Saturday, 16 November 2013

PER VASHAT SHQIPTARE



Nga Safet Butka
Përgatiti Vepror Hasani

“Si mund të jetë i zgjuar e i mbarë një komb pa patur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmijës”
Naim Frashëri

I

Vashat shqiptare – motrat tona – ç’fjalë kjo me tingëllim të mallshëm e ç’zemër e gurtë ajo zemër prindi a zemër vëllai që do të mos prekej dhembshëm kur dëgjon të flitet botërisht! Ajo nuk quhet as zemër shqiptare. Se shqiptari i vërtetë e ka dashur, e ka mprojtur dhe e ka nderuar motrën e vet siç nuk bëhet sot pothuajse as gjëkundi në botë. Vasha shqiptare në derë t’et, (ka zënë sidomos para nuses së vëllait) vendin e zonjës së shtëpisë. E vëllai fisnik, jo veç që është kujdesur si at, që ta martojë motrën në vend të mirë, por ka tërhequr dendur dhe armiqësi gjaku e është vrarë për nder e saj, e për të mos e lënë atje ku heq e vuan. Për fat të mirë, këtë ndjenjë të lartë e ka edhe sot shqiptari i vërtetë, por nuk e shfaq dot ku duhet e si duhet. Dhe ky s’është aspak faji i tij, se fajin e ka koha me ndryshimet e saj të papritura. Koha e sotme kërkon prej tij, (që është i papërgatitur), të tjera detyra, të tjera mjete veprimi. Dhe këto të gjitha duhet t’i njohë, duhet t’i peshojë e duhet të jetë në gjendje që t’i vërë në punë. Përndryshe, ai s’u përgjigjet dot nevojave të shumta që e rrethojnë e ç’është më e keqja bie “rob” në duar të një armiku të tmerrshëm pa ditur të përdorë cilësitë e rralla shpirtërore që janë armët me të cilat është pajuar (pajisur)
Koha
Po le të mos ngarkojmë kohën kur fajin na e ka koka. Se me ç’u ngarkohet në këtë rast, i paditur dhe i pafuqishëm në mjete lëndore, nuk shpëtojnë nga përgjegjësia morale ca të pakë që janë bijt’ e kohës e që merren sadopak me problemet e ndryshme të jetës dhe paravajtjes së kombit shqiptar, sepse këta zotërinj, jo veç që s’ kanë mundur, por pothuajse as janë munduar që të zgjojnë një interes të përbashkët, pa të cilin problemi i femrave shqiptare s’mund të zgjidhet kurrë. Populli ynë ndahet edhe sot në dy grupe të turpshme: në njërin që ka bija e motra në shtëpi, për fatin e së cilave ai e ka për turp të flasë e të shkruajë gjë, dhe në tjetrin që s’e ka për turp të thotë: “Oh! Ç’më lipset mua të lodh kokën kur e kam të ligën larg”… Por edhe ky faj s’i detyrohet zemrës së shqiptarit, të prekshëm nga halli i vashës së gjorë, por edukatës së tij të metë (të mangët). Ai s’është mësuar që të mendojë e të bisedojë mbi interesa të bashkëta, të afërta e të gjalla. Andaj përgjegjësia më e madhe iu ngarkohet, siç e thamë, atyre që janë ose pretendojnë të jenë udhëheqësit e popullit të paditur e aq më e madhe bëhet përgjegjësia kur ca nga këta merren me probleme të tjera, problemin e vashave e ndajnë përdhunisht prej tyre, në vend që ta këqyrin në lidhjen natyrale që ka me ta, e në vendqë ta nxjerrin dhe mbi ta si problemin më me rëndësi për kombin, sepse pa u vënë në udhë jeta e vashave që do të jenë mëmat e nesërme, “nuk mund të vihet në vijë dhe jeta e shtëpisë dhe e fëmijës”. Pa u përmirësuar gjendja jonë familjare – familja që është themeli, - s’mund të vejë mbarë as puna e një shtëpie të posakrijuar.
Shqetësimi
Mjerisht këtë të vërtetë që na e tha Naimi 40 vjet më parë po na e vërtetojnë sot edhe provat e hidhura që kemi nga jeta praktike, të cilat na thonë: Pasqyra e një shtëpie është familja. E përkundrazi gjithashtu, shumë nga pengimet e mëdha që ka gjetur e po gjen dhe sot punimi i makinës shtetërore, s’na ngjajnë ta kenë rrënjën gjetkë, përveçse në edukatën e përgjithësisht në gjendjen e keqe dhe të keqësuar të gruas, sepse për të e për kombin e gjorë s’qe mjaft që t’i ndodhet familja e pazonja për të kryer detyrat e rënda që i cakton koha, por ja tani dhe një pakujdesi për të mirësuar konditat e vështira.  Në të gjitha fushat e tjera po bëhen ndryshime, por në familje jo. Përkundrazi, sa i përket gruas që është shtylla e familjes po bëhen me kokë të tyre disa ndryshime me shenja negative që na trembin, sepse në mbajtshim udhën e pakujdesisë që kemi zënë, familja do të shkatërrohet dhe bashkë me të edhe kamja, prehja e nderi i ynë. Këto ndryshime të shtrembra, (si fryt  i mungesës së një interesi të përgjithshëm), do t’i shohim pak më afër në pjesët që pasojnë të këtij artikulli, ku do të mundohemi të këqyrim gjendjen e gruas së sotme dhe rolin e saj fatal që po nis të lozë në mjerimet tona, si në pikëpamje të edukatës morale e kombëtare, ashtu edhe në pikëpamje të harmonisë e të ekonomisë familjare. Këtë këqyrje do ta bëjmë doemos jo për të zbavitur duke u tallur me dobësitë e grave të sotme, por me qëllim që të njohin pak të metat e tyre e të marrim masat e nevojshme për t’u dhënë dobarem një udhë më të mbarë, të përkundërtën e asaj që po marrin ato vetë.

II

NGA PIKËPAMJA E LUMTURISË FAMILARE
Familja është si një trup i gjallë; meshkujt përbëjnë kryet e trungut, femrat duartë e këmbët, ndjenjat e përbashkëta, shpirtin e tij. Dhe siç ka trup të shëndoshë plot lumturi, trup ulok a sakat që me zi hiqet dhe trup të sëmurë rëndë që më s’sheh ditë të bardhë, ashtu ka edhe familje që pjestarët e saj rrojnë në harmoni, familje që përmbahen me ah e me vah nga e keqja, dhe familje, së fundi, ose fole djajsh ku mbretëron grindja e fatkeqësia. Për fat të keq, po pyesim tani, se familja shqiptare, përgjithësisht, në ç’radhë hyn? Përgjigjja e hidhur na jepet më mirë me anë të dy pikturave (tablove) të shëmtuara. Njëra e barazon atë me trupin e një topalli me këmbë prej druri, e tjetra e përngjan me trupin e një të dehuri që i merren këmbët dhe përpiqet mur më mur. Dhe kur e para përfytyron gjendjen e sotme, e dyta paralajmëron ndodhjen e nesërme, ku gratë nuk do të vijnë aspak në harmoni me burrat e tyre. Pse?
- Sepse gratë e sotme s’u përgatitën dot për këtë kohë ku lypet bashkëpunim e dashuri reciproke; sepse gratë e nesërme, që janë vashat e sotme, nuk po zhvillohen siç e do nevoja e kohës, harmonikisht e krah për krah me pjesën mashkullore të trupit familjar.
Shkaqet
Le të shikojmë më parë shkaqet e gjendjes së sotme:
- Këto përbëhen kryesisht prej pazotësisë që po rrëfëjmë ne, për të kuptuar ndryshimet e nevojat e kohës së djeshme, të sotme e të nesërme. Kjo pazotësi vërtetohet së pari, nga mosndryshimi i mënyrave të themelimit të familjes ndërmjet një fejese e martese qesharake, të cilat mbështeten në baza që s’janë më. E pastaj, duket edhe në ndo pak ndryshime që po bëjmë, të cilat duke mos u bërë në harmoni me fuqinë tonë lëndore, mendore e morale, i sjellin trupit familjar një çrregullim e një fatkeqësi në vend të harmonisë e lumturisë që duhej të kishte. Gjer dje, që ndodheshim në një kohë të atillë, që jetë e njeriut s’ishte e sigurtë, sepse, sidomos, armiqësitë e gjakut farosnin dhe fiset më të lartë, femra përdorej nga nevoja si mjet besëlidhjeje midis dy fiseve. Secili mundohej pra, të bënte një mik të fuqishëm dhe nga miku s’kërkonte aq një çupë a një djalë të mirë, se sa tri gjëra të tjera: e para, një ndihmë armësh; e dyta, një ndihmë lëndore; dhe e treta, një ndihmë morale ose mendore që lypej nga miku për të kërkuar të drejtat apo të padrejtat nga qeveria ose për të çqitur ngatërresa hesapsh a zënkash në mes miqësisë. E këtyre tri nevojave u mbështetej edhe mënyra e krushqisë. Prindërit dhe i tërë fisi kishte doemos më shumë vleftë se djali, pa le çupa vetë, e prandaj, që të mos prishej interesi i përgjithshëm nga interesat vetjake të dhëndërit a nuses, të cilët s’pyeteshin fare, nuk u jepnin rast që ta shihnin njëri-tjetrin para se të martoheshin. E pas dasme ngjante fort rrallë ndonjë ndarje, e cila të ishte për shkak të mospëlqimit të të rinjve. Të shumtën e herës ndarja vinte vetëm kur këtë e dëshironin prindërit e njërës anë e kur këta merrnin në sy jo vetëm humbjen e një aleati, por edhe shtimin e një armiku gjaku. Prandaj lënia e nuses a e burit ishte e rrallë.
E sotmja
Por siç e thamë, e djeshmja me të sotmen ndryshojnë mjaft. Nevoja e armëve të mikut në rast armiqësie u zhduk; ndihma financiare u bë jo veç shumë e vështirë për t’u dhënë, por edhe fort e rrallë. (Miku s’të jep sot të holla edhe sikur ai të ketë një kazinë e ti të varesh për një grosh). Gjithashtu, u pre edhe shpresa e ndihmës morale, sidomos përpara qeverisë. Gjer dje mblidheshin 100 miq që luteshin a protestonin për interesat e shkelura të një personi, por tani i tregojnë këtij avokatin dhe vetë rrinë mënjanë, sepse një dalldisje e tillë mund të bëjë përshtypjen e një kryengritjeje të vogël. Këto ndryshime i shohin sot të gjithë, por prapë nuk duan të heqin dorë nga shpresat e kota që ushqejnë. Vetëm një ndryshim ngjan të jetë bërë përsa i përket krushqisë: që bota s’po pyet aq për fis e për famë të mikut të ri. Mirëpo vendin e saj po e zë çështja ekonomike. Prindërit e djalit mundohen të marrin bashkë me nusen edhe një kapital në mall a në prikë; kurse prindërit e vashës përpiqen ta japin pa gjë e më ndonjë shtëpi me bukë. Që kjo konditë rëndon tepër mbi prindërit e vashës është e tepërt të themi; gjithashtu edhe shumë vasha që s’kanë ndonjë pasuri, nuk po martohen me kohë e që disa po mbeten pa vluar (fejuar) fare. Por s’janë veç vasha e prindërit e saj që po shtypen materialisht e moralisht nën këtë barrë, sepse “marazi është maraz”, thotë një fjalë e vjetër. Një burrë që mbështetet mbi kapitalin e gruas nuk sheh ditë të bardhë. Por, arsyeja kryesore s’është ajo që thonë pleqtë, se “gruaja të vë në dorë e të përdor si qehajanë e saj”. Jo! Shkakun e fatkeqësisë e gjejmë në të hollat që merren kot e prishen kot e ca më tepër në arsyen pse burrat e kanë sot synë pothuajse vetëm në të hollat. Dhe kjo arsye s’përbëhet aq prej krizës ekonomike se sa prej së vërtetës së hidhur që ndjehet instiktivisht, që femra s’i siguron më burrit besëlidhjen e fisit për të cilin ai s’ka nevojë. Kjo do të thotë se prika kërkohet nga ana e burrit si një statisfaksion për ato që s’i pret më nga ana e njerëzisë së gruas, sepse si mjet lidhjeje për rrojtje e humbi vlerën. E burri zuri të mos e shohë më gruan pak a shumë barazi me veten e tij. Ky vete gjer në anë të anës për të fituar, por ajo që po heq dorë nga punimi i leshit dhe i mëndafshit dhe nga puna përgjithësisht, s’ushqehet dot më në rast nevoje me djersën e saj.
Burri dhe gruaja
Po arsyeja më e madhe që ndan (dallon) gruan nga burri  përbëhet prej ndryshimit mendor; burri më i humbur pati rastin të dalë, të shohë e të dëgjojë më tepër se gruaja e vet, që edhe në ka bërë ndonjë ndryshim të vogël me anë të modës, ndryshimi i saj është i përciptë e disa herë i lidhur me shpenzime, me papunësi e me demoralizim. Dhe me qenë se ky ndryshim mendësie nuk vogëlsohet a mbulohet më as nga interesat e jashtme (hatër i miqësisë), dhe as nga të brendshmet (nga pëlqimi i bukurisë e i karakterit, të cilat i mungojnë bashkë me dashurinë shpirtërore, që është e panjohur për ta), themelet e familjes së sotme po lëkunden aq keq sa siguri e jetës së saj s’mund të sigurohet as me thesaret e gjithë botës që do të japë gruaja si prikë për statisfaksion të burrit që ajo se ka shoq. Përkundrazi, kontrasti në dije e në ndjenja e sidomos në zotësi për të përmbushur detyrat e reja që i ngarkon familjes koha e sotme, po bëhet përditë më i madh. E atëherë nuk shtojmë gjë të paqenë, po të themi se trupi familjar i sotëm s’është zhvilluar harmonikisht, ai i përngjan me të vërtetë trupit të një topalli, këmbët e të cilit janë femrat. Dhe sikur të mos e mbanin pakëz ca fije merimage që duken vargonjë të mbetur nga koha e djeshme, (frikë, turp, e hatëre), ai do të shëmbej, të thuash, fare
Vashat duhen lëvduar
Po kjo fatkeqësi po ruhet për nesër. Se ajo që u shkaktua gjer sot nga rastet, po bëhet sot e tutje me sistem: djalëria që përbën vetëm gjysmën e trupit të nesërm të familjes po zhvillohet sot nëpër shkolla të ndryshme e nëpër ushtrime paraushtarake, po vashat, - mëmat e pritme… pothuajse me asnjë mënyrë. Edhe më e keqja është se këto s’rrinë kështu si ç’i lëmë, pak nga pak po marrin, (edhe këto me sistem), një udhë të shtrembër me kokë të tyre për të mbledhur andej-këndej vetëm lëvozhgat e një qytetërimi evropian, të cilat lëvozhga po merren me anë të modës. Po faji s’është i tyre, se këto i bëjnë ndryshimet jo aq se tërhiqen nga fuqi e madhe e modës, se sa nga nevoja e brendshme që ndiejnë e i shtyn të përdorin modën si mjet për të mbuluar ndryshimet e dobësitë që i ndajnë sot nga vëllai e nesër nga burri. Përkundrazi, vashat e gjora duhen edhe lëvduar, që me instiktin (në mos me mendjen) e tyre të rrallë, po i sillen vetë shërimit të kësaj plage. Dhe plaga do të kish gjetur gjer më një pikë ilaçin e duhur, po të mos e pengonte mendësia e ndryshkuar e prindërve, të cilët nuk lënë dobarem vashën t’i dalë të paktën çdo njeriu që vete si mik në shtëpi, i cili do ta pëlqente nga bukuria , por i mbyllin në shtëpi me shpresën se dhëndurët do t’i marrin siç i kanë marrë vetëm për hatër të miqësisë së tyre. ( Këtu flasim më shumë për muhamedanët që përbëjnë shumicën se këta të zez do ta paguajnë shtrenjtë mendësinë e tyre) Sot po del vasha para Katundarisë  e djali do të thotë: “S’e dua!”. E atëherë këta do t’i gjejë si ai që rruante mjekrën në pazar që të mos e shihte e të mos e merrte vesh gruaja.
Ndryshim i dëshiruar
Sidoqoftë ky ndryshim i dëshirua, sidomos nga ana e djemëve, do të bëhet së shpejti. Por mjerisht plaga nuk do të shërohet fare. Sepse vetëm pëlqimi i fytyrës nuk garanton një dashuri të përjetshme, për të cilën pyet ligji i ri e djali i ri me parime të kohës. Kjo sigurohet më shumë nga mendimet e ndjenjat e përbashkëta e afron të njëjtat që duhet të kenë të martuarit e nesërm modernë. Pa këtë siguri s’mund të kërkojë njeriu nga djemtë e vashat e sotme që kanë marrë udhë të ndryshme. E atëherë çdo të ngjasë?
- Atëherë djemt’ e rinj, që do të shtrëngohen të lidhin fatin e tyre me një copë mish me dy sy, që është në kundërshtim me ta, jo vetëm në dije, por edhe në sjellje e sidomos në detyra të përbashkëta do të ndiejnë veten fatkeqë për tërë jetën e do të mallkojnë jo vetëm orën e martesës, por edhe atë që u dha rast të marrin një kulturë që po i ndan tani edhe nga gruaja,- mëma e fëmijës, e shtylla e familjes. Po mallkimi më i madh do të bëhet nga ana e vashës së sotme, e cila po e sheh vetë me sy se si po degradohet. Edhe vëllai i saj idiot ka të drejtë të vejë në shkollë e të mburret me dije, kurse ajo është e detyruar nga grushti të rrijë pa shkollë “si me ndenjë etshëm te kroni!” Se atëherë kjo do të ushqejë në zemër të saj një mëri të papajtueshme kundra prindërve, kundra vëllezërve egoistë e kundra shtetit që i mohon të drejtat e shenjta të kohës për arsyen e vetme se kjo u lind femër. E në mos ua shpërbleftë dot që të treve, do ta marrë shpagën tërthorazi nga burri i saj “modern” që nga njëherë blihet me prikë. Dhe do ta marrë me këto mënyra të ngjashme: me një qëndrim të ftohtë në dashuri, me një si dëshirë djallëzore për të mos qenë me të vërtetë zonjë e shtëpisë, mëmë e fëmijës e krej i njerëzisë.
Përgjegjësia
Për fat të keq, këto vërejtjet e fundit do t’i zgjerojmë më poshtë, veçan si shenja të keqe që duken aty-këtu; edhe gratë e sotme na kujtojnë pikturën tragjikomike që përdorëm në fillim. Trupi i familjes së nesërme do të krijohet në baza të vjetra, të kalbura e me kundërshtime, do t’i ngjajë fort trupit të një të dehuri dhe fatkeqësia do të përfshijë tërë pjestarët që e përbëjnë atë trup të sëmurë. E përgjegjësia e tragjikes do të jetë në këtë rast e gjithë atyre që s’njohin dhe ndryshimet e nevojat e kohës, por sidomos e atyre që kërkojnë ta marrin kulturë pa vënë në atë punë edhe duart’ e volitshme të vashës, pa të cilat besojmë se s’mund të merret plotësisht.

III

NGA PIKËPAMJA EKONOMIKE

Familja moderne mund t’i barazohet në pikëpamje ekonomike një shoqërie të vogël tregtare – një ortakërie,- që ka për bazë bashkimin e kapitaleve e të detyrave dhe për qëllim- fitimin. Dhe gjithashtu, sikundër përpiqen ortakët që të shtojnë kapitalin e me anë të tij të sigurojnë jetën e famën e firmës, ashtu mundohen edhe shokët e familjes, grua e burrë a mëmë e at, për mirëgjendjen ekonomike të familjes, të cilët në këtë rast s’janë gjë tjetër përveç se trashëgimtarët e një firme që njeriu s’do që ta humbasë. Por mjerisht ky shembull s’i afrohet gjëkundi familjes së sotme shqiptare. Se shumica e themeleve të saj, të kohës së djeshme, nuk janë bazuar fare në ekonominë shtëpiake dhe se ndryshimet e paka që po bëhen me këtë mënyrë, kanë marrë përgjthësisht një udhë të shtrëmbër. Arsyen e parë e mbështetim në vërejtjen që bëmë dhe në pjesën e dytë të këtij artikulli se rolin kryesor në formimin e një familjeje e luante gjer dje nevoja e mprojtjes së jetës që mund të bëhej vetëm atëherë, kur familja të kish zgjedhur për shoqe armësh një familje prej fisi të mirë e të shëndoshë. Dhe kësaj nevoje i shtoheshin dhe kondita të tjera. Atëherë kur lidhja nuk bëhej aq në mes të burrit dhe gruas së re sesa midis dy fiseve, të tërë atëherë kur miku rronte vetëm me fuqi të miqve, e atëherë ishte një gjë e natyrshme që burri të kënaqej edhe vetëm me aq, që gruaja   t’i bënte bukë e gjellë të mirë për miqtë dhe fëmijë (në ishte e mundur djem, që do t’i hapnin derën!); atëherë njeriu kishte të drejtë të thosh: “Më mirë një mik se sa një çiflig”; e atëherë s’ishte asgjë e kotë që njeriu të përdorte pasurinë e djersën e tij vetëm për rrojtjen e përditshme e për forcimin e miqësisë që mund të bëhej me anë ziafetesh e muhabetesh
Forcimi i familjes
Po sot u zhduk kjo nevojë, duhet të forcohet familja brenda për brenda se ka edhe qëllime e detyra më të larta. Ky forcim mund të bëhet doemos atëherë kur burri e gruaja të kenë kuptuar nevojën e një bashkëpunimi si ortakë që janë. Po në familjen tonë s’është bërë pothuajse asgjë në këtë drejtim. Se gratë e sotme nuk kanë hequr dorë edhe nga mendësitë e djeshme e puna e tyre në pikëpamjen ekonomike sa vjen po pakësohet. I vetmi ndryshim që kanë  bërë është ai që përmendëm edhe më sipër, që tani nuk parashikojmë ta japim vashën aq tek një fis i madh a i lartë, që s’ka mall e gjë, po nek një familje e vogël, por e pasur, ku çupa të jetë e siguruar mirë ekonomikisht. Po edhe ky ndryshim s’është për të qenë, po të kujtojmë se sigurimi i rrojtjes së vashës me këtë mënyrë bëhet me shumë sakrifica të tjera, që e bëjnë më pastaj fatkeqe e disa herë i japin rast edhe të demoralizohet. Sepse me që gruaja e re s’ka ndonjë mjeshtëri e zotësi që t’i shpërblejë burrit kapitalin, nuk lot dot në familje rolin e meritueshëm si shoqe e burrit, zonjë shtëpie e mëmë e fëmijës, por rolin e çndershëm të një “maitresse”. Nga ana tjetër burri që ka marrë gruan, siç thonë ca: - “për qejft të tij”- ka detyrë të përkujdeset jo veç për ushqimin e saj më të hazërtë, por edhe për të shuar etjen e madhe që ka zonja për të ratë e modën.
Gra “të civilizuara”
E për fat të keq këtë udhë të shtrembër po marrin dalëngadalë të gjitha ata e ato që duan ta shesin veten të qytetëruar! Moda e veshjes po u shërben më një anë për t’u dukur interesante, më anën tjetër si pa ndonjë ndryshim mendor me burrat që kanë bërë shkollë ose që kanë parë botë me sy. Po në këtë rast, po i fut edhe në borxhe që s’ia kanë fuqinë,  e familja në vend që të forcohej për të kryer detyrat e kohës, bie edhe ca më poshtë. Që të shohim më afër këtë zhvillim të përciptë që po bëjnë gratë e sotme, le të vëmë re sjelljet e grave  të Korçës si mostra të tmerrshme të grave të civilizuara të Shqipërisë së nesërme. Se korçarkat po e marrin rekordin si në prishjen e të hollave për “lluks” e cinema, ashtu edhe në papunësi që është në kundërshtim të madh me të ardhurat e paka e me moralin e njeriut e shëndetin që ushqehen nga bekimi punës. Dhe këto s’i bëjnë vetëm gratë e të pasurve, disa prej të cilave kanë një farë kulture; këto s’i bëjnë veçse të krishterkat që kanë gëzuar me kohë një liri personale më të madhe se motrat e tyre muhamedanka, e këto si bëjnë veç gratë e bejlerëve, që po shiten me gjithësej për të qenë të parat e tufës… por i bëjnë pothuajse gjithë gratë e qytetit pa ndryshim feje e pa ndryshim klase, pa ndryshim dije e pa ndryshim moshe, pa ndryshim edukate… e pa ndryshim pasurie! Veç ndonjë plakë sheh njeriu në të rrallë që të punojë leshin e pambukun si qëmoti. Po sa para bëjnë këto, kur mjeshtërinë e tyre të bukur nuk po e mësojnë edhe bijat e tyre?

IV

NGA PIKËPAMJA E GRUAS FSHATARE NË EKONOMINË SHTËPIAKE

Për fat të keq shembëll e ligë paska fuqi tërheqëse. Edhe jashtë e larg Korçës nëpër fshatra, takon njeriu dendur gra me cipulla të mëndafshta në trup, e me çorape ngjyrë mishi në këmbë, – në atë këmbë malësore që është burgosur në këpucë lustrina e nga pluhuri për hava kur shkel si me inat mbi velënxat e vjetra të dhomës së shtruar allaturka!  Po mos është ndryshuar ndopak mendësi e tyre? Aspak! Të ngutin burrat që t’i shpienë me kalë ose me automobil në dasma e ngushëllime të njerëzve më të largët, – e do puna për to; të bëjnë gjellra e mezera të panumërta, kur u vjen në shtëpi mik i paardhur kurrë, -  është detyrë për to; të lënë avëlmendin, shtijat dhe gjilpërat e burri të blerë jo veç petkat e jashtme në Pazar, por edhe këmishën e çorapet e leshta, - s’është më turp për to; të ruajnë supersticionet e magjitë, të thërrasin hoxhën, që në vend të doktorit, -  është gjendur për to; të sëmuret njeriu nga të ftohtit, - është taksirat për to; shkurt: të mos lëshojnë ca zakone të kota e plot harxhe, - është adet për to; po edhe të shpikin e të imitojnë zakone të ra që s’vinë në harmoni me qënien dhe kamjen e tyre, - kështu doli për to; e t’i thonë burrit që e dinë se s’ka një grosh në xhep: sillmë kafe e cigare… se na vijnë zonja e përndryshe turpërohemi, - është nder për to…
Çudia
Dhe çudi! Edhe ai burrë që përndryshe e për asgjë e rreh gruan e vet me drut, – edhe ai burrë s’ka guximin e duhur që t’i kundërshtojë gruas kompetente në të bërë ndere. Ajo ka krijuar me kohë, (në pikëpamje të zakoneve të vendit, në rritjen e metë që i jep fëmijës e në mënyrë primitive të punimit) të drejta të atilla, që burri jo veç s’mundet të ndërhyjnë në punë të grave, por është i detyruar të veprojë disa here edhe  kundra mendimit, kundra dëshirës, – e ç’është për të vënë re në këtë rast, kundra fuqisë së tij financiare. Edhe në mos pastë  ç’gjë të shesë a shpresë që të marrë të holla nga ndonjë anë, shkon e merr hua me fajdenë më të rëndë e nuk e lë gruan të turpërohet për kafe! Të tjerë burra mundohen e mundohen këtu për atë nder, pa venë edhe gjer në anë të anës për të fituar; po s’e dinë akoma se për kë përpiqen, s’e dinë të gjorët se sot po bashkohet në gratë e tyre padija me djallëzinë e papunësinë dhe fjala e pleqve po nis të vërtetohet pikë për pikë. “ Burri (të sjellë) me qerre, gruaja (të nxjerrë ) me majë të gjilpërës, dalin barabar!” Por nga ana tjetër, fajet i kanë përsëri burrat, dhe jo veç ata burra, që nga padija dhe nga egoizmi, i mbyllin derën çdo ndryshimi të grave, ( se gjoja u demoralizohen), po edhe ata të pakë që hiqen të qytetëruar e u predikojnë grave liri të plotë, pa u munduar që bashkë me lirinë e petkat e modës t’u jepet edhe mendësia e mënyrat moderne për të kryer detyrat e tyre të ra si zonja shtëpie, e mëma fëmije.
Shoqëria e grave
Nuk jemi të mendjes që gratë e burrave të venë tani në shkollë. Jo! Mësonjës i gruas është burri vetë! Po që të bëjë përshtypjen e duhur te gruaja, duhet t’i rrijë pranë dhe ta kontrollojë se për ndryshe, kur burri rri ditë e natë jashtë shtëpisë dhe vjen përgjthësisht veç për të ngrënë e për të fjetur, (dhe kur ajo e di mirë se ai s’ka punë jashtë, po merret me të lojtur kumar, me të pirë), gruaja merr udhën për vizita të kota, e shoqet e saja, – sidomos ato që dinë se si të rrojnë, – bëhen mësueset më të fuqishme në botë! Këtu gjen gruaja e neveritur dy gjëra për të cilat ka aq nevojë: zbavitje e vleftësim! Zbavitja bëhet përgjithësisht me të folur pa radhë e pa gjymbryk; vleftësimi vjen nga gykimi i mirë që jep shoqëria drejt a tërthori e duke e mbështjellë rreth një gruaje me një farë rëndësie në mexhilis. Po kur zbavitja, përgjithësisht, mbi kurriz të ndonjë shoqeje që s’është aty, e cila s’di të vishet e s’di të rrojë, vleftësimi i asaj që lëvdohet është mbi kurriz të burrit; gruaja që lot një rol kryesor në shoqërinë e grave është vetëm ajo që është e zonja të përfitojë sa më tepër të drejta nga burri që të vishet më mirë nga shoqet e të presë më mirë, (d.m.th.) me bollëk vizitat e panumërta të grave. Sidomos nëpër fshatra po bën gruaja , kur i vjen një zonjë si mike, gjithë ato marrëzi që bënin burrat qëmoti për mikun që kishin për kokë. E burri që s’përzihet në punë të grave, bën sehir kur gruaja harxhon në një çast atë qeveri që mezi e kishin vënë mbase në një vit të tërë. ( Me rastin e mysafires thirren për darkë edhe gratë e mëhallës, të cilat e ftojnë të huajën në shtëpi të tyre !) dhe sehir i burrave i ngjan veprës së marrë të atij që ngrohej në zjarrin që po i digjte shtëpinë.
Probleme
Sidoqoftë këto vërejtje të pakta mund të mjaftojnë për të vërtetuar ato që thamë në fillim të këtij artikulli se familja e sotme qëndron akoma mbi themele të djeshme, që s’kanë për bazë kryesore çështjen ekonomike. Edhe përpjekjet që po bëhen për të siguruar rrojtjen nuk mund të shihen si përparim, me që këto po bëhen jo për të forcuar familjen brenda për brenda duke bashkëpunuar në harmoni, por në kurriz të njëri-tjetrit. Në të mungon marrëdhënia e gruas me burrin, mungon kuptimi i gruas për ndryshimet e kohës e të detyrave; mungon kuptimi për vështirësinë me të cilëin fitohet sot paraja; mungon dashuria për burrin, mungon axhëtija, atëherë s’është çudi, kur puna e rëndë (e grave) nderohet me papunësi; plaçka që bënte ajo vetë me lëveret e fabrikës, e liria që jepet me qëllim mire, na demoralizon dhe kjo udhë e shtrembër do të pasohet prej bijave të tyre me sistem. E atëherë njeriu s’mund të ketë një urejtje për ata të rinj që kërkojnë prej tyre  prikë, – aq më pak për ata që e parashihnin se s’ua bëjnë dot zemrën me “naze e me stoli” e prandaj rrinë pa martuar se të tilla vasha padije, pa punë e pa zanat do të meritojnë që të mbeten në shtëpi tërë jetën gjer sa t’u dalë kësmeti!

V
 NGA PIKËPAMJA MORALE

Fjala “moral” ka një kuptim të gjerë. Po ne po e ngushtojmë në këtë rast duke e barazuar me fjalën “nder” (P.sh., nderi i gruas shqiptare). Dhe mund të themi me mburrje të arsyeshme se morali i familjes sonë qëndron sot për sot akoma në një shkallë të lartë
Po nesër?
Për fat të keq, ca shenja të keqe që shohim në gratë e sidomos në vashat e sotme na bëjnë ta përfytyrojmë të pritshmen e afërt mjaft të errët. Këto shenja do t’i sjellim parasysh pak më poshtë; këtu do të kërkojmë më parë shkaqet e tyre.Disa njerëz janë të mendjes se prishja e moralit shkaktohet nga qytetërimi evropian që po marrim e që në këtë pikëpamje është i dobët. Disa, prapë ia hedhin fajin femrave që po ua merr mend moda e po u del turpi e frika. Edhe disa, së fundi, akuzojnë studentët që venë në vende të huaj e si mësohen atje me ca maskaraçka të udhëve vijnë këtu dhe marrin më qafë çupat e padjallëzuara. Dhe kur mendimet e para i shfaq populli i paditur? e përgjithësisht brez i vjetër, këtë të fundit na e jep dhe me të shkruar një zotni “Kandillodhinapti” (pseudonym) në “Gazetën e Korçës”,  në një numër të marsit a të prillit 1929
Po cilët kanë të drejtë
Pothuaj se asnjëra palë. Se po të jetë kështu, atëherë kultura e perëndimit qenka e dëmshme e s’u dashka marrë fare, atëherë modës së veshjes e lirisë së daljes së grave zbuluar e gjysmë zbuluar, u dashkan bërë një kurundinë, e atëherë sjelljes së poshtër të ca studentëve, qenka nevojë t’u jepet një përgjigje përkatëse sipas zakonit të vendit. Dhe që të tria masat na duken të pamundura e të paarsyeshme:
1) Edhe në mos dashçim ta marrim atë kulture, sido që është, ajo do të na vijë vetë e atëherë që do të na gjejë të papregatitur do të hamë hem qepët, hem shkopinjtë
2) Si moda dhe liri e gruas, që duken sot një sëmundje e dëmshme, janë pjesë të pandara të atij qytetërimi që po marrim, e duhet ta marrim në të tjera pikëpamje. Kultura evropiane është themeluar në familjen, në zakonet e në parimit e atij vendi
Ai shqiptar, që kur është atje e nderon gruan si delikate, që është duke i puthur edhe dorën, e këtu rrëmben drunë, s’është gjë tjetër veç se një kameleon – një krijesë e ndyrë që ka marrë vetëm zotësinë për të rrojtur në kurriz të të tjerëve – tamam tradhëtor i një kulture të vërtetë
3) Edhe sikur të ndodhen të këtillë bukuroshë, prapë masa barbare s’mund të merren (sado me qëllim të mirë); sepse, për shembëll, që të mprojmë nderin me gjak si gjer më dje, lipset të përmbysim më parë ligjet e shtetit që janë ligje evropiane në kundërshtim me parimet e zakonet e vendit tonë
Atëherë ç’na duhet të bëjmë
Më parë le të gjejmë arsyet e vërteta, që sot a nesër do të shkaktojnë një demoralizim. Është për të vënë re se arsyeja kryesore përbëhet edhe në këtë rast prej ndryshimit të kohës që zgjoi një radhë nevojash të larta dhe ndërroi edhe mënyrat e mjetet e veprimit.
Gjer dje mund ta quante njeriu “familje të ndershme” dhe një familje që rronte me të rrëmbyer e diku edhe me të vjedhur. Edhe këtë e thashë duke marrë parasysh se kjo familje nuk kishte gjëkundi gjak për të marrë (por veç për të dhënë) e sidomos duke kujtuar se as ndonjë grua prej atij fisi s’kishte dalë me turp. Gjithashtu lëvdonte njeriu një tjetër, që për ta shpëtuar mikun nga grack’ e qeverisë së huaj, delte dëshmonjës i rremë etj. Por sot – e sidomos nesër,- ka një gjykim të përgjithshëm (opinion publik) që do të quajë “njeri të ndershëm” veç atë që ka nder në të gjitha pikëpamjet e në të gjitha rastet, duke vërtetuar moralin me sjellje të mira. Është e ditur që me zgjerimin e kuptimit të fjalës “moral” u vështirësuan edhe konditat e pamjes së një morali të plotë. Se që ta ketë njeriu me të vërtetë, lipset të jetë i zhvilluar mirë me anë të edukatës familjare dhe shkollore. Mendja e vullneti i mirë duhet të jenë armët e tij më të forta për të mprojtur vetë të drejtat e ndershme, – nderin e tij. Për fat të keq, duke kujtuar se edukata që po marrin sot pakë, e nesër shumë prej tyre, si në  familjen pa harmoni midis atit e mëmës, ashtu edhe në shkollë, që po thuajse s’ia kanë parë akoma derën, duhet të përgjigjemi negativ. E prandaj e pritmja e tyre dhe e familjeve që do të themelojnë kemi frikë se do të jetë e errët, - aq më tepër kur kuptojmë se vashave të gjora po u dalin edhe ca pengime të tjera me rrjedhoja të këqija morale, të cilët do t’i përmendim më poshtë
Pengimet e vashave
Thamë më sipër se vashat e sotme jo veç që nuk pregatiten siç duhet që ta mprojnë nderin e tyre vetë, por po gjejnë edhe ca pengime që i demoralizojnë përpara se të dalin në fushën e luftës e të jetës. Këto pengime, që bëjnë një përshtypje të thellë në shpirtin e vashës, përbëhen prej vështirësish të martesës, prej masave që po merren e prej mjeteve të rrezikshme që po përdoren për ta kapërcyer këtë hendek të kohës. Vështirësia e martesës është dy-tri farësh: e para, është ajo që vashat e sotme nuk martohen dot me kohë; e dyta që, ca të paka po mbeten edhe pa martuar fare (gjë që është turp për shqiptarkën); edhe e treta, e në dashçim e katërta, që kur shumica po i jep vashat atje ku ka ndo interesa të ndyra, na del përpara syve një tufë prindërish që e shesin çupën bashkë me një shumë të majme të hollash si prikë.“Prikë” quhet në Korçë zakoni pas të cilit dhëndri merr nga prindërit e vashës kristiane një shumë të caktuar, pas rastit, si “dorovë”. Por ky zakon i bukur (?), po përhapet në ditët tona e po pushton edhe disa nga familjet e muhamedanëve, të cilat nuk japin veç mall: (shtëpi, dyqane e çifligje), siç jepnin ca të begaçëm edhe më parë, por japin edhe të holla, të holla të mumëruara sipas pazarllëkut. E me qenë se këtë po detyrohen ta bëjnë edhe ata prindër që s’kanë mall të tepër, mund të themi se prika s’është një zakon “i gjendur” nga pleqtë, por një masë e çpifur nga nevoja për të lehtësuar barrën ekonomike që rëndon, siç thamë më sipër, vetëm mbi krahët e burrit, e për të mos mbajtur çupën “gjer sa t’i dalë kësmeti”.
Çupat mbeten pa martuar
Por kjo masë e marrë kryesisht nga nevoja nuk e shëron dot plagën. Përkundrazi, plaga mahiset dhe ca më keq. Se prika – dhe sikur të jepej vetëm prej prindërsh fort të begatshëm – dhe në këtë rast nuk do të mbetej pa sjellë në familjen e re dëme të dyanëshme: Burri do të mesohej me të holla të kota, që i venë po atij kot; gruaja do të dëmtohej edhe moralisht, duke ditur se ajo me këtë mënyrë nuk siguron një rrojtje, por shpërblen qesatllëkun e burrave të shtrenjtë. E po kur prindërit a vëllezërit e gjorë kanë një vark vashash në shtëpi dhe aspak ç’t’u japin dhëndurëve të pangopur, ç derman të bëjnë? Atëherë çupat kalojnë moshën e martesës e që të mos mbeten fare në shtëpi një bela për prindërit e një gjemb i hidhur për kunatat, jepen atje ku s’ka as ç’të hanë, pale që burri i rreh me drut! Vashat shqiptare, të zgjuara prej natyre, i kanë ndier pak a shumë e kuptuar të metat e mënyrave të gjeritanishme të martesës e po mundohen të shpëtojnë prej tyre.
Moda, si shpëtim i vashave
Si mjet shpëtimi po përdorin këtu në Korçë modën e veshjes e lirinë e daljes. Djemtë që tani kanë rastin të shohin çupat vetë, qoftë edhe nëpër një cipë gjarpëri që quhet “perçe” ngjan të mos marrë më, se ç’prikë u jepet e se ç’është ndryshimi midis vashave të botës së qytetëruar e të këtyre këtu E plaga e madhe nis të vërë një cipëz shërimi. Mirëpo nga ana tjetër hapët një plagë e re, që mbase s’ka kurrë të shëruar, se mjetet në fjalë, ndonse janë të mira, bëhen shumë të rrezikshme me që motrave tona iu mungon begatia lëndore që mund t’i premtojë dhe iu mungon begatia mendore dhe morale që pëlqim i momentit (i çastit) të jetë dhe pak a shumë i përjetshëm për burrin që lidh jetën me një grua, së cilës i pëlqen vetëm fytyrën. Dhe aq më të dëmshme bëhen këto mjete kur liria nuk po përdoret për zhdukjen e ndryshimeve ose të metave që ka vasha në dije e në punë, të cilat do të jenë edhe armët e mprojtjes morale. Përkundrazi çupat e sotme kanë nisur të mos i venë re këto të meta e ç’është më keq, kanë zënë dhe t’i fshehin ndën petkat e modës e të gënjejnë si botën ashtu edhe vet-hen e tyre! Se më një anë luksi pa kufi, më anën tjetër papunësia e pazotësia për to dhe në vazhdofshin të gjitha në këtë mënyrë, atëherë shpirti i tyre do të djallëzohet për jetë.
Zotësia e burrit nuk vlen më
Që sot mund të shohë njeriu ca vasha që qëllimin e hëpërhëshëm e bënë qëllim të jetës. Ideali i tyre për burrë s’është më jo veç trimëria a mendja e dituria e burrit, por as karakteri e as mosha e tij. E vetmja dëshirë për to është pasuria që duhet të ketë –demoni i pashpirtshëm, të cilit, gratë pa tjetër vlerë i falen e kur ta dojë nevoja mund të hedhin në këmbë edhe nderin e tyre – të vetmen gjë që u ka mbetur nga gjithë ç’kanë trashëguar. Po fajin e kanë prapë burrat e sidomos prindërit e vashës që nuk e dërgojnë në shkollë se mos iu demoralizohet a mos i harxhojë, gjithashtu nuk shpëtojnë nga përgjegjësia ca prindër të tjerë, “intelektualë” që po kënaqen e po i lënë bijat e tyre vetëm me një përparim të modes. Se moda pa dituri dhe edukatë morale është e dëmshme. Por barra e fajit rëndon më tepër mbi ata, të cilët s’kanë sy të shohin se demoralizimi i vashave po vjen së brendshmi; nga padrejtësia që i bëjnë vashës duke e lënë në të erret e sidomos duke u përpjekur ta martojnë si qëmoti

VI
NGA PIKËPAMJA E EDUKATËS FAMILJARE

Për rolin e madh që lot mëma në mirërritjen e fëmijës më duket e tepër të përsërit gjithë ato që kanë thënë e kanë shkruar njerëz më të zot se unë – aq më tepër kur çdo njeri me dy para mend ia njeh gruas këtë rëndësi, sado poshtë që t’ia çmojë. Veç kaq gjë marr lejen të shtoj, që kjo njohje merite bëhet vetëm në parim (d. m. th. në mendje të secilit, por jo edhe në praktikë. Më i mençmi nga burrat thotë, (shumë herë me vete të tij, por jo rrallë dhe përpara gruas dhe fëmijës së saj): “More mirë, mirë; por merita në fjalë, s’mud t’i bierë në pjesë dhe gruas time që s’ka fatin të jetë ashtu… një mëmë ideale…”. Po pse s’e ka këtë fat? Mos është e mallkuar prej Perëndive që mëma shqiptare të bëjë një përjashtim? Ndofta mallkim do të jetë, por një mallkim që kap më parë babën e fëmijën, që kurse me gjithë përçmimet e përbuzjet që shfaqen për ditë e për orë për mëmën e shkretë, fëmija lihet prapë në duart të saja, pa i ndërhyrë, përveçse atje ku është për t’i shtënë poshtë dhe atë çikë rëndësi që ka çdo mëmë para të vegjëlve të saj. Dhe mallkim mund të jetë edhe për ata të pakë që kanë shkruar mbi këtë çështje në gjuhën tonë. Se me gjithë arsyet e fjalët e urta që kanë marrë hua nga njerëzit e mëdhenj të botës për të forcuar qendrimin e vet, nuk kanë mundur të sjellin, më duket, as një përmirësim në gjendjen e vështirë të gruas e të edukatës që buron prej saj. “Përkundrazi!”, më vjen të them. Duke folur këto, përgjithërisht në erë, bëjnë po atë përshtypjen e parë: Lënë këndonjësin e ngratë të shohë një ëndërr të bukur ( me sy hapur) e pastaj të thotë: “Ahu!... E ku bëhen kurrë të tilla gjëra këtu në vendin tonë? Ne jemi shqiptarë dhe shqipua kështu e ka! … Po mund të thotë edhe ndryshe, (kur këndon… mëma është kështu e bën ashtu për të rritur mirë fëmijën e saj…): Ja ç’punë të madhe bën familja me mëmën shqiptare!...
Po shkolla
I vetmi që lë vend për kësi ëndrrash na duket të jetë “Letrari” që me një artikull në gazetën “Telegraf” e nën titullin “Familja dhe edukata”, thotë: “… Sot për sot ndihma që i jep shkollës familja shqiptare është fort e pakët. Përkundrazi, ka familje që nga padija ose nga shtrëngica e varfërisë e pengojnë punën e shkollës me veprimet e me sjelljet e tyre…”. Dhe të kësaj mendjeje jemi edhe ne me radhët tona. Këndonjësit i duhet thënë e vërteta qoftë dhe e hidhur. Po nga ana tjetër, ndahemi mjaft prej “Letrarit” se ai merr parasysh pjesërisht vetëm të sotmen e sidomos të atyre familjeve të mbytura në padije dhe varfëri që pengojnë punën e shkollës me veprimet e me sjelljet e tyre. E ne përkundrazi, kemi parasysh më tepër të nesërmen një gjendje të tmerrshme që aty-këtu po na shfaqet, që sot kemi (parasysh) familjet “më të qytetëruara” e mbase më të begatshme të Shqipërisë dhe kemi, në dashçim, dhe ca nga shkollat e sotme vetëm që pengojnë punën e edukatës me veprimet e me sjelljet e tyre”. Dhe këto që themi mund t’i mbështesim kryesisht në tri arsye: e para, në përfundimet ose konsekuencat e nxjerra nga çdo pjesë e këtij artikulli të cilat thonë: “Familja e sotme shqiptare, jo veç që s’është e zonja të japë edukatën e duhur, por edhe në mos iu preftë hovi në udhën e shtrembër që po merr për t’u qytetëruar (ajo) do të jetë nesër edhe më e dëmshme! E dyta, në disa të meta që do të përmendim më poshtë që i ngarkohen organizimit të brendshëm të shkollave mashkullore e femërore. Dhe e treta, në numrin e pakët të shkollave femërore që kemi e të vashave që i vizitojnë
Familja shqiptare po ndryshon
Konsekuencat në fjalë, burojnë natyrisht nga ndodhja e vështirë në të cilët janë sot pakë e nesër shumë familje shqiptare. Thamë se në trupin e familjes po bëhen disa ndryshime të panatyrshme që shkaktojnë mosmarrëveshje dhe çarje e ndarje. Thamë pastaj se këto ndryshime të kohës, zonjës së shtëpisë e mëmës së fëmijës po i ndërrohen vetëm petkat e trupit, kurse kuptimi i saj për detyra kundrejt burrit e kundrejt fëmijës dhe sidomos përsa i përket ekonomisë shtëpiake, jo veç që nuk po përmirësohet pas kohës, po mbase dhe po prishet. E thamë së fundi, se roli që lot gruaja në këto dy fusha, (harmonia dhe ekonomia familjare), nuk premton kondita të favorshme edhe për dhënien e një edukate morale: Se foshnja bën ashtu siç sheh prindërit e jo siç e këshillojnë. Po puna s’mbetet me kaq. Fjala këshillë është e panjohur për prindërit shqiptarë. Në vend të saj përdoret përgjithërisht frika dhe druri. Po edhe kjo ngjau në një mënyrë të kundërt: Foshnja kur është foshnjë fare e vogël dhe ndien veten të nevojitur për ndihmë, aty nuk i jepet bashkë me ndihmën edhe një farë frike që atëherë ka hijen e një autoriteti të këndshëm e të nevojshëm, po i bën të gjithë njerëzit e shtëpisë – e sidomos mëmën – një shërbëtore me bindje skllavi. Po kur rritet dhe bën zakon të qarat pa punë e urdhërin që i jep mëmës, atëherë kur fjalët “dua” dhe “s’dua” janë fjalët më karakteristike për vullnetin e tiranit të shtëpisë… atëherë na del përpara druri a pëllëmba e babës. Por ç’dobi? Kjo është mosha më e keqe për të përdorur të tilla mjete: djali e ndien veten më të ditur e më të lirë se ati. E në qoftë se ky e rreh, e rreh vetëm se është më i fuqishëm nga trupi. Dhe kjo rrahje e mahis plagën. Djali thotë me vete të tij: “Dal të rritem edhe ca, pa të më shohësh! Fajin për këtë gjë e ka më tepër mëma që e ka përkëdhelur shumë në foshnjëri, pa ditur të mbajë pak rëndësinë e saj. Po përgjegjësinë e kanë prapë burrat-baballarë që i lënë fëmijën në dorën e tyre që janë më të dobët nga vullneti se sa foshnja e vet.

VII
VIJON, NGA PIKËPAMJA E EDUKATËS FAMILARE

Nw numrin qw shkoi thamë se edukata e fëmijës është përgjithërisht në dorë të mëmës e kjo përdor vetëm një mënyrë: i thotë foshnjës gjithnjë “po” e kurrë “jo”, sikur edhe yjet t’i kërkojë. Gjithashtu thamë edhe se vullneti i foshnjës fiton sipëraninë (ia merr të sipërmen mëmës) që në ditët e para e fjalët “dua” dhe “s’dua” janë fjalët e para e karakteristike në këtë rast, të cilat rrëfejnë se foshnja urdhëron mëmën e dobët nga vullneti. Po pse është mëma në këtë shkallë?
Kush e ka fajin
Fajin ia ka prapë mëma e saj, duam të themi edukata e keqe që ka marrë kjo vetë. Se gratë e sotme s’bëjnë gjë tjetër në edukatë përveçse vënë në veprim mënyrat e trashëguara, me të cilat janë rritur vetë. E në qoftë se këto mënyra nuk i përshtaten kohës së sotme, faji nuk është i tyre, por i kohës që u ndryshua e kërkon metoda të tjera. Ku të ketë vullnet e autoritet gruaja e sotme kur ajo është e kohës së djeshme, ku femra merrte një edukatë të ndryshme, fare të ndryshme nga mashkulli. Nuk shohim që edhe sot të mos e bëjë dhe gruaja; mëma i thotë çupës: “Pusho ti, se s’je barabar me t’të vëlla! Nuk kemi dëgjuar e po dëgjojmë dendur që gruaja thotë për vetveten e saj: “E po unë jam grua; ne gratë s’dimë, e ne gratë s’mundim të bëjmë veçse ç’na urdhërojnë meshkujt!” Por s’është puna tek dija. Jo! Keqpërdorimi i arsyeshëm që u është bërë në kohët e kaluara, ua ka shuar vullnetin. E atëherë një krijesë e tillë s’mundet edhe të mësojë e të përparojë. Se edhe në u ndryshoftë përcipë, siç ka filluar, ndryshimi mund të bëhet i dëmshëm për moralin, pasi kësaj i mungon vullneti me të cilin mund të mprohet. Ne thamë më sipër se morali i grave të sotme, sidomos përsa i përket nderit në kuptimin e ngushtë, është akoma në vend.

Vashat as në qiell, as në tokë
Po kjo i detyrohet më tepër faktit që burri ia ka mprojtur me armë e me frikë nderin gruas. E po tani që armët dhe frika po zhduken, çdo të bëhet? Që s’po kujdesen prindërit e sotëm që vasha të përgatitet siç e do nevoja e kohës për ta mprojtur nderin? Na duket se jo, sepse vasha e shypur nga ati e sidomos nga vëllai (që tani mburret me dijë të madhe, përveç fuqisë së trupit), është pështetur pas mëmës e mëma mund vetëm ta ndalojë nga çdo ndryshim që s’e ka bërë vetë. Po e keqja është që vasha s’di nga t’ia mbajë se edhe këshillat e mëmës prapanike nuk i pëlqejnë. E ka mbetur as në qiell, as në tokë – për hava- as të vjetrat i bën me zemër, as të rejat i merr dot. E po hall i fëmijës që do të lindin e të rritin këto mëmat e nesërme si do të bëhet? Doemos keq e më keq. Se edhe këto do të rritin kalamanët si veten e tyre, duke u dhënë të ngrënë e të pirë pa kohë e pa masë, duke i vënë në gjumë me të tundura sa t’u bëhen trutë dhallë e duke i frikësuar se i ha gogoli
Frikë edhe nga mëmat “moderne”
Po fuqia e tyre nuk do të kufizohet vetëm brenda familjes. Jo! Ca gra “moderne” na trembin me një gjë tjetër: Këto do të mos bindin veç botën që të mos i dënojë fëmijët “se janë të vegjël”, po mbase edhe mesuesin edhe mësuesen që të mos qortojnë kurrë sepse me zi i kanë rritur. Sepse, që sot sheh njeriu, aty-këtu, mëma që u luten bijave që të venë në shkollë duke iu dhënë ç’të kërkojnë. Po s’mbeten edhe me këtë, por vinë e i marrin prapë (nga shkolla) se do të venë në dasmë a nëpër qejfe të tjera, nga të cilat nuk përjashtojnë kurrë fëmijën. Dhe çudia është që pastaj vijnë e luten në shkollë që të mos u bëhet ndonjë vërejtje të vegjelve, sepse ishin këtu a atje dhe i kishin nën kujdes vetë. Për shumë herë bie që edhe genjejnë: “Djali im qe i sëmurë”. E me të tilla sjellje pengojnë punën e shkollës dhe më pastaj, pa le që ia dhanë (mësuesit) fëmijën të papërgatitur. Këtu folëm për ata që do dinë pak a shumë rëndësinë që ka shkolla e megjithë këtë dobësia e vullnetit do t’i shtyjë ta pengojnë. E po sikur mendësi e sotme të mos jetë ndryshuar e mëmat e nesërme të mos duan që çupat të bëhen më të ditura se ato “ se bëhet e çndesrshme” e djalit të dashur t’i mbulojë fajin, kur ai s’dëshiron të vejë rregullisht në shkollë, a mundet të bëhet fjalë për një edukatë familjare?
Një shkollë ndryshe
Po nga ana tjetër edhe shkolla në gjendjen e sotme nuk na duket ta përmbushë detyrën e saj plotësisht. Sepse përveç mungesës së personelit të aftë e mjeteve të misionit dhe forcës së detyrimit për të vazhduar fëmija në rregull janë edhe këto arsye: 1) Kur themi “shkolla” kemi ndërmend përgjithërisht vetëm shkollat mashkullore që përmbledhin veç një pjesë të vogël të atyre që quajmë fëmijë. 2) Se duke qenë shkollat për vasha aq të paka sa s’mund ta besojmë, shkollat mashkullore po zhvillojnë vetëm një pjesë të trupit familjar apo ushqejnë padashur mendësinë e kohëve të errta që burri është mashkull e mashkulli është zoti për çdo gjë e duhet të ketë të drejtë të pakufizuara, qofshin këto dhe në dëm të femrës, motër a grua. 3) Sepse, si shkolla mashkullore që rrit “Zotërinj” ashtu edhe femërorja që përgjithërisht nxjerr ca “shërbëtore” të papunëshme e diku “të pabindura”  në punën e edukatës morale nuk po bëjnë dot ç’është nevoja. 4) Se shkollat femërore që të përmbushin vetëm detyrën edukative është nevoja vetëm që të jenë të shumta në numër po edhe të shëndosha dhe të fuqishme brenda dhe jashtë mureve të tyre. 5) Sa që të jenë kësisoj, lipset të organizohen më parë përbrenda e themelisht, sipas nevojave të kohës e të jetës së jashtme, të cilat nevoja sot janë shtuar e ndryshuar. Po cilat janë këto nevoja dhe si mund të përmbushen më mire. Përgjigjen e kësaj pyetjeje për shëptimin e vashës shqiptare do ta japim pakë më vonë, në një artikull tjetër, me masat që duhen marrë
(Shënim. Shkrimi i mësipërm i zotit Safet Butka është botuar te “Gazeta e Korçës” në dt 2, 6, 8, 11, 15, 18, 20 dhe 25 qershor 1929. Nënëtitujt janë vendosur nga ana jonë).
Përgatiti Vepror Hasani
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: