Thursday, 9 May 2013

Koktej me kaltërsinë



Nga Fatmir Terziu

Koktej me kaltërsinë


Meraku më zë me Detin
Sytë e tij t’ja vë në direk të anijes
thesarrin e fshehur poshtë koraleve
ta shkruajë me dallgë në librat e dijes
më besoni të paktën këtë merak
miq të Detit, Tokës dhe Diellit
nuk është përrallë...

Lëkura e qiellit si pelerinë e arnuar. Natën
Sillet ngamund e përdalë
Të rrjep edhe këtë arsye të patundur
Shirra lotësh të ngjallë
Mbi tokën e lashtë të përgjumur
Ej gjumësi e përçudnuar
A do zgjohesh ndonjëherë vallë?

Kokat peshojnë si klithma hapësire
Qiellin pezull mbajnë si dollamë
Nën duvakun e shkyer natën e dasmës
ku kollaret mbi stola i lanë
të ftuar e të paftuar sikleti i radhës
të urtit yje nga larg
ç’panoramë syve u lanë?!

Ikës të shkyer mbetën tej larg
Deti i trazoi me yrysh
koktej në qiell të hapur një natë
me kupa të kaltra sysh...
... dehen,
vetëm vargjet që u lanë nën gurrë
për zemrat që digjen furrë.

Meraku më zë me të kaltrën e Detit
stuhi e vezullim i qartë
shampanjë e hënës në majë
shkrumbohet e bëhet togëz
mes dallgëve unazë,
një natë pa pelerinë mbi trupmish
ku fshihet gishti i Tokës.

Deti u ysht me kaltërsinë
Frymën e dehu me aromë koralesh
Aty ku Yjet kafshatën e tyre e ngjyejnë
Larmi e pafund vallesh. Koktej
molitur me butësinë e fytyrës
në zgjoin e natës mes harkut të valës
rob i lidhur në krahët e hapësirës.
Kaltërsia më mund

Ulem në ranoren e imët, i zhveshur, mit
i një fizioterapie të qetë
sytë në një vegullim të reflektuar.

Gëlon brendësia,
e pangopur në pafundësi,
bëhem dallgë e dallgëve, ia beh
këmbët fitojnë bashkëpronësinë e kaltërsisë
një shenjë amëshie. Flirtoj
pacient i pashërueshëm i ndjesisë
kaltërsia më mund.

I kacafytur me stërkalat e bashkëndarjes
lexoj përthyerjen e rrezeve,
katabazën e tyre.

Qëndroj mbi lavjerrësin e dallgëve,
shikoj ekranizimin e botës
të ngrijë mbi telajo, mbi shkrumbëzim
të kësaj dite artificiale, kapluar
përmbi arterie dixhitale të zjarrta
në rrjedhën e kompjuterit
struk pallavra.

Ia qep sytë kësaj kornize të qelqtë
ku kokrrizat udhëtojnë papushim
të marr një shenjë
prej kaltërsisë që u shfaq mbi gurë
ngulur si plazma mes venave
të ngrira në pozë nga legjendat
për muzeumin e zemrave.
Qasje

Sikur fjala ti mungojë vetvetes. Halli
malhumbur do të mbetej mes gjuhëve
horizonti i tij lakorja
që bluhet zyrave
i qelqltë prapandjekës.

E majta e fjalës e djathta e saj
paradë e avullt djersitje imazhesh
truri një sahan ku gatuhet turli.

Ku e hedh hijen e vet fjala
passhpina e saj si do të jetë?

... nisin e bitisin tek të çarat e ditës
gjurmë të vetvetes nga pak
përtej fjalës mbi tisin grishës
çdo fjalë ka një lak.

Pra fjala është metamorfozë
shkaqet janë re në humbëtirë
vetë e ke fatin ta bësh bozë
sa herë që lypset për ta pirë.

Fjala ka trup dhe gjymtyrë
Është si një pus i kredhur në mish
Të plaset si mbetje në fytyrë
Këtë duhet mirë or ‘mik’ ta dish.

Metafizikë

Dera mbyllet me çivi. Fjolla
rrëshkasin tutje në muzgun që vlon
metafizikë e fortë e bririt
me natën pus valson
ti dremit duke parë ëndërra
harmonia që dergjet në botëfjetje
shkërmoqet nga e zhbëra.

Kënga e natës zgjon bulkthat
në dritare ke ngrirë
muzikën e largët kukullat
nga kujtesa ta kanë fshirë
një gjuhë të sajdis ndryshe
gotën ke lënë pa pirë.

Fletë e bardhë
si kroneja e syrit
ngutet të qëndis një iridë
si dikur aty poshtë blirit
kur sytë bënin pritë.

Qielli thjesht një imitim
përmbush mrekullinë e prehjes
ulet me kujdes në gjunjë
si kuajt pas dehjes
kodrat i pështjell deri në fyt
gjymtyrët në Tokë, dhe pikë.

Është teatri tekanjoz i shtratit
që paloset basorelieveve të murosura
një re ngrihet e një tjetër vrapon tutje
për ta dehur çarçafin me verë ëndrre.

Fashitje

Në këtë hapësirë
ende jam gjiton i huaj
muret më ngucin skeletin
hesht ta them ...
                    ... druaj
shkul dhëmbin e gjykimit.
Pa tavan e shoh këtë kuadraturë
peshtafe drite të mekët
drithëse, boshe e errët
fjalë që ulërrijnë: ‘Mjaft!’
pasthirma xhungle mbi asfalt.

Nuk e kuptoj ku bitis
mekanizmi i torbëikjes
s’ia dal mbarë ta ndaj
pëshpërimën e pritjes
nga vetë uturima e saj.

Trokthi i çalë i mendimeve
rrjepur mbi samarë të plasur
më kot i mbulon me fasha
plagët që çdo ikje ka hapur.

Pas angështisë së dritës
e kaltra më përshfaqet
mbjell ëndërrat e mesditës
kështu qenkan shkruar fatet.



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: