Wednesday, 8 January 2014

Unikale



Vilhelme Vranari Haxhiraj


Vazhdim -pjesa 2

  Jo më kot ekziston thënia: "rastësia është mbret i mrekullive". Ardhja e nënës sime ishte një e papritur e këndshme për të gjithë ne, sepse ajo vjen rrallë. Mendoj se vizitat e rralla nuk i ka si paragjykim, por në moshën e saj, cilido e ka të vështirë të ndërrojë vendin. Tashmë ajo është mësuar me të njëjtin regjim ditor, me të njëjtin shtrat, madje edhe ndërrimi i jastëkut apo pirja e kafesë me një tjetër filxhan kafeje, e bezdis. Ndaj e kanë si përtesë ndërrimin e ambientit të moshuarit, sidomos femrat, të cilat janë më nazemëdha... Kurse meshkujt pranojnë çdo lloj shërbimi dhe nuk kanë aq pretendime siç kanë ato. Megjithëse ka dhe nga ata pleq që fëmijëve ua nxijnë jetën, ua bëjnë ferr.  
  Ardhja e nënës na gëzoi ne të katërve, por qëndrimi i saj ishte i kushtëzuar për shkak të vogëlushes së vëllait që ajo mban. Koha e pamjaftueshme për ta shijuar kënaqësinë e të ndenjurit me gjyshen, i mërziti të dyja vajzat.
  -Mami, a nuk provojmë nëse vërtet rastësia ka vlera?- pyetën vogëlushet tona të ëmbla.
  -Nuk e kuptoj përse e keni fjalën...
  -Do mundohemi se mase ia mbushim mendjen teze Marianës që gjyshja të qëndrojë disa ditë këtu. -kështu i thërrisnin nuses së vëllait tim.
   Asnjëra nuk binte më poshtë se tjetra, në thurjen e planeve për t'i bindur ata. Nisën me radhë, orë pas ore bisedat telefonike, ku vajzat iu lutën dajës së tyre, tim vëllait, që ta mbanin gjyshen disa ditë.
  -Shpirtet e dajës, nuk e kemi problem, por nuk dimë se me kë do të qëndrojë vajza. Pa po qe për ne, nëna le të rrijë sa të dojë. Të dyve na ka njëlloj. Ja ta bisedojmë një herë të dy se ndoshta gjejmë një zgjidhje për ju, dy zemrat e vogla.
  Im vëlla, Auloni pasi bisedoi me Marianën, ajo u ktheu vetë përgjigje vajzave. Duke u dhënë lajmin e bukur, iu solli kënaqësi të jashtëzakonshme të dyjave.
  -Meqë unë kam disa ditë pushimi të lëna pas dore, po vendos t'i bëj tani. Këtë e bëj për hatër të dy mbesave të mija të preferuara. E di që edhe ju të dyja keni nevojë për gjyshen,- i sqaroi Mariana, dajesha, e cila ua bënte shumë qejfin atyre. Mos të harrojmë se edhe ato linin kokën për të.
  -E shikoni që fitoi rastësia? Po ta kishim lënë në heshtje, nëna vetëm dy ditë do të qëndronte dhe...
  -Po. Nesër mbrëma do iki te djali, se nusja është në punë të hënën që në mëngjes.
  -Gjyshe, gjyshe të dielën tjetër do të largohesh. Do të jemi edhe tetë ditë bashkë,- dhe unë e sqarova nënën për lojën telefonike të vajzave.
  Veçse po të shihje lumturinë në sytë e dy vajzave, do të kuptoje se sa çaste të bukura po kalonin. Nuk i mbante vendi. Njëra mbështeti kokën në kraharorin e saj, tjetra iu hodh krahëqafë dhe s'reshtëte së puthuri. Gëzimi i tyre tregonte më së miri se gjyshet duhen shumë nga nipërit e nga mbesat.
  Në këtë mënyrë nëna qëndroi dhjetë ditë në shtëpinë tonë. Vajzat u bënë me krahë prej gëzimit. Sa nuk fluturonin. Nuk kishin se çfarë t'i bënin gjyshes. Për të dyja, mjaftonte që ajo ishte e pranishme gjithë ditën. Ishin të lumtura kur flinin me të dhe për të pasur rregull, kishin bërë një grafik
Veçse ishte bukur tek e shihja nënën që i përcillte deri te porta, i përqafonte, duke iu dhënë këshilla ashtu siç dinë të japin gjyshet gojëmjalta. "Të gjitha gjyshet janë të mira, por më e mira më e dashura dhe më gojëmbla është gjyshja jonë"- thoshnin vajzat e bënin gara mes tyre se kush e lavdëronte më shumë nënën. 
  S'ka si nëna! Si na përcillte edhe ne të dyve, pastaj gjithë ditën nuk pushonte një minutë. Për çdo ditë merrej me një nga dhomat. Shtëpia jonë është e madhe dhe unë nuk e përballoja dot çdo ditë. Kurse ajo, e mira, e palodhura, duararta... nëna ime, nisi të pastrojë me themel të gjitha ambientet me radhë. Përditë e nga pak, e pastroi shtpinë, bodrumin, si dhe të gjithë kopshtin. Hoqi të gjitha degët e thata, gjethet dhe barishtet. Prashiti tokën rreth trungut të çdo peme dhe i plehëroi. Këtë gjë bëri edhe me vazot e luleve. Në aq pak ditë që qëndroi tek ne, e gjithë shtëpia, brenda dhe jashtë mori pamje tjetër, dukej e përtërirë. Eh, nënat tona janë të palodhura! Kurrë nuk ankohen, asnjëherë nuk kërkojnë shpërblim. Për hallet dhe brengat u janë bërë strehë rrudhat efytyrës dhe flokët e arta.
   -Ne nuk të mbajtëm që të lodhesh dhe pastaj të ankohesh se nuk të ka trajtuar mirë vajza me dhëndrin, apo e kam gabim?- i thoshte çdo ditë Edjoni.
-Ne jetojmë në pallat, o bir. Dhe mua më kruhen duart për të kënaqur veten duke u kujdesur për lulet apo për kopshtin. Ku t'i gjej? Në pallat jeton si në kafaz.
-Po kur të ikësh ti kush do të na i bëjë?
-Siç keni bërë gjithmonë, biro. Edjon, ju e keni kohën të kufizuar...jeni të lodhur. Kurse unë jo vetëm kaloj kohën, por ndiej edhe kënaqësi. Jam rritur me kopshte, të cilat tani në pleqëri më mungojnë. Ndaj dhe kam mall...
- Nuk di se si është ndërtuar kjo dynja! Kush ka të madh në shtëpi, nuk ia di vlerën. Ai që nuk e ka, ia ndjen nevojën...,- psherëtiu Edjoni, të cilin prindërit e kishin lënë djalë të ri.
-Eh, more djalë, mosha kërkon moshën. Ju të rinjtë jeni me të renë, kurse ne të moshuarit, sado të përparuar të jemi, e kam fjalën dhe për ata të shkolluarit, përsëri mbartim mendësitë e së shkuarës. Nuk kam pse ta mohoj... "Fshati që duket, nuk do kallauz", bir i nënës. Ne pleqtë nuk shkëputemi dot nga zakonet e vjetra,. Na pëlqen ta vazhdojmë traditën e të parëve. Unë dëshiroj që të më vijnë shoqet, njerëzit e mi për një kafe dhe të bisedojmë, të kujtojmë edhe ne kohën tonë, rininë, ndoshta edhe ditët e bukura, por...
-Po ty nuk të ndalon njeri, mama. Auloni jo e jo, por as nusja. Mariana është vajzë e mirë dhe me sa di unë, të trajton, të pyet, këshillohet me ty dhe kurrë nuk sillet si nusja me vjehrrën.
-Të ankohem për të, e mira do të më zërë sytë. Sepse të pështy sipër, më bije në fytyrë. Të pështy poshtë, më bije në kraharor. Pra në të dy rastet do të baltos dhe njollos veten... dhe askënd tjetër. Ka thënë i pari: "Si të gjesh, ashtu do të bësh moj nusezo!" Ajo la një nënë dhe më gjeti mua. Nuk jam nëna e saj, por Mariana është jeta e tim biri. A do të jetë i lumtur Auloni pa Marianën? Kurrë, bijtë e nënës.
 Më thoni a do të më falej mua, nëse i ankohem djalit për të dhe të hy si pykë në mes të marrëdhënieve të tyre? Do të bëja krim ndaj një çifti të ri  të dashuruar që e shohin dritën e jetës në sytë e njëri-tjetri, bija ime.
-Një nënë e matur dhe e zgjuar mendon në këtë mënyrë, se ka të tjera që...,- na ndërpreu Edjoni.
-Si unë, edhe nëna ime, apo gjyshja, kur shkuam tek burrat, nuk e njihnim jetën, kulturën e familjes së re. Nëse vjehrra do ta presë nusen me këmbët e para, duke shfryrë :"Ti nuk di asgjë... Nuk të paska mësuar jot ëmë asgjë?! Mjerë djali im , se si do ta grisë një jetë të tërë!"dhe mjaftë thënie të tjera fyese, ai çift nuk ka jetëgjatësi. A mund ta respektojë nusja, një vjehrrë që llap dhe ankohet gjithë ditën për të? Edhe sikur të jetë e keqe, ma ndërron njëri? Jo.
Pastaj ja e ndau djali, ia bëri qejfin nënës. Por a nuk do të marrë një grua tjetër, me të cilën s'e lidh asgjë dhe ndoshta ka më shumë kërkesa se e para? Pastaj martesat nuk bëhen me sustë, pa qenë dashuria në mes. Të rinjtë kanë jetën e tyre, e cila u takon vetëm atyre të dyve. Nuk më pëlqen të më marrë lejë as djali as nusja, kur shkojnë diku për kënaqësi të rastit apo me pushime. Mjafton që të thonë se po shkojnë me pushime apo diku. Në të kundërt krijohet një vartësi e nuses nga vjehrra, gjë që ia mohon asaj lirinë vetjake. Si çdo njeri edhe djali me nusen kanë nga një jetë, e cila jetohet vetëm njëherë.
-Janë të rrallë djemtë që jetojnë me prindërit, mama. Shumë nëna apo baballarë kanë përfunduar në azil...
-Të shkosh në azil, nuk është as turp dhe as mëkat, bija ime. Janë gjëra që na i dikton koha.
-Jo mama, jo. Kjo vjen si nevojë, pasi nuk janë mundësitë për t'i shërbyer apo për t'i krijuar kushtet e një jete normale të moshuarit. Por ky veprim nuk tregon se fëmijët e kanë braktisur prindin, jo...kurrsesi. Madje as nuk do të thotë se fëmijët apo prindi zhvishen nga përgjegjësitë dhe detyrimet që kanë ndaj njëri-tjetrit.
-Kështu është ndërtuar bota, shpirti i nënës. Mua nuk më vjen keq nëse ekonomia do të më lejonte që të jetoja në një apartament më vete, sigurisht afër tyre gjeografikisht. Një mënyrë e tillë të jetuari, kurrë nuk më ndan shpirtërisht nga djali.
-Përkundrazi...në raste të tilla janë vendosur marrëdhënie aq të mira  mes tyre sa, nuk e imagjinon dot. Pasi nuk cënohen marrëdhëniet në çift,por ekziston më shumë dashuri e respekt mes nënës dhe djalit, po kështu janë marrëdhëniet e një respekti reciprok mes vjehrrës e nuses.
-Edhe unë dikur kam qenë e re. Ndaj duhet të pranoj se, djali me nusen kanë jetën, ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Edhe pse goja e tyre nuk e ka thënë dhe as e thotë kurrë, prapë se prapë, shpesh herë më duket vetja e tepërt. Apo herë- herë kur ka ndonjë mosmarrëveshje a zënkë mes tyre, mendoj se unë jam shkaku i pakënaqësiive apo më duket sikur jam bërë pengesë për ecjen e tyre përpara.
-As mos e mendo një gjë të tillë, sepse streson dhe fajëson veten pa qenë asnjëherë shkaktare. Një nënë si ti, jo pse je mamaja ime, por në përgjithësi, nuk paguhet. Kur nëna është e aftë për të ndihmuar sadopak fëmijët, vlerësohet me valutë. Sidomos në këtë kohë që ekziston konkurenca për vendin e punës. Sot punëdhënësit u japin përparësi për punësim, gjithë të rejave që nuk kanë probleme familjare, fëmijë apo të sëmurë. Ndaj një vjehrrë si ti s' ka të çmuar. Pastaj, mama, e di ç'do të thotë ta gjesh derën hapur në çdo orë të ditës dhe natës? S'ka gjë më të bukur kur e di se dikush të pret në shtëpi. Nuk e ke idenë se sa të shijon ajo gjella e ngrohtë ,e mbuluar në tavolinë, që e kanë gatuar duart e nënës.
   -Më rëndon mua në ndërgjegje, pa jo se...kam dëgjuar ndonjë ankesë. Por kushdo e di se cila është më e mira. Vetëm se të moshuarit nuk duan ta pranojnë për shkak të mendësive. Nuk është thënë kot. "Burrë e grua mish e thua!", pasi kanë një lidhje të tillë që askush nuk duhet t'i ngatërrojë.
-Më dëgjo mirë! Bashkëjetesa me nënën, ishte dëshira e tyre. Pastaj çdo i ri dhe e re duhet të mendojë se askush nuk ka dalë nga guri. Si djemtë edhe vajzat nuk janë jashtëtokësorë. Ata kanë lindur nga dy prindër. Përgjegjësia për prindin është e njëjtë edhe për djalin dhe për vajzën. Nuk është vetëm Auloni përgjegjës për pleqërinë tënde. Jam edhe unë... A nuk kam të njëjtat detyra dhe përgjegjësi ndaj teje, mama? Shumë mirë mund të rrish këtu. Këtë ta them sepse shoh që ti ke mendime të përparuara të kohës. Pastaj kam shumë detyrime ndaj teje, nënë. Kurrë mos e harro këtë
-As mos e zurë me gojë. Kur unë kam djalin sa një mal dhe do vi të pleqëroj te dhëndrri. Mos e thëntë Zoti! Luaj vendit! Po i duroj dot vallë fjalët e dynjasë?!
- Po pse për të tjerët jeton ti? Nënoke, unë kujtova se ke ndryshuar mendësi, kurse ti jetoke për opinionin e gojëçorapëve, për një emër të mirë. Jo nënë, jo... Jeta jetohet për vete dhe jo për të tjerët. Mos harro se si djali dhe vajza janë të barabartë. Të dy kanë të njëjtat detyrime dhe përgjegjësi ndaj prindit. E di kur nuk më pëlqen mua? Nuk e pranoj dot, madje më vjen të ndot kur disa fëmijë që, edhe pse janë bërë me fëmijë, i trajtojnë prindërit si top llastiku. Të gjorët pleq, që nuk gjejnë kurrë rehat, sepse i shukin sa andej- këtej dhe i tallandisin sa tek njëri...tek tjetri fëmijë, sikur janë mëkatarë dhe jo ata që i nnxorën në jetë. E ç'jetë të qetë dhe dinjitet ka ai prind i thinjur e i drobitur, të cilit i rëndojnë hallvitet në shpinë? Një gjë të tillë nuk do t'i falja kurrë as vetes dhe as tim vëllai.
-Jo zemër e nënës, jo... Unë jetoj si zonjë. Djali dhe nusja më mbajnë në pëllëmbë të dorës. Ju të dy më ndihmoni, ndaj nuk më mungon asgjë. E ç' mund të përballoja unë me atë pension qesharak që marrë, pa ata dhe pa ju? Pensioni i pleqërisë që më jep shteti, ngjan si një lëmoshë, sepse nuk justifikon vitet e punës, madje është fyerje sidomos për ata që i kalojnë dyzetë vite pune. Nuk ka mohim dhe zhvlerësim më të madh se trajtimi me një pension të papërfillshëm për moshën e tretë. Nuk di se si ia bëjnë, si ia dalin të moshuarit që nuk kanë asnjë të ardhur, veç pensonit minimal. E kam fjalën për ata që fati i ka dënuar dhe s'kanë as fëmijë. Pasuri s'kanë, djalë...po ashtu dhe vajzë ...jo. Vallë kujt do t'ia shtrinë dorën?
-Shteti duhet të kujdeset për këtë shtresë të veçantë që rreket brenda kotësisë, duke gënjyer veten me kënaqësi boshe, të imagjinuara, të cilat i realizon vetëm në ëndrra. Është fatkeqësi për një njeri që punon gjithë jetën dhe kërkon t'i dorëzohet vdekjes pa qenë pishman, sepse vetëm aty gjen paqe, qetësi dhe takon në lumturinë e munguar. A nuk është mëkat për këta njerëz që vdesin në varfëri dhe mjerim, kur ndërkohë sa e sa të tjerë, nuk dinë si dhe ku t'i shpenzojnë paratë? Gratë e tyre konkurojnë se cila e ka veshjen të fjalës së fundit të modës, të stilistëve më në zë si "Armani", "Cavalli", "Valentino", "Versaçe", "Klein" etje. Madje edhe për parfumin zilepsen ose shpërfillin se cili është më joshës, "Coco Chanel" (Koko Shanel) , "Dior", "Dolce Gabbana", apo...
    -U ka dora, bijë e nënës. Ne nuk matemi me parallinjtë.
-Nënë, mos harro se sipas vendit flitet edhe kuvendi. Nuk e di kush vlen më shumë veshja luksoze, e përdorur me vend dhe pavend, apo dija që  zotëron një njeri me veshje të zakonshme, më se normale?
-Mendje -mendje kjo dynja...Ç'të bësh? Të tilla erdhën kohët, bija e nënës.
-Jo nënë, jo...Ata nuk e dinë që mendja është pasuri, së cilës nuk i bije vlera kurrë. Nuk është veshja, ajo që e bën njeriun "Njeri", por është njeriu, ai që i përshtat veshjen trupit, karakterit, kulturës, profesionit dhe vendit ku e përdor atë. Pra mbi të gjitha qëndron mendja, të menduarit logjik dhe arsyeja. Por ç'tu bësh atyre që e heqin veten intelektual vetëm se vishen sipas modës. Meqë trurin e kanë bosh, si kalliri pa kokrra, nuk janë në gjendje të gjykojnë se të ndjekësh modën, duhen respektuar dhe zbatuar rregullat që kërkon të rendurit pas saj, apo pas emrave më me famë të stilistëve..
-Ardita, nuk thonë kot: "Ruhu nga agai i ri, dhëndrri i ri dhe hati i ri."
-Nëse njeriu i thërret mendjes, apelon në njëfarë mënyre ndërgjegjen e tij, besoj se nuk do t'i bënte keq që më parë të analizojë thënien:"Vishe me elegancë një shkop, a e drejton dot vallë këtë botë?". Natyrisht që jo.
Duke u nisur nga të gjitha kundërshtitë mes njeriut dhe fasadës së tij, mes formimit të tij intelektual dhe dukurisë së jashtme, që nuk puqen me njëra-tjetrën, mendoj se ana sipërfaqësore pa asnjë lloj personaliteti, vjen si rezultat i nivelit kulturor që trashëgon familja apo evoluimit individual. Të gjithë e dimë se nuk është as keq dhe as turp, që jo vetëm në raste të veçanta, por edhe përditë të vishesh bukur... Zakonisht veshja, eleganca në trup tregojnë shkallën e kulturës. Pastaj vlerësimi individual bëhet se cili trup e vesh, apo çfarë mendjeje fshihet pas asaj veshjeje. Veshja vlen dhe çmohet kur është kombinuar me pjekurinë dhe aftësinë mendore të individit. Por e keqja qëndron te qëndrimi fodull, shpërfillës dhe fyes i njerëzve të pispillosur që gjithë përbuzje, i shohin të tjerët nga këmbët te koka... Me siguri që të tillët nuk kanë tru.      
-Nuk është paraja, ajo që të bën njeri, por njeriu i aftë bën paranë, veçse me mendjen dhe punën e tij..., bija ime.
-E lëmë më mirë këtë bisedë se nuk i zgjidhim dot ne problemet e pafundme sociale dhe as jemi në gjendje të ndryshojmë mendjet njerëzore.
***

Ne të dyja , nënë e bijë, po shikonim një film në ekran. Papritur nëna u shpreh:" Shih rrushi-rrushin dhe piqu!"- rinia jonë shikon këta që janë shtete të vërtetë, me themele, ndaj është harbuar.
-Edhe ato vende të zhvilluara nuk e pranojnë drogën, trafikimin,krimin... , -sqarova unë.
  Në dhomë disa minuta më parë kishte hyrë Edjoni. Priti sa mbaruam ne bisedën dhe pyeti nëse kishim dëshirë të dilnim për një kafe apo dhe më shumë.
-Unë ujita kopshtin lava me tubo uji rrugicat, tarracën dhe para portës.Meqë kemi "mysafire", mendova ta kënaqim.
-Do të shkojmë të hamë pica te italiani,- u përgjigjën vajzat të dyja me një gojë.
-Italiani?! Pse kanë ardhur italianë këtu?
-Po mama, kanë hapur disa biznese këtu, pasi fuqia punëtore është shumë më e lirë se në Itali apo gjetkë. Një punëtore rrobaqepsije këtu italiani e paguan 150-200 Euro. Kurse atje i jep dhjetëfishin.
-Paskan hapur edhe piceri?
-Natyrisht kanë sjellë edhe zanatin e picave, për të cilat janë mjeshtra. Për kuzhinën janë më të mirët. 
-Ha, ha, ha krushqit, ha, ha, ha ...edhe nusja. Me rininë edhe nëna.
Pas një shëtitje me makinën e Edjonit, shkuam te piceria" Pizzeria Italiana Peppe" Pronari quhej Xhuzepe (Giuseppe) dhe i thërrisnin Peppe.
Italianët dhe bota dinë ta bëjnë tregtinë, duke të të uruar mirëseardhjen e të dhurojnë buzëqeshje. Veç menusë që gjendet në tavolinë, të sqarojnë edhe gojarisht. Sa hymë brenda. Qëndruam pak në këmbë për t'u njohur me ambientin. Papritur një zë gazmor na përshëndeti!
 -Buona sera e benvenuti!
 -Buona sera!
 -Mangiate qui o ve lo inpacco per casa!
 -Preferiammo gustarla qui.
 -Prego sedetevi al tavolo in angolo. Li... sarete più tranquilli .
 -Molto cortese il sign...
 -Mi chiamo Giuseppe..., ma chiamami Peppe.
 -Ok come vuole.
 -Invece questa bella signorina,sara ai vostri servizi per prendere le ordinazioni.
  Një vajzë e re bionde veshur me minifund dhe me taka të larta u afrua , përshëndeti dhe mori porositë.
  Pas pak Xhuzepe, sikur gjoja kaloi rastësisht, pyeti:
  - Tutto bene, serve qualcosa?  
  -Complimenti sign Peppe!
  -Grazie e Buon appetito!- e falenderuam me kokë, se ishim duke ngrënë.
    Të pestë u kënaqëm me picat napoletane, por vajzat nde pa dalë nga piceria, nisën të bëjnë plane për të ardhmen. Ndërkohë që po dilnim e përshëndetëm, i cili u përgjigj i kënaqur.
  -
Buona notte e grazie ancora
  -Buona notte!
  -Sarete benvenuti!
Nëna e falenderoi Edjonin se e kishte për herë të parë që hante një gatim italian.
   -Të pëlqeu gjyshe?- e pyetën mbesat me padurim.
   -Nuk kishte të sharë, por pitet që kemi bërë ne dikur me miell gruri halëzi, që i shërbenim me gjalpë të freskët deleje, i sapodalë nga dybeku, me vezë të skuqura po me gjalpë dhe me djathë të njomë nape, nuk krahasohen me asgjë në botë.
   -Ngadalë, gjyshe ngadalë se po i lavdëron shumë pitet e kohës tënde... 
   -Keni të drejtë se nuk i keni provuar, moj mbesat e nënës. Ato të shkrinin në gojë se piqeshin mbi hirin e nxehtë dhe rreth lopatës së drurit ku vinin pitet për pjekje, kishte prush. Nuk kam qenë në Prizren, por më kanë thënë se shqiptarët e kësaj treve e vazhdojnë gatimin e piteve. Ju lumtë që ndjekin traditën e lashtë ilire.
   -Po tani pse nuk i bëjnë më, gjyshe?
   -Sepse gruri halëzi u zhduk. Pastaj prodhimet kanë ndryshuar shijen për shkak të mënyrës së kultivimit dhe rritjes.
   -Vajza boll tani se e lodhët mamanë. E dini që është nëna ime, të cilën e dua shumë. Ndaj mos e mundoni. Boll e ka lodhur jeta. 
   -Pse është e lodhur kur nuk shkon në punë?
   -Po të mos punonte gjyshja me gjyshin, si do të rriteshim unë me dajën. Nuk do të mbaronim dot as shkollën e lartë. Gjyshja ka qenë edukatore në kopsht, ndaj ka shumë njohuri për jetën.
  Gjyshja ka të drejtë që thotë se prodhimet nuk janë si më parë. Bimësia nuk plehërohet si dikur me pleh organik. Edhe bagëtia nuk ushqehen më vetëm me bar lëndine apo mali. Ndaj kanë ndryshuar shijet që kur nisi përdorimi i plehërave kimike, pesticidet. Dhe dale-dale ku jemi, sepse fermerët e ri që të rrisin prodhimin dhe që të kenë sa më shumë fitime, do të kultivojnë pemët, perimet, drithërat me farat, filizat e bimëve dhe metodat që përdor bota. E njëjta mënyrë do të ndiqet edhe në blegtori sidomos në gjedhët apo shpendët. Do të kemi mall për aromën e domates, sallatorit etje... që kultivoheshin në vend. Kanë nisur qysh në vitet tetëdhjetë të ndërrohen rasatet dhe metodat e kultivimit të tyre.      

***

E nesërmja ishte ditë e diel.
  -Nënë, më lindi një mendim. Koha është e mirë dhe them ta shfrytëzojmë. Mendoj që pas dreke të dalim. Si thua?
- Po vajzat?
- Ato do të përgatisin mësimet për nesër dhe kanë kurs. Edjoni nuk di se ç'ka një punë, pasi të çojë vajzat në kursin e gjuhëve të huaja. Kur të kthehet i merr ai. Nëse nuk ka mundësi, po shkojmë ne të dyja t'i marrim, gjë që do t'i gëzojë pa masë...
Ata të tre shkuan në drejtimin e tyre, kurse ne të dyja, nënë dhe bijë dolëm me makinë. Doja ta kënaqja nënën, se rrallë e binte rasti të ishim bashkë vetëm ne të dyja.
I bëra një shëtitje me makinë buzë liqenit. E zbrita në park dhe shëtitëm mes shelgjeve lotues, që me kryet e ulur gati përtokë, duken sikur ankohen për çiftet e dashuruar, të cilët stina e ftohtë i ka larguar.
-Mama...,-dhe ngërçi më ngeli në fyt.
-Çfarë ke zemër? Sikur u ligshtove...apo?
-Ah, e shkuara, kujtimet nuk të lenë të qetë...
-Të shqetësojnë dhe rihapin plagë kur kanë qenë shkak dhembjesh, por ti...ti je e re. Shoqet e tua ende nuk e kanë nisur jetën.
-Ke të drejtë, por edhe kujtimet e bukura sjellin nostalgji dhe papritur kthehesh pas në kohë. E djeshmja të rishfaqet e gjallë, me të gjitha ngjyrat e saj.
Befas u shkëputa nga nëna dhe u ula në një stol që ishte nën hijen e një shelgu me një kurorë shumë të bukur. Dukej si një vend sekret që i vidhej syrit të botës, shikimit ziliqar të njerëzve. Madje edhe rrezet e diellit që të depërtonin mes dritëhijesh, u vidheshin degëzave dhe lastarëve të gjelbër që vajtonin ditët që kishin kaluar. Ashtu si këto degë me aromën e veçantë, dehëse që ishin të pikëlluara për të shkuarën që s'kthehej më, edhe unë në ato çaste pata të njëjtën ndjesi. Ula kokën me shikimin e vagëlluar drejt bimës që të mos më shihte nëna.
-Nuk e kuptoj gjendjen tënde shpirtërore. Ke ndonjë hall që të grryen shpirtin dhe e mban brenda, apo? Unë jam nëna jote, ma thuaj. Shpraze zemrën, se vetëm kështu e lehtëson veten.
-Nuk di pse nganjëherë ndihem e dobët, përlotem për një gjethe që bije. Nuk di pse më duket se siç këputet një gjethe ashtu do të gjymohet edhe jeta ime...
-Tani po flet bdallallëqe me thesë. Kush është si ti, si ju të dy, moj bijë. Edjoni është djalë i çiltër. Është rritur pa prindër. E motra dhe i vëllai morën rrugën e kurbetit dhe ai ta kushtoi jetën ty. Keni një familje të bukur, me dy fëmijë si yje, vajza të bukura dhe të edukuara. Mos harro që fati u ka ndihur. Jeni në punë, kur të tjerët po u pijnë lëngun diplomave. Mos u anko bijë, se "ç'të ndjellësh do të mbështjellësh."
-Mama, në këtë park, në këtë rrugicë mes drurësh, jam njohur me Edjonin. Ishte si tani, kohë Krishtlindjesh. Isha në vitin e fundit të studimeve të larta. Sapo ishte rrëzuar diktatura. Nuk kishte më tepër se tre vjet dhe për herë të parë besimtarët shkonin në turma në kishë për të pritur lindjen e Krishtit. Njerëzit ishin të hallakatur pa ditur se çfarë do të ndodhte më tej. Veçse disa ishin të ngazëllyer për ndryshimet që po ndodhnin. Të tjerët të mërzitur, për pushtetin e tyre që u shemb si kala prej rëre. Shumë syresh të papërmbajtur shfrynin duke i akuzuar si fashist apo tradhtarë, ata qytetarë që përqafuan nismat demokratike. Atyre, të privilegjuarëve që ishin me origjinë komuniste, u dukej mëse normale që duke ndryshuar ngjyrën e kuqe në rozë dhe duke i ndërruar Partisë vetëm emrin, gjasma kishin pësuar ndryshime thelbësore politike. Veçse të gjithë papërjashtim një gjë e kishin të qartë, secili bënte tifozllëk për forcën e tij politike, ku aderonte.megjithëse të gjitha ishin pjallë e Partisë së Punës.
Papunësi e madhe...mungonin sendet më të nevojshme jetike. Njerëzit vraponin vetëm apo me familje drejt së panjohurës, vetëm për t'u shkëputur nga zinxhirët e skllavërisë.
Vendi gjendej në një amulli që kushedi përsa kohë do të mbante erën e qelbur të ujit të ndenjur, pasqyrë e së cilës ishte skamja,varfëria, që arritën kulmin kur mungonin buka, uji dhe dritat. Ndërmarrjet po mbylleshin njëra pas tjetrës, duke vënë 80% si kompesim i humbjes së vendit të punës, gjë që  e çoi ekonominë drejt zeros. Megjithëse kishte disa dekada që ndihej aroma e falimentimit të përgjithshëm ekonomik. Perëndimi kapitalist na kishte izoluar si miun në çark, për të parë se sa jetë do të kishim duke jetuar vetëm me ujë, dritë dhe ajër. Ishte eksperiment që bëri e po bën bota me ne, dhe jo shaka.
  Me dëshirën për të harruar sadopak gjendjen e nderë, një ditë kisha dalë me shoqet buzë liqenit. Ishte ftohtë. Malet dhe qafmalet që harkojnë qytetin si mburoja kështjellash, ishin veshur me pelerinën e bardhë dimërore. Mes tyre spikaste kaltërsia e liqenit, e cila shkon drejt blusë së thellë. E gjithë natyra dukej si e ngrirë, e palëvizshme që e bënte atmosferën edhe më të ftohtë. Tejdukshmëria e ajrit dallohej përmes një shtrese të hollë avujsh uji të ngrirë që qëndronin pezull në ajër. Ishte një dukuri joreale që e ndeshja për herë të parë. Më dukej vetja sikur ndodhesha në një botë tjetër të paparë, të pashkelur e të paprekur më parë. Ndoshta kjo pamnoramë e akullt më përshpërfaqej për shkak të gjendjes së rëndë që gëlonte duek u zvarritur mes varfërisë së tejskajshme që mbretëronte në të gjithën vendin.  Njerëzit mbijetonin dhe i mbante në këmbë, vetëm shpresa e së nesërme.
  U ulëm në një bar dhe morëm nga një çaj, i cili na u duk luks për çastet që kalonte vendi dhe çdo familje shqiptare. Përballë meje, në një tavolinë, ishte ulur një djalë i ri bukurosh. Padashur shikimet tona u kryqëzuan dhe unë ndjeva një gudulisje në zemër që u pasua nga një drithmë e lehtë si prej ethesh. Zhvendosa shikimin gjetiu dhe më pas ula sytë e bërë purpur. Ndërkohë që bisedoja me shoqet, vura re se ai më kishte ngulur sytë dhe nuk m'i shqiste. Dukej sikur do të më përpinte mes atij shikimi zhbirues. Pas çajit ndenjëm pak në tavolinë e dolëm duke ecur ngadalë dhe bisedonim nën zë. Pas nesh, gjatë gjithë rrugës, ndjeva hapa që na ndiqnin. Besova se do të ishte ndonjë kalimtar i rastit. Secila nga shoqet u largua në adresën e vetë, kurse shtëpia ime ishte e fundit. Kështu që m'u desh, që pjesën fundore të rrugës ta bëja vetëm.
  Ishte mugëtirë. Në dimër nata bije shpejt dhe papritur errësira hedh një napë të errët, në gjyrën e plumbit mbi Tokë, e cila humbet qartësinë e formave apo trajtave të çdo objekti. Ndërsa ecja me hap të shpejt, jo vetëm për të mbërritur në shtëpi, por më tepër për t'iu shmangur të ftohtit, që atë mbrëmje dukej i mbarsur me shumë lagështi. Hijet e drurëve të anërrugës, si dhe të shtëpive nuk di pse atë buzëmbrëmje më kallnin frikë. Papritur ndjeva diçka, si ndonjë gur që u rokullis lehtë. Vura dorën në kraharor dhe mbajta frymën. U përqëndrova e mbajta vesh, por rreth meje dhe në të gjithë rrugën mbretëronte një heshtje varri, e cila më kalli tmerr. Nxitova hapat pa e kthyer kokën pas, pastaj fillova të vrapoja. Atëherë një zë i butë mashkullor, më ndali:
   "-Mos ki frikë. Jam njeri si ti, edhe unë...Vetëm doja..."
U ktheva përgjysmë dhe vura re se katër- pesë metra larg meje qëndronte një hije njeriu.  
   -Të lutem qëndro aty ku je! Mos m'u afro!
   -Nuk të bëj keq, vetëm se... 
   -Sado qëllim të mirë të kesh, nuk kishe pse zgjidhje errësirën për të më folur..., - dhe nisa të ecja.
   -Ke të drejtë...të tremba, ndaj të kërkoj ndjesë... Gjithsesi, unë nesër pas dreke përsëri do të shkoj atje, po tek ai bar...,- menjëherë e mora vesh që ishte djali që po më sodiste me kureshtje. Megjithatë nuk ndalova.
  -Nuk më intereson fare secili je dhe ku do të shkosh ti...Punë për ty.
  -Gjithsesi unë do të të pres. Nëse nuk shihemi nesër, do të shkoj edhe ditën tjetër, tjetrën, pastjetrën e me radhë deri sa të të takoj.
   Nuk iu përgjigja dhe u futa në kthesën e parë në fund të së cilës kishim shtëpinë. Pikërisht në truallin e kësaj shtëpie, im vëlla, Auloni bëri një pallat Aty banojnë tani.
   -E kuptoj që të kam zemëruar... Më beso se nuk u nisa për keq. Gjithsesi të uroj gjumë të ëmbël dhe pafsh ëndrra të bukura!- ishte urimi i tij i parë. Tek po hapja portën zëri i tij më erdhi i largët sikur vinte nga shekujt.   
Hyra në shtëpi duke m'u marrë fryma. Ndala të mblidhja veten në sallonin e vogël, të sajuar nga duart e lodhura të babait dhe duararta nënë, se shtëpia jonë ishte e vjetër.
Më kujtohet dhe më vjen të derdh lotë, kur shpesh herë dëgjoja babanë të thoshte: 
"Ndoshta s'do të ketë dimër të egër me stuhi shiu dhe me erëra të forta këtë dimër, se kjo shtëpizë e gjorë mezi mbahet në këmbë! Ku do ta fusim kokën pastaj?!"
Nga turbullimi nuk e vura re babanë që ishte ulur në divan dhe po lexonte gazetën. Ai ktheu faqen e gazetës dhe zhurma e saj më përmendi.
-Uh, sa më trembe, nuk të vura re fare...
-Çfarë të ka ndodhur?
-Asgjë, baba.
-Më shiko në sy, të lutem...Unë jam yt Atë dhe të njoh, po aq mirë sa njoh edhe veten time.
-Si mendon ti, babush? Të lutem, ma thuaj!
-Je bërë si meit. Të ka ikur gjaku nga fytyra. Dukesh sikur je ndeshur me djallin...
-Babush, jashtë është ftohtë dhe...
-Ashtu qoftë, Ardita...Veçse mos dil më kaq vonë nga shtëpia.
-Ora ende nuk ka shkuar tetëmbëdhjetë, o ba...Pataj këtë vit mbaroj universitetin dhe ...
 -Dhe...
 -Mendoj se jam aq e rritur sa më lejohet ta zgjedh vetë rrugën të cilën do të përshkoj gjatë jetës. E kam mëse të qartë se janë rrugë të pashkelura, por duhet t'i njoh që të zgjedh se në cilat shina do të udhëtoj... Mendoj se më takon mua si zgjedhja, edhe zgjidhja...
-Pikërisht pse je e rritur, duhet ta vlerësosh situatën. Çfarë nuk na dëgjojnë veshët, bija ime. Kanë ndryshuar kohët, vajzë. Bashkë me të, janë tjetërsuar, edhe njerëzit. Janë shndërruar në egërsira. Mendojnë se si mund të fitojnë sa më shumë. Këta dembelë, pa moral, që jam i bindur se mohojnë edhe familjen, po dhunojnë vajza të mitura, po rrëmbejnë adoleshentet dhe pasi kënaqin epshin e tyre shtazarak, i shesin në tregjet e Evropës. Më fal që të flas kaq hapur, por më duhet. Për ne ju të dy fëmijët, ti me tët vëlla,jeni gjëja më e shenjtë dhe më e shtrenjtë që na ka dhuruar Zoti.
-E di...e kam mëse të qartë se sa të vyer jemi për ty dhe mamanë. Por po nuk deshi vetë vajza, nuk e merr njëri me zor. Por u pëlqen luksi, e këtë jetë duan ta fitojnë me lehtësi, ndaj dhe përfundojnë në kilometrazhet e rrugëve të botës. Unë e kam të qartë se për të pasur një jetë të mirë duhet punë, djersë dhe vullnet. Jeta është e vështirë, ndaj nuk fitohet lehtë. Me aq njohuri që kam, mendoj se kështu ka qenë jeta, shumë e ashpër.
-Jam me ty për disa gjëra. Veçse, mos vendos shenjën e barazimit për ato vajza të gjora, se as gishtat e një dore nuk janë të barabartë, xhan i babit. Mos i paragjyko pa e ditur shkakun. Eh, moj bijë, njerëzit që e kanë pajtuar shpirtin me djallin, nuk pyesin më as për prindin, që u ka bërë kokën e jo më për të tjerët. U është bërë syri bakër nga varfëria. Nuk i thonë kot : "fukarallëk ...,maskarallëk". Mungesa e mjeteve më të domosdoshme të jetës, i zhveshi moralisht. Ia lanë së shkuarës traditën dhe iu futën rrugës së krimit. Të gjitha fenomenet që po ndodhin me rininë tani në tranzicion, si trafikimi i drogës, armëve, i veprave të artit duke nisur që nga më të lashtat që janë thesar i kulturës kombëtare e deri tek trafikimi i qenieve njerëzore, të çojnë drejt krimit.  
-Kjo është e vërteta e hidhur, baba. Po të duan qeveritë që do të vijnë, le ta pranojnë të vërtetën, sado e pakëndshme të jetë. Nëse pajtohen me ata që e kanë përdhosur shqiptarizmin dhe kanë dalë nga rruga e Zotit, aq më keq për ta. Askush nuk do t'i ndjekë më pas. Edhe ata më të flaktit në bindjet e tyre, kanë për t'i lenë në mes të rrugës. Demokracia është një zgjidhje e ekuacionit me disa të panjohura, të cilat kërkojnë një rezultante.
-Po,po...Në çdo sistem qeverisës të jetës së një kombi, ka zgjedhje të rrugës, e cila kërkon zgjidhje të paanshme. Për çdo lloj pushteti në fuqi, qytetarët duhet të jenë të barabartë.
-Lind pyetja: A janë gjithë qytetarët të barasvlerësuar sipas arsimimit, profesionalizmit apo aftësisë intelektuale?
-Kurrsesi...Përvojën gjysmë shekullore, si në politikë apo në drejtimin e shtetit, etërit ua transmetuan bijëve dhe nipërve të tyre. Si vazhdues të denjë, ata nuk e kishin apo e kanë të vështirë të ndërro(nin)jnë kostumin e fjalorin dhe tani janë shndërruar në demokratë më fanatikë se vetë Demosteni që është themelues i demokracisë antike, bija ime.
-E kam vënë re një gjë të tillë, e cila e vë në dyshim mendimin tim lidhur me hapat që po hidhen për ndërtimin e një shteti demokratik...Babush, të vjen keq nëse shkoj të zhvishem.
-Shko..., shko shpejt dhe vish diçka më të ngrohtë, se shoh që je bër akull. Më fal se të mbajta dhe unë me fjalë boshe.
-Përkundrazi...unë u kënaqa. Madje duhet t'i bëjmë më shpesh biseda të tilla.
Hyra në dhomën time të vogël, që ishte si një kthinë trekëndshe, së cilës babai i kishte vënë derë dhe një dritare. Nuk di sa qëndrova në këmbë në mes të gjysmerrësirës me shikimin tretur muzgut, matanë xhamave të dritares. Dhoma ime shikonte nga kopshti dhe sa hapja sytë çdo mëngjes ishte kumbulla ajo që më përshëndeste e para. Në kohën e lulëzimit, degët e kumbullës të qëndisura me lule të bardha, hynin brenda dritares dhe veç buzëqeshjes që më dhuronin, më joshnin me aromën e lehtë, si e gjelbërta e fillesës së çdo petaleje. Këtë mbresë më ka lënë lulja e kumbullës, që më kujtonte diçka të afërt me shijen freskuese që ka likeri i Mentës.  
Në shtrat u shtriva herët se të nesërmen isha për rrugë. Më prisnin auditoret dhe leksionet e universitetit. Përpëlitesha në shtrat nga pagjumësia. Një shqetësim i brendshëm më shkatonte tharje fyti, marrje mendsh dhe dhembje koke. Herë-herë kisha një zagushi frymëmarrëse dhe më pas më kalonin mornica nëpër trup. "S'di se ç'emër t'i vë gjendjes sime të krijuar atë mbrëmje. Di të them se nuk më shqiten nga mendja gjithë çastet që kalova nga Bari e deri në shtëpi. Sjell ndërmend interesimin e djaloshit ulur përballë, i cili më pas më ndoqi deri në shtëpi. Kërkoi... ndoshta të më njihte, por unë nuk i lashë hapësirë që të shprehej. Nuk u tregova tolerante fare. Do t'i jem dukur si një mendjefyçkë...Po a ia vlen ta takoj? Nëse do të jetë fati im, rastësia do të na bashkojë". Nuk di sa ishte ora kur më zuri gjumi. Vetëm mbaj mend mirë se nuk kam menduar asgjë tjetër veç pyetjes: "Cili të jetë vallë?!" 
***



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: