Friday, 27 December 2013

Vrapuesja e Prizrenit në Londër



Nga Fatmir Terziu

Më fal të zgjova, ta them me bindje,
të erdha të të uroj për Krishtlindje...
por edhe t’u tregoj fëmijëve,
se edhe Ti ke një vendlindje...

Qindra vite endesh, turresh, pas xhamave kristal
qindra vite me fundin tënd palë-palë,
mijëra e mijëra njerëz të vijnë vërdallë,
a s’kanë të ngopur me ty vallë?

Mijëra vite pa folur shqip,
kokën pas, pas mban dhe sytë,
Menadë e Prizrenit para teje jam i hutuar,
vajzë-atlete mbete duke vrapuar.

Në cilën gjuhë më fole pas xhamit,
statuetë e hedhur në bronx, e malluar
rrethuar me neonë e me sy turistësh,
mos ki dert, të lutem ma thuaj,
apo edhe unë të ngjaj i huaj?

Në ditët e tua të gjithë ne vraponim,
një palë këmbë të lehta të gjithë kishim atje,
se donim të lirë gjithnjë të jetonim,
ndaj këmbët i kishim rrufe.

Më thuaj a të kujtohet Cynisca nga Sparta,
gruaja e parë që u turr me të katra,
me të u habitën vetë njerëzit në gara,
ajo gjithnjë doli dhe dilte e para.

Fati yt qenka jo si gjithë statujat
Ca bronx. Plot dritë. Dhe një mjedis fin.
Pas teje hutohen edhe më burrat,
jo më kot të bleu tregtari Serafim.

Vrapuese e Prizrenit ti erdhe e para,
ashtu siç dilje edhe atje në gara,
ti kërkosh hapur Britanisë,
fitoren e merituar të Pavarësisë.

E ekspozuar në Muzeun Britanik të Londrës
viti që të solli ishte 1876-të,
e që atëherë vazhdon t’i tregosh botës,
Kosova është një vend i artë.

Ajo ditë kur zbarkove ishte ditë me fat
dhe tani nusëron midis garueseve të hershme
më lejo të të puth shqiptarçe në ballë,
dhe buzët e bronxta që digjen në heshtje.

Të takoj ty dhe më duket dita e bardhë,
edhe pse je pas xhamave në atë sallë,
dhe më duket sikur Kosova brohoret, e shkulet vendit
Vrapuesja e Prizrenit, Vrapuesja e Prizrenit!

http://www.fjalaelire.com/poezi/20622.html

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: