Friday, 29 March 2013

Pyeta tim ate "Baba, pse u bere ballist e nuk u bere partizan?"




Nga Teki Muharrem Iljazi

   Të nderuar lexues! Rrëfimet e mija, të mendimit të lirë, nuk janë thjesht shuajtje kureshtjeje, as nuk kanë për qëllim të cënojnë e lëndojnë dikë, por të fiksojnë një realitet të dhimbshëm të regjimit diktatorial që lamë pas, nga i cili dikush u përkëdhel, dikush  u godit më lehtë e të tjerë shumë rëndë. Këtë duhet ta dinë mirë brezat e rinj, por edhe brezi i asaj kohe që janë gjallë, të cilët fatkeqësisht atëhere nuk arrinin dot të mësonin plotësisht të vërtetën.
Ndonëse  me një kontribut të jashtëzakonshëm atdhetar ndër breza, për fat të keq, familja ime qe ndër të parat  që u persekutua barbarisht, vetëm e vetëm pse s’pranonte ideologjinë komuniste dhe gjatë Luftës Antifashiste u rreshtua për një periudhë në kampin kundërshtar, me Ballin Kombëtar, pa kryer asnjë krim. Përkundrazi, babai im luftoi për atdheun maleve dhe punoi pa u lodhur për sheshimin e mosmarrveshjeve mes shqiptarëve, shmangien e vëllavrasjes.
Por makina shtetërore komuniste, pas çlirimit, thuri akuza nga më monstruozet dhe e arrestoi e burgosi timet dy herë radhazi. Kuptohet, pasojat qenë tepër të rënda, për gjithë familjen e të afërmit, edhe për mua autorin e këtyre radhëve. Me to po ju njoh më poshtë konkretisht, duke sjellë vetëm ngjarje reale, pa asnjë deformim, përkundrazi, disa realitete edhe më të hidhura s’po i përmend. Për arsye etike dhe për të shmangur çdo keqkuptim, shpesh herë unë i kam mënjanuar emrat, ose i kam vendosur ato me iniciale. Jo vetëm sot pas njëzet e ca vjet demokraci, por edhe atëhere ne i kemi falur marrëzitë e shumë njerëzve duke dalluar qartë shkaktarin e vërtetë (regjimin) dhe viktimën (të detyruarit të silleshin ashtu).

Dy fjalë për veprimtarinë e Muharremit

Muharremi  ishte djali i tretë i Feim Tamaz Boshanjit. Feimi, me çetën e tij, qysh nga vitet 1905-1906 e deri sa viq, ka luftuar me turqëve e më vonë me grekrit. Me Dekret të Presidentit të Republikës, Z. Bamir Topi, është dekuruar, pas vdekjes, më 01.03.2012, me Medaljen e Mirnjohjes, “Për kontribut në lëvizjen kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar dhe ruajtjen e mbrojtjen e integritetit të trojeve shqiptare”, u nda nga jeta në moshë të re, më 1917. I vëllai i madh i Muharremit, Emrulla Iljazi (Lake Boshanji), bashkëluftëtar i të atit, dekuruar më 10 shtator 1917, me “Urdhërin e Legjionit të Nderit të Kalorsisë Franceze”, pas vdekjes, në vitin 1992, dekurua nga Presidenti i Republikës, Z. Sali Berisha, me medaljen “Për veprimtari Patriotike”, me motivacionin “Luftëtar i Shquar i Çetave Kryengritëse për Lirinë, për Shpalljen e Mbrojtjen e Panvarsisë Kombëtare”, pjesëmarës i luftës së Vlorës më 1920, bashkë me të vëllain Bejçen. Me kijimin e Qeverisë shqiptarë Lakes, i lidhet një pension për merita të veçanta, i cili i ndërpritet më 1945. Me V.K.M. 326 dt.30.07.1992, përfiton përsëri të drejtën e pensionit, të cilën, deri sa vdiq e mori e shoqja Dudia. Veprimtaria dhe jeta e Muharremit, na jep fizionominë e plotë të Iljazëve.
Muharremi pa mbushur ende tre vjeç, u bë dëshmitar i ngjarjeve të dhimbshme të shqiptarëve muhaxhirë më 1914-ën. Ndonëse i vogël, ai, i rezistoi udhëtimit të gjatë,  gripi vdekjeprurës i asaj kohe nuk e preku. Në verën e vitit 1916, në Pogradec, Muharremi ishte rreth 6 vjeç kur u gjend në krahët e luftëtarit të madh Themistokli Gërmenji i cili e ngriti hopa dhe e përgëzoi: - “Ku je shqiptari i vogël, ku je”! - Ai takim ngeli për Muharremin një nga kujtimet e bukura të jetës së tij.
Mbasi i ati, Feimi, ndërroi jetë, edukimin e Muharremit, e morën vëllezrit e vet më të ritur Lakja me Bejçen. Ata e panë zgjuarsinë e vëllait të vogël dhe e dërguan atë në shkollë të mësonte shkrim e këndim.
Në vitin 1933, Muharremin e morën ushtar. U çua në Shkodër për dy vjet ku ishte qark-komandant Sybi Topulli, mik i Feim Boshanjit. Mbas shërbimit ushtarak dhe me interesimin e Zybiut, Muharremi, kreu në Burrel një kurs një vjeçar që quhej shkolla plotore e oficerave. Komandant, aty, qe Major Murat Basha. Mbas mbarimit të shkollës e caktuan me punë në Shkodër. Që andej në skelën e Shëngjinit, si kujdestar i policisë kufitare.
Në tetorin e vitit 1938, Muharremi, vejen me lejë, në Boshanj, dhe martohet me Dituri Osmanin nga Kurtesi. Pas tre javësh, ai u kthye në detyrë, Dita e 7 prillit 1939, kur Shqipëria u pushtua nga itali fashiste, Muharremin e gjeti në Shengjin. Aty bashkë me shokët, luftoi më armë, kundër pushtusve. Mbasi italianët e zaptuan Shqipërinë, Muharremi tok me 60 shokë, u arratis në Mal të Zi, në Nikshiq. Aty e trajtuan si refugjat politik. Në krye të pesë muajve, sipas një marveshjeje të bërë nga Mbreti Zog kur ndodhej në Greqi, me qeverinë italianë, u fal me Dekret dhe u kthye në atdhe, me të drejtë të vendit të punës. Kur erdhi në Shkodër, meqë nuk deshi të punonte nën italianët, siguroi një lejë shëndetsore tre mujore (raport mjekësor) dhe u kthye në Boshanj. Në Shkodër Muharremi zuri shumë miq. Mes tyre edhe Hajredin Tremishtin, nip i Hajredinit të Mashkullores. Këtë e dëshmon edhe kjo letër poezi, që Hajredidi e ka bërë atë ditë që Muharremi ka ikur me lejë në shtëpi:

Rroftë Shqipëria katër Vilajete./ Qysh nga Kaçaniku deri në Prevezë,/ Valoftë flamuri me shkabën e zezë!/ Rroftë flamuri, rroftë Shqipëria!/ Rroftë atdheu ynë, gjuha jonë!/ Muharrem o patriot,/ Unë të le një kujtim,/ Ta kesh parasysh si sot,/ Emrin me nënshkrimin tim.
Hajredin Riza Tremishti (firma)
17-I-1940, dita e mërkurë. Këtë datë, ti ike me lejë, ndaj po ta kujtoj. Të veç e të viç shëndoshë!
                                                                               
Aty e kapi lufta italo-greke (1940-1941). Simbas ligjit të luftës, çdo ushtarak duhej të paraqitej në repartin e tij, ose në repartin më të afërt. Muharremi nuk e bëri atë. Ushtëria italiane u thye në luftë dhe vendin e saj, për disa muaj e zunë grekrit. Kur u thyen grekrit dhe italianët u kthyen përsëri, një ditë, ai, po rrinte tek sofati i portës së shtëpisë kur rastësisht e pa një oficer i S.I.M,it, i ushtërisë italiane, si duket e njoh, e i tha:
-“Ju do të vini, me ne, për të na treguar rrugën”!
Mirëpo sapo aritën te vëndi i quajtur “Mollët e Hasanit”, oficeri i hodhi hekurat Muharremit dhe e mori atë me vete në Ersekë. Nga Erseka, Muharremin e çuan në Korçë. Që andej në Shkodër e më së fundi në burgun e Tiranës. Mbas 8 muaj burgimi, me ndërhyrjen e miqve, Muharremin e liruan nga burgu, me të gjitha të drejtat. Ai u caktua me punë në Kukës, më vonë në postën e xhandarmërisë në Hoçisht, të Korçës. Që aty, ai u arratis, doli në ilegalitet. Në muajt e parë të vitit 1942, Muharremi u përfshi në çetën e Demir Staraveckës. Gjatë kësaj kohe ai mbante kontakte edhe me çetën e Fetah Butkës. Mori pjesë në veprime luftarake kundër italianëve, si dhe në prerjen e linjave telefonike. Bashkë me Avdylin, Aliun, Bejçen e Seferin, Muharremin, e gjejmë te prita në Urën e Dukës (nëntor 1942), ku, me armë, penguan forcat italiane të çonin në burgun e Korçës, 57 kolonjarë të cilët qenë arrestuar, në Selenicë të Kolonjës, sepse përkujtuan 30 vjetorin e pavarësisë.
Italianët kishin informocion mbi veprimtarinë e Muharremit dhe donin ta arrestonin. Ata i ngritën kurth: i dërguan haber të paraqitej në Shërmtir, gjoja, që të marte rrogën. Po Muharremi nuk u paraqit. Dërgoi atje vëllanë e madh, Laken.
- Nuk ta japim ty, të vijë ai vetë, - i thanë ata.
- Është i sëmurë, - u shpegoi Lakja.
Pas kësaj, italianët, vajtën dy herë në Boshanj për ta kapur Muharremin, po nuk e gjenin pasi, ai, kishte informocionin e duhur dhe bashkë me familjen e gjënë e gjallë shkonin tek e motra, Refikua, në Qinam-Radovickë.
Pozicionimi i Muharremit me Ballin Kombëtar ishte vazhdim logjik i qëndrimit nacionalist të paraardhësve të vet.
Në Kolonjë, situata e nacionalistëve u përmirësua me ardhjen e Safet Butkës. Ai bëri  mbledhje në Boshanj. Shumica e burrave, aty, shkuan me Safetin. Kështu bëri Sadiku, Aliu, Bejçja, Seferi, Begatori, Hakiu, etj. Më vonë me ta u bashkuan edhe Abdyli me Muharremin i cili u zgjodh komandant i çetës së Ballit për Boshanjin.
Që nga ajo kohë, Muharremi, nuk u nda nga Safet Butka. Tok me të shkoi në Gorë, në Opar e gjetkë. Luftoi kundër italianëve në Floq, në Voskopojë dhe Pocestë, etj. Ditën e kapitullimit të Italisë, (8 shtator 1943), çetat balliste u ndodhën në fshatin Goçë mbi Kolanec. Atëhere, ballistë dhe partizanë sëbashku, zbrazën armë në shënjë gëzimi. Ishte koha kur ende nuk qe shfaqur haptazi pabesia e komunistëvë. Tradhtinë e tyre, ata, e provuan, kur prishën Marrëveshjen e Mukjes (1-2 gusht 1943), ku siç dihet qe vendosur të luftohej, bashkarisht, kundër italianëvë. Komunistët le që e shkelën marëveshjen por edhe u ranë, me armë, ballistve mbrapa krahëve.
Ja çfarë shkruan Uran Butka në librin e tij “Safet Butka”.
“…Në ditët e fundit të gushtit 1943, çetat e Safet Butkës u mblodhën në fshatin Gostivisht dhe u nisën për në Qafëzez. Që atje do të shkonin në Shtyllë, ku Safeti do të takohej me anglezët. Kur aritën në Qafëzez, erdhi lajmi se njësiti i Myslim Kodrasit ishte goditur nga Petrit Dumja i batalionit “Hakmarja” … Safet Butka dërgoi për të ulur gjakrat Muharrem Iljazin, komandant i çetës të fshatit Boshanj dhe burrë i respektuar në Kolonjë….” 
Muharremi, një luftëtar patriot dhe burrë me autoritet, u fut në mes të plumbave dhe i thirri Petrit Dumes:
-“Ç’bëni mor të mallkuar! Vëllezërit tuaj po vrisni? Turp e faqja e zezë!. Këto armë i kemi marë për të shporrur pushtuesit, jo për të vrarë njeri-tjetrin”.-
Në betejën që bënë çetat balliste kundër italianëve në Pocestë (9-13 shtator 1943), u vranë mjaft italianë, u shkatruan makina dhe u zunë robër. Nga ballistët mbeti i vrarë një djalë nga Mileci i Kolonjës, e një tjetër u plagos. Muharremi, që ishte pjesëmarës, në atë luftë, shkoi më pas në Melçan të Korçës, ku Qarkori i Ballit bëri një mbledhje. Aty u fol për rrugën që do të ndiqte Balli pas kapitullimit të Italisë dhe qëndrimi që do mbahej ndaj Frontit Nacional Çlirimtar. Veç të tjerave, në mbledhje, u vendos që, krahas forcave efektive të Ballit të grumbulloheshin edhe çeta teritoriale (rezervë). Ky organizim do të shërbente për luftë më efikase ndaj pushtuesve si dhe për tu mbrojtur nga sulmet e befta të komunistëve.
Safet Butka nuk e donte vëllavrasjen e kjo ishte një arësye më shumë pse Muharremi vlerësonte aq lart figurën e Safetit. Ky duke patur besim të Muharremi e nisi atë në Kolonjë për riorganizimin e çetave rezervë të Ballit. Muharremi u përqafua me Safetin por nuk i shkoi ndër mënd se ai do të ishte takimi i fundit me të.
Nga Melçani, Muharremi, u hodh në Polenë. Shkoi në Dërsnik, në Pulahë, në Floq dhe doli në Nikolicë. Fjeti aty një natë e pastaj vajti në Butkë. Aty mësoi gjëmën, vetëvrasjen e Safetit!
Vdekja e Safetit ishte për Ballin Kombëtar një humbje shumë e madhe.
Në rrethanat e krijuara u zgjodh Qazim Prodani për të drejtuar Ballin në Kolonjë. Muharremi mbeti në Qafzez ku ishte dhe qëndra e Ballit. Më vonë Muharremi qëndroi një kohë të shkurtër në Ersekë për t’u larguar, më pas, përfundimisht.

Burgosja e parë.

Atë ditë prilli të vitit 1946, Muharremi qe i sëmurë. Aty nga dreka, një grup policësh komanduar nga F. Ç. erdhën nga Erseka e u afruan të shtëpia e Muharremit. Atje lanë një polic të tyre, gjoja i sëmurë, por qëllimi ishte të ruante Muharremin. Ndërkaq, grupi i policëve u ngjit lart në Psarr të Zi. Mbas një ore zbritën, sërish tatëpjetë në Boshanj dhe sollën katër burra lidhur me litarë: Zylfo Muçon, Mehmet Lilon,  Sali Rizain dhe Njazi Pashon. Me grupin e tyre lidhën edhe Muharremin.
Ja si na i tregonte më vonë Muharremi ato momente:
“…Mbasi na mbajtën disa orë në Ersekë, aty nga mbrëmja, na hipën në makinë për të na çuar në Korçë. Midis të tjerëve, pashë Qeverim Kurtesin, i cili nga torturat që i kishin bërë, gati po jepte shpirt.
… “Në Korçë, më mori në hetuesi N. B. Aty qe edhe K. T. e L. L. Dyshemeja e zyrës ku më futën qe mbuluar me gjak.
- Na thuaj çfarë di për organizatën? – më pyeti N...
- Ç’farë organizate! – mërmërita, - unë nuk di gjë!
Atëhere L. L. tërhoqi me forcë kanatën e një dollapi të madh, prej nga u rrukullis në dysheme një trup i gjakosur, nga koka tek këmbët. U drodha kur e pashë! E njoha të ziun. Ishte Syrja Qesaraka. Kishte vdekur. Siç mësova më vonë, kufomën e Syrjait e kishin hedhur në një karroceri kamioni dhe, aty afër Dvoranit, e patën flakur. Hapën fjalë pastaj që donte t’u ikte dhe e vranë.  E vështrova një cop hërë, me dhimbje, Syrjanë e gjorë, shtrirë aty mbi dysheme. Ia kanë marë shprtin me dru, mendova.
- E sheh këtë? - tha N... Kështu do përfundosh, po nuk fole! Ne i dimë të gjitha, po duam të na i tregosh ti vetë!
Ashtu i lidhur, isha i tronditur shumë, por mendja më punonte. E pashë në sy, N.., e iu përgjigja:
- Ju or zotëri, mund ta bëni atë që thatë, po unë nuk di çfarë të tregoj! Atëhere filluan të tre të më godisnin me dru e me shqelma. Binin mbi trupin tim  ku të mundnin. M’u errën sytë … humba ndjenjat… e s’mora vesh gjë më tej.
Për këtë ngjarje në vitin 1991, më ka treguar edhe shoku i tij i qelisë, Refat Gostivishti:
“Shtatë ditë e shtatë netë, atëhere, ka mbetur në kllapi Muharremi. Unë ia lyeja, qyqarit, buzët me të bardhën e vezës, se ai as jepte e as merrte!
Ndërkaq, torturat vazhdonin për të burgosurit e atij grupi. Ishin gjithësej njëzetegjashtë veta, hiq Syrjain që e kishin vrarë në hetuesi me dru. Për fat të keq, nga torturat e rënda, disa nga të burgosurit e pranuan akuzën që iu bëhej. Kjo natyrisht rëndonte edhe antarët e tjerë të grupit. Ndaj ata, në birucë, u përpoqën  t’ia mbushnin mendjen Mehmet Lilos që t’i mohonte në gjyq gënjeshtrat që pati pranuar në hetuesi.
Gjyqi me njëzetegjashtë të arrestuarit u bë në shtator të vitit 1946, në Korçë, te godina e Prefekturës. Në fillim të seancës gjyqësore, u lexua nga prokurori akt-akuza. Të pandehurit akuzoheshin se patën krijuar një organizatë të fshehtë me emrin “Komiteti Shqiptar Kolonja”, për përmysjen e pushtetit me dhunë, në bashkëpunim me njëri tjetrin.
Muharremin e akuzuan se: Kishte shërbyer një kohë të gjatë në degën e gjindarmërisë kuinslinge dhe nga fundi vitit 1941 ishtë larguar nga detyra dhe kisht marrë pjesë në çetën e Demir Staraveckes që veprimtarine e tij e shtrin deri në zonën e Lushnjës... Kur del në shesh organizata tradhëtare e B.K në Kolonjë i pandehuri merr pjesë vullnetarisht në çetën e Safet Butkës... Mbas lufte Muharremi kishte krijuar lidhje me të pandehurin Zalo Selenica, nga i cili ka marrë të gjitha udhëzimet për zgjerimin e radhëvet të grupit terrorist të Kolonjës, në mënyrë që të organizoheshin në çeta të shumta; menjëherë të bashkëpunonin me të pandehurin Gazi Orgocka, kishte bërë mbledhje të shumta të kryesuara prej tij, ku ka parashtruar se si duheshe të formonin çeta duke rekrutuar anëtarë të rinj dhe zgjidhet komandant i këtyre çetave për zonën e Shërmëtirit, me qëllim që të sulmonin forcat e Mbrojtjes... Për zgjerimin e organizatës kishte organizuar mbledhje në fshatrat Qesarakë, Lënckë e Pësar të Zi... Është takuar me kriminelët e arratisur si Isuf Barutin, Xhafer Butkën, Ditar Kurtesin, Alo Luarasin, etj dhe ka ditur të gjitha bazat e strehimit të tyre, të cilat i ka furnizuar me ushqime në bashkëpunim me të pandehurin Gazi Orgocka.... Ka pasur lidhje me të gjithë anëtarët e Komitetit Shqiptar të Kolonjës dhe merrte prej tyre direktivat e duhura...” (Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Dosja nr. 1012/1A
Në muajin shtator u bë gjyqi. Kryetari i seancës mori të parin në pyetje Mehmet Lilon nga Psarri i Zi.
- I pandehur, - i tha, - çohu fol!
- S’di gjë, për Perëndinë, nuk di gjë!
- Si s’di gjë! Po këto që ke deklaruar këtu? - i ulëriu gjykatësi duke i tundur proces verbalin e hetuesisë.
- Nga frika, për Perëndinë, nga frika i kam thënë, se m’i thyen brinjët me hu! Dhe në çast, Mehmeti i gjorë zbuloi trupin e tij ku ende dalloheshin shënjat e thella të plagëve.
Kryetari i gjykatës, menjëherë urdhëroi ndërprerjen e seancës. Që atë natë filluan, sërish, torturat për Mehmet Lilon etj. Por rezistuan rezistoian. Nuk pranuan më asnjë akuzë.
Në gjyq ishte një përfaqsi e misionit anglez dhe Josif  Pashkua. U ndërpre seanca dhe filloi pas tre javësh. Pastaj u dhanë dënimet, 13 veta me vdekje e të tjerët me dënime të ndryshme. Nga të 13,  dy u dënuan me pushkatim dhe të tjerët me 101 e denime më të lehta.
Gjatë kohës nga marrja e vendimit të gjykatës e deri në kthimin e Dekretit të Presidentit ishte një afat ligjor që duhej të rrije 40 ditë në dhomën e vdekjes, i lidhur këmbë e duar me zinxhirë, gjatë gjithë kohës. Muharremi ishte përgatitur moralisht se do ta pushkatonin, pasi kaloi 2 ditë afati i përgjigjes. Megjithatë, pas dyzetedy ditësh përgjigjia erdhi, ku  i falej jeta dhe lihej dënimi me burgim të përjetshëm, me 101. Shkaku që u kthye dënimi mendojmë se ishte presioni i misionit englez, në të kundërt do të kishin pushkatuar trembëdhjetë nga njëzetegjashtë që u gjykuan në atë sallë. Ato ditë ka folur edhe radio Londra për këtë gjyq, sikundër dhe kur u arrestuan.
Kur u dha dënimi ndaj tyre, në një emision të saj radio Londra i përmendi  këto dënime, grupin e përbërë prej tridhjetë vetash me emra dhe vitet e burgimit për secilin. Edhe gazetat që delnin në atë kohë në Shqipëri shkruan për këtë ngjarje. Në izolim nuk i jepnin asnjë lloj ushqimi nga jashtë, veç 300 gram bukë misri. Kjo ka qënë periudha më e vështirë e tij, veç hetuesisë. Aty janë ndodhur dy gra kolonjare të dënuara, ngjitur me dhomën e Muharremit, të cilat kishin hapur një vrimë në mur dhe nëpërmjet saj komunikonin me të, duke i dhënë ushqime. Njëra quhej Haxhire Kodrasi, gruaja e Mete Kodrasit dhe tjetra Mersep Maluka. Nga këto dy gra trimëresha e ka jetën Muharremi, se do kishte vdekur aty. Në shtëpi Muharremi kishte lënë nënen Qazimenë, Diturinë dhe dy vajzat e vogla Nininë e Pemben, që jetonin me të vëllanë, Bejçen. Mbas dënimit Muharremi i tha të nipit Hasanit: Në takimin e radhës, ti shpinte edhe të shoqën, Diturinë. Kështu u bë, herën tjetër Hasani shkoi për takim bashkë me Diturinë. Mbasi, ai, i takoi iu drejtua Diturisë: - E more vesh dënimin tim. – Po iu përgjiq ajo. Puna ime nuk dihet se si vete, ti je e re, je e lire të ikësh…. Unë kam dy vajza, kam botën të tërë, kam nipër e mbesa plot, më mbajnë si jo më mire, por edhe këta të mos i kasha, një kalidhe me kashtë do të bënja, e do ti risja vajzat, ia ktheu ajo….. Dënimin e vuante në burgun e Korçës. Në burg im atë zakonisht rrinte me kushëririn e vet, Zylfo Pesarin, shoqërohej dhe me Riza Kreshovën e Sali Dokon e Taçit etj.
Njëherë ishte dimër, Muharremin e kishin dënuar në izolim (birrucë). Shkuan ta takonin dhe u  shpunë edhe disa ushqime se kishte qënë festa e Bajramit. Meqë, babi, ishte në birucë nuk e takuan dot, dhe ushqimet nuk na i mbajtën, prandaj ato ja lamë të gjitha Zylfos. Medi Gostivishti që vdiq në burg, i thotë Zylfos:
- A më jep ca nga ato ushqimet e t’ia çoj fshehurazi Muharremit!
- Po ore, - i tha ai. Po a ia çon dot se mos të diktojnë!?
Mori tre thela bakllava, një krahëror prej këndezi dhe u nis drejt birucës ku qëndronte Muharremi. U ul në ca shkallë poshtë, po kur kaloi pranë dritares së tij e diktoi roja.
- Këtej, këtej, - i thirri ai Mediut. Kujt do t’ia jepje ato ushqime?
- Muharremit, - iu përgjigj, i zënë në faj.
- Ku i gjete?
- Timet i kisha!
- Tëndet ëë…!
Një ta zënë, e rrahu një copë herë me shqelma, dhe pastaj ia futi këmbët në një mangall me qymyr të ndezur. Mediu që s’duronte dot afshin e të nxehtit që po i ngjitej lart në trup më në fund tregoi.
- Zylfua m’i dha!
- Ë ë,ë…! Mirë, mirë, se e ndreqim ne Zylfon!
Vajtën e rrëmbyen Zylfon në strofullën ku rrinte, e hoqën zvarrë, e rrahën mirë e mirë dhe e zhveshën lakuriq, pse kishte thyer urdhrin e burgut. E futën në një fuçi me ujë të ftohtë dhe sipër kokës i hapën rubinetin e pasi ia nxorën inatin me ato tortura ç’njerëzore, e morën dhe zvarrë e çuan në birucë.
Të nesërmen, kur i vete drejtori, Tasi Markua në qeli, Zylfua i kërkon falje që kishte shkelur urdhërin dhe që i kishte dhënë bukë kushëririt të tij.
- Të kam falur, - i tha ai. Por, po e përsërite më e di fundin!
Në vitet 1947-1948, filluan të bëheshin punimet në kënetën e Vloçishtit. Të burgosurit gjatë dimërit i hiqnin nga Vloçishti e i çonin në burgun e Korçës. Në një rast i vunë në rresht për dy e ashtu me çanta në kurriz e duar lidhur, i nisën më këmbë të shoqëruar nga roje të armatosur. Në një farë vëndi, të burgosurit u urdhëruan ti linin çantat përtokë se do t’ua sillnin ato me makinë.
Na tregonte babai më vonë se si një roje i pati bërtitur:
- Hiqe çantën!
- Qysh ta heq… - i pat thënë babai, - i kam duart lidhur.
- Hiqe si të duash, - i qe përgjigjur, me egërsi, polici i cili filloi t’ia gjuajnte me këpucë rripat e çantës gjersa ata u këputën.
- Ai qen polic -tregonte im atë –mi bëri brinjët copë…pale baltën kush e qante!
Në fillim të burgosurit që ishin me rrezikshmëri të lartë, veç atyre që dërguan në Burrel, një periudhe kohe nuk i çuan në punë po i mbanin në burg. Ishin shumë pak. Midis tyre dhe Muharremi e Faik Selenica. Zakonisht këta rrinin bashkë të dy, dhe mundën të rekrutonin një kapter të burgut (tropojan ishte) si dhe dy policë. Së bashku kishin bërë plan që të hapnin dyert e burgut e të arratiseshin ditën e festës së Bajramit. Por, një natë para festës së Bajramit, të burgosurit i marrin dhe i çuan në kënetën e Vloçishtit. Atje ngelën vetëm ca të sëmurë dhe pleq. Megjithatë, burgun e hapen, dhe ata që mundën dolën. Ikën rreth gjashtë vetë me gjithë personelin e arritën deri në Pogradec. Aty u ndanë në dy grupe, ca të iknin nga Jugosllavia e ca nga Greqia. Këta të fundit kaluan, ndërsa ata të Jugosllavisë i kapën, i kthyen në burg dhe i dënuan me nga 30 vjet secilin, duke i çuar për punë në kënetën e Maliqit. Mirëpo komploti u zbulua dhe Muharremin filluan ta trajtonin keq. Njëherë ai ishte me raport dhe rrinte shtrirë në krevat, ngaqë kishte këputur mish e s’lëvizte dot. Vete punëtori operativ në kapanon e gjen e i thotë:
- Po ti ç’bën këtu? Pse s’shkon në punë?
- Po ja, s’lëviz dot…
- Ti je ai që doje të hapje burgun e Korçës dhe do arratiseshe, ë,ë..!?  Mos të të shoh më këtu, se do të t’i shkul mustaqet me pinca! Pas kësaj dite, e merrnin shokët në krah, e çonin në punë, ku i bënin normën dhe e sillnin prapë. Kjo zgjati 2-3 javë dhe për këtë ai ua dinte për nder shokëve të ngushtë. Në të kundërt do ta kishin vrarë ose do ta  mbulonin me llucë në kënetë, si dhjetra e dhjetra të tjerë. Për vrasjet makabre në kënetën e Vloçisht poeti Uran Kostreci shkruan vargje që me simbolikën e tyre të fortë dhe therëse demaskojnë tragjedinë e luajtur mbi atë tokë “të bollëkut”:

- Këneta e Vloçishtit

Je thar’ nga skllevër, o kënetë e zezë
E shumë aty u groposën gjallë!
Moçal, që katandise në varrezë,
U mpikse me gjak robi e me kokallë!

Ç’nur paske, o Vloçisht, këtë mëngjez!
O fush’që pjell panxhar, ndonse jo rrallë,
Çukitin kocka, plisave, ca shpezë…
Po kur turistë vijnë, u thuhet, vallë,

Që robër t’fjalës lirë at’moçalishte
Me thonj e thanë, uritur e cullak;
Gjith’ baltë e duke hequr…osh kërbishte,

Llucë, anash, hidhnin, zhytur në batak;
Gjakosur nga shushunja  e kallamishte,
Nga t’rojeve goditje me dajak.

(Libri: Sonete, Uran Kostreci, f. 115, Tiranë 2006)

Muharremi vetë tregonte:
Në kohën që të burgosurit robtoheshin aty në kënetë, në qytet filluan t’u mblidhnin floririn tregtarëve. Ca prej tyre madje  i patën ndihmuar partizanët gjatë luftës.
Një mëngjes herët, u futën në kamp dy kamionë mbuluar me mushama. Kapterë e policë, duke bërtitur, zvarritën me forcë nga makina 60 burra. Ishin tregtarë korçarë. Të gjithë të moshuar, me kostume e barsolina, e disa me bastunë. Dridheshin të zeztë si purteka! Duke i shtyrë e shqelmuar, i rreshtuan buzë një ledhi. U dhanë nga një kazmë a lopatë në duar e i rrasën brenda në kanal, që kishte gjysëm metër ujë. Mes atij thëllimi, tregtarët e zhytur në ujin e ftohtë, u urdhëruan të gërmonin e të nxirnin llucën jashtë. Po robëtoheshin kot fatzestë, se qëllonin me kazmë kuturu. Pa u zënë gjë lopata, u kërcente balta turinjve. Ndërkaq, policët, duke u zgërdhirë, qëllonin me hunj mbi viktimat kredhur në kanal. Mbas dy- tre orësh, viktimat s’kishin fuqi as të qëndronin më kënbë. Nuk rezistuan dot dhe rrëfyen ku i patën fshehur florinjtë. Atëhere, një nga një, i hipën në makinë e i çuan përsëri në Korçë.

Lirimi nga burgu Dhjetor, 1952

Sipas rregullave të atëhershme, në periudha të ndryshme kohe, gjatë kryerjes së burgut krijoheshin komisione nga Ministria e Brëndshme që intervistonin të burgosurit për kërkes - ankesat dhe merrnin opinione të komandës së burgut ose të kampeve.
- Në atë kohë, - tregonte vetë Muharrem Iljazi, - ka shkuar N.A. në burg. Ai vërtet njihet si xhelat i asaj kohe, por ne kishim të bënim me të. Vëllai i tij kishte marrë të bijën e Xhelal Bej Qafzezit që ishte kushërira e Muharremit. N.A. ishte me origjinë nga Leskoviku, nga një familje bejlerësh. Me sa duket kunata e tij (kushërira e Muharremit), i kishte folur për të. Kur shkoi N.A. në burg, drejtori Tasi Marko bënte prezantimin për të burgosurit. Kur I erdhi rradha Muharremit, ai filloi ta prezantonte duke e sharrë keq, N. ndërhyri duke thënë:
- Lëre, se e njoh kush është. I dha dorën dhe e pyeti: - Si je o Muharrem? Si i ke nga shtëpia? Sa je dënuar? Mirë, mirë, - vazhdoi, - mos u mërzit, se partia do ta shikojë punën tënde.
Pas kësaj ngjarje erdhi falja me Dekret të Presidentit, nga dënimi me 101 në atë me 10 vjet burg. Kur Muharremi shkoi në burgun e Bishqemit, komandant atje ishte një shoku i tij, me të cilin kishin qënë bashkë xhandarë në Shkodër, në kohën e Zogut. Por lufta i pati ndarë në rrugë të ndryshme. Ky, pa i thënë njeri, i vuri emrin e Muharremit në listë për t’u falur. Kështu, më 2 dhjetor 1952, me rastin e festave të nëntorit, po me Dekret të Presidentit, iu fal periudha që i kishte mbetur.
Atë ditë i nxorën të gjithë të burgosurit në rresht jashtë dhe u therrisnin emrat.
- Unë shikoja një ëndërr, kujton Muharemi për atë kohë, sikur më kishin lënë më vete. Kur pa pritur thirret i pari emri im dhe në vënd të thoshin Muharrem Boshanji, thirrën Muharrem Boçkaj. Shtanga në vënd. Nuk po u besoja veshëve për atë që dëgjova, isha unë apo ndonjë tjetër! Ndërsa komandant Kamberi thirri:
- Hë mo Muharrem! Do të dalësh apo ke qef të rrish në burg akoma? U përmenda si nga një gjumë i thellë dhe dolla nënjanë. U liruan edhe disa të tjerë. Pasi kreva veprimet e nevojshme, i thashë një polici të thërriste komandantin ta takoja e ta falenderoja. Ai më kthehu përgjigje: - I thuaj Muharremit, të vejë shëndoshë e t’i gjejë shëndoshë nga shtëpia, të mbyllë gojën, se vjen prap këtu!
Ngjarjet e burgosjes së parë të tim eti dhe kalvari i vuajtjeve të tij janë pa fund, por nuk po zgjatem më tej në to, sepse i përkasin një periudhe kur unë nuk kisha lindur. Dua të përqëndrohem vetëm në ato që kam parë e vuajtur vet mbi kurriz. Sikurse e përmenda më sipër, në dhjetor të vitit 1952, Muharrem Iljazi u lirua nga burgu dhe u kthye në Boshanj.

***

Kam lindur më 25 prill të vitit 1954. Që i vogël kam qenë më i përkëdheluri i shtëpisë, pasi isha djalë i lindur dhjetë vjetë pas dy motrave. Ardhja ime në jetë ishte gëzim i veçantë për familjen, një lehtësim i shpirtit pas daljes së tim eti nga burgu i parë. Dukej se çdo gjë  po kthehej në normalitet dhe ne do të merrnim frymë lirisht, si gjithë të tjerët. Askush s’arrinte ta besonte arsyen e vërtetë të asaj padrejtësie që kishte ndodhur, por mundohej ta fshinte nga kujtesa si një ëndërr të keqe. Në fakt ky ishte vetëm një iluzion, sepse lufta ku ne ishim përfshirë, në mbrojtje të lirisë, kundër një regjimi të egër diktatorial, kishte hyrë në fazën më të ashpër që në të ardhmen do të kërkonte shumë e shumë më tepër sakrifica e vuajtje të tjera, të paimagjinueshme nga një mendje normale.
Në moshën 6-vjeçare, me dëshirë të madhe për të mësuar, mora çertifikatën dhe vrapova si një fëmijë i lumtur drejt shkollës, por meqë s’kisha mbushur moshën nuk më regjistruan. Të tjerët u rreshtuan në oborr kurse unë u ktheva në shtëpi duke qarë. Të nesërmen, më mori babi për dore e më çoi tek mësuesi, duke iu lutur të më mbajë, se kisha shumë dëshirë. Mësues ishte një Shefki Mehmeti nga Butka. - Mirë, do ta mbaj dëgjues, - i tha ai.
Të them të drejtën, mësoja shumë. Mbas një muaj e gjysëm, vjen një inspektor i arsimit, i cili kur pyeti klasën në mësime, iu përgjigja unë. Ndërhyri mësuesi e i thotë:
-  Ky është dëgjues, se nuk ka mbushur moshën. Dhe çfarë pastaj!? – iu drejtua ai. Po ti këtë ke nxënësin më të mirë, që të nderon! Regjistroje menjëherë! Kështu u regjistrova, dhe fotografia ime rrinte përherë në tabelën e nderit. Ishim në klasë kolektive. Në trup isha i rritur, i gjatë e i hollë, dilja mbi shokët. Sigurisht, i ngjaja babit.
Kur isha në klasën e tretë, vjeshtë e vitit 1962 ka qenë, vjen në fshat një i deleguar i Frontit Demokratik të rrethit Ersekë, kryetar i këshillit të frontit (H. A.). Për darkë erdhi tek ne, siç i shpërndanin atëherë nëpër baza. Ishim mirë nga gjendja ekonomike, se punonim shumë. Natyrisht, më të rriturit biseduan deri vonë kurse unë fjeta më shpejt. Të nesërmen, nëna i përgatiti mëngjesin të deleguarit, unë po përgatitesha për në shkollë dhe babi po merej me bagëtinë. 
Ndërkohë që i deleguari hante mëngjes, më pyet mua: - A je abonuar në shtyp?
- Po, - i them, - në gazetën “Pionieri”.
- Po në gazetën “Bashkimi” e “Zëri i popullit”?
– Jo, se ato dy copë vijnë këtu. Njërën e mer kryetari i kooperativës dhe tjetrën sekretatri i partisë.
- Duhet të abonohesh patjetër, bile edhe në “Zërin e Rinisë”. Se ja për shëmbull, ti se di që India ka hyrë disa km në Kinë? Është njëlloj si të hyjë Greqia në Shqipëri deri në Skrapar! Unë ngriva dhe s’po e kuptoja se ç’donte të thosh me ato gjëra. Ndërkohë hyn babi dhe ja kthen aty për aty: - Çfarë i thua djalit?!. Të lutem, mos ma ngatërro djalin me ato punë se nuk di gjë ai, është i vogël!
E ndërpremë bisedën dhe dolëm jashtë të tre. Bëmë një copë rrugë bashkë dhe u ndamë, unë drejt shkollës. Babi na shoqëroi deri ku ndahrj rruga për në shkollë se kishte merakut tim dhu kthye prapë në shtëpi, kurse ai u nis drejt Shërmtirit, që ishte qëndër e Lokalitetit. Në Shërmtir kish takuar punëtorin operativ të sigurimit Sh.N. dhe punëtorin e policisë së zonës, një Q. nga Panariti dhe iu thotë.
- Ç’kemi ketej nga Shërmëtiri?
- Skemi ndonjë gjë, i thonë ata.
-Si skemi gjë; - Unë një natë vajta në shtëpinë e Muharrem Boshanjit dhe i biri i tij më tha se India e pushtoi Kinën, po ashtu edhe Greqia do pushtojë Shqipërinë.- Ju se kryeni mirë detyrën. - u tha atyre. Këta e kishin marrë të mirëqënë këtë informacion të mbrapsht dhe pasdite vijnë në fshat. Korieri i fshatit më thërret: - O Teki, o Teki ! Të kërkojnë nga zyrat. Babi ishte duke punuar në baçe, ku vilte mollë dhe ndonjë zarzavate. Unë shkova vetëm. Kur hyra në zyrë, ç’të shihja! Punëtori operativ, punëtori i policisë, sekretari i partisë, kryetari  kooperativës, kryetari dhe sekretari i këshilli,t kryetari i frontit etj, dhe po më prisnin.
Natyrisht, i përshëndeta dhe u ula edhe unë. Hë, - m’u drejtuan, - pa na thuaj çfarë  ke thënë sot? Mu drejtua puntori operativ. – Asgjë, - u thashë, - dhe vazhduan pastaj hidh njëri e prit tjetri, nja dy orë. Unë i kundërshtoja, se më akuzonin kot së koti, për gjera që si mendoja dot, pa le t’ia thosha njeriu. Ndërkohë, vjen një bashkëfshatar i yni, ish xhandar në kohën  e Zogut, Tahir Halili e quanin. Ky si blegtor i koop. sillte qumështin në mëngjes (bashkë me atë të darkës) nga kopeja në magazinë. Që këtej e çonin në baxho.
Magazinierin e quanin F. D, ishte sekretar këshilli dhe ndodhej aty me grupin që po më gjykonte mua. Tahiri priti, priti për të dorëzuar qumështin dhe pyeti dikë:
- More pse s’po vjen ai magazinieri? - Po ja është në zyrë, i thonë. Po çfarë bëjnë kaq shumë!?
- Kanë thirrur djalin e Muharremit (8 vjeç atëherë), - iu përgjigjën. Këtij i bëri përshtypje dhe i nervozuar hyri brënda.
- Po s’keni turp more që ini mbledhur gjithë këta burra këtu dhe mereni me një fëmijë! Po të keni ndonjë gjë me të, thërrisni të atin, se latë nam kini dy orë që po e gjykoni djalin! U tha kështu se ai kishte njohuri për ligjet. Më nxjerrin jashtë, por punëtori i policisë më ndoqi e më çoi mbrapa magazinave, duke më marrë  prapë në pyetje. Unë atëhere zura të qaja, se aty brënda nuk qava. Xha Halili dëgjoi prapë dhe erdhi aty e më bërtiti. Po ti mor ljepur, akoma s’ke ikur! Ik, shpejt, se u err! Kështu shpëtova nga ai siklet. Im atë më kërkonte për ndihmë, në bahçe, se nuk e dinte ç’më kishndodhur.
Mamaja, që po merrej me punët e darkës e me bagëtinë, sa më pa, më bërtiti: - po ku je more bir, se ka qëkur yt atë që të kërkon! - Mos thirr, - i them, - se kështu e kështu më ngjau, dhe po dëgjuan do më futin në burg.
Këtu e kam ndjerë unë për herë të parë dhunën dhe metodat e poshtra që përdorte sigurimi i shtetit për të akuzuar e dënuar pa faj. Kisha dëgjuar se ç’ndodhte me të tjerët, por se kisha provuar vetë në kurriz; as luftën e klasave nuk e ndjenja dhe nuk e kuptoja. Edhe burgun e babit nuk ma tregonin, se isha fëmijë.
Ashtu, i tromaksur, shkuam tek babi bashkë me  nënën, që e vuri në dijeni për ç’kish ngjarë. Aty për hërë të parë dëgjova tim atë ta prishi gojën, duke sharë në kulmin e zëmrimit.
- Mos shaj, - iu lutesha unë, - se ka shumë policë në fshat e na futin brenda! U kthyem në shtëpi të tronditur dhe nga shqetësimi s’hëngërm as darkë e s’vumë gjumë në sy. Të nesërmen, ata kaluan tek bahça jonë, ku po punonim.
- Po s’keni turp që merreni me një fëmijë, - u tha babi, i tensionuar sa gjithë trupi i dridhej.
- H. A. na njoftoi, u ç’fajësuan ata. Por problemi nuk mbeti me kaq. Pas dy tre javësh shkuam në Kurtes, tek njerëzit e mamasë. Kur kaluam në Shërmëtir, e ndalon babin punëtori operativ dhe e pyet: Ku do vesh o Muharrem?
- Në Kurtes, - ia ktheu.
- Do rrish shumë ditë?
- Po nja dy ditë. Pse ka ndonjë problem?
 - Jo s’ka, por kur të kthehesh do më njoftosh mua.
Si përfundim, meqë babit i hyri meraku, u kthyem që të nesërmen nga Kurtesi. I takuam në Shërmëtir. Ishte lajmëuar edhe kryetari i Degës, për t’i kërkuar gjoja falje Muharremit, se punëtorët e policisë ishin treguar të papjekur etj. Kryetari i Degës ishte një N. Çakërri nga Vlora. Pas ndjesës që kërkoi Kryetari i Degës, hyn në zyrë nënkryetari M. Çela, prezantohet dhe pyet:
- Ti je Muharrem Boshanji?
- Po, unë jam!
- Të lutem shumë, një gjë s’dua të ma mohosh, që ti je armik i betuar i partisë e i pushtetit popullor, etj!
- Mbarove zotrote? - i tha Muharremi, se babi edhe në atë kohë se përdorte asnjëherë fjalën shok, por vetëm zotrote.
- Po mbarova!
- Atëhere dëgjo këtu! Unë nuk jam ashtu si thotë zotëria juaj, se po të isha i tillë, do isha atje ku janë shokët e mi. Edhe tani që jam këtu, sa të më lëshosh ti e të dal nga kjo zyrë, sikur kufirin ta bësh gardh, po të dua iki në Greqi e s’më zë dot! Por unë nuk jam grek, që më ka djegur edhe minjtë e 500 vjetëve, as jugosllav, as rus po edhe as kinez! Kam lindur dhe do të vdes shqiptar! Meqë problemi po nderlikohesh, ndërhyn Kryetari i Degës.
- Lëre, lëre, se nuk e kemi thirrur për këto punë, por për problemin tjetër, dhe urdhëroi një nga oficerët e policisë që ta shoqërojë për të blerë disa ilaçe në farmaci për mua, se më kishin dalë disa çibanë në qafë nga sikleti.
Një ditë, mbas kësaj ndodhie mora guximin dhe pyes tim atë:
-O babi, pse u bëre ballist, ti, e nuk u bëre partizan që të ishe i madh, sot?
Kjo pyetje ishte sa fëminore, aq edhe e rrezikshme për t’iu përgjigjur në kohën e komunizmit babi, u mendua një hop e guxoi të më thotë: - “Ah, mor bir! Po të isha bërë partizan nuk do të isha gjallë sot. Unë do të kundërshtoja paudhësitë e tyre e me siguri, ata, do të më kishin vrarë si benë me të tjerët. Kështu, vojta, vërtet, burgjeve po ama jam gjallë. Tani ju kam juve shyqyr e shpirtin nuk ia shita shejtanit”.-
Që nga kjo ngjarje e hidhur, unë fillova të veçohesha nga shokët. E kisha atë ndjenjën e frikës dhe po më pëlqente vetmia. Rrugëve nuk rrija kot, por shkoja drejt e në shtëpi. Ndërkohë, im atë më këshillonte të isha i kujdesshëm, të mos përzjehësha me njëri dhe të mos mësoja vese të këqia.
Njëherë kam qënë fëmijë i vogël, 4-5 vjeç, aq sa nuk isha në gjendje të thyeja një kalli misri por i varesha dhe e shqyeja. Shkova në një parcelë poshtë fshatit, ara e Ramos i thonë, ku mora ca kallinj misëri, që sapo kishin filluar të zinin kokra, dhe shkova me vrap ia dhashë mamasë të m’i piqte. Ndërkohë vjen babi e më pyet: - ku i more këto të keqen babi? - Te ara e Ramos, ia ktheva unë tërë qejf. - Pa bjeri këtu, m’u drejtua me seriozitet dhe m’i mori nga duart e i hodhi përjashta avllisë. - Tani hajde me babin, dhe më mori për dore e më çoi në kopshin tonë ku theu 4-5 të tillë, i xhvoshki, i pastroi mirë e mirë dhe ia dha mamasë duke e urdhërua: - Piqja djalit këto. - Po unë kam punë more burrë, do mbyll bagëtinë, do mjel lopën. Tani e urdhëroi ai!
- Kurse ti, - m’u drejtua mua, mos shko më atje! Aty kanë kanë kanë pjesë të gjithë, edhe ata fëmijët e djepit, se nënat e tyre punojnë gjithë ditën u bie bretku e u përket të gjithëve, nga një kokërr misri! Sa herë që të haet, hajde këtu në kopshtin tonë dhe merr sa të duash! Më dha një mësim të mirë që se harrova kurrë.
Mbaj mend se, kur lante këmbët babi, sa kthehej nga puna, ngrinte pantallonat deri te gjuri, vinja re disa shenja të thella e të zeza në kërcinjtë e pulpat e tij. Bëhesha kureshtar, si fëmijë, dhe e pyesja:
- Babi, përse i ke këmbët ashtu?!
- Po ja, kështu i kam more djalë, - më përgjigjej shkurt, derisa një ditë iu mbush mendja të më thotë të vërtetën:
- Kur kam qenë në burg, m’i kanë këputur mishrat me darën e kuajve, N. Bezhani, L. Lakrori e K. Tira. Këta të tre s’kam për t’i harruar derisa të vdes!
Mbarova filloren në Boshanj dhe shkova në Qafëzes për 8-vjeçaren (1963-1964). Atë vit u kthye sistemi nga shtat-vjeçar në tetë-vjeçar. Mësoja shumë. Shkonim 10-12 veta në shkollë, por unë ikja vetëm e kthehesha vetëm. Kur gjeja njeri rrugës, e përshëndesja, mirmëngjes a mirdita, gjë që u bënte përshtypje udhëtarëve dhe më respektonin. Këtë edukatë e kisha marrë nga babai dhe nëna. Në katër vitet e shkollës “8 vjeçare”, filluan të mos më vlerësonin sa duhej, vetëm për shkak të biografisë, gjë që më shqetësonte shumë.  Vazhdon

Burgosja e dytë, 1967

Në dhjetor të vitit 1967, kur unë isha në klasën e tetë (12-13 vjeç), papritur e arrestojnë babain për herë të dytë, dhe unë detyrohem të lë shkollën për të ndihmuar nënën, si dhe babait tim tashmë të arrestuar. Me punën e nënës nuk mund ta përballonim dot gjëndjen tonë ekonomike,  ktheheshim me vështirësi. Ishte goditje e rëndë për të gjithë, në vençanti për mua, pasi kisha mbetur fëmija i madh në familje, dy motrat e mbëdha ishin të martuara. Atë ditë të arrestimit e mbaj mend mirë….
- Ishte e dielë. Sapo qe gdhirë, e meqë  ishte ditë pushimi, asnjë nuk shkonte në punë. Jashtë kishte rënë një dëborë e hollë dhe rrallë shihje njerëz në rrugë. Im atë, si gjithmonë, u ngrit më shpejt nga ne, shkoi tu hidhte ushqim bagëtivë e u kthye brenda. Nuk ishte me humor të mirë, sikur ta parandjente të keqen që do t’i ndodhte. Mamaja po përgatiste mëngjesin, kur… dëgjon zëra nga jashtë. Rreth orës 07.30 - 08.00, një person u duk tek dritarja dhe pas pak u shfaq në derën e dhomës, të cilën e hapi shumë i shqetësuar. Ishte sekretari i këshillit të fshatit  F. D.
- Muharrem, - tha, - të kërkojnë përjashta!
- Kush më do, - e pyeti.
- Janë ata të Degës, nuk di gjë!
U ngrit, hodhi pallton e madhe krahëve, vuri kapuçin e leshit në kokë, që zakonisht e mbante dimrit, veshi këpucët dhe doli.
Unë e ndoqa pas, përshkova shpejt oborrin dhe hapa portën. Mbas saj, shikoj që ishte shefi i policisë së rrethit A. B., punëtori operativ i zonës Nj. M.i, punëtori i policisë Y. J. dhe, dy-tre policë të tjetërë. Donin ta lidhnin që aty, por kur më panë mua fëmijë, ngjitur pas tij, i dhanë dorën formalisht dhe i thanë: - “hajde me ne!”, ecen deri tek vakëfi (tylbja) përballë shtëpisë, që ishte prishur atë vit e ulën në sofat të saj, dhe  e lidhën. Ajo Tylbe më kujton se në mars të atij viti, (1967) ne si nxënës na merrnin për të prishur objektet e kultit. Isha në klasën e shtatë në Qafëzes. Babai më kishte porositur që të mos vija dorë mbi to. Përqark fshatit kishte shumë korniza. Në kishë ishin shumë piktura dhe libra, që përfunduan rrugëve dhe asnjë nuk guxonte t’i prekte. Unë, nuk merrja pjesë në ato prishje. Kam patur një mësuese që u bë më vonë sekretare e Komitetit të Partisë së Rrethit, e cila duke më parë që rrinja indiferent me kazmë në dorë, më thotë: - Po ti Teki pse spunon, pse nuk prish? - Pse t’i prish, ia ktheja, - kur mua s’më bëjnë keq e muk më prishin punë, unë skam pse ti prish e t’u bëj keq atyre? E mbyllte gojën dhe s’dinte çfarë të thoshte. Ndërsa Tylben në Boshanj e prishën rinija e fshatit.
Babin ashtu të lidhur e çuan deri tek Gazi, në qendër të cooperatives. E shoqëruan dy police dhe një antar i njisit fshatit i cili e mbante pushkën në pozicion luftimi, si të kishte përpara një kriminel. Shefi i Policisë, bashkë me puntorin operativ dhe një polic, u kthyen për të kontrolluar shtëpinë. Nuk lanë gjë pa kontrolluar, përmbysën dynjanë. E mblodha veten, megjithëse kisha debulesë për babain. Një orë po të vonohej ai, kur ishte gjetkë, mua s’më mbante vendi! Kishim një pelë atëhere, me një çokane në qafë, që ai e merte ngado që delte. Zhurma e asaj çokaneje më rrinte në vesh nga herë ai largohej nga shtepia. Unë mezi prisja që tringëllima e saj të dëgjohej e ti afrohej shtëpisë bashkë me babin. Ankthi më kapte shpesh, në dukej sikur nuk do e dëgjoja më atë çokane e s’do të ma sillte babin më në shtëpi. Atë mëngjes u bëra i fortë, për t’u dhënë kurajo mamasë, motrave të vogëla Tatjanës e Fluturës dhe vëllait Feimit (tre vjeç). Mamaja nuk arrinte ta kuptonte gjithë atë mllef që derdhej, ndaj bërtiste:. - Dua ta di çfarë ka bërë xhanëm!?
- Ai është armiku i popullit! - i përgjigjeshin ata me egërsi. Më në fund mbajtën një proçesverbal dhe na morën disa libra, Kodin Penal, të kohës së Zogut, Qerbelanë me alfabetin e vjetër, Valët e Vjosës, disa vjersha për Themistokli Gërmenjin të Kristo Floqit, (të cilat edhe unë i kisha mësuar përmendësh), etj, që nuk na u kthyen më, nga hetuesia, kur na dhanë sendet personale të tij.
Mbasi mbaruan kontrollin, formalisht bënë një takim spontan në fshat, me ata që u gjendën rastësisht aty. Ishin edhe djemtë e xhaxhait, Engjëlli me Hekuranin. Shefi i policisë, si të kishin bërë një trimëri të madhe, u kollit dhe filloi të fliste: - Ne sot arrestuam armikun e popullit, që ju të gjithë e dini se ai, ka qenë gjithmonë i tillë, asnjëherë nuk ka pushuar së vjelli vrrer kundra parties e pushtetit! Ndërhyn Engjëlli dhe i përgjigjet: - Ai armiku i popullit, që thoni ju, e bëri burgun njëherë, dhe qeveria e fali, ju na sqaroni se çfarë ka bërë tani? Pa e zgjatur, i hipën gazit që i priste aty më tej dhe u nisën për në Ersekë.
Nuk di se çfarë i kishte dhënë mamaja motrës më të vogël Serijes, për tja shpënë te “Gazi”, ku babi ishte i mbyllur dhe i lidhur me pranga; a çorape, a triko leshi, s’më kujtohet mirë, por nuk e lanë as t’i afrohesh, pale t’ia jepe ato. - Ndal! - Prapa ktheu, thëriste antari i njisit fshatit H.M! Kështu që motra u kthye bashkë me to në shtëpi duke qarë.
Në mbrëmje, mamaja ma mbodhi pranë zjarrit, të tre fëmitët, si ajo klloçka që mbeth zogjtë dhe rinin pa folur. Mëndjen e kishim te babi, se si do e ngdhinte në birucë, atë natë të ftohtë dimëri. Një moment mamaja e theu heshtjen; - Nesër të keqen mamaja do të shkojmë në Ersëkë, t’i shpiem babit dyshek e jogan, do ti bëjë mamaja disa biskota dhe një byrek se është i smurë. Menjëherë filloi nga puna dhe aty nga mesi i natës çdo gjë ishte gati.
Të nesërmen, shkuam në Ersekë, me mendimin se mund ta takonim e t’i jepnim rrobat e ushqimet, por nuk na i pranuan. Mamaja kërkoi takim me Kryetarin e Degës. Pas  këmbënguljes së saj, aty na mezi ditës më në fund të shoqëruar nga një polic, u gjendëm në zyrën e kryetarit. Përpara nesh, na u shfaq një burrë i shkurtër, trashaluq dhe me një arogancë të paparë, i drejtohet mamasë; Hë, çfar kërkoni! – Po ja i thotë imë, burri është i sëmurë dhe, i kam sjellë dyshek e jorgan dhe pak ushqime, prandaj, po ka mundësi të urdhëroni t’ia jepni:  - Jo vetëm që s’lejohet, na u drejtua ai, por si e shkon ndërmendë, që një armiku të partisë dhe popullit, t’i sjellësh gjëra të tilla!? Helmë t’i sjellësh, ai do plumbin ballit, aty të ngordhë! – Nuk ka pse të ngordhi, as ka vrarë, as ka prerë njëri e ti ketë hallall ia ktheu ajo, po zotria juaj si ti kini rregullat. Përjashta, uluriu ai, polici që rinte aty në këmbë, menjëherë na zuri prej krahu dhe ne u gjendën në rrugë. Do takojmë sekretarin e parë të komitetit të partisë në thotë mamaja dhe i nisëm për aty. Te dera e komitetit gjetëm një grua, e cila na pyeti se çfarë kërkomin. – Jam e shoqja e Muharrem Boshanjit, që e kanë arrestuar dije dhe, dua takim me sekretarin e parë, shokun Mitraq. Ajo ngjiti disa shkallë dhe pas disa minutash zbriti poshtë dhe na thotë që ta ndiqnim na pas. U futëm në zyrë, pasi Mitraqi, na dha dorën, na pyeti se çfarë problem kishim. – Më kanë arrestuar burrin dije, sot i kam sjellë teshat dhe pak ushime, por ata të degës nuk na i pranuan i thotë mamaja. Partia nuk meret me këto gjëra, ia ktheu ai. Pas shumë lutjesh, pranoi formalisht e na tha – Ikni se do të flas unë me kryetarin e degës. Dolëm nga zyra dhe iu drejtuam përsëri dëgës së brëndshme. Parpara na doli oficeri i rojes dhe na thotë që ti çonim placket e ushqimet. E morëm dengum e rrobave dhe u futëm brënda. Lerini aty, se ia japim ne, na tha oficeri i rojes. Ata, jo vetëm që s’ia kishin dhanë kurrë, por i kishin flakur mbi taracë, në shi e dëborë, ku kishin dalë jashtë përdorimit. Të shkujdesur se babi me në fund do të flinte ne dyshek e jorgan, atë natë dimëri u nisëm për të axhensia e makinave. Aty prisnim për ndonjë makinë, për në Qafëzez, ose të paktën deri në Ttridhjetedysh. Por, makinat shkonin na dhikonin e nuk na mernin. Dalëngadalë po binte nata. Të ftohtit sa vinte e shtohej. Kur ishte errur kalon aty pranë një fshatari ynë, Isa Halili quhej. Mbështjëllë në një cep, të dy njëri pas tjetrit, na shikon dhe pasi na përshëndeti pyeti; - Çfarë bëni këtu në këtë orë? - Presim ndonjë makinë për në Qafëzëz iu përgjigj mamaja; - Nuk ka makina tani, por hadeni nga shtëpia. Në fillim ne reziztuam që të mos shkonim, se kish hall se do të merej vesh dhe i prishnim punë dhe atij të shkreti. Por Isai nguli këmbë dhe ne më në fund e ngdhimë atë natë në shtëpia e tij. Në mëngjes u ngritëm herret. Isai na përcolli, na gjeti dhe një makinë e u nisëm për në fshat, ku na prisnin gjithë merak dy motrat e vëllai Feimi. Në vijim, çdo të shtunë, mamaja e ngdhinte gjithë natën, duke grrirë duhan, pregatiste teshat e trupit e ndonjë ushqim për babin dhe të nesërmen niseshim herët për në Ersekë. Në dëgë ia dorëzonim oficerit rojës. Ai, i merte pasi i kontrollonte, futësh brënda, i jepte teshat e duhanin babit dhe na kthente neve ato që i jepte ai, të shqyera e pa kopsa. Mamaja ç’do javë, ia qepte, por kur i mernim herës tjetër ishte e njejta gjë. Ndërsa ushqimet nuk ia jepnin fare, por në mëngjes kur e nxirnin gjysëm ore në oborr, ia hithnin ato, qenit të degës e i thoshin; - Ja këto janë ushqimet e tua që të kanë sjëllë nga shtëpia, kurse ne largoheshim me mëndjen se babi, kishte ushqime për një javë.
Më pesë janar 1968, babin e sollën në Qafëzes, ku u bë një mbledhje, nga organizata e frontit demokratik, me të katër fshatrat e kooperativës bashkuar. - Do vij dhe unë! - i thashë mamasë. Ajo nuk pranoi të me merte, se kishte merak se mos shqetësohesha kur të shihja babin të lidhur e në mes të popullit. E dëgjova, dhe nuk shkova, me mendimin se do të zgjaste 2-3 orë mbledhja dhe ajo do të kthehej e do merrja ndonjë haber. Mbdhedhja fillonte në orën 09.00. pasi prita deri mbasdite, aty nga ora tre e gjysëm, nuk durova, u lëshova me vrap drejt Qafzezit. Arrita në përfundim të saj dhe ndenja te dera, pasi salla qe e tejmbushur. Kishin folur rreth 36 veta. Në çast dëgjova një britmë: - çohu i pandehur! Çfarë ke për t’u thënë gjithë këtyre akuzave që të bëhen nga gjithë ky popull? - Të cilët paraprakisht gjatë këtyre dy javëvë që babi ishte në birucë ishin instuktuar mirë, si si të flisnin nga puntori operativ Nj.M. e Y.J., si dy regjizorë, e mundimi nuk u shkoi kot.
- Asgjë s’është e vërtetë nga ato që u thanë! Të gjitha janë gënjeshtra! - u përgjigj, im atë. - Ulu poshtë! Mos fol! mos fol i pandehur! Uluriu prokurori i rrethit, Ll.C.; edhe  këtu kërkon t’u bësh presion dëshmitarëve?! Pasi e mbylli mbledhjen drejtuesi i kryesisë së presidiumit, një K.F., e lidhën dhe po e nxirrnin jashtë. Këmishën e kishte të hapur pa asnjë kopsë, i dukej fanella e mishit në trup, kokën të qethur e pa kapele. Kur kaloi tek dera, më pa mirë, si të më thoshte mos e lësho veten… i dridhej mjekra, por lot nuk lëshoi. E hipën në një gaz “Karpat” dhe ndërkohë mësuesja, A. K., ia shkuli këngës: “Të pret makina, m’u në xhadet, o moj molla me lezet”. Nuk kishte turp më të madh, cinizëm dhe servilizëm më të ndyrë.
Iku babi, dhe ne u kthyem në shtëpi me dhimbje në shpirt. Kaluan tre muaj që neve na u dukën sat re vjet dhe më 13 mars 1968, del në gjyq, (në Ersekë) ku i dollën 13 dëshmitarë. Midis tyre ishte dhe një çoban nga Golemi, bashkëfshatar i punëtorit operativ që rruante dhentë e shtetit, që vinin gjatë verës në kullotat  e Gramozit i cili deklaroi, se sikur Muharremi i kishte thënë: “Hë dhe ca kohë, mos u mërzit, se do bëhen të tuat këto bagëti”, gjë që nuk ishte e vërtetë.

***
U akuzua se: në mëyrë sistematike kishte agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor, qysh nga viti 1956, kishte bërë thirrje për të minuar dhe dobësuar pushtetin Popullor. Duke qënë armik i pushtetit, me rastin e ngritjes së kooperativës bujqësore në katundin Boshanj, ka folur vazhdimisht kundër sistemit kooperativist, duke e cilësuar këtë si mjet varfërimi dhe vuajtjeje për fshatarësinë. Edhe mbas kësaj ishte përpjekur të pengojë të gjitha inisiativat e masave kooperativiste në drejtim të forcimit të kooperativës. Kështu me rastin e inisiativës të shkurtimit të kopshteve dhe pakësimit të bagëtive personale ai ka nxitur bashkëfshatarët e tij ta kundërshtojnë atë. Duke qenë i rafinuar dhe për të mos dalë drejt për drejt ai ishte munduar t’u mbushë mendjen shumë vetave që të flisnin kundër këtyre inisiativave në mbledhjet e ndryshme, duke arritur në një rast të dështojë mbledhja. Në biseda të ndryshme që kishte bërë me mjaft persona kishte për qëllim të ngjallte panik dhe të ulë besimin e masave karshi udhëheqësve të Partisë dhe pushtetit. Aai e kishte paraqitur si të shpejtë shpalljen e luftës dhe si pasojë likujdimin e pushtetit popullor duke i paraqitur udhëheqësit tonë si njerëz që nuk shofin interesin e popullit. Krimi që kishte Muharremi,  paraqiste rrezikshmëri shoqërore të theksuar, jo më pak i rrezikshëm paraqitet dhe vetë personaliteti i tij. Ai në të kaluarën kishte qënë xhandar dhe gjatë luftës Nac-Çlirimtare kishte marrë pjesë aktive në forcat tradhëtare të Ballit Kombëtar! Mbas çlirimit për pjesëmarrjen në organizatën tradhëtare “ Bashkimi shqiptar” e në vitin 1946, gjykatat e kishin dënuar me burgim të përjetshëm. Megjithëse ishte liruar me falje para kohe nuk kishte pushuar aktivitetitn e tij armiqësor. I dollën trembëdhjetë dëshmitarë, Sh.G., D. B., E. L., V. B., G. H., M. S., N. M., F. M., folën dhe pjestarë të tjerë nga salla e thanë që partia të mos kishte mëshirë pot a dënonte sa më rëndë. Natyrisht. im atë, nuk pranoi gjë nga ato që u thanë në atë seancë gjyqësore, me përjashtim që ai, bësonte në Zot dhe ishte kundër prishjes kulteve të fesë. Gjykata sipas nenit famëkeq 73/I i KP e dënoi me 10 (dhjetë) vjet heqje të lirisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 (pesë) vjet kohë.
Me puntorin operativ që futi babin në burg edhe unë kam një kujtim interesant. Në vitin 1995, kur kam qenë shef personeli i organizimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë, trajtonja edhe oficerët e dalë në reformë. Një nga këta ishte dhe Nj. M. Një ditë, më vjen në zyrë një shok i punës, inspektor i SHIR- it, A. Myrto e quajnë, me gjithë Nj.., i cili kishte nevojë për një vërtetim. Ma prezanton se ishte shoku i tij dhe kishin punuar bashkë në Degën e Punëve të Brëndshme Shkodër. Menjëhereë e njoha, por nuk e dhashë veten. Nuk mund ta harroja atë njeri që i kish punuar njëqind të zeza tim eti. Me gjakftohtësi e pyeta për emër e mbiemër dhe fillova të plotësoja vërtetimin. Emrin e babait? - vazhdova.
– Xh.., - më tha, megjithëse unë e dija mirë, pasi kisha dosjen e tij bashkë me vlerësimin e punës që i kishte bërë Komiteti i Partisë i rrethit atëhere. Aty e mburrnin për zbulimin, arrestimin dhe dënimin me 10 vjet burg të armikut të popullit, të firmosur nga sekretari i këtij komiteti H.Bejko.
E lëshova stilografin dhe e pyes:
- A më njeh mua?
- Jo, - më thotë, - nuk të njoh!
- Jam djali i Muharrem Boshanjit, - vazhdova. U ndje shumë keq, jo vetëm ai por dhe shoku që e shoqëronte.
- S’të mbaj mënd, - manovroi për ta shmangur bisedën më tej, - ke qënë i vogël!
Ia plotësova vërtetimin dhe ia dhashë Agimit në dorë.
- Meqë e paske shok, i thashë, vëri një vulë në sekretari dhe mbaruam. Pak minuta pasi dolën nga zyra, Agimi kthehet me vrap tek unë, që të sigurohej se mos hakmerresha ndaj tij, e më thotë:
- Nj.. nuk të mbante mënd, por për babain tënd kishte shumë respekt. Ka qenë burrë i rrallë në Kolonjë më tha, bile kish qejf të pinte dhe një kafe me ty. I them, bashkë hajde të pimë kafe, por me atë jo, sepse ai në kundërshtim të plot me çdo rregull të asaj kohe kur shërbente, siç më tregonte babi, e kishte torturuar keq tim at. Një ditë pushimi, i dehur, bashkë me Y. J. kishin shkuar në birucë, e kishin goditur me një dru dhe i kishin thyer një dhëmb. Babi gjithnjë më thoshte: - këtë dhëmb ma kanë thyer Nj. me Y. në birucë. Dhe këtë veprim nuk e kishte kryer hetuesi “që e kishte për detyrë ta bënte”, por Nj.. që nuk i takonte me postin që kishte. E pra, në respekt të vuajtjeve të atij burri të rrallë të Kolonjës, që e quan sot ky Nj.., unë nuk mund të pi kafe me të.
Shkuam në një lokal aty pranë dhe unë mora konjak a fërrnet (se mbaj mënd mirë),  për t’u qetësuar sado pak, kurse A.. një kafe, të cilën mezi e shtyu dhe s’dinte si të justifikohej para meje. Por A.. nuk dinte një gjë tjetër, që ne ishim rritur dhe edukuar nga ai baba që të mos u bënim keq njerëzve, edhe ata që nuk na kanë dashur. Të hakmeresh, do të thotë të biesh në pozitat e atyre që janë sjellë keq me ty. Ne nuk harrojmë, por dimë të falim.
Le të kthehemi tek gjyqi i Ersekës. Diskutuan dëshmitarët dhe pasi u bë pak pushim, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin. Ishte dhe xhaxhai, Beçja, i cili si i madh në moshë, u ul në një stol në koridor e po pinte duhan. Prokurorit i ngjau xhaxhai si dëshmitari D.B. dhe i tha: - Eo, a e pe, si nuk pranon asgjë! - Po ai e di si e ka hallin, - ia ktheu xhaxhai. Prokurori e mblodhi veten, e pa dhe një here e u largua. Më vonë, si u dha dhe vendim i gjykatës, kur po e nxirrnin për ta çuar në birucë, xhaxhai e ndaloi prekurorin e i tha:
- Zoti prokuror, na lini ta takojmë, se helbete jemi të moshuar dhe mbase s’na bie rasti të shihemi më!
- Atë se di unë, ata të gjykatës e kanë në dorë, - iu përgjigj ftohtë.
Mbasi u dha vendimi, e hipën në një gaz 51-sh, me karroceri, dhe e çuan në burg. Ika edhe unë në Korçë për t’i thënë motrës, por ajo e kishte marrë vesh nga kunata e vet që banonte në Ersekë, dhe kur hyra në shtëpinë e saj po qante.
- Hë më tha, si u bë? E dënuan një vit, - e gënjeva. - Si një, po mua më thanë 10 vjet!? Atëhere ishte e kotë ta fshihja të vërtetën (i kishte thënë Naileja, e motra e të shoqit, Bajramit). Morëm në telefon dhe Tiranën, e i treguam motrës tjetër. Të nesërmen, po ikja për në fshat dhe jemi ndërruar me babin tek ura e Floqit (furra e Gëlqeres). E kishin hipur po në të njëjtën makinë dhe e mbanin tre vetë. Vij në fshat dhe i them mamasë: - babin e çuan në Korçë, e pashë tek ura e Floqit.
Mamaja ndenji tërë natën e përgatiti gati një thes me ushqime për t’ia çuar të nesërmen. Mendonim se jorganin dhe dyshekun i kishte marrë me vete, dhe i kishte në rregull. Shkoi në Korçë dhe kur e takoi, u habit që ai ishte dobësuar aq shumë dhe ndodhej në një gjendje aq të keqe shëndetësore sa që mbahej mbas hekurave. Edhe për dyshekun e jorganin mësoi se ishin bërë të papërdorshëm nga që ishin kalbur nga lagështia në taracën e birucës në Ersekë. Kështu, mori të tjera tek motra, Pembja, dhe ia çoi. Pas një jave i çuam ushqime përsëri. Nga Korça e çuan disa ditë në Tiranë, ku vinim e takonim ne, motrat dhe hallo Refikua.
Që aty e nisën në kampin e Skrofotinës, Vlorë, ku e shoqëruan nga pas mamaja dhe hallo Refikua, pa dijeninë e djemve të saj, sepse ata punonin atëhere në Ministrinë e Brendëshme e të Mbrojtjes e nuk e lejonin që të vinte në burg të takonte të vëllain. Babi kur e pa motrën u mallëngjye e filloi të qajë. Halloja ishte një grua e fortë e burneshë, shpesh ajo bënte e shaka me të vëllain, në momet për ti larguar dhimjen ajo i thotë:
- Mos na qaj tani, se nuk qajnë burrat, paleee je dhe burrë me mustaqe zotrote, mos vinje këtu, pse erdhe…!  Babi menjëherë shpërtheu në të qeshura.
Unë sa herë vija në Vlorë (ku i çoja të gjitha llojet e ushqimeve), me një thes që ishte më i madh se mua, flija një natë në Korçë e që andej më niste motra me autobus e me tren. Ishte vërtet tmerr, kur kaloja nga autobuzi në tren dhe nga treni në tren. Më këputeshin duart nga çantat, që s’i ngrija dot. Shto këtu dhe shikimet vëngër të atyre që më njihnin në autobus dhe që e dinin se ku vija, dhe tashti nuk mund ti marësh dot me mënd se sa vështirë e kisha në ato vite lëvizjet. Kur kam shkuar për herë të parë në kampin e punës në Vlorë, më ka shoshëruar burri çupës xhaxhai Guguçes, Hajdar Dasti, edhe ky i dënuar politik, nuk kishte shumë kohë që ishte liruar nga burgu. Në kamp mritëm mbremje vonë e lejoheshin takimet. Shkuam në një fshat aty afër kampit, në Panaja dhe fjetëm te një miku I Hadarit, Dushan, e kishte emrin i cili kishte bërrë 25 vjet burg e porsa qeliruar. Në mëngjes u ngritem heret, hëngrëm mëngjes një tërhana, me bukë misri të bardhë që e pregatiti e shoqja, një grua e gjatë e fisnike dhe u nisëm për te kampi. Hajdari, më la tek rruga kryesore dhe iku, se ishte koha që vinin policët në punë dhe kishte hall mos e shikonin se e njihnin, mbasi e kishte vuajtur denimin në burgun e Vlorës. Në Vlorë bëja dhe goxha rrugë më këmbë, derisa arrija në kamp. Kur kthehesha, ndryshonte puna, se çantat bosh i mblidhja në një të vetme dhe ndiehsha më i lehtësuar. Ato kanë qenë vite shumë të vështira, po të kujtojmë se edhe njëerzit na kishte veçuar komplet. Kur arija në kamp të shoqëruar nga dy poicë më futnin në një magazinë, ku linja ushqimet me një listë në dy kopje ku njërën ja jepnin babit dhe tjertën e mbanin policët. Gjatë kohës që bënin kontrollin e ushqimeve, unë takohesha nga dy palë tela me gjëmba. Kur mbaronte kontrolli, ndërpritej takimi, mua në kthenin enët e çantat bosh dhe largohesha, kurse policët ia dorzonin tim eti ushqimet. Në fillim, babi realizonte një çerek norme në punë, se ishte i sëmurë, dhe pas një viti e gjysmë doli i pa aftë. Tjetër normë ushqimi kishin pë rata që nuk punonin, u jepnin një tas supe sa për të mbajtur shpirtin gjall kështu që babi kishte nevojë për ushqime. Ata që punonin ushqeheshin pak më mirë se donin t’i mbanin gjallë që të punonin sa më shumë. Normën e kishin të detyruar nuk I lejonin të iknin nga puna pa e realizuar atë, për ata që e tejkalonin merrnin një farë shpërblimi e u falej ndonjë një ditë  burgu. Shokët e burgut i kishte të mirrë, kryesisht rrinte me Hodo Frashërin, Daut Runën nga Gjirokastra, Patër Mushkallën, etj.

***

Në fshat filloi persekutimi eshe për ne, fshatarët filluan të na shikojnë shtrëmbër, nuk na vinte njëri në shtëpi e nuk mernim pjesë nëpër gëzime a hdherime që mund të kishte fshati. Pas burgut të parë nuk e patëm këtë izolim, kurse tani persekutimi arriti kulmin, krejt të veçuar e të rrezikuar. Fillova të bëj një një jetë individuale dhe s’guxoja t’i flisja njeriu. Kur kasha kohë të lirë shkoje rrije te xhaxha Bejçja, ku merja e këshilla prej tij dhe me djalin e xhaxha Lakes Hekuranin, ku flisnin hapur me njëri tjetrin. Nëpër mbdhedhjet e brigadës vinim, se po të mos vinim na diskretitonin, vetëm rrinim hapnim zytë shikonim e dëgjonim, pa folur.
Si u dënua babi, në muajin prill, erdhën në shtëpi mësuesit takuan mamanë ei thanë asaj që të shkoja në shkollë për ta mbaruar klasën  e tetë, mbasi kisha qënë nxënës i mirë. Meqë mamaja në kërkoi që të shkoja në shkollë ta mbaroja klasën e tetë, ashtu bëra. Shkova dhe e mbylla klasën e tetë, në qershor 1968. Kurse motra Serija, që dhe e kishte lënë dhe ajo klasëm pestë përgjysëm e kishte filluar të punonte në kooperativë nuk u kthye më, por vazhoi mësimet deri në klasën e tetë në shkollë nate aty në fshat.
Na shpinin në punët të rënda, shkonte në punë të rënda, hapje gropash deri në Qafën e Qarrit, mamaja i lidhte lopatën e kazmën me një litar dhe i hedhte supit ato si pushkë. Norma ishte të hapje 30 gropa 40cm x 40cm, në ditë që të merrnin 100 pikë. Të vetmit njerëz që na janë gjendur pranë për ndihmë e mbështetje materiale, kanë qënë motra e Korçës dhe ato të Tiranës, por kjo e fundit në mënyrë indirekte. Unë kur kthehsha nga puna fillova të bëja në shtëpi e ndonjë mur të rënë. Dalngadalë fillova të mësoj zanatin e muratorit, kështu që më kaluan në një brigadë ndërtimi e filluam të ndërtonim në fshat social kuluroret ku vinin zanaçinje nga fshatrat e tjera. Ky ishte sektori më i vështirë, sepse kishte punë të rënda sidomos kur filluam të montimin edhe qëndra zjarri (punimet fortifikuese). Vetëm një element i tyre vinte 120 kg. Ma takonte të lëviznim, jo një por 30-40 elementë në ditë, veç hekurit e betonit që hidhnim.
Xhaxhai nha frika se mos pësonin gjë djemtë, niprit e mbasat, përgjithësish ka mbajtur qëndrim indiferent ndaj vëllait të tij kur ai u burgos për herrë të dytë, kurse ne fëmijëve na ka mbajtur afër. Nuk shkoi asnjëherë ta shikonte atë në burg. Kështu, që nga dita e arrestimit nuk u panë më. Vetëm i biri Selimi me të shoqen kanë vajtur njëherë e kanë tkuar në kampin e Vlorës. Në prill 1973 vdiq xhaxhai, Bejçja. Atëherë ka ardhur aty për herë të parë mbas arrestimit të tim eti, halla Refikua dhe motra, Nikua. Më këtë rast Refikoja ndënji një muaj në Boshanj te familja e jonë, për t’u çmallur me vëndlindjen e me njerëzit e saj të dashur e cila gjatë gjithë kohës që qëndroi aty nuk e ngriti kokën nga dysheku. Tre hërë erdhi mjeku e vizitoi dhe i dhanë mjekime por nuk u përmirsua dhe më në fund vendosi të kthehej në Tiranë. Ditën që u nis ajo, që nga shtëpia  gjer te vëndi ku e priste makina, qau me kuje, e lau me lot udhën sikur t’ia ndillte zëmra të gjorës që nuk do ta shihte më Boshanjin dhe vatrën ku qe lindur. Halloja, ndërroi jetë në prill të vitit 1976, në moshën 67 vjeç, duke marrë me vete dhe brengën, që s’arriti ta shihte të lirë vëllanë.
Ushtrinë e kam kryer në Tale të Lezhës, në një ndërmarrje ushtarake bujqësore, ku punova 18 muaj. Më pas më çuan në Bishtpallë të Durrësit, që andej në Kep të Rodonit, e së fundmi në Vlorë, ku bëheshin disa punime xheniere (tunele). Në repartet ku kam qënë unë, ishim të gjithë me “biografi të keqe”, por kishte dhe me aftësi të kufizuar. Atje isha tepër indiferent. Kisha vetëm dy shokë nga Kolonja, njërin nga Selenica e Kolonjës, Ylli Strati dhe tjetrin nga Helmësi, Nevruz Nazarko, i biri i Zenelit. Vetëm me këta rrinja e bënim muhabet, por jo politik. Stërvitje nuk bënim, vetëm punonim. Kur ishte kohë e keqe lexonim ndonjë rregullore. Ditën që u liruam, erdhën na morën makinat në Vlorë e na çuan në Korçë. Me babain gjatë kohës së ushtrisë nuk kam mbajtur kontakte, përveçse një letre që më ka dërguar ai, ku më jepte këshilla. Në ushtri, eprorët shpesh më provokonin. Një ditë kisha shërbimin në kapanon. Aty më erdhi komandanti kompanisë me punëtorin operativ, një burrë shumë i keq, që përgjonte ushtarët ngdo. Sa hynë brënda sipas rregullores i paraqita forcën dhe i shoqërova, gjatë gjithë kopanonit që ishte 100 m i gjatë, si stallë kuajsh. Puntori operativ filloi të më pyeste: - Nga je? I kujt je? Ku është fshati? A është afër kufirit? Ç’njerëz ke? etj.
- Kam nënën e dy motra, - i them.
- Po babain nuk e ke?
- E kam të dënuar.
- Po ti a e ke dënuar atë?
- Natyrisht, - i them.
- E thua me gjith zemër, apo sa për të kaluar radhën?
- Po, - i them, - sepse në kohën që unë mund të shkoja në të studjoja në shkollë, m’u pre perspektiva e jetës (e thashë për justifikim dhe jashtë dëshirës). Kjo punë ndodhi në mëngjes. Mbasdite më vjen bashkë me komandantin  e repartit dhe më kontrolluan ato pak armë që ishin në armaturë, ku gjetën pak ndryshk. - A e di ti se kujt i shërben ky ndryshk, - më tha? – Armikut të klasës!
Aty e pashë veten keq. M’u qep ky, - thashë me vete, - por për fat u transferuan si repart në Durrës dhe unë shpëtova nga ai xhahil.
Jam liruar nga ushtëria në janar të vitit 1976. Pas kthimit në fshat, sipas rregullit, u paraqita në Degën Ushtarake,  dhe mbas dy javësh shkova e takova babin në kamp, Ballsh, ku e kishin shpërngulur që nga Vlora. Vija rregullisht çdo dy- tre muaj te babi. Kur vajta në shtëpi, vëllaii vogël Feimi ishte rritur dhe vazhdonte shkollën tetë-vjeçare, e më pas të mesmen. Kuptohet, s’ia dhanë të drejtën e studimit megjithëse e mbaroi shkollën me nota të gjitha dhjeta. Edhe motra ishte e shkëlqyer në mësime Mbas ushtërie, vazhdova punë përsëri në ndërtim e natyrisht që brigadieri një dëshmitar i tim eti, më çonte në punët më të vështira e ndonjë herë më linte dhe vetëm e vinte e më provokontë. Nga ky njeri, arrita ti shpetoj burgut, falë urtësisë sime, pasi ai në rreth të ngushtë ishte shprehur, që dhjetë vejt dënova të atin, njëzetepesë do ta dënoj këtë.
Lirimi nga burgu i dytë, 1977.

Më në fund mbërriti dita e shumëpritur e lirimit të Muharremit. Atë ditë (12 dhjetor 1977) shkuam në Ballsh për ta marrë unë me Bajramin, motrën Pekon (Pemben) dhe djalin e vogël të tyre, Oltjonin. Këta të fundit fillimisht shkuan në Durrës se kishin për të marrë një ngarkesë, kurse unë ika direkt në Ballsh dhe arrita që në mëngjes atje. Sipas rregullave, ai duhej të dilte që në orën 8-të, se në atë orë ishte bërë arrestimi. Por atë ditë nuk ishte aty shefi i kartotekës, që mbante dokumentat e të burgosurve. Burgu ishte në krah të djathtë, në një pllajë parballë uzinës së naftës Ballsh, me 2-3 rrethime. Në ora 9.30 – 10.00  e nxorën në rrethimin e parë dhe unë e pashë që po bënte xhiro. Kishte frikë se mos e arrestonin prapë. Erdhi aty drejtori i burgut dhe e pyeti: - Hë mo Muharrem, dole? Deri këtu po,- i thotë ai, - po më tej, ta shohim!
- Do dalësh, do dalësh! Po s’është këtu shefi i kartotekës. Dhe mbylle gojën, se vjen prapë këtu! Në orën 12.00 doli, në 12.30 i hipëm trenit të Ballshit dhe erdhëm në Rrogozhinë.
Në çastet kur doli nga burgu, kish marrë dhe lugën e alumnit me vete. E nxori nga xhepi, e theu dhe e flaku tej duke mërmëritur me vete.
- Thashë se më arrestuan prapë, - më tha, - kur u takuam, i trëmbur nga vonesa. Si u larguam nga  burgu, herë pas here kthente kokën mbrapa dhe përshëndeste shokët me dorë, derisa shkuam te stacioni i trenit.
Para se të lirohej, shkon në kamp Ramadan Metkua dhe në bisedë e sipër Muharremi i thotë: - A ka qenë Refikua në Boshanj ndonjëherë? – Po, që kur vdiq xhaxha Beçja, - iu përgjigj ai? Babi ngriu nga ajo që dëgjoi. - Pse nuk e ditke ti! – vazhdoi i zënë ngushtë Ramua…Të rroni vetë, po Beçja ka vdekur!
U prek shumë, dhe u mërzit që ne s’i kishim treguar. Atëherë, sipas zakonit, u bëri kafe gjithë të burgosurve që gjendeshin aty,. I shkuan për ngushëllim edhe Haki Shemja, Begator Kozeli, Dashnor Mamaqi etj. Hakiu ishte dënuar më 1975. E çuan në Ballsh, ku u takua si ftohtë me Muharremin.
- Do pimë një kafe? - i thotë Hakiu babit një ditë. Jemi kolonjarë dhe miq, pse të rrimë kaq ftohtë? 
- Po ne të dy nuk mund të rrimë dot bashkë, se kemi një  gardh që na ndan o Haki!
- Po dhe këtu në burg, ore të shkretën, të jemi të ndarë!
- Jo në burg, por edhe në mes të ujit të jemi, s’bashkohemi dot ne o Haki! Por Hakiu ishte i zgjuar dhe s’ja merrte për keq fjalët Muharremit.
Në Rrogozhinë na priti Bajrami me motrën. Rrugës, Muharremin e kapi një krizë zemre, ndaj qëndruam në Pogradec dhe fjetëm në hotel. Në Korçë s’mund të vinim, për të mos e vënë në pozita motrën. Të nesërmen shkuam me një makinë në fshat, mbërritëm tek lisat e Boshanjit, në anë të rrugës, dhe u ngjitëm më këmbë në shtëpi. Diku në ato ara punonin gjithë fshatarët. Babi, me atë krenarinë e tij, nuk e dha veten. Hymë brenda, por as njeri s’na erdhi nga fshati për vizitë. Vitet nga 1977 e deri më 1988 kanë qenë vitet më të vështira, ato të izolimit, sepse i munguan shumë shokët e tij. Bëheshin dasma dhe ai dëgjonte veç nga shtëpia. Vdiq e kunata dhe ai s’vajti ta shihte për herë të fundit. Të gjithë u mënjanuan nga babi,  vetëm pas vitit 1985-1986 filluan të vinin nga pak.
Kam bërë njëherë një letër drejtuar Enver Hoxhës, Haxhi Lleshit, Mehmet Shehut dhe Kadri Azbiut, tekstin e së cilës ma hartoi një “mjeshtër” nga Qafëzezi, që merrej me këto punë. Ka qenë aty rreth viteve ‘70-të, kur u vetëvra ai çifti nga Tepelena, për punë thashethemesh. Pikërisht, këtë ngjarje e shfrytëzova dhe unë  duke theksuar se edhe babai im u dënua për punë thashethemesh, për cilësinë e punës, të bukës etj, që në koop. komentoheshin si punë armiqësore. Enveri dhe Mehmeti ma kthyen përgjigjen direkt, kurse Kadri Azbiu nëpërmjet Degës së Brendshme Ersekë.
Më thirrën në degë për herë të parë e të fundit dhe më thonë se jeni një familje e mirë, e madhe, keni dhe njerëz të lidhur me Partinë, por babai juaj është element antiparti, prandaj mos shkruaj më letra. Je djalë i urtë, i sjellshëm, e dimë edhe kush ta ka bërë letrën (ma thanë emrin e tij) por mos e përsërit më. Atëherë e kuptova se ç’ndodhte me tipa si ai që ishte i dënuar, por i zgjuar dhe bashkëpunëtor i tyre. Zakonisht fëmijët e njerëzve që ishin të dënuar, sigurimi synonte t’i bënte bashkëpunëtorë të vetët. Një synim të tillë patën edhe për vëllain tim të vogël, Feimin. Feimi ishte gjaknxehtë dhe shfrytëzonin ndonjë grindje të tij me kryetarin e këshillit apo person tjetër. Njëherë (pas vdekjes së babait), u vodh dyqani i fshatit. Shitëse ishte goca e tezes. Vëllai rrinte shumë afër me të, se jo vetëm ishin si vëlla e motër, por edhe moshatarë. Atë ditë ishte në fushë duke punuar, i vajtën punonjësit e degës (nënkryetari i degës, punëtori oprerativ, kryetari i këshillit etj). Pa e përshëndetur i lëshuan akuzën, ti e ke vjedhur dyqanin me ata dy shokët e tu nga Panariti, që rrinin në Rehovë, por që ishin shumë njerëz të mirë. E hipën në gaz e çuan në Shërmëtir dhe e mbajtën rreth katër orë me një kushëririn tonë. Unë në atë kohë isha në Tiranë. Në Shëmtir i kishin propozuar për t’u bërë bashkëpunëtor (spiun). Ai nuk kish pranuar në asnjë mënyrë. Nga mërzitja kish pirë sa desh vdiq. Edhe mamaja u sëmur nga të keqtë dhe me zërin që sa regëtinte i lutej, po çfarë ke more djalë, çfarë të thanë! – Më propozuan të bëhem spiun, ja këtë më thanë!
Po ma kërkuan edhe njëherë do arratisem në Greqi. Kjo ngjarje ka ndodhur në korrik të 1989. Shkon urgjent nëna të nesërmen në Korçë dhe lajmëron kunatin tim, shofer, i cili niset për në Tiranë menjëherë. U ktheva bashkë me të në Boshanj, qysh të nesërmen, dhe e gjej vëllanë e nënën në ditë të hallit. Më sqaroi hollësisht se si kishin ndodhur ngjarjet.
Me vete thashë se ai nuk duhej lënë më andej. Me ndihmën e Sarafit, që atëhere ishte shef bujqësie në Ersekë, e dërguam në një kurs një vjeçar për zetorist në Tiranë. Kështu e larguam nga ai ambjent që e rrezikonte çdo ditë. E bëri dhe kursin dhe erdhi 90-ta ku ai mbeti përgjithmonë në Tiranë.


Vuajtjet e mija s’kishin të sosur

Pas ushtrisë, unë tentova të kryeja shkollën e mesme në Lubonjë, e cila ishte hapur atëhere dhe funksiononte pa shkëputje nga puna. Vazhdova një muaj e gjysëm por më pas më kërkuan një vërtetim nga Këshilli i Bashkuar i fshatit, i cili nuk m’u dha, e për këtë u detyrova të ndërprisja shkollën. Mbas dy-tre vitesh, një shoku im i quajtur Flamur Pako, u pranua kandidat partie, ku i vunë si detyrë të vazhdonte shkollën e mesme. M’u lut edhe mua që të vija në shkollë me të, bile më premtoi se do të bënte çmos të ma siguronte ai vërtetimin që s’ma jepnin. Dhe me gjithë mend arriti ta merte atë. Kështu, unë shkova në Lubonjë dhe e vazhdova shkollën për 4 vjet.
Vjen një natë një kushëriri im, Muhamet Kuqo, tek ne për darkë (se kishte fejuar një vajzë të një komshiut, Fejzi Mustafajt që ishte i arratisur në SHBA) bashkë me një shokun e tij tek Feriku dhe pimë deri në orën 2 të natës. Ishte korrik; në lëmenjtë e kooperativës shihej grurë edhe natën. Shokët pas orës dy u ngritën e ikën, me gjithë lutjet tona të rrinin se ishin të pirë.
Kur i përcolla, kaluam pranë lëmenjve. Ndërkohë, roja i kooperativës thërret, Ndal,! Unë s’u përgjigja. Ai vazhdoi prapë, ndal se do të qëlloj! Në lëmë punonte edhe motra ime, Flutura. I thashë jam Tekiu, dhe u ktheva në shtëpi për të fjetur. Në mëngjes, vjen motra nga puna e më thotë: O Teki, mos ke kaluar natën ti tek lëmenjtë? Po, i them. Dëgjova D.. të thotë: - hë se ja u rregulloj unë! Mbasdite, vjen punëtori operativ dhe punëtori i policisë, sepse mua më kishin akuzuar sikur isha takuar me diversantët dhe që nga ajo ditë më survejonin. Këtë e bënin herë pas here duke më gjurmuar. Ndërkohë vazhdoja shkollën normalisht, derisa e mbarova në vitin 1982 -1983.
Gjatë kësaj kohe vijnë disa punonjës të Ndërmarjes Gjeofizike Tiranë, të cilët kishin nevojë për punëtorë sezonalë. Kisha shumë dëshirë të punoja me ta, por nuk më lejonte fshati. Kështu i mora një vërtetim këshillit të fshatit Psarr i Zi, i cili ma dha vërtetimin pa afat kohe.
Punova me ta deri në muajin nëntor, kur mbaruan punimet, e më pas shkova pas tyre në Tiranë, në Malin e Dajtit, Bjeshit, Gamit e Nimçe të Kukësit, etj.

***
Nëpërmjet një kushërirës sime, gocës së hallos, Bukurie Seitaj (Jaupi), u njoha me një vajzë nga Tirana me të cilën u fejova. Bëra dokumentat dhe m’u miratua leja e banimit. Menjëherë më bëhet një letër nga Kolonja dhe më hiqet leja e banimit nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës. Më thirri punëtori i policisë e më thotë të kthehesha në fshat. Por mua më ndihmoi shumë drejtori i gjeofizikës, Llambi Langora, një burrë shumë i mirë, i cili më rekomandoi të paraqitesha si vullnetar në minierën e Valiasit, se kishin nevojë për punëtorë.
- Me gjeofizikën ti s’ke interes të vazhdosh më, - më tha ai, - se shpesh rri shumë larg Tiranës, pa dieta etj. Këtë propozim ma bëri kur isha në Kukës. Unë nuk e prita mirë por ai kishte të drejtë. Erdha në Tiranë dhe bisedova me njerëzit e mij dhe vendosëm të shkoj. Më plotësoi librezën e punës dhe më çoi në minierë me makinën e tij, bashkë me një shok, ku na regjistroi në degën e kuadrit. Babai nuk e mori vesh që u futa në minierë derisa vdiq, sepse ai kur u largova nga fshati më kishte porositur, puno ku të duash veç në minierë jo. Ndaj ne nuk i treguam. Në Tiranë kam ardhur pas 1980.
Në vitin 1984 fillova nën tokë me avancimet. Vazhdova 3-4 muaj me turne, pastaj u sëmura nga stomaku (me ulcer) dhe mora raport mjekësor, duke eleminuar turnet deri në vitin 1992. Qysh më 1989 u diagnostikova me tension të lartë dhe me që dola invalid i grupit të katërt, punova deri në 1992 mbi tokë.
Për problemet delikate të familjes dhe për situatën brenda e jashtë vendit atëherë fillova të bisedoja lirshëm me babin. Kishim një radio çeke “Bratislava” dhe dëgjonim fshehurazi radio Prishtinën, Zërin e Amerikës, Moskën etj.
Për fat, ishim kthyer pak nga gjendja ekonomike se punomin të gjithë.
Jam martuar në vitin 1983 dhe s’më ka ardhur as motra e Tiranës në dasëm, por vetëm motra e Korçës, dy kushrinjtë, Hekurani, Engjëlli dhe një fshatar.
Iati nuses, kishte qenë partizan e më pas oficer deri në vitet ’48-të kur u lirua dhe u përjashtua nga Partia. Kur u fejuam ai është interesuar për mua edhe në komitetin e partisë tek një Jani, Jani, ku i thonë se është djalë i mirë por të atin e ka patur të dënuar.
-  Mua s’më intereson i ati, por djali u kishte thënë ai. Kishte njohje edhe me dy djemtë e hallës që ishin oficerë. Kështu u bë fejesa. Jam martuar më 25 dhjetor 1983, pasi ndenjëm një vit të fejuar. Në qershor të vitit 1984 më lindi vajzë, Jonilda. Unë vazhdoja rregullisht në minierë, por kisha presion nga policia që më kërkonte të paraqitesha herë pas here e më thoshin pse s’ikën nga Tirana.
- Kam ikur, - u thosha.
- Po gruan  e fëmijët pse s’i merr?
- S’duan, - ua ktheja. Kështu e shtyva deri në ’90-ën.
Me shtëpi ndenja me qira në Shkozë, tek një Bexhet nga Gora, me 1500 lekë të vjetra në muaj. Më vonë e mori vesh biografinë time dhe më kërkoi të largohesha. Edhe me qira s’të mbanin po të kishe biografi të keqe. Kalova tek një kushëriri i mamasë në Selitë. U strehuam në një ish kasolle lopësh që ai e kish përshtatur si guzhinë. Më zinte koka në tavan.
Në Gusht të vitit 1987, shkuam ne Boshanj, me motrat, nipin Artanin, bashkë me krushkun e tij Mërkurrin i cili na çoi me nje mikrobuz të ndermarjes ku punonte. Pasi qëndruam dy net në fshat, kur u kthyem e morëm në Tiranë babin, bashkë me Fluturën dhe vajzën time të vogël, Jonildën e cila, jetonte në fshat. Qëndroi në Tiranë rreth tre muaj në shtëpinë me qira ku unë jetoja. Më në fund ju realizua dhe dëshira e tij për të vajtur tek varri i motrës së tij të vetme, Refikos, sepse gjithmonë thoshte: - Mos vdeksha pa i vajtur asaj tek varri! Të nesërmen që në mëngjes, më kërkoi që të shkonte në vorresat e Sharrës, për të parë varrin ku prehej e motra. Bashkë me motrën Fluturën e cila nuk i ndahej ngado që shkonte dhe unë morrëm një taksi dhe u nisëm. Gjatë gjithë rrugës ai nuk fliste, vetëm thithte pa pushim çibukun e duhanit, që nuk e hiqte për asnjë moment. Aritëm tek varri i Refikos. Aty pranë, prehej dhe i shoqi Qazimi dhe kunati i saj Mehmet Jaupi (Qinami). U ul pranë varrit, mbushi përsëri çibukun e duhanit e ndezi atë, e nuk fliste, vetëm shikonte fotografinë e saj dhe qante. Ashtu të heshtur, ne rinim në kënbë e shikonim. Pasi kaloi një kohë, mora guximin e i thashë; - Ikim babi se na prêt taksia. Ashtu gjysëm i krusur, u ngrit avash-avash, pasi puthi dhe një herë fotografinë e së motrës, u nisëm për te taksia e mbritëm në shtëpi. Gjatë kohës që babi qëndroi në Tiranë, erdhen dhe e takuan shumë miq e shokë të tij, që kishte vite pa i parë. Erdhen e takuan niprit e tij, Bedriu e Muharremi, mbesat Bukiria e Bejazja e shumë të tjerë. Fillimisht panvarsisht nga malli dhe dashuria që kishte për ta, ai në bisedë me ta ishte i kujdesëshëm, por duke parë dashurinë dhe respektin që ata, tregonin për të, dalngadalë filloi të bisedonte lirshëm. Me gjithë frikën që kishte se mos u prishte punë, iu mbush mëndja për tu bërë nga një vizitë në shtëpitë e tyre, ku e pritën shumë përzëmërsisht. Pas njëzet e ca vitesh për të parën here, ai shkoi tek shtëpia e së bijës, Ninisë, ku ndënji disa ditë pë tu çmallur me të bijat dhe nipërit Artanin dhe Gentin. Gjatë kohës që ndënji në Tiranë i bëmë një vizitë te mjeku në spital, ku mori dhe mjkimet e duhura për smundjet që ai kishte. Një mbsdite qe i smurë shumë. Të shqetsuar morëm në shtëpi mjekun e urgjecës. Ai e vizitoi dhe kostotoi se kishte tensionin e lartë 260/130, dhe pasi i bëri mjekimin u largua. Pas një ore, iu stabilizua tesioni e me thotë; - Nesër mer leje ne punë se do ikim në Boshanj. Me gjithë dëshirën tonë për ta mbajtur nuk mundëm ti mbushim mëndjen. Dhe kështu bëmë, mora lejë nga puna dhe e natën e fundit babi bashkë me Fluturën e vajzën time Jonildën, shkuan tek motra Ninia për të fjetur, pasi ajo e kishte shtëpinë afër rrugës Elbasanir. Të nesërmen herët në mëngjes u nisëm për në Korçë me mjë makinë të rastit dhe aty nga dreka, mbritëm tek motra Pembja. Unë u ktheva në Tiranë, kurse babi me Fluturën e Jonildën, qëndruan aty dhe rreth dhjetë ditë, tek motrat Pekua dhe Seria. Kur u kthye në shtëpi në Boshanj, u sëmur sërisht. Kishin marrë disa herë mjekun e zonës për ta vizituar edhe kardiologun, por nuk po përmirësohej. Babi smurësh shpesh dhe sa herë që në njoftonte motra e Korçës, Pembja shkoja me urgjencë në fshat. Herën e fundit, morëm një mjek nga Korça për ta vizituar babin. Pembja shkoi në seksionin e shëndetësisë Korçë dhe u tha se; - kishte nevojë për një mjek krdiolog, pasi e kishte të sëmurë nga zëmra babain dhe mjeku i Kolonjës, nuk mund të shkonte ta vizitonte pasi qe i sëmurë vëte. Caktuan një mjek kardiolog, Ilia Skëndi quhej. Në orën dhjetë duhej të vinim ta mernim tek poliklinika, me një mjet sepse ambulance nuk mund të dilte jashtë rrethit. Kështu u deturuam të marim një taksi dhe bashkë me mjekun e Pemben u nisëm për në Boshanj. Mbritëm në shtëpi rreth orë dymbëdhjetë. Babi rinte i shtrirë në krevat. Doktori filloi ta pyeste, se nga se vuante. Pasi mori sqarimet e duhura e vizitoi dhe i tha: - Muharrem të gjitha këto që me the mua ti, i ke, por mua me shqetson diçka tjetër; - çfarë e pyeti babi. - ti je anemik edhe ke nevojë për regjim spitalor;  – Nuk mund të mar ndonjë mjekim në shtëpi ia ktheu ai; jo iu përgjigj prerë mjeku, ti ke nevojë për analiza mjeksore. Mjeku nuk e dinte që im atë kishte qënë i dënuar. Babai kishte frikë të vinte në spital, ruhej se mos sigurimi i shtetit, i bënte ndonjë gjë e zhdukte, sidomos në Ersekë, nuk donte të shkonte kurrë! Për një moment ai e hodhi vështrimin nga mua dhe duke më parë e më pyeti; - Si thua ti mor djalë? - Ikim i thashë, makinën e kemi, doktorin është, pse të mos ikim? - Ashtu thua ti? - epo mirë ikim. Kështu që vendosëm ta çojmë në spital në Korçë. E shtruam dhe qëndroi 23 ditë. Me të mbritur në spital i bënë analizat dhe i vunë një flakon gjak, babi filloi të ndihej më mirë. Të nesërnen, mjeku e mori vesh që kishte qenë në burg e u tërhoq, se i tha dikush që na njihte. Kështu vazhdoi ta trajtojë specialist i gjakut. Aty nga dreka na thëret mjeku dhe na thotë që të bënim dhe ne analizat e gjakut pasi spitali nuk kishte më gjak të të njëjtit grup që kishte babi. Pasi bëmë analizat, doli se kishim të njëjtin grup-gjaku, kështu që dhanë motrat Ninia, Pembja, Seria dhe Diana, mua nuk me lane, pasi punoja më minierë. Gjatë kohës që qëndroi në spital, aty qe shtruar dhe një mësues, Pandi Napuçe e quanin, jepte matematike fizike në një nga gjimnazet e Korçës. Nga njohja dhe bisedat e atyre ditëve, ai krijoi një konsideratë, aq sa ai me pyeti mua: - ku i ka mbaruar studimet babai…!? Pasi u përmisua, e kthyem përsëri në fshat, me taksi, deri afër shtëpisë. Aty donim të merrnim një kalë, po ai s’pranoi. - Jo, - tha, - do eci më këmbë që të më shohin, se kur ika thanë që s’kthehet më i gjallë. U shtrua dhe një herë në spitalin e Korçës, ku qëndroi dy javë dhe përsëri motrat i dhanë gjak, por që ay, nuk e mori vesh asnjëherë.

Ndarja nga jeta

Njerëzit atdhetarë, largpamës e të ditur, qysh në ngjallje i vënë si qëllim vetes që me punën e tyre të lënë pas një gjurmë a kontribut me vlerë. Në këtë kategori njerëzish e futi veten edhe Muharrem Iljazi, pa llogaritur nëse u shkojnë përshtat apo jo regjimeve ku atyre u bie fati të jetojnë, i cili i bindur në konceptet demokratike, për asnjë çast dhe për asnjë çmim nuk hoqi dorë nga ëndrra për t’i parë ato të realizuara në vendin e tij, edhe pse regjimi komunist e goditi dhe përgjaku barbarisht. Luftoi dhe ëndërroi gjithë jetën, foli gjithmonë hapur, nuk u hoq kurrë zvarrë dhe nuk u servilos, shpresoi shumë deri ditën që mbylli sytë për jetë, pa arritur të shohë se ëndrrat dhe shpresat e tij, do bëheshin realitet. ….“Jeta 77 vjeçare e tij ka plot kontraste të rrepta, me tensione dramatike. Kur dëgjon apo lexon dokumente arkivore të tij krijon bindjen se Muharremi i ngjet një rrufepritëseje që tërheq gjithë elektricitetin e kohës e të historisë së kësaj familjeje hallemadhe e patriotike kolonjare. Që i vogël ai u brumos me idealet patriotike. Megjithëse 6 vjeç nuk do taharronte kurrë takimin e atit të vet, Feimit në Pogradec me Themistokli Gërmenjin kur ky engriti hopa djalin e vogël duke i thënë: “Ku jeshqiptar i vogël, ku je!” Edhe pse koha kishte hedhur “ndryshk” në memorie, edhe pse ngarkesat emocionale nuk ishin të fuqishme pas kaq e kaq vitesh, takimin me patriotin e madh të kombit shqiptar ai e kishte “stampuar”në kujtesë. Ky takim përbënte për Muharremin një fakt të çmuar historik. Ç’do t’i thoshte vallë, Themistokliu, sikur të bënte vaki, të shfaqej silueta e fantazmes së tij, tani pas 71 vjetësh e ta shihte Muharremin shtrirë në tabut? Mosvallë do ta pyeste: “Pse ike shqiptar i madh, pse ike?” Dhe, po të vazhdonte mrekullia, Muharremi do të çohej gjysë ndënjur e do t’i përgjigjej patriotit e luftëtarit kalorsiak: “Ika i nderuar patriot i ndritur e luftëtar i shqiptarizmës sepse këtu mbaroi misioni i jetës sime. Frytet e sakrificave tona do t’i korrin fëmijët, mbesat e nipërit tanë. E drejta vonon por nuk harron”….. (Kushtrimi i Gjakut) faqe 59, F.Shahinllari. Gjurmët që ai la pas janë të thella, mbi të gjitha tepër inspiruese për pasardhësit dhe gjithë brezin e ri që lufton e punon në çdo hap për Shqipërinë Demokratike. E kush s’do të mburrej me një paraardhës të tillë qëndrestar, që e treti jetën për triumfin e lirive, më elementare njerëzore, që parashikoi me saktësi fundin e pashmangshëm të regjimit komunist. Në shumë aspekte, jeta e Muharremit i ngjan një vrapuesi të distancave të thella (maratonë), që e ka të qartë pikën e mbrritjes, edhe rrugën e gjatë e të vështirë nga do të kalojë, por kurrësesi pritat, poshtërsitë dhe “minimin” e rrugës të bëra pabesisht nga ata që shpalleshin si kampionë të lirisë dhe drejtësisë. Dhe vjen një ditë që njerëz të tillë t’i kesh pranë vetëm shpirtërisht, por jo më fizikisht. Ishte 7 nëntori i vitit 1988, kur Muharrem Boshanji, ky pinjoll i shquar i fisit Iljazi, ky atdhetar dhe demokrat i nderuar në Kolonjë, mbylli sytë përjetë në fshatin e tij të lindjes (Boshanj), në moshën 77- vjeçare. Ndarja nga jeta e Muharremit është si dy pika uji edhe me atë të vëllezërve të tij Lakes e Bejçes. Në muajin Korrik të vitit 1953, im atë nuk e kishte mbushur vitin që ishte liruar nga burgu i parë, e unë ende nuk kasha lindur. Babi po kalonte pranë shtëpisë së vëllait Lakes, kur pa pritur degjoi një zë;  - Nga vete oree - hajde or hajde të pimë nga një duhan; - Jo ia ktheu ai - se kam punë; - Po hajde ore se kur të vish, nuk do me gjesh më! Im atë ishte nisur për diku, kishte një punë dhe duke mos besurar çfarë i tha i vëllai, iku në punën e vet. Lakja u fut në shtëpi drodhi një cigare duhan e ndezi e i tha të shoqes Dudisë; - Po kur su kthye  laneti; - ka pasur ndonjë punë ja ktheu ajo; - Ehh ta kisha parë me një djalë pa le të vdisja pastaj; - Eshtë shtatëzanë Dita ia ktheu ajo; oh shyqyr paska zot, kishte thirrur ai duke thithur thellë tymin e cigars, të cilën e shpuri deri në gjysmë e nuk e mbaroi dot pasi mbylli zytë njëherë e përgjithmonë. Kur u kthye babi nuk e gjeti më  gjallë. Atij i mbeti merak për tërë jetën, na i kujtonte shpesh sa që gjallë. Njëzet vjet më pas në Prill të vitit 1973, vëllai tjetër Bejçja qe sëmurë, por Muharremi tashmë ishte në burg për hërë të dytë. Mamaja ngrihej herët në mëngjes dhe vinte e shikante xhaxhanë. Një mëngjes pasi kishte qërasur djemtë e nuset e tij, me nga një llokume, të njëjtën gjë kishte bërë edhe me mamanë, e i kishte dhënë disa porosi, kur ajo ishte ngritur për të shkuar; - më dërgo Tekiun i kishte thënë. Unë akoma flije nuk isha ngritur nga gjumi. Teki o Teki më theret ngadalë mamaja; -Urdhëro iu përgjigja: - Të kërkon yt ungjë më thotë. Ishte herët akoma nuk kishte zbardhur mirë dita e unë u trëmba; - çfar ka ndodhur e pyeta i shqetsuar; - jo nuk ka ndodhur gjë, por të kërkon xhaxhai. U ngrita shpejt, u vesha dhe shkova në dhomën ku ai rinte dhe e pëshendeta. Hajde ulu këtu më tha e më mori pranë. - Feruze, thirri nusen e djalit të madh Hasanit, që i ishte vrarë aksidentalisht në punë, hajde qerase djalin. Pas pak ajo u duk te dera me tabaka në dorë, me një gotë raki e llokume dhe ai mu drejtua; - hajde mere llokumen e xhaxhait dhe uroje xhaxhanë, Unë mbeta ashtu i habitur dhe nuk dija çfar të bëja. - Mere mere më tha, dhe filloi të këshillonte e të më linte porositë e fundit. Mua nuk po më mbante vëndi dhe doja të ikja sa më parë por isha i detyryar ta dëgjoja dëri në fud. Dola dhe ika në shtëpi duka qarë. Nga dreka erdhën kushërinjtë e tij Nuriu dhe Zylfua nga Pezarri Zi. Mbasi bënë disa orë muhabet u ngritën për të shkuar në shtëpi. Rini sonte mos ikni u tha; - se kur të vini, nuk do më gjeni nesër. Aty nga ora 02.00 e mengjezit të ditës tjetër, përsëri me theret mamaja, por këtë radhë për të më dhenë lajmin e ndarjes nga jeta të xhaxhait.  - Atë ditë, që vdiq babi, - tregon Flutura, - ishim vetëm me vëllanë e vogël, Feimin. Natën e zuri një krizë zemre, siç e zinte shpesh, dhe i shqetësuar na tha: - Shkoni e më zgjoni djalin! Unë isha në dhomë me mamanë dhe me çupën e Tekiut, Onën e vogël. E zgjuam Feimin dhe i dhamë babit ilaçet e zëmrës që përdorte gjithmonë. U bë më mirë, dhe iu lut vëllait: - Shko bjer e fli të keqen babi, se do vesh në punë nesër e lodhesh! Në mëngjes u ngrit, lau sytë dhe u ul si në një gur të madh sipër çurkës që vinte nga mali ei thiri mamanë. – A dëgjove hajde këtu. Mamaja sigurisht që e la punën që kishte në dorë doli përjashta, iu afrua dhe e pyeti; - Urdhëro ç’ më deshe? Dëgjo këtu i tha. – Uhë dotë vdes sonte, por po yë le amanet vajzën e Tekiut Onën…… E sa hera që smuresh kështu thua ia ktheu mamaja; - Kështu si të thashë unë dëgjove i tha ai. Imë iku brënda dhe vazhdonte të bënte punët e mëngjezit. Pasi qëndroi një copë herë aty, ngjiti shallët, u kthye nga tyrbja që ndodhet pranë shtëpisë dhe pasi kreu lutjet siç bënte çdo ditë, hyri brënda, u ul pranë zjarrit dhe na thotë; - Më bëni një kafe, se do pi ilaçet e më matni pak tensionin. S’kishim as kafe të pjekur, se atëhere s’para gjeje kollaj. Për fat, na kishin sjellë motrat nga Korça nja tre pako. Mamaja për shpejtësi, mori disa kokra i hyodhi në xhevzen e kafesë dhe filloi që ti piqte. I bloi shpet e shpejt dhe zjeu në zjarr dhe ia dha kafenë. Pasi e mori erë dhe e thithi kafenë ndezi çibukun e duhanit e po e thithte avash-avash. Unë dhe Feimi po bëheshim gati për të shkuar të mernim planin e punës. – Sepse nuk më shijoi kjo kafeja i tha mamasë, më bëj një tjetër! Ajo filloi të zjente kafen, kurse ne u përshendetëm me babin dhe shkuam te zyrat e kooperativës. Nuk kishte shumë që kishim mbritur tek zyrat, akoma nuk i kishim thënë infermjeres të shkonte ti maste tensionin, kur dëgjojmë po thërisnin; - O -Feim hajdeni shpet se kini babin të smurë. Të tre bashkë me infermjeren u nisëm me vrap dhe mbitëm në shtëpi. Infermierja i mati tensionin e kishte të ulët, sepse zakonisht i rrinte mbi 18-të. - E tensionin pak të ulët i tha ajo, (Elidiona e quanin): - do të marr në telefon doktorin në Qafzes e do të bëj ç’të më thotë ai. Pasi foli me doktorin ai e porositi t’i bënte një eufilinë për frymëmarrjen. Infermierja ia shtriu krahun t’i bënte gjilpërën, siç ishte këmbëkryq, por trupi nuk po ia merrte ilaçin. Që aty i dha shenjat… Unë s’kisha parë raste të tilla. Mamaja e mblodhi veten e më thirri: - Hajde, spërndrit shtëpinë të keqen mamaja, dhe mos e zgjat! Vëllai vuri duart në kokë. Mamaja e ngriti babin ndër duar dhe ai u përmend. Vetëm ujë kërkonte. - Lëreni, - tha vëllai, - të mos e mundojmë më. Në orën një e gjysëm të drekës mbaroi. Siç ndodh në raste të tilla, u lajmëruan njerëzit e afërm dhe u morën masat për rregullimin e trupit të tij, për të cilin i nipi, Alfred Cako, më pas do të shkruante: - …më kujtohet shprehja e fundit e fytyrës së tij, kur iku nga kjo botë. Dikush ja kishte lidhur një fjongo nga sipër kokës dhe poshtë mjekrës për t’i mbyllur gojën, e cila dukej sikur i kërkonte llogari fatit të jetës se, përse ai e pati zhgënjyer aq gjatë atë njeri plot me virtyte dhe karakter të pashoq, …. si për ironi të kohës, duke e ndjerë ligështimin e thellë nga vuajtjet fizike të trupit të tij, sikur kërkonte ta refuzonte vazhdimin e jetës pikërisht më 8 Nëndor 1988, ditë simbolike e krijimit të PKSH-së, ku bëri një kontratë me vdekjen, aktin e fundit që bën çdo njeri në këtë dynja. - Atë ditë (në Tiranë) erdha shpejt nga puna, kur shkova në shtëpi më thanë se babi ishte sëmurë. Po pregatiteshim për tu nisur për në fshat. Ndërkohë bie dera, dal ne të shpejtë dhe shoh djalin e hallës, Muharremim, më përgjafoi dhe më thotë, ngushëllime të roni vetë! Mbasi u bëmë gati shpej e shpej, u nisëm për te motrat, Muharremi u kthye në shtëpi, me gjithë dhimjen që ndjente për dajën, nuk mund të vinte dot. Motrave në fillim s’u treguam, por u muar vesh. U veshëm me të zeza dhe u nisëm me një makinë të punës së Petritit, të Ministrisë së Ndërtimit, bashkë me një shokun e tij, Niko Anastasi. Dianës rrugës i kishin ngrirë duart nga të ftohtit e mezi e sollëm në vete me raki. Arritëm në fshat rreth orës 11.00, të natës. Kunati me shokun e vet u kthye përsëri në Tiranë.  ...Të nesërmen, ditën e varrimit, mendoja se s’do vinte njeri, por fatmirësisht erdhën, dhe u bë një varrim madhështor. Erdhi edhe tezja e fshatit, burri i tezes, çupat e xhaxhait etj.. Një nipi im, Artanii, bëri disa fotografi gjatë ceremonisë së varrimit, të cilat sot janë kujtime me vlerë. Nga që nuk kishte kush të fliste para varrit (sipas traditës) ose më mirë të them nuk guxonte të fliste njeri, vendosa të flisja vetë. I them Hekuranit se s’mund të hesht, do flas vetë. - Fol, më tha ai, - po me kujdes! Dhe ashtu bëra. I lënduar nga dhimbja por dhe i emocionuar nga pjesmarrja se mendoja se nuk do vinte njeri, siç kishte ndodhur ne raste mortore te tjera, që dhe varrin e kishn hapur vetë pjestarët e familjes, i falënderova përzemërsisht të gjithë pjesmarsit, që na u gjendën pranë në atë ditë hidhërimi dhe theksova: -Sa qe gjallë, babi na ka mësuar të jemi të ndershëm, të mos jemi hajdutë, imoralë, të mos u biem ne qafë të tjerve, të shikonim punën tonë etj…... Këto porosi të shenjta të tij s’do t’i harrojmë kurrë! - Ua shpërblefshim në të mira e në gëzime! Mbas ceremonisë, të gjithë u shpërndanë nëpër shtëpite tyre, dhe s’erdhën tek ne as për kafe, përveç njerzëne të afërm të familjes. Qysh të nesërme dikush kishte vajtur në Degën e Brendëshme e kishte thënë: -Në ceremoninë e varrimit të Muharremin morën pjesë shumë veta , pa le po e nxorën e fotografi (sikur të kishte vdekur Enver Hoxha) dhe i biri (e kishin fjalën për mua), tha në fjalën e tij se do eci në gjurmët e tim eti. Këto m’i thanë kur ne vajtëm në fshat për të dyzetat e babit. Ishim duke kaluar urën e Qafzezit, në të error bashkë me vëllain dhe motrat. Një fshatar nga Qafëzezi, me të cilin u këmbyem në rrugë, më takoi, më ngushëlloi për tim atë e më thotë: - Kishe mbajtur fjalim të mirë para varrit të babait! - Po, - i thashë, - pasi falenderova pjesëmarrësit, përmenda porositë që ai na jepte, për të qënë kurdoherë të rregullt e të dashur me njerëzit. - Kishe thënë dhe që do ikim në gjurmët e tij. - Po unë s’jam budalla të them një gjë të tillë, - i ktheva. Ai bëri 17 vjet burg, s’kam ndërmend të bëj edhe unë 17 të tilla! Ç’ti thosha, veç dhimbjes duhej të përmbahesha edhe nga provokime të tilla! Trupi i Muharrem Iljazit u preh i qetë në tokën ku kish lindur, deri në vitin 1996, sepse më 25 gusht 1996, eshtrat e tij u ç’varrosën dhe u sollën nga Boshanji  në varrezat e Sharrës, Tiranë. Kjo u bë për arsye se të gjithë fëmijët si dhe e shoqja e Muharremit, Dituria, ndodheshin me banim në Tiranë. - Nëna na thoshte gjithmonë, - kujton Pembja, - kur të vdes unë të më çoni edhe mua atje ose silleni atë këtu. Diskutuam motra e vëllezër dhe vendosëm të sillnim babanë këtu. U bë një ceremoni madhështore atë ditë, jo vetëm në Boshanj ku shkuan me dhjetra makina, por dhe këtu në Tiranë, ku shtruam një drekë përkujtimore në Kryegjyshatën Bektashiane. Lajmërimin për rivarrimin e tij e bëmë në televizon; erdhën shumë shokë e miq të babit dhe tanët. Rivarrimi, me gjithë ato ndere që iu bënë, ishte më madhështor se sa kur vdiq në Boshanj…. Tani ata janë pranë njëri tjetrit në varrezat e Sharrës, dhe për këtë ne ndihemi të lehtësuar e krenarë për veprën e tyre. Kur vemi në varreza sikur ç’mallemi me të dy. Që i ri, lirinë Muharremi e quante të shenjtë. Edhe sot më tingëllojnë në vesh pyetjet naïve që i bënja babait kur ishe i vogël: - O babi! Po pse nuk u bëre partizan ti, që të ishe i madh sot, po u bëre ballist!? Ishte një pyetje tronditëse kjo, që mund t’ja bënte edhe një i rritur, përgjigjia e së cilës do të donte kohë e analiza pa fund. Mos vallë të gjithë ata që u bënë partizanë u bënë të mëdhenj e jetuan të lumtur pas lufte!? Po ata që u bënë ballistë të gjithë u pushkatuan e u burgosën!? Zor se dikush mund t’u përgjigjej me dy fjalë. Ndërsa ai që filozofinë e tij  mbi lirinë dhe të drejtën e kishte fituar në përleshje të përgjakshme me të padrejtën, do të përgjigjej shkurt: - Ah more bir! Po të isha bërë siç  thua ti, nuk do të isha i gjallë sot, sepse me siguri do të kundershtoja për pa udhësitë e tyre dhe ata, me siguri do të më vrisnin, siç vranë shokët e tyre. Kurse unë, vërtet vojta shumë, por të paktën shpëtova gjallë dhe shyqyr zotit ju kam juve sot! Çdo koment do të ishte i tepërt, asgjë nuk ndodhi rastësisht. Muharremi s’mund të vepronte ndryshe nga ç’ishte. I tillë qe edukuar ai që në fëmijëri nga prindërit dhe dy vëllezërit më të mëdhenj Lakja dhe Bejçja. Lindi e u rrit në kohë lufte dhe u brymos me ndjenjën e sakrificës e të urrejtjes kundër çdo padrejtësie. Jetës dhe veprimtarisë së palëkundur patriotike të Muharrem Iljazit, bashkëfshatari i tij Pëllumb Myrtezaj, me shumë mall, respekt e dashuri i ka kushtuar vargjet e mëposhtme:
13 - Muharrem Feim Iljazit
Oficer i kulturuar,
Në lule të djalërisë.
Punove me gjith’ zemër,
Me krerët e Shqipërisë.

 Fjalë e tij ishte mjaltë,
Dashuri për mëmëdhenë.
Ndaj Safeti dhe Mit’hati,
Shumë e donin Muharremnë…..
(Pëllumb A. Myrtezaj, “Klithmë në errësirë”, Tiranë 2008, f. 50-51)
***
Vitet 90-të, vitet e ndryshimeve të mëdha, më gjetën në Valias, ku isha ndër pjesëtarët  e parë të grevës së minatorëve. Në atë kohë vjen aty mjek Nuri Sallaku, që ishte dënuar tre herë dhe kishte qenë shok i babait tim. Unë isha me hipertension dhe në greva ndieja emocione të forta. Për këtë, më porositi të mos merrja pjesë në to se do kisha pasoja. Por unë s’rrija dot, prandaj më 20 janar 1991 shkova në fshat. Atje pësova goditjen e parë  e u shtrova në spital, nja pesë ditë, ku erdhën më morën kunati e motrat. Prapë në shkurt pësova një goditje dhe u shtrova në spitalin e Tiranës. Aty përjetova emocionet e rrëzimit të bustit të diktatorit, haberin e të cilit ma dha gruaja me djalin e vogël Gromozin, (5 vjeç), që kishin qenë atje. Mamaja vdiq më 16.03.2004 dhe janë vorrosur  të dy pranë njëri tjetrit. Të gjithë motra e vëllezër jemi mbledhur të gjithë në Tiranë dhe në çdo sebep a përvjetor mblidhemi të gjithë bashkë.

TEKI ILJAZI

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: