Friday, 29 March 2013

Intime




Udhëtim në disa kohë
Nga Fatmir Terziu
Një palë shkallë ndanin murin tim prej komshijes
Një avlli dhe tre rrënjë portokalla
Një dru i lashtë ulliri nga Zoti i mbirë
Një plloçë lumi ku ulej e ngrihej mëhalla
E përbashkët ishte rruga me blirë
Dhe “Bulmeti” kur na vinin në rrjesht radhat.

Në një qoshe të korridorit tim. Fotografia
Bardhë e zi më duket plot ngjyra
Shtrihet një pus dhe një govatë druri
Bina mbi qerpiça dhe sallon i gjerë
Hardhi e harbuar majë një huri
Një ferexhe e zezë e nderë në tel.

Nga rruga del me një frymë. Qyteti
Skeletin betonarme ta bën rikoshetë
Gjarpëron shtratzbrazur i shkreti lumë
Krasta këmbëzbathur bën flokët gërshetë
Duket se askush nuk flen më gjumë
E gjithë hapësira zhurmon, ka jetë.

Në tërë këtë valle hyj edhe unë. Jeta
Dallgëtrazuar më përshfaqet si pasqyrë
Diku hap veshët më thonë një tungjatjeta
Pres të më thonë dhe një fjalë të mirë
Shoh se si më avullon përditë kuleta
Gjithë ditën deri vonë tapë i pirë.

Dhe avujt më shpien tutje rakisë
Fluturoj kravatosur deri në fyt
Një njollë në kostum e flak tej se është pis
Nuk duroj dot kush me më cyt
Edhe pse këmbët me zor i zvaris
Jam burrë, jam mashkull nga tërë ai fis.

Por jeta iku miqtë e mi si blegërimat
Njeriu mbetet si një plaçkë në tel
Kur më shumë te njeriu shihen cingërrimat
Dihet se ç’fat më pas të ndjek...
Mbetesh vetëm një njollë e stampuar
Në foton e varur që dielli e djeg.

Nuk e di a isha atëherë njeri. Koha
Kishte pushtuar mendjet me marrëzira
Djalë i vetëm,
                       ka shtëpi, 
                                       frigorifer,
                                                      lavatriçe...
Në shkollë është mirë me mësime...
                                                ...bën çudira
Prindër me shkollë dhe pushtet, si më e mira
Nuk u duheshin më tutje gjërat ‘intime’
Veç një kallup mashkulli
                                      ...kallam dhe salçiçe.

Magazinë gjërash plot vlerë
Strukej në perceptimin e tyre
Kurrë më shumë se sa një ofertë
ishin teshat e shtrenjta sportive
kurkush nuk e thoshte se s’isha fort i ri
Nuk e di a isha për ta veç njeri?

Këmbë thatanike që humbisnin në këpucë
Trupin shkop që zgjatej e kapte tavanin
Duar që thyheshin duke mbajtur tiganin
Dhe xhepat duhej t’i mbushja me gurë
Mezi qëndroja në këmbë
                                        ...copë mishi nën lëkurë!

S’më masnin si mashkull të gjithë ata dje
Isha veç një kukull frymore mbi dhe
Njëqind mblesër trokisnin përditë në derë
Për një çunak verdhacak krejt pa vlerë
Mburje veç për prindërit përherë
A isha vërtet njeri s’e kuptoja atëherë...?

Një mal me beton i zë diellin shtëpisë sime
Komshijes ia dëgjoj vetëm kollën
E ndjej teksa mbledh gjethet thatime
Dimri po flak tutje ullishtes kapotën
Zgjas kokën mbi avlli: “Si u gdhive moj mike?”
Ajo ofshan dhe mallkon me tërë forcën...


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: