Sunday, 10 March 2013

Qafiri i ferrës

 Nga Fatmir Terziu

Qafiri i ferrës

Nuk e di pse shallin dita i (stër)zgjat kësaj stine
Qafon drurë, shkurëza, dafinëza e rrapa. Gudulis
E najlonta e saj latime
Shpërthimin delikat të bulëzave
Kokën ngre qafiri i ferrës
Dhe ia zë dritën e syve(!)

Baluket nis e kreh kjo stinë e luleve. Deti
Dhuratë i ka prurë pasqyrë-kaltërsinë
Mijëra parukerë imitojnë valët
Të ringjallin Dean
...i falin valët modën e re
imitim pafund i dallgëve.

Retë ngjeshur majësupeve
Shtriqen faqeskuskuqur tutje nga Qafë e Botës
Garrojnë luleverdhat buzëqeshura...
stërkalat sykatër poshtë bregut strukur
livadhisin lëndinëzat
të riskuarat dremitqare nën pluhur...

... dhe dita ison e merr me lëvdatë
Në trungun e saj të lashtë me rudha
Kokën ul poshtë qafiri i ferrës
Dhe drita i fishket syve
Valëdeti e nget përcjelljen tutje Bregut
E sotmja ka stinë tjetër ... kjo është Udha!

Lekan

E deha pemën time të mirë. Frutat
Kënde brinjëthyera shartuan vetveten
nën hijen e saj mbinë disa hithra
kujën u dhanë fqinjorëve frutmirë
që lanë pas hijen e tyre
tutje në atë arë shkretëtirë
plot tështitës deri në gjymtyrë.

E vërteta doli nga përmjerja
Në rrënjët e pemës së shtrenjtë
Bluza,
kominoshe,
kollare u turrën të bënin analizat
Lejtore i dhanë tjetërkujt
Fatin e shkretuar të kthente në jetë
... por ai mbeti lekan i tij.

‘Barku nxorri ç’ka barllaku’
Lerosur... e tëra sipas hakut!


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: