Friday, 3 January 2014

LEPURIN E VRET GJAHTARI, PO NË PRITË E ÇON ZAGARI



 
-Cikël me fabula nga ILIAZ  BOBAJ
 
 
 
 
BESNIKËRIA
 
-Ja,grua e dashur,ç’është besnikëria:
pritja e Penelopës,
me vite zgjati.
Një grua sot,do ta thyente tradhëtia.
-Po mëtuesit,-tha gruaja,-
s’i zboi kurrë nga pallati.
-Megjithatë priti,
derisa Odiseu t’i mbrrinte Itakës.
-Një pritje me bujë,
për hir të përrallës.
Pastaj tha me vete:
-Burrat e ngratë,
i besojnë si fëmijë,
përrallat për gratë.
 
 
LUANESHA DHE LUANI
 
I tha luanesha,luanit mbret:
-Gënjeshtrat e tua pafund,
mendon se kafshët i hanë vërtet
dhe rena shitet kaq lehtë me fjalë ?
I shkon dot ujë nën rrogoz,
dhelprës dinake,ujkut tinzar ?
-O luaneshë,ç’flet kuturu !
harron që veç dhelprës,ujkut,
ka dhe gomerë pa tru,
dele naive,dhi mendjelehta
dhe kafshë të tjera,
që u pëlqen nga pakëz gënjeshtra ?
Një gjë prej meje vure n mendje:
gënjeshtra është si punë e përrallës,
të gjithë e dinë që ç’është e vërtetë
dhe prapë e dëgjojnë me ëndje.
 
 
GARANCIA
 
Kukuvajka dëgjej të bëhej deputete,
ndaj në zgjedhje u vetshpall kandidate.
Kërkoi katërqind firma si garanci:
i firmosën katërqind bufër nate.
 
 
SHKËMBI DHE PËRROI
 
Shkëmbin, që ra nga majë e malit,
përroi e pret i gëzuar:
-S’ke pse mërzitesh,prapë je shkëmb
dhe forca jote s’ka ndryshuar.
 
-Vërtet sërish jam shkëmb i fortë,
po rrugës ca pjesë i kam lënë.
Dhe diçka tjetër,o përrua:
s’jam më aty ku pata qenë.
 
Aty ku qiellin gëzoja
dhe mbaja mbi supe shqiponja.
 
 
FOLËS DHE DËGJUES
 
Fushatë zgjedhore,kudo lektorë,
fjalime,debate,premtime pafund.
-Folës,-tha delja,-shoh derë më derë,
ndërsa dëgjues nuk shoh gjëkund.
 
 
GOJA DHE SYRI
 
Goja frerin kish lëshuar
dhe fliste kodra pas bregut.
-Oh,-tha syri,-kjo s’durohet,
për rrenat që nxjerr prej shtegut !
 
Mirë ajo që këput dokrra,
po ti vesh si e duron ?
Veshi kroi pakëz kurrizin:
-Unë bëj sikur e dëgjoj...
 
 
DAULLJA DHE SHISHJA
 
Ndërsa i binin kurrizit,
daullja me mllef shpërtheu:
-Për të gëzuar dasmorët,
më rrahin sa tundet dheu !
 
Kur i deh kupë e gëzimit
edhe lodhja i merr osh,
Si një send pa pikëz vlerë,
më braktisin në një qoshk.
 
-Kurse mua,-i tha shishja,-
më puthin me afsh në buzë.
-Ty të puthin kur je plot.
Bosh,të flakin tej në rrugë.
 
 
SEKRETI
 
Tha goja:-Dihet sekreti:
ç’ka fsheh dora,e di xhepi.
Dora ia ktheu kusurin:
-Ç’ ka fsheh goja,e di truri.
 
 
 
VENDIMI HISTORIK
 
Në prag të zgjedhjeve,
zagarët morën një vendim historik:
krijuan Partinë e Zagarëve.
I pyetën:
-Tani që po hyni në spektrin politik,
si mendoni t’ia dilni mbanë ?
-Partia jonë,-tha kryezagari,-
do ta kryejë misionin fisnik,
duke lehur,
për llogari të të zotërve tanë.
 
 
POZICIONIMI
 
Më së fundi edhe minjtë e kanaleve,
krijuan Partinë e Minjve.
Programin e tyre,
e sqaroi miu me mustaqe,
që i dilnin përtej faqeve:
-Partia jonë,
ka një qëndrim të qartë politik:
ajo do të pozicionohet,
kundër Partisë së Maceve.
 
 
 
ALEANCAT
 
Partia e Gomerëve,
u mblodh me urgjencë,
për të vendosur aleancat në zgjedhje.
Pas diskutimesh gomarore,
në nivel të lartë,
u bë ky përcaktim:
-Me mushkat,bijat tona,
patjetër aleancë.
Me pelat,nënat e mushkave,po ashtu.
nëse do të jetë e nevojshme,
edhe me kuajt,
se jemi baxhanakë.
 
Më tej,asnjë hap !
 
 
SHPËTIMTARËT E KOMBT
 
Në mitingun zgjedhor,
Partia e Majmunëve,
e kishte marrë gjendjen në dorë.
Majmunët po bindnin opinionin,
se vetëm ata ,
mund ta shpëtonin kombin.
veç tyre,askujt tjetër s’i vinte për dore.
 
Madje treguan dhe rrugën e shpëtimit:
ajo do të bëhej me imitime majmunore.
 
 
 
ALEANCA INTIME
 
Për të mos mbetur pas të tjerëve,
një mëngjez,
pulat u mblodhën në qymez.
Pula plakë si oratore flet:
-Tashmë partia jonë,
është një realitet.
Motra,po futem drejt e në thela:
partia jonë ngjitet në pushtet,
në aleancë intime me gjelat.
Aty ku s’do mjaftojnë aftësitë tona,
do të kërkojmë aleancë me zogëzat.
 
 
 
 
PARTIA E PIJETARËVE
 
Në Partinë e Pijetarëve,
u dha kushtrimi,
pasi qenë bërë rrumbulla-tumbulla:
-Programi ynë,
ka vetëm një pikë të artë:
‘’Ta bëjmë atdhenë rrush e kumbulla’’.
 
Meqë horizontin s’e shohim dot qartë,
i përjashtojmë mundësitë,
për ndonjë aleancë.
 
PËRGJEGJËSIA HISTORIKE
 
Kafshët u mblodhën sërish
dhe diskutuan me përgjegjësi,
Si mendimtarët mbi një projekt,
si të shpëtonin prej luanit mbret.
Mbreti katil,po bënte kërdi.
E mori fjalën një plesht:
-Këtë përgjegjësi historike po e marr vet.
për gjithë ç’ka bërë,
po shkoj të marr hakun,
do të ndeshem me të dhëmbë për dhëmbë,
do t’ia pi gjakun.
Më kot kafshët u munduan ta ndalnin,
pleshti trim,
u nis vetëtimë, të ndeshej me luanin.
 
 
 
KARIERA E KALIT
 
Kali shkoi në Partinë e gomerëve:
-Tek ju,-u tha,-kam ardhur për karierë.
-Je i mirëpritur,-
i tha kryegomari,-
të na përfaqësojë kali,
për ne është nder.
le t’i themi gjërat hapur midis nesh:
të dyja palët kemi interes.
Vetëm pela e priti me këmbët e para:
-Ku shkon,o qyqar,pas trutharëve ?
-Edhe mes tyre,unë mbetem prapë kalë.
-Një kalë,
që do mbrojë mendimin e gomarëve.
 
 
NJERËZIT QË TREGTOJNË FJALËN
 
Njerëzit që tregotjnë fjalën,
po ma shesin shtrenjtë gënjeshtrën.
për t’i dhënë fund llogarisë,
kusur më kthejnë të vërtetën.
 
 
ANKESAT
 
I ankohej syri buzës:
-Mjerë ne sytë,një jetë të ndarë,
s’na u nda ky mali i hundës !
Për ç’tha syri,buza qeshi,
në bisedë hyri veshi:
-Po ankohesh kotsëkoti,
ne veshët jemi më keq,
ndarë në dy skajet e globit.
Buza si skile e vjetër:
-Siç e shihni,në fytyrë,
rrimë si motra pranë e pranë,
veç ne buzët,askush tjetër.
Syri i përgjigjet buzës:
-Janë dhe dy vrimat e hundës...
 
 
 
URDHËRI
 
Vuri dora firmë e vulë,
thërret koka:-Ç’është kjo punë !
Kush urdhëron,e mori dreqi !
-I thashë unë,-ia ktheu xhepi.
 
 
 
ROLI I ZAGARIT
 
Lepuri si erë mali,
ham e hum nga pas zagari.
 
Një zog me fjalë e qeton:
-Qeni që leh,s’të kafshon...
 
Nga zagari mos kij frikë,
po nga gjahtari në pritë.
 
Lepuri tek ecte plumb:
-Këtij i druhem më shumë.
 
Se vërtet më vret gjahtari,
po në pritë më çon zagari.
 
 
ME NJERËZIT
 
Me këta njerëz,që luhaten si gjethi,
askush nuk di si do t’i vejë hallit:
me gojë thërrasin:-Duam engjëllin !
Në zgjedhje votën ia japin djallit.
 
 
 
 
ZONJA ME QENIN
 
Qeni me zonjën kalonin në rrugë.
Njerëzit ruheshin nga qeni,
nga zonja nuk ruhej kush.
-Ç’keni që më ndiqni me bisht të syrit
dhe më hapni rrugë ?-
pyeti qeni njerin prej tyre.
-Thjesht se je qen
dhe qeni kafshon prej natyre.
Dhëmbi i qenit është i hidhur...
Qeni tek ecte pas zonjës i lidhur:
-Kafshimi i qeni,një fjalë e gojës,
se s’dinë sa i hidhur,
është kafshimi i zonjës.
 
 
 
MIU XHIRAFA DHE ZOGU I THIUT
 
Miu nga poshtë:-Zonja xhirafë,
nuk më thua,bën ftohtë atje lart ?
Xhirafa nga lart-Bën pakëz ftohtë,
po ti,nuk më thua,bën vapë atje poshtë ?
 
-Ç’përgjigjer pamend,-mendoi një zog thiu,-
xhirafa është më pranë diellit se miu.
 
 
 
LULJA DHE GURI
 
Thosh një lule:
-Përmbi mua,
ulen fluturat,
më të bukurat e dheut.
-Po,-tha guri,-
po veç tyre,
ulen dhe brumbujt e plehut.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: