Wednesday, 6 March 2013

Një krikëll birre!

                   
                                                                                                                       Nga Nimfa Hakani

                                               As në rrëfim tek prifti s’do të mund të pohonte ato që po i pohonte Endersonit. Ndjente çlirim ndërsa fliste për herë të parë për ato që kishin ndodhur, por në të njëjtën kohë ndjente nje dhimbje therëse të përgjithëshme, poshtërim për momentet që kish ndjerë frikë, përbuzje për vetveten për aktet e shëmtuara që kish kryer, akte që kurrë s’do i kishte kryer në kondita paqeje, dhe ndihej fajtor për faktin që ishte gjallë kur shumë nga shokët e tij në betejë ishin vrarë dhe nuk u kishte mbetur asnjë pjesë nga trupi për t’i prurë në shtëpi, kur ai ishte i ulur këtu, në këtë lokal duke pirë birrë, një copet siç ishte para se të shkonte në luftë...
Rrotat e makinës bënë një zhurmë shurdhuese para se makina të parkonte përpara shtëpisë.   Marku doli jasht makinës duke përplasur derën pas tij dhe me hapa të shpejtë eci drejt shtëpisë. Shtyu derën, ngjiti shkallët duke kapërxyer dy tre shkallë menjëherë dhe u drejtua për në dhomën e tij. E jëma që e dëgjoi të hyjë në shtëpi, doli nga guzhina dhe i thirri nga pas, por ai s’e ktheu kokën. Një përplasje e fortë e derës së dhomës u dëgjua dhe shtëpinë e mbuloi heshtja. Në fytyrën e të jëmës dëshpërimi dukej i qartë. Ndejti një copë herë pa lëvizur me dorën tek bordura e shkallëve, duke parë lart me një ndjenjë humbjeje dhe pritje se i biri do të dilte nga dhoma dhe duke folur hareshëm do zbriste shkallët nga tre katër e do e ngrinte lart t’i tregonte sa i fortë ishte siç bënte kur erdhi fillimisht. Mendoi për një cast t’i shkonte pas por ndërroi mëndje. Ishte e kotë. Që kur ishte kthyer nga Afganistani ishte e vështirë të komunikoje me të. Java e parë shkoi shumë mirë. Malli, mungesa e gjatë, gjitha ato gjëra për t’u thënë, shokë e miq për t’u takuar, explorimi i qytetit pas gjashtë viteve larg, vizitat e njerëzve që s’pushonin, nuk i lanë kohë të këtë një moment vetëm. Por kur gjithçka ra në qetësi gjërat ndryshuan. Çdo fjalë e irritonte, dhë nuk kishte durim të ndiqte bisedat që bëheshin në familje. Shpesh dilte nga dhoma kur i ati dhe të vëllezërit mundoheshin ta fusnin në bisedë. Në sy kishte  ftohtësi dhe shpesh një shprehje që ajo s’dinte se ç’kuptim t’i jepte, shprehje që s’e  kishte pasur më parë.
Ai kishte qënë djali më i shkathët e më gojëtari në familje, ndërsa tashti dukej sikur një i huaj që okuponte dhomën e të birit. Ai sillej si një qeraxhi që paguante qeranë e s’donte të krijonte afërsi me të zotët e shtëpisë.  Çfarë i kishte ndodhur Markut të saj? Ai ishte fëmija i parë dhe  Dorothi kishte derdhur tërë dashurinë e saj si nënë e re mbi të. Me Markun ajo kishte një lidhje të veçantë që s’e kishte me fëmijët e tjerë. Kur ai i tha se do të regjistrohej  në ushtri, ajo kundërshtoi, por Marku, i jati dhe të gjithë të tjerët nuk ia vunë veshin fjalëve të saj. Instikti i saj prej nëne ishte tepër i fortë, dhe parandjente rrezik për djalin.  Një shtrëngim i fortë ja kishte kaplluar zemrën kur ai një ditë të bukur i tha që ishte punë e bërë, ai ishte regjistruar. Zemra e saj prej nëne kishte parandjerë diçka jo të mirë. Nën ndikimin e atyre mendimeve, tundi kokën e trishtuar dhe u kthye në guzhinë që të përgatiste darkën. E ndjente veten të pafuqishme dhe duart sikur i kishte si të paralizuara. Por,  së shpejti të tjerët do arrinin në shtëpi dhe darka duhej bërë gati. Fjalët, « Kjo luftë e mallkuar !», i dolën nga buzët. Mori thikën dhe filloi të përgatisë sallatën duke i prerë domatet me ngadalë.

Dielli i mëngjesit hynte në dhomë, dhe gjithçka dukej e ndritëshme. Marku i shtrirë në shtrat shikonte tavanin dhe ndjehej bosh. S’kishte fjetur mirë mbrëmë. Ishte zguar shpesh i djersitur, dhe me një makth në kraharor. Kishte parë ëndërra shqetësuese që i kishin lënë një ndenjë të keqe në shpirt por që s’i kujtoheshin mirë.
 Çdo gjë kishte vajtur mirë ditët e para. Mezi kishte pritur të lirohej dhe të vinte në shtëpi. Çdo gjë i dukej e mrekullueshme fillimisht. Shoqërohej me të vëllezërit, luante basketball me ta, mori pjesë edhe në kampionatin e futbollit që po zhvillohej në qytetin fqinj dhe bëri që skuadra e qytetit të  tij të fitonte. Shkoi dhe takoi tërë shokët e vjetër, shumë miq dhe kushërinj erdhën ta takonin. Por dalëngadalë gjërat ranë në qetësi. Vëllezërit që kishin marrë disa ditë pushim me ardhjen e tij , filluan  punë. Pas mëngjesit, kur shtëpia fillonte të boshatisej, ai filloi të ndjejë mërzitje dhe boshllëk. Dilte rreth e qark por e ndjente veten të pavlefshëm. Rrugët e qeta të qytetit, gjelbërimet e lëndinave para shtëpive, lulet shumëngjyrëshe, pastërtia e përkryer, shtëpiat të renditura njëra pas tjetrës në një harmoni të përsosur, qetësia e mëngjezeve pa lëvizje dhe asnjë zhurmë filluan ta acaronin në vënd ta qetësonin. Dhe çuditërisht këto ishin gjërat për të cilat kishte ëndërruar kur shtrihej çdo natë në shtratin prej druri brënda kazermës atje në Afganistan, pas një dite të mbushur me pluhur, bomba që shpërthenin, shokë që plagoseshin, gjak,  nganjëherë gjymtyrë që fluturonin në ajër, afganasit që dilnin krejt pa pritur nga ndonjë qoshe apo shtëpi dhe që nuk merrej vesh në se ishin civile, apo guerrilas të maskuar. Dhe pikërisht gjërat për të cilat aq shumë kishte ëndërruar, tashti e acaronin jasht mase. S’kishte as dy muaj që kishte vënë këmbë në US, dhe një ndjenjë e fortë që të shkonte mbrapsht në Afganistan kishte filluar ta pushtonte këtë javën e fundit. Kur kishte ikur, të gjithë e kishin uruar, dhe Fredi i kishte thënë, « Ti bastard je me fat ! Ja dole mbanë të dalësh i gjallë nga kjo vrimë ferri!” dhe i kishte rënë fort në sup. Të dy ishin lotuar, por kishin kthyer kokat mënjanë që të mos ja shihnin lotët njëri tjetrit. Dhe ja ku ishte ai, i sigurtë nga çdo  rrezik, në krevatin e tij, thithte ajër të pastër e jo pluhur, e rrethonin tërë njerëzit e tij më të dashur, s’kishte rrezikun e vazhdueshëm që ndonjë bombë mund të shperthente tre metra larg tij, e  megjithatë s’po gjente dot qetësinë që aq shumë e kish dëshiruar kur ishte atje larg në rrugët tërë gunga me pluhur të  Afganistanit. Kishte menduar disa herë të shkonte tek bosi i tij i vjeter t’i kërkonte ta merrte në punë përsëri, por për ca arësye që as vete s’i kuptonte, diçka e ndalonte  të merrte rrugën për tek garazhi i tij. Kishte kaluar disa herë andej, kishte parë shokët e tij të vjetër nga larg se si merrnin e jepnin me makinat e me klientët,  por s’kishte ndjërë asnjë dëshirë të ishte në vënd të tyre. Nuk i ishin kruar duart si thoshte bosi, i cili e kishte si shprehjen e tij, frazën, “Po s’tu kruan duart kur je përpara një makine që do rregulluar, nuk mund të bëhesh mekanik i mirë!” Dhe ai që dikur ndjente  një si padurim kur rregullonte një makinë derisa çdo  gjë funksiononte në rregull, s’kishte më asnjë dëshirë të kalonte orë të tëra nën një Toyota, Leksus, apo BMV, për ta rregulluar.
Nuk e kuptonte se si tashti çdo gjë për të cilën kishte menduar me mijra herë përpara se t’i mbaronte shërbimi i parë, e acaronte në atë pikë sa i jepte dhimbje koke. E ndjente veten të huaj me të gjithë këtu. As me vëllezërit nuk po komunikonte dot këto javët e fundit. Bisedat e tyre i dukeshin bajate dhe pa kuptim. Hiqej menjanë kur dëgjonte zërat e tyre gjithë pasion duke diskutuar për futbollin apo për ndonjë ngjarje politike.  I dukej vetja sikur ishte diku larg tyre në një hapësire tjetër krejt të ndryshme.  I dukej se ishte në një botë jo reale, ky s’kishte gjallëri dhe veprim. Edhe lojrat e baskebollit dhe të bejzbollit i dukeshin të largëta edhe kur luante vetë. Gjuajtja në kosh i dukej diçka fallco dhe pa kuptim. Shokët e përshëndesnin me britma inkurajuese çdo gjuajtje të tij, por atij s’i bënin asnjë përshtypje dhe s’e ndjente gëzimin dhe eksitimin e dikurshëm të lojës. Që të hidheshe për të fytur topin në rrjetë i dukej si bukë e djathë, si një gjë që s’bënte sense, dhe s’e  kuptonte pse gjithë ai eksitim për diçka kaq pa vlerë.
Ktheu sytë nga trofetë që kishte fituar në vite që nga shkolla e mesme deri kur u regjistrua në ushtri. I gjithë muri i majtë i dhomës ishte i mbushur me ato trofe, aq shumë ishin dhe që nën rrezet e  diellit të mëngjezit shkëlqenin akoma më shumë. Dikur ishte krenar për secilën prej tyre. I kujtohej në detaje se në çfarë kampionati e kishte marrë,  çfarë dite e kishte marrë, kush ja kishte dorëzuar. Tashti te gjitha i dukeshin si gjëra kot dhe ekspozimi i tyre i dukej krejtësisht pa vlerë. U ngrit dhe me një të rënë të dorës i rrëzoi në dysheme të gjitha nga raftet ku ishin vendosur me aq kujdes. «Në djall të venë të gjitha! Gjëra pa vlerë!» bërtiti sa kishte në kokë, dhe i acaruar doli nga dhoma.
E jëma dëgjoi zhurmën metalike që erdhi nga dhoma e Markut dhe doli me nxitim në fund të shkallëvë. Marku që po zbriste shkallët,  i kaloi përpara me shpejtësi pa i folur, dhe gati sa se shtyu me dorë. Ajo ngriu dhe pas pak dëgjoi friksionin e fortë të rrotave të makinës që u largua. Mori frymë thellë dhe ngjiti shkallët ngadalë. Zemra po e shqetësonte fort kohët e fundit dhe fryma i merrej në çdo hap.  Kur hyri në dhomën e Markut pa të gjitha trofetë të rrëzuara përtokë. Ndejti ashtu me fytyrë të ngurrosur për një copë herë dhe pastaj u përkul dhe  fillojë t’i mbledhë e t’i vërë në rafte një nga një. Gjatë kohës që Marku ishte në Afganistan,  vinte shpesh në dhomën e tij dhe i pastronte  me kujdes që të mos humbnin shkëlqimin. Pastaj ulej në shtratin e tij, dhe i vrojtonte trofetë, dhe kujtimet e ditëve kur Marku ishte në shkollë, një djalë i ri entuaziast, plot me ëndra për të ardhmen, i vinin në mëndje, dhe i dukej sikur ndjehej pranë të birit. Por tashti që ai ishte kthyer, nuk ndjente atë afërsi me të birin, përkundrazi i dukej si një i huaj  që po jetonte përkohësisht në dhomën e të birit. Shpesh kishin diskutuar ta jepnin me qira dhomën e tij me të shoqin, por ajo asnjëherë s’kishte pranuar. Dhe tashti, megjithëse tingëllonte shumë ironike, I dukej se më në fund e kishte rentuar tek një i huaj. Lotët i shpërthyen dhe ndjeu një dhimbje të fortë në gjoks. I shoqi i thoshte që kjo që po ndodhte me Markun ju ndodhte të tërë ushtarëve që ktheheshin nga lufta, dhe ishte një fazë që do të kalonte, por ajo kishte një ndjenjë që e gjithë kjo s’ishte aq e thjeshtë sa e bënte i shoqi.
Marku po i jepte makinës me shpejtesi pa realizuar që po e kalonte kilometrazhin e lejuar. Vetëm kur dëgjoi sirenën e fortë të makinës së policisë , ktheu kokën dhe pa makinën blu që po ecte në të majtë të tij dhe dorën e policit që i tregonte të parkonte në të djathtë. Eci edhe pak që të ulte shpejtësinë dhe parkoi në anë të rrugës.  Kur polici ju afrua dalloi babanë e Xhonit, një nga shokët e tij të gjimnazit.
Klarku, sa e pa se kush ishte, ndryshoi sjelljen. Iu u afrua ngadalë dhe nuk tha fjalët e zakonëshme, “ Liçencën dhe regjistrimin ju lutem!” por e përshëndeti thjesht sikur ta takonte në rrugë.
-           Mirëdita Mark!
 I zënë në ngushtë, Marku ju përgjigj si në faj:
  -  Si jeni zoti Klark?-
-           Po shkoje shumë shpejt bir. -  ju pergjigj Klarku.
Për oficerin Klark, s’ishte hera e parë që ndalonte një ushtar të kthyer nga lufta për kalim shpejtësie.  Jeta intensive që bënin në ushtri i bënte të ndjeheshin në boshllëk në jetën e  qetë civile, dhe kur i jepnin makines, për të krijuar një ndjenjë të ekzistencës intensive të luftës, që të krijonin të njëjtën adrenalinë në sistëm që ju krijohej në betejë, i jepnin makinës shumë shpejt sidomos në rrugët jasht qytetit ku i kalonin të 150 km shpesh, edhe pa e  kuptuar. Ai e njihte mirë atë ndjenjë që nga Lufta e Gjirit.
-           S’e bëra me dashje ! u përgjigj Marku me një ndjenjë faji si të ishte shtatëmbëdhjet vjec.
-           A ke pirë sot bir? - e pyeti Klarku më shumë për rutinë se ishte i sigurtë që pija s’ishte faktor për shpejtësinë në këtë rast.
-           Jo! As edhe një gotë birrë!- tha thjesht Marku që po i dukej vetja si  një nxënës shkolle.
-           Merr  e nxirr frymë në aparat të lutem!
-           S’jam i dehur Mr. Klark!- I tha butë Marku.
-           E  di! Është thjesht rutinë!
Megjithëse e dinte që Marku s’ishte i dehur, thjesht donte të bindte veteveten. Aparati regjistroi një numër nën nivelin normal të alkolit.
Klarku psherëtiu lehtë.  Nga experienca kjo  ishte më e rrezikeshme se të ishte i pirë. N.q.s. do të ishte i dehur, ai do ta arrestonte dhe do ta mbante në qeli deri sa t’i dilte pija. Por ai s’kishte asnjë arësye ta arrestonte, dhe e dinte se po ta përdorte atë masë ekstreme të paktën për të mirën e tij, shpirtërisht do ta dëmtonte  më shumë se ai ishte i dëmtuar. U mendua disi, dhe i tha:
-           Mark, a je duke shkuar gjëkundi?
-           Jo Mr. Klark! Përse pyetni?
-           Thjesht po mendoja sikur të më shoqëroje mua sot në patrol, nqs s’ke ndonjë gjë më të rëndësishme për të bërë.
Atij i shkëlqyen sytë.
-           Me të vërtetë ?! – Kur Klarku tundi kokën në mënyrë pohuese, Marku u pergjigj  me ngazëllim  si të ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçar, - Pse jo! Po makina?- pyeti kur mendoi se si mund ta linte makinën në mes të rrugës.
-           Do t’i  telefonoj kompanisë së rimorkimit të dërgojnë dikë që të ta çojë makinën në shtëpi. Pronari i saj më detyrohet për një nder të vjetër që i kam bërë. Por, së pari, merr tët ëmë në telefon që mos bëhet me zemër kur të shikojë një të huaj të parkojë makinën para shtëpisë.
Marku qeshi me të madhe, dhe doli nga makina tërë qef.
-           Dhe lëri çelsat brënda në makinë, i kujtoi Klarku duke u drejtuar tek makina e tij.
Dita i kaloi mirë me   Klarkun. Sirena e shurdhuese e makinës sa herë oficeri Klark shihte një makinë në kundërshtim me rrregullat rrugore i krijuan po atë adrenalinë si në luftë. Dhe atë ditë për fat pati shumë thyerje rregullash.  Shumë prej tyre Klarku edhe mund t’i kishte lënë pa i vënë re se s’ishin thyerje të rrezikëshme,  por Klarku, për ta bërë me eksituese për Markun, i ra në qafë kujtdo që kishte edhe gjëra fare të vogla të thyerjes së rregullave të trafikut, pa le se i la të iknin vetëm me një paralajmërim. Batutat e Klarkut me personat e ndaluar ishin të forta. Marku qeshi tërë ditën. Pothuaje e kishte harruar humorin e qytetit të tij. Në qytet të gjithë e njihnin njëri tjetrin. Dita kaloi me shpejtësi. Në darkë, kur turnit të tij i erdhi fundi, Klarku para se të linte makinën në stacionin e policisë, ndaloi tek shtëpia e Markut.  Marku me një buzëqeshje që i shkonte vesh me vesh, i tha,
-           Mbase mund ta bëjmë përsëri këtë ndonjë ditë tjetër. Ishte kënaqsi të pretendoja të luaja rolin e ndihmësit tuaj.
-           A e di çfarë? tha Klarku si i menduar sikur mendimi i kishte ardhur aty për aty, -  Po sikur të hysh në akademinë e policisë dhe të bëhesh polic trafiku. Ti ja kalove shumë mirë sot dhe mendoj se do të bëheshe një polic trafiku shumë i mirë!
-           Me të vërtetë, mendoni ashtu? – pyeti Marku që i erdhi kjo ide si e papritur.
-           Përse jo!- tha Klarku si me indiference.
Një buzëqeshje e lehtë i mbërtheu fytyrën Markut, dhe tundi kokën si në gjysëm aprovimi pyetës, si të thonte, s’është ide e keqe!
-           Hej, mos u eksito shumë biro! Mendohu mirë para se të marrësh vendim. Duhet të kesh durim të rrish në makinë tërë ditën. Shpesh është gjë e mërzitëshme. Nuk është çdo  ditë aq eksituese sa ishte sot. Ka ditë që s’ka asnjë thyerje. Dhe nganjëherë mund të jetë e rrezikëshme. Mund të vritesh nga një kriminel apo nga ndonjë njeri i krisur, dhe ka plot të tillë rreth e qark.
-           Do të mendohem Z. Klark!- ja ktheu Marku me një fytyrë që i ndriste.
-           Më thirr John!
Duke ngritur dorën në formë përshëndetje Marku ja ktheu:
-           Natën e mirë z. Klark! Ju faleminderit për ditën e këndëshme! Mbase një ditë do t’ju mund t’ju thërres John.
-           Natën e mirë Mark! Mbase një ditë do të behësh partneri im i ri!- kumboi zëri burrëror i Klarkut nga makina që po largohej. - Dhe kujdes me shpejtësinë!- jehoi zëri i tij në distancë.
Marku buzëqeshi, dhe vrapoi si një fëmi i eksituar nga një dhuratë e vecantë, dhe hyri në shtëpi duke bërtitur:
-           A është darka gati Mama? 
E jëma që e dalloi menjëherë ndryshimin në tonin  e tij, doli nga guzhina pothuaj me nxitim me duart e lagura që po i fshinte tek përparsja dhe i buzëqeshi.
-           Kam gatuar gjellën tënde të preferuar Mark.
-           Jam i uritur Mëmë! Ma bëj darkën gati sa të bëj një dush të shpejtë! Dhe vrapoi shkallëve duke i kapërxyer nga dy e tre, por këtë rradhë me gëzimin e një fëmije të ngazëlluar.
E  ëma buzëqeshi me kënaqsi duke menduar se mbase me kaq kishte mbaruar shqetësimi i saj për të, dhe u fut në guzhinë t’i përgatiste darkën dhe t’ia vinte në tavolinë. Të tjerët s’kishin ardhur ende, por s’kishte rëndësi. Mjaftonte fakti që humori i tij ishte ndryshe nga i këtyre ditëve të fundit, dhe ajo mund të hante me të pa pritur të tjerët.
Stërvitja në shkollën e policisë ishte mjaft eksituese,  por kishte vështirësi të përqëndrohej gjatë klasave teorike. E ndejtura me orë pa lëvizur e bënte nervoz dhe të shpërqëndruar. Klarku vinte herë pas here ta takonte dhe të shihte se si po shkonte progresi i tij në shkollë. Kishte folur dhe me instruktorët mënjanë që të ishin të kujdeshëm me të, si kur i drejtoheshin, ashtu edhe kur shihnin që në klasë shpërqëndrohej.
Ditët më të preferuara të Markut ishte stërvitja intensive, dhe ajo në poligon, ku ai arrinte rezultatet më të mira në të gjithë grupin. Në ato ditë ndjehej mirë dhe normal. Por vajtja në poligon ishte më eksituesja. Mezi priste që t’i vinte rradha që të shkrehte armën në objektiv. Qitja me revolver ishte jo keq, por kur bënin stërvitje me pushkë adrenalina i rritej në maksimum. Vinte kufjet në vesh, dhe asgjë tjetër nuk ekzistonte për të përvec poligonit dhe shënjestrës përballë tij dhe ai fillonte të qëllonte. Një ditë, kur po merrte shenjë, traineri e preku në krah që t’i thoshte diçka, ai u kthye menjëherë dhe i drejtoi pushkën.
-           Ou ! Ou ! Qetësohu Bir !- i bërtiti traineri, një burrë i vjetër, veteran i luftës së Vietnamit, dhe drejtuesi i poligonit të qitjes, që me një lëvizje të shpejtë doli anash tij, i kapi pushkën, dhe ja uli grykën poshtë.
Sytë e Markut ishin të hapur jasht mase. Traineri pa panic, frikë, dhe urrejtje njëkohësisht në ata sy. Të gjithë rreth e qark kishin ngrirë.
-           Jam unë bir!- I tha ai me zë të qetë Kapiteni,  - Jam unë! Kapiteni Enderson!
Marku lëshoi krahët, dhe u duk sikur erdhi nga një botë tjetër. E pa kapitenin me çudi, dhe realizoi ku ishte.
-           Më vjen keq Kapiten!- I tha pas pak, - Më vjen keq!- përsëriti si duke pëshpëritur.   -Reflekset e luftës!- shtoi. Bëri një si lëvizje të ngathët me dorën e lirë,  i la armën në dorë dhe u largua me nxitim.
Kapiteni e gjeti të ulur në dhomën e zhveshjes me kokën midis duarve. U ul pranë tij dhe i vuri dorën në shpatull. Marku ngriti kokën dhe i dha një si buzëqeshje të mekur.
-           Dëgjo, përse nuk bën një dush të nxehtë, dhe pastaj bisedojmë. Hajde në zyrën time kur të mbarosh. Endersoni i rrahu lehtë shpatullat dhe u largua.
Marku e ndoqi me sy duke u përqëndruar në shpatullat e tij të gjëra që megjithë moshën e thyer i kishte ende të fuqishme. U ngrit ngadalë dhe u drejtua nga dushet.  Kur mbaroi, nuk ndjeu dëshirë të fliste me asnjë njeri. As edhe me Kapitenin.  E dinte që ishte i detyruar të fliste, por dëshira i mungonte. Thjesht donte të ishte vetëm dhe të ikte sa më larg nga poligoni. U largua duke parë rreth e qark se mos e vinte re njeri, i hipi makinës dhe u drejtua për në shtëpi. Por përfundoi përsëri në autostradë duke e ngarë makinën me shpejtësi pothuaj njqind e shtatëdhjetë kilometra në orë, por ai s’e  shihte fare kilometrazhin. Shpejtësia me të cilën po udhëtonte e bënte të harronte gjithcka dhe të ndjente mosekzistencën. Ai shikonte drejt pa vënë re asgjë rreth e qark.
 Ishte vonë dhe e  jëma po priste ardhjen e tij. Të tjerët po flinin. I jati priti sa priti por i lodhur nga dita e gjatë më në fund shkoi e fjeti. Asaj s’ia kishte bërë zemra të shkonte në shtrat para se të vinte i biri. Dëgjoi derën që u përplas dhe ndjeu që vrulli me të cilin ai vrapoi nëpër shkallë tregonte telashe.  Këto dy muaj, që kur kishte filluar  shkollën e policisë, Marku kishte qënë i qetë, Humori i tij ishte kthyer dhe ishte kënaqsi ta kishe rreth e qark. Lëshoi thikën me të cilën po priste zarzavatet për të nesërmen, dhe u lëshua në një karrike aty pranë.

Endersoni kishte kohë që priste në makinën e tij që Marku të vinte në shtëpi. Kur e pa të dilte nga makina doli shpejt dhe u mundua ta ndalojë para se të hyjë në shtëpi, por s’mundi. Marku si rrufe u zhduk pas derës kryesore. I pavendosur, ndejti në mëdyshje për një moment, pa orën, dhe u kthye dhe bëri disa hapa drejt makinës. Papritmas ndaloi, mori frymë thellë, u kthye mbapsht, dhe jua afrua derës.
Një trokitje e lehtë u dëgjua në derën kryesore. Ajo u ngrit ngadalë dhe shkoi  e hapi.
-           Kapteni Enderson! tha e habitur nga kjo vizitë e vonë.
-           Si jeni zonja  Bertram? Kërkoj ndjesë që erdha në një kohë kaq të vonë. A është Marku në shtëpi?
-           Po, është në dhomën e tij, - ju përgjigj ajo duke e parë me dyshim për faktin që kapiteni ju drejtua në mënyrë formale. – Çfarë ka ndodhur Kapiten? e pyeti e merakosur. - Ai erdhi në shtëpi para pak kohe i shqetësuar.
-           Asgjë e rëndësishme  Dorothi, - i tha në mënyrë familjare kur pa shqetësimin e saj.- E lashë me Markun të dilnim pas stërvitjes.  E prita por nuk erdhi. Mendova se do të kish ardhur në shtëpi. Mund t’i thoni ju lutem që jam këtu?
Dorothi pa orën. Ishte 11:00.
-           Nuk është pak vonë?
-           Është e rëndësishme Dorothi, ndryshe nuk do të vija në këtë orë.
-           Patjetër! – tha ajo duke e nuhatur me instiktin e nënës se diçka kishte ndodhur dhe që i biri duhet të fliste domosdoshmërisht me Kapitenin.
-           Mark !- I thiri të birit duke harruar që të tjerët po flinin, - Kapteni Enderson është këtu për ty!
Asnjë  përgjigje s’erdhi nga lart. Dhe me sa duket të tjerët po flinin paq dhe s’dëgjuan asgjë.  Djemtë e saj dhe i shoqi ishin gjumë të rëndë.   
-           Po ngjitem lart t’i them,- tha ajo dhe mori në drejtim të shkallëve.
Kapiteni zgjati dorën, i kapi krahun lehtazi dhe i tha:
-           Lëre të vijë vetë Dorothi.- Ajo tundi kokën në aprovim. Prania e Endersonit sepse i jepte një ndjenjë paqeje për të birin.
Pas pak Marku u duk në majë të shkalleve, ndaloi për pak, i pa të dy, dhe filloi të zbresë shkallët  ngadalë. Përshëndeti me kokë Kapitenin, dhe i tha të jëmës: - Po dal me kapitenin për një birrë Mama. Mos më prit.
Ajo tundi kokën në aprovim. I ndoqi me sy se si hipën në makinën e kapitenit dhe shkoi në guzhinë. U ul në karrike dhe ndejti ashtu një copë herë duke parë në boshllëk.

Në lokal s’kishte shumë njerëz. Ishin orët e vona të natës. Ata u ulën në një qoshe, dhe porositën nga një krikell birre. Heshtja zotëroi midis tyre deri sa erdhi birra. Asnjëra palë s’po dinte si ta hapte bisedën dhe të dy shikonin rreth e qark lokalit. Më në fund birrat erdhën. Te dy kthyen nga një gllënkë.
-           Dëgjo këtu! - e theu Kapiteni heshtjen.- Po i bie drejt perdrejt.  Unë kam qënë dikur   
pikërisht ku je ti tashti. Une e di si ndjehesh, dhe dua të të ndihmoj. Mua dikur më kanë ndihmuar të tjerë. Por ti duhet të më lejosh të të ndihmoj. Duket qarte që jot ëmë është e shqetësuar. Klarku gjithashtu është i shqetësuar për ty. Të kishte ndaluar një ditë për një shpejtësi tej jasht normales. Pas asaj që ndodhi sot, unë jam gjithashtu. Ti e kupton që pas ndodhisë së sotme nuk mund të kthehesh në kurs.-Reagimi yt sot mund të ishte kthyer në një fatalitet për këdo që ndodhej në poligon. - Pasi pa shqetësimin që Marku ndjeu, ai vazhdoi :
  -  Por as mund të vazhdosh të jetosh sikur s’ka ndodhur asgjë. Ti duhet të shkosh në qëndrën e rehabilitimit për çregullimet qe sjell  stresi i përjetuar gjatë luftës.   Të gjithë ushtarët  përjetojnë çka po përjeton ti   pasi kthehen nga lufta. Dikush më pak e dikush më shumë është i efektuar psikollogjikisht nga ngjarjet e përjetuara në luftë.
 -   Askush s’mund të kuptoj se çfarë ndjej unë- u përgjigj Marku me kokëfortësi.
Endersoni e pa me mëshirë, por edhe simpati. Ai ishte përgjigjur në të njëjtën mënyrë gati pesëdhjet  vjet më parë. Por ai kishte qënë shumë më i fortë se shumë nga shokët  tij dhe me ndihmën e duhur  kishte mundur t’ia dilte mbane. Shumë, s’kishin mundur, dhe një numër jo i vogël kishte përfunduar keq. Shumë prej tyre kishin arritur deri atje, sa lypnin nëpër rrugët e qyteteve të mëdhenj ku s’i njihte njeri. Ai vetë vazhdonte të punonte me gjithë vitet që kish mbi kurriz.  Ky djalë i ri kishte nevojë për ndihmë, dhe ai do t’i thoshte troç çdo  gjë që kishte përjetuar që ta bënte të kuptonte se ai s’ishte i vetëm në atë që po përjetonte.
-           Ti mendon se ti je i vetmi që i ke përjetuar kaq rëndë luftën,  prandaj edhe ndjehesh në këtë mënyrë. Por bir, unë mund të them një gjë, të gjithë ne që kemi qënë në luftën, kush më pak e kush më shumë, kemi parë e bërë gjëra të njëjta.- Dhe ngadalë, me një zë të shtruar filloi të flasë.
Marku humbi në rrjedhën e përshkrimeve që Endersoni po i bënte ngjarjeve që kish përjetuar në Vietnam.   Duke dëgjuar, ngjarje të ngjashme që kishte përjetuar vetë i vinin para syve, dhe  po realizonte se si momentet tragjike që kishin ndodhur në çdo  episod luftarak, e kishin transformuar atë si person. Heshtja mbizotëroi për pak kohë, dhe të dy burrat, njëri shtatëdhjet vjeç, e tjetri njëzet e nëntë, qëndronin përballë njëri tjetrit të  kaplluar nga përjetimi psiqik i të kaluarës tragjike nëpër të cilën kishin kaluar  të dy në një distancë kohe prej gati pësedhjetë vjetësh.
Edhe vetë Endersoni dukej ndryshe pasi mbaroi se treguari odisenë e tij në luftë. Marku u ndje sikur diçka e  lidhte me njeriun që qëndronte në anën tjetër të tavolinës. I dukej sikur vinin nga i njëti brumë. Ishte hera e parë sot në këto tre muaj që ndjehej pak më i çliruar dhe si të thuash, në dimensionin e tij. Përballë tij qëndronte një njeri që kishte parë dhe bërë gjëra që s’mund t’ia thoshe asnjë shpirti të gjallë,  por vetëm një njeriu që kishte përjetuar të njëjtat gjëra.
Të dy mbaruan ngadalë birrën që kishin përpara në heshtje dhe urdhëruan një krikëll tjetër.
Endersoni, pasi piu një gllënkë nga kriklla e dytë, tha:
-           Është rradha jote tashti.
Marku pa orën në mur të lokalit. Ishte 12:45. Do të ishte një natë tepër e gjatë. S’dinte nga t’ia fillonte. Kur pa hezitimin e tij, Endersoni i tha:
-           Më trego çfarë ndodhi herën e parë që u ballafaqove me armikun.
Marku filloi të fliste fillimisht ngadalë sikur kishte vështirësi të nxirrte fjalët që dukej sikur e mbërthenin në grykë, dhe paskëtaj rrjedha e fjalëve mori rrugë, dhe ai humbi në shtjellën e morishme të gjërave që kishte përjetuar, dhe të atyre që kishte bërë dhe që ja brenin shpirtin  që dikur e kishte pasur aq të pastërt. As në rrëfim tek prifti s’do të mund të pohonte ato që po i pohonte Endersonit. Ndjente çlirim ndërsa fliste për herë të parë për ato që kishin ndodhur, por në të njëjtën kohë ndjente nje dhimbje therëse të përgjithëshme, poshtërim për momentet që kish ndjerë frikë, përbuzje për vetveten për aktet e shëmtuara që kish kryer, akte që kurrë s’do i kishte kryer në kondita paqeje, dhe ndihej fajtor për faktin që ishte gjallë kur shumë nga shokët e tij në betejë ishin vrarë dhe nuk u kishte mbetur asnjë pjesë nga trupi për t’i prurë në shtëpi, kur ai ishte i ulur këtu, në këtë lokal duke pirë birrë, një copet siç ishte para se të shkonte në luftë, në një kohë që Deni kishte përfunduar i shpërfytyruar, me fytyrë , qafë, dhe duar  krejtësisht të djegura, Geri pa të dyja duart, Ellisoni kishte humbur   krahun e majtë, dhe  këmbën e djathtë, dhe Xhoshua,  Xhoshua i mirë, me zemërbardhi i skuadrës, kishte përfunduar krejtësisht i paralizuar.  Duke folur, pothuaj e kishte humbur sensin e realitetit ku ishte, ndërsa përjetonte gjithçka që tregonte.
Në lokal u dëgjua zhurma e fortë e një qelqi të thyer. Pronarit i ra një gotë nga dora dhe copat e  qelqit shpërthyen duke u shpërndarë në të gjithë localin. Marku reagoi instiktivisht. U ngrit menjëherë nga karrikja dhe filloi të vrapojë. Ndërkohë, një cope qelqi kishte rënë pikërisht mbi kurrizin e dorës së tij, dhe me sa duket i kishte prekur ndonjë damar, se gjaku po i ridhte vrullshëm  dhe ja  mbuloi tërë kurrizin e dorën. Duke vrapuar, ai lëshoi një klithmë therëse si të ishte në mes të një shpërthimi bombe. Ju sul derës, dhe humbi në errësirë. E  gjitha kjo ndodhi ndërsa ai po tregonte për një përplasje të përgjakëshme me rebelet. Endersoni nuk pati mundësinë as të ngrihet e  të shkojë pas tij, aq shpejt precipituan gjërat. Ai u ngrit i qetë në pamje, la paratë tek banaku për birrat, dhe doli jasht localit. Vrojtoi në të dy anët e rrugës, por asgjë nuk shihej në errësirën e rrugëve të ndricuara aty këtu. Locali ku kishin ardhur ishte në periferi të qytetit dhe qëndronte hapur tërë natën, prandaj ai e kishte menduar të vinte këtu. E kishte parashikuar që do ishte një natë e gjatë.
 I hipi makinës dhe filloi të kontrollojë  në rrugët e errta  për Markun. Më në fund e pa diku përpara tij duke ecur si i dehur, pak i përkulur përpara, ndërsa  mbante dorën e gjakosur me dorën tjetër. Ndaloi pranë tij, dhe i hapi derën. Pa thënë asnjë fjalë Marku u fut në makinë dhe makina lëvizi ngadalë. Asnjëri prej tyre nuk tha asnjë fjalë. Marku e mbajti kokën mënjanë tërë kohën me sytë e ngulur në erresirën e natës.
Kur ndaluan, Marku pa tabelën e emergjences, shikoi ma habi nga kapiteni, por s’bëri asnjë përpjekje për të ikur dhe nuk kundërshtoi. Endersoni doli nga makina, shkoi në anën tjetër, hapi derën dhe ë tërhoqi lehtë nga krahu. I bindur, Marku doli jasht makinës dhe e ndoqi pas. Të dy u futën në spital. Endersoni kërkoi një mjek. Infermerja e pritjes i tha që kjo ishte një plagë e thjeshtë që s’kishte nevojë për asistencën e mjekut. Endersoni i nguli sytë me egërsi, dhe i tha me zë të ulët por me ton urdhërues:
-           Thir një mjek! Tashti!
Trupi i tij i madh, egërsia e syve, fytyra e ashpër, zëri i ulët, dhe toni urdhërues,  e bënë infermjeren të kapi telefonin dhe të thërrasë mjekun e rojes.
Endersoni e njihte mjekun. Ai kishte shkuar në shkollë me vajzën e tij më të vogël. Ndërsa mjeku po mjekonte dorën e Markut, Endesoni i bëri me shënjë që donte t’i fliste mënjanë.
Pasi i spjegoi me dy fjale ç’kishte ndodhur, i tha me zë të ulët pa lënë vënd për diskutim:
-           Jepi sedative doktor!
Mjeku pohoi dhe shkoi në dhomën tjetër. U kthye pas pak me një gjilpërë në dorë. I kërkoi Markut të shtrihej. Marku u bind si fëmijë. Pasi mori inxheksionin, Marku pa në drejtim të Endersonit. Ai ju afrua dhe i mori dorën e shëndoshë në pëllëmbën e tij të madhe dhe ja shtrëngoi lehtas. Marku mbylli sytë, dhe pas një çasti filloi të marrte frymë qetë.
Endersoni nxorri celularin dhe i ra numrit të familjes Bertram. Ishte i sigurtë që e jëma e Markut  po priste për të të kthehej në shtëpi. Pas tingëllimit të parë dëgjoi zerin e Dorothit. Me pak fjalë i spjegoi situatën. I tha që të mos shqetësohej se ai do rrinte me të tërë natën. Në anën tjetër të telefonit dëgjoi ngashërimën e saj. I uroi natën e mirë dhe e mbylli cellularin. Ju kujtua se si e jëma këtu e pesëdhjet vjet më parë qante heshturazi sa herë ai vinte vonë në shtëpi i hardallosur nga të pirët e tepërt. 
Pastaj thiri të shoqen.
-           Pegi, mos me prit sonte. Do të rri në spital me Markun. Do shihemi nesër.
 Në fund i ra numrit të poligonit dhe la mesazh të mos e prisnin të nesërmen.  Gjeti diku një karrike dhe e vuri anash krevatit të Markut. Ia vrojtoi një copë herë fytyrën djaloshare ku lufta kishte lënë vragat e saj, dhe sikur pa veteveten vite të shkuara, por shpejt qepallat ju rënduan dhe e zuri gjumi aty në karrike.



Një makinë patrollimi ishte pozicionuar në një rrugë anësore duke monitoruar trafikun. Ishte   qetësi dhe  trafiku ishte i rrallë. Ishte turni i nates, dhe netët zakonisht nuk janë të ngarkuara me trafik. Marku po dëgjonte muzikë dhe i hidhte here pas here një sy ekranit ku shfaqeshin herë pas here makina të ndryshme.  E ndjetura në makinë pa asnjë aktivitet po bëhej disi e mërzitëshme. Zakonisht ai nuk vihej në detyrë gjatë turnit të natës, por Rajan që ishte caktuar për këtë turn ishte i sëmurë. Ai ishte i vetmi  që ishte i lirë atë natë. Ishte ora një pasmesnate. U ndje i uritur dhe nxorri sanduiçin që i kish përgatitur e jema. Si gjithmonë, sanduiçet e të jëmës të bënin të lëpije gishtat. Duke mbllaçitur kafshatën e fundit, dëgjoi një si zhurmë rrotash dhe pa një makinë që po ecte në drejtim të qytetit me shpetësi shumë të madhe. Fshiu duart dhe ndezi makinën. Shtypi butonin për sirenën e alarmit dhe ju vu pas. Por shoferi perpara tij dukej se s’kishte asnjë qëllim të ndalej. Ai rrëmbeu mikrofonin dhe foli me zë të lartë në altoparlant.
-           Ndalo makinën dhe parko në anë të rrugës!
Por shoferi jo vetëm që nuk ngadalësoi por eci edhe me shpejt, këtë rradhë duke i rënë burisë vazhdimisht me të madhe sikur donte të thoshte, “Unë nuk e çaj menderen për ty!” Kjo e acaroi Markun. Ai përsëriti urdhërin por me sa duket kishte të bënte me një nga ata shoferët e krisur që duan të sfidojnë autoritetet. Ai e shtoi shpejtësinë e makinës së tij, a parakaloi në një distancë të mirë makinën që po ndiqte, dhe kur ishte mjaft larg, bëri një kthesë të plotë dhe filloi ta ngasë makinën në drejtim të makinës që po vinte me shpejtësi në drejtim të tij.  Shoferi i makinës   ndërroi drejtim dhe u fut në anën ku vije në të kundërt për ta evituar makinën e patrollimit, por Marku devijoi gjithashtu dhe i doli përsëri përballë. Shoferi kundravajtës, kur e pa që s’kishte asnjë rrugëdaje filloi të ngadalsojë, dhe makinat më në fund ndaluan pothuaj në turi të njera tjetrës. Marku vuri dorën tek arma, doli ngadalë nga makina dhe duke përdorur mikrofonin e urdhëroi shoferin të dalë nga makina me duart lart dhe të mbështetet në makinë.
Shoferi, një burrë rreth të dyzetave,  doli nga makina, por në vënd të bënte çfarë ju kërkua, duke bërtitur dhe duke sharë me duart në ajër si i çmënduar u drejtua drejt Markut dhe duke i përplasur duart mbi gjoksin e tij,  filloi të bërtasë, - Mor idiot! Po s’e kupton përse po i bija burisë. Gruaja ime po lind brënda në makinë. Fëmija ka dalë gjysëm jasht barkut të saj.- A je në të ti apo jo?- Dhe një e sharë e ndyrë nga nëna pasoi fjalët e tij.
Pas fjalës idiot Marku nuk dëgjoi asgjë tjetër, po veç të sharën nga nëna. Instiktivisht, ai e grushtoi burrin para tij në fytyrë.  Personi ra në gjunjë duke mbajtur hundën me dora dhe lëshoi më shumë të shara te ndyra nga goja. Marku papritur nxorri armën nga këllëfi dhe dhe i shprazi tre plumba në kokën e përkulur. Përsoni para tij ra përdhe dhe s’u ndie më.
Një klithmë therëse u dëgjua nga makina. Marku eci ma hap ushtarak drejt makinës me armën të drejtuar përpara dhe pa një fytyrë të shpërfytyruar gruaje në sediljen e pasagjerit e mbuluar me gjak nga beli e poshtë që po bërtiste në kulm të mushkërive.  E tramatizuar nga qëllimi i të shoqit para syve të saj, dhe nga dhimbjet e tmerrëshme të lindjes, ajo po lëshonte klithma dhe sharje. Britmat e saj ishin sa shurdhuese aq edhe të frikëshme. Marku pa një revolver në duart e saj. Gruaja, megjithë situatën kritike që ishte, kishte mundur të nxirrte revolverin e të shoqit nga kompartamenti i makinës dhe po e mbante përpara vetes. Donte të qëllonte por duart i dridheshin keqasi. Pa një si flakë të fortë përpara vetes dhe një forcë shpartalluese ju përplas në fytyrë. Ndjeu një dhimbje shurdhuese dhe humbi ndjenjat.
Një e qarë fëmije i tingëlloi në kokë që ju duk si zëri i të birit gjashtëmuajsh, dhe Marku pa qartësisht  pamjen  përpara tij; një grua me fytyrën të mbuluar me gjak, dhe një foshnjë të porsa lindur në fund të këmbëve të saj që po çirrej me të gjithë forcën e  mushkrive të vogla. Si automat, shkoi në anën tjetër të makinës, hapi derën, preu kordën e kërthizës,  e lidhi, hoqi xhaketën e tij, mbështolli fëmijën që vazhdonte të qante në të, nxorri një shami, që e jëma, e cila nuk e lejonte të shoqen të merrej me uniformën e tij, ja vinte gjithmonë në xhep,  dhe i pastroi gojën, sytë dhe hundën të voglit nga secrecionet e  lindjes. Paskëtaj,  e rehatoi foshnjën që vazhdonte të qante në sediljen e pasme. Mbylli derën e makinës dhe u drejtua drejt makinës së tij. Anash makinës pa një trup të mbledhur, dhe realizoi krejtësisht se çfarë kishte ndodhur. Ai, pak  caste më parë, kishte qëlluar babanë e kërthiut që sapo kishte ardhur në jetë. U përkul, dhe i mati pulsin. Personi s’kishte asnjë  shenjë jete. U fut në makinë, kapi radion,  dhe thëriti qëndren. 
-           Dy të vrarë dhe një foshnjë e porsalindur!- komunikoi i qetë, dhe pastaj shtoi.
-           Dërgoni tre ambulanca!
 Dispeçeri konfirmoi marrjen e komunikimit, dhe tha:
-           Ambulancat po nisen.
Një zhurmë shurdhuese i erdhi dispeçerit në vesh nëpërmjet radios së ndërlidhjes dhe ju desh të hiqte kufjet. Përgjegjësi i turnit të natës kur pa se sa rrëmbyeshëm i hoqi ajo kufjet nga veshët jua afrua dhe e pyeti:
-           Çfarë ndodhi?
Me një fytyrë krejt të habitur, dhe pak e shokuar,  dispecerja tha:
-           S’jam e sigurtë! Një zhurmë e fortë më shurdhoi veshët. Duket sikur dikush u qëllua shumë afër radios.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: