Sunday, 22 December 2013

DASHURISË SË PAVDEKSHME



Bajame Hoxha-Çeliku ( Zemrës sime,me rastin e një vjetorit, 19.Dhjetor 2013.)

GANO ZEMRA IME

Afroj data,  afroj dita
Plot një vit që ti më le
Për çdo ditë në lot u mbyta
Malli nga vendi më ngre.

Larg nga ty, unë s’mund të rroj
Larg nga buza që më puthi
Vitet plagë s’mund t’i harroj
Dhimbja për ty, më këputi.

Kishim diell në zemrat tona
Kishim kopshte me blerim
Lule blini, lule shqera
Trëndafila pa mbarim.

Vitet tona zjarr  në qiell
Vitet tona mbushur flakë
I kërkoj dhe rrotull sillem
Sepse malli më përflak.

Flas me ty, me lot në vargje
Loti s’më le në harrim
Zoti ty të mban në paqe
Po mallit tim, ç’ti bëj tani ?

Ta dish shpirt, pa ty në jetë
ditët më kthehen në ferr
S’e pranoj, s’është e vërtetë!
Se ti s’kthehesh, dhe një here.

Shpresa, është dritë e pashuar
Ti do t’kthehesh në pranverë
Bashkë me gjethin lulëzuar
Trëndafil,  si asnjëherë.

Kam një vit që po robtohem
S’po lë gur pa lëvizur
Derë më derë unë kam trokitur
Nuk e di, tek unë, je nisur ?

Po të pres, me shpirt e mendje
Shpresa, për një kthim më mbetet
Të shoh unë, buzëqeshjen tënde
Shpresa për një kthim, s’më tretet.

Oh, ti thua : vallë ke kërkuar
O shpirti im, që unë të kthehem?
-Kam trokitur qiell e portë
E lutjen time kam dërguar.

Lutjen lartë e kam dërguar,
 Në qiell te Zoti, më beso!
bashkë me lotët shoqëruar
Ia kam lënë atij në dorë.

I jam lutur shumë për ty
Dhe i them: vej dorë në zemër
O ma kthe Gonon në gji
O më kthe dhe mua ëndërr.

Plagë e madhe s’gjen shërim
As me vargjet, se janë tharë
Dhe  s’çoj dot  as në harrim
Këtë lot, që peng më mban.

Ti ke thënë, që jam poete
Dhe kam mposhtur shumë furtuna
Ja, s’dal dot unë nga kjo heshtje
Se për ty, më dhemb kjo zemra.

Lutje sa shumë kam dërguar,
 Sa shpirti më shkon gjer në re!
Më mbyt ndjenjë e paharruar
Oh, pse të rroj, unë, përmbi dhe.

Për ty zemra më është ngrirë
S’ka vullkan , që mund ta shkrijë
O shpirt, o xhan, ishe flori
Lule zambak, mbaje ndër sy.

Pres po vjeshta  s’ka përgjigje
Dhjetor i shkuar  s’është larg
Lot e dhimbje për ditëlindje
Tetor i im, qe lot e plagë.

Gota më ngriu te dora
Kur më thanë për rreth :Gëzuar
Përmes lotit, dy fjalë nxora:
Toke Gano ! Thashë :Gëzuar !

Unë të pashë, ulur pranë meje
Ashtu si një vit më parë
-Ashtu zemër, gotën ngreje!
Ti më fole, zjarr e mall.

Unë të ndjeja thellë në sy
Thellë në zemër u drithërova
Po zëri yt, qe po ai
Po ai, që dashurava.

Me forcë  zemre  dashuria
Ashtu si një vit më parë
Në tavolinë, aq sa ishim
Vetëm ti, qe shend e gaz.

Natën e ditëlindjes sime
Kur unë vonë, rashë në shtrat
Ti në gji,  sa më shtrëngove
-Jam me ty,  the, në çdo çast.
Hapa sytë, nata qe pus
Dorën zgjata të të prek
-Zemër the, të kam mbi buzë
Hap, pas hapi, ty të ndjek.

Më qetësove shpirtin gjatë
Kur më thoshe:  shpirti im
-Shpirti  im, the: ditë e natë   
Terrin ti ma kthen në dritë.

Puthjen tënde ndjeva, ndjeva
Shpirtin tënd me dallgë shumë
Eh, o Zot! Vërtet  kujtova
Se me mua,  qe në gjumë.

Kur  vjen ti, një dritë më ndez
Thellë në zemër, më bën hyjni
Më jep forcë, e më jep shpresë
Që të ec unë përsëri.

Kam një vit që unë kam heshtur
Dhe pena ime është e tharë
S’të vjen keq, sa shumë jam tretur
Loti shumë, seç më ka ngarë.
Po ku është kjo pena ime!
Porsi gjethe, fishkur  larg
Oh, ka ngrirë, si zemra ime 
Shpirt o zemër, s’ka më varg!

Do shkojnë ditë, do bëhen vite
Pena ime s’do flasë më,
Eh, ka heshtur, dhe jeta ime
Sepse gjysma nuk është më.

A mund të shkruaj gjysma ime
Kur gjysma tjetër nuk është më,
Vijnë në mend veç ca kujtime
Gjysma, gjysma dhe, asgjë?

Vargjet s’lidhen,  mungon çelësi
Mungon çelësi i poezisë
Oh, ky çelës, më kishte hapur
Të gjitha dyert e dashurisë.

Asnjë portë s’më kishe mbyllur
O çelësi im i dashurisë
Asnjë ndjenjë s’më kishe ndrydhur
Ti qe diell I lumturisë.
Them: do zgjohet kjo pena ime?
Thellë me dhimbje,    lëndim?
 të shpreh, unë ndjenjën time
Gjer në lindje e përëndim ?

Do të shpreh lotin e zjarrtë
Që pikoi aq fort për ty
Do t’i shpreh, unë plagët qartë
Që më dhembin pa kufi.

E  shikoj se vargu s’ecën
S’di të shkruaj si më parë
E kuptoj,  të gjitha ngecën
Aty te një vit më parë.

Thashë, i more ti me vete
Forcën, muzën, jetën time
Sa e zbrazur  paskam mbetur
S’shoh asgjë, tek vetja ime.

Aty te një vit më parë
Shpirt e zemër m’u coptua
Se të desha si e marrë
Ndaj dhe shpirti s’u shërua.
Kur  shoh hënën lozonjare
Në mes yjesh të gjej ty
Fluturojmë në qiell e paqe
Të pushtuar gji më gji.

Ti je drita, në qiell me paqe
Ti je zemra  larë në flori
Në hapsirat, lart më lart
Kemi folenë, unë edhe ti.

Dashurinë  dhe besën tënde
do ta ruaj, si të vetmen
Oh, qe zgjimi i një ëndrre
Oh, qe zgjimi,  i treqind netëve.

Nga ky zgjim ndjeva shumë dhimbje
Ku je shpirt, buza më thahet
Të kërkoj në tokë e qiell
Të kërkoj dhimbja s’më ndahet.

Dashuri sa shumë të dhashë
Ndaj s’më hiqesh kurrë nga jeta
Tek sytë e tu, unë jetën pashë
Në mbarë rruzullin, është e vërteta.
Po ku ece, po ku shkele
Gjurmë të arta ti ke lënë
Trim mbi trimat, ndër apele
Dot s’të morën, nëpërkëmbë.

Vinin vuajtjet  dallgë, dallgë
Nëpër kampin e mallkuar
Ti qe trim, me besë të lartë
Si për shokë, edhe për mua.

Ngushëllonim ne njëri tjetrin
Dorë për dore,  eh,nëpër fusha
Nëpër stuhi, kërkonim diellin
Për fjalë të lirë, na thahej buza.

Na mungonte  dhe pikë e ujit
Na mungonte buka thatë
Gjer në shpirt vinte pickimi
Korrb i zi, bëhej agimi.

Por në shpirt ne mbollëm lule
Dhe rininë e zbukuruam
Thellë në shiprt na vinte libri
Thellë në vargje ne kënduam.
Tmerrin, e kthyem në këngë
Qemë të rinj, dhe të pa thyer
Djem e vajza, anë e kënd
Aromë fushe, e Lulëzuar.

Të rinj, me pasione e zjarre
E kishim rininë të fuqishme
Si trëndafili që çelte petale
Çelnin ëndrrat nëpër agime.

Jetuam emocione të forta
Dhe dashuri  magjiplote
Provuam ndjenja të kthellëta
Mesnatave, me hënë të plotë.

Atëherë , heshtje e natës puthej me ne
Me afshin e vesës së mëngjesit
Dhe sytë çelnin lule, aq bukur ndër ne
Si jargavanë në oborret e mbretit.

Këngët  tona, qenë flakë e zjarr!
Rreze artë kudo! Dritë e pafund
Tani  këngët, o shpirt, o malI
I kërkoj , po s’i gjej kurkund.
Rinia mbeti e freskët, mes flakëve
Me ngjyra të trëndafilit rozë
Do ta qaj dashurinë mes plagëve
Dhe puthjet për jetë e mot.

Prandaj  jam tejet e trishtuar
Gjithçka më ka ngrirë mbi buzë
Kërkoj zjarrin  që është i pashuar
Kërkoj diellin, lart në  furtunë.

Oh, Zot ! gjysma  varfanjake !
Kërkon gjysmën që s’është më
Sillet rrotull s’di ku qahet
Pastaj hesht e s’ndjehet më.

Mos më qeshni! E më pëlqeshni!
Kërkoj gjysmën që më shkoi
Kërkoj netët që buzëqeshnin
Kërkoj Diellin, të më ngrohë.

Eh, moj zemër, sa s’pëlcet
Nga një dhimbje e vërtetë
Nga një shpirt, që u bë erë
Oh, shoh dimër! S’ka më verë!
Eh, o miq sa shumë kam mall
Kam një vit që rri e mbyllur
Nuk e di, nëse jam  gjallë
Shpirt e zemër më është lidhur.

Nëpër  qiell e nëpër dallgë
Mes stuhive  ty të kërkoj
Ti o gjysëm, më mban gjallë
0Se pa ty, unë  kot që rroj.

Kërkoj gjysmën si yll mëngjesi
Gjysmën time nëpër hënë
Kërkoj jetën ku na mbeti
Kërkoj stinët, vallë : ç’u bënë ?

Afrohet  dimëri  me dëborë
Gjysma ime, vallë ka ftohtë?
Çdo gjethe vjeshte, si kurorë
Një nga një, i bëjnë mburojë.
.
Loti vallë, pse s’bëri punë ?
Që kam derdhur ditë e natë
Ndoshta ka krijuar lumë
Në kët’ shpirt, që ndjahet thatë.
O dashuri, sa shumë kujtime !
A0romë fushe mbete ti
Çfarë t’i bëj unë zemrës sime
Në këtë dimër, me stuhi ?

Nëpër shtrat akull e ngrirë
Ja pres gjysmën, të më vijë
I mbyll sytë, endem në ëndrra
Vjen ti shpirt, shtratin më ndri.

Dua ta kthej jetën ëndërr
Aty zemrën,  kam vullkan
Aty zemra rreh beng beng
 Aty zemrat, puthen mall.

Mbrëmjen e ditëlindjes sime
Ti më erdhe fluturimthi
Më dhe gaz, e shumë kujtime
Më dhe forcë përtërimi.

Natën e ditëlindjes sime
Pranë më erdhe si gjithmonë 
Më dhe prush e drithërime
Më dhe, dashurinë në dorë.
Ç’të vajtoj unë vallë më parë
Ëndrrat që dogjëm të dy?
Apo fushat anë e mbanë
Që punuam unë e ti?

Grurin, kur  valëviste era
Ëndrrat tona pa mbarim?
Flladin  që sillte pranvera
 Në zemrat tona pa harrim?

O miqtë e mi, lotin përciellë
Nëpër sy, nëpër fytyrë
Më ka gërryer, eh, sa thellë
Shpirt e zemër pa mëshirë.

Që të dy, sa shumë kërkuam
Nëpër kopshtin e dashurisë
Gushë më gushë, ëndërruam
Një ditë të bukur, të lirisë!

Kjo dashuri ishte e madhe
Se thellë në shpirt, kishe liri
Nga tufanet s’pyete fare
O trim! Më mbylle, oh, në zi.
Trim mbi trimat rinia jote
Dhe pse ishim në dënim
Oh, ta dish sa më krenonte
Hapi yt në internim.

Tundej fusha,  tundej mali
Kur dëgjohej, Gani djali
Ti Gashjan me fletë prej ari
Jo, s’ju trembe kurrë dushmanit..

Vije nga familje prijësash
S’kishte pse të trembej syri
Ti hero, me rrënjë lisash
Gjigand mbete, Gani trimi!

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: