Thursday, 23 January 2014

Lule për çiftin Kenedi


''Trupi im është këtu, por zemra ime është në Shqipëri. ''

                                      Violet Bond - Kennedy

Petro Luarasi 


Fondacioni Kenedi - 1908
 Në mediat shqiptare po përmendet  gjithnjë e më shpesh veprimtaria  bamirëse e fondacionit  “Kenedi “ me qendër në Korçë që  po  ndihmon  shtresat në nevojë,  fëmijët  jetimë, vajzat  e dhunuara  dhe të moshuarit  e  brezit të  tretë.   Organizon edhe kurse trajnimi   dhe  aktivitete të shumëllojshme  me vlera edukative, social-kulturore e sportive. Ky fondacion mbahet mend  edhe  për  ndihmën  e madhe që ka dhënë  për të përballuar nevojat e të shpërngulurve  gjatë luftës në Kosovë.
Fondacioni "Kenedi"  e ushtron  aktivitetin e tij të suksesshëm në Shqipëri  që prej   vitit 1991 duke e    zgjeruar  stafin  me punonjës të kualifikuar  dhe  të rinj vullnetarë të  përkushtuar  .
Drejtuesit të   fondacionit, misionarit protestant  anglez  z. Ian Loring, i është akorduar  titulli "Qytetar nderi i Korçës"  për kontributin e tij humanitar shumëvjeçar,   një shprehje  e mirënjohjes së qytetarëve korçarë dhe institucioneve shtetërore.
Për t’iu përmbajtur  së vërtetës historike dhe  identitetit,  sqarohet se  `` Fondacioni Kenedi -1908  mban emrin e Phineas Kennedy, i cili i ka shërbyer popullit shqiptar nga 1908-1939…. toka e përdorur aktualisht nga Fondacioni u ble fillimisht dhe përdorej nga Kennedy gjatë kohës së qëndrimit të  tij në Shqipëri . Emri në përdorim, "Kenedi", është thjesht drejtshkrimi  shqip i emrit.``1. (fondacioni kennedy http://www.kenedifoundation.org/about-us/why-kenedi)
Në këtë mënyrë  themeluesit e Fondacionit  “Kenedi”  përkujtojnë  me nderim misionarin e parë protestant amerikan dhe vijojnë  me vendosmëri traditën e hershme të  mirëbërësve anglo-amerikanë në Shqipëri.
 
Të pasur jemi, të mjerë na bënë
Historia e misionarëve bamirës anglo-amerikanë në trevat shqiptare, kushtet historike kur janë shfaqur, rezultatet që kanë arritur në dobi të kombit tonë  dhe personaliteti i tyre, meritojnë më tepër vlerësim e nderim.  Ndonëse përmenden në artikuj, referate, disertacione e libra, përgjithësisht as kanë zenë vendin e merituar në programet arsimore dhe literaturën akademike, as janë nderuar me dekorata apo  emërtime objektesh e rrugësh, përkundër  nivelit të propaganduar të marrëdhënieve.
Në  “terr padije”  janë lënë edhe bamirësit protestantë amerikanë me në krye Rev.Phineas B.Kennedy, për jetën dhe veprën e  të cilin ende nuk është botuar ndonjë monografi.
Ndër ata që ia kanë  përmendur vlerat shquhet  bashkëpunëtori i tij,   Rev. Edwin Everett Jacques (1909-1996) i  cili  ka  punuar në Shqipëri në periudhën 1932-1940 dhe  ka botuar  kujtime interesante për  historinë dhe vlerat e shumanshme të kombit shqiptar.
Ai analizon dhe argumenton pasuritë e kombit shqiptar të cilat ia kanë harruar,  mohuar dhe luftuar duke shfrytëzuar  edhe vetizolimin e shqiptarëve  për ta bërë, sipas   Uinston Cërcillit, "nje gjeegjëze, e mbështjellë në një mister brenda një enigme".
Në analizën dhe zbërthimin e enigmës ai deklaron troç: “ Ky popull i lashtë pellazg shënon një datë më të hershme se zhvillimi i civlizimeve të Greqisë dhe Romës..ìdentitetin e vet etnìk…gjuhën dhe lirinë ia  kërcënuan  të dyja perandorìtë e krishtera, e Lindjes dhe e Perëndimit, se  gjatë  okupimit shtypës 500-vjeçar të Shqipërisë nga sundimtarët turq e braktisën  fqinjët e saj  katolikë romakë dhe ortodoksë grekë’’. 2. (Edwin Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Kartë e Pendë, Tiranë, 1998)
 Studjuesi Edwin E. Jacques  analizonte  edhe  politikën e verbër të udhëheqësve  shqiptarë të regjimit diktatorial  dhe  qëndrimin e çuditshëm  mediatik, aq aktual edhe për situatat  e sotme,  e cila   bie  pre efalsifikimit dhe diktatit  mbi historinë.  Nuk e  pasqyronin si duhet  në opinionin publik të vërtetën e  ndihmës tradicionale amerikane   në njohjen si shtet , përkrahjen e vazhdueshme diplomatike,  humanitare, teknike, mjekësore, financiare e arsimore. Anashkalonin rolin e komunitetit  më të  madh e më të organizuar të  mërgimtarëve shqiptarë,  besnikë e entuziastë, që herë pas here i kanë  ardhur ne ndihme mëmëdheut.
Vetë  kreu i diktaturës, në përpjekje për të  djegur e shkulur me rrënjë  traditën  e hershme historike dhe kontributin e gjerë  anglo-amerikan,  deklaronte me papërgjegjshmëri  historike e  morale:  “Zogu ua hapi portën agjentëve  të spiunazhit  amerikan të cilët erdhën në Shqipëri  nën maskën e misionarëve si Kenedi , të filantropëve dhe edukatorëve si Erikson…që luajtën një rol të ndyrë  kundër pavarësisë  dhe lirisë së popullit shqiptar deri kohët e fundit” (!!!) 3.  (E.Hoxha . Sukseset e Republikës Popullore të Shqipërisë. 11.8.1950,   Vepra 7, f.404)    
 Sajoi dhe akuzën  politike:  “Ata  kishin përgatitur njerëzit e tyre  për të punuar në të ardhmen  kundër Shqipërisë dhe popullit shqiptar” 4. ( E.Hoxha, Raport në Kongresin I të PPSH, Vepra 5, 8.11.1948,  f. 192 ) 
Urdhëroi  të   hartoheshin   listat e zeza  me qindra intelektualë  që kishin studjuar apo punuar në shkollat apo institucionet  bamirëse amerikane, të cilët i përndoqi  sistematikisht, i  persekutoi  dhe i  dënoi  familjarisht.  Ndër të parët që vuajtën  terrorin  qenë  familjarët e fisit Qiriazi- Dako, motrat Parashqevie  Sevasti  aq të madhërishme    për  kontributin e tyre  në kulturën,  arsimimin, dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare.  U  shuan nga faqet e historisë kombëtare dhe programet shkollore edhe kontributi  30-vjeçar içiftit Kennedi dhe  dhjetra bamirësve të tjerë  të huaj.
 
Kontribute të çiftit Kenedi
Personaliteti dhe veprimtaria e vyer e  Rev. Phineas Barbour {Barber} Kennedy (14. 6. 1867 -  4.5. 1963)   dhe zonjës së tij  Violet R. Bond-Kennedy (19.6.1870 – 27.12. 1952) është pasqyruar në shkrime të miqve anglo-amerikanë A.Herbert, E. Durham, M.Eden, T. Ericson, E. Jacques, ndërsa në Shqipëri në   vitet 1908-1939 dhe pas ndryshimeve demokratike janë   vlerësuar  nga P. N. Luarasi, F. S.Noli, motrat P.Qiriazi S. Qiriazi, S. Luarasi, I. Gogaj, V. Duka, K. Bevapi, F. Cakolli, etj.

Rev. Phineas B.Kennedy dhe zonja e  tij  Violet B. Kennedy erdhën në vendin tonë   në një situatë  të vështirë për mbijetesën e shkollës shqipe.Violet  Kennedy,  e bija e misionarit protestant Luis Bond,  u miqësua me Sevasti Qeriazin kur jetonin në qytetin e Manastirit. Mësoi prej saj gjuhën shqipe, historinë, zakonet dhe sfidat me të cilat përballej kombi shqiptar, prej nga i buroi edhe dashuria dhe dëshira  për të ndihmuar me të gjitha mënyrat kombin shqiptar. 

Në kushtet e luftës së ashpër  ndaj  shkollës shqipe të vajzave, në vitin 1908,   motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia,   kërkuan  mbrojtje dhe përkrahje financiare nga   misioni protestant anglo-amerikan, me të cilin kishin bashkëpunim të hershëm  që në Manastir. Bordi amerikan me qendër në Boston i dërgoi për ndihmë shoqen e fëmijërisë  Violet B.Kennedy me bashkëshortin Rev. Phineas B. Kennedy që  qe diplomuar në Universitetin Princeton, të cilët u aktivizuan menjëherë në stafin e shkollës shqipe sapo  mbërritën në Korçë më 26 mars 1908.
 Mbas katër muajsh rezistence e përpjekjesh të atdhetarëve dhe përkrahjes së qeverisë amerikane, me anën e Ambasadës  së SHBA në Konstandinopojë, më 23 korrik 1908 u shpall Kushtetuta liberale e xhonturqve  që e lehtësoi përkohësisht situatën. Studjues të ndryshëm kanë përshkruar punën vetmohuese të çiftit Kenedi për mbrojtjen e shkollës shqipe të vashave, e cila mbijetoi e vetme,  deri në shpalljen e pavarësisë, përballë presionit të pushtuesve dhe qarqeve shoviniste greke. Në  atë kohë Phineas B. Kennedy shkroi :  "Ata mund të kërcënojnë prindërit dhe fëmijët , por ne do të vazhdojmë t’i mbajmë brenda shkollës në  konvikt  dhe e vetmja gjë që mund të bëjnë është që të më marrin mua nga shtëpia me forcë - sepse unë kurrë nuk do të lejoj të  mbyllet kjo shkollë’’. Qe meritë e madhe e çiftit Kennedy që e mbajtën të gjallë këtë symbol të   arsimimit dhe emancipimit të femrës shqiptare dhe që pas luftës botërore e vijuan në kushtet e reja  me shkollën private ‘’Kennedy”. Por vetëm  qeveria e Fan Nolit  e njohu   zyrtarisht  më 10.9 1924 si  shkollë  qytetëse me 5 klasë, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Në  program ishin edhe mësimet fetare në gjuhën anglisht.  Shkolla në fillim  u  hap me 30 nxënës, djem e vajza,  ofroi edhe sistemin parashkollor dhe kishte dy  mësues shqiptarë. Një vit më vonë numri i nxënësve arriti në 57 dhe gjatë vitit shkollor  studionin 123 nxënës. Jepnin mësim 10 mësues: Violet Kenedi, Edvin  Xheks (Jacques), Dorith Xheks ( Jacques), Mila Gjogoreci, Ollga Plumbi, Shega Uçi, Persefoni Treni, Praksithe Plumbi, Leftera Kosova dhe Aspasia Efthim. 5 (I.Gogaj.1995. Shkollat Amerikane në Shqipëri. Tiranë: Drita. f.20)
Me shtimin e nxënësve, çifti Kenedy hapi edhe një konvikt me pagesë  duke caktuar për çdo nxënës një shumë vjetore, e cila ishte e lidhur me gjendjen ekonomike të nxënësit.
Nxënësit që përfundonin shkollën 5-vjeçare merrnin një diplomë analoge
me atë të shkollës shtetërore shqiptare të shoqëruar me një çertifikatë të veçantë që u
jepte të drejtën të pranoheshin në kolegjet amerikane.
Deri në vitin 1933 shkolla Kenedi  kreu  një veprimtari shembullore, u përgatitën  me qindra nxënës, disa prej tyre u bënë edhe pjesë të stafit mësimor.
Me  zbatimin e reformës “Ivanaj “ dhe  ligjit  për   shtetëzimin  e  shkollave  të  huaja  në  Shqipëri, u  mbyll edhe  shkolla   amerikane   e  Korçës.  Bashkëshortët  Kenedi  i  bënë  një  vizitë  ministrit  Ivanaj dhe  i  thanë: ’’Ne  e  kemi  dashur  Shqipërinë, ne  kemi  ndihmuar  që  shkolla  shqipe  e  vajzave  në  Korçë, e  vetmja  në  gjithë  Shqipërinë, të  mos  mbyllej  nga  qeveria  turke , ne  kemi  pritur  e  përcjellë  rilindasit.  Shkolla  jonë  nuk  është  si  të  tjerat  të  huaja , prandaj  mos  na  e  mbyllni. Mirash  Ivanaj  Iu  përgjegj: ’’E  besoj  që  e  keni  pas  dashtë  Shqipërinë. Tash  është  koha  me  e  provue  përsëri  që  ende  e  doni, tue  mos  kundërshtue  mbyllje  e  shkollës  suej.  Interesi  kombëtar  e  lyp me  u  shtetëzue  të  gjitha.’’ 6.(S.Luarasi. Kujtime)
Edhe pas   reformës  ‘’Ivanaj’’ çifti Kenedi e vazhdoi veprimtarinë humanitare, të ndihmuar nga Kelly G. Tuckers dhe  Edwin E. Jacques me të shoqen Dorotia.
 
Për një nivel më të lartë arsimor
Studjuesit vlerësojnë  se  zanafilla   e arsimit dhe pedagogjisë  amerikane në Shqipëri nis me ardhjen dhe veprimtarinë e çiftit Kenedy  të cilët u bënë udhërrëfyes për programe të tjera  arsimore amerikane.
Rev. Phineas B.Kennedy dhe zonja e  tij  Violet B. Kennedy përmenden edhe për kontributin në ideimin e platformës dhe  rritjen e nivelit arsimor me synim ngritjen e  shkollave të arsimit të mesëm.
Historia e çeljes së Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë  me aktivitetin, vizionin  dhe platformën arsimore të misionarëve amerikanë të përfaqësuar nga çifti Kennedy, të cilët  menduan të plotësonin edhe dëshirën e atdhetarëve elbasanas  për  një institucion arsimor  me program të përshtatshëm.
Sipas studjuesit  Kujtim Bevapi   mendimi  për të ndërtuar një  kolegj në Elbasan qe vendosur nga misionarët amerikanë në Shqipëri, bazuar dhe nga udhëzimet që vinin nga qendra. Në një letër që zoti Kenedi në Korçë u dërgonte  klubeve patriotike të Elbasanit “Bashkimi” e “Vllazëria”, më 28 maj 1909 , ndër të tjera shkruante:
“Miq të shtrenjtë elbasanas! Shoqata jonë amerikane na ka autorizuar neve që të hapim një kolegj për djem shqiptarë. Kemi në plan që të ketë edhe një degë industriale. Shkolla do të jetë e hapur për të gjithë djemtë e rinj dhe dëshira jonë është që pagesa të jetë aq  e vogël, saqë dhe djemtë e varfër tëmund të përfitojnë nga privilegjet e saj…një ndërtesë të shëndetshme dhe të bukur, ku të ketë ujë të rrjedhshëm, të mirë e të pijshëm...  Nëse ju jeni dakord ne vendosim të vijmë në Elbasan, unë nga Korça dhe Z.Erikson nga Tirana…. Për Shoqatën tonë Amerikane,  Sinqerisht i juaji Phineas B. Kennedy.”7   (AQSH, Fondi 102, Dosja 50, viti 1909-Letra të Shoqatës Amerikane në Shqipëri dërguar klubit “Bashkimi” e “Vllazeria” në  Elbasan)
Përgjigja e atdhetarëve qe:  “ I detyrohemi dhe i jemi mirënjohës për jetë Misionarisë Amerikane, me padurim presim që puna e bërë dhe e  menduar të fillojë të marrë mish dhe   eshtra…” Klubet e Elbasanit vunë në shërbim të kolegjit si fillim 100 lira turke. Misioni Amerikan bleu truallin në Krastë dhe pritej vetëm fillimi i punimeve. Por  autoritet turke, më pas nuk lejuan të ngrihej kolegji, duke dhënë pretekste të ndryshme. Kjo ngjarje shtyu atdhetarët të  themelojnë në  1 dhjetor 1909  shkollën Normale  të Elbasanit.” 8. (K.Bevapi, Përvjetori i 100-të,  A është Normalja e Elbasanit universiteti i parë shqiptar?  “55”, 28 .11.2009  f.15)
Historianët  kanë vlerësuar  edhe   kontributin e  misionit protestant anglo-amerikan  për  organizimin dhe përfundimin me sukses  të    Kongresit të Parë të Manastirit  (14-22.11.1908).  Komisioni i Punës së Alfabetit i kreu punimet në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, i cili qe nënkryetar i Kongresit dhe anëtar i Komisionit. Ndër 35 protestantët e  tjerë, të përfshirë edhe në udhëheqjen e Kongresit të Alfabetit,  ishin: Grigor Cilka, nënkryetar i Komisionit; Parashqevi Qiriazi, sekretare e Komisionit; Kristo Dako, pjesëmarrës. Mes tyre gjendej  edhe  Violet  Kennedy, vëzhguese e misionit amerikan protestant.

Bashkëshortët Kennedy shfrytëzonin  të gjitha mundësitë për të realizuar misionin e tyre si protestantë dhe miq të kombit shqiptar. Phineas B.Kennedy, ishte i mirënjohur në grupimin studentor të  Universitetit  Princeton dhe aktiviteti i tij përmendej shpesh në organin “Princeton Alumni Weekly” duke siguruar mbështetje morale e financiare.

Në një artikull të revistës “Princeton Alumni Weekly” njoftohej se Rev. Phineas Barbour Kennedy  dhe zonja e tij,  si veprimtarë  përfaqësues të Bordit Amerikan  për Misionet e Huaja, “po zhvillojnë një veprimtari  intensive  mes  turbullirave në Ballkan.  Ata janë pozicionuar në Korçë, Shqipëri,  ku në vijim të aktivitetit  misionar  kanë ngritur një shkollë për vajza. Ndërsa ushtritë kanë luftuar para mbrapa  këtij vendi bashkëshortët   Kenedi kanë kryer një shërbim të madh  në shpërndarjen e ndihmave  mes  njerëzve të  uritur  ndër fshatra. Me okupimin e Korçës nga grekërit, zoti dhe zonja Kennedy  janë përzënë  dhe gjenden tashmë në Selanik, ku po qëndrojnë përkohësisht…  Sipas fjalëve  të një anëtari të Bordit ata po rezistojnë  me trimëri të madhe  të gatshëm  për të përmbushur detyrat e Fondit Amerikan.’’9.(Princeton Alumni Weekly, The alumni,  Volume 13, nr 33, 21 maj, 1913 , f.630.)  

Ambasador i  Shteteve të Bashkuara   në Hollandë e Luksemburg John W. Garrett, me karierëdiplomatike 16 vjeçare, në një artikull  për  të diplomuarit  e seminarit në  Princeton shkruan:“Shumë nga ne e njohim Shqipërinë në një mënyrë abstrakte dhe tani një i diplomuar    vitin 1891 në  Princeton është duke punuar atje  për më tepër se katër vjet  së bashku me gruan e tij tëdevotshme. Rev. Phineas B. Kennedy, i cili përfaqëson Bordin Amerikan  të Misionarëve të Huaj,është me në Korçë, Shqipëri duke bërë shumëlloj punësh të vlefshme  kristiane. Puna më e rëndësishme e tyre  është një shkollë për djem e vajza, me kolegj  dhe eventualish për tu mësuar njerëzve gjuhën  e tyre.  Në një letër drejtuar një shoku të shkollës ai thotë “Ambicia jonë më e lartë  është të përgatisim mësues  për këtë komb  i cili sikurse  e dini  është duke u rilindur”. Njënga studentët e tij është në Kolegjin Lafayete, një  kolegj  tjetër në Mount Herman  dhe dy të tjerëpritet të vinë në këtë vend  vitin tjetër. Rreth tridhjetë të tjerë janë pothuajse gati. Cfarë mundësie e mrekullueshme  për të krishterët e sherbimit patriotik  të ndihmojnë këtë të diplomuar të  Princtone dhe gruan e tij heroinë  që gjatë luftës  rezikojnë pandërprerë  jetën për shqiptarët.”10. (John W. Garrett,The AlumniPrinceton Alumni Weekly,Vol.20, nr.1,15.10. 1919,  f. 66)

Me dhjetra artikuj në gazeta e  revista amerikane dhe të komunitetit shqiptar në SHBA  përshkruajnë aktivitetin e gjerë të çiftit Kennedy,  jo vetëm si misionarë protestantë, por edhe si luftëtarë të përkushtuar të humanizmit, lirisë dhe  drejtësisë.
  Rev. Phineas B.Kennedy dhe zonja e  tij  Violet B. Kennedy kryen një aktivitet shembullor humanitar në ndihmë të popullatës shqiptare të dëbuar nga banesate tyre në Shqipërinë e Jugut, Kosovë e  Dibër. Shtypi i kohës  shprehte mirënjohjen ndaj tyre për informimin e opinionit publik ndërkombëtar  dhe ndihmën që u dhanë muhaxhirëve në ullishtat e Vlorës,  në vitin tragjik 1914,  kur andartët therën, dogjën e vranë fëmijë, gra e pleq. Mbi 57 fshatra me 1451 shtëpi në Kolonjë u bënë shkrumb e hi. Afro 60.000 vetë nga Kolonja, Dangëllia, Përmeti, Skrapari, u nisën muhaxhirë drejt Vlorës.
Ka të dhëna se Rev. Phineas B.Kennedy  njihej   me presidentin Uillson, dikur pedagog në Universitetin Princeton  dhe ka  influencuar tek ai  dhe Departamenti i Shtetit  për mbrojtjen e të drejtave të  shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris (1921). Ai strehoi  në shtëpinë e tij, në Korçë,  të deleguarin e presidentit,  ambasadorin Jozef Haven. Teufik Mborja shkruan se Haveni u vendos ne shtepine e nje misionari amerikan, te quajtur Kenedi, që e njihte mjaft mire qytetin. Kenedi e siguroi ambasadorin  se Korca eshte thjesht shqiptare ’’ Raporti perfundimtar u hartua nje muaj me pas dhe qe vendimtar per qendrimin amerikan. Qeveria e Athinës i paraqiti Uashingtonit një notë proteste, ku akuzonte  J.Havenin të  blerë nga shqiptarët.
Përshkruam disa nga kontributet e mirëbërësve tanë Rev. Phineas B.Kennedy dhe zonjës  së  tij  Violet B. Kennedy të cilët  u larguan përfundimisht nga Shqipëria më 1939 duke ia dorëzuar drejtimin e misionit çiftit Eduin e Dorotia Xhejks (Jacques).  Ata tërë jetën menduan e punuan për Shqipërinë duke i  mbajtur lidhjet me qarqet atdhetare shqiptare dhe me fëmijët e mikut të tyre Petro N. Luarasi: Dhimitrin, Skënderin e Shegën.  
 
 
Lule për çiftin Kennedy 
 
Në varrezën: Brook Avenue Presbyterian Cemetery
North Plainfield, Somerset County, New Jersey, USA
 gjendet pllaka memoriale (Grave Memorial) nr.14542785   ku shkruhet:
 
Phineas B. Kennedy (1867 - 1963)  
Violet Bond Kennedy (1870 -1952)
Missionary to Albania
Asleep in Christ   1 Cor. (Corinthias) 15:18Fjala e Lire - Free Speech

No comments: