Monday, 18 March 2013

Rrëfehet gazetarja Vera Pelaj





Rrugëtimi im drejt gazetarisë. Pengu i vetëm- mëkati i kohës e i moshës që nuk munda të intervistoj Petro Markon...

(Intervistë ekskluzive për Tirana OBSERVER me gazetaren kosovare Vera Pelaj)

Është një nga gazetaret e njohura, më aktive e më të admirueshmet e shtypit kosovar dhe atij shqiptar në tërësi, në të dyja kahjet e kufirit Shqipëri- Kosovë, në Diasporë e trevat shqiptare. E re në moshë, energjike, e aftë, e zgjuar, e fortë, bujare, me talent e profesionalizëm, e dashuruar me profesionin, Vera Pelaj ka përmbushur ëndrrën e saj të fëmijërisë për të qënë gazetare. Tashmë pasi ajo e ka realizuar këtë ëndër , -me shumë sfida e shumëherë i ndjekur nga një vullnet premtues drejt profesionit,-misioni i saj është të mbajë audiencën të informuar në ndryshimet social –ekonomike, kulturore e artistike,ngjarjet historike e aktuale. Gazetarja Vera Pelaj di shumë mirë të ndërtojë raportet mes publikut dhe kontributit të cmuar në hapësirën meditatike vizive, radiofonike e të shkruar, duke mbuluar gjithmonë anën njerëzore të këtyre raporteve me një stil të thjeshtë, modest, profesionalizëm dhe etikë gazetareske. Në vitin 2002 gazeterja Vera Pelaj filloi punë në Radio-Televizionin e Kosovës, përkatësisht në radion’Blue Sky”, tashmë Radio-Kosova2, gazetare dhe drejtuese e emisionit për letërsinë “Fokus letrar”.Krahas këtij emisioni është edhe prezantuese e rregullt e lajmeve qëndrore në programin e parë dhe të dytë të Radio-Kosovës. Ka intervistuar udhëheqës politikë, ka qënë në kërkim të historive të heronjëve të zakonshëm që sollën Pavarësinë e Kosovës, e paepur dhe shumë e informuar me eksperiencat e saj ka intervistuar në emisionin “Fokus letrar”, për herë të parë Prof.Agim Vinca, e më pas korifejtë e letrave shqipe, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli dhe Fatos Arapi, poetin Xhevahir Spahiu, ish presidentin Alfred Moisiu , e shumë e shumë personalitete të tjera jo vetëm në lëmin e letërsisë, por edhe të profesioneve të tjera. Gazetarja Vera Pelaj, është e njohur nga publiku shqiptar përmes shkrimeve dhe intervistave të shumta, të cilat janë botuar në gazetat dhe revistat shqiptare si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Greqi dhe SHBA. Libri “Kaleidoskop i letërsisë shqiptare”, është libri i saj i parë, përmbledhje me intervista me shkrimtarët më të njohur nga të gjitha trevat shqiptare. Vazhdon dhe studimet master në Universitetin e Prishtinës, drejtimi shkencor në letërsi, është duke punuar temën e diplomës, veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit dhe vijon Shkollën për Integrime Evropiane.
Bisedoi:Raimonda MOISIU
Përshendetje Vera jeni një penë gazetareske mjaft e njohur në Kosovë, në Tiranë e në krejt trojet shqiptare. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo diçka e papritur që ju zgjodhët të bëni gazetaren?
Thonë se kur lind fëmija, vetë natyra e orienton nga e ardhmja. I ka ato parandjenja dhe talentin brenda vetes për atë se me çka do të merret gjatë jetës
së tij. Unë, kur isha vogëlushe, merrja gazetat dhe bëja ushtrime duke imagjinuar se jam para mikrofonit duke lexuar lajme. Me orë të tëra e bëja këtë dhe ëndërroja se një ditë do të bëhem folëse e famshme. Ishte ëndrra e fëmijërisë e që ndjeka rrugën për ta realizuar. Me shumë sfida e shumëherë e ndjekur nga një vullnet premtues drejt këtij profesioni. Kur mbarova gjimnazin, kisha dëshirë të flaktë të studioja gazetarinë në Tiranë  (në Universitetin e Prishtinës atëherë nuk ekzistonin këto studime), por nuk  kisha kushte ekonomike. Ishim shtatë fëmijë. Atëherë babai im punonte   arsimtar i matematikës në kohën kur regjimi pushtues serb mbyllte shkollat shqipe dhe kur mësimdhënësit shqiptarë angazhoheshin vullnetarisht ta mbanin gjallë arsimin dhe, rrallë ndonjëherë, merrnin paga pune nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Ishte ajo kohë kur ne, si brez, ishim të pafat. Ishim nën pushtimin serb, na ishin mbyllur objektet shkollore e universitare dhe mësonim nëpër shtëpi private. Megjithatë, në atë kohë të pashpresë, vazhdova studimet për letërsinë, që e doja dhe që mendoja se është drejtimi më i përafërt me gazetarinë. Shpesh me shokët e shoqet studente thonim se gjithë këtë investim po e bëjmë, po i lëmë dhe keq edhe ekonomitë familjare, kurse kur t’i mbarojmë studimet çka do të bëjmë??? Kur kaloja nga ndërtesa e Radio Prishtinës dhe shkoja në ligjërata në shtëpitë private, thoja me vete: athua ndonjëherë do të vij dita të punoj dhe unë aty?!!! Ndodhi lufta shumë shpejtë, u bë tranzicion i paimagjinueshëm dhe në vitin 2002 fillova punën në radion “Blue Sky” (tani Radio Kosova 2). Isha shumë e lumtur dhe i thoja vetes se jo gjithmonë ëndrrat nuk realizohen. Meqë nuk kisha përvojë në asnjë punë e as në gazetari, e mora punën shumë seriozisht dhe tanimë nuk e kam problem. Sigurisht që fillimi ishte i vështirë, rregullat e të bërit të lajmit, mësimi që të largohesha nga fjalori i bukur e i figurshëm, që isha mësuar me letërsinë, në mënyrë që lajmi të jetë lajm, objektiv dhe pa zbukurime.
- A mund të na përshkruani shkurtimisht Prishtinën, si zemra e inteligjencës kosovare, por edhe ku ndërrthuren ngjarje, aktivitete të ndryshme nga jeta socio-politike- ekonomike-kulturore, dhe juve iu duhet të jeni aty ku është lajmi, informacioni , për ta përcjellë atë me kohë dhe saktë?
Jo vetëm Prishtinës, por edhe qëndrave të tjera të Kosovës mund t’ua japim një epitet të tillë, në të cilat organizohen një numër i madh i aktiviteteve kulturore, sociale e politike. Sigurisht që Prishtina, si kryeqendër, është më tepër e përfshirë me ngjarje që ndërthuren nga ato politike, e deri te ato kulturore e sociale. Aktivitetet janë nga më të ndryshmet, ndërsa unë merrem kryesisht me ndjekjen e ngjarjeve nga zhvillimet e shumta dhe të vyeshme letrare. Përpiqem sigurisht që të jem gjithmonë në kohë dhe objektive për ta përçuar lajmin tek dëgjuesi. Prishtina ka Bibliotekën Kombëtare në hapësirën e bukur të së cilës organizohen përurime librash dhe aktivitetesh letrare. Ka Teatrin Kombëtar, ku shfaqen drama të shpeshta, premiera baleti etj. Kur flasim për aktivietet politike dhe sociale, duhet patjetër ta kemi parasysh që jemi në kohë tranzicioni, kemi vetëm 5 vjet shtet dhe kemi dhe shumë e shumë për të bërë...
- Ju keni një karrierë të gjatë në fushën e gazetarisë, që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca juaj?
Sado që ju thoni se kam karrierë të gjatë, gjithmonë e konsideroj se jam në fillim të kësaj rruge, sepse secila ditë, secili çast, ka diçka të re dhe kjo bën të më mbajë gjithnjë në fillim të profesionit. Por, gjithnjë kam frikën nga vetëcensura e që është një shëmti profesionale. Kjo frikë më ndihmon mua dhe kolegët e mi të mos biem në kurthin  censurave të anëve tjera, të cilat janë jo të pakëta. Përpiqem gjithnjë të jem sa më objektive në bërjen e lajmit dhe në leximin e tij. Mënyra si e transmeton lajmin ka shumë rëndësi ngase dhe ajo tregon se sa objektiv je. Dhe gjatë intervistave gjithashtu përpiqem të jem neutrale dhe objektive.
Si iu lindi ideja për të qënë pjesë e gazetarisë, në Radio Televizionin e Kosovës, përkatësisht në radion “Blue Sky”, ishte dëshirë, sfidë apo detyrim moral i rëndësishëm nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo....?
 Idenë e kisha që nga mbarimi i luftës. Me mbarimin e studimeve mendoja që jam e gatshme të filloj punën edhe pse na mungonte përvoja si shoqëri, jo vetëm mua. Brezi nga 1989 deri pas luftës s’ka pasur mundësi të punojë në asnjë institucion për shkak të pushtimit serb. Gjithsesi ishte dëshirë shumë e madhe. Gjithnjë kam menduar së këtë punë mund ta bëj më së miri. Natyrisht, këtë e kam dashur gjithmonë, sepse ndjehem mirë që të jem e dobishme për familjen dhe për shoqërinë.
- Cfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, kosovare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato c’ka ju keni lexuar, dhënë lajme apo vënë re?
Më tepër mund të flasë për gazetarinë radiofonike meqë jam pjesë e saj. Në Kosovë, roli i gazetarit dhe i medias në përgjithësi është profesion që e përqafojnë dhe e ushtrojnë me dëshirën më të madhe për t’u profesionalizuar, për t’u informuar për gjithçka që ndodh, për të mirë dhe për të keq në realitetin shqiptar. Nga eksperienca e gazetarisë, që nga koha e ish Jugosllavisë, në Kosovë ende mendojnë dhe punojnë që informacioni të jetë në shërbim të qytetarit. Ky është edhe misioni i gazetarit pa e përjashtuar edhe edukimin e tyre. Sikur të tërhiqja një paralele, sa i përket karakterit të gazetarisë në Kosovë dhe në Shqipëri, do të thoja se në Shqipëri dominon gazetaria sensacionale, kurse në Kosovë jemi më të përmbajtur. Sensacioni dhe mosverifikimi i lajmit nga disa burime, e dëmton etikën gazetareske. Në Kosovë, siç thashë, jemi më të përmbajtur dhe kemi përgjegjësi ndoshta më të madhe, sepse edhe merren masa të drejta ndëshkimi ndaj gazetarit sa herë vërehet dëmtimi i etikës profesionale gazetareske. Nuk duhet të vijë çështja deri tek demanti. Do ta cek një thënie të aktorit tonë të njohur Bekim Fehmiu, i cili para disa vitesh pati marrë një shembull shpjegues për demantin: “Sikur të merret një thes i mbushur me pupla dhë të hipësh në majën e një rrokaqielli dhe t’i zbrazësh ato pupla, ato i merr era dhe i shpërndanë. A ka mundësi që t’i mbledhësh prapë të gjitha dhe t’i fusësh aty ku ishin? Është e pamunduar”. E thashë këtë duke dashur ta argumentoj çështjen e sensacionit, e verifikimit të lajmit dhe të etikës gazetareske. Nuk ndryshon shumë gazetaria në hapësirat shqiptare më atë Ballkanike dhe Lindore. Përafërsisht është i njetë mentalitet i punës dhe i informimit.
 -Si jeni ndjerë kur keni dhënë lajmet për herë të parë në Radio-Televizionin e Kosovës, përkatësisht  në radion“Blu Sky? Cili ka qënë keqkupimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj si gazetare?
Lajmet i doja shumë, i dua dhe sot! Isha e lumtur që më në fund isha në departamentin që e doja. Sigurisht nuk ishte hera e parë që isha para mikrofonit, sepse kisha 3 vjet që e realizoja emisionin tim “Fokus Letrar”, por lajmet ishin ndryshe. Përgjegjësi, seriozitet dhe objektivitet. Nga pëgjegjësia e madhe që më kishin angazhuar dhe e kisha pranuar me shumë qejf, sigurisht që në edicionin e parë kisha pak tremë se si po i transmetoj lajmet, por më vlerësuan shumë mirë dhe mora forcë për të vazhduar. Sot, kënaqësinë më të madhe e kam kur marrë vlerësime shumë pozitive jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga profesorët e mi, të cilët më nxorën si produkt të tyre nga Universiteti i Prishtinës.
- Çfarë mëkati i njihni vetes nga puna si gazetare e dy kohëve para dhe pas luftës në Kosovë?
  Para luftës isha studente, nuk kam punuar si gazetare. Ishte periudha e pushtimit, e represionit serb, e masave të dhunshme, kohë kur edhe studimet i bënim nëpër shtëpi private e lëre më të punojë dikush. Askush nuk kishte shansin më të vogël të punojë. Të gjithë studentët vijonim studimet pa shpresë për një të ardhme. Madje, kur bëheshim bashkë dhe diskutonim, i thonim vetes dhe nëjri-tjetrit se të gjitha këto investime po i bëjmë dhe në fund do të mbesim në shtëpi. Gazetaria e vetme, që bëhej në atë kohë ishte “Rilindja”, gazetë kjo me traditë, me vlerë dhe që i mbijetoi stuhisë, e cila u ndalua në mënyrë të egër nga pushtuesi serb, por që ajo vazhdojë të dalë me emrin “Bujku” e që u bë gazetë gjoja për informimin e buqjve. Por ajo prapë e ka luajtur rolin e vet të madh dhe përmes saj informoheshim. Ka pasur edhe ndonjë revistë ose fletushkë ilegale. Mëkati i vetëm që mund ta quaj deri më tani në punë time, të cilën e kam filluar në vitin 2002, nuk është i imi por i kohës. Nuk kisha jetë, moshë dhe këtë profesion, që ta intervistoja shkrimtarin e madh shqiptar Petro Marko. Por, dhe ai fatkeqësisht, nuk pati jetë më të gjatë. Vdiq, i vrarë siç ishte gjithë jetën. Ai nderoi kombin shqiptar në çdo moment të jetës së tij madje edhe në brigadën internacionale. Ai pati rastin disa herë të bëjë jetë luksi jashtë Shqipërisë, sepse e vlerësonin të tjerët. Por, jo. Ai tha: në Shqipëri kam lindur dhe, në Shqipëri do të vdes. Ai i ka dhënë gazetarisë dhe letërsisë shumë, e po ta linin, do t’i jepte dhe kombit. Për mua ishte dhe është, më atë pasuri letrare që na ka lënë, ndër perlat e letërsisë sonë. Këtë mund ta quaj mëkat të kohës dhe do ta kem peng gjithë jetën.
-Kam lexuar diku se ju kanë cilësuar si gazetarja më profesioniste në intervistim. Parasëgjithash përgëzime të sinqerta. Si lindi ideja e intervistimit, -si pjesë narrative jetësore e personazheve që përzgjidhni të vijnë në jetën e përditëshme, apo thjesht dëshirë...?
 Nëse jeni bazuar në librin tim “Kaleidoskop i Letërsisë Shqiptare”, po është e vërtetë se personalitetet e intervistuar më kanë dhënë kënaqësi të veçantë. Aty mund të vëreni se disa pyetje të njëjta ua kam bërë disa personaliteteve me qëllim që, për një çështje të caktuar, të nxjerr mendimin për çështjen e caktuar. Gjithsesi edhe si pjesë narrative jetësore ngase zhanri i intervistës është ai që të jep mundësinë që të bësh pyetje dhe të marrësh përgjigje nga ato koka, që nuk kemi pasur mundësi të lexojmë as në librat e tyre. Thjesht, të them, t’i kemi si këshilltar për probleme të ndryshme. Angazhimet janë të natyrave të ndryshme, por që intervistat me personalitetet e letrave shqipe më kanë dhënë satisfaksion. Kjo korrespondon gjithmonë me studimet e mia që i kam bërë dhe po i bëj për letërsinë. Kjo lëmi më ka dhënë privilegjin të intervistoj edhe Ismail Kadarenë, fjala letrare e të cilit peshon shumë në botë, pastaj akademikun dhe profesorin tim Rexhep Qosja, mikun tim tashmë të ndjerë Ali Podrimja, shkrimtarët e mëdhenjë Dritëro Agolli, Fatos Kongoli e Fatos Arapi, poetin Xhevahir Spahiu, për të cilin kam respekt të veçantë. Ai më pati nderuar me prezencën e tij në përurimin e librit tim të botuar në Tiranë në vitin 2010 dhe fotografinë me të e mbaj edhe sot në dhomë, pastaj intervistën me ushtarakun, ish-presidentin e Shqipërisë dhe shkruesin e vëllimeve me kujtime Alfred Moisiu,  e shumë e shumë personalitete të tjera, jo vetëm nga lëmi i letërsisë, por edhe të profesioneve të tjera të veçanta.
-Si jeni ndjerë kur keni intervistuar për herë të parë, ku dhe kush ka qënë ai/ajo? Na tregoni si arrin ta bësh intervistuesen, procesin e mbledhjes dhe vënien së bashku të gjitha elementet intervistuesë? Cilat janë disa nga sfidat?
 Personaliteti i parë që kam intervistuar ishte profesori im i nderuar i Universitetit prof. dr. Agim Vinca. Është profesor më shumë kritere, studiues i letërsisë dhe poet. Ishte emisioni im i parë që e realizoja dhe e ftova në studio për të diskutuar për romanin e ri të shkrimtarit Ismail Kadare “Pasardhësi”. Profesor Vinca është një njohës shumë i mirë i letërsisë dhe mendova se ai mund të fliste me shumë kompetencë dhe të bënte analizë objektive për këtë roman, që flet për vrasjen ose vetëvrasjen e Mehmet Shehut, apo likuidimin politik të tij. Aty përmenden Prijësi që është Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu që konsiderohej Pasardhësi, por që nuk u bë. Kjo ishte tema e parë që e biseduam me profesor Vincën e që ishte intervista ime e parë. Natyrisht, unë isha shumë e re në profesion dhe profesori e kuptonte këtë. Pranoi të vinte duke dashur të më jipte edhe përkrahje morale në detyrën time që më prisnin shumë sfida. Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, por edhe e ndrojtur sigurisht ngaqë një profesor me kritere siç ishte Vinca dhe që e kujtoja si ishte ai në ligjërata dhe në provime, i pata të njëjtat ethe edhe pse atë ditë isha unë në rolin e tij në studio. Sfida e parë është bindja e personazhit për të pranuar ftesën dhe sfidë tjetër e quaj përgatitjen e duhur apo profesionale lidhur me atë që do të flitet në studio.
-Para se të bëni intervistën tuaj me personazhe të profileve të ndryshme, a bëni kërkime në sfondin e tyre? A e keni të vështirë për të artikuluar pyetjet?
 Po, patjetër. Kjo është e pashmangshme. Gjithmonë marrë informacionet që më duhen për të trajtuar temën, përgatitem si duhet që të jem serioze edhe para të ftuarit edhe para dëgjuesit. Ky është obligim moral dhe profesional. Kur pajisem me informacionet e duhura atëherë nuk e kam të vështirë aspak t’i artikulojë pyetjet.
- Sa shpesh ju merrni e-mail nga autorë, intelektualë, shkrimtarë,poetë, këngëtarë, publicistë, personazhe publikë të profileve të ndryshme që kërkojnë të intervistohen, apo anasjelltas..?
Në fillimet e mia profesionale, kishte kërkesa nga shumë intelektualë, sidomos nga njerëzit e penës, që t’i intervistoja, punë kjo që e kam kryer në pjesën më të madhe të punës sime, natyrisht duke respektuar vlerat e tyre. Këto kërkesa zgjatën për një kohë të shkurtër, sepse, sipas pohimeve të shumë prej tyre, doli se ata kishin krijuar tashmë besim se edhe pa kërkesën e tyre, unë i ndiqja vlerat krijuese dhe intelektuale të tyre që t’i shprehja para opinionit.
- A ka ndonjë moment paralel gjatë eksperiencës tuaj, që si rrjedhojë ka sjellë edhe këndvështrimin paralel mbi përvojën jetësore, social-politike e historike?
 Jo vetëm një moment, por brenda meje përjetoj shumë momente të tilla, të cilat gjithnjë hapin horizonte të reja të njohjes, dhe të cilat ma pasurojnë, jo vetëm jetën profesionale, por edhe më mbushin me përvoja të pasura jetësore, sociale, politike dhe historike.
- A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetare profesioniste dhe një nga më të kërkuarat e më të pëlqyeshmet e shtypit kosovar dhe atij shqiptar në tërësi, në të dyja kahjet e kufirit Shqipëri- Kosovë, nuk e ekzagjeroj nëse them në Ballkan?
 Unë mendoj që duhet të punoj edhe shumë e shumë dhe gjithë jetën për të arritur të bëhem profesioniste, sepse gazetari çdo ditë ka provime para opinionit publik. Dhe një ditë mund të mos e japim një provim dhe humbet gjithë ajo që ke krijuar. Fëmijërinë nuk e kam pas të lehtë dhe as si fëmijët e tjerë. Si më e madhja nga tetë fëmijët (4 motra dhe katër vëllezër, ndërkohë që vëllau i madh më vdiq në moshën 20 vejçare më 1997), jam detyruar të marrë obligime ndaj prindërve dhe ndaj vëllezërve e motrave dhe isha betuar që do mundohem t’ua plotësojë atë zbrazëti të përjetshme. Kjo më ka bërë shumë të fortë dhe tejmase luftarake, por brenda suazave të normales. Sigurisht që kur kam hyrë në këtë profesion gjithmonë kam menduar se duhet të punoj për të qenë e suksesshme. Sa jam, më vlersojnë të tjerët, dëgjuesit që për mua janë të shenjtë.
- Ju gjithashtu aktualisht jeni gazetare e Radio Kosova 2 dhe moderatore e Fokusit Letrar, pra për letërsinë. Pra ajo c’ka unë dua të theksoj; kombinimi i letërsisë me publicistikën në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së suksesshme, por edhe një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër. Si ia arrini ju ta realizoni këtë gjatë intervistimit me njerëzit e letrave shqipe?
 Jam gazetare dhe folëse në lajmet e shkurtëra dhe në edicionet qëndrore në Radio Kosova – në programin e parë dhe në programin e dytë, si dhe autore e emisionit për letërsinë “Fokus Letrar” në programin e dytë me vite të tëra. Përvoja 11-vjeçare më ka mësuar se publicistika dhe letërsia nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët. Derisa në publicistikë duhet referuar vetëm fakteve, letërsia lejon pa kufi imagjinatën. Pra, bëj pyetjen konkrete në stilin gazetaresk, ndërsa përgjigjen e marrë varësisht nga metoda e përgjigjes së intervistuesit. E rëndësishme është që nxjerret në pah mendimin konkret të personazhit që intervistoj.
-Në jetën e përditëshme në Prishtinë apo Tiranë ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës, intelektualë e qytetarë të thjeshtë, figura të njohura të kombit të politikës shqiptare dhe kosovare. Sa është prezent atdheu ynë Shqipëria e çështja shqiptare, vecmas ajo e Kosovës e Camërisë në marrëdhëniet me ta?
 Kanë ndryshime të mëdha dhe, herë herë të paimagjinueshme, të gjitha këto çështje që i shtroni. Në takimet e përditshme jo zyrtare, të gjitha këto bisedohen, trajtohen dhe u gjenden zgjidhjet, duke thënë se pa “vdekur” një herë e mirë vrapi i unëve të uritur, jo për të mirën e vendit dhe të kombit, por vetëm për veteven në pushtet, historia e dhembshme e atdheut të copëtuar do të vazhdojë. Edhe retorika e përditshme e pushtetarëve dhe e politikanëve shqiptarë në pozitë dhe opozitë në këto gara shpalohet me plot frymëzime të tilla, ndërkohë që praktikën në kahet e triumfit kombëtar e kanë kryesisht të ndërkyer.
- Është e natyrëshme që mjedisi kosovar në Kosovë , karakterizohet nga ndjenja patriotike, atdhedashuri, krenari,vlera e identitet kombëtar. A ka ndikuar në publicistikën tuaj dhe a i kini numuruar botimet e shkrimeve dhe intervistat tuaja në këto vite?
 Një popull dhe një vend i pushtuar nga vetvetja, siç ishte populli  dhe Shqipëria nën regjimin e egër enverist, i lodhur plotësisht nga patriotizmi ideologjik, në realitet ndryshon shumë nga populli shqiptar në Kosovën e pushtuar nga sllavët e jugut, i cili përgjatë gjithë kësaj historie pushtuese, nuk prajtën asnjëherë përpjekjet shumë sakrifikuese për liri dhe çlirim. Natyrisht, të gjitha këto kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë edhe në jetën time publicistike dhe në shumë rrafshe të tjera.
-Në edicionet qëndrore të lajmeve, në emisione të vecanta trajtoni tema nga jeta e përditëshme e njerëzve të thjeshtë, familjeve brenda kornizave të mentalitetit shqiptar. Si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Si mund të reflektojë shoqëria kosovare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Jeta në Kosovë nuk është e lehtë, sidomos tek njerëzit dhe familjet skamnore. Diferencat sociale brenda këtij populli janë dhe po bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Ata që s’kanë, kërkojnë bukën e përditshme, ata që kanë me bollëk, kërkojnë të kenë edhe më shumë, që do të thotë janë fare të pangopshëm. Megjithatë, kategoria e njerëzve dhe e familjeve skajshmërisht të varfëra, duken të jenë më të shëndetshëm dhe më të dinjitetshëm. Më pak, bile shumë më pak janë pjesë e drogës, pjesë e krimit në krahasim me ata që kanë kushte të larta ekonomike, të cilat i kanë këto mundësi droge dhe këto mundësi krimi.
- Cfarë ju pëlqen dhe cfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si gazetare profesioniste e karrierës, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit?
 Unë e dashuroj punën time dhe e kam ëndërruar veten, siç thashë, në profesionin e gazetares. Nuk ka diçka që nuk më pëlqen. Mund ndoshta ta potencoj çështjen e minutave dhe të sekondave që duhet të respektohen gjithsesi dhe ka situata që je me shumë stres dhe duhet të jesh gati me lajmin e fundit. Kjo është edhe njëra ndër karakteristikat e radios, shpejtësia e dhënies së lajmit sesa në gazetë dhe në TV. Sa i përket traditës dhe realitetit që përzihen me vlerat fetare, do ta citoja një thënie të Mahatma Gandit, i cili kishte thënë: "Unë hedh poshtë çdo doktrinë religjioze që nuk i thërret arsyes dhe është në konflikt me moralitetin”. Religjioni është edukim por nuk e kuptoj dot që në këtë shekull ka njerëz që janë ekstrem fetarë. Dihet që religjioni është përhapur me dhunë dhe për arsye të caktuara. Secila fe dhe secili sekt që sot janë bërë aq shumë, e kanë gjoja të nejtin qëllim për të besuar te Zoti. Atëherë pse ekzistojnë të gjitha këto kur ekziston vetëm një Zot?! Ka shumë militantë fetarë që nën petkun fetar e shfrytëzojnë shoqërinë duke përfituar nga ajo, që po ta analizojmë është në kundërshtim me atë që thirren. Shembull do ta marrë një rast të fundit që ndodhi në Kosovë kur një fetarë i “devotshëm”, petkun fetar e shfrytëzonte të bënte biznes me drogë! A nuk është absurde kjo? Pra, mendoj që nuk kemi nevojë të bëhemi fetarë në shek 21. kur jemi të vetëdijshëm për gjithçka. Besimi është shumë personal dhe s’ka të drejtë të diskutohet nga askush por dhe as të imponohet. Unë kam shoqëri të ngushtë të të gjitha përkatësive fetare dhe i kam të atij niveli që të gjithë mendojmë përafërsisht njejtë për këtë çështje.
-A kini botuar libra me publicistikë dhe natyra e të shkruarit tuaj? Si e ndjeheni pas gjithë kësaj periudhe që jepni lajmet, intervistoni, apo shkruanin ?
 Të vetmin libër që e kam botuar deri tani është libri letraro – publicistik “Kaleidoskop i letërsisë shqiptare”, të cilin kam arritur ta përfundoj pas 5 vjetësh pune. Kam punuar ngadalë, por duke u munduar që të jetë me sa më shumë vlera. Jam duke punuar për vazhdimin e Kaleidoskopit, sepse me kanë mbetur edhe shumë personalitete pa i përfshirë dhe që nuk i kisha atëherë. Shpresoj të kem sukses sikurse me pjesën e parë. Ndjehem shumë mirë, por nuk kënaqem dhe jam e vetëdijshme se duhet të jap edhe shumë e shumë...
- A është i lirë shtypi sot? Si jeni ndjerë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve dhe hipokritëve, përballë vetëmburrjes dhe vetëbujës? Ç’kuptojmë me shprehjet “ vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”?
Varësia ekonomike përballë kësaj bote të frikshme të mediokritetit, të klaneve të interesit, detyron, jo vetëm shtypin, por dhe shtresat intelektuale të heshtin dhe brenda kësaj heshtjeje, të duken edhe të gjunjëzuar. Tashmë edhe në Kosovë buçima e patriotizmit të rremë shtrihet gjithandej dhe të nxitë, jo vetëm çudinë, por edhe neverinë.
-Kush ju mbështet shpirtërisht në karrierën tuaj të larmishme letrare e gazetare?
Prindërit e mi sigurisht janë ata që më shtyjnë duke më thënë: mund t’ia dalësh. Janë ata që më japin forcë dhe vullnet për gjithçka në jetë. Gjithsesi dhe miqtë e mi të ngushtë, me të cilët gjithmonë pothuajse diskutoj dhe konsultohem. Ata janë njerëz me shumë vlera, janë profesionist dhe mbi të gjitha, shumë të mirë. Jam e lumtur që i kam. Prindërit dhe miqtë, i kam PASURI, pasuri e cila nuk blihet por lind, ruhet dhe çmohet.
- Cilat janë aftësitë profesionale që gazetaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata që aspirojnë gazetarinë?
Sa i përket aftësive profesionale, them që mënyra e komunikimit është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe primare do të thoja, ta kenë shkathtësinë për të arritur deri te lajmi dhe të dinë se çfarë kërkojnë gjatë procesit të punës. Duhet ta duan profesionin që të kenë sukses. Pa e bërë punën me dashuri dhe me vullnet, nuk do të kenë të ardhme të ndritur profesionale.
-Kanë thënë për Vera Pelaj.....
 Është shumë korrekte, nuk luan me fjalën. Di me kë flet dhe kujt si dhe çfarë pyetjesh t’u bëjë!
-Cfarë nuk do të falnit në jetë?
Mashtrimin ose gënjeshtrën që është nëna e të gjitha të këqijave.
-Mesazhi për inteligjencën kosovare shqiptare....
Të jenë të bashkuar. Bashkimi bën fuqinë. Ata që kanë fuqinë ekzekutive, ta flijojnë veten. Kur e përmend flijimin, nënkupton ta flakin ndjenjën individuale dhe ta kultivojnë ndjenjën kolektive. Është koha për këtë. Dhe t’u kthehen ideve të rilindësve, sepse atje është baza e gjithçkaje të vleshme për të mirën e kombit.
Cfarë dëshironi të shtoni...
E ndjej përqafimin plot dashuri të Shqipërisë, por sikur nuk e ndjej këtë lloj dashurie të Shqipërisë në përqafimin që ma bën...
Bisedoi :Raimonda MOISIU


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: