Thursday, 2 May 2013

LINDJA E TELEVIZIONEVE PRIVATE NË SHQIPËRI



Msc. Elvin LUKU 



Hyrje

Në këtë punim merret në shqyrtim një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së televizionit shqiptar: lindja e televizioneve private në vend nga viti 1995-2000.
Për të realizuar këtë studim janë shfrytëzuar materialet arkivore të dorës së parë, si: vendime, raporte dhe dokumenta të tjerë nga KKRT; analizë e artikujve e periodikëve të kohës; analizën e studimeve dhe raporteve nga institutet dhe organizatat e huaja; intervista me gazetarë e drejtorë televizionesh, pronarë e ish-pronarë televizionesh, ish-kryetarin e punonjës në KKRT; studimin e ligjeve për median eletkronike; referimin e autorëve bashkëkohor të komunikimit dhe të dhënave sasiore ekzistuese të paraqitura me tabela dhe në mënyrë grafike.

1.      Televizioni në Evropën Qendrore dhe Lindore post-komuniste

Pas rënies së komunizmit, u shtrua nevoja e një pluralizmi të medias dhe krijimit të të ashtuquajturit treg mediatik. Në rastin e televizionit, gjatë kësaj periudhe, në shtetet e Evropës Qëndrore dhe Lindore u vunë re dy tendenca: E para ka të bëjë me transformimin e televizionit nga shtetëror në publik, ndërsa fenomeni i dytë lidhet me liberalizimin e tregut dhe lindjen e televizioneve të para private, një pjesë e mirë e të cilave në mënyrë të jashtëligjshme.[1]
Ndonëse ishte shteti i fundit që rrëzoi komunizmin më 1990,[2] as Shqipëria nuk mbeti jashtë këtyre zhvillimeve. Më 25 dhjetor të vitit 1995 nis transmetimin televizioni i parë privat në Shqipëri, Shijak TV,[3] ndërsa ligji për “Median Elektronike”, që e cilëson TVSH-në një televizion publik dhe parashikon hapjen e TV-ve private, u aprovua më 30 shtator 1998[4] dhe hyri në fuqi më 4 tetor 1998.[5] Deri në këtë periudhë të miratimit të këtij ligji, në Shqipëri ishin hapur gjithsej 31 televizione private dhe dy studio prodhimi,[6] pjesa më e madhe e tyre u licensua në tetor-dhjetor 2000.
Në Evropës Qëndrore dhe Lindore është përzgjedhur si model zhvillimi ai i televizioneve në Evropë në krahasim me modelin amerikan, duke mos e privatizuar të gjithë tregun, por duke ruajtur televizionin publik. Zgjedhja e modelit në vendet ish-komuniste është pasuar në terren: a) liberalizim tërësor i tregut; b) hartimi ose përmirësimi i ligjit; c) rregullimi i disa prej problemeve të hasura në terren mes operatorëve dhe institucionit rregullator.[7]

2.      Hapja dhe konsolidimi i televizioneve private në Shqipëri

2.1 Lindja e televizionit të parë privat dhe dy operatorëve kombëtar në Shqipëri

Politizimi i tejkajshëm i medias së vetme vizive TVSH-së,[8] dhe vullneti politik për të mos bllokuar hapjen e TV-ve private,[9] ndonëse nuk parashikohej në ligj, i la rrugë të lirë fillimisht tezave të hedhura në shtyp për operatorë privat, ku nuk përjashtohej dhe kalimi i TVSH-së nga television shtetëror në privat. [10]
Pikërisht në këtë kohë, ndonëse jo nga ligjvënësit dhe nga TVSH-ja, ndryshimi erdhi. Më 25 dhjetor 1995 nis transmetimet e para televizioni Shijak TV, datë kjo që shënon lindjen e televizionit të parë privat në Shqipëri.[11] Ky televizion ndante ambjentet e një godine të përbashkët me Pallatin e Kulturës dhe Xhaminë.[12] Sikurse tregon vetë pronari i këtij televizioni, Gëzim Ismaili, i diplomuar në mjekësi, por me profesion biznesmen, ideja për hapjen e një TV-je lindi nga një bisedë e rastësishme miqsh, mes tij dhe inxhinjer Muhamer Çipit, të dy këta bashkëpronar të një dyqani “Riparim Televizorësh”, në Shijak. [13]  Në qershor të vitit 1995, z. Ismaili blen në Maqedoni një transmetues, për të ritransmetuar kanale të televizioneve të huaja,[14] por modeli që Shijak TV ndoqi, sipas tij, ishte ai italian. Programi i parë që u transmetua, në televizionin e parë privat në Shqipëri, Shijak TV, në formatin e transmetimit VHS, ishin filmimet me një kamera amatore në disa shkolla 8-vjeçare, ku fëmijët festonin Vitin e Ri dhe Krishtlindjet.[15]
Që nga ky moment e deri në nëntor të vitit 1998, një muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit për radion dhe televizionin, Shijak TV zhvendos studion qendrore në Tiranë dhe kalon nga sistemi VHS në Super VHS dhe Beta.[16] Pas transferimit, televizioni numëron edhe studiot në Shijak, Durrës, Kavajë dhe Lezhë, me një personel prej 19 punonjësish me kohë të plotë, nga të cilët 7 prej tyre gazetarë. 
Megjithëse Shijak TV konsiderohet si televizioni i parë privat në Shqipëri, një studim i Soros-it, thekson se transmetimet e para televizive të një stacioni shqiptar datojnë pak muaj më herët, në mes të vitit 1995, me shfaqjen e logos së Telenorbës Shqiptare me qendër në Bari të Italisë, në ekranet shqiptare. Megjithatë TNSH-ja, pjesë e Telenorba Italia, merr autorizimin zyrtar për të transmetuar në Shqipëri nga qeveria shqiptare, në prill të vitit 1996, muaj që shënon zyrtarisht lindjen e këtij televizioni privat në vend.[17]  
Përpara nisjes së transmetimeve të Shijak TV, në Tiranë, në fund të vitit 1995, themelohet studioja e parë e prodhimit “Gjeli Vizion”, nën pronësi të Agim Buxhelit. “Gjeli Vizion” ishte një studio televizive prodhimi e lëvizshme, që mundësonte një transmetim me katër kamera.[18]
Nga viti 1995 e deri në shtator të 1998-ës, kur aprovohet ligji për “Median Elektronike”, në Shqipëri ishin hapur rreth 33 operatorë privatë, ndërsa deri në fund të vitit 2000 janë hapur 51 televizione, ndër të cilët Shijak TV më 25 dhjetor 1995, televizioni i dytë privat Antena Jug në Gjirokastër më 21 prill 1996, televizioni i parë që nisi transmetimet në kryeqytet në maj të 1996 Alba TV, TVA në Tiranë dhe TV Rozafa në Shkodër në dhjetor 1996, Teuta TV në Durrës, në mars të 1997, TV Klan në tetor 1997, TV Koha në nëntor 1998 e Vizion TV në nëntor të 1999 në Tiranë etj…
Televizioni privat TVA, i cili më 14 nëntor 2000, licensohet nga KKRT si një nga dy televizionet kombëtare private bashkë me TV Klan,[19] ka nisur transmetimet e tij me sistemin VHS në dhjetor 1996 nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës (Piramida). Ndryshe nga pjesa më e madhe e televizioneve të tjera private, Tele Arbëria nisi transmetimet me program 24 orë, pa asnjë ndërprerje, dhe valët e tij mbulonin vetëm kryeqytetin. Programi i TVA-së në nisje të tij ka patur karakter artistik. Pas mesnate, TVA lidhej drejtpërdrejt me satelit me kanalin muzikor “MCM” ose me stacione të tjera të huaja.[20] Për t’u evidentuar është fakti që filmat dhe lidhjet satelitore të cilat transmetoheshin në TVA, ashtu si dhe në pjesën më të madhe të televizioneve private, ishin pa përkthim.[21] Ky fenomen nis të ndryshojë në fund të viteve ’90, në disa nga televizionet private të cilat nisin të konsolidohen, nga pikëpamja e financave, stafit, strukturës e programacionit.[22]
Miratimi i ligjit për Radiotelevizionin e gjen TVA-në të zhvendosur në katin e dytë të një ndërtesë në Rrugën e Kavajës, në një ambient të marrë me qera, ku qëndroi deri në fillim të vitit 2000, para se të ndërtoheshin zyrat e reja në Pallatin e Kulturës.[23] Gjatë kësaj kohe, ky televizion privat ndërton gradualisht stafin dhe deri në janar të 1999-ës është ekrani me numrin më të madh të punonjësve të angazhuar me kohë të plotë, që përllogaritet në 43 vetë. Nga këta një personel prej 10 vetësh (gazetarë e kameramanë) punojnë për departamentin e lajmeve, që, sikurse pohon edhe drejtori i informacionit të TVA-së në atë kohë, Rezear Xhaxhiu, përbënte fokusin kryesor të këtij televizioni. Në vitin 2002 inspektimet e Departamentit Teknik të KKRT-së, e përcaktojnë zonën e mbulimit të TVA-së me sinjal cilësor në 27.39% të territorit të vendit.[24]
Televizioni Klan, operatori i dytë që licensohet nga KKRT-ja në fund të vitit 2000 si televizion kombëtar, nis transmetimet e para në Tiranë, më 25 tetor të vitit 1997. Ndryshe nga stacionet e tjera, ky kanal fillon transmetimin me sistemin Super VHS, nga një vile trekatëshe në rrugën “Myslym Shyri”,[25] me një programacion vetëm me filma, por pa përkthim. Në qershor të 1998-ës, ky televizion nis të ndryshojë gjithë sistemin e transmetimit në Beta.[26] Krahas teknologjisë së përparuar në raport me kanalet konkurrente, televizioni Klan prezantohet në treg me 24 orë program, nga të cilat 7 orë e gjysmë transmetim në gjuhën shqipe. Deri në këtë kohë ky televizion transmetonte dy edicione lajmesh, në orën 19 e 30 dhe 23.00, për ta ndryshuar programacionin më vonë me 4 edicione lajmesh.[27] Përpara se ky kanal të ndryshonte ambientet e tij në të ashtuquajturën “Salla e Lojrave” në shkurt 1999,[28] Klan TV numëron një personel prej 41 punonjësish, nga të cilët 14 gazetarë dhe kameramanë. Emisioni i parë i transmetuar në frekuencat e këtij kanali televiziv ka qenë “Francë 1998”, një program sportiv i prezantuar nga Pandi Laço, Bledar Laço dhe Agron Llakaj. Ky operator pretendonte se deri në fund të vitit 2000 do të mbulonte 70% të territorit me sinjal, [29] megjithatë kjo statistikë e prezantuar në KKRT është e pasaktë, pasi në matjet teknike që institucioni rregullator ka kryer në vitin 2002 rezulton se, TV Klan mbulon 40.91% të territorit të Shqipërisë.[30]

2.2 Arritjet dhe ploblematikat e operatorëve televiziv deri në vitin 2000

Në pjesën dërrmuese të rasteve deri në vitin 2000, televizionet janë hapur pa një projekt të mirëfilltë dhe të specializuar për një nismë të tillë. Këtu mund të përmendim ambjentet në të cilat këto televizione janë ngritur, ku në 75 % të rasteve rezulton të jenë përshtatur në apartamente, kate vilash të marra me qera,[31] apo në një godinë me xhaminë, siç ishte rasti i TV Shijak.
Fuqia ekonomike e një televizioni shikohet edhe në stafin dhe teknologjinë që përdor. Rezulton se deri më 1999, vetëm tre stacione nga mbi 30 të tillë kishin një personel të përhershëm me mbi 35 veta, katër stacione me rreth 20-25 veta, ndërsa pjesa tjetër me një personel shumë më të vogël se aq. Megjithatë, këto të dhëna duhet të merren me rezerva, pasi ato bazohen në deklarimet e vetë pronarëve, të cilët një pjesë të mirë të stafit e punëson në të zezë, të deklaruar si part-time.
Sa i takon sistemit të transmetimit, pjesa më e madhe e operatorëve i kanë nisur transmetimet e para me kamera amatore VHS dhe, më pas, kanë kaluar në sistem gjysmë profesional Umatik apo SVHS. Në vitin 1999, vetëm TV Klan, TNSH dhe Alba TV, rezultojnë të kenë tërësisht një sistem transmetimi profesional Beta, ndërsa pjesa tjetër e televizioneve operonte me sisteme gjysmëprofesionale.[32]
Të ardhurat e një televizioni përmes reklamave deri në fund të vitit 1998 kanë qenë të pamjaftueshme për të nxjerrë shpenzimet e një televizioni, sidomos në rrethe. Koncernet e mëdha, që përbënin numrin më të madh të financimeve nëpërmjet reklamave si Coca Cola, kompania e sigurimeve INSIG, Deka Co., Albanian Interlines dhe Orbit Gum, operonin kryesisht në Tiranë. Çmimet e spoteve për një reklamë 30 sekonda (standardi i reklamave në atë kohë), varion nga 1000 lekë deri në 6000 lekë për transmetim, sipas stacioneve. Jashtë Tiranës, reklamat zgjasin nga 20 sekonda deri në disa minuta dhe pagesat variojnë nga 100 lekë deri në 3000 lekë për transmetim. Një burim kryesor të ardhurash për shumicën e stacioneve është përshëndetja nga ekrani i shikuesve, të cilët dërgojnë fotografi të shoqëruara me njoftime të ndryshme për ditëlindje, martesa apo thjesht për argëtim.
Nga viti 1995 deri në fund të 1999-ës vërehet një mungesë serioze e personelit me përgatitje apo përvojë në televizion. Ndonëse ka punonjës të TVSH-së të cilët ndihmojnë privatisht disa stacione, shumica e stafit nuk kanë patur ndonjë trajnim apo specializim në këtë fushë. Vërehet një mungesë e theksuar njohurish në përdorimin me efikasitet të pajisjeve që zotërojnë, ndërsa pjesa më e madhe e teknikëve në këtë periudhë kanë mbaruar inxhinieri elektrike.[33]
Sa i përket gazetarëve, pjesa tjetër e tyre vinin kryesisht nga gazetat ose nga bankat e shkollave të degëve gjuhë-letërsi, ekonomik dhe më vonë gazetari.[34] Duhet thënë se puna si gazetar, sidomos ata me më shumë përvojë, paguhej mirë në raport me profesionet e tjera në Shqipëri. Po të bëjmë një krahasim, një drejtor drejtorie në ministri në vitin 1999 kishte një pagë bruto 44 330 lekë në muaj,[35] ndërsa një kryeredaktor ose një drejtor televizioni, në të njëjtën periudhë, kishte një pagë nga 50 000 – 100 000 lekë në muaj.[36]
            Në këtë periudhë, sipas një studimi të qendrës së mediave dhe fondacionit Soros, pjesa më e madhe e programacionit 24 orësh mbushej, në një mesatare të mbi 30 televizioneve, me 7 orë trasmentim në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa tjetër me lidhje direkte me kalalet e huaja që në mbrëmje vonë e deri të nesërmen në mëngjes.[37]
            Pavarësisht këtyre konstatimeve, duhet thënë se këta operatorë kanë punuar në kushtet e një destabiliteti politik dhe social, sidomos gjatë krizës së marsit 1997. Shumë kanale u detyruan në atë kohë të ndalonin transmetimet për periudha të ndryshme. Një ndër ekranet më shumë të prekura nga trazirat e 1997-ës është televizioni Antena Jug në Gjirokastër, i cili pati humbje financiare që përllogaritej në 25 mijë $, gjë që e detyroi këtë stacion të mbyllte transmetimin, për ta filluar atë disa muaj më vonë.[38]

3.      Themelimi i KKRT-së dhe licensimi i televizioneve private

Më 30 shtator 1998 miratohet Ligji për median elektronike, i cili shfuqizon ligjin e miratuar më 1997 dhe atë të 1991-ës “Për Statusin e Radiotelevizionit Shqiptar”,[39]  rregullon organizimin e mediave publike dhe përcakton KKRT si një organ rregullator të operatorëve radioteleviziv privatë me të drejtë të licensimit ose pezullimit të licenses së tyre. Megjithatë, edhe pse kuadri ligjor ishte i plotë, për më shumë se një vit asnjë nga operatorët privatë nuk u licensua dhe KKRT ekzistonte vetëm në letër. Në zbatim të ligjit “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, në verë 1999, Parlamenti miratoi KKRT-në dhe më 21 janar 2000, ky institucion nxorri njoftimin nëpër gazeta se do të fillonte procedurën e licensimit për të gjitha stacionet e radios dhe të televizionit që kishin filluar të transmetonin para datës 8 dhjetor 1999,[40] datë kjo që shënon lindjen e këtij organi regullator për mediat elektronike.
Në fillim të vitit 2000, KKRT ndodhet përballë një realiteti konkret ku televizionet operonin në kushtet e ilegalitetit. Nga njëra anë, ky institucion rregullator kishte në tryezë ligjin, ndërsa, nga ana tjetër, ishin operatorët me probleme të mëdha në spektrin e frekuencave,[41] detyrimet fiskale, shtrirjen dhe cilësinë e sinjalit, programacionin dhe problemet etike, filmat pa titrim, piraterinë e programeve, punën në të zezë të gazetarëve etj., dhe presioni i tyre mediatik, sidomos në prag të dhënies së licensave lokale e kombëtare. [42]
Nëse do të zbatohej në mënyrë rigoroze ligji, atëherë KKRT duhet të urdhëronte mbylljen e të gjithë transmetuesve deri në procesin e licensimit. Por ky institucion nuk veproi në këtë mënyrë me arsyetimin se një masë e tillë mbi median do të ishte një goditje për demokracinë dhe gjithë shoqërinë, e cila vinte nga zhvillime dramatike si ato të 1997-ës.[43] Këshilli Kombëtar zgjodhi rrugën tjetër, atë të “amnistisë”. Televizionet, të cilat që nga miratimi i ligjit e deri para licensimit nuk kishin paguar asnjë lloj takse për këtë veprimtari ,[44] qëndruan të hapura, u njohën me kushtet teknike dhe ligjore që duhet të plotësonin për të përftuar një licensë dhe kishin në dispozicion një afat të caktuar për përmbushjen e këtyre kushteve për licensë lokale dhe kombëtare.
Megjithë akuzat në drejtim të KKRT-së, edhe pse një pjesë e mirë e transmetuesve kishin sisteme amatore, ky institucion ka skualifikuar vetëm tre nga 51 operatorët që kishin aplikuar për licensë, pasi Këshilli inkurajonte sidomos televizionet lokale, si një mjet informimi, kulture e argëtimi. Sa i takon televizioneve kombëtare, licensimi i tyre është bërë përmes një sistemi pikësh për çdo kriter teknik e ligjor. 
            Pavarësisht akuzave politike, dhënia e kufizuar e dy licensave kombëtare në fund të vitit 2000, rezulton të jetë për shkaqe teknike,[45] ndërsa tarifat që televizionet paguanin për licensë ishin 10 000 dhe 15 000 lekë në vit për TV lokale e 5 milionë në vit për TV kombëtare. Ndryshe nga media e shkruar, operatorët radiotelevizivë i nënshtrohen një procesi licensimi të posaçëm për shkak se përdorin një burim të kufizuar kombëtar, spektrin e frekuencave. KKRT e ka siguruar hartën e frekuencave në rang kombëtar vetëm në fund të vitit 2002.[46] Ish-kreu i KKRT-së, z. Sefedin Çela thekson se mundësia e kufizuar për licensa bën që ato të jenë privilegj i atyre që e fitojnë këtë të drejtë duke konkurruar sipas ligjit, pasi në fund të fundit duhet thënë se frekuencat janë një pasuri kombëtare.[47] Sa i takon faktit se pse janë dhënë dy licensa, z. Çela sqaron se së pari është dhënë më shumë se një licensë për të shmangur mungesën e konkurrencës, së dyti për shkak se mungonte harta e frekuencave dhe së treti sepse numri i operatorëve kombëtarë nuk mund të  jetë i pakufizuar për arësye teknike, por edhe sepse nuk ka treg për licensa televizionesh kombëtare të palimituara.[48]  
 KKRT, në mbledhjet e datave 23 dhe 30 tetor, 14 nëntor dhe 11 dhjetor të vitit 2000 licensoi 80 operatorë privatë lokal dhe kombëtarë, nga të cilët 45 për transmetim të televizioneve lokale, dy për televizione kombëtare, një për transmetim satelitor[49], - pra rreth 30 % e operatorëve vizivë aktualë në treg. Ndryshe nga sa është përcaktuar në raportin e Institutit Shqiptar të medias për vitin 2007 dhe punimin e koleges Tare të botuar në vitin 2008, në të cilin thuhet se “në Shqipëri, shumimi i stacioneve televizive ndodhi vetëm pas vitit 2000”,[50] na rezulton se numri i televizioneve private të licensuara në periudhën 1995-2000 është 48 televizione, thuajse i barabartë me licensimet që janë bërë deri në 2005, me 47 operatorë të rinj.[51]
            Në vitin 2001, KKRT licenson 15 televizione dhe 3 radio, të cilat dalin në transmetim vetëm pas miratimit të licensës, fakt ky që përbën progres për disipliminin e operatorëve dhe moslejimin e transmetimeve të paautorizuara.[52] Kjo periudhë e në vijim shënon fazën kur Këshilli Kombëtar konsolidon gradualisht infrastrukturën që shënon kulmin pasi ky institucion rregullator vë në punë Qendrën Lëvizëse të Monitorimit në të ashtuquajturin projekti “DANIDA”, dhe ku gëzon autoritetin e plotë mbi operatorët pasi fiton të gjitha betejat ligjore me ta.[53]

Përfundime

Periudha e lindjes së televizioneve private në Shqipëri karakterizohet nga disa tipare kryesore:
1.      Hapja e televizioneve private të palicensuara, si pasojë e mungesës së ligjit dhe të një organi rregullator siç është KKRT, nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por një ngjarje që ka ndodhur në pjesën më të madhe të vendeve ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore.
2.      Skema e veprimit në terren me tregun mediatik në gjithë këto shtete ka qënë a) liberalizim tërësor i tregut; b) hartimi ose përmirësimi i ligjit; c) rregullimi i disa prej problemeve të hasura në terren mes operatorëve dhe institucionit rregullator.
3.      Ngritja e televizioneve të para private ka ardhur nga iniciativa rastësore biznesmenësh që në pjesën dërrmuese e njihnin shumë pak funksionimin e një televizioni. Stafi teknik dhe redaksional ka qenë jo profesional ndërsa sistemet e transmetimit në 90% të rasteve kanë qenë amatore ose gjysmë profesionale. 
4.      Televizionet operonin në kushte shumë të vështira financiare, ndonëse deri në vitin 2000 ato kanë qenë të regjistruara vetëm si biznese dhe nuk janë taksuar për përdorimin e frekuencës si pasuri kombëtare. Në 75% të rasteve TV-të kanë qenë të përshtatura në ambjente vilash apo apartamentesh të marra me qera. Një pjesë e mirë e gazetarëve punonte në të zezë, ndërsa fitimet nga reklamat ishin shumë të vogla, edhe për shkakun se bizneset më të mëdha operonin në Tiranë.  
5.      Në 1999 rreth 75% e operatorëve kanë transmetuar 24 orë në ditë, por vetëm 7 orë kanë qenë transmentim në gjuhën shqipe. Pjesa tjetër mbushej me filma, lidhje direkte me kanale ndërkombëtare muzikore, ndeshje sportive, dokumentarë etj., të piratuar dhe pa përkthim në gjuhën shqipe.
6.      KKRT nis punën në një kohë kur televizionet private ishin një realitet. Institucioni rregullator nuk i mbyll këto televizione por i “amniston” dhe i krijon mundësinë të futen në garë për të plotësuar kushtet teknike dhe ligjore, për përftimin e një license kombëtare ose lokale.
7.      Në katër mbledhjet e mbajtura deri në fund të vitit 2000, KKRT licenson 48 nga 51 televizionet në treg, nga të cilët 45 me licensë lokale, dy me licensë kombëtare, një si televizion stelitor dhe skualifikon tre televizione.
8.      Frekuenca e licensimit të televizioneve private rezulton të jetë e njëtrajtshme në 5-vjeçarin e parë (1995-2000) me 48 operatorë televiziv dhe 47 të tillë në 5-vjeçarin e dytë (2000-2005).
9.      KKRT konsolidohet si institucion në fund të vitit 2002, kur zotëron hartën e frekuencave në rang kombëtar, vë në punë Qendrën Lëvizëse të Monitorimit në të ashtuquajturin projekti “DANIDA”, dhe ku gëzon autoritetin e plotë mbi operatorët pasi fiton të gjitha betejat ligjore me ta.











Bibliografi

Botime:
Biberaj Elez, Shqipëria në tranzicion: rruga e vështirë drejt demokracisë, Tiranë, Ora 2001
Brez Jefferey A.. Vlerësimi i industrisë së televizioneve private në Shqipëri. SOROS/IREX, 29 Janar 1999
Fuga Artan. Media, Politika Shoqëria (1990-2000). Tiranë: Dudaj, 2008
Fuga Artan. Ikja nga kompleksi i Rozafës, Pejë, Dukagjini 2001
Guidë për mediat elektronike, Instituti për Studime Publike dhe Ligjore, Tiranë, Janar 2000 Katheleen Imholz, Elina Koçi, Robert Rittler. E drejta e mediave elektronike në Shqipëri. Tiranë: Horizont, Janar 2001
Monitori Shqiptar i Medias 2003, Qëndra Shqiptare e Monitorimit të Medias, Tiranë 2004
Monitori Shqiptar i Medias 2004, Qëndra Shqiptare e Monitorimit të Medias, Tiranë 2004
Sparks Colin, Komunizmi, Kapitalizmi dhe Mass-Media. Tiranë 2000, Instituti Shqiptar i Medias
Television accros Europe: regulation, policy and independence, Volumi 1, Monitoring Reports 2005, Open Society Institute

Periodikë:
Bungo Alda, “Televizionet private shqiptare nuk flasin shqip”, Albania, 20 mars 1998
Çela Sefedin, “Mediat elektronike – realitet dhe sfidë”, Media Shqiptare, Nr. 8, tetor-dhjetor 2000, AMI, IREX SOROS
Çobani Agron, “Televizionet private pa strukturë dhe pa profile”, Gazeta Shqiptare, 23 korrik 1998
D.M., “Kush punon në Televizion”, Koha Jonë, 9 nëntor 1996
Hoxhalli M., ““Shijak TV”, televizioni i parë privat në Shqipëri në katërvjetor”, Koha Jonë, 29 Dhjetor 1999
Kaos në dhënien e licensave kombëtare të televizioneve private”, Koha Jonë, 14 nëntor 2000
Pepo Ylli. “E ardhmja i takon vetëm Televizionit privat”, Koha Jonë, 13 prill 1995
Strakosha Bledi. ““Tele Arbëria”, 24 orë program”, Gazeta Shqiptare, 21 janar 1997
Stafi i TV Koha, Konkurrencë e pandershme e televizioneve private. Fillon lufta e valëve”. Koha Jonë
Tare Ilva. “Shpërthimi i kanaleve televizive private në Shqipërinë pas komuniste”, Polis 8, Dimër 2009
Televizionet private drejt ekspansionit në Shqipëri”, Koha Jonë, 24 dhjetor 1998
Xhunga Rudina. “Do vendoset rendi në televizionet private”, Zëri i Popullit, 8 shkurt 2000

Ligje:
Ligji Nr. 7524, datë 19 nëntor 1991, “Për Statusin e Radiotelevizionit Shqiptar”
Ligji nr. 7756, datë 11 tetor 1993, “Për shtypin”
Ligji Nr. 8221, datë 15 maj 1997 “Për Radio dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”
Ligji Nr. 8410 datë 30.09.1998, “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”
Ligj Nr . 8655, datë 31.07.2000, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8410, datë 30.09.1998, “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”

Dokumenta:
KKRT, “Raport mbi veprimtarinë e KKRT për vitin 2001”
KKRT, “Raport mbi veprimtarinë e KKRT për vitin 2002” 04.02.2003
Shijak TV, “Zona e mbulimit me sinjal televiziv”, viti 2000, KKRT
TV Klan, “Të dhëna mbi programet”, viti 2000, KKRT
TV Klan, “Harta e shtrirjes së sinjalit të TV KLAN”, viti 2000, KKRT
Vendim Nr. 30, datë 14.11.2000, “Për licensimin e operatorëve privatë lokale radio FM dhe televizivë”, KKRT
Vendim Nr.30, datë 14.11.2000, “Për licencimin e operatorëve privatë lokale radio FM dhe televizive” KKRT
Vendim Nr. 31, datë 11.12.2000, “Për licencimin e operatorëve privatë lokale radio FM dhe televizive” KKRT
Vendim Nr. 29, datë 30.10.2000, “Për licencimin e operatorëve private lokale për televizionin  analogjik tokësor dhe radio FM”, KKRT

Intervista:
Intervistë me ish-kreun e KKRT-së, Sefedin Çela, dt. 11.09. 2012
Intervistë me ish-drejtorin e TVA, Rezear Xhaxhiu, 09.09.2012
Intervistë telefonike me pronarin e TV Shijak, Gëzim Ismaili, 31.10.2012
Intervistë me ish-gazetar i TV Klan Roland Zili, aktualisht kryeredaktor në Vizion Plus
Intervistë me bashkëpronarin e TV Antena Jug, Ilirian Lluri, dt 23.10.2012

Tabela:
Kronologjia e hapjes së TV-ve private deri në janar 1999
Vendimi i KKRT-së për licensimin e TV-ve private dhe kombëtare, 2000
Vlerësimi me pikë i operatorëve konkurues për TV kombëtare


Shënim: Studimi i plotë është publikuar në botimin “HISTORIA E MEDIAS DHE MEDIATIZIMI I HISTORISË”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit.  


























Abstract

Msc. Elvin Luku

TV establishment in Albania

Abstract
This study deals with one of the most important periods of the history of the Albanian televisions: the birth of private televisions in the country from 1995 to 2000. The study focuses on three main issues. Firstly, it focuses on the comparative approach of the opening of private televisions in Central and Eastern European post – communist countries. Secondly in the creation, development and consolidation of private operators in Albania and thirdly, it focuses on the approval of the law for the electronic media, the establishment and consolidation of National Council of Radio and Television.
            The study points out the common characteristics that the period of the opening of televisions shares with other ex-communist countries, as well as the distinctions that mainly come as a result of the internal socio-political developments. The study focuses particularly on the creation and development of the first private television in Albania, TV Shijak, and two other televisions that later get the national licence, TVA and TV Klan. Also it offers an outline of the conditions in which the TV operators have operated with their achievements and problems. The study looks upon the approval of the law for the electronic media, the  contestations made by the operators and on the establishment of National Council of Radio and Television until its consolidation period.
For this study have been used archive materials like decisions, reports and other materials from National Council of Radio and Television; analyses of articles from newspapers of the time; analyses of studies and reports from institutions and foreign organisations; interviews with journalists and directors of televisions, owners and ex-owners of televisions, former chairman and officials of National Council of Radio and Television; the study of laws for the electronic media, references from contemporary authors of communication and the quantitative data shown in table and graphically.




 Gazetar në televizionin Vizion Plus, Doktorant pranë Shkollës Doktorale, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
[1] Television accros Europe: regulation, policy and independence, Volumi 1, Monitoring Reports 2005, Open Society Institute, f. 32
[2] Elez Biberaj, Shqipëria në tranzicion: rruga e vështirë drejt demokracisë, Tiranë, Ora 2001, f.112
[3] Jefferey A. Brez. Vlerësimi i industrisë së televizioneve private në Shqipëri. SOROS/IREX, 29 Janar 1999, f. 9-10
[4] Ligj Nr . 8655, datë 31.07.2000, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8410, datë 30.09.1998, “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”
[5] Katheleen Imholz, Elina Koçi, Robert Rittler. E drejta e mediave elektronike në Shqipëri. Tiranë: Horizont, Janar 2001, f. 55
[6] J. A. Brez, op.cit., f.10
[7] Ilva Tare. “Shpërthimi i kanaleve televizive private në Shqipërinë pas komuniste”, Polis 8, Dimër 2009, f. 22
[8] I. Tare, artikull i cituar, f. 22
[9] Artan Fuga. Media, Politika Shoqëria (1990-2000). Tiranë: Dudaj, 2008, f. 459
[10] Ylli Pepo. “E ardhmja i takon vetëm Televizionit privat”, Koha Jonë, 13 prill 1995, f. 4
[11] KKRT
[12] Intervistë telefonike me pronarin e TV Shijak, Gëzim Ismaili, 31.10.2012
[13] M.Hoxhalli. ““Shijak TV”, televizioni i parë privat në Shqipëri në katërvjetor”, Koha Jonë, 29 Dhjetor 1999, f. 20
[14] I. Tare, artikull i cituar, f. 25 
[15] M.Hoxhalli, artikull i cituar, f. 20
[16] M.Hoxhalli, artikull i cituar, f. 21
Shih tabelën: Kronologjia e hapjes së TV-ve private deri në janar 1999
[17] Shijak TV, “Zona e mbulimit me sinjal televiziv”, viti 2000, KKRT, f. 23, 115
[18] Ibid., f. 134
  Shih tabelën: Vendimi i KKRT-së për licensimin e TV-ve private dhe kombëtare, 2000
Shih tabelën: Kronologjia e hapjes së TV-ve private deri në janar 1999
[19] Vendim Nr. 30, datë 14.11.2000, “Për licensimin e operatorëve privatë lokale radio FM dhe televizivë”, KKRT
[20] Bledi Strakosha. ““Tele Arbëria”, 24 orë program”, Gazeta Shqiptare, 21 janar 1997, f. 3
[21] Alda Bungo. “Televizionet private shqiptare nuk flasin shqip”, Albania, 20 mars 1998, f.10
[22] Intervistë me ish-drejtorin e TVA, Rezear Xhaxhiu, 09.09.2012
[23] Ibid.
Shih tabelën: Kronologjia e hapjes së TV-ve private deri në janar 1999
[24] KKRT, “Raport mbi veprimtarinë e KKRT për vitin 2002”, Nr.11/1 prot., 04.02.2003, f. 15
[25] Intervistë me ish-gazetar i TV Klan  Roland Zili, aktualisht kryeredaktor në Vizion Plus
[26] J. A. Brez, op.cit., f. 99
[27] TV Klan, “Të dhëna mbi programet”, viti 2000, KKRT
[29] TV Klan, “Harta e shtrirjes së sinjalit të TV KLAN”, viti 2000, KKRT
[30] KKRT, “Raport mbi veprimtarinë e…, f. 15
[31] M.D., “Kush punon në Televizion”, Koha Jonë, 9 nëntor 1996, f.17
[32] M.D., “Kush punon në …, f.17
[33] Ibid., f. 7, 14
[34] Intervistë me ish-drejtorin e TVA, Rezear Xhaxhiu, 09.09.2012
[35] Zyra e finanës në Ministrinë e Drejtësisë
[36] J. A. Brez, op.cit., f. 8
[37]Televizionet private drejt ekspansionit në Shqipëri”, Koha Jonë, 24 dhjetor 1998, f.25
[38] Intervistë me bashkëpronarin e TV Antena Jug, Ilirian Lluri, dt 23.10.2012
[39] Ligji Nr. 7524, datë 19 nëntor 1991, “Për Statusin e Radiotelevizionit Shqiptar”
[40] Katheleen Imholz, Elina Koçi, Robert Rittler. E drejta e mediave elektronike në Shqipëri. Tiranë: Horizont, Janar 2001, f.109
[41]Stafi i TV Koha, Konkurrencë e pandershme e televizioneve private. Fillon lufta e valëve”. Koha Jonë, f.3
[42] Rudina Xhunga. “Do vendoset rendi në televizionet private”, Zëri i Popullit, 8 shkurt 2000, f.24
[43] Intervistë me ish-kreun e KKRT-së, Sefedin Çela, dt. 11.09. 2012
[44] S. Çela, “Mediat elektronike – realitet dhe sfidë…, f.19
Shih tabelën: Vlerësimi me pikë i operatorëve konkurues për TV kombëtare
[45]Kaos në dhënien e licensave kombëtare të televizioneve private”, Koha Jonë, 14 nëntor 2000, f. 4-5
[46] Raport mbi veprimtarinë e KKRT për vitin 2003, Monitori Shqiptar i Medias 2004, Qëndra Shqiptare e Monitorimit të Medias, Tiranë 2004, f. 91
[47] Sefedin Çela. “Mediat elektronike – realitet dhe sfidë”, Media Shqiptare, Nr. 8, tetor-dhjetor 2000, AMI, IREX SOROS, f. 5
[48] Intervistë me ish-kreun e KKRT-së, Sefedin Çela, dt. 11.09. 2012
[49] Sefedin Çela. “Mediat elektronike – realitet dhe sfidë”, Media Shqiptare, Nr. 8, tetor-dhjetor 2000, AMI, IREX SOROS, f. 5
[50] I. Tare, artikull i cituar, f. 24
[51] Television in Europe f. 224
[52] KKRT, “Raport mbi veprimtarinë e KKRT për vitin 2001”, f. 2
[53]Nëntë ankesa në gjykatë kundër KKRT-së”, Monitori Shqiptar i Medias 2003, Qëndra Shqiptare e Monitorimit të Medias, Tiranë 2004, f. 144

No comments: