Tuesday, 3 September 2013

TEUTA E ILIRISË



RESMI OSMANI                                                      ROMAN
                                                                            Në proces krijimi

                                     TEUTA E ILIRISË
                                            Kreu VI

BETEJA PËR EPIRIN
Foenike,vjeshtë e parë , viti 230 para erës së re.

        Pas gatitjeve të kujdesëshme, pa lënë asgjë mangut dhe jashtë vëmendjes edhe ato vogëlima në dukje të parëndësishme, por që shpesh bëhen shkak i andrallave të pa parashikuara, dukej se kishte ardhur koha e luftës për për të fituar Epirin. Kishte përfunduar ndërtimi  dhe pajisja e  njëqind anijeve të luftës, por për këtë veprim do të përdoreshin pesëdhjetë prej tyre me dymijë e pesëqind trupa të zgjedhur nga veteranët e këmbësorisë detare. Epiri nuk zotëronte flotë të gatshme për luftë. Drejt Epirit do të niseshin edhe pesë mijë këmbësorë në rrugë tokësore nën komandën e Skerdilaidit.
     Goditja do të jepej në kryeqëndrën e Republikës Epirote ,Foenike[1], nga trupat e këmbësorisë detare, që do të zbrisnin në tokë në gjidetin e Onhezmit[2], nën komandën e admiral  Orgesit . Pjesa tjetër e flotës,që komandohej nga Dhimitër Fari do të vazhdojnte rrethimin e Isës dhe sigurinë e bregdetit perndimor Skerdilaidi do t’u vinte në ndihmë trupave të këmbësorisë detare, që do të rrethonin Foeniken, pas rrugëtimit të gjatë nëpër tokat e Taulantëve,Bylinëve dhe Atintanëve. Do të futej në Epir pasi të kalonte Aosin[3] dhe do të delte në Antigone[4] për të zbritur në fushë , nëpërmjet qafës së Skërficës, ku do të ndeshej me forcat epirote dhe të aleatëve të tyre. Të parat do të niseshin trupat tokësore, më pas flota, mundësisht që në kohë të mos kishte shkëputje të gjatë, ngaku do të përfitonte armiku.
    Në takimin e fundit të “Këshillit të Luftës”, pasi dëgjoj me vëmendje e durim kumtet dhe shestimet e gjeneralëve, Teuta edhe një herë i bëri të qartë këshillit se:
    -Foenike duhej pushtuar.Jo për të arritur një fitore, as për plaçkë dhe skllevër. Jo. Republika Epirote të detyrohej me forcë që politikisht të shkëputej nga aleanca Etolo-Ahease, të bënte paqe dhe të lidhte aleancë me Mbretërinë Ilire. Ta ndjente veten pjesë të Ilirisë, që veç lidhjeve të gjakut, të arrihej  së shpejti njësimi tokësor dhe i hapsirës detare, që Iliria të vendoste kufirin e saj, aty ku i takonte: me tokat  e botës greke. Fitorja e armëve tona, do ta detyrojë Republikën  Epirote të ulet në tryezën e bisedimeve, dhe aty, ne do të diktojmë kërkesat tona. Pjesë e marrveshjeve duhet të jetë edhe Akarnania. Ata ende na janë mirnjohës për Medionin.
     Dhimitër Fari nënqeshi lehtë. Mbretëresha po e shiste lëkurën e ariut ende pa e vrarë. Atë nuk e kishin përfshirë në luftë. Edhe pas martesës me Triteutën, sido që ai, si dhëndërr e kunat i saj, deshi të afrohej e miqësohej, dukej se  mbretëresha nuk ja kishte besën. Për të ajo vazhdonte të mbetej e frikshme dhe e pa parashikueshme për atë që mund t’i bënte. Dukej sikur ajo po luante me të si macja me miun. Gjenerali i mbante sytë çelët dhe veshët ngrehur. Rreziku mund të vinte nga s’e priste. Durim. Të presim e të shohim, mendoi ai.
     Mbretëresha sikur t’i kishte lexuar mendimet e pyeti:
     -Gjeneral Fari, mos kishit gjë për të shtuar?
     -Madhëri, me mençurinë dhe përgjegjësinë e një sovraneje, ju i zutë të gjitha shtigjet, dhe çuditërisht, si e rrahur në punët e luftës, ju parashtruat qëllimet dhe mënyrat e arritjes  së tyre, saqë si ushtarak shpreh admirimin tim. Le të bëjmë ato që ju thatë,dhe fitorja do të jetë e armëve tona.
    -Lavdërimet janë të tepërta. Po nisemi për në luftë dhe jo për në dasëm. Nga ti presim marrjen e Isës. Kjo është po me atë vlerë si edhe Foenike.
    -Edhe lufta një farë dasme është,madhëri, por me mjete të tjera. Isës i është shtrënguar laku rreth qafës sa po i merr frymën.Rënia e saj është punë kohe.    
Në gojë mjaltë,në shpirt helm!
     2
    Ushtria doli nga kazermat e Skodrës heret, që të udhëtonte në kohë të freskët. E rregullt, në radhë për rrugëtim, e heshtur, e frikshme, ecte me hapa të rëndë, për shkak të ngarkesës dhe armëve. E parë nga larg dukej si rreshtim i varganit të thneglave që dalin nga foleja në kërkim të ushqimit. Kur ranë rrezet e para të diellit, majat e ushtave dhe mburojat ndritën me shkëlqim metalik. Përkrenaret bashkë më shpatat e shkurtëra i kishin lidhur në brez, harqet dhe kukuret me shigjeta në krah-qafë. Në shpinë, si gungë, rrinte strajca e ushqimeve  e mjaftueshme për tre ditë. Ngarkesa ishte e rëndë. E dinin që kishin për të bërë rrugë të gjatë, do të përshkonin Ilirinë Qendrore dhe Jugore.
   Skerdilaidi kaluar mbi kalin e hasdisur që turfullonte dhe ngrinte arithi këmbët e para, i shoqëruar nga gjeneralët, me trok të lehtë parakaloi rreshtat për të kqyrur nisjen. Në fund ishin qerret e ngarkuara me armë rezervë dhe ushqimëe të thata. Pasi dha disa porosi, kalëroi shpejt dhe doli në krye të rreshtimit.
    Ec dhe ec nëpër rrugën e pluhurosur. Dielli vjeshtak, sado pa fuqi, ngrohte sa për të djersitur. Pasdite kaluan nën kështjellën e Lisit dhe ndoqën udhën rrëzë kodrave deri sa në mbrëmje hynë në tokat e Albanëve dhe prapatokën e Dyrrahut.
     Të nesërmen pas një gjumi të shkurtër të natës, ndoqën udhën në tokat e taulantëve. Pasdite, mbrëmanet, arritën në kodrat e uëlta rrëzë fushës në brigjet e lumit Skampin[5]. Aty u ndodhën para një të papriture. Prijësi i taulantëve, që e kishte qëndrimin në kështjellën fushore të Bashtinës, buzë Skampinit, kishte zënë shtigjet dhe nuk lejonte që ushtria të kalonte më tej. U ndalën. Po bëhej vonë dhe fliteshin plot fjalë për shkakun e ndalesës. Dhanë urdhër që aty të ngrihej lëmi dhe të kalohej nata. Ushtarët hapën çadrat dhe ndezën zjarret. Ishin të lodhur, pak ushqim dhe gjumi do tu bënte mirë.
                                                                    *      *      *
   Nata ishte e kthiellët e mbushur me yje, por hëna ende s’kishte dalë. Nga gryka e lumit frynte një erë e lehtë dhe e freskët. Në njërën nga çadrat, pasi ndezën zjarrin, ushtarët u gatitën për të darkuar.
     -Dirin, me se e ke darkën?
     -Bukë elbi, pastërma dashi, ullinj të kripur, një kupace me gjizë dhe t’lyn brumë.
      -Po për të pirë?
      -Një plloskë  druri me verë të kuqe.
      -Ah më t’a lumça, kemi me se ta lagim fytin.
      - Po ti Labian?
      -Si ti, por kam edhe një zog të pjekur dhe djathë deleje të yndyrshëm, po kam edhe ca kokrra qepë dhe hudhra për oreks dhe bukë të vogla gruri e ca vezë të ziera.
      -Epo nxirre mësallën, të shtrojmë darkën dhe na bëftë mirë.
       Kur panë më tej një ushtar të vetmuar, ata e thirrën të bashkohej me ta.
       -Eja, o mik, bashkohu me ne se kemi për të bërë bashkë rrugë të gjatë dhe më pas një luftë që zotat na dhënçin fitoren dhe na shpëtofshin jetën. Si e ke emrin?
      -Madok, jam nga fisi i Taulantëve, që jetojnë në fushat midis dy lumenjve.
      I bënë vend pranë dhe u shtruan në haje. Hëngrën pa folur sa u nginjën duke kthyer me radhë nga gryka e plloskës nga një gllënjkë verë. Para se t’i merrte gjumi, nisën të bisedojnë:
     -Madok, jeni fshatarë të lirë?
      -Jo. E kemi humbur lirinë, jemi bujkrobër të një bujari ardian që nga koha që mbreti Pleurat i përfshiu taulantët në mbretërinë e tij. Nuk kemi toka tonat. Punojmë tokat e zotrisë, që dikur ishin tonat. Në kohën e të korrave merr atë që nuk i takon dhe neve na le aq sa të mbajmë frymën gjallë.
     - E si e çoni jetën?
     -Mos e pyet. Si kafshët, në kasolle, rrojmë tok me derrat. Shumë prej nesh, mbrehen dhe heqin parmendën për të lëruar tokën. Kujdestari i zotrisë, tok me ca horra të armatosur, kur mbledhin taksat dhe prodhimet, na dhunojnë e poshtërojnë sa herë u teket. Vajzat e reja nuk dinë ku të futen. Si të mos mjaftonin këto, sa herë dalin lumenjtë nga shtrati na përmbytin. Ethet e ligatinës bëjnë kërrdinë dhe  i korrin njerëzit pa mbushur as mesmoshe. Burrat tanë janë të plakur para kohe dhe gratë të rrëgjuara e të vyshkura. Bukurinë e moshës së rinisë, s’e mbajnë as disa vite pas martese. E rëndë është zgjedha e bujkrobërisë. Mjerë kujt i bie në pjesë.
      - Çfarë mbillni më së shumti?
      -Grurë, elb, për bukë, mel për çorbë e bollgur. Bizele,bathë,thjerza e qiqra. Perime e barishte sa për vete.Mbjellim edhe li për endjen e pëlhurave. Mbajmë bagëti të trasha buaj e buallica se e kanë qumështin të trashë dhe në ligatina lerosen e zhgrryhen. Delet ngordhin nga gëlbaza.
     Ai rrëfente ngadal e me dhembje për të keqen që e kishte gjetur fisin e tij.
      -Keq e paskeni. Ke qënë herë tjetër në luftë?
      -Po. Me mbretin Agron, në Medion. Më doli mirë. Me paret dhye plaçkën që fitova, ndërtova një kasolle të re dhe bleva një pendë qe. Po të na shkojë mbarë në këtë luftë që na ka nisur Mbretëresha, dashçin zotat që ashtu të bëhet, do të blej edhe një copë tokë që të fitoj lirinë, se zgjedha nuk durohet dot. Pastaj sa kohë jam ushtar me armë në dorë, më duket vetja njeri I lirë.
     -Po ty,nga të kemi?
     -Quhem Dirin. Jam nga fisi i Autariatëve. Jetojmë në luginat e maleve të lartë,në majat e tyre bora nuk shkrin asnjëherë. Kemi bulqiza e bashtina të vogla por pjellore, kullota pa hesap ku kullosim bagëtinë. Burime të kthiellta si loti. Pa le pyjet. Pylli është vreshti që e mbjell dhe e rrit zoti, njeriu veç të mbledhë frytet e tij. E duam pyllin se na jep djepin për tu përkundur, lëndën për ndërtim, drutë e zjarrit për ngrohje, ushtat dhe shigjetat, gjahun dhe në fund një arkëmort për tu kallur në dhe. Ne jemi njerëz të lirë. Banesat tona janë kulla të gurta e të sigurta për tu ngujuar. Në dimër bie borë,shumë borë, por ne zahirenë dhe ushqimin e bagëtisë i gatisim me kohë. Në netët e gjata të dimrit, mblidhemi rreth zjarrit, pjekim gështenja dhe lahutarët këndojnë këngë trimërie. Në vendet tona, burrat janë kreshnikë e vajzat si zana.
    -Lumë si ju. Por pse vjen në luftë?
    -Atje, në malet tona të largëta, ndodh që njeriu lind e vdes pa dalë nga vendi. Unë jam ndryshe. Dua të shoh botë me sy, jo atë shoshë qiell të vendit tim në male, të tjera vende, të tjerë njerëz, me të tjera doke, të shoh qytete të vërtetë, të shoh sa e madhe është Iliria. Tekefundit, pjesmarrja në luftë, burrë për derë është një borxh, që ja kemi mbretëreshës. Thonë që atje për ku jemi nisur, ka begati e plaçkë të madhe dhe nuk do mbetemi pa pjesë.
    -Ke qenë në luftë tjetër.
    -Jo, kjo është e para.
    -Derisa s’të ka vërshëllyer shigjeta pranë veshit, nuk e di se ç’është lufta. Sefte është e frikshme, të ndrydhet zemra, të ftohet trupi, të rëndohen këmbët,  pastaj mësohesh. Të mëson dashuria e vetvetishme për jetën tënde, për jetën e shokut që ke në krahë dhe të trimëron urrejtja që të ngjallet për armikun që ke përballë. Atë as e njeh, as të njeh, por lufta ashtu e ka: ose do ta vrasësh, ose do të të vrasë. Nuk pyet më.  Gjaku të vlon dhe bëhesh bishë….
    Zjarri ishte duke u shuar,yjet duke u rralluar.
    -Po ti?,-Pyeti ushtarin tjetër.
    -Puna ime është ndryshe. Jam ushtar rrogëtar. Rrimë në kazermë dhe stërvitemi. Kur duhet shkojmë në luftë dhe gjithmonë jemi në ballë. Si ta them, paguhemi për të luftuar.    
                                                                          *       *      *
      Në një çadër ca më larg , rreth zjarrit bëhej një tjetër bisedë:
      -A e dini pse na e kanë prerë rrugën?
      -S’kemi dëgjuar gjë.     
      -Do të çuditeni po t’ua them.
      -Pa hë!
      -Prijësi plak i taulantëve, thonë se i ka kaluar të tetëdhjetat, ka pasuri, mall e gjë si ujët e detit dhe, bujqrobër pa hesap. Ai zotëron kështljellën e Bashtinës, ku gjendet edhe skela lumore që del në Adriatik. Aty bëhet tregëtia e drithit dhe e gjësë së gjallë. Siç ka shumë pasuri dhe lakmi për gjë e mall, ka edhe neps për  shumë gra. Vite më parë, i ra në kokë për një nuse të re. Se si i thonë, maçoku plak i do mjntë të njomë. U martua me një vashë perri nga paria e fisit të Albanëve.Shumë e bukur dhe plaku e donte si i marrë. Lindi edhe dy fëmijë. Po plaku si plaku de, e lanë fuqitë dhe nusja e re e pa kënaqur , i hodhi sytë nga thjeshtri që ishte një djalë i bukur. E po, e reja me të riun. Kur prijsi e mori vesh, u bë bishë. Nuk thonë kot se dashuria shkrin gurin dhe çmend burrin! Nusja e re bashkë me fëmijët dhe të dashurin, nga frika se ai do t’i vriste, morën arratinë dhe shkuan te fisi i nuses, te Albanët. Plaku ngriti një ushtri dhe shkoi ta merrte nusen me forcë. Po Albanët kanë një qytet të fortë rrëzë kodrës dhe të mbrojtur nga mure të larta me kulla. Plaku iku duarbosh.
    Ai ngriti gjyq dhe kërkoi të drejtën, t’i kthehej nusja dhe fëmijët, sa për të birin e kishte mohuar e bërë harram.Turpi i tij lahej vetëm me gjak. Këtë rast, duke qënë se ai ishte fisnik i sërës së lartë e gjykoi Mbretëresha. Bashkë me gjykatësit,   nuk i dhanë të drejtë. Me zor nuk mund të mbahet gruaja kur nuk të do më, kur ajo është njeri I lirë e jo skllave! Ai është zemëruar me mbretëreshën dhe thotë që nuk do të lejojë kalimin e ushtrisë në tokat e tij pa derdhur gjak.
      -Si i bëhet hallit?
      -Princi Skerdilaid bujti te prijësi dhe kuvendoi me të gjithë natën. A e dini si e zgjidhën?
      -Na e thuaj.
      -Do të bëhet një dyluftim. Një kreshnik nga secila palë. Ky, taulanti thonë se ka një kreshnik të zi që ka dalë nga deti. Ha njëhershe një ka të pjekur dhe pi një shakull me verë të fortë. Ka në krah aq forcë sa e ndan me shpatë njeriun më dysh fund e krye.
      -Bre, ç’po na thua! E kush i bëka ballë atij mujsi?
      -Princi Skerdilaid u ka çuar fjalë kreshnikëve të Jutbinës.
       -Ku bie kjo Jutbina dhe çfarë lloji njerzish janë këta kreshnikë që do mbrijnë prej andej?
       -Jutbina është andej nga malet tona. Kreshnikët janë njerëz  si ne, por edhe jo si ne. Ata deri sa kanë mbushur shtatë vjeç, kanë pirë sisë te zanat e malit.Kryet e kanë sa nji shinik, mustaqet një pash, gjoksin dhe shpatullat si shkëmb, këmbët si bredhat,krahët aq të fuqishëm, sa shkulin një lis qindvjeçar me rrënjë, ata ngrenë një gurapesh që se ngrenë as dhjetë burra nga ne dhe e flakin dhjetë pash larg, sa kur bie në truall hap një gropë sa një shpellë! Keni për ti parë kur të vijnë.
      Po humbi kreshniku ynë, taulantit, do ti kthehen fëmijët dhe një nuse e re, por jo e para dhe shtigjet do të hapen, që ne të ecim në udhën tonë. Po fitoj kreshniku ynë, do t’i kthehen vetëm dy fëmijët,por jo nusja. Pas kësaj, me ne do të bashkohet edhe ushtria taulante që të rrugëtojmë së bashku për në luftë.
                                                                 *      *     *
      Sheshluftimi u vendos në fushë të hapur. Të dy ushtritë, pa armë zunë vend ballë njera tjetrës. Dielli ishte ngjitur mbi majat e malit Tomar, kur mujsit dolën në fushën e dyluftimit. Kuajt e azdisur hingëllinin,nga goja u dilte flakë, nga patkonjtë shkëndija. Kalorësit mezi i mbanin. Mujsi I Zi, që kishte dalë nga deti, ishte shtatmadh truprëndë sa mezi e mbante kali, fytyrën e kishte në ngjyrën e ullirit të pjekur. Sido që I madh si mal e I fuqishëm si dem I harbuar, ishte i  ngathët. Gjoksin dhe shpatullat i përshkonin kryq rripat e stolisur. Nën lëkurën e zeshkët që ndriste nga vaji me të cilin ishte lyer, muskujt e fuqishëm dukeshin si popla. Nën vetullat e kërleshura dukeshin sytë e mëdhenj sa një filxhan. Ishte i frikshëm.
    Kreshniku i Jutbinës, ishte një djalosh i shkathët, trupbëshëm e i bukur, mbuluar i tëri në hekur. Kali i tij i zi kishte në ballë një pullë të bardhë. Gjindjes nuk ua mbushi synë dhe u erdhi keq që ai,  do të binte pre e Mujsit të Zi.
    Të dy mujsharët zunë vend te vijat e shënuara të nisjes. Kur buçiti briri i luftës, ata u vërsulën me gjith vrullin. Goditja e ushtave në mburoja ishte aq e fortë sa shungulloi ajri dhe të dyja ushtat u thyen. Atbotë kreshnikët rrëmbyen topuzët dhe iu sulën njeri-tjetrit me tërbim. Jutbinasi i shkathët iu shmang goditjes, por i dha një goditje në përkrenare tjetrit sa mendja i erdhi rrotull dhe mezi u mbajt mbi kalë. Topuzi i shpëtoi nga dora e shkrehur. Shpatat vringëllinë kur dolën nga kllëfi. Goditjet ishin mjeshëtrore dhe të sakta, tringëllima e çelikut ishte si muzika e luftës, si muzika e asaj valleje vrastare. Dhanë dhe morën goditje pa fund sa  shpatat u thyen. Atëhere, Mujsi  Zi, i doli anash kalit të jutbinasit dhe  e rroku për shpatullash. Të dy u rrëzuan për tokë. Toka u trand dhe shungulloi si të ishin rrëzuar dy lisa të prerë, u drodh si të kishte rënë tërmet dhe një shakullimë pluhuri u ngrit në erë. Jutbinasi i shpëtoi nga kthetrat dhe shkarazi u ngrit në këmbë. Vrik u ngrit dhe tjetëri. Filluan ti vinë rrotull njeri tjetrit, me duar të ndera, sy të egërsuar, gjunjë përkulur dhe të ecur tinzar si të bishave kur gatiten ti vërsulen presë. Mujsi i Zi, truprëndë dhe i ngathët, po jepte shenja lodhjeje. Jutbinasi i lehtë e i shkathët, i vinte rrotull por pa e lejuar ta kapte. Tjetri dihaste dhe arriti ta mbërthente. U rrëzuan përtokë, por jutbinasi i shpëtoi nga panxhat, iu shmang dhe u ngrit. Nuk po arrinte ta mbërthente fort, se tjetri ishte lyer me vaj dhe kishte djersirë. Më në fund, ai e kapi për rripash,dhe për çudinë e të gjithëve, e ngriti peshë, mbi krahë, si të ishte pupël dhe ashtu siç bënte në Jutbinë me gurapeshët, teksa tjetri ishte duke përpëlitur këmbë e duar, e flaku tej me sa fuqi kish. Mujsi i Zi u plandos në tokë dhe humbi ndjenjat, një re pluhuri u ngrit mbi ‘të. Jutbinasi i vuri këmbën mbi gjoks dhe ngriti dorën për të përshëndetur gjindjen dhe ushtarët. U dëgjuan brohoritje. Ai kishte fituar.
    Jutbinasi e mori kalin e Mujsit të ZI dhe armët si plaçkë lufte dhe u largua nga lëmi i luftimit, duke e lënë të shtrirë kundërshtarin si coftinë.
    I vogli e kishte mundur të madhin.
    Shtigjet u liruan dhe ushtria vazhdoi rrugëtimin për në Foenike.
     3
      Flota hyri në gjirin e Onhezmit afër mesnate. U desh ca kohë që të arrinin të gjitha. Admiral Orgesi kishte një ngazëllim të brendshëm. Nga ky gjidet, rrethuar me kodra, këta brigje, kishin parë afro njëqind e ca  vite më parë,  nisjen e  flotës me ushtrinë që i printe Mbreti Pirro për në brigjet  italike të Tarentit. Edhe ai ishte Ilir, më i lavdishmi i ilirëve, që u dha dërmën në fushën e luftës maqedonasve dhe helenëve. Ndryshe nga i kushëriri, Leka i Madh, që ngadhënjeu në lindje, ai e kishte kërkuar lavdinë në perëndim.
    Në mol kishin hedhur çengelat për të bujtur edhe tri anije tregtare romake. Pa pritur u gjendën të qarkuara si në grackë nga anijet e flotës ilire. Oficerët deshën të dinin nga admirali sesi do të silleshin me to.
    -Të trajtohen si armike e të zëna prej nesh. Me se janë të ngarkuara?
    -Me mallra ushqimore dhe gjithfarë të tjera.
    -Malli t’u merret si plaçkë lufte dhe të lihen të lira për t’u larguar.
     Ushtarët u hodhën në anijet dhe filluan ta shkarkonin mallin.
     Pronarët romakë kundërshtuan:
     -Jeni duke dhunuar pronën e Republikës së Romës dhe po prekni qytetarët romakë!
      -Edhe ne, zotri, jemi qytetarë ilirë dhe në të drejtën tonë të luftës.
      -E kuptoni se çfarë jeni duke bërë? Do ankohemi në senat!
      -Po u lehtësojmë peshën, që anijet të lundrojnë më lehtë për t’u kthyer!
       Kjo përgjigje u vinte kapak të gjithave. Pas bastisjes duke mallkuar fatin e keq dhe kusarët ilirë, anijet dolën në det dhe u larguan.
       Me rregull e qetësi, ushtria e këmbsorisë së rëndë detare, zbriti në breg dhe sipas anijeve me të cilat kishin lundruar u renditën në katrorë me nga pesëdhjetë ushtarë, në pesë rreshta nga dhjetë ushtarë për rresht. Për sulm do të bashkoheshin dy pesëdhjetëshe në një njësi të ngjeshur, të armatosur me heshta , mburoja e shpata. Njësitë e harkëtarëve dhe hobetarëve ishin më vete dhe prinin në rreshtat e parë të këmbsorisë së lehtë. Në vëngjillë, kur dielli në lindje shkrehu nga harku shigjetat e para të zjarrta para se të shfaqej vetë, ushtria u vu në rrugë. Pasi kaluan qafën mbi Onhezm,ranë në fushë. Në verilindje, mbi kodër u duk qyteti i bardhë i Foenikes. Oficerët largësinë e vlerësuan rreth njëzet stade dhe që të arrihej aty duheshin rreth dy orë. Sa më shumë afroheshin aq më madhështor dukej qyteti. Rrugës, në fushë, hasën fshatra të vogla , fusha dukej që ishte e begatë, e mbytur në gjelbërim. Në të kullosnin tufa të mëdha të imtash dhe bagëti të trasha.
    Kodra ku ishte vendosur qyteti i ngjante një anije të përmbysur. Prapa saj shtriheshin kodra të tjera ndërsa në largësi, dukeshin malet e Kaonisë. Qyteti zbriste me lagjet e jashtme deri në rrëzë të fushës. Në të djathtë, rridhte një lumë, që zbriste nga malet, rrjedhjeshpejtë, ujëkulluar dhe brisk i ftohtë. Dredhonte fushës dhe zbrazej në liqenin e Buthrotit. Për të kaluar matanë bregut të lumit ishte një urë e drunjtë.
     Foenike ishte qyteti më I mbrojtur dhe më i pasur i Epirit, U bë kryeqytet në vitin 234,kur pas trazirave Mbretëria Epirote katërqind e më shumë vjeçare, e sunduar nga dinastia Aeakide, e krijuar nga Neoptolemi, pushoi si qëni. Lidhja Epirote u kthye në republikë,me  emrin Aleanca Epirote, federatë e tri fiseve më të mëdhenj: Molosëve, Thesprotëve dhe Kaonëve, sipas modelit të qyteteve greke, si ajo Etoliane. Pas sulmeve të etolianëve kundër Ambrakisë[6], kryeqendra u shpërngul në qytetin e vjetër e të lulëzuar kaonas të Foenikes, që ishte edhe vatër kulturore, me shkolla arti,  akademi, amfiteatër ku luheshin tragjeditë e Eskilit, tempuj kushtuar hyjnive dhe me një akropol madhështor me statuja të shumta mermeri të shkollës vendëse. Të panumurta ishin dyqanet e tregut dhe ato të prodhimeve zejtare. Fusha pjellore jepte sasi të mjaftueshme drithi, prodhime blegtorale, dhe në kodrat nga vreshtat dhe ullishtat merreshin prodhime të mira që ndihmoheshin nga klima e butë detare. Nga punishtja e monedhave në Antigone priteshin dhe shpërndaheshin monedha argjendi dhe bronzi që përballonin gjithë tregëtinë dhe qarkullimin e mallrave. Në themel të punës ishte përdorimi i punës së skllevërve.
     Ushtria qëndroi aq larg mureve dhe pirgjeve sa të mos e arrinin shigjetat dhe ushtat që mund të hidheshin nga katapultat. Ishte pamje e bukur por edhe e frikshme. Të vendosur në katrorë të rregullt me armët që u ndrinin nga dielli, ishin në pritje, me sytë drejtuar mbi qytetin e bukur, që doemos duhet të kishte plaçkë të pasur.
     -Ky është qyteti. Erdhëm, e pamë,tani duhet ta marrim e ta bëjmë tonin- u tha admiral Orgesi oficerëve të vet që i mblodhi në këshill për të ndarë detyrat dhe radhën e veprimeve.
     -Mos u ngutni me veprime. Sidoqoftë, përgatituni për sulm. Do të veproni kur të merrni urdhër.    
Në qytet ishte dhënë kushtrimi. Në ledhet dhe pirgjet e kullave të mureve rrethues zunë vend rojet, më në brendësi dukeshin lëvizjet e qytetarëve që të rënë në panik nga kjo e papritur rrëmbyen armët dhe përforcuan bedenat e mureve.
     Qyteti rrethohej nga tre palë mure që ishin brenda njeri tjetrit. Muri i jashtëm,ishte me gurë të mëdhenj,të rendë. Muri ishte i trashë,sa sipër tij mund të lëviznin liriisht disa ushtarë. Muri ishte i lartë, nga jashtë mund të ngjiteshe vetëm me shkallë. Në mur ishin bedenat me frengji të ngushta ngaku mund të gjuanin me shigjeta dhe vetë të ishin të mbrojtur. Kështu edhe muri i dytë dhe i tretë, që lidheshin me një rrugë dhe  tre porta të rënda e të sigurta në vijë të drejtë.
     Orgesi me oficerët u erdhën rrotull mureve për të gjetur ato vende që ishin të dobëta apo të pambrojtura mirë,por të tilla nuk gjetën. Ndërkohë nga bedenat i gjuanin me shigjeta por ato nuk arrinin deri tek ata.
     Qyteti mund të merrej me sulm por çmimi për pushtimin e tij do të ishte i lartë dhe do të derdhej shumë gjak. Atbotë, admirali, e la mënjanë trimërinë dhe i thirri dinakërisë. Qyteti i pasur ia kishte mundësinë që të paguante për mbrojtjen e tij. Mbrojtësit e qytetit ishin rrogtarë galateas, ata si lidhte gjë me qytetin, shërbenin vetëm për rrogën që merrnin. Ky ishte profesioni I tyre. Galateasit ishin njerëz të dobët, që e shisnin veten sa herë që dikush i paguante më mirë. Admirali dërgoi një delegat dhe thirri komandantin e rojes galatease.
     Ai erdhi. I paqetë, i frikësuar.
    Orgesi  e shitoi që në nisje me fjalët:
   -Ne do ta pushtojmë qytetin- I tha dhe i tregoi me dorë mizërinë e ushtarëve ilirë në rreshtim luftarak. Dorëzojeni me hir, që të mos e marrim pahir. Jemi tre kundër njerit. Ju edhe po s’u vratë të gjithë, do t’u skllavërojmë që t’u shesim në tregjet tona të skllevërve. Nuk është e këndshme, apo jo?
    -Ç’farë ujdie kërkoni të arrini,admiral?
     -Sa u paguan qyteti?
     Pasi mori përgjigjen, i tha se do tu jepte trefishin e pagës vjetore, në argjend të pastër po të hapnin portat e të mos bënin qëndresë. Do t’i linte të dilnin me gjithë armë dhe të shkonin të kërkonin fatin e tyre ku të dëshironin.
     Pas ngurrimit dhe dyshimeve për ndonjë dredhi e pabesi, galatasi u kandis dhe ujdia u pranua.
     Mbrëmanet, u sajua një sulm gjoja i fortë me të bërtitura e sokëllima, me kushtrime brirësh dhe tamburesh dhe thirrjen “Mbi ta burra”. Një pjesë e galateasve që nuk dinin se ç’ishte biseduar qëndruan dhe luftuan pranë portës dhe oborrit deri sa ranë trimërisht. Ishte haraçi I tradhtisë, që qyteti të mos dyshonte. Me sulmin e parë qyteti ra. Portat u hapën. Rojet u tërhoqën në brendësi pa shkrehur një shigjetë, pa vringëlluar një shpatë,pa hedhur një ushtë. Qyteti u pushtua shpejt. Banorët të tmerruar u mbyllën në banesa. Rrallë shihej ndonjë qytetar. Në sytë e tyre kishte frikë dhe urrejtje.
    Patrullat u shpërndanë me shpejtësi, zunë portat e hyrjes e të daljes, muret dhe kullat, kryqëzimet e rrugëve të brendshme, akropolin[7],  tregun dhe pallatin e bulesë[8] së qytetit, ku gjendej thesari. Prytani dhe të tijtë kishin marrë arratinë. Ushtria u strehua në pjesën lindore ku ishin kazermat e rojeve Galatease. Natën u shpall ndalim qarkullimi.
     -Asnjë plaçkitje, asnjë grabitje, as një tullë s’dua të lëvizë nga vendi. Jemi në një qytet ilir e jo në një qytet armik! Shpërndajeni me zë këtë porosi. Kush vepron ndryshe e paguan me kokë- u tha admiral Orgesi oficerëve.
     -Asnjë plaçkitje,
      -Asnjë grabitje,
       Porosia u përcoll me zë: patrullë më patrullë dhe njësi  më njësi.
       Luftëtarëve nuk u erdhi për voli kjo porosi, të jesh para enës me mjaltë dhe të mos ngjyesh as gishtin! Por ç’ti bësh, urdhërat janë urdhëra. Ata i njihnin mirë ligjet e luftës.
      Lajmi I pushtimit të qytetit u dha me flakën e pishtarëve që u përcoll në anijet e patrullës  nga njera te tjetra deri sa arriti në Skodër. Kalorës  lajmëtarë u dërguan për ti dalë përpara Skerdilaidit që ti jepnin lajmin e fitores.   
      Nga ana e vet edhe prytani i Foenikes dërgoi lajmëtarë për të kërkuar ndihmë nga ushtria epirote dhe aleatët Etolo-Ahejas.
       4
        Foenikes i erdhi ndihma nga ushtria Epirote që ishte lajmëruar përsa kishte ngjarë. Pritej ndihmë edhe nga Etolët,të cilët i kishin nisur trupat.
       Ndërsa ushtria ilire kishte hyrë në qytetin e pushtuar dhe një pjesë ishte në roje të anijeve në Onhezm, epirotët e ngritën lëmin jo shumë larg qytetit, në një shesh në breg të lumit. Ata nuk hapën hendeqe, nuk ngritën ledhe, as pengesa me hunj druri me majë. Kur morën vesh se drejt qytetit ishte duke rrugëtuar me shpejtësi Skerdilaidi me pesë mijë këmbësorë dhe pesëqind kalorës, ata një pjesë të trupave e dërguan për t’i dalë përpara dhe në mbrojtje të qytetit të Antigonesë.Të bindur se kishin lumin si mburojë, dhe se ilirët nuk do të sulmonin pa ardhur forcat e tjera të Skerdilaidit,  pasi hoqën dërrasat e urës dhe e bënë të pakalueshme, u shkujdesën  për rojen e lëmit, dhe ranë në gjumë.
    Ilirët nuk flinin.Admiral Orgesi nuk priti Skerdilaidin. Ishte rasti që lavdinë e kësaj lufte ta merrte të gjithën vetë. Dërguan lajm në Onhezm që të vinin forca ndihmëse, lanë në qytet aq patrulla sa të ruanin hyrjet dhe qetësisht dolën nga porta verilindore e qytetit. Vendosën dërrasa dhe drurë mbi urë dhe kaluan m’at’anë në breg, në një vend të mbrojtur e të fortë dhe pritën gjersa u gdhi. Me t’u gdhirë, ushtria ilire, me radhë të ngjeshura dhe ushta të gjata që dukeshin si pyll, u sulën me sokëllima dhe britma kundër lëmit epirot. Të zënë në befasi, ata me zor u rreshtuan, por goditja ishte aq e papritur dhe e vrullshme sa ata s’i qëndruan dot furisë së sulmit. U vranë ushtarët e rreshtave të parë, epirotët filluan tërheqjen, por ilirët i rrethuan nga tre krahë dhe atyre u mbeti vetëm një shteg për të dalë. Lëmi i luftës u mbush me të vrarë, pellgje gjaku e të plagosur që rënkonin e jepnin shpirt. Pjesa tjetër u zu rob. Ata të pakët që shpëtuan, morën arratinë për të shkuar te Atintanët.
    Lufta u bë përballë qytetit dhe qytetarët e hipur mbi mure dhe në vende të larta e ndoqën me ankth e dhimbje . Kur panë disfatën humbën çdo shpresë për shpëtim. Kryeulur,shpirtvrarë, me kazma e lopata, dolën jashtë portës veriore për të varrosur të vrarët dhe ndihmuar të plagosurit.
    Foenike ishte i pushtuar dhe i pakërcënuar. Ishte një fitore e shpejtë fal befasisë, guximit dhe trimërisë, por lufta s’kishte përfunduar.
     Në horizont, nga ana jugperëndimore u dukën aradhet e aleatëve Etolo-Aheas që po i vinin në ndihmë Foenikes së pushtuar dhe gjithë Epirit të kërcënuar. Ata zunë vend dhe ngritën lëmin në Halikarnon, në fushë të hpët,në një rrip të ngushtë midis tokës dhe detit. Aty do tu jepnin luftë Ilirëve, që të hakmerreshin edhe për humbjen e Medionit.
                                                                  *      *     *
    Me ushtrinë e Skerdilaidit ngjau si me atë topin e borës që shket nga maja e malit dhe duke u rrokullisur teposhtë mbledh rreth vetes një mal me borë deri sa përplaset e shpërthen me bubullimë. Gjatë rrugëtimit, me ushtrinë u bashkuan vullnetarë nga bylynët, penestët,atintanët dhe fise të tjera të vegjël. Me ta u formuan njësi të veçanta këmbësorie dhe kalorësie të lehtë që do të shërbenin për pararojë dhe sulme të shpejta.
     Pasi kaluan Aosin me disa trape të sajuar dhe në vahet e cekta, rrugëtuan në grykat e maleve deri sa arritën në Antigone. Aty u ndeshën me pararojën epirote që kishte dalë për të mbrojtur Antigonenë. Armiku u thye shpejt dhe mori arratinë, Antigonea e bukur në pllajë, mbeti pa mbrojtje, por Skerdilaidi nuk lejoi të sulmohej.
    -Jo tani. Sa më shpejt në Foenike. Do të kemi kohë kur të kthehemi, që të jemi “miq” të Antigonesë.
     E dinte se ushtarët do të ngarkoheshin me plaçkë, pas kësaj ata s’vlenin gjë, prandaj  thuajse duke vrapuar,kaluan qafat dhe para syve u shfaq deti. Morën frymë të lehtësuar.Thuajse kishin mbrritur. Në një vend me burime uji të shumta, të ftohta e të kristalta, ushtrisë iu dha pushim: të laheshin, freskoheshin, darkonin dhe të merrnin një sy gjumë që të çlodheshin.
    Pasi dha disa porosi, Skerdilaidi, me truprojet dhe një shpurë oficerësh, kalëroi për në Foenike. Pasi zbritën qafën, ranë në fushë. Foenike ishte në të majtë, majë kodre. Aty i priste Orgesi dhe gjeneralët e tjerë.
    Tokën duart dhe u rrokën në qafë.
     -Princ ne e bëm tonën.
     -Do të thuash se pjesa tjetër më mbetet mua?
     -Jo tamam. Do ta bëjmë bashkë. Kushedi sa je lodhur. Po ushtria?
     -I dhashë pushim, mbrin nesër në agim. Ngjarjet i mora vesh nga letrat që më dërgove me lajmësit, ç’të reja të fundit kemi?
      -Mbrritën forcat aleate të ndihmës nga Etolo-Akeasit. Janë vendosur në fushë, një vend që i thonë Halikarnon. Në një lëmë të ngushtë, të mbrojtur, por që s’është fort i volitshëm për sulm. Duket se vetëm do të mbrohen. Ne do të na duhet të sulmojmë.
     -Janë shumë?
     -Besoj nja pesë mijë. Por janë si qen të rrahur. Nuk e kanë harruar dajakun që u dha Mbreti Agron në Medion, pastaj, luftojnë në një tokë që s’është e tyrja dhe e ruajnë lëkurën. Këto janë dy armë në ndihmë tonë.
     -Më bie trupi era djersë,-tha princi.
     -Bëj një banjë të ngrohtë, ndërrohu dhe pastaj dalim të shohish qytetin.
     - I bukur?
     -Madhështor, hijerëndë, i pasur dhe i bukur. Pa le ç’gra! Ti pish në kupë!
     -Kur të kthehemi, këtë të fundit mos ja thuaj Jerinës,se është si t’i cytësh grenzat. Më i bukur se Skodra jonë?
     -Me keqardhje, po.
     -Kqyrjen e qytetit do t’a lemë për herë tjetër. Më duhet të fle dhe të jem i kthiellët dhe i fortë për nesër…..
      Skerdilaidi në mëngjes e priti Ushtrinë Mbretërore në fushë, aty ku mbaronte kodra. Bashkë me oficerët shkoi për të zgjedhur lëmin. U kujdes që të paktën njeri krah të ishte I mbrojtur,për këtë më së miri shërbente fundi I kodrës që i mbronte nga shpina, lëmi lejonte fushpamje të gjerë drejt trupave armike, që nuk ishin më larg se pesë stade. Një vijë uji e pastër dhe e kthiellët që kalonte pranë shërbente për të pirë dhe për tu larë. Urdhëroi të hapeshin hendekët dhe të priteshin drurët për gardhin rrethues e pengues dhe u ndërtua një portë e rëndë me trarë. Vëndi ishte i mjaftueshëm për të hapur çadrat. Netët ishin të ngrohta, vetëm në të gdhirë ndjehej pak fresk. Forcat kryesore të sulmit do të ishin ato të Skerdilaidit. Këmbësoria detare e admiral Orgesit do të ishte rezervë dhe do të shërbente për krahmarrje dhe rrethim të armikut.
     Vrojtuesit e kthyer nga shqyrtimi i lëmit etol, thanë se atje nuk kishte shenja për nisjen e një sulmi, ata më tepër prisnin të sulmoheshin dhe ishin përgatitur për mbrojtje.    
      5
       Anija mbretërore e sapo dalë nga puntoria e Kaldrunit, binte  ende era rrëshirë, bashi si sqep delfini, i përforcuar në majë me bronz, përfundonte sipër me gjarpërin Boa që shihte brenda kuvertës,ndërsa bashi kishte trajtën e një bisht peshku të ngritur mbi ujë. Me direk bredhi dhe dy vela ,njera në qendër dhe tjetra afër kiçit dhe tre radhë rremash, ishte gjëja më e bukur që punëtorët dhe mjeshtrat kishin nxjerrë nga duart kohët e fundit. E vozisnin pesëdhjet detarë.
     Komandën e anijes ja besuan Batonit nga Olçini, që për ti shërbyer mbretëreshës e la përkohësisht “gjuetinë” e detit. Olçinakas ishin edhe detarët, të sprovuar e të rrahur në punët e detit. Anija doli në ujrat e Buenës dhe u drejtua për në molin e Skodrës, në pritje të urdhërave për lundrimin e pritshëm. Batoni dëgjoi hingëllima kuajsh dhe doli në kuvertë. Ishte mbretëresha me një shpurë trimash. Hodhën urën. Mbretëresha hipi në kuvertë. Detarët u rreshtuan në dy krahë dhe përshëndetën: “Rroftë mbretëresha”. Nën shoqërimin e Batonit dhe truprojeve të saj, mbretëresha kqyri anijen me imtësi. Dukej e kënaqur. Më pas ngarkuan disa sepete që i zbritën në kabinë. E fundit hipi një vashë, ishte Anila që kujdesej për mbretëreshën.
     -Ngrini çengelin, do të dalim në det,- i tha Batonit ,njeri nga oficerët e mbretëreshës.
     -Madhëri, paçi këmbën e mbarë!,-uroi Batoni.
     -Të mbarë e paçi edhe ju, detarë trima.
     Anija e ndihmuar edhe nga rryma rrjedhëse e ujit drejt detit rrëshqiste me lehtësi. Mbrritën në derdhje të lumit, lanë në të djathtë ishullin e vogël dhe dolën në det të hapët.
     -Urdhërin tuaj madhëri.
     -Në Epir, në qytetin e Foenikes,ku ka ngadhnjyer armata jonë e Ilirisë! Por do të bëjmë një ndalesë në Kepin e Redonit. Që ti truajmë flitë, që të jetë dashamir me ne dhe të na falë një lundrim të qetë e të shpejtë.
     Vetëm dy dinjitarë kishin dijeni për këtë udhëtim të befasishëm: qeveritari i qytetit të Skodrës dhe kujdestari i oborrit mbretëror.
     Koha ishte e qetë, era e mbarë, qielli i kaltër e plot dritë. Anija, e lehtë, velagufuar  çante drejt jugut. Të shumtën e kohës Teuta rrinte e ulur në kuvertë në një poltronë të rehatshme. Kur hynë në ujërat e detit Jon, ajo vuri re se ato ishin të kaltra gati me një blu si më bojë qielli të pastër,ndryshe nga Adriatiku. Edhe malet ishin ndryshe nga ato të veriut. Në majat e tyre nuk kishte borë.Shpesh ata ishin me brigje të  thikët, me këmbë në ujë dhe majat në re. Edhe bimësia ishte më e rrallë. Kur kaluan në kepin e Gjuhëzës, Batoni I tha se  në brigjet shkëmbore kishte shpella të thella, ku mund të strehohej një anije, në brendi të tyre  buronte ujë I ëmbël. Fshatrat e bregut zbardhnin disi larg detit, si ca çerdhe zogjsh të ngritura në shkëmbenj. Më poshtë bleronin ullinjtë dhe dukeshin gjiret e vegjël me rërë të bardhë.
     Kjo ishte Iliria. Iliria e saj. Iliria e bukur. Ky ishte deti që ajo e donte aq shumë sa nuk nginjej duke e parë dhe duke frymuar ajrin e tij të njelmët e të shëndetshëm. Në brigjet e tij ajo ishte rritur. Ky ishte deti i udhëve të ujshme, që lidhte brigjet e popujve të ndryshëm, por që shpesh sillte edhe gjëma e zezona. Prandaj ajo kishte porositur që e gjithë anëdetja të shpallej tokë armike,tokë lufte.
    Kur anija hyri në gjidetin e Onhezmit të gjithë u çuditën nga ajo e papritur: Mbretëresha guximtare e Ilirisë, kishte marrë udhën e detit dhe  ishte midis tyre.
    Nuk vonuan dhe me shumë shqetsim për ndonjë ndodhi të papritur,erdhën për ta përshëndetur Skerdilaidi, Orgesi, gjeneralë dhe oficerë të ushtrisë.
    Ajo dëgjoi me kujdes kallzimet e imtësishme për zhvillimin e luftimeve. Së pari pyeti për humbjet. I thanë se ishin të pakta, më pak ngasa priteshin dhe ishin varrosur me nderime ushtarake.
    -Të gjithë emrat tu shënohen. Kur të kthehemi familjeve tu jepet mandata dhe të kryeshëndoshen në emër tim. Për to hiqni mënjanë pjesën  dyfish, që do t’u jepet ushtarëve të tjerë. Gjaku i tyre nuk paguhet, por tu zbusim dhembjen.
        I tha ato fjalë me mallëngjim dhe keqardhje, si të njihte secilin nga të rënët.
        Bëri pyetje të tjera të shumta dhe desh të dinte prej tyre për vijimin e mëtejshëm të luftës. I dëgjoi por vetë nuk shfaqi asnjë mendim , pohues apo mohues. Duhet të mendohej mirë e të këshillohej.
        U tha se deshi të shihte qytetin. Ata u stepën.Kishin dyshime për sigurinë e saj, por nuk ia thanë. Dëshira e saj nuk mund të bëhej dysh.
     Pasdite, Anila e ndihmoj të vishej  si luftëtare. Hipur mbi një at madhështor, bashkë me shoqëruesit kalëroi drejt Foenikes. Aty e priti qeveritari i përkohshëm i ushtrisë së pushtimit, Laloshi, dhe prytani i qytetit Ademari , që i priu udhen për të parë qytetin.
     Udhët e brendshme për ngjitje në Akropol, ishin të gjera e në formë shkallësh,  të shtruara me kalldrëm. Kryq me të,vinin rrugët e brendshme. Nga krahu i djathtë dukeshin shtëpitë e banimit të vendosura në terraca, në të majtë ishte tregu që ata e quanin agora, me dyqane të shumtë ku ushtroheshin të gjitha zejet. Në pjesën e sipërme ishte “Qyteti i sipërm” apo akropoli, në një vend të sheshuar, ngrihej madhështor tempulli i Zeusit dhe në të dy krahët e tij ai i afërditës dhe Demetrës. Shtatoret e mermerit të bardhë I jepnin madhështi dhe frymë hyjnore. Në altarët digjej flakadani i përhershëm për nder të Zotave.
       I thanë se Akropoli ishte më i madh se sa ai i Athinës.
      Më poshtë ishte forumi, ku bëheshin gjyqet, rriheshin mendimet dhe asambleja e  qytetarëve merrte, vendimet e rëndësishme.   
      Prytani i rrëfeu edhe akademinë ku mësonin skulptorët dhe artizanët e rinj dhe gymnasiumin ku mernnin dituritë bijtë dhe bijat e parisë epirote. Në anën jugore, binte në sy teatri në formë gjysmë rrethore, me shkallë të mermerta që ngjiteshin njera mbi tjetrën. Në ballinë ishin kollonat e mermerta të mbushura me statuja nimfash,faunësh e satirësh. Teatri nxinte pesëmbëdhjetë mijë veta. Nga ana perndimore një lagje e tërë banimi me banesa të vendosura në terraca njera mbi tjetrën. Qyteti sado i pushtuar ishte i pastër, kanalet sipërfaqësore të rrjedhjes së ujrave të shiut ishin me gurë të gdhendur.
    Qyteti ishte i heshtur dhe si i paralizuar. Jeta kishte ngrirë. Pak kush guxoi të dilte për të parë atë grua që thanë se ishte Mbretëresha Teuta e Ilirisë.   
    -Qytet pa kështjellë,-vërejti ajo,-i bukur,i pasur, i fortifikuar mirë por me mbrojtës të pazotë. Qytetarët  e  tij  i ka plogështuar dhe zvetënuar pasuria  dhe begatia. Sido qoftë, ky qytet është yni. Është i Ilirisë. Asgjë të mos prishet, asnjë tullë apo gur të mos shkulet nga vendi, asgjë të mos shkatërrohet apo digjet. Oficerëve nuk u shpëtoi,  që ajo nuk tha ” Të mos plaçkitet”
     Bashkë me përcjelljen e shoqëruesve shkoi në lëmin e këmbësorisë së Skerdilaidit. Oficerët që ishin në dijeni e rreshtuan ushtrinë në katrorë. Ajo parakaloi rreshtat e parë me hap të ngadaltë. Ushtria brohoriti: “Rroftë Mbretëresha”. U ngjitën në një sukë ngaku dukej si në pëllëmbë të dorës lëmi i Etolo-Aheasve.
    -Nuk sulmojnë,-i tha Skerdilaidi,-presin që këtë ta bëjmë ne. Jemi duke shestuar mënyrën dhe kohën, sepse vendi është ca i ngushtë e jo fort i volitshëm. Më së pari duhet ti nxjerrim nga lëmi në fushë të hapur ku mund të hedhim në veprim kavalierinë që ata nuk e kanë.    
  Teuta mblodhi një Këshill lufte në çadrën e madhe të fushimit të Skerdilaidit.       Tashmë ajo vendimin e kishte marrë.
    -Qëllimi i kësaj lufte u arrit. Foenike u pushtua. Ushtria epirote u mund e u shkatërrua. Le të bëjmë paqe. Nuk ka pse të derdhim më gjak. Nuk do të sulmojmë Etolët. Po na sulmuan,më keq për ta. Lajmëroni që epirotët të dërgojnë delëgatët e tyre për të lidhur paqen .Do ti pres në anijen time. Kushtet e paqes do të jenë këto: Epiri do ta prishë aleancën me Etolo-Aheasit. Epiri do të bëjë aleancë me Ilirinë, të pranojë që ti vijë në ndihmë  me anije ushtri e mjete në rast lufte. Të njëjtën do të bëjmë edhe ne. Në këtë aleancë të tërheqë edhe Akarnanët. Kësisoj, iliria e vendos drejtpërdrejt kufirin e saj me tokat Helene. Qyteti do t’u kthehet Epirotëve. Me shpërblim. Qyteti ka pasuri dhe shpërblimi duhet të jetë i denjë për një ushtri fitimtare. Nuk do të bëhet asnjë shkatërrim. Do t’u kthehen gjithashtu robërit e luftës që janë qytetarë të lirë, edhe këta me shpërblim. Skllevërit do të merren në Iliri. Qyteti dhe robërit do të jenë të lirë kur të jetë paguar tributi.
      Skerdilaidi i tha se bisedimet ishte më mirë të bëheshin në bulenë e qytetit.
      -Qyteti tha ajo,-është tokë epirote. Bisedimet duhet të bëhen në tokë ilire. Anija mbretërore është pjesë e tokës së Ilirisë. Bëni gati aktin e paqes, me kërkesat tona, që ta nënshkruajmë e vulosim të dyja palët.
      Për këtë paqe të shpejtë,Teuta kishte edhe një shkak tjetër, por që nuk ua tha. Në veri, Dardania, si aleate e Etolo-Aheasve dhe Epirit, pas vdekjes së Dhimitrit të dytë të Maqedonisë, kishte filluar lëvizjen e trupave në kufi,  duke nxitur edhe disa fise për tu shkëputur nga mbretëria, për ta vënë  Ilirinë midis dy zjarreve. Një kthim në kohë, por jo pa arritur qëllimet në Epir, do ti vinte fre synimeve Dardane.
       6
       Para se të vinte dërgata epirote për bisedimet e paqes, Teutës i thanë se kishte ardhur një grua, e shoqëruar nga truprojet e saj,  që donte ta takonte.
     Ajo pranoi.  Rojet e kontrolluan mysafiren me imtësi dhe pasi nuk i gjetën gjë të dyshimtë e përcollën në dhomëzën e mbretëreshës në hambar të anijes, ku ja dorzuan Anilës.
    Ajo nuk ishte grua por një vashëz e bukur si dritë. Deshi t’i puthte dorën Teutës po ajo nuk ia lejoi.
       Vajza po e kundronte me kërshëri dhe admirim Teutën.
        E ftoi të ulej.
      -Më quajnë princesha Deidema, bija e Deidemasë, mbretëreshës së fundit të Epirit. Nënën time,mbretëreshën, e vranë para syve të mi aristokratët dhe skllavopronarët  para katër vjetësh. Dinastia katërqind vjeçare ajakide u përmbys. Epiri u shpall republikë me emrin “Lidhja Epirote”. Këtë luftë, them se e dërguan Zotat si ndëshkim dhe hakmarrje për gjakun e mbretëreshës, nënës time të pafajshme. Edhe mua deshën të më vrisnin, por shpëtova dhe jam strehuar në Korkyra. Prej andej erdha që t’u shoh. Nga lajmet që vijnë në Korkyra, fitorja juaj është bërë e njohur në tërë heladën dhe romën. Grekëve u ka hyrë tmerri dhe frika në palcë. Kudo nuk flitet veç për rënien e Foenikes dhe shkatrrimin e ushtrisë epirote.
     Ajo hezitoi që të vijonte më tej, por në sytë e mbretëreshës pa hir dhe mëshirë.
     -Për madhërinë tuaj,thonë që jeni shum e bukur, e ditur, krenare, guximtare, trime dhe kanë nisur tu quajnë mbretëresha e detit.
     -Si tu duka? Pyeti me shpoti Teuta.
     -Po e shoh me sytë e mi, se ato që thuhen, janë të vërteta.
     -Pse nënë e bijë me të njëjtin emër? Kaq pak emra vajzash ka në Epir?
     -Është histori e gjatë mbretëreshë, por do ta rrëfej shkurt. Familja jonë mbretërore rrjedh nga Neoptolemi[9] djali i Akilit [10]që u vra në Trojë. Neoptolemin e kishte lindur Deidemaja, bija e Likomedit,mbret i Skiros . Pas rënies së Trojës, Pirro Neoptolemi, mori si plaçkë lufte Andromakën,të venë e Hektorit[11] dhe erdhi u vendos në Molosi.Që nga ajo kohë, emri i Deidemasë është përtërirë në çdo brez. Me të u çel dhe me të u mbyll kjo dinasti.- tha ajo dhe psherëtiu thellë për fatin tragjik të së ëmës, mbretëreshës së fundit epirote.
    Teuta deshi të dinte se kush e qeveriste tani Epirin, ngaqë së shpejti ajo do të priste të dërguarit. Ata që do të vinin, a përfaqësonin vërtet vullnetin e Lidhjes?
    -Organi më i lartë është Asambleja e Popullit, që miraton ligjet,shpall luftën dhe  mobilizimin e përgjithshëm. Asambleja zgjedh Këshillin e Magjistratëve dhe ky këshill, zgjedh për të drejtuar tre strategë që janë nga tri fiset e mëdha: Molosët,Thesprotët dhe Kaonët. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Molosisë ngaqë është edhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë , pas tyre vjen hiparku që është komandant i kalorësisë dhe pas tij  sekretari i këshillit.
   Teutës iu duk i ngatrruar ky lloj organizimi shtetëror, por e kuptoj mirë se ata që do të vinin për të vendosur kushtet e paqes dhe aleancën, ishin tre burrat strategë dhe sekretari i këshillit të shtetarëve. Kaq i mjaftonte.
     Teuta e mbajti për drekë Deidemanë. I tha se po të dëshironte mund të vinte të qëndronte edhe në Skodër, ku do ta kujdesonin me të gjitha nderet dhe të drejtat, që i takonin një princeshe trashëgimtare.
     -Madhëri, e çëmoj shumë bujarinë dhe fisnikërinë tuaj, por shpresoj se një ditë do të rikthehem në fronin e dinastisë Aekide dhe Korkyra është më afër se Skodra.  
     Teuta e mbushi princeshën me dhurata.
     Vajza e falnderoi edhe një herë, hipi në anijen e saj dhe u nis për në Korkyra që ishte matanë ngushticës përballë Onhezmit.
                                                                 *     *     *
       Të tre strategët dhe sekretari I këshillit u paraqitën në mbrëmje. Ngaqë ishin shumë,u ulën në tryezën e kuvertës. Teuta në krye,nga njeri krah Skerdilaidi,Orgesi,Laloshi dhe kapitenë të ushtrisë, nga krahu tjetër epirotët. Dukeshin të trembur si të shpupluar.S’po u ndahesh hija dhe pushteti I grave.të tyren e kishin vrarë,por kësaj s’kishin ç’ti bënin, dukej shumë krenare dhe i zhbironte me një vështrim që i shponte si shigjetë. Ajo ndoshta mund edhe ti vriste!
      Teuta shihte me përçmim dhe urrejtje këta mbretvrasëse të tutur e të zhburrëruar pas humbjes së rëndë të vendit dhe nderit të tyre.
       Sekretari hapi dhe shtriu mbi tryezë fletët e pergamenës[12],uli kallamarin me mellan dhe kallamin e shkrimit, i gatshëm të hidhte ato që do t’i diktonin.
       Princi Skerdilaid, paraqiti kushtet e paqes dhe aleancës. Kur mbaroi pllakosi heshtje e rëndë si të ndodheshin para një të vdekuri. Kur dëgjuan tributin që duhet të paguanin për kthimin e qytetit dhe të robërve, strategu i parë,kryekomandanti i ushtrisë(pa ushtri), u mblodh grusht, gjaku i iku nga fytyra  dhe e zuri një lemzë e keqe.
       -Kaq para nuk i kemi edhe po të boshatisim gjith thesarin e republikës. Veçse të marrim një hua të madhe në Buthrot edhe atë, po qe se na e japin.-Tha ai me dëshpërim.
     Teuta,që deri atëhere nuk kishte folur asnjë fjalë ju hakërrye:  
     -Asnjë qindqrkë më pak! Gjejini ku të doni! Në mos po do ti gjejmë ne, por dijeni, se qytetit tuaj të bukur do ti shkulim dhe gurët e themeleve dhe flaka do arrijë qiellin. Qytetarët e tij do ti lidhim, t’i hedhim në hambaret e anijeve dhe t’i shesim në tregjet e skllevërve që të marrim atë që ju nuk doni ta jepni! Si thoni? Zgjidhni dhe merrni !
     -Ushtria juaj madhëri, është turrur fshatrave dhe qytezave të fushës ,ka shkretuar, plaçkitur dhe grabitur çka gjetur përpara.
      U ankua njeri nga strategët.
       -Një ushtri, që në tokën e armikut nuk ushqen dot veten, kot që shkon në luftë!
       Ishte përgjigja.
       Më në fund afër mesnatës, pas shumë kundërshtimeve e mospajtimeve, me pak lëshime nga të dy anët, paqja u arrit.
      Të dy palët, nën dritën e pishtarëve firmosën e vulosën. Rrotullat e pergamenës të lidhura me gajtan të kuq, i futën në tuba bakri të mbyllur me kapak.
      Të nesërmen erdhën edhe delegatët e Akarnanisë,të cilët deklaruan shkëputjen nga aleancat greke dhe bashkimin me aleancën Ilro-Epirote.
      Reziku që mund ti kanosej Ilirisë nga jugu ishte shmangur. Bota helenike duhet të matej mirë para se të mendonte që të përballej me Ilirinë.
       Kur morën urdhër për të lëshuar qytetin,ushtria bëri zanatin e saj të vjetër: plaçkiti me themel dhe mori gjith sa mund të merrte. Plaçka ishte e pasur,e bukur dhe me vlerë. Ata mendonin se po merrnin atë që i takon çdo fitimtari. A nuk e kishin vënë veten në rrezik jete? U takonte të shpërbleheshin, dhe ky shpërblim do të delte nga qyteti i pushtuar.
    Pasi ngarkuan anijet me plaçkë dhe skllevër, anijet dolën nga Onhezmi  në det të hapët dhe morën drejtimin për në Iliri.
    Teuta,në kuvertëne anijes, nuk I shqiste sytë nga Korkyra. ujdhesa ishte aq pranë brigjeve epirote sa të dukej se po të zgjasje dorën do ta prekje. I ngjante një peshku të madh me kokën në veri dhe bishtin në jugë. Ishte si një roje në hyrje dhe në dalje të Jonit.
    -Ndoshta do t’i vijë radha dhe atij, -i tha Batonit.
    -Ka një kështjellë të fortë e të mbrojtur mirë,-  u përgjegj ai.
 Ushtria e Skerdilaidit u nis më këmbë për tu kthyer nga e njëjta rrugë. Ai ushtarëve të tij, që nuk hynë në luftë, u kishte një borxh dhe nuk i pengoi që t’i bënin një “vizitë “Antigonesë së bukur e të pasur. 

      Vijon


[1] Foenike,kryeqytet I Republikës Epirote, rrënojat e tij gjënden në kodrën mbi fshatin Finiq të Delvinës
[2] Onhezmi, emri I vjetër I Sarandës.
[3] Aos,lumi Vjosa
[4] Antigonea,qytet në Lunxhëri të Gjirokastrës, ndërtuar nga Pirro I Epirit,që I vuri emrine së shoqes,Antigonës.
[5] Skampini,emri I lashtë I Shkumbinit
[6] Ambrakia,qyteti I Artës  së sotme
[7] Akropoli, qyteti I lartë.
[8] Qendra administrative e qytetit.
[9] Neoptolemi,biri i Akilit dhe Deidemasë.

                [10].Akili,hero legjendar i luftës trojane.
[11] Hektori, biri I mbretit priam të trojës. U vra në dyluftim nga Akili
[12] Pergamenë,lëkurë e hollë keci e regjur që përdorej për të shkruar në vend të letrës

No comments: