Tuesday, 21 May 2013

Skela e lotit






Skela e lotit

Nga Fatmir Terziu

Ne vetë e ndërtuam skelën e lotit dhe i hoqëm shkallën
zbritjen ia lodhëm. Sa shumë varur e lamë
të peshohej skelet mbi faqe të djegura prush
udhëtim urban mes dy syve. I lodhur si i yni
qepur portave me llozin e gjatë e të rrëndë
lotin tashmë e ka simbol në harta gjithkush
fjollë përlagëse mbi telefonin e shtrenjtë.

Skela e re dixhitale e lotit të kohës
murr ndarës në lëndinën ku kullotën fatet
që i numëruam me gishtat e dorës.

Ndalu lot, ky është stacioni yt i fundit
mos na u sill si pështjellje byreku
iku derti për ty
harruar të mbeti yrneku
që u le nënave në sy...

... ik me të mirë o lot
se shqiptari nuk duron më dot (!)

Ne vetë ia shkulëm skelën lotit. Fusha
që e lindi u bë kështjellë
përgjatë kopshteve të verdha të historisë
në këtë kohë ne mbjedhim germat
pishtarë që thajnë këtë artificë...

Zhurma e lotit më shpon memorjen përditë
edhe pse rrugëtimi i tij vjen nga larg
                                     pas shpinës
është një spicë që gric
kur shfaqet tinëz.

Skela e lotit thurrje e ndarë
shkulur prej nazallëkut damarët. Alarm
një ngrehinë e padukshme rrëshket fytyrave
çnduk bulëza djerse me lotin në garë
ortekshe mbledh tërë ujësinë
me lotin e ri të ritakoj lartësinë.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: