Wednesday, 8 January 2014

Rrëfehet “Mjeshtrja e Madhe”, këngëtarja e shquar Irini Qirjako.




( Intervistë ekskluzive për Tirana Observer me Brilantin e Polifonisë. Irini Qirjako)

Irini Qirjako i përkët binomit të madhërishëm Artist & Njeri, që i kapërxen kufijtë e mirësisë, vitalitetit dhe talentit që ajo përcon me zërin e saj si gurra e ujit të kristaltë mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare, vecmas të polifonisë. E kanë quajtur Princesha e Polifonisë, e kanë nominuar me “Mjeshtre e Madhe”, “Qytetare nderi” e Sarandës, por te kjo grua e shquar shqiptare qëndron modestia fisnike, që me muzikën popullore të interpretuar prej saj qetëson shpirtrat e njerëzve dhe i largon për disa momente nga streset e mosmarrëveshjet e ditës,  mes të përditshmes e të bukurës njerëzore. Dhe jo vetëm kaq! Ajo nuk nguron t’i përqafojë njerëzit në rrugë që i flasin dhe e përgëzojnë për kënaqësinë shpirtërore që ajo iu dhuron. Në turneun e Gjermanisë,  drejtori i Teatrit Kombëtar të Munih-ut do të ngazëllehej nga forca e këngës polifonike dhe duke duratrokitur  shprehej: “Fatnatstike, Fantastike”. Ka kënduar duet me këngëtarin e madh italian Albano  Karizi  si:“Eja , Eja lule borë” dhe “O Solo mio” nje moment mbresëlënës I kënaqshëm dhe I paharruar.Ajo është aq e talentuar dhe  shquar sa  ja si e vlerëson Poeti i Madh Lefter Cipa ndër vargje: 
“Duaje Polifoninë
moj Irini moj Princeshë
se atë gjen Perëndinë
Ndaj këjo bot s’të vdes!”. 
Në këtë intervistë Artistja e dashur për të gjithë  shpalos dashuritë e saj të jetës-Familja, Muzika dhe  Atdheu. Kënga e kënduar prej saj, “Këngët e Atdheut tim”, është bërë tashmë Prelud i Atdhedashurisë për  të gjithë shqiptarët. Artistja nuk harron të shprehe mirënjohje dhe nderim për atë brez të artë artistësh  që kanë bërë historinë  në muzikë, artin e kulturën shqiptare. Me buzë në gaz ajo  përcjellë mesazhin:
“Ruajtja e zhvillimi i këngës polifonike, i këtij thesari fantastik është një detyrë jo vetëm i institucioneve përkatëse të shtetit, por e çdo grupi artistik e çdo këngëtari  profesionist apo amator.”
 Për më shumë ndiqni intervistën.
Bisedoi Raimonda MOISIU
-Mes kësaj atmosphere të ndezur muzikore  le të bisedojmë edhe për karrierën tuaj. Cila është kënga e parë që keni kënduar? Cfarë viti?
  Prill të vitit 1979 pas përfundimit të Institutit të Lartë  të Arteve , fillova punën si këngëtare pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore. Për herë të parë,  në Maj 1979, në skenën  e Teatrit të Operas dhe të Baletit,  këndova këngën polifonike “Këngët e Atdheut tim”. Kënga pati shumë sukses si nga niveli i interpretimit  ashtu  dhe nga forca epike,  që poeti i madh Lefter Çipa pasqyronte ne të. Theksoj, se kjo këngë  e fuqishme dhe shume e kërkuar më ka  shoqëruar gjatë gjithë karrierës time artistike, si brënda dhe jashtë vendi.
Gjithashtu, dua të nënvizoj  edhe faktin , se me këtë këngë u paraqita  në testimin e pranimit  në TOB përpara komisionit të përbërë nga artistët e  mëdhenjsi; Çesk Zadeja, Avni  Mula, Gaqo  Çako , Xhemal Laçi, Agim Krajka e Panajot Kanaçi, të cilët më thanë:-nuk do të shkosh në Opera, por në Ansambël. Pra,kjo këngë përcaktoj  vendin   tim në Ansambël, ç’ka  vitet vërtetuan  vendimin e drejtë të komisionit.
-Të kënduarit ka qënë një pasion i hershëm i juaji, apo talent i lindur?
Dashuria ime  për këngën  përmban  dhe ushqehet nga pasion dhe talenti,të cilat së bashku me punën e vazhdueshme kanë ndikuar në formimin tim si këngëtare  e këngës popullore. Në përgjithësi, si çdo këngëtar, edhe unë fillesat i kam  nga fëmijëria, ku gradualisht  shfaqet talenti e pasioni. Prindërit  dhe një gjitone  më kanë thënë se kur isha 5 a 6 vjeç këndoja hera herës këngën ‘Më dërgoj babai me shqerra”. Me këtë këngë  vija në gjumë vajzën time kur ajo  ishte e vogël
-Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore? Cfarë iu shtyhu të bëheshit këngëtare dhe pse?
Mjedisi familjar dhe  veçanërisht ai shkollor, ndikuan shumë tek mua për të filluar rrugën e këngës.Kujtoj me  respekt mësuesin  e arsimit fillor Petro Kurti, i cili duke evidentuar talentin tim për këngën më nxiste vazhdimisht për të  kënduar  para klasës. Kështu, shoqet e shokët e klasës  u bënë spektatori i parë i këngës time. Gjithashtu, me shumë dashuri kujtoj  mësuesen e muzikës në arsimin  8- vjeçar Lica Kordha ,e  cila  këngët tona  i shoqëronte mjaft bukur me  mandolinën e saj. Këta mësues, më aktivizuan  në veprimtaritë e ndryshme artistike, fillimisht brenda shkollës e rrethit të Sarandës  dhe më tej në Festivalin Kombëtar të Pionierëve në Tiranë.
 Por, veçanërisht  një ndikim të madh për zhvillimin  e  talentit  për muzikën dhe këngën pati arsimimi i mëtejshëm pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe në  Institutin e i Lartë të Arteve  në Tiranë. Në këto institucione  bashkë me formimin kulturor e muzikor në tërësi u rrit edhe niveli dhe forca e interpretimit të këngës.
 Mirënjohje e respekt për  të gjithë mësuesit e pedagogët, që me durim e përkushtim na mësonin për të ecur përpara drejt dijeve e përparimit.
-Ju jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë lirike, balada,  me iso  të muzikës  popullore? Na tregoni dicka për karrierën tuaj?
Formimi i plotë si këngëtare profesioniste e këngës popullore u bë pranë Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore. Në këtë  institucion, brënda veçorive folklorike,  lëvrohen e përpunohen kënga popullore  në të gjitha gjinitë, llojet dhe shtrirjen gjeografike të saj; lirike, epike, historike, kurbetit, dashurisë, dasmës, të Shqipërisë së veriut, të mesme, të jugut  dhe atë  arbëreshe. Kjo shtrirje e këngës, së bashku me artistët e mëdhenj profesionistë  përbënte një shkollë të madhe në formimin tim artistik. Mirënjohje e respekt  për këngëtarët; Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Sali Brari, Xhevdet Hafizi,Hysni Zela, Garentina Gjoka, Zeliha Sina,Valdete Hoxha, Fiqerete Kapaj, Sabahete Vishnja  dhe drejtuesit artistik  Çesk Zadeja, Tish Daija, Panajot Kanaçi , Agim Krajka , Xhemal  Laçi, Limoz Dizdari, Aleksander Peçi  .
 Në Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore u bëra e njohur  veçanërisht për interpretimin e këngës polifonike, të asaj kënge  që qëndronte brënda shpirtit tim. Unë e adhuroj këngën polifonike jo vetëm për muzikalitetin e veçantë të saj, por edhe për vlerat unikale që ajo mbart.Në një kohë kur në shumë vende të botës, polifonia  konsiderohet  si një relike e kohëve të lashta, për  ne shqiptarët përbën një thesar të  botës sonë  shpirtërore. Ndaj  kjo  perlë unikale në botë  mbrohet edhe nga UNESKO.Poeti dhe mjeshtri i madh i polifonisë shqiptare Lefter  Çipa në shënimin për dhurimin e librit të tij “Dheun tim përsipër mbaj” shkruan …..
“Duaje Polifoninë
moj Irini moj Princeshë
se atë gjen Perëndinë
Ndaj këjo bot s’të vdes!”
.,Në koncertet e ndryshme  që kam dhënë në Francë, Itali, Gjermani, Holandë, Suedi, SHBA, Kanada, Danimark, Belgjik, etj., kjo këngë është pritur  mjaft mirë duke vazhduar duartrokitjet deri ne ripërsëritjen  e saj.
Natyrisht, nuk kanë munguar vlerësimet e shumta  për këngën tonë polifonike. Një e tillë pasqyrohet në librin “Shansi i humbur     gazetarit të mirënjohur Ymer Minxhozi,  i cili në vitin 1983 shoqëronte Ansamblin e KVP gjatë një turneu në Gjermani. Ai duke përshkruar  shfaqjen e dhënë në Teatrin Kombëtar   në Munih, ndër të tjera shkruan; “Ndërsa këndojnë Irini Qirjako e Hysni Zela, drejtori i teatrit që është ulur  në të majtën  time, kthehet nga unë e më thotë “Fantastike”!
Ndaj , ruajtja e zhvillimi  këngës polifonike, i këtij thesari fantastik është një detyrë jo vetëm i institucioneve përkatëse të shtetit, por e çdo grupi artistik e çdo këngëtari  profesionist apo amator.Veprimtaria ime  si këngëtare e këngës popullore është e gjatë dhe mjaft e pasur. Ajo nuk  përfshin   vetëm  veprimtarinë prej 33vjet e gjysmë (Prill 1979-tetor 2013 në Ansamlin e KVP  por edhe pjesëmarrjen    grupet e ndryshme   artistike dhe ato vetjake  në festime, gëzime familjare, spektakle  e festivale të ndryshme.  Kështu  mund  të veçoj  pjesëmarrjen në grupin artistik “Kënga labe në shekuj” të krahinës së Kardhiqit (1995), në grupin polifonik “Tirana” (1996-2001), në grupin artistik “Kurveleshi në këngë” Kapariel (2002), në grupin artistik minoritar të fshatit Finiq, në spektaklin  e regjisores Vera Grabocka“`12 të shtuna në Hollivud” , në spektaklet e organizuara si fituese e anketimit “Yjet e Folk Univers (2004,2005,2006)  në spektaklet të organizuara  në qytetet kryesore te vendit e në Kosovë e Maqedoni  nga TV Klan të titulluar “Maratona e këngës popullore  (2009,2010,2011), në programin  e TV Klan  “Këngët popullore të shekullit “ (Tetor 2010- Mars 2011), në Festivalin e Këngës Popullore të TVSH (Tetor 2013)
-Si një adhuruese e hershëme e juaja, kam vënë re se ju kini një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare në përgjithësi. A keni pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në këto gjini?
Faleminderit shumë , që   Ju  shkrimtare e gazetare e njohur shqiptare, e vlerësuar me disa çmime në SHBA  jeni një nga adhurueset e mija. Në këtë adhurim unë shoh dashurinë tuaj për muzikën dhe këngën e bukur shqiptare. Të gjithë së bashku,  kudo që ndodhemi , me shkrime apo me këngë    punojmë parreshtur  për  Atdheun tonë të dashur,
Kënga me të gjithë komponentët që e përbëjnë atë ; vokali , melodia e teksti  poetik  ka aftësi të fuqishme depërtuese tek  dëgjuesi, me të përcillen mesazhe të ndryshme , duke ndikuar    botën  shpirtërore të tij. Ndaj, duke patur parasysh këtë aftësi të këngës  unë si  çdo artist  që jeton me rolin, personazhin, skicën,  portretin apo peizazhin, etj.,  edhe unë jetoj me këngën  e bëjë pjesë të shpirtit tim. Pikërisht, kur kënga bëhet pjesë e shpirtit tënd dhe ti jeton me emocionet e mesazhet e saj, atëherë  bëhet e mundur interpretimi emocional dhe harmonizimi muzikë vokal. Kjo kërkese më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës time, si  në skenë ashtu dhe jashtë saj. Në këtë drejtim krahas arsimimit profesional  më ka ndihmuar shumë përvoja e përfituar  nga  këngëtaret e Ansamblit  e të Teatrit të Operas.
-A keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Përsa i përket shkrimit të teksteve të këngëve, nuk jam përpjekur të bëjë ndonjë të tillë, por në disa  raste  gjatë bashkëpunimit me kompozitorin  Edmond Zhulali  kam ndikuar për të bërë rregullime të veçanta në interes të harmonizimit më të mirë muzik- tekst. Kështu mund të përmend këngën e bukur dasme “Të përcolla nuse bij e nënës  o “  Shumë nga këngët e mija  lirike apo epike  janë marrë nga krijimtaria  e poetit të madh Lefter Cipa, disa prej tyre janë; “ Këngët e Atdheut tim”. “28 mijë yje”,  “ Vito pëllumbesha “, Bejke e bardh “. etj, etj,
-Kini nxjerrë disa vidioklipe dhe albume muzikore, por keni dhënë edhe koncerte brenda e jashtë atdheut .C’mund të na thoni për këtë? Cfarë mund të presin adhuruesit nga këto  vidioklipe e albume  debutues? Cilët janë producentët e tyre?
Zhvillimet e vrullshme  elektronikës kanë krijuar kushte që muzika, kënga të përcillet menjëherë e kudo  tek dëgjuesi, në salla e jashtë tyre, në  radio,TV, kompjutër, automjet celular e mjete të tjera. Ky komunikim bashkë me kënaqësinë  e  dyfishtë që marrin dëgjuesi dhe këngëtari, i nxit këta të fundit  për të realizuar  sa më shumë albume muzikore e vidioklipe cilësore. Kuptohet në kushtet tona, ku ende nuk është shtrirë siç duhet veprimtaria me producent dhe zbatimi i legjislacionit  në fushën e të drejtave   autorit  ka mjaft dobësi, shpenzimet për to mbulohen kryesisht nga vetë këngëtarët dhe raporti shpenzim  përfitim lë shumë për të dëshiruar. Disa nga albumet    kam realizuar janë: Francë, 1998  e 1999 nga “ARCO IRIS” albumet  të emërtuar “Ensemble TIRANA  CHANTS POLYPHONIQUES D’ ALBANIE”dhe “TIRANA xhevahir”;  Tiranë ne studion e kompozitorit Edmond Zhulali dhe nga    “Elrodi Raks Muzik” e “Eurostar “ albumet  të titulluar ; “Dy  shelege në një portë” , 2003;“Këngët e Atdheut tim” , 2004;“Sorke moj “ , 2oo5  “Më kërkon portë më portë”, 2007;”Koncert recital , Irini Qirjako  2011 (Këngë popullore të shekullit) dhe së fundi dy albume me 20 këngë polifonike.
-Jetoni në Tiranë . Cfarë ju lidh me Sarandën?
Unë jetoj në Tiranë. Vendlindja ime është Saranda dhe Finiqi  im i shtrenjtë. Me Gjirokastrën, Vlorën, Mallakastrën, Tepelenën, me gjithë Labërinë, Pilurin e Himarën  më lidhin  dashuria  e  madhe për këngën e bukur polifonike dhe  kujtimet e shumta  për mikpritjen  e ngrohtë  në turnet e zhvilluar  në cdo fshat e qytet. Ndërsa veçanërisht  me Gjirokastrën   më lidh  edhe pjesmarrja si këngëtare  e anëtare  jurie në Festivalet  Folklorike Kombëtare .
 -A do të këndonit ndonjë këngë të muzikës së lehtë? Cilat këngë preferoni të këndoni më shpesh baladat apo populloret?
Kënga me muzikë të lehtë më pëlqen dhe e dëgjoj me shumë ëndje  atë dhe natyrisht si këngëtare edhe e këndoj, por angazhimi im për  të është shumë i pakët,  për të mos thënë fare.  Ndër angazhimet e para mund të përmend  interpretimet në Estradën e Sarandës, kur isha studente stazhiere dhe më vonë me pjesëmarrjen  me dy këngë në anketën muzikore të Radio Tiranës . Kënga e fundit  që kam  realizuar me muzikë të lehtë është kënga  e titulluar “ Pa ty si mundem të jetoj” me muzikë të Edmond Zhulali e tekst  Jorgo Papingji. Kjo këngë është përfshirë në albumin “Sorkë moj “.
-Si nënë, bashkëshorte intelektuale dhe Artiste e Kombit si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunën ndaj gruas?Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Si grua, nënë e artiste shfaqjet negative si: krimi në familje e jashtë saj, droga, prostitucioni e trafikimi i femrave, dhuna ndaj  gruas, vrasjet për motive të ndryshme etj, të cilat  kanë përfshirë një pjesë të shoqërisë shqiptare  më trishtojnë jashtë mase. Këto plagë e shëmtojnë botën njerëzore dhe për lehtësimin  tonë  prej tyre  shteti dhe e gjithë shoqëria  duhet të rrisin forcën goditëse ndaj tyre. Zhvillimi ekonomik, përmirësimin  e sistemit të edukimit dhe zbatimi i ligjit me drejtësi do të çojnë gradualisht në lehtësimin e shoqërisë sonë nga këto plagë. 
-Kë dëshiron të falenderosh për realizimin e ëndrrës tuaj si këngëtare?
Për realizimin e ëndrrës time  si këngëtare  dua të  shpreh një falënderim të veçantë për mamanë time të shtrenjtë. Unë konkurrova dhe fitova të drejtën për të vazhduar studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë , por babai ,për arsye ekonomike  hezitonte. Ishte këmbëngulja e mamasë që më mundësoi mua vazhdimin e shkollës. Kjo grua e fortë, e zgjuar, f jalëpakë dhe rreptë për gabimet  që bënim  ne gjashtë fëmijët e saj, hezitimit të babait  iu përgjigj  “Vajza e fitoi vetë  shkollën  dhe unë nuk lejoj që të drejtën e saj  t’a marrë  tjetër njeri  që nuk e meriton përpara saj. Do të punoj në zetor  ngarkim-shkarkim  me burrat dhe  Irini  do të shkojë patjetër në shkollë”  Dh e ashtu ndodhi. I  përulem  përjetësisht me dashuri nënës time të shtrenjtë, Dimitrulla.
-Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Cfarë mendimi kini për këtë?
Komercialimi bën punën e vetë. Jam e bindur që koha do të nxjerrë në pah vlerat e vërteta artistike. Nuk ka si të ndodhi ndryshe.
-Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji? A mund të luani me të?
Instrumenti im i preferuar është pianua. Dashurinë time për këtë instrument  ia dedikoj  mësues  së dashur e të palodhur të  pianos në Liceun Artistik  “Jordan Misja ‘  Afërdita Morina. Në shtëpi kam piano dhe për kënaqësinë time studioj  pjesë të ndryshme të muzikës klasike. Tingujt  dhe  vokali i muzikës klasike më japin një ndjesi të veçantë dhe duke qenë brenda TOB ndjek të gjitha shfaqjet që jepen në këtë institucion.
-Çfarë mëkati i njihni vetes si këngëtare që i përket   dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?
Si një këngëtare që u përkas dy kohëve,para e pas viteve  90  nuk i njoh vetes asnjë mëkat, pasi si këngëtare profesioniste  kam punuar e punoj për të realizuar sa më cilësisht këngën .Duartrokitjet e sPektatorëve të çfarë do kohe të çliron nga çdo mëkat i mospëlqimit të këngës.
-Kush është Irini Qirjako? Cfarë është dashuria për ju?Kur e ndjen një grua  se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?
Vetë portretizimi i Irini Qirjakos  është  nënë e bashkëshorte e mirë ,por veçanërisht shumë e përkushtuar ndaj vajzës, e thjeshtë, e dashur dhe respektuar me njerëzit, sportive, e kujdesshme me lulet, urren gënjeshtrën e mosmirënjohjen, respekton të kaluarën, duke i kushtuar më shumë rëndësi të tanishmes e të ardhmes. Dashuria është  një forcë e madhe njerëzore që    mban të lidhur  ngushtësisht  me  familjarët , atdheun. muzikën, këngën, shoqërinë dhe me çdo gjë të natyrës e shoqërisë njerëzore.
-Kur shprehemi  “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë këngëtarët  tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
Kur isha këngëtare e re dhe dëgjoja zërin e ëmbël e të fortë të artistit të madh Mentor  Xhemali,  brenda meje qëndronte dëshira për  të realizuar një duet me këngë Përmetare  e për këtë shpresoja shumë, por vdekja e këtij këngëtari të madhërishëm e bëri të pamundur. Megjithë atë artisti në jetë,  ka shumë evenimente.Një e tillë është  kur këndova së bashku me këngëtarin  italian  me famë botërore Albano Karizi. Falë Fondacionit Nermin Vlora Falaski, me  Presidente , gazetaren e mirënjohur  znj.  Zenepe  Luka pata fatin të takoja  në kështjellën e tij  fantastike këtë këngëtar të madh. Të dy së bashku , të  shoqëruar me piano nga  pianistja e mrekullueshme shqiptare Aksija Xhoja, kënduam këngë shqiptare “ Eja,eja lule borë” dhe atë italiane “O sole mio “.  Të dy zërat, ai tenor e unë mexosoprane  u harmonizuan mjaft mirë. Ky realizim më dha  një
 kënaqësi të veçantë.Çdo brez ka muzikën e këngëtarët  e tij të preferuar, të cilët marrin,  japin e përcjellin  ndaj njeri tjetrit atë më cilësoren. Unë nga brezi i mëparshëm  mund  të përmend disa nga këngëtarët brilant të skenës shqiptare si : Tefta Tashko, Maria Kraja, Mentor Xhemali, LukKacaj, Gaqo Cako,  Avni Mula,   Vace Zela, Lucie Miloti,  Fitnete Rexha, Naile Hoxha,  e shumë të tjerë.
-Cilat janë aftësitë profesionale që këngëtaret  e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata/ato që aspirojnë të bëhen këngëtarë?
Shkolla jonë e muzikës, si dhe veprimtaritë e ndryshme artistike  kanë evidentuar mjaft këngëtarë  të rinj të talentuar  të cilët duhen mbështetur fuqishëm  për të mbajtur e zhvilluar më tej këngën e bukur shqiptare. Për këta  këngëtarë të rinj   këshilla ime  është : punë të parreshtur për të rritur aftësitë profesionale; këmbëngulës  në arritjen cilësore të këngës; të mos kënaqen me pak, por të luftojnë për t’u ballafaquar drejtpërsëdrejti me spektatorin  në festivale apo në veprimtaritë e ndryshme; disiplinë artistike  dhe zbatim rigoroz të rregullave të etikës në skenë e jashtë saj.
-Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?
Ndër  projektet e mija për të ardhmen  është  realizimi i vidioklipeve  e  dy albumeve me këngë polifonike  dhe i  vidioklipit me këngën  e Festivalit të Këngës Populloretë TVSH, tetor-2013-“Tundi flokët moj leshverdhë”. Gjithashtu , krahas   angazhimit në koncertet e Ansamblit të KVP, do të vijoj punën  për  grumbullimin, seleksionimin  dhe  incizimin në studio të këngëve të tjera polifonike.
 -Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot....
Zhvillimi i artit  në tërësi  dhe  i muzikës e këngës në veçanti i shërben  zhvillimit të shoqërisë , prandaj  të gjithë ne artistët si brenda e jashtë vendit  të bashkojmë forcat për të bërë më të mirën për vendin tonë të shtrenjtë.Krahas kësaj , artistët  dhe  inteligjenca  e kudo ndodhur shqiptare brenda hapësirave që krijon liria, të shfaqin  mendimet  e tyre për çështjet që preokupojnë vendin, të flaket indiferentizmi, tulatja, strukja   dhe  përgjumja. Fjala e fuqishme  e tyre  jep forcë, zemër e kurajë  dhe vë në lëvizje  shoqërinë për të ecur përpara. Politika e zgjuar dhe që i shërben interesave të popullit gjen mënyrat e format  për të  vënë në lëvizje trurin e inteligjencës shqiptare. 
Bisedoi:Raimonda MOISIU   

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: