Saturday, 25 May 2013

Flurudhë



Flurudhë
Ne kurrë nuk shkojmë tek mendimet. Ato vijnë tek ne.’ (Martin Heidegger)
Nga Fatmir Terziu

Kur retë ikin si planetë të vegjël. Drita
qëmton me grep çdo qelizë
ky shesh është një orë e madhe
një përrua i kurdisur
nga fjalët që thyhen nga gjuha
mbi një sfond kalku.
Nesër do të bëj një dush
asgjë tjetër në këtë shesh të vogël
një mal mendimesh është ngurrosur
si një trung apo kal i ngordhur
do të përfundoj trullosur
përgjatë deltës së zakonshme të shpirtit
nga përroi i vetë mendimeve.
As termat nuk janë më të tjera pas tretjes
planetët eranakë dremitën
si njehsim i rymave të ecjes
dielli u bë paq me ditën
posaçërisht në të qarë
e gjitha mes shpirtit manifeston grillën e shqepjes
praninë e njeriut nga fjala në fjalë.
Më shkulen vargjet si yje qiellorë
në muajin e tyre të (pa)arsyes së mjaltit
nga projektimi në qiellin e kafkës
planeti i ndezur i fatit
njehsim unikal i izobareve të kithëta
bulëzim fatal i shpirtit
ngre hartat absurde për çadra.
E ç’rëndësi ka në e lexoi qielli dritën
në filxhanin me gisht nën pështymë
kjo për të kallëzuar atë çka mbeti matanë
ku fjala thërmohet pa u shkepur
në hijen që pas nxitimthi lanë
dy zogj prej mendimeve vjedhur.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: