Sunday, 19 May 2013

Pluskim vargor




Antidodë
“Nga i thati digjet edhe i njomi” (Populli)

Nga Fatmir Terziu

Radhë, sa pak, del Dielli në Londër. Retë
rrjeta peshkatarësh brofin kahduan
mbi fasadën gri të peshkojnë
nën strehë kërcu i largët i kërrusur
kërcet, është i gatshëm të ndizet
duke ikur viteve të tij i krrisur
stivës afër errësirës
në parkun ku mediton
për të ndezur poezinë e ditës.

Gjeste të krisura në ajër
njëri merr në thua tjetrin
gotave të pista përthahen. Ujdi
pallavese e kohës që ngritën
me qepallat e zhytura në mish
edhe retë ikin tutje çahen
një kërcu gungë çdo gjë prish.

Nëse gjithçka digjet nën re
shkëndijat thyejnë rekordet
merr zjarr edhe filizi me nge
ndoten nga truthati edhe motet...

Pluskim vargor
Poetit Osip Mandelshtain*


Voronezh korb thikë. Çasti
kur trupi mblidhet në frymëmarrje
rreshqet kah baqthit të faqes
të një pene ngitmare
ka kufijtë gjeometrikë
shkund derte, fsheh halle
voronezh i zi
germat mbetën në valle.  

Kjo ngitje është para vargëzimit
një grimë në terr
e dita e nesërme e gjen
përqasje netore e nderë në tel
ku korba dhe rroba u varrën të flejnë.

Më në fund kam mësuar të lexoj ikjen e gjumit
në sheshin e zi të Kremlinit
kam ndjerë të dekodojë edhe ato miza
që i thurri poezia jote me shtiza...
... dhe hyra në vallen tënde të vargut
për të shuar zezërimën e qoftëlargut...


*Poet Hebre, lindur në Varshavë (1891-1938). Një vjershë satirë ndaj Stalinit shkruar në vitin 1933, pas një kallëzimi të fshehtë, i kushtoi arrestimin e disatë në vitin 1937-të.

Lakuriqësi

Sa pak privatizoj në kaltërsinë e Qiellit. Dritëzat
si një trup hardhi të fshehura
i japin hapit synor një afsh
dixhital. Duke i grimuar
instrumentin që çukit dromca
në pistën e gjerë e të gjatë
ku gllabërojnë mendimet ajërzbritëse.

Një qytet-shtet vdekëshkruar
në luhajën e skalpit nënshkruhet
palafitur nga blloku që nxiton të çukisë germat
përgjatë brendisë së lugët
ngjashëm si rrufeja
e zeza fikse
shenjë e një mërgate
që vazhdon të shpojë
sipër cipës zanore të ninullave
hartën e Lotit.

Po e marr prej jush këtë kupë
të latuar nga ikja mes reve
një topth futbolli në fushën e frymtë
mëngjeseve kur ju avullon në zyra
me gjerdanët e ndritshëm të mëkatit
e në rëntë duke përthyer edhe retë
mos u trembi mes epshit
s’ka as rebesh as shi t’u laj ato fytyra.

Përgjatë pistave që brehen nga e zeza
përplot fjolla dufesh
kalojnë zemra me kallume të shprishura
të kithëta bulëzat e syve
peisazh zanor pse druhesh
lakuriqësia...
... nuk është objekt i vetëm i syve.

Thash (po) s’them
Thëngjilli i mbuluar djeg më shumë... (Populli).

Sa i përfjetur ky mal. Retë
behin si qentë në sofrën e shtruar
kjo majë është një orë e madhe
një kurdisje e lehtë në kohë
mat me Diellin e lartësive.
Është një orë që zgjon,
hithrat nën shkëmb të djegin
orë memece e trysnive
që ngasin gojëra opake
të ngrira dimrave
të shkrira stinëve të tjera
nga përrenj të mbarsur
përposhtë shiu i vakët
në rrymë trazon akrepat
si seksi i një gruaje
përgjatë deltës së zakonshme të shpirtit.
Është në rrymë
si një trung i ngordhur,
përgjatë të dielave
ngecur në mendime
si një planet i sapo zbuluar
sapo ka nisur depilimet.
Sinonim i erërave
posaçërisht në të gdhirë
kur ngjizet qielli në kafkë
hedhje në letër
e almanakëve truporë
e çfarë tjetër
mund të bëj një përfjetës?
Në këtë djerrinë fjale
tashmë edhe retë
kinse të shfaqura pas shtrëngate
kanë zërrin e tyre prerë
pa e trazuar kallkun e horizontit
gropa në çdo mal është humnerë...
  







Fjala e Lire - Free Speech

No comments: