Wednesday, 8 January 2014

LULJA E FUNDIT


KRISTAQ TURTULLI

Kushtuar piktores së talentuar
Sofia Zengo Papadhimitri.

Kur infermierja gjoksmadhe, vetulltrashë, me nishan të zi, nën buzë, po dilte prej dhome, dëgjoi që i tha:
-Sofi, përjashta, dielli shkëlqen dhe ka shpërthyer jeshillëku.
-Përjashta..! Jeshillëku!- u përmend dhe foli ultas Sofia.
-Ëhë! Uh, thuaj shyqyr, se na kalbi shiu.
Përjashta?! Jeshillëku! Përsëriti me vete.
Si vallë kishte harruar! Ajo i donte fort muajt prill, maj dhe qershor, me shpërthimin e mrekullueshëm  të luleve dhe jeshillëkun e harbuar mahnitshëm. Oh! Si i kish dalë prej mendjes! Ndoshta ngaqë ish mbërthyer prej kthetrave të sëmundjes. Hapi sytë ngadalë, iu duk sikur përpara syve iu ndeh një perde transparente që lëkundej prej erës. Paska pak erë, ia bëri me vete dhe bëri të kthehej në brinjë. Menjëherë e preu një dhembje e padurueshme në shpatullën e majtë. Kafshoi buzën për të mos bërtitur dhe i mbajti sytë një copë herë mbyllur sa të merrte veten.
Ishte vetëm dhe mund të shprehej hapur. Mund të ankohej, të rënkonte prej dhembjeve të trupit dhe vuajtjeve që ndjente, pse jo, edhe të bërtiste. Ta marrë dreqi, ngandonjëherë, kur nuk mundet ti përballojë më, njeriu ka nevojë edhe të bërtasë. Por ajo, dhe vetën ajo do ti duhej ta përballonte të gjitha, ose ta lëshonte veten, të ligështohej, të qullej, të bërtiste dhe infermierja të mblidhte buzët pas shpine dhe ti ngulte morfinë për ta qetësuar. I shoqi dhe djemtë kanë net dhe ditë që qëndrojnë dhe përkujdesen për të. Djali, Jani i qëndronte tek koka e shtratit dhe bënte kujdes të mos i binte tuboja e oksigjenit.
-Jam më mirë sot,- u tha, - do bëni mirë të shkoni një copë herë në shtëpi, të çlodheni.
Ata e vështruan me dyshim. Ajo këmbënguli të shkonin. Ata mezi u bindën. Me sy të trishtuar, të merakosur dhe të lodhur prej pagjumësisë u larguan duke i premtuar se do vinin sa më shpejt. Kishte kaluar një natë të vështirë dhe ishte përpjekur të mos e jepte veten. Megjithëse ia fshinin për të mos e merakosur, ajo e kish marrë vesh, vuante prej sëmundje të rëndë, nga një formë kanceri në gjak. Doktorët në heshtje ulnin kryet dhe ngrinin supet, pra nuk  kishte shpresë për shpëtim. Thuhej se, diku gjetkë, mund të parandalohej sëmundja dhe ndoshta gjendej shpresa për shërim. Andej, gjendeshin mjete dhe mjekime më të përparuara. Por kjo, ‘andej,’ diku gjetkë, pa përcaktim, ishte përtej kufijve dhe për këtë gjë, as që mund të bëhej fjalë. Burri së bashku me djemtë ikën. Mbajti vesh një copë herë hapat e tyre të rregullta tek ecnin në korridorin e pavijonit. U lehtësua që dërgoi të dashurit të çlodheshin. Ata po bënin shumë për të. Por njëherësh u ndje tmerrësisht e vetmuar dhe ambienti iu duk jashtëzakonisht i ftohtë.
Sofise i dhembte i gjithë trupi. Herë pas here fryma i pengohej diku në gjoks. Mori frymë thellë, përsëri e shpoi dhimbja e fortë në gjoks dhe iu përgjigj në shpatullën e majtë, aq u përlot. Është vërtet e mrekullueshme të mos kesh dhimbje në trup. Tuboja e oksigjenit e ndihmonte mjaft të mbushej me frymë. Shyqyr që ishte dhe oksigjeni! 
Nuk i durohej të hapte sytë dhe të bridhte shikimin përtej dritares. Aty, ku shkëlqente dielli dhe kish shpërthyer jeshillëku. E adhuronte natyrën plot dritë dhe kolor. Mrekullohej prej madhështisë së magjisë së Nënës natyrë dhe thoshte gjithnjë: nuk ka më të papërsëritshme se ajo. Sa herë ulej pranë telajos së bardhë, të pikturonte. Mbyllte një çast sytë, e riprodhonte vetëtimthi në mendje, pamjen që kishte përpara. Mbushej me frymë dhe pëshpëriste me vete:
Sa do mund të mësoj dhe të marr, të hedh në telajo, bukuritë e kësaj mjeshtre të madhe. I cila të dhuron ngjyrat dhe intonacionet pa kursim. Më duhet ta bëj timen, tu lë përherë njerëzve, një inicial të vogël, një kujtim...

E paduruar vështroi përjashta dritares. U fërgëllua prej kënaqësisë. Ishte fillim qershori dhe molla e madhe përkarshi ishte mbushur i gjithi me gjethe të gjelbra. Oh sa bukur! Çfarë kthjelltësie të qiellit! Çfarë mrekullie! Çfarë ngjyrash të mahnitshme! Oh nëne si përthyhen, dridhen, dhe lëkunden rezet fosforeshente të diellit! Si të jetë një fustan, i madh, i bardhë, gati i tejdukshëm nusërie! Toka ishte veshur me petkun gjelbër të fund pranverës. Diku dalloi një lule të vonuar, me petale pakës të fishkura, por që me stoiçishëm qëndronte akoma në pemë. Donte me gjithë shpirt që ajo lule e vonuar të qëndronte sa më gjatë aty, në pemë.
Një flutur krahëshkruar u ul në degën që ishte më pranë dritares. Sofisë iu ndal zemra, se mos ajo flutur në ulje rrëzonte petalet e lules. Por ulja e fluturës ishte e butë. Përsëri iu duk sikur ndjeu drithërimën e lehtë të kërcellit të njomë dhe bulëza vese që pikonin prej saj. Jeta i ngjan luleve, gjetheve dhe fluturave që ndihmojnë dhe shtyjnë në mënyrë të natyrshme njëra tjetrën. Më pas vijnë dhemjet, që gërryejnë gjethet, si dhe insektet e tjera. Vijnë erërat, ndërrimi i stinëve, ciknat... Në fund, e pamëshirshme, zemërgur, vjen vdekja, e cila fshin me kosë gjithçka që do të thotë: Asgjë...
Fatalisht njeriu është tmerrësisht i përkohshëm, mendoi dhe psherëtiu. Përse të jetë kështu, përse? Një sumbull loti iu rrokullis prej syrit dhe i qëndroi mbi mollëz. Po qaj, vërtet po qaj! Gati sa nuk foli me zë. Po qaj prej dhimbjeve apo prej trishtimit? Jo, nuk duhet të qaj! E fshiu lotin me të shpejtë. Jo, kurrsesi nuk duhet të qaj! Nuk mund të pranoj përfundimin shpartallues: ASGJË. Sepse kam lënë diçka. Jo, kam lënë më shumë se diçka që e injoron asgjënë. Ne nuk jemi të përhershëm. Ndërkohë, përgjatë jetës, bëjmë diçka, krijojmë jetë dhe vepra dhe i lemë pas. Ajo dhe vetëm ajo, është e përhershme dhe e patjetërsueshme.
Sofia përshkundi kryet dhe lëshoi një copë herë trupin të prehej. Jo, nuk duhet të mendonte për gjëra të mërzitshme e të trishtuara. Por ç’ të bënte, shumë gjëra veprojnë në kundërshtim me atë që do dhe dëshiron. Para që gjithash ishte grua, nënë dhe artiste...
 Së pari duhet të kesh shkallë të lartë ndjeshmërie dhe sensibiteti, pastaj mund të jesh artist. Po nuk e ndjeve, e përjetove nuk mund ta realizosh.
Përpara saj ishin shpalosur të gjitha ngjyrat, si në një qilim të madh. Nuk kish kohë ta mundonte veten për gjëra munduese, pesimiste, sido që ndjente dhembje në trup dhe nuk kish shpresë se mund të jetonte gjatë...
Si tani, një vit më parë, bëri peizazhin e fundit. Shkuan familisht për të bërë plazh diku nga jugu, nga bregdeti. Dita ishte e nxehtë. Qielli ishte i kthjellët, si në pasqyrë. Disa dallgë të lehta vinin ngadalë, duke nanurisur dhe lëpinin shkëmbinjtë e zbardhur si eshtrat e një dinozauri. Ajo nuk u zhvesh të bënte plazh. I hanin duart për punë, bukuria që kish përpara e joshte. U ul në verandë dhe nisi të vështronte horizontin e pafund.
-Mama, eja bëj plazh së bashku me ne,- e ftuan djemtë.
Ajo vendosi dorën si strehë mbi ballë dhe u buzëqeshi ngrohtë. Ndjente se diçka jo fort e këndshme po ndodhte në trupin e saj, por nuk donte ta bënte veten. I ngjante vetja si një mollë e lartë, që donte të dhuronte gjithnjë lule dhe fruta. Por përrenj idhnakë, të rrëmbyeshëm, nëntokësorë, kishin filluar ti gërryenin rrënjët. Ajo dita ditës ndjente lëkundjen e shkundjen dhe mos mbështetjen ndaj tokës. Prandaj nuk kish kohë të shëllërej pa ndonjë qëllim dhe vlerë në diell. Para së gjithash nuk mund të linte atë mbresë të papërsëritshme që e ngacmonte në shpirt: Valët  shkumëbardha, vinin e shkonin, shkëmbinjtë si eshtrat e një dinozauri dhe kaltërsia e papërsëritshme qiell dhe ujë. Kur çdo ditë që shkonte dhe nuk bënte gjë e mundonte, ndjehej bosh.
Me një nervozizëm të pa kuptuar iu përvesh punës, filloi të përziente ngjyrat dhe ti hidhte në beze. E kaltra ishte theksuar, por që kishte një transparencë befasuese. U shkri me natyrën. Dielli kish mbetur pezull në qiell dhe nuk lëvizte. Iu përcëlluan shpatullat nga qëndrimi në kanotiere, nën diellin e fortë. Por kur vuri nënshkrimin dhe përfundoi peizazhin ndjeu kënaqësinë e krijimit, njëkohësisht dhe përcëllimin e lëkurës. I shoqi, Akili u ankua butë, sepse artist ishte dhe ai dhe e kuptonte mirë magjinë e krijimit. Me seriozitet nisi të përkujdesej. Ia mbuloi të djegurat me kos të freskët. I dha një aspirinë të plotë, për ti qetësuar dhembjet.

Duke mërmëritur me mërzi, në dhomë hyri infermierja gjoksmadhe, vetulltrashë, me nishan të zi nën buzë. Ajo la në tavolinë një broke në ujë. Sofia e vështroi në mënyrë pyetëse, përse më le këtë broke me ujë.
-Sikur ju ma kërkuat, harruat?- i tha me zë të grindur infermierja gjoksmadhe, vetulltrashë, me nishan të zi dhe doli duke mërmëritur:- Njëra kërkon ujë dhe harron, ndërsa tjetri, aty matanë, ka gjithë ditën që pëllet, kërkon oksigjen...
Vërtet ajo ia kish kërkuar. I dukej sikur buza i thahej, i bëhej trokë, prandaj kish kërkuar ujë. Ndoshta për shkak të oksigjenit. Edhe harroi. Ndoshta ngaqë e magjepsi natyra. Mendoi ti kërkonte të falur. Infermierja iku. Ajo kishte emër të ngatërruar diçka midis Esmeraldinës dhe Enkelajdinës. Për të mos e fyer e thërriste shkurt, Dina. Por fytyrën e kishte mjaft interesante, sidomos profilin me nishanin e zi nën buzë. Fytyra e saj ishte shumë ekspresive dhe me të vërtet dilte një portet shumë shprehës. Të ishte ditë tjetër dhe të ishte diçka më mirë, do ti lutej ti bënte portretin. Vështroi duart, me damarët blu nën lëkurë. Ato tashmë nuk kishin më gjallërinë e mëparshme, kishin filluar ti rrudhoseshin e ti mpiheshin. Ajo nuk e kërkonte kurrë plogështimin e gishtave. Donte që ato të ishin gjithnjë të shkathëta energjike.
Në shkollë kishte pasur për pedagog kryesor një portretist të madh. Plaku i imët dhe  flokëbardhë u përkujdes ti mësonte të fshehtat, linjat e kapshme e të fshehta të portretizimit. Kur pedagogu ishte në ditë të mirë e thërriste pranë dhe i thoshte:
-Pa eja këtu ti, shqiptarkë e bukur, na i trego punimet më të fundit.
Ai merrte punimet në duar, ulej në tavolinë. Rëndë -rëndë vinte syzet dhe i kundronte me kënaqësi portretet e freskëta të vajzës së re, duke ia bërë:
-Çëëk...çëëk, çëëk, mirë, mirë. Vetëm vëzhgo, vizato, gjej sekretin, ekspresiven dhe portreti do të flasë vetë.
Sofia u rit me artin, pikturën. E dashuronte me gjithë forcën e shpirtit. Fletoren, lapsnin dhe karbonin i mbante me vete, ngado që shkonte. Ajo realizoi me qindra portrete të punuara me karbon, laps e vaj, me atë përhumbjen e pikëllimin e largët të njerëzve të thjeshtë, që i rrethonin ato në jetën  e përditshme. Natyrat e qeta, herë me një farë melankolie vesore, të tufave të luleve e herë me atë kuisjen e tyre të pasur e të vrullshme. Peizazhet e shumta me ajër të tejdukshëm të ndehur mes pemëve.

Sofia e harroi shpejt ujin dhe infermieren Dina me nishan të zi. Natyra, e madhërishme, shtrihej përpara saj, e ajo ishte përfshirë në magjinë e ngjyrave. Sa mrekullueshëm! U drithërua. Një moment iu bë të ngrihej me vrull, si dikur. Të flakte teshat e spitalit, të vishte përparësen e punës, të vendoste kanavacën, këtu në dritare, të shtypte tubetet, të punonte ngjyrat. Të ngulej një copë herë si zakonisht, të thithte të gjithën pamjen, pastaj të fillonte të punonte, të pikturonte pa pushim, pa pushim, pa pushim. Oh, të mos kish kurrë pushim dhe fund! Të përfshihej prej misterit të krijimit. Të krijimit të një mundimi të paemër. Të hidhte magjinë e dhuruar në magji të krijuar...
Iu kujtua si në film jeta e saj. Shtëpia e vogël, e thjeshtë, me mindere. Në një prej rrugicave me kalldrëm të qytetit juglindor. Mbushur me cicërimat e vajzave të vogla, të lindura njëra pas tjetrës. I kujtohej babai i saj me dollomanë e gjatë të zbardhëllyer dhe të përlyer gjithnjë nga bojërat. Ajo ashtu e mbante mend të atin, në këmbë, stoik, flokë shpupuritur. Si një sfinks i paarritshëm, me penela nëpër duar, hipte dhe zbriste nëpër skela, vizatonte, krijonte, jepte dhe merrte me shenjtorë e perëndi.
Baba i saj Vangjeli Zengo i përkiste brezit të katër i traditës familjare piktorë-ikonografë. Breza me radhë, prej familjes së tij, vizatuan e krijuan qindra dhe mijëra ikona dhe mure kishash si rrallë të tjerë në Ballkan. Fillon me Nikolla Zengo ( i Vjetri), që jetoi midis gjysmës së dytë të shekullit të 18 dhe gjysmës së parë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Vazhdon  me Andrea Zengo i biri i Nikollës.  Më pas vjen Papajani Zengo ( Jani Ndini Zengo) etj.
Por babai i saj Vangjeli ishte ndoshta më i mirë i më të mirëve. Gjurmët e punës së tij gjenden në dhjetëra kisha e manastire anë e kënd Ballkanit. Ai i mëkoi fëmijët e vet me dashurinë për artin dhe pikturën. Fëmijëria e saj ishte vërtet e varfër, mbasi gjithë ekonomia e familjes varej prej penelit të kryetarit të saj. Shumë herë, për muaj të tërë familja hante të njëjtin ushqim; bukë e thatë, që zbutej me verë dhe me pak sheqer për të tre vaktet. Por përsëri harmonia dhe morali ishte i lartë, shtëpia ziente nga zërat fëminore dhe nga këngët që përhapeshin në oborret dhe rrugicat rrethepërqark. Në atë shtëpi nuk dëgjoheshin grindje dhe sherre. Arti asnjëherë nuk të lë kohë të mpakesh.
 Një mbrëmje vjeshte një fqinj i tyre, takoi të atin në rrugë. U përshëndoshën, drodhën nga një duhan, pastaj komshiu i tha:
-Ore Vangjel. Ti je babai shtatë çupave dhe nuk ke djalë, apo jo?
-Po babai i shtatë çupave jam,- i tha.
-Si është e mundur o Vangjel, çdo natë kur kthehem nga puna, unë dëgjoj këngë dhe hare në shtëpinë tënde?
Babai vuri buzët në gaz:
-Dëgjo këtu o mik,- i tha,- unë nuk kam shtatë çupa, por shtatë çifligje.
Komshiu e vështroi me habi, gati me nënqeshje. Nga do ti gjente çifligjet ky zanatçi, zograf, që bridhte si muhaxhir kishë më kishë! Hëm, ka një taborr me çupa dhe nuk di nga ti a mbajë. Hëm, nuk e thonë kot; që kur lind vajzë qajnë edhe strehët e shtëpisë. Jo një, por shtatë! Hej bela! Zografi i shkretë, që na ngjan më shumë me bojaxhi, nuk e mbulon dot diellin me shoshë!
Por i ati i saj, Vangjeli ishte intelektual, që shikonte shumë larg. Ai e njihte mirë madhështinë e pavdekësinë e artit. I mësoi vajzat e tij të mbanin penelin pranë që në vogëli. Me ikonat që i ati dhe paraardhësit e tij pikturonin.
Sofisë i kujtohej mirë fëmijëria. Kur luante në cep të dhomës dhe drita e qiriut luhatej. Nëna ndizte një qiri tjetër dhe ia vendonte babit në tavolinë. I dukej i magjishëm ai kënd ku punonte i ati. Braktiste lodrat dhe ngujohej me ndrojtje përpara ikonave të përfunduara, që shkëlqenin. E vështronte e mahnitur lëvizjen shkathët të penelit e shkëndijimin e ngjyrave. Krijimin e figurave dhe trishtimin  mahnitës të shenjtorëve. Kërkonte me ngulm të gjente se çfarë fshihej përtej atij sfondi dhe atij trishtimi mahnitës.
-Zoçka ime, dëshiron të mësosh të luash me magjinë e penelit dhe të ngjyrave?- e pyeti i ati.
 Ajo luajti kryet dhe i afrohet më pranë të atit, pa i ndyrë sytë në ngjyrat e freskëta që vezullonin. Motra e madhe ishte bërë qyshkur piktore dhe çirake e parë e të atit.
-Arti është shumë më i gjerë dhe i madhërishëm se këto ikona,- i tha i ati, pastaj e mori në pëqi dhe nis ti përkëdhelte flokët.
 -Fshiji duart kur u prek flokët vajzave, se do tu a bësh si lesh arapi,- i tha nëna.
-Ri rehat, o grua. Çupat duhen të mësohen qysh tani me erën e ngjyrave.
Ato filluan të ushqeheshin dita ditës me dashuri për këtë mjeshtri. Ato ishin pjesëtare të një mjedisi familjar sa të ndjeshëm nga ana e dashurisë për njëri tjetrin, aq dhe të rreptë nga ana e punës, ku orët e ditët kalonin duke përvetësuar mjeshtërinë artistike. Ato bënin çmos me këmbëngulje tu bëheshin krah të atit të tyre në bërjen e ikonave dhe në dekorimin e kishave. Babai u dha profesione vajzave të tij, duke u siguruar atyre mësuesit dhe shkollat më të mira që qenë në atë kohë...

Flutura krahëshkruar fluturoi një copë herë mbi degë pa vendosur se ku të ulej. Sofia po e përgjonte pa i lëvizur qerpiku. Flutura një hop u ul mbi një gjethe të blertë, por siç dukej nuk ishte e kënaqur. U ngrit, rahu flatrat, qëndroi pezull në ajër. Fluturoi, u fërkua pas gjetheve të blerta dhe si për inat të Sofisë shkoi e u ul mbi lulen e vetme. Asaj iu mbajt fryma. Mos, gati sa nuk thirri. Përse u ule aty, po sikur lulja e vetme të shkërmoqet dhe të rrëzohet prej rëndesës tënde të pakujdesshme? Shko, fluturo kudo, por jo aty.
 Flutura, si për inat të saj, rrahu disa herë flatrat delikate. Kujdes, moj flutur, mirë që u ule mbi lule, por të lutem, mos u tund dhe u shkund, pëshpëriti Sofia gjithë ankth. Flutura gjithë indiferentizëm u ngrit prej lules. Pa u kushtuar rëndësi merakut të hapur, të gruas së sëmurë që e vështronte me shqetësim, përtej dritares së spitalit. Fatmirësisht asgjë nuk ndodhi, fletët e lules u drithëruan por nuk ranë dhe Sofia mori frymë e lehtësuar. Zemra e fluturës është e brishtë si zemra ime.
Përse iu fiksua pritja e ankthuar e rrëzimit të natyrshëm të lules? Përnjëherësh iu kujtuar motra e vogël Antoneta, më e bukura ndër vajzat, që vdiq nga skarlatina në moshën tetë vjeç. Motrat e më të rritura e thërrisnin lule dhe engjëllushe. Qysh atëherë iu krijua bindja, që lulet janë delikate si e motra, Antoneta. Dhe fluturat janë gjithashtu delikate. Kanë rrjedhur shumë e shumë vite dhe motra e vogël është lart në qiell pranë babait dhe nënës. Sa shpejt ikën njeriu, si era, sikur nuk ka qenë kurrë! E ajo, Sofia ishte bërë më delikate se delikatet...
Por nuk dua të jem e tillë, a do mund?!
Sofisë iu kujtua se sa me emocion priti ditën kur shkoi të studionte  në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës. Në vendin, e Fidias dhe të Praksitelit. Në antikitet u zhvillua në shkallë të lartë artet e bukura dhe kultura. Babai i kish parë së afërmi. Tani i erdhi radha asaj ti shihte dhe ti prekte. Ajo pa nga afër Akropolin dhe kryeveprat e artit klasik, teatrot ku e luajtën tragjeditë e famshme të Eskilit, Sofokliut, Euripidit, etj. Motra e saj Androniqi, e cila sapo ishte diplomuar, bëri një vit studime në skulpturë, me qëllim ti qëndronte afër motrës më të vogël. Ato të zëna krah për krah ngjitnin shkallët e ngurta të Akropolit. Dhe ajo kështu filloi të ngjiste shkallët e artit të madh, pikturës.
Iu duk sikur kish djersirë. Një hop bëri çudi, në dhomë nuk ish dhe aq vapë sa të djersinte. Me cepin e çarçafit fshiu qafën që i ish holluar...
I erdhi nëpër mend viti i fundit shkollës së lartë, provimi i fundit për marrjen e diplomës. Në vendlindje, në Shqipëri sapo ishte ndehur terri i rëndë i pushtimit dhe në kufij po bëheshin provokime për një luftë më të zgjeruar, botërore. I bëri kërkesë drejtorisë që provimet përfundimtare ti bënte në muajt e pushimeve të verës. Dita e provimit i ra ta bënte së bashku me një student vendas por që e kishte vitin e gjashtë. Ai mundohej të merrte diplomën  dhe nuk arrinte dot. Sofia e kish ndeshur shpesh herë atë student shtatshkurtër dhe kokëmadh nëpër korridoret e fakultetit por nuk i kish kushtuar rëndësi. Të dy, të ulur në pozicione të ndryshme po bënin vizatimin e një gjysmë trupi. Fytyra e studentit ishte zbehtë, shumë e trishtuar, njëlloj si ikonat që pikturonte i ati. Flokët kaçurrela i vareshin ankueshëm në fytyrë. Vizatonte e fshinte me nervozizëm dhe mërmëriste nëpër dhembë me vete:
-Kush e dëgjon çukullisjet e tim eti, në qofte se më shkon huq dhe këtë radhë. Më mirë të vras veten.
Sofia e dëgjoi. U zgjat me kujdes dhe vështroi nga punimi i tjetrit. Përnjëherësh konstatoi që vizatimi i tij kishte përmasa më të mëdha se masat natyrale që kërkoheshin nga komisioni.
-Shko merr në tjetër letër me vulë,- i pëshpëriti ajo.
-Çfarë! - ia bëri ai i hutuar dhe kapsalliti qerpikët.
-Të thashë. Shko shpejt merr një letër tjetër me vulë, sa komisioni nuk e ka mendjen,- i foli me të shpejtë ajo, e shtoi,- dhe grise  të parin.
Shoku i kursit e mblodhi menjëherë mendjen. U ngrit prej stolit si vetëtima. Tërhoqi me shpejtësi një letër tjetër, me vulë dhe ia dha Sofisë.  Ajo me zhdërvjelltësi dhe përpikëri e vizatoi modelin në përmasat natyrale. Sytë e tij e vështronin me mirënjohje.
Kur dolën rezultatet fituan të dy. Shoku i kursit sa nuk fluturonte nga gëzimi.
-Oh, nuk di si të falënderoj. Nuk do dëgjoj më gjëmimin çmendurak të tim ati. Ai është një njeri i pasur dhe do që unë të bëhem pa tjetër piktor. Të them të drejtën nuk jam dhe aq i prerë për tu bërë piktor i mirë.
 Ai nxori një çek nga xhepi dhe i tha Sofisë:
-Për ndihmesën që më dhe, do ta shpërblej. Hap gojën, thuaj një shumë, sa të duash dhe unë do ta firmos menjëherë.
Sofisë iu qesh. Nuk e kish menduar që të ndihmonte dikë me para. Ajo tashmë e kishte fituar një byzylyk të artë. Të tjerat nuk i hynin në sy..
-Mua më mjafton një faleminderit,- i tha dhe i zgjati dorën ta përshëndeste.
Tjetri ngeli gojë hapur. Hapi krahët si ti thoshte, si të duash dhe iku.
Sofia me rezultate të larta në universitet mori rrugën kthimit për në atdhe. Makina tundej dhe shkundej në rrugë e dëmtuar. Qielli ishte i vrenjtur me re. E shoqëronte nga pas një ankth dhe peizazh i zymtë. I rënduar me lëvizjen e nëndheshme, gjëmimet dhe lufta e përgjakshme.
Ajo ishte plot vrull e jetë dhe çdo mbrëmje kur nuk realizonte atë që donte, thoshte me vete: Iku dhe një ditë, çfarë bëra unë, asgjë. Pas dy vjet pritjeje filloi nga puna, por përkushtimin ndaj pasionit të pikturës asnjëherë nuk e braktisi. Ditë pas dite javë pas jave dhe vit pas viti. Pyetja: çfarë bëra unë sot? Analiza e vetvetes, për një ditë në qoftë se ishte pa fryt, e shoqëronte në çdo hap të jetës së saj.

Sofia u mbështet në bërryla dhe me vështirësi u ngrit pak ndenjur. Rregulloi jastëkun në shpinë. I dhembnin të ndenjurat, i gjithë trupi i shponte prej qëndrimit shtrirë. Por atë e kishin përfshirë kujtimet e shkuara, të bukura. Ajo ish përpjekur ta vlerësonte e ta përjetonte të bukurën  dhe ta jetonte jetën...
Iu qesh, kur iu kujtua vajzëria e veshur me pantallona dhe hipur në biçikleta. Nëna pati kundërshtim të butë, mbasi i besonte babait.
-Ç’ është kjo o burrë, të më dalin çupat me pantallona!
-Ja që është, o grua e dashur. Vajzat e mia janë ndryshe, nuk janë si të tjerat, - ia pat babai duke qeshur, por vështrimin e kish të menduar. Kish merak si do pritej nga bashkëqytetarët e tij. Por tashmë vendimin ishte marrë.
Sofia kishte dëgjuar për Xhorxh Sandin, shkrimtaren franceze që vishej si burrë, e cila me kurajë sfidoi kohën  dhe mendësinë. Babai i  saj mund të mos kishte dëgjuar për atë grua shkrimtare dhe ajo nuk e pyeti kurrë. Por arti të zbulon ca shtigje, dhe të hapën ca rrugë, që të tjerët nuk mund ti gjejnë...
 Ato ishin të parat vajza që filluan të ecnin me siguri në fushën e artit të madh, pikturës. Gjithashtu, ato ishin të parat vajza që mësuan të ngisnin biçikleta nëpër rrugët dhe rrugicat e qytetit. Përplasej ndonjë dritare nxitimthi pas tyre hidhej në ajër ndonjë pëshpërimë pezmatimi. Qyteti tinëzisht i përgjonte, priste. Mërmëriste, përpara disa vitesh ferma nuk guxonte të dilte prej shtëpie, këto çupa të zografit guxojnë tu hipin edhe biçikletave!? Por çfarë priste vallë, mos u prish bota!
Ato ishin shembulli i përkushtimit dhe sakrificës. Me biçikleta shkonin në punë dhe me to shëtisnin nëpër rrugët e qytetit. Për më tepër, hipnin si djemtë majë skelave në kishat e reja, për të pikturuar basoriliefë, shenjtorë dhe perëndi. Të udhëhequra nga babai i tyre i qetë dhe pa fjalë.
Veprimet e saj dhe të motrave ishin krejtësisht të pazakonshme për kohën dhe mundësinë. Ato nuk e bënin prej qejfit, por prej nevojës, të fitonin kohë. Qytetarët shqyen sytë të befasuar me surprizën e zografit, dhe të  çupave të tij të veshura si burrat. Ndërkohë ato vazhdonin të kacavirreshin nëpër skela dhe pikturonin në praninë e vazhdueshme të kalimtarëve të qytetit, ku të gjithë e njihnin njëri tjetrin. Një qejfli ngriti sakaq këngën:
                        Nuk ka si bukuroshet tona,
Të veshura me peliçeta,
                        Hipin nëpër skela dhe biçikleta.
Babai i saj qe i ndërgjegjshëm për hapin delikat që po hidhte me vajzat e tij. Ai e dinte mirë se nuk ishte një fjalë goje të nxirrte çupat nëpër rrugët e qytetit veshur me pantallona, të kacavirreshin nëpër skela, e të pikturonin mes kalimtarëve të shumtë. Babai i saj përgjatë gjithë jetës së tij e kish përballuar me guxim dhe vendosmëri. Ai ishte ndryshe nga të tjerët. Prandaj dhe ato duhej të mësoheshin me të njëjtën ndjenjë, përgjegjësi dhe civilizim. Me ndjenjë krenarie çka  bënin dhe përgjegjësi qytetarie çka vepronin. Babai në vite u dhuroi bashkëqytetareve ikona mjeshtërore, u pikturoi kisha, ku shkonin faleshin dhe shpreheshin. Të gjitha këto përbënin fillesën e rëndësishme të mirësisë. Dhënies çka mund të japësh të tjerëve. Sepse do vijë një ditë, do të kuptojnë dhe vlerësojnë. Përgjegjësia personale dhe familjare u përkiste atyre, për të krijuar vepra të bukura emancipuese shoqërore.
Gjithsesi. E gjithë veprimtaria e fisit të saj por dhe e familjes, motrave, ishte një sfidë dhe përballim, që kishte në thelb një farë sakrifikimi. Një dashuri të vështirë e të ndërlikuar me karakter emancipues ndaj vetes dhe bashkëqytetarëve.
 Kur qyteti dremiste, nën petkun e muzgut. Hamejtë dhe tellalli thërrisnin që në pikë të mëngjesit dhe vendi hiqej mos e këput. Ajo dhe motrat e saj bënë hapa të madha, si rrallë të tjerë. Nga muret e kishave e të manastireve që pikturonin, shkuan me dinjitet me veprat e tyre në muret e galerive të artit. Në muret e shtëpisë së saj dhe nëpër galeritë artit anë e kënd vendit varen me dinjitet pikturat, portret dhe peizazhet. Ajo mendonte se me pikturat e  saj kishte vënë një tullë modeste në godinën e madhe të artit dhe të kulturës. Ndërsa dikush me çiltërsi i kishte thënë:
-Sofi, duhet ta dish mirë, pikturat e tua janë një kolonë e rëndësishme në godinën e artit.
Ajo kishte buzëqeshur me modesti. Ajo, të motrat dhe familja e saj ishin munduar të bënin më të mirën, në shërbim të vendit të artit dhe të kulturës...
I kujtohej kur bëri kompozimin e demonstratës së parë dhe në qendër, vendosi njeriun që u vra. Që hëngri plumbin e parë. Dikush me indiferentizëm i tha:
‘Sofi, mendoj të vësh në qendër të kompozimit tënd, figura që sot janë të rëndësishme e në pushtet, po të duash të fitosh pikë. Ky i gjorë ish veçse një shakaxhi. Doli të shiste sheqerka, e rrëmbeu turma dhe plumbi e mori rastësisht, e vrau.
Sofia e vështroi me dashamirësi dhe i tha:
 -Vetë historia është grumbull rastësisht në dukje të rëndomta. Prandaj dhe i vrari është një pjesë e rastësisë që quhet histori...

Sofia largoi me vështirësi jastëkun që kishte nën shpinë dhe e vendosi poshtë nën kresë. Ndjehej tmerrësisht e lodhur por shpirtërisht e çlodhur. Dielli shkëlqente dhe natyra dukej sikur këndonte. Lulja ishte në degë dhe era e lëkundte lehtë.
-Uh, ç’ ditë e vështirë sot për mua. Më shastisi kokën pacienti i dhomës përballë,- hyri në dhomë duke u grindur Dina, infermierja gjoksmadhe, vetulltrashë, me nishan të zi, shtoi:- Ka gjithë ditën që pëllet, kërkon oksigjen. Ku ta gjej unë oksigjenin kur vetëm një bombol me be është në gjithë pavijonin.
-Vetëm një oksigjen paska në gjithë këtë pavijon? - e pyeti si fajtore Sofia. Me vete shtoi, dhe këtë tub me oksigjen e paskam privilegj ta kem vetëm unë!
Infermierja luajti kryet në shenjë pohimi. U vërtit si kot një copë herë nëpër dhomë. Qëndroi përpara dritares dhe vendosi duart në gjoks.
-Ua, paska një lule atje në degë! Nuk e kisha vënë re,- ia bëri e habitur, pastaj shtoi:- Të them të vërtetën ai pacient është shumë rëndë.
-Jepi oksigjenin tim,- i foli ultas Sofia.
Dina, infermierja u kthye dhe fërkoi nishanin e zi. Qëndroi pranë shtratit të saj dhe e vështroi gjithë habi.
-Po ti si do bësh pa oksigjen?- E pyeti.
-Më duket sikur ndjehem më mirë,- foli ultas Sofia dhe mbylli sytë.
-Sofi, je e sigurt çka thua?! - e pyeti përsëri Dina, infermierja. Dhe lëvizi shpatullat me indiferentizëm.
-Po.
Sofisë i dukej sikur vërtet ndjehej më mirë, por ndërkohë i bëhej sikur trupi po i shkrihej. Dina, infermierja iku së bashku me tubon e oksigjenit. Dhoma dhe korridori i spitalit dergjeshin në qetësi. Zëri i lartë, ankues i burrit të sëmurë në dhomën përballë ishte fashitur. Asaj iu bë sikur me qindra piktura i lëviznin përpara syve, portretet që i donte aq shumë: ‘Portret gruaje me shall’, ‘Portret plaku’ ‘ Autoportret’ etj, të tjera.
Hapi sytë dhe vështroi tavanin e bardhë, diku në qoshe të dhomës dalloi një pezhishkë dhe merimangën që po kacavirrej me nxitim nëpër fillin e saj. Nuk donte të kthehej nga dritarja. Le të mbante në memorie imazhin e lules në degë dhe të fluturës krahëshkruar mbi të. Merimanga mbërriti në rrjetën  e saj. Befas u lëshua poshtë mbajtur pas një filli. Sofia largoi sytë prej aty. Sytë i digjnin në cepa. Bëra mirë që i dhashë atij njeriu të panjohur bombolën me oksigjen, mërmëriti.
 Megjithatë me ngadalë ktheu kryet majtas dhe vështroi përtej dritares. Lulja kishte rënë prej degës. Dega e njomë e gjelbër lëkundej lehtë, si fajtore. Ajo nuk e pat ndjerë erën që kishte fryrë përjashta. Vërtet fryu erë përjashta, apo i kishte ardhur koha që petalet e lules të shkundeshin dhe të binin?
 Dhe jeta e artistit është si lulja në degë, ia bëri me vete. Ndjeu zëra pranë. Me siguri duhej të kishin ardhur të dashurit e saj, burri dhe djemtë. Ata po i flisnin, ishin të shqetësuar. Përse shqetësoheshin, ajo ishte mirë? Dikush po i fshinte ballin, një tjetër po ia ledhatonte flokët. U përpoq tu buzëqeshte, tu thoshte, se i donte shumë dhe të mos bëheshin merak, jam më mirë. Me të vërtet jam shumë mirë. Dikush e pushti në buzë, ndjeu lagështinë e njohur. Me siguri duhej të ishte Akili, i shoqi. Kishin kaluar një jetë të mrekullueshme së bashku. I duk sikur ia tha, të dua fort. Vallë e dëgjoi Akili. Sa zhurmë qa ka. Nuk pati kohë. Përse vrapon kjo kohë aq shpejt! Iu bë sikur po e thërrisnin prindërit dhe motra e vogël Antoneta...
 Ndjeu një dritë të fortë, vezulluese dhe më pas mijëra shkëndijime shumëngjyrëshe që përhapeshin ngado. Disa duart po e ngrinin ngadalë, butë. Gjendej krahëhapur. Ndjehej shumë e lehtë, si pupël. Iku ngadalë, u ngrit mes vezullimeve...
Pas dy orësh në dhomën  përballë, vdiq dhe ai burri me tubon e oksigjenit në gojë...

KRISTAQ TURTULLI
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: