Saturday, 11 May 2013

I MIRI*



Tharm

Do të duhej bërë në skaj të çdo pike shiu
një hartëz. Jo një urbanistikë e tepruar
një planimetri arkitektësh gri
mbi dhomat e mbuluara trupore...
... po pse prapa murit tim dua ta di
prore mbrapa, zërat, prore?

Një rrëfyes më tepër nga udhë e ujtë
një qasje e pjesëve të shiut
aty ku hapen vetvetiu themelet
hyrje të pafundme, strehëza
shërbime dhe për-urtje të qeta
mbi krahë të shpalosura si fletëza.

Eh, duhet më tej edhe qetësia. Tenorët
drobitës jolinear ikës
në natën pus skelet kantieri
ku yshten damarët e fryrë pritës
si germa të gdhendura mermeri
që shkëlqejnë nga kafshimi i dritës.

Në kufij të cakut polar
çdo pikë shiu është bereqet
tej një muri ujor, përlotet, i ndritshëm
zambaku i ngjeshur në buqetë
i druajtshëm membranë e një kërcelli
lavjerrësi i orës godet.

Ende duhet bërë në skaj të çdo pike shiu
një hartëz. Jo një urbanistikë e tepruar
një planimetri arkitektësh gri
mbi dhomat e mbuluara trupore...
... po pse ende prapa murit tim dua ta di
prore mbrapa, mbetën zërat, prore?

Sharm

Nuk priti Dielli që Hëna të pastrohej
e pastër ishte e tëra atë natë.
Harpat rizgjonin statujat me mish të ftohtë
rrugë koralesh që zbulonin të gurtën e ndezur
lojën e fundit në skenën me trokthe të përfjetura
e lanë mbi tharmin e një gote të dehur.

Euridiçja qashtej në trastën e legjendave
Për të riformuar kolonën e munguar. Vertebra
të lakuara rresh në mjedisin prush
të natës plot fluskime në korr
pushtonin ngadheshëm Kumtrin
trupkafshuar mbete u meke më kot
e brishta ajrore pilivesë
teksa lapsi skiconte me kujdes.

Nuk priti Dielli që Hëna të pastrohej
E pastër ishte e tëra atë natë...

Skaj

Tashmë çerdhet e dallëndysheve montohen
Bina të tëra thajnë baltën nën sqep
dritaret luten me sytë nga Qielli
si nëna për foshnjën në djep
... të dëgjojnë sinfoninë e strehave.

Dredhëzat kanë shpërthyer gjokset
bulëzojnë kokrrat e tyre
shtrati është bërë pyll
i populluar me ëndërra
produkt i këtyre kompozimeve.

Në këtë rajon vrulli
unë eci si pelegrin
murg më mbeti tundimi
pas çdo kthese produkt trilli
shfaqet një fytyrë e rrezatuar
piktor është Dielli.

Trupi im është një sistem
Diellor i përvijuar
në orbitën e zjarrit.

Të bëra lëmsh janë rrezet
rënjët e mia prej mishi
në këtë udhesë konfuze
që të trazon edhe shpirtin.

Dallëndyshja ime zbukuruar
shpesh ka bunacë në faqe
kot turrem për ta takuar
me skajin e erës... bëj paqe.

Ikën kaltërsisë gërshërë
e brishta puth dheun kokëulur
i ndreq gjërat menjëherë
që fluturimi ia ka shthurur.

Fashitje

Në këtë hapësirë
ende jam gjiton i huaj
muret më ngucin skeletin
hesht ta them ...
                    ... druaj
shkul dhëmbin e gjykimit.
Pa tavan e shoh këtë kuadraturë
peshtafe drite të mekët
drithëse, boshe e errët
fjalë që ulërrijnë: ‘Mjaft!’
pasthirma xhungle mbi asfalt.

Nuk e kuptoj ku bitis
mekanizmi i torbëikjes
s’ia dal mbarë ta ndaj
pëshpërimën e pritjes
nga vetë uturima e saj.

Trokthi i çalë i mendimeve
rrjepur mbi samarë të plasur
më kot i mbulon me fasha
plagët që çdo ikje ka hapur.

Pas angështisë së dritës
e kaltra më përshfaqet
mbjell ëndërrat e mesditës
kështu qenkan shkruar fatet.


I MIRI*

Sonte do të jetë natë. Gjërat
risqe të lodhura në mendjen tonë
çka takojmë sot, ka ekzistuar dje, e vdekur.
Po ta kuptonim sa errësirë kemi
në natësinë tonë, të nesërmen e kemi të dehur
një natë më pak në errësirën tonë
është sa gjurmë gëzimi, harresë
puthja e dritës: Mirëmëngjes!
Në tekstin e mumjeve leximi
lak i çufërt në remën me shtrëngatë
si shpatë e prushtë vegimi
dorën gjarpër e zgjat. Vonesa
një mangall për Dimrin
e plakur tekanjoz në radhë
endet këmbëzbathur në plazhin
drukalbur, mushama të fryra dhe shishe
ama flakë e mekët, si bari në ikje
murret plot afishe.
Grashinë e nxehtë rituale
uli dihmat grishëse edhe këtë natë
kjo errësirë nuk është virtuale
ama bëhet prush pa zjarr...
Sonte është natë. Fruta
të varur në pemën e gjumit
në trarë
në lazdrime të lumit
ushqim i gjuhës
ardhur qetë nga koha e MIRIT...

I MIRI *: Nga legjenda greke: Miri, (i miri djalë që u shfaq përkrah Herodotit) dhe më pas udhëtoi si simbolikë për të Mirin deri në ngjizjen e Haxhi Pashës së viteve 1762-1775, me tiparet e qetësisë dhe butësisë, kulturës dhe urtisë, dhe u quajt me emrin I MIRI.

Çufërt: Këtu mbiemër i ardhur nga druri Çufë, në një përdorim lokal.



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: