën e vetë. E tillë është tabloja ku shprehet në mënyrë të tërthortë jehona e këtij piktori në vendin fqinj në këndvështrimin e një politikani. Gazetat italiane të shfletuara mbi tavolinën e tij të punës dhe vëmëndja e tij e tërhequr ndaj piktorit shqiptar, trasmeton një moment respekti nga intelektualët e vëndit fqinj për arritjet e artit tonë në Itali.
    E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pikturën “Enderr”, ku autori realizon në praktikën e vetë artistike ëndrrën e amigrantëve tanë për tu pasuruar. Gjithëshka që përfytyrohej nga gjumi i shqetësuar i emigrantëve shqiptar konvertohej në imazhin e monedhës së vendit fqinj, e cila i mbulon ata si një shpresë e re ngushëllimi në odisenë e vështirë të emigracionit.
    Me këtë këndvështrim origjinal, autori prezantohet thuajse në të gjitha punimet e kësaj ekspozite, duke tërhequr sërish vëmëndjen e publikut artëdashës fierak, ashtu si dhe vite më parë kur ai u prezantua në konkursin e 40 vjetorit të çlirimit të atdheut.
Nuri Plaku

No comments: