Wednesday, 4 September 2013

KANË FILLUAR TË LEHIN NETËT



Adem Zaplluzha


Poemë

“Bëni ç’mos kudo Shqiptarë
Të ribashkohemi sa më parë”
                       Dhimitër Nica

Imzot
Çfarë po ngjanë sot
Nga cilat shpella po dalin lugetërit
Që po u pengon edhe kali i Juaj
Prej bronzi
Kali po u pengon
Imzot
He Zoti i vraftë

Te sheshi kanë filluar
Të urinojnë lukunitë
Çdo gjë shqiptare
Kinse na qenka tradhti

Imzot
Çfarë po ndodhë me dizgjinët
Mos është koha t’i mbathim
Kuajt e luftës
Imzot
Dhe të kalërojmë nëpër çdo cep
Të atdheut të kafshuar
2.


Imzot
Mjeshtrit më të mëdhenj shqiptarë
E kalitën shpatën e Juaj
Në zjarrin
Dhe në millin e lotit të atdheut

Mbi pesëqind vjet fjete
Mbase ende je duke fjetur
Atdheu nuk është princi i përrallave
Imzot
Por Ju zgjohuni nga kjo kllapi
E ligë
Dhe putheni  në ballë
Këtë tokë të bekuar shqiptare
Që po vuan si asnjëherë më parë

Imzot
Mua po më dhemb  shpirti
Kur dëgjoj se dikush na qenka
Kinse i krishterë
Ose tjetri mysliman
Shqipëria nuk ka fe Imzot
Atdheu im është gjaku
Dhe shpirti i gjyshërve të mi

3.

Imzot
Kur qante nëna ime
Ju nuk ishit në trojet e Juaja
As kalorësit e nëntokës
Nuk vraponin fushave të Dardanisë
As nëpër shpirtin e kalldrëmeve Ilire

Disa kalorës të tjerë
Edhe më të egër kalëruan qençe
Nëpër palcën e dërmuar të atdheut
Ju Imzot
Mbase kënaqeshit
Në sheshin Skënder bej
Kurse nëpër shpirtrat tanë
Lodronin kalorësit
Dhe kuajt e egër

4.

O Zot
Nga cili planet pikuan dhelprat
Dhe egërsitë e qenve
Kanë filluar të lehin netët
E të tërbohen meteorët

Kuajt më nuk hingëllojnë
Imzot
Gomarët i kanë ndërruar shalat
Dhe kalërojnë me potkonj ari
Me potkonj argjendi
Imzot

Mua me shumë vështirësi
Po më mbajnë këmbët
Nëpër pantallonat dhe mëngët
E këmishës sime
Përbirohen macet
Imzot
Përbirohen macet e zeza
Dhe të egërsuara nga koha

5.

O Imzoti i im
Këputi dizgjinët e kësaj amullie
Thyej njëherë e përgjithëson
Mëgojëzat e trishtimit
Kjo tokë e mjerë ka nevojë
Shumë ka nevojë për pak infuzion
Imzot

Kjo është hera e dytë
Që po ju lus o Imzot 
Unë nuk kam më kohë
E as durim 
Besa edhe pleqëria më ka dërmuar

Një ditë Ju do të na shtyni
Mua dhe miqtë e mi
Do të na detyroni t’i këpusim dizgjinët
E kalit të juaj të fjetur
Imzot
Kalit të fjetur

6.

Unë jam shumë i befasuar
Me ju Imzot
Dhe me atdheun tim
Ju nuk paskeni asnjë dekoratë
Mbase nuk keni asgjë Imzot
Nëpër rropullitë e bronztë
Po fryjnë erërat e zeza

Po frynë një stuhi e acartë
Nëpër jelet e kalit të fjetur
Zgjohuni Ju
Dhe doriu i Juaj e përgjumur
Askush nuk fle pesëqind e më shumë vjet
Koha është Kryezoti im
Të zgjoheni
Të zgjoheni Imzot
Njëherë e përgjithmonë

7.

Nuk di më
Edhe sa herë do të Ju vrasin në bronz
Këputni frerët e vdekjes
Nuk i thonë jetë kësaj
S’jetohet mbi kalin e përgjumur
O Imzot
Nuk është kjo mënyra e jetesës

Më duket se edhe Ju harruat
Se si vdiste shqiptari për atdhe
Më mirë i vdekur nën dhe
Se sa i fjetur në bronz
O Imzot

Mbase edhe kali i juaj e ka humbur durimin
Për çdo mëngjes hingëllon
Hingëllon
Dhe gjëmon si lufta
Imzot 

8

Ne jemi në Ballkanin e trazuar
Ku netët fillojnë të çeta
Kurse mëngjeset
Zgjohen të tërbuara
Dhe lugetërit u përngjajnë
Djajve të Ferrit

Edhe ndryshimet më të vogla atmosferik
Ndikojnë në mendjet e njerëzve
Herë vijnë shirat me uturimë
E herë bubullimat
Me kërcitje topash të ndryshkur

Shkundi pakës jelet e kalit
O Gjergji im
Shkunde pluhurin e së kaluarës
Se truri dhe shpirti
Na kanë zënë një myk të verdhë
Nuk po mund të marrim frymë
Prej mbeturinave të kohës së sotme
Na i kanë zënë
Të udhët dhe shtigjet o Gjergj

As arkeologët nuk po e kuptojnë
Ndryshkun e millit
S’e lëshon dot shpatën të vringëlloj
Nuk e lëshon dot shpatën o Atë

Këtu po vringëllojnë
Vetëm zërat e kufomave të verdha
Dhe kjo histori e sëmurë nga myku
O Imzot

Ka kohë që mbi qiellin e vrarë
Na kanë vdekur daullet e kushtrimit
Askush më nuk po u bie kambanave
Janë harruar zërat e thirrjeve
Janë harruar o imzot

Sa është e trishtueshme kjo heshtje
O Atë
Sa qenka e tmerrshme kjo vdekje
O Gjergj

9.

Zgjohu bre burrë
Te ne Kosovë
Vetëm fëmijët flenë deri vonë në mëngjes
Kurse Juve Ju zuri akshami
Zgjohuni
Dhe prishjani gjumin e kësaj letargjie
Mbajeni të ngrehura Patërshanat
Mos të vuajnë kaq me dhembje
Në gjysmë shtiza

Lëshoi nëpër korijet
Brigjet
Dhe sukat e atdheut
Dizgjinët e kalit të përgjumur

Lëshoi frerët o Imzot
Dhe jepja këngës majëkrahut
Këndo edhe njëherë
Mu ashtu
Siç ka kënduar gjithmonë shqiptari

gjohu bre burrë
Mjaftë fjete
Nuk mund të të mbajë as kali më
Ju neve na duheni i gjallë
E jo i ngrirë në bronz
O Atë
Jo në bronz
Ku mund të urinojnë djajtë

10.

Qohu bre burrë i dheut
Qohu edhe njëherë
Si në kohën e Gjergj Elez Alisë
Shëroi plagët e mëmëdheut
Qohu o Gjergj i madh
Se përvajshëm po dëgjohen
Vajet e nënave
Dhe vajet e kuajve të luftës

Nëntëqind vjet u bënë
Që po hingëllon kjo plagë
Qohu bre burrë i dheut
Qohu edhe njëherë
Vringëlloje atë shpatë të zjarrtë
Mbi koka të çmendura ballkanike
Qohu bre burrë
Njeriu s’lufton për fe
Por për atdhe

Unë dëgjoj
Për çdo ditë dëgjoj zërat
E thirrjeve të lashta
I dëgjoj zërat e thikave
Kuajve
Dhe të njerëzve të gjakosur

I dëgjoj
Thirrjet e pandalshme të Atdheut
Shpata dhe patërshanat
Veç kanë dalë në bejleg
Ku me padurim të pashoq
I presin luftëtarët
Presin që kali i juaj prej bronzi
Të zgjohet nga ai gjumë i bronztë
O Imzot
O Gjergj i madh  
                       Adem Zaplluzha- Prishtinë


No comments: