Thursday, 2 May 2013

Poeti!






            ILIR SEFAJ


Agim Vinca. Poeti, studiuesi, kritiku i letërsisë, publicisti, profesori, Njeriu! Nëse flasim për Agimin si studiues, i bie të flasim për studiuesin më të dalluar të letrave shqipe. Nëse flasim për Agimin si kritik të letërsisë, i bie të flasim për kritikun më kompetent dhe më objektiv të kësaj letërsie. Nëse flasim për Agimin si publicist ose profesor universiteti, sigurisht se flasim për profesorin më të vyeshëm të universitetit. Ndërsa Agimi si Njeri të asocon në sinqeritetin, përgjegjshmërinë, herë-herë sedrën e ndjeshme e jo më pak gjentilesen.      
Ndërkaq, kur flasim për Agimin e poezisë i bie të flasim për Poetin e esencave dhe të permanencave shqiptare, për poetin e ecejakeve tona kombëtare, për poezinë  patosit e të sensibilitetit, për vargjet e koloritit të theksuar, e metaforës së goditur, për poezinë e cila ironizon fenomenet negative në jetë dhe risimantizon vlerat dhe nocionet e fetishizuara tradicionale: lirinë, atdheun, kombin.
Agim Vinca si intelektual është i pranishëm në botën kulturore shqiptare prej më shumë se gjysmëshekulli. Ai do të mbetet përherë në qendër të vetëdijes sonë kombëtare me krijimet e tij tejet të arrira që për nga interesimet mund të kenë karakter studimor e shkencor, por vlerë të njëjtë mbase disa herë më të madhe, kanë krijimet e veçanta poetike të cilat janë rezultat i muzës së tij të vyer e cila vazhdon ta kryejë misionin e saj të shenjt edhe në këtë moment kur profesor Vinca vazhdon të merret me zejen e tij të moçme, sigurisht të lindur, poezinë.
Ata që për arsye të ndryshme janë marrë me krijimtarinë e Agim Vincës, qofshin ato arsye me karakter studimor apo rekreativ ose edhe arsye të tjera për të cilat nuk është e domosdoshme të jemi në dijeni, sigurisht se kanë vërejtur një detaj interesant për të cilin jam i sigurt se do të më përligjin mbase edhe “kundërshtarët” (pak besoj të ketë të tillë!) më irracional të profesor Vincës. Ai, pra profesor Vinca është poet edhe kur shkruan esenë, dhe kur shkruan publicistikën e kritikën, edhe atëherë kur polemizon ose i shkruan një letër mikut, i tillë është edhe kur ligjëron para studenteve të tij të shumtë, është poet, poet horizontalisht e vertikalisht. Poet i të gjitha stinëve!
Nuk më pëlqen t’i thur “elozhe” askujt, bile as edhe profesorit tim të nderuar, por sigurisht se jemi të një mendjeje ose pajtohemi me të vërtetën permanente se është tejet e vështirë të dalim nga vetja! Më vjen keq nëse ndokush ka pritur ta bëjë këtë autori i këtyre radhëve. Të flasim për poezinë...

Poeti i esencës dhe permanencës shqiptare

Është mjaft impresionues fakti sesi një njohës i spikatur i teorive letrare, një studiues ndër më të shquarit e poezisë moderne shqipe, një njohës i vërtetë i teknikave krijuese, ka bërë rrugëtimin e tij si poet pa u “ndikuar” nga poezia bashkëkohore evropiane, e cila tek disa poetë të  tjerë ka reflektuar mjaftë zbehtë si pasojë e përpjekjes së tyre për ta emituar këtë letërsi, dhe kjo ngarendje pas motiveve që për botën shqiptare herë-herë kanë ditur të jenë mjaft të pakapshme, jo rrallë ka shkaktuar bezdi për lexuesin eventual.
Gjithsesi, njeriu emri i të cilit është sinonim i poezisë, hyri në vallen aspak të lehtë të krijimit të vlerave të mirëfillta në kohën kur poezia shqipe apo poetët shqiptarë ishin në masë të konsiderueshme të influencuar nga poezia moderne evropiane.
Mirëpo është për t’u admiruar përpjekja e poetit Vinca që në asnjërën mënyrë mos të sharrojë në lumin e thellë të hermetizmit, pra ky poet për asnjë moment nuk mbyllet në gjuhën e abstraksionit, dhe si “Feniksi” (titulli i librit të tij të parë me poezi) i cili në fakt ka dy simbolika: daljen në skenë të një poeti, dhe ringjalljen e qenies shqiptare përmes artit poetik, e vë në piedestalin më të lartë esencën dhe permanencen shqiptare të cilën në njëfarë mënyre e kishte mbuluar pluhuri i harresës.
Poezinë e Agim Vincës e karakterizon në radhë të parë qartësia e mendimit, pastaj kjo poezi është mbrujtur me sharmin e një krijuesi pasionant i cili vargut të tij i jep ngjyrime të thella emocionale dhe si e tillë prek mendjen dhe zemrën e lexuesit.
            Agim Vinca do të shfaqet si poet në fillim të viteve ’70, dhe qysh në fillimet e tij si krijues ky autor premton vlera të spikatura letrare dhe njëkohësisht individualitet krijues, këtë do ta vë në pah përmes kredos së tij poetike e cila do të jehojë:

                                                    Dhe vargu im s’gjezdis në qiell
                                                    se unë me trollin kam pirë gjak,
                                                    në gurë e plisa jam dashuruar;
                                                    Njeriut s’i kam hyrë kurrë në hak.

Kjo strofë e shkëputur nga libri me poezi “Feniksi” është në njëfarë mënyre “programi poetik” që proklamon poeti, program ky të cilit do t’i qëndrojë besnik edhe tani kur ky krijues ka mbërritur në dyzetvjetorin e krijimtarisë së tij.
Dhe vargu im s’gjezdis   qiell intonon poeti, pra autori kërkon që vargu i tij mos të shëtisë në hapësira të panjohura ku do të jetë i huaj si në planin e idesë ashtu edhe në planin e perceptimit, ai faktikisht kërkon një poezie e cila është e lidhur më truallin dhe njerëzit e vendlindjes, ngase sipas perceptimit të poetit krijuesi i mirëfilltë duhet të ngazëllehet nga gjërat konkrete e abstrakte që ngërthen në vetë atdheu, gjëra si : guri e plisi, trualli e Njeriu.
Poeti Vinca kërkon një poezi tokësorë që lidhet me ekskluzivisht me botën tonë shpirtërore, me rëniet e ngritjet tona përgjatë historisë, me ndeshtrashat që kanë përcjellë njeriun tonë në kohë e rrethana të ndryshme, me ecejaket e këtij njeriu në mjediset ku ka gjalluar ai.
Mbase ka të drejtë studiuesi Sali Bytyqi i cili kur flet për platformën poetike të profesor Vincës ndër të tjera shton: “Në kohën kur poezia shqipe e Kosovës po notonte në pyjet e abstraksionit dhe të hermetizmit, ndërsa ajo e krijuar në Shqipëri gjithnjë e më shumë po i nënshtrohej diktatit politik, si poezi që duhej të merrte pjesë krah për krah me klasën punëtore në ndërtimin e shoqërisë socialiste, pra në kohën kur këto dy degë të poezisë shqipe po i largoheshin njëra-tjetrës, vjen poezia e Agim Vincës, e cila qëndron në mes të këtyre dy degëve; as nuk mbyllet në gjuhën e abstraksionit, as nuk i nënshtrohet ideologjisë, por kthehet në varg për jetën, për njeriun shqiptar të kohës, për ëndrrat e tij, për dashurinë, për gënjimet dhe zhgënjimet e tij”.[1]
Pra, kjo poezi e cila qëndron në mes të dy degëve të letërsisë shqipe sikurse edhe e vë në pah studiuesi Bytyqi, sigurisht se ka gjetur lexuesin e saj i cili ka qenë gjithnjë i gatshëm të thithë nga nektari me të cilin është mbrujtur vargu poetik i profesor Vincës. Ky lexues është mishëruar me vargjet të cilat në radhë të parë shquhen për përçimin e koncepteve dhe ideve në formën më të thjeshtëzuar të mundshme, dhe së dyti për leksikun e pasur, figurën letrare dhe reflekset intelektuale të cilat karakterizojnë poezinë e këtij autori.
Gjithsesi, meqenëse në qendër të interesimeve tona është poezia që u krijuar në vitet ’90, konkretisht tonet ironike që përcollën këtë poezi në këtë kohë, në paragrafët e mëposhtëm do të përpiqemi që më shkoqur të flasim për refleksionet me të cilat u karakterizua vargu poetik i këtij autori në dekadën e cila për shqiptarët (siç na ishte bërë zakon t’i quanim dikur) andej e këndej kufirit, do të ngelet ndër më të shënuarat në historinë mijëvjeçare të kombit tonë.

Polisemia tekstore

Letërsia shqipe në përgjithësi e ajo në Shqipëri në mënyrë të veçantë, për afro gjysmëshekulli u karakterizua nga një ligjërim i thjeshtë, i drejtpërdrejt, i kuptueshëm nga kushdo. Ndërkaq në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit pararendës u vu në pah një ngarendja e krijuesve pas një ligjërimi; simbolik, abstragues, eliptik, ku secili në mënyrën e vet përpiqej të shfaqte preferencat artistike, prirjet dhe formimet e veta.
Është kjo një periudhë kur artin letrar shqiptar e vërshojnë krijime nga më të ndryshmet, ndërkaq primatin e mbanë e ashtuquajtura poezi personale e cila ka një qëndrim indiferent ndaj realitetit ekzistues, pra në këtë kohë, sikur ishte e modës të  krijohej një poezi hermetike, bile-bile aq hermetike sa që herë-herë ishte vështirë e receptueshme.
Sigurisht se në këtë avari përpjekjesh “për t’u dukur modern”, medoemos se dikush do të duhej ta merrte mbi supet e tij mundin për ta thyer këtë “shabllon kulturor” me të cilin u karakterizua letërsia shqipe në dekadën e fundit të shekullit njëzet.
Gjithsesi se ky “dikush” do të ishte poeti Agim Vinca, i cili dikur vetës dhe lexuesit i kishte dhënë një premtim: Dhe vargu im s’gjezdis në qiell/ se unë me trollin kam pirë gjak, pra është ky premtim të cilit poeti do t’i qëndrojë besnik edhe në kohën kur kombit tonë po i kanoseshin rreziqe të mëdha, rreziqe që sipas poetit vinin si rezultat mjegullnajave që kishin krijuar të tjerët mbi ne, por jo më pak kësaj situate i kontribuonte edhe letargjia në të cilën kishte rënë njeriu ynë kë këtë kohë.
Është konstatuar me të drejtë se poezia e mirë duhet të ketë kuptim ose muzikalitet, për Akademik Rexhep Qosjen; “Poezia e Agim Vincës ka edhe muzikë, edhe kuptim”. Poetin e shquar e karakterizon individualiteti krijues, ai duhet të veçohet për origjinalitetin dhe mendimet e qarta, për poetin Dritëro Agolli: “Agim, Vinca,  kjo pemë e poezisë, mbetët me vete, pa hijen e të tjerëve”.
Lirika e Agim Vincës mbartë në vete forcën e emocionit, gjuhën simbolike, vizionet e qarta, tonin ironik, revoltën, humorin e zi.
Sigurisht, se këto tipare të poezisë së këtij autori do të reflektojnë mjaftë bukur në poezinë e tij në përgjithësi e në veçanti në atë që ky krijues botoi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.
Ngjarjet që karakterizuan dekadën e fundit të shekullit njëzet sigurisht se do të ngelen gjatë në memorien e njeriut tonë. Këto vite të zymta kishin dekurajuar edhe zemrat më të forta, mirëpo poeti si vetëdije kombëtare nuk kishte guxuar t’i jepte vetës luksin e të ndenjurit indiferent karshi fatit të kombit.
Gjithsesi se në këtë “kohë të keqe për lirikën”  (titulli i librit me poezi të A. Vincës) do të krijohen disa lirika të mira, disa vargje të “gdhendura si me daltë” të cilat na e kujtojnë edhe njëherë apoteozën noliane tani në përmbyllje të shekullit njëzet, lirika të cilat na kthejnë edhe njëherë në rrënjët e identitetin tonë kombëtar.
Vargu poetik i Vincës të shumtën është i drejtpërdrejtë, ai denoncon dhe satirizon hapur e pa ekuivokë. Ky autor vepron njëjtë edhe kur përmes vargut të tij vë në pah atributet e ndonjë personazhi të tij të dashur, po ashtu edhe kur tenton t”i vë në pah veset dhe të palarat e njerëzve, veprimet e cekëta të tyre.
Në poezinë Baladë për Luigj Gurakuqin poeti ironizon pushtetin e Mbretit Zog i cili i sipas poetit likuidonte figurat më të ndritura të kombit:

                                             Ç’ditë qe ajo
                                             Atëbotë në Bari,
                                             Tek të qëllonte
                                             Balto tradhtari?

Ndërkaq kulmin e ironisë  poeti shpreh përmes vargjeve:

                                             Ai Balto Horri
                                             Ai Balto baltë.
                                             Nënqeshte Zogu
                                             Atje në pallat.

Sigurisht se e kaluara jonë historike me rëniet e ngritjet saja të herëpashershme, jo rrallë bëhet pikë reference edhe në poezinë që krijohet në dekadën e fundit të shekullit njëzet, dhe shembulli më i mirë për këtë janë vargjet e sipërcituara ku autori denoncon sjelljet e liga  të individëve që me veprimet e tyre vrasin një pjesë të lavdisë sonë kombëtare, dhe gjithsesi se kjo protestë, ky diskurs ironik është karakteristikë e intelektualit të mirëfilltë i cili nuk mund që qëndrojë indiferent karshi ndeshtrashave që kanë përcjellë njeriun tonë përgjatë historisë.
Andaj: “Intelektualit të vërtetë shqiptar i duhet t’i shndërrojë në art jo vetëm krijimet, por edhe qëndrimet e tij, jetën dhe vdekjen e tij. Për këtë fat tragjik, te ‘Baladë për Luigj Gurakuqin’ (poeti Vinca vër. I.S.) shprehet: ‘Se edhe vdekja/ Na qenka art’. [2]
Poezia e Agim Vincës në optikën e kritikës letrare të kohës rëndom ka marr konotacione të poezisë së angazhuar gjë që sipas studiuesit A. Papleka të jesh “poet i angazhuar në përmbyllje të shekullit njëzet nuk ishte aspak e modës , mirëpo sipas të njëjtit tek Agim Vinca, angazhimi vjen së brendshmi, nuk është propagandistik, por shpirtëror”.[3]  Tezën e tij Papleka e përforcon edhe më me konstatim e një studiuesi tjetër i cili ndër të tjera shton: “Projekti për të ndarë poezinë (artin në përgjithësi) nga jeta shoqërore, mbetet iluzor dhe as që mund të mendohet; a thau arti nuk qenka dukuri sociale!”.


Fati i kombit është edhe fat i Poetit

            Poezia e Agim Vincës përgjithësisht dhe në veçanti kjo që botoi në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit pararendës shpërfaq guximin intelektual për të dhënë tablo të gjalla e të plota të një mjedisi konkret, tablo të një realiteti të hidhur me të cilin ndeshej njeriu ynë në çdo çap të rrugëtimit të tij.
Përmes artit të tij poetik ky autor, jep fotografi të pastra të këtyre viteve të mbuluara me mjegullnajë, vite në të cilat njeriu ynë po jetonte nën masat e një represioni të vazhdueshëm që impononte pushtuesi.
Kësaj mjegullnaje me mjaft përkushtim i kontribuojnë edhe kolaboracionistët e ndryshëm të cilët jo rrallë e luajnë rolin e “mashës” në duart e armikut, dhe kësisoj i minimizojnë përpjekjet e intelektualit për ta zgjuar njeriun tonë nga letargjia e thellë në të cilën kishte rënë:
                      
                                                 Na ishin njëherë në një fshat diku
                                                 Ca masha të gjora pa zemër pa tru.

                                                 Masha të vjetra, masha të reja
                                                 Hale që kurrë s’i gjuan rrufeja

                                                 Masha të mira, masha të lira
                                                 Që u binden lehtë duarve të nxira

Këta njerëz-masha, vetëdijshëm ose pa të, me veprimet e tyre antikombëtare stoponin në maksimum përpjekjen e njeriut tonë për liri kombëtare, andaj etiketimet që u jep autori si: njerëz pa zemër, pa tru japin në plotninë e tyre botëkuptimin e këtyre individëve të cilën sigurisht se do të jenë të humbur në ndërgjegjën e tyre.
Kjo situatë e mbushur me kontradikta nga më të ndryshmet, sikur kishte rënduar në zenitin e saj gjendjen shpirtërore të njeriut tonë duke e vënë atë në një gjendje të tillë përhumbjeje, andaj:
                                               
                                                Jetoj në gjendje të jashtëzakonshme.
                                                Bëj gjumë të jashtëzakonshëm
                                                Shoh ëndrra të jashtëzakonshme
                                                (një ujk jashtëzakonisht të butë
                                                E një qengj jashtëzakonisht gjakpirës)

Te këto vargje në të cilat dominon ironia e groteskut poeti krijon një semantikë intriguese në të cilën subjekti lirik jeton një situatë absurde, të jashtëzakonshme, jonormale e të mbuluar me mjegullnajë.
Poezia e poetit Vinca në përgjithësi rreket pas problemeve shoqërore të kohës duke mos lënë anash për asnjë çast fatin e individit që njëkohësisht është edhe fat i kolektivitetit.
            Kjo poezi karakterizohet me shtresimet kuptimore që lidhën fort me kontekstin, dhe ky diskurs ka vënë në pah konceptet e ligjërimit të këtij autori të cilat mëtojnë të jenë të natyrës origjinale në tërësinë e tyre.
            Në kohën kur njeriut tonë i ishin mohuar edhe të drejtat më elementare për jetë, si pasojë e represionit serb, poeti jep atmosferën e zymtë shpirtërore që kishte kapluar po këtë njëri:
                                       
                                                Pranga në duar; pranga në gojë
                                                E plumb ë zemër, e helm në shpirt
                                                Ç’është ky mars ters, e kjo plojë?
                                                Poshtë-re të zeza; lart – qiell i hirtë.

            Këto pranga që i ishin vënë tokës e qiellit të atdheut, flasin për një lodhje të njeriut me jetën, jetë kjo ë mbushur plot trauma, vuajtje e ankth, e mynxyra nga më të ndryshmet të cilat kishin fanitur ëndrrat e brezave për ditë të mira.
            Poezia e Agim Vincës kap në esencën e saj shqetësimet kombëtare dhe dilemat universale të njerëzimit dhe kjo poezi: ”shquhet për dendësi idesh dhe mendimesh, për metafora dhe figuracione të pasura, për stil të veçantë dhe origjinal. Është poezi e një ndjesie të thellë shpirtërore, një lirikë e shpenguar, në të cilën krijohen pamje ku na duket se aty nuk jemi vetëm vështrues dhe përgjues, por pjesëmarrës dhe fatnjëjtë”.[4]
            Poeti Agim Vinca ironizon dhe përjashton pa ekuivokë iluzionet shterpe të njeriut tonë i cili nuk angazhohet sa duhet për liri e dinjitet njerëzor, madje ky poet nuk kursen ta qesëndisë edhe vetveten:

                                                  Ulur në tepih e kauçë
                                                  mësojmë përmendsh doktrinën e Durimit
                                                  e dëfrehemi me përralla të lira për Lirinë!

            Përmes një ironie thumbuese poeti bën thirrje që sa më parë të shkëputemi nga besëtytnitë se liria vjen duke ëndërruar ose duke i thurë elozhe asaj, përkundrazi poeti kërkon të mobilizohemi dhe të angazhohemi konkretisht për liri e dinjitet kombëtar. Tezën e tij se njeriu ynë në njëfarë mënyre kishte filluar t’u besonte miteve e iluzioneve e përforcon në poezinë Azilanti, ku përmes humorit të zi poeti intonon:

                                                  Mirupafshim në Kosovën e lirë!
                                                  Tha dhe iku.
                                                  Ose, më mirë, çau.
                                                  Tash sa vjet vetë i sati
                                                  në një azil në Gjermani
                                                  pret të shporret shkau.

            Agim Vinca është poet dhe Njeri jokonformist, ai lavdëron e godet hapur, i tillë është në krijimtari, i tillë është në jetë. Njeriu i cili kërkon prore rrugën e së vërtetës,  mbase shpeshherë vihet në situata të sikletshme, megjithatë për një intelektual të kalibrit të profesor Vincës çdo rrugë tjetër do të ishte e papranueshme, tek e fundit privilegjet janë të përkohshme ajo që mbetët është vepra, historia! 




[1] Sali Bytyqi, Krijuesi i pandalur, SHSHM “Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2012, f. 25.
[2] Anton Papleka, Krijuesi i pandalur, SHSHM “Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2012, f. 44.
[3] Po aty, f. 43.
[4] Merxhan Avdyli, Krijuesi i pandalur, SHSHM “Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2012, f. 48.

No comments: