Sunday, 1 December 2013

Shtëpia e Ducit



 Ilir Levonja
Porta e madhe ka mbi krye një shënim të paqtë. Këtu prehen ata që gëzuan jetën. Burri mbajti frymën.  Ata që e gëzuan jetën?!, pëshpëriti me vete disa herë. Në të njëjtën kohë hodhi sytë përqark  për tu siguruar se ndodhej në vendin e duhur. Po ato male, pllaja, përroi dhe përmatanë varreza e vjetër. Pastaj sërisht male, ku ullinjtë i kishin murrëtyer deri atje ku çeknin qiellin.
     Dielli shkëlqente në një thellësi kaltërsie të pamatë. Pranvera e ka zakonisht ajrin të kulluar. Gjërat duken më afër. Për shkak të rrezeve fusha e varrezave reflektonte ca yjza aty këtu, kur ti lëvizje lëviznin adhe ata. Burri vuri re se ndodhte për shkak të vazove dekorative, në qivurë të ndryshëm.
     Varrezë me njerëz që e kishin gëzuar jetën?!. Kujt vallë i kishte lindur kjo ide? Në cilin komisionin të pushtetit lokal ndaheshin këta vdektarë? Me një fjalë kush ishin ata, që i dinin kaq mirë se cilët e kishin gëzuar dhe cilët nuk e kishin gëzuar jetën?
      Ra në beft, të futej të mos futej? Perëndi e madhe, çfarë janë këto dasime kështu? Njerëzit që gëzuan jetën. Varreza e njerëzve që e gëzuan jetën?!
      Në fakt, në krahasim me varrezën e vjetër, dukej sheshit ndryshimi. Tek e vjetra kishte shumë qiparisë dhe varret ishin të thjeshtë, me katër pllaka betoni, një ballore me foto dhe datën e lindjes dhe atë të vdekjes. Kaq. Kurse këtu, tek e reja, bulëronin qivurët e medhënje, mermer i gjallë, me çatza, kangjella dhe gjithfarësoj trëndafilash.
      Mysafiri u hutua. Shikoi gjatë frazën, gërmë pas gërme. Qielli i blunjtë i zbukuronte. I jepte freskun e bulëzave të vesës llamarinave, duke ua zbutur edhe ndryshkun. Qe veç një portë varreze brenda në qiell.
      Ku nuk i shkoi mendja. Si do të ishin këta njerëz që gëzuan jetën? Aty prehej edhe babai i tij. U kthjellua, e kujtoi. Nuk kishte orë, që të mos mallkonte. Pse e bënte? Për çfarë? E gëzoi jetën ai? Hej pikë e zezë, ata që gëzuan jetën. Me sa qejf e pa përgjegjësi që shkruajnë këta njerëz? Si thoshte babai? Në çast iu hapën sytë e mendjes. Babai përpara televizorit duke dëgjuar Kryeministrin. ''Mut ore, mut. Vetëm për të gënjyer jeni''. Dhe balli pa flokë i djersinte sikur të kishte brenda asaj koke të rrumbullakët, zjarr prej koksi.
       I vrapoi përpara syve, në gjithë ato dyzetë vite jetë, gjyshi, gjyshja, mamaja, xhaxhai, xhaxhesha e me radhë. Kush nga ata mund të ishte këtu? Dinte vetëm për babain. Për 'të ishte i sigurtë pasi e kishte mbuluar me duart e tia. Pastaj emigroi si mijëra të tjerë në Greqi. Ndërkaq, ndër vite, i vdiqën të tjerë me radhë, xhaxhai, një hallë dhe një kushëri. Por nuk ishte i sigurtë se ku i kishin varrosur. Mundet edhe në varrezën e vjetër, pasi aty ishin dhe gjyshërit. Njerëzit nuk e kishin për gjë të shvarrosnin varret e të parëve, për të futur në atë grusht kockash të vdekurin e fisit.
      Kur i vdiq babai, ai nuk i dha rëndësi vendit. Ata të shërbimit funeral i thanë se një varrezë e re sapo u hap përmatanë së vjetrës. Me një fjalë këto ara buzë përroit dhe malit të Begut. Babai gjithmonë thoshte, po vdiqa edhe në plehra të më hidhni as që dua t'ia di. Jetën e qenit bëra. Dhe ai nuk diskutoi asgjë. U tha atyre të shërbimit funeral, në rregull, ku të jetë dhe aq. Por ja që babai qënka me fat. I ra për pjesë të prehet me njerëzit që e gëzuan jetën, jo me sojet e përziera në varrezën e vjetër.
       Kaloi portën me atë shijen e ligësisë në gojë dhe nuk u zhgënjye. Varrezën e ndante fill e flak një rrugëz gati dy metër, me bordura dhe shandanë. Në themel të bordurave kishte kanale kulluese të ujit, në gjithë gjatësinë e tyre. Por ndërsa pjesa e sipërme qe plotë me varre lapidare, me pamje shtëpizash, nga ato vilat me fasada ku manifestonin sentenca filozofike dhe portrete nga të gjitha moshave. Pjesa tjetër, nga ana e përroit përbëhej me garrupe dheri me kaçuba rozmarine në krye, dhe qivurë të thjesht prej çimentoje ose mermeri fallco.
        I bëri përshtypje një varr me mermer të kuq, pllakat i madh po prej mermeri, por i zi me pasqyrim fildish, rrethuar me kangjella në qoshet e së cilave mbahej një çati fringo e re. Kangjellat ndrijnë sikur të jenë  lyer me brilantinë vaji, ka edhe shumë lule, shumë, sidomos gojasllane, shpatore të blunjta, lule fluture ngjyra-ngjyra., shto edhe disa vazo dekorative me pamje të shtrenjta. Më tutje po ndërtoheshin disa të tillë, një lloj versioni i ri, i paparë gjëkundi. Një lloj qyteze me rrugina të heshtura, ku flakëza butaforike mbanin ndezur fenerët nëpër kangjella.
      -A do të futesh brenda e ta shikosh? - e pyeti një grua.
       Pa e pritur tjetrin t'i përgjigjej, ajo hapi portën dhe burri u gjend në mes të gojasllanëve. Shtangu, pllakati i mermerit nga brenda mbante portretin e Ducit. I thërrisnin kështu një çamarroku në rrethinat e Pireut, në Athinë. Kush e kish bërë atë portret, e kishte qarë. Duci me flokët kaçurrelë, me atë vështrimin hetues, gjysmë të qeshur për shkak të ambicjeve.
       Në atë kohë bëri goxha para, u lidh me disa policë grekë që punonin me deportimin e klandestinëve. Shkonin darkave në kufi, në Kakavijë dhe kthenin mbrapsht me dhjetra emigrantë. Mirëpo, kush paguante, futej prapë nga mali dhe ecte në këmbë deri diku. Kishin vende pjekje, madje bashkëpunonin edhe shoferët e taksive. Në mëngjes këta dhe disa të tjerë, gjëndeshin prapë në atubozin e burgut. Por jo ulur në sedilje, poshtë ku mbanin bagazhet dhe paimet policët e burgut.
       -I bukur ë?
       Ai nuk foli. Mëndja i fluturoi tek ajo kohë. Vitet e para të emigrimit.
       -Ke parë ti, sikur ka mjalt dheu këtu, harbojnë lulet për shtatë palë qejfe. Ata matanë çfarë nuk bëjnë për lulet e tyre, po hiç nuk u rriten. Kurse lulet e çunit këtu,  ke qejf t'i shikosh, të shplodhin sytë.  Eshtë vend i bekuar ky, dëgjom mua ti. Po edhe unë te koka u rri se e kam dashur shumë çamarrokun. Kushdo që i bie rruga këtej, ndalon dhe shikon varrin e çunit. Po, po, ditë më ditë. Po ti nuk po më thua as një fjalë, more zotëri. E ke gjë Ducin?
       Burri futi dorën në xhep për t'i dhënë diçka, një dymijëlekshe, por gruaja e ndërpreu menjëherë.
       -Jo nuk marr lekë për këtë unë, vetëm për këtë jo. Ky është në vend vakëf, në vënd të mirë.
       Burri nuk e bëri dy herë. U kthye të dilte.
       -Po si të quajnë more zotëri?
       Ai ndali çapin.
       -Edhe po mos të duash mos ma thuaj, nxitoi ajo pasi iu duk sikur tjetri u bezdis prej saj.
       -Këtu e kam Elmaz, kurse atje, në Greqi, më thërrasin Jani, - i tha ai dhe vazhdoi për tek varri i të atit.
Aty nga darka, kamioni burg i policisë greke, ndaloi diku. Njerëzit  që rrinin strukur në ndarjet e bagazheve nuk e patën të vështirë të kuptonin se më në fund arritën në Athinë. Hukama e qytetit mund të krahasohej me shfrymën e një kopeje bagëtish. Ajri avullonte i nxehtë prej asfaltit. Dritat me plot piskama borish.
      Dikush, hapi kapakun e bagazhit. Njëri nga policët. U tha midis të tjerave të dilnin shpejt prej aty. Burri më i vjetër në moshë i ndriti fytyra. Sapo zbriti, shkoi pak më tutje dhe bëri shurrën poshtë hijes së errët të një nerënxe. Kishte gjithë rrugën që mallkonte. U përpëlit për së gjalli, por me 'të, ndodhej edhe nusja e djalit. Sepse kushedi sa herë u mat të kthehej menjanë e ta lëshonte në qoshe të kuvlisë. Por, nuk e bëri. Nuk deshi të turpëronte nusen e të birit në sy të njerëzve të tjerë. Ishin plotë tetë vetë që rrinin strukur brenda barkut të makinës së burgut. Hypën në fillim ai me nusen, pastaj në të dalë të Janinës, ndaluan edhe dy herë të tjera. Diku morën Ducin, ndërsa dhjetë minuta më vonë, pesë të tjerë. Vetëm një herë ndaluan mes maleve. Njëri nga policët u hodhi disa shishe me ujë. Vazhduan, plot gjashtë orë rrugë pa ndalim.
      U shpërndanë në atë rrugicë, pa e mësuar kurrë se me kë e kishin bërë atë rrugë. Cilët ishin, çfarë emri kishte njëri apo tjetri. Athina iu duk më e madhe se sa e kishin përfytyruar.
      Duci, veproi pikë për pikë si e mësoi personi që e nxorri në kufi dhe që e hipi në makinën burg të policisë. I ngriti dorën taksisë së parë dhe i dha letrën me adresën. Shoferi qeshi dhe zuri ta pyes për shumë gjëra. Por ai mblodhi supet. E kuptoi vetëm kur tjetri i fërkoi gishtat. Duci nxorri vringthi pesëmishen e dhrahmisë. Atëhere tjetri u qetësua dhe i dha gaz mjetit. Athina e befasoi me dritat pa mbarim, rrugët plot lëvizje.
      Taksia ndaloi poshtë një pallati. Hyrja qe me dyer xhami. Jani e priti më këmbë. Në vend që të ngjisnin shkallët, zbritën poshtë në një korridor që i ngjante tunelit.
      -Sipër jetojnë njerëzit.
      Duci nuk foli.
      -Poshtë ne.
      Duci nuk e kuptoi. Jani shtyu derën.
     Në koridorin katror, rrinin përbri njëri tjetrit gjashtë frigoriferë. Midis ishin tre dyer, dy të dhomave dhe e treta e një banjoje me gjerësinë e një voze bitumi. E lartë, sa boja e njeriut normal. Aq ishte i gjithë apartamenti. Dorën nuk e ngrije dot. Qe kati i nëndheshëm.
     Dymbëdhjetë veta jetonin aty.  Të gjithë emigrantë, deri nga Filipinet e largëta.
     Të nesërmen Jani e mori me vete. Shkuan në një dyqan bojrash, gruaja foli me Janin dhe shikoi Ducin. Dukej paksa i trembur, por kish dy sy në ngjyrën e mjaltit të kulluar , kureshtar dhe lëvritës. Shikonin sa Janin, sa atë. Kaçurrelat e përzhitura i shkonin me shtatin hollak. Ajo i buzëqeshi, e zuri nga mjekra. Ducit i erdhi mirë, më në fund u gjend një njeri që do i japi punë dhe ai të ketë mundësi të bëj lekë. Qysh sa mbaroi shkollën e mesme, vinte vërdallë rrugëve të qytetit. Ditë më të mirzitshme nuk kish jetuar. Në shtëpi për ditë grindeshin, babain e hoqën nga puna. Më saktë, u mbyll ndërmarja ku punonte. E nxorrën në asistencë për një vit.
       Kur nga prapa banakut nxorri kokën një djalë. Dukej pak a shumë moshatari i Ducit. I foli gruas, ajo e ndoqi. Pas pak u dëgjua që grindeshin. Jani i tha Ducit të iknin. Midis të tjerave i sqaroi se gruaja ishte dakort, por nuk do i biri.
      -E përse? - pyeti Duci
      -Po ajo, e ëma është një çikë bishtdredhur dhe ai ka frikë se mos lidhet me ty, - i tha Jani.
      -Tëmën e sëmës, këtë s'ma kapte kurrë mendja, - tha Duci. -Thashë mbase nuk më do që jam shqiptar.
      -Grekët janë rracista more çun, vërtet, por jo të gjithë. Ka të mirë plotë, sa të duash ka. Na strehojnë, na japim punë e plaçkë trupi. Po nejse, eja të ikim se më vajti vonë mua. Kam edhe një gur tjetër për të luajtur. Të kam djalin e mikut, do rregullohesh. Por kjo e uruara më tha para një jave se kërkonte një punëtor të mirë. Mbeta lidhur gjithë ditën e ditës, kështu më tha. Më gjej një njeri që ti i beson . Dhe unë ia gjeta, po çfarë t'i bëjmë të birit.
      -Po, ja, ajo ka të birin.
      -Djalërinë këtu more çun e ka harbuar kamja. Nuk ia thonë për asgjë. Kështu që, nga njëra anë më mirë që u rritëm të varfër.
      -Tëmën o, po pse o me atë plakën do shkoja unë.
     Jani qeshi.
      -Edhe shumë plakë nuk është ajo, po ti mirë bën që nuk e ke mendjen nga gratë .
     Duci ktheu kokën mbrapa, por tek dera e dyqanit nuk doli njeri. Jani u fut në një rrugë me portokalle, qe e përpjetë, po makina e tij, një fuoristradë e markës toyota me gjysëm karroceri , sikur nuk deshi t'ia dinte. Sipër qe një tip kalaje e madhe dhe Duci u habit me pamjen.
     -Ke uri?
     -Të gjejmë punë një herë, po për bukë bëjmë si bëjmë.
     Ajo që u hap më tutje qe feja vet. Një rrugë e gjerë ku venin e vinin tramvaje me zile si nëpër filma, mizëri makinash, pemë të larta dhe një afsh i këndshëm me aromë kafeje. Jani e vuri rre një lloj befasie në sytë e tij, sikur nuk ngopej me të sodituri, Athinën. Mendoi se ashtu duhej të kishte ndodhur edhe me 'të.  Edhe e sot e kësaj dite nuk e harron dot atë që i ndodhi në një banjo restoranti. Pasi derdhi ujët e hollë, shikoi paisjen sipër për ndonjë buton, që ta shtypte. Gjëkundi se kishte. Shikoi edhe një herë, preku me dorë paisjen, por ajo ishte metal solid, i nikeluar dhe kurkund se kishte një buton. I erdhi plasja. Mbërtheu pantallonat dhe u kthye për të ikur, kur nga prapa dëgjoi vërshimin e ujit. Plloça e porcelanit u shkumos dhe në të e sipër ndërroi ujët.
      Po nuk mbaroi me aq. Lau duart mirë e mirë dhe kërkoi peshiqirin. Në mur ndodhej një paisje tjetër, si kasë poste. Kur pa shenjat e duarve, u qetësua. Lëfyti prej kromi rrinte përpjetë. Çfarë të bënte? Edhe aty nuk gjeje një buton. Bëri të ikte me mendimin se mos paisja e murit do fillonte të punonte, ashtu si ajo tek plloça e të hollit. Por nuk ndodhi gjë. U kthye mbrapsht dhe zuri nga gryka feçkën e kromuar. Kur, paisja nisi nga puna. Shfryu ajër me shumicë, ajër të freskët. Shikoi me habi se si fikatej uji. I dukej sikur presioni i ajrit i tërhiqte lëkurën e duarve dhe ia bënte zhubra-zhubra. Sa ka qeshur. Se si i dukej.
     -Hej botë e madhe, botë e madhe, -  tha  Duci. -Sa të jem gjallë nuk iki që këtu. E pse të iki, për çfarë më thuaj. Për baltën e rrugës. Mu nxi jeta gjithë vitet e shkollës, i merrja këpucët në dorë deri sa dilja në xhade. Lija çizmet tek shtogu Qemalit. Më duheshin për në drekë, kur të kthehesha.
      Por Jani sikur nuk e pati mendjen. Duci mendoi se po dërdëlliste kot. E ku e njihte Janin që duhej t'i fliste ashtu. Erdhi në emër të babait, kishin punuar dikur në kantierin e ujrave.   
     Mirëpo ndërsa Jani ish rregulluar për bukuri këtu në Athinë, babai ishte mbyllyr në një vetmi vdekje. Mamaja u lidh me një të afërmin e vet, tregtar shumice, dilte nga dreka përpara gjimnazit dhe shiste banane. Babait i vinte turp, kurse motra me vëllain, çfarë nuk bënin për ta ndaluar.
     Më fund ndalën diku. Qe një lagje faqe kodrës me pallate tri katëshe. Dukeshin një prerje. Të gjithë katet  kishin ballkon anë përqark. Përsipër tenda bezeje, kryesisht blu me vija të bardha. Në parvaz bulëronin vazo me gjithfarësoj lulesh, kish trëndafila ferrë të varur, me kurora të vogla, të bardhë e të kuq, karafila, menekshe, e plotë të tjera. Një qetësi e kulluar grishej hera-herës nga ndonjë harabel misri.
      Jani i ra ziles. Nuk shkoi shumë kur në ballkon doli një burrë i gjatë me maskë sipër gojës dhe hundës. Mbante kapele prej mashke, të bërë vete, nga ato të muratorëve.
      -E keni derën hapur, - tha.
      -Nuk po ngjitem Petro, ja ky është Duci. Sille nga darka se nuk e ka haberin e rrugëve fare ky, - ia tha Jani.
      -Mirë o mirë, - ia ktheu tjetri nga sipër.
      Nga ajo ditë Duci punoi me Petron, lyenin shtëpi. Kur nuk kishte punë Petro, zuri të ndihmojë një farë Qirjako, lokal i vogël. Darkave mbushej plotë, vinin edhe policë, pinin e qeshin me Janin. Qirjako sajonte ca meze me plënca pule në limon të shtrydhur, kukurecë furre me domate, vezë të ziera e djath. Vinin burrat e pallateve pinin uzo deri afër mëngjesit.
      Ndërsa në shtëpi, Jani i caktoi edhe frigoriferin. I tha midis të tjerave se, të enjteve, bëhej zakonisht pazar aty, në atë lagje ku jetonin. I kujtoi dhe për pagesën mujore që i duhej të paguante.
      -Se unë paguaj atë botin që ka shtëpinë muaj për muaj, - kështu i tha.
     Athina seç kishte diçka që e gëzonte, sidomos darkave. Dukej një kombinim i përkryer midis syve, këmbëve dhe duarve. Gjatë ditës të përvëlonte nga sipër, ndërsa darkave nga poshtë. Prej asfaltit buronin avuj zifti dhe karburesh, por që e bënin muzgun të njelmët dhe lirik. Megjithatë, të ecje në këmbë nuk kishte gjë më të bukur. Sa shumë njerëz, tavolina plot me ushqime. Muzikë me grimca të gëzueshme, ngjan sikur qesh gjithçka. Jani i pati thënë që të dilte nga pak darkave për të mësuar rrugët, stacionët e autobuzëve, metronë dhe të tjera. Sepse deri sa të bëhej me makinë vetë, donte kohë. Kështu që mund të mësonte Athinën. Mirëpo atij edhe i pëlqente edhe nuk i pëlqente. Kushedi sa herë ndalonte përballë ndonjë fastfoodi dhe shushatej dukej shtrënguar pesëmijshen e dhramisë. Në shtëpi e prisnin amrikanidhat. Një lloj fasuleje me gjithfarësoj foragjeresh brenda, që zien të gjitha njëherësh deri sa tu binte uji. I hidhte kripë e vaj ulliri, i përsheshte pak djath dhe ngopej me bukë. I mësoi aty, ia shpjeguan qiraxhinjtë e tjerë. Stil amerikan, prandaj edhe grekët i thoshin amerikanidha.
      Në krye të gjashtë muajve, bëri një dorë të mirë dhrahmish. I  nisi në Shqipëri pasi edhe aty kishte frikë t'i mbante. Seç ndjeu një lloj gëzimi. Bashkë me paratë, shkroi një copë letër ku ndër të tjera u thoshte atyre të shtëpisë që ta merrnin në telefon të shtunave në darkë. U dha numrin e lokalit të Qirjakos.
      E shtuna erdhi shpejt. Duci priti deri vonë. Lokali qe mbushur plot, Qirjako po nxirrte vete tavolina të tjera në trotuar. Diku poshtë një nerënxe qëndronte Jani me disa policë. I përshëndetën. Njëri nga policët qeshi, pastaj foli me Janin.
      -I ke borxh një shishe uji, - i tha Jani me shaka. -Kështu më tha .
      Duçi qeshi, iu kujtua kur u hap kapaku i makinës së burgut dhe polici hodhi brenda ca shishe uji. Jani qe mpleksur mirë me ta.
     Ra zilja e telefonit dhe qirjako i thirri Ducit.
      -Alo, ku je, mamaja është bërë merak, mirë je?
     -Mirë baba
     -I mora lekët, rrofsh... Po ti mbyll ca në bankë me interes, të tjerat do ushqehemi. Po edhe jot motër do shkojë në shkollë të lartë sivjet.
     -Jo mos i mbyll, bli gurët dhe fillo të hapësh themelet. Do të nis prapë që të blesh tulla e të tjera. Mirë më dëgjon...
     Heshtje që matan, Duci  ia nguli sytë telefonit, e tundi nja dy herë pastaj e vuri në vesh
     -Alo mamaja, si është?
     -Nuk është mirë
     -Pse?
     -Po nuk është.
     -Çka, është sëmurë.
     -Jo, ore jo.... është me nerva.
     Ai ekuptoi, babai siç dukej duhej të ishte dehur dhe ajo ishte zemëruar. Gjithmonë u ndodhte kjo gjë, mamaja nuk kishte qejf ta shikonte të dehur, sidomos kur e sillnin të tjerët prej krahu.
     Linja u ndërpre prapë. Qirjako mblodhi supet. Kur ra zilja përsëri. Po, po ja këtu Duçi, Duçi....
     -Nuk më the ti si je? U rregullove me shtëpi...?
     -Shumë mirë jam, kam gjetur një vilë buzë detit. Të zotët janë në Amerikë,e kam si në ruajtje.
     -Po për të ngrënë si ia bën, gatuan vetë...
     -Jo, jo, ha tek ky lokali këtu i bëj ndonjë punë dhe me jep ky...
     -Të lumtë ty ore, ti paske qën me fat.
     -Unë hallin tuaj kam se vet jam mirë.
     -Dëgjo ore, erdhi edhe ai shoku jot, Leli, i dhashe dhjetëmijë dhrahmi siç më thoshe në letër ti, dakort?
     -Mirë, mirë..
     -Ku punon? Në ndonjë  fabrikë apo pas ndonjë ustai?
     -Në një fabrikë që bën dyshekë dhe krevate, më paguajnë mirë...
     U ndërpre prapë linja, pritën por kësaj here nuk mori më kush.
     -Hajde fillo tashti se mirë ishin, çfarë ke...
     Duci mblodhi supet. Ndërsa ndihmoi Qirjakon e cëmbiste një pandehmë. Përse e gënjeva babain duke i thënë se banoj në një vilë, punoj në fabrikë etj? E gjeti përgjigjen nga mëngjesi, tamam atëhere kur i duhej të bëhej gati për në punë. Thjesht për të mos i bërë merak. U ngrit vringthi dhe ndërsa nxitoi të kapte tramin, u kujtua se në xhep kishte vetëm pesë mijë dhrahmi.
Në krye të vitit, shtëpia e Ducit mori formën e plotë. Por i mungonin muret. Me një fjalë tullat. Ustalllarët bën blindat e qosheve, kollonat, hodhën soletën, zjatën kolonat e katit të dytë, derdhën edhe trarët e sipërm, platformën e çatisë. Trarët e sipër i bën të pjerrët me hekur dymbjedhejtësh dhe granil të thërrmuar. Beton edhe hekur. Pra  një lloj shtëpie me skelete betoni. Shtëpia e vjetër përbri, dukej si njl kasolle mesjete. Kurse fqinjët mbetën të habitur.
      Mirëpo aq ishte, aty mbeti..., kaloi edhe një vit
      -Greqia, të bën ta hedhësh shurrën përpjetë vëlla, deri dje nuk kishin çfarë të hanin, vinin tek ne, u jepte plaka ime tenxheren me fasule, tani të shesin pordhë me birra dhe meze.
      -Eh, u hapën rrugët Minush...., po ty të ka qëlluar fati i keq se i ke vajza. Unë po nuk kam fare, kështu që kush ka një në kurbet ha me lugë floriri, ne të tjerët do fryejmë sytë ose do detyrohemi të ikim edhe vetë një ditë.
      -E kërkuam për kokë këtë demokracinë, mbetëm të gjithë pa punë
      -Po deri sa është greku me italianin, mbase bëhemi edhe ne...
      -Ore nuk kam hallin e atij aty, se e shoh që ai mirë është... po pi birra, ka hallin tim..
     -Kam edhe ca të shkoqura unë, bolla janë edhe për nga një teke, se, e shoh që të paskan hipur xixat sonte...
      -Sikur ty jo, të shesin mend morrat, ja hahet kjo...
     E kishin fjalën për babain e Ducit, që porositi birra të tjera, biles i tha të zotit të lokalit tu çonte nga një edhe në tavolinën përbri, jo në atë të Minushit. Me një fjalë të atij që e kishte fqinj dhe qe duke e përgojuar për punën e tenxheres me fasule që ua kishte dhënë e ëma një herë e një kohë.
       Të ishte kjo e gjitha mirë, por babai i Ducit me lekët e tullave bleu një benz mercedes të përdorur, por që dukej në gjendje të mirë. Të paktën bojën e kishte fringo. Menjëherë pas kësaj na u lidh edhe me një grua, aty në rrethinë. Ndonjëherë u shërbente njerëzve si taksi, por në më të shumtën e rasteve e mbate parkuar përpara lokalit ku rruga e rrethinës lidhej me shëtitoren. Aty, e kalonte ditën. Në mëngjes kafe me raki... në drekë një birrë e dy qofte, kurse në darkë i përziente sipas qejfit dhe dëshirës.
Por nuk shkoi me kaq, u lidh edhe me një grua. Se si i dukej, fati i solli në derë diçka të mungur në jetën e tij, marrëdhënien e fshehtë. Për shumë burra ishte krenari, pasi shpjegohej me zotësinë dhe paraqitjen si mashkull. Në këtë rast zotësia qe fakti se ai kish para, makinë, ndërsa për i bukur, sikur kishin filluar të ti mbusheshin faqet. Më përpara i lexoheshin kockat e nofullave. Ai e shpjegonte me rëndësinë e të ushqyerit. Zuri të frekuentojë motelet buzë detit, pastaj ato nëpër gryka lumenjsh apo në maja malesh. I jepte lekë edhe së dashurës së vet, ndonjë rrobë për humbamenin, siç edhe i thoshte ai burrit të saj.
     Në fillim nisi si një lojë qejfi, por pak e nga pak e fshehta mori udhën e u bë thashje. Në vend që të shqetësohej, i vinte për mirë. Nuk po druhej më nga as kush, pasi i dukejs sikur njerëzit e admironin, e mbanin për të burrë të zot. E kishin zili. Në fund të fundit kështu ishin edhe esnafët e kohës, me dy a tri gra.
     -Po mua këtu në shtëpi për çfarë më ke? - e pyeti e gruaja.
     -Çke ti, pa bukë nuk po të lë, pa veshur jo, çunin tjetër ta nisa për qejf për në Itali, gocën në shkollë po ta mbaj. As ty nuk po të ndaj, çke ti, ë? - ia ktheu ai me tërsëllimë.
     -Po na mban, por me gjakun dhe kockat e atij në Greqi. Po, mos u mërzit se do ia them të gjitha një për një...
      Gruaja nuk e mbaroi dot, ai e goditi me të praptën e dorës duke e rrëzuar përtokë.
      -Këtu komandoj unë, mos harro këtë se ta këpus kokën si të zogut, - tha burri.
      Nga aty përtokë, ajo e pa qartë se rreth tij avitej një dritë e çuditshme, biles sikur ia kishte bërë me lot ata sytë e mjaltë. Diçka që e bënte nervoz dhe, në një farë mënyre nervoz, po sipas saj fajin e kishte ajo tjetra. Kushedi çfarë provokimesh i bën dhe ai është plot pasiguri dhe nervozizëm. Megjithatë, prapë portreti i tij iu largua me atë dritë, ashtu si në ëndërr, tamam si kokat që i përpin drita e frikshme e botës së përtejme.
      Për ta ruajtur nga e keqja, ajo nuk i tha gjë Ducit në telefon. U tregua e lumtur, i tha se edhe tullat u blenë dhe ustallarët po i vendsin. Mirëpo një javë më pas, i shoqi u rrah me një burrë tjetër për punën e asaj gruas. Dhe po një javë më pas, shkoi krushk me të në një fshat, ku u hoq si burri i saj. I kërkuan vajzën për djalin e saj. Në fakt ajo nuk kishte fëmijë, ky djalë gjoja ishte në Itali dhe me sa u mor vesh më vonë, qëllimi ishte që ta shisnin për prostuticion. Këtu gruaja i harroi të gjitha. I telefoni Ducit dhe ia tregoi fije për pe. I biri u shushat i tëri. Nga mesnata, e deri të nesërmen në drekë, rruga e kthimit me autobuzin e linjës, iu duk më e zezë se ajo poshtë tek vendi i paimeve në autobuzin burg të policisë greke. E gjeti të ëmën në  shtëpinë e vjetër. Shtëpia prej skeleti sikur e përqeshi, sikur e përçmoi, përballë ditëve me lodhje të pafundme, në atë shtëpinë e nëndheshme me erën e pandashme të amerikanidhave.
     -Mos bir, është babai yt, - i tha e ëma, tashmë e penduar.
     Por ai nuk e mendoi gjatë, vrapoi tek shtëpia e fqinjit dhe kur e pa në krye të tavolinës me plotë gjëra të mira, shishe birre e verë, si krushku i parë, nuk duroi më. Shtiu mbi 'të me përbuzje, pastaj mbi gruan e fqinjit. Ndërsa burrit të saj i shpoi pantallonat tek vendi. I pështyu dhe bëri për nga dera.
     Teksa po dilte ndjeu një krismë të thatë. I dogji gjoksi dhe xhiboksi prej bluxhinsi iu skuq deri tek barku. Ktheu kokën dhe pa fshatarin e egërsuar që e shikonte me sytë flak të kuq nga pija.
     -Më vrave mikun, ndaj të vrava, - i tha ai.
   

No comments: