Saturday, 21 September 2013

POEMTH PËR LËVIZJEN E LODHUR

KRISTAQ TURTULLI



 E dashur përsëri të thashë:
 Fli, beso te gjumi i qetë i një gruaje.
Me çarçafin e mëndafsh të ëndrrave mbështjellë.
Kokën vendose mbi jastëkun e ëndrrës së parë.
Mbulohu me jorganin e puthjes së parë.
Shkruaj në papirusin e meditimeve të fshehtën  fjalë.
Me qerpikët e gjatë si krahë dallëndyshe.

Fli, së paku dremit, pa andralla.
Të lutem mos mendo gjatë.
E sotmja me zhurmë dhe rrëmujë
Le të shpresojmë se nuk do vijë më.
Qielli ka plot xhepa ku mund të hidhem të lodhurat mendime.

Më the: femra prej natyre nuk ka gjumë të qetë,
Mbi qepallat e saj, përplasen rrufetë.
Fryhen lumenjtë,
 bëhen dete.
Çdo femër mbart një botë më vete.
                      Dhe hapësira ku regëtijnë shkëndijime.
Ku ka mëngjese, mesdita e mbrëmje,

Por sot I i dashur është ndryshe,
Nuk mund të fle.
Më duket sikur kryet i kam mbi re.
I ndej të çmendurat lëvizje.
Në sqetullat tona grinden fishkëllimat e mprehta të erërave.
Shekujt bejne kryengritje.

Flokët me vrull shpupurite,
Vezullime, fushë elektrike.
Mu bë sikur ylberi u pre.
Dhe ngjyrat ranë përdhe.
Ke të drejtë.
As unë nuk mund të fle.

Hipe e pavendosur në mjellmat  e reve.
U krehe me kreherin e ererave
Dhe pëshpërite:
Qyteti është poshtë ne.
Gërmuqet çdo sekondë dhe kurrë nuk fle.
Ndalemi një copë herë,
S’ka ajer e s' po mbushem dot me frymë.

Toka e paska diellin ka shumë pranë!
Shihe në krah të majtë lëvizi.
Me siklet pelerinën e llavës shkopsiti,
Të nxehtë ka, temperaturë të lartë.
Sikundër dhe ne...

Ja dhe hëna nuk ka qetësi.
Si mace kobashe nëpër në qiell kacavirret.
Shiko si i shkëndijojnë sytë.
Sa e zbehtë!
Nuk ka qime dhe fanellë
Të mbulojë kocka dhe kokalla.
Është lakuriqe.
Iu ronitën, i mbetën cepave të yjeve
Dhe ortekëve të asteroideve.
Kur donte të rrëmbente lëndë dhe dritë prej tyre.
Prandaj vidhet ditën dhe del me natë...

Qyteti  dihatën, ashpër merr frymë?
Ditë e natë nxjerr pluhur dhe tym të zi.
Shihe si dridhet, si lëviz, si shtrihet anë e mbanë?
I pangopur, përpin fusha, pyje të lashta.
Nuk ka kohë të fshijë sytë,
E lëbyrura prej dritës së fortë.
Nuk mundet të flejë si kafshë,
Mbi kokallat e vjetra,
Në tokën e shpirtrave
Të shtrojë çarçafë dhe batanije.

Djalli ndryshoi formë dhe përbërje, është bërë i çeliktë,
Me brirë shtyn dhe shfryn lumenjtë e makinave,
Kurdis trurin e çmendur të qiellgërvishtësve.
Me sfurk përzien në kazan gjellën e marrisë
 dhe pangopësisë së njerëzve...

Shihe.
Sa njomezak dhe shtazarak duket qyteti, i egri nuk mundet më,
Të mbajë si dikur pizhame, picete dhe benevrekë.
Papion dhe kostum dopiopetë.
Është bërë përbindësh i hekurtë.
S’ ka më gjumë.
Xhindi se lë të flejë.
Vaj e nafte derdh në xhade…

As unë nuk kam gjumë.
Më lër të prehem një copë herë.
Mbi gjinjtë e tu të ngrohtë.
Me dy kokrra qershi binjake.

Ti u shmange dhe më the:
Dhe këto kanë ngjyrë flake.
Kujton se edhe gjinjtë e mi do bëhen të  çelnikët?

E dashur më lër të përvëlohem atje.
Prej kocke dhe mishi jemi ende...

Të kujtohet libri me poezi i ‘Valles së yjeve’,
Të plakut të vjetër me kone?
U zverdh, u harrua mbi komodinë.
S’ka më valle të tilla, as yje.
Plaku i vjetër i fshehu me merak nën vete.
Vazhdon, më thua, vërtet nuk ka më,
Koncerte me  Bethoven dhe Moxartë!

I them, ndoshta nuk ka.
S’ më le të luaja me qershitë.
Prej aty buron jeta.
Ti më thua:
Nudizmi dhe mania
Janë komode në këtë jetë.
Enigmatike shtrihet nesërmja.

Duart vendose mbi gjunjë, e trishtuar pëshpërite:
Mendimet e rënda s’më lënë të fle...
Ju  lutem më jep orën e zanave,
Fëshfërimën e pyjeve.
Zemrën e kreshnikëve,
Tik-takun përgjues të ëndrrave.
Tingujt e ëmbël të kitarave.
Dhe një lule ku është fshehur një puthje.

Përsëri më thua: përse nuk mund të fle...
Zëri i nënës u bë erë dhe vërtitet skajeve.
Fjala e babait u bë gjethe pishe.
Zhurmat, marrëzitë dhe dashuritë,
Strukur janë  në qenien time.
Pëshpëritin, flasin në të njëjtën kohë, gëlojnë,
Të fle s' më lënë.

Dua të them, e di, dhe unë, bares si somnambul në memorie,
Njëlloj sikur endem nëpër labirinte e monopate.
Atje nuk ka zgjidhje.
Ka veç litarë hijeje.
Lidhje, duan të më tërheqin pas tyre.
Pas është ndehur pëlhura e lashtë e legjendave.

Mos më lodh, eja më zgjidh po munde.

Bëre sikur s’ dëgjove,
S ‘më zgjidhe,
Më vure kryet mbi supe,
Pëshpërite: Lëvizje të çmendura, ikni, na lini të flemë.

Po unë, a mund të fle në lidhje!

Nuk ka gjumë...
Tre orë, 
njëqind e tetëdhjetë minuta,
pezull qëndrojnë,
si kopsa te broncta në kapotën e ditës sime.
Sigurisht katër bileta shumë pak janë,
Të përshkosh autostradat e gjëra,
Për të shkuar dhe ardhur nga puna.

Më thua, pa ngjyrime:
Më mirë që nuk ka gjumë.
Të marrët  dhe të paditurit flenë.
Është germa e parë mbi një libër të brymtë.
Se sheh, turmën shtyj me bërryla,
Të hap ty rrugë,
Qenka vërtet vapë.
Djersa mbiu në qerpikë.

Përsëri më thua:
 Dielli nuk ka kohë të fshijë sytë.
Është zënë në duel me diejt të tjerë.
Humbas në rrëmujë.
Shtyhu pak më tutje.
Po mbytem prej erës kozmetike.
 Pranë meje tualet bën një prostitutë.
Më bën me shenja dhe paturpësisht më shkel synë.
Sa pështirë!
Indiferentizmi ha hamburger dhe flak përdhe thërrime.

Dua ti them më lërë rehat me të.
Kurvëria është e vjetër sa vetë bota.
Zgjidhmë dhe mbanë pranë.
Mos më lër të ngatërrohem me të tjerët dhe me vete,
Prit të thërres taksinë.
Në vend të hyj atje,
Shkel në togun me gjethe vjeshte.

Nuk mund të fle...
Eja shkojmë te pragu i metrosë,
Lypsari Joe veshur me fustanellë hije,
i bie kitarës së thinjave
prej shpellës tinguj pikojnë,
lot fëmije,
dhe thërret merrni prej meje çaste çmendurie.

Gjarpërinjtë trena shkasin mbi shina,
Në shpinën e fushës të mbushur me plehurina.

Dëgjove, u gëlltiten, u ngritën dhe ranë banka,
Si kështjella rëre.
U hodh në ankand një fustan i bardhë nusërie.
Nëpër tunele,
Lëvrijnë minjtë,
Rrëshqasin zvarraniket e metalikë,
Zemra e tokës nuk rreh më, është shterpë.

Më rroke për qafe, më puthe, por nuk më zgjidhe,
Më pëshpërite për të satën herë:
Më përkund pak, të endem për një gjumë.

Doja të bërtisja:
Zgjidhmë.
Dita është bërë plumb nga djersa.

Nuk janë kurrgjë tre orë,
ose katër bileta.
Autobusët e ditëve dhe të netë
Tunden, shkunden në çdo ndalesë
Gjithnjë ata mbajnë mbingarkesë...

KRISTAQ  TURTULLI

No comments: