Friday, 24 May 2013

Atrapos




... ose guri ku shtegu ishte një rrugë e vetme.

Nga Fatmir Terziu

Një gur i palëvizshëm është ende. Strehë
pritëse nën shi
dihma gazmore të ndjeshme
qafohen aty
ku nata lëviz me hijet e kohës
që binden tek poezia
një shteg ku unë harroj moshën
nën thinjat e mia.
Mos ik duke kujtuar se
do të mas largësinë e viteve të pritjes
pikërisht tek ai gur
sa herë që numëroje hapat e të tjerëve
të mijat i fiksoje në tru
si pragje dremitëse.
Mbi ne si mbi një pemë stinëçelur
pikin puthjet me nur
nga buzët rimat e shkërmoqura
treten në atë gur,
si një kufi për ditët e mbetura
gjurmë zjarri mes kujtimeve
blatosen ankthet si ngjizje bletësh
për të mbarsur vargjet jashtë rimimeve.
Bukuria jote ende vallëzon tek ai gur
me puthjen në natën gjysëmhënë
strukur në ashtin plot zhurmë
jam strukur nën jastëk po përgjoj në gjumë
botën e syrit ku u pikturova unë.
Për shkak të rimave. Nata
na vuri në gjumë
mbuluar me jorganin e mendimeve
të lara në detin me shkumë
brenda teje unë kurrë nuk shoh përtej teje
zemrës i vura pak gur nga ai Gur.


1-      Atrapos është një fjalë greke që do të thotë një “shteg”, një rrugë e vetme, sigurisht, ose trak, në të cilin çdo gjë lëviz ose ka lëvizur; linjë; pasazh. Gjithashtu përdoret në mënyrë figurative, në rrjedhën e jetës apo veprimit.

Artefakt
Nga Fatmir Terziu

E ndjej këtë majëngritje. Fallxhorrja
ma solli pikë në kallmin e kafesë
rrulla dhe metafora
u strukën poshtë globeve të njoma
në mermer
grua e murrosur në vetëdije të Koloseut
poshtë vizërimave amorfe të muzeut.
Thithkat më mbetën buzëve, syve
melhem që më mban zgjuar
në këmbë të Athinës moderne
ku zgjohem me gara kuajsh
dhe me hijen tënde
netëve gri buzëkafshuar.
Panteon ta quajta civilizimin
me emrin tënd origjinal në fakt
dhe aty lexova kohërat që villnin arkitekturën
e muzave me fat
me shikimin ngulur në hapësirën
që lag brigjet me mjaltë
ushqyer me gjijt që imituan natyrën
ti mbete e mbete artefakt!

Athinë, 28 Prill 2013

Afresk
... ose Hymni i mëngjeseve të dashuruara


Një frymë plastike përthyhet
dihatjet i shqep
një serenatë e ëmbël prej balade
të qepur krevatit. Si një grifshë
shkrafanjitur bubullimave të errëta
... më ç’akordon timbrin
e zërrit që shpallet interim
mbi akordet e shpirtit tim.
E mëngjesit është dashuria. Hymn
i reve që krihen në mish
ngritja e athët dhe rruga në provë
ardhur nga nata e errët
me kujdesin e shpirtit të brishtë.
Në djepin e shoshitur nga rrezet e diellit
lutje të reja magazinohen si psallme
të zgjimit vonë
në kanxhën e lavjerrësit që mat kohën
shtjellm ngulet hipnoza
ecje jerm në symbyllësi
deri kur hapet porta...
Aty ndjehem një peisazh
me fruta mëngjesi sallm
pikturoj vetvetiu. Artificial
mëngjesin e gjallë
mbi letra të lehta ëndërrash
dergjet si në përallë
një djerrinë e qetë panoramë
afresk i ëmbël mjaltë.
Këto penelime në mëngjes
janë vesime
për të njomur shpirtin e dehur
në luginën e përhumbur serbes
përgjatë pyllit të moteve.
Flashten sekondat, minutat, orët
si kanate të lehta
ledhatojnë si pupla sterile
ikjet metafizike nga dita
gjurmë të ëndërrave fosile
shkundje petalesh prej lulesh
të dashuruara mëngjeseve.

Infinit

Sot u përpoqa të njoh lëkurën time. Guackë
nomade që më vodhi muzikën e breshërit
për t’ia dhuruar fletëve teneqe të medaljeve
e tendosur nga ikja e reve në hapësirën zyrtare
me një satirë të ndukur nën dhëmbë shiu
që kafshojnë asfaltin si në mish njeriu.

... E mësyj të futem në lëkurën time
gërvisht çka di dhe mësuar në libra
dhelpëritë i gjej të fytkapura me kollare
e neveritur krejt dita
i ndotur ajri në infinit
meket drita një shpurë servile
që ysht rrugën nën lëkurën time.

Edhe poezia u ngut të pickojë lëkurën time
vargu u zhulat mes kanaleve mondane
e trishtë edhe jeta intime
gjithçka është arbitrare
dëshirat egoiste zukasin si miza
kaq ishte sot dita, e mbi të gjitha
vargun thurra si çorap me shtiza.

Lëkura më njeh, unë s’e njoh
me një shikim kallem në sojin e saj
dëshpërim, durim gjej dhe shoh
shtatë cipa hamendësh mundohem ti ndaj
e vjell me sy lëkurën e Tjetrit
në ikjen e tij konfuze rrugës
dhe i trishtuar i dorëzohem hiçit.

U trash lëkura ime u bë kallo
mbyll sytë para ndjenjës ikanake
në kokë mendimet bëjnë ballo
në mishin tonë prej kafshe
lëkura nuk vlen më asnjë pare
se u bë bajate nga zyrtarët
që ma shitën për të tyret pazare.



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: