Saturday, 8 February 2014

Fajtori!




Nga Nimfa Hakani
Më në fund ai ishte atje ku kishte ëndërruar të ishte. Në vijën e parë të frontit. Deri tashti, gjithçka kishte shkuar ashtu siç e kishte përfytyruar. Pas rekrutimit dhe stërvitjes në tokën Amerikane, më në fund toga e tij i kishte hipur avionit dhe ishte nisur për në Afganistan. Kishte bërë më shumë shokë gjatë stërvitjes se sa kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij nëntëmbëdhjetë vjeçare. Ende s’i kishte djersitur mirë mustaqja, por ishte i vendosur të luftonte për lirinë dhe vëndin e tij. Kishte një padurim të tejskajshëm për të treguar dashurinë e tij për Amerikën. Donte që të ishte sa më parë në tokën ku zhvillohej beteja e vërtetë. Dhe ja më në fund ishte në Afganistan. I hanin duart të mbante armë në dorë dhe të luftonte armikun. Por edhe këtu njësia e tij iu nënshtrua një përgatitje stërvitore për t’u përshtatur me kushtet e terrenit. Vetëm pas një muaji në këtë stërvitje njësia e tij do të ishte e lejuar të merrte pjesë direkt në aksion, dhe njësia që ata do të zëvëndësonin do të kthehej mbrapsht në shtëpi.
Për t’i përshtatur të sapoardhurit me terrenin, të dy njësitë do të jetonin në të njëjtën barrakë për dy muaj. Qëllimi ishte që ushtarët e rinj të lidheshin me ushtarët me eksperiencë dhe të pregatiteshin prej tyre më shumë psikollogjikisht se teknikisht. Vetëm se gjatë ditës njësia e sapoardhur bënte stërvitje të intensifikuar brënda garnizonit, kurse njësia tjetër shkonte drejt e në aksion. Historitë që tregonin ushtarët që ishin në ikje, kur ktheheshin, ishin disa herë mjaft tmerruese, por ai nuk trëmbej. Ishte i tëri sy e veshë gjatë atyre tregimeve. Thithte çdo fjalë që dilte nga goja e luftëtarëve më me eksperiencë. Ndjehej krenar për ta dhe mezi çpriste të ishte në vënd të tyre dhe te përballohej sy më sy me armikun. Disa prej tyre nuk ktheheshin më në barrakë pasi linin barrakën në mëngjes duke përshëndetur me buzëqeshje në fytyrë. Ishte tepër e trishtueshme që ata humbisnin jetën në betejë kur ju kishin mbetur vetëm disa javë për t’u kthyer në shtëpi, por Lio i merrte humbjet njerëzore si pjesë të luftës dhe sakrificës për atdheun. Mund t’i ndodhte edhe atij në të ardhmen e njëjta gjë, mendonte.
I shihte ata që ktheheshin si heronj që ishin përballuar me djallin dhe kishin dalë fitimtarë. Ushtarët, që ktheheshin nga aksioni, jepnin këshilla se si duhej të vepronin që të shmangnin gabimet që ata vetë kishin bërë gjatë betejave. Ju tregonin se si të ishin syhapur për shenja që mund të paraqisnin rrezik, dhe si të ishin të pregatitur që t’i mënjanoheshin rrezikut që vinte andej nga ku nuk e prisje, se çfarë të bënin kur binin në kurth.  Muajin e dytë ata do të merrnin pjesë direkt në betejë të shoqëruar nga ushtarët e njësisë në ikje. Këshillat, fjalët, dhe bisedat në mugëtirën e barrakës do të ktheheshin në një eksperiencë reale në terrenin e ashpër të betejës. Çdo ushtar i ri do të qëndronte përkrah një ushtari me eksperiencë gjatë gjithë kohës që ishin në inspektim të zonës. Dhe në çdo çast mund të ndodhte që të ndesheshin ballë për ballë me armikun dhe luftimi të bëhej realitet.
Gjatë kësaj kohe Lio ishte familarizuar me Ljutenënt* që flinte në krevatin pranë tij. Ai ishte një ushtar me eksperiencë të gjatë në ushtri dhe në moshë në krahasim me të.  Kishte qënë dy herë në Irak, dhe ky ishte turneu i tij i tretë e tij në betejë. Pas kësaj ai do të lirohej nga ushtria. Ishte një njeri modest që preferonte të flinte me ushtarët e tij se sa në qëndrën e oficerëve.
Lio e shikonte Ljutenënt Dejvis në dritë të syrit kur fliste dhe admirimi i çfaqej qartë në sy. Plotësonte çdo urdhër që i jepte Dejvis, qofshin ato edhe për nevoja tepër personale si pastrimi dhe shkëlqimi i çizmeve. Mendonte se Dejvis e meritonte një shërbim personal pas gjithë asaj që kishte dhënë në luftë. Dejvisit, kur xhvishej, i dukej një shenjë e dukëshme plage në kurriz që shkonte tej përtej kurrizit nga shpatulla deri në brezin e pantallonave, dhe dukej qartë se vazhdonte edhe më thellë. E  kishte marrë atë plagë nga shpërthimi i një shrapneli. Kaq nevojitej që Leo të ishte mirënjohës dhe të mbushej me admirim të pakufishëm ndaj sakrificës që Ljutenënt kishte bërë për vëndin e tij. Kur Dejvis i tha një ditë se ai do të ishte mentori i tij gjatë inspektimeve në fushën e betejës, dhe ai nuk do të bënte asnjë hap pa të, Lio gati sa nuk fluturoi nga gëzimi. Iu duk vetja si një i zgjedhur i veçantë që do të ishte nën komandën e këtij heroi.

                                                                        *     *             *

Atë ditë bënte shumë nxehtë. Njësia ishte nisur që në mëngjes të kontrollonte një fshat për të cilin kishte pasur informacion se strehonte rebelë. Lio ishte shumë i eksituar. Ishte hera e parë në terren për të. Në rrugë për në fshat, brënda hamvit**, në trurin e tij Lio sajonte situata se si do të ndeshnin armikun dhe se si ata do të luftonin deri në në zhdukjen e plotë të tyre.
Ata arritën në fshat dhe u shpërndanë në njësi të vogla prej dy vetësh se ishte më lehtë të manovroje dhe gjithashtu të tërhiqeshe më shpejt në rast se binin në kurth të rebelëve duke minimizuar kështu numrin e mundshëm të të rënit viktimë prej tyre. Ai dhe Dejvis shkuan në anë të fshatit me hamvin e tyre dhe pasi nuk ndeshën ndokënd, dolën jasht hamvit dhe filluan të futeshin nga shtëpia në shtëpi për të kontrolluar. Shtëpitë e para ishin bosh. Asnjë qënie e gjallë nuk dukej rreth e qark. Dukej se fshati ishte braktisur me shpejtësi nga banorët. Dikush i kishte lajmëruar për ardhjen e amerikanëve. Gjetën vetëm disa bagëti të lëna pas aty këtu.  Në shtëpinë e fundit dëgjuan një zhurmë të lehtë që vinte nga lart. Dejvis ja bëri me shenjë, dhe të dy filluan të ngjitin shkallët me ngadalë duke qëndruar kurriz më kurriz, me armët në gadishmëri, njëri duke parë poshtë shkallëve, tjetri lart.  Kur arritën në katin e dytë, një tjetër zhurmë erdhi nga një dhomë në fund të korridorit. Dejvis përsëri drejtoi dorën në atë drejtim dhe Lio e ndoqi përsëri duke mbajtur kurrizin ndaj tij.  Ndaluan pak tek dera e dhomës. Dejvis ja bëri me shenjë që t’i mbronte shpinën. Ai tundi kokën në shenjë aprovimi. Dejvis u fut i pari në dhomë dhe kontrolloi rreth e qark. Aty kishte pak orendi, një tavolinë e ulët, dy karrike dhe një shtrat në qoshe. Një zhurmë e mbytur erdhi nga një dollap në mur. Dejvis ja bëri me shenjë t’i afroheshin dollapit anash. Kur ata ishin në pozicion pranë dollapit, Dejvis hapi një kanat të tij dhe Lio drejtoi armën. Një grua që shtrëngonte në gjirin e saj një fëmijë dy tre vjeç, krejtësisht të tromaksur, e vështroi e frikësuar. Ajo i kishte vënë dorën mbi gojë të birit që qante pa pushim.  Lio u step. Dejvis i urdhëroi të dilnin nga dollapi. Gruaja, që dukej tepër e tmerruar, doli ngadalë duke mbajtur të birin fort pas vetes.
Dejvis e tërhoqi fort gruan prej krahësh dhe e uli në një karrike në qoshe të dhomës. Ai filloi t’i bërtasë keq gruas duke e pyetur në gjuhën Pashtu se ku ishin burrat duke e goditur shpesh fort në krah me tytën e armës.
Ajo, nuk dinte si t’i përgjigjej amerikanit që e shihte me sy të tërbuar dhe i hodhi një vështrim lutës Lios sikur i lutej të mos largohej. Iu duk sikur pa keqardhje në sytë e ushtarit të ri. I shoqi kishte shkuar që në mëngjes herët në qytet të shiste nja dy bagëti dhe të blente pak miell dhe disa ushqime të tjera.
Lio e pikasi vështrimin e saj dhe u bezdis. Në këtë kohë, Dejvis mbërtheu të voglin dhe e hoqi me forcë nga krahët e të jëmës, e përplasi për tokë, dhe pastaj kapi gruan prej flokësh duke i uluritur në fytyrë si i marrë. Ajo tundi kokën e lemerisur duke lënë të kuptonte se nuk dinte gjë për kryengritësit. 
-          Merre shtruar Ljutenënt! - i tha Leo që nuk po i pëlqente toni i ashpër që Dejvis po përdorte me gruan e frikësuar dhe fakti që ai po e qëllonte atë pa arësye,  megjithëse nuk kuptoi asgjë nga ato që ai  thoshte. – Ajo është thjesht një grua e friksuar.

-          Grua terroristi do të thuash! - iu drejtua Dejvis me ton të ashpër sikur t’i tregonte se ai ishte buzëqumësht në këto punë. – I shoqi i saj që nuk është këtu që ta mbrojë atë. Me siguri fshihet diku që të na vrasë ne papritur prapa shpine, apo mund të jetë në mision të vrasë vëllezërit tanë diku jo larg prej këtu.
Lio e pa i hutuar dhe nuk foli.
-          A e di çke ti? Shko poshtë dhe ruaj rrugën në rast se i shoqi me shokët e tij rebelë kthehet dhe na vret ne më parë se ne të dalim të gjallë prej këtej ndërkohë që unë do të marr në pyetje këtë bushtër që të nxjerr ndonjë informacion mbi rebelët. – i drejtua ashpër dhe me mospërfillje, si të ishte një çapaçul pa eksperiencë.
Lio e pa si i humbur dhe bëri të dalë nga dhoma me ngadalë, i pasigurtë në se duhej të shkonte dhe ta linte Dejvisin vetëm me atë grua të trëmbur. Ai vështroi nga gruaja, që ndërkohë, duke përfituar nga shkëmbimi i fjalëve midis tyre, e kishte marrë përsëri të birin në krahë, dhe po rrinte e mbledhur në karrike duke e shtrënguar më fort se më parë. Këtë rradhë, dukej se fëmijën po e përdorte instiktivisht si mbrojtje kundër burrit me uniformë që i bërtiste dhe e shante si i marrë, e dukej më e friksuar se më parë, sikur priste që diçka e keqe  t’i ndodhte.
Lio ndaloi për një çast tek dera sikur donte të kthehej, por diçka e mbajti dhe ai zbriti shkallët me shpejtësi. Mbërriti tek dera kryesore, pa me kujdes jashtë majtas e djathtas, dhe zuri pozicion tek portiku i derës nga ku mund të shihte nga të dy anët e rrugës. Nga lart vinin britma të forta dhe të thirrura në gjuhën afgane, dhe dëgjoheshin të qarat e fëmisë të tmerruar. Ndjeu një zhurmë të rëndë sikur diçka u shëmb përdhe. Lio donte të mbyllte veshët që të mos dëgjonte, por duart i kishte të zëna me armën që e mbante në gatishmëri. Papritur një britmë e fortë çau ajrin. Gruaja po ulërinte në kupë të qiellit dhe fëmija po qante i lemerisur. Dukej sikur Dejvis po përdorte metoda tëpër të ashpra me të. Pas pak, ulërimat pushuan, Dhe qetësia mbizotëroi. Dejvis nuk dukej se po nxitonte të vinte poshtë. Lio pa me kujdes rreth e qark, u fut disi në brëndësi të shtëpisë, dhe thirri:
-          Gjithçka në rregull Ljutenënt?
Dejvis nuk u përgjigj.
-          Ljutenënt?! - thirri përsëri Lio, por nuk mori asnjë përgjigje. Heshtja mbizotëroi për disa minuta.
Lio, nxorri kokën përsëri që të kontrollonte rrugën, por kudo mbizotëronte një qetësi e frikëshme. As edhe dyshet e tjera të patrullimit nuk po dukeshin gjëkundi. Nuk ndihej as ndonjë krisje armësh. Lio ndjeu një si frikë të pashpjegueshme. U fut edhe një herë brënda shtëpisë me mendimin që të shkonte lart dhe të kontrollonte, kur pa Dejvisin që po zbriste shkallët ngadalë. Dukej sikur i merreshin disi këmbët.
-          Nxorre gjë prej saj?- e  pyeti Lio me ndjenjën që të thyente tensionin e bezdisshëm që ndjeu kur pa Ljutenëntin të vinte teposhtë shkallëve tepër i qetë, krejt ndryshe nga njeriu i tërbuar i disa minutave më parë .
Dejvis nuk u përgjigj. Lio ndjeu një peshë të rëndë në gjoks. Njeriu që po zbriste shkallët nuk dukej se ishte i njëjti Ljutenënt që kish admiruar për një muaj të tërë por një njeri krejt i panjohur të cilin po e shihte për herë të parë. Megjithëse paraqitej i qetë, një shtazëri e çuditëshme i rrezatohej nga sytë, dhe një shprehje e kënaqur kafshërore i ishte vulosur në fytyrë sikur kishte përmbushur një mision.
Diçka e shtyu, dhe papritur Lio vrapoi shkallëve me rrëmbim duke shtyrë Dejvisin mënjanë dhe vrapoi në dhomë. Gruaja ishte shtrirë përtokë e zalisur, me rrobat të ngritura deri në mes, dhe e gjakosur midis këmbëve. Fëmija i kishte kapur kokën dhe dukej se e thërriste të zgjohej. Lio ndjeu pështjellim në stomak, dhe gjithçka që kishte në të ju ngrit lart dhe e nxorri në qoshe të dhomës. As ai nuk e kuptoi se si, por e gjeti veten të ngrejë gruan e mjerë. E shtriu në shtrat, ja uli me kujdes rrobat duke i mbuluar këmbët e gjakosura. Pastaj ngriti të birin dy vjeçar, ja vuri pranë, dhe i mbuloi të dy me një mbulesë që gjeti aty pari. Ashtu si i përhumbur doli nga dhoma dhe zbriti shkallët.  Ndaloi në fund të shkallëve sikur donte të shkonte lart e t’i kontrollonte edhe një herë amë e bir, por nuk u kthye. Kur doli jasht, drita e diellit i vrau sytë. Kokën e ndjente keq.
Dejvis i hodhi një vështrim ironik, dhe e pyeti duke e ngacmuar si me nënkuptim:
-          Prajvët përse u vonove kaq shumë?
Lio nuk i dha përgjigje, por vetëm i hodhi vëngër një vështrim të egër. Shpejtoi hapin që ta linte pas, me armën tashmë të varur teposhtë me mospërfillje, pa më të voglin shqetësim se ndonjë rebel mund të çfaqej papritur pas tyre dhe mund t’i qëllonte. Dejvis deshi t’i thoshte diçka si për ta trazuar por e ecura e  vendosur e Lios, dhe trupi i tij i madh i dhanë të kuptojë se ishte më mirë ta mbante gojën mbyllur. Nuhati se djaloshi para tij ishte një minë me sahat në atë çast. Ishte më mirë ta linte të qetë. Megjithëse ishte në gradë më të lartë, e ndoqi Lion heshtazi duke parë përreth me armën në gadishmëri deri tek hamvi.
Lio, kundra të gjithë rregullave, pasi u fut në makinë mori drejtimin e mjetit, dhe sapo Dejvis u ul në sedilje, e nisi makinën me shpejtësi marramëndëse. Kur arritën tek grumbulli i makinave të blinduara, ndaloi duke i mëshuar frenave. Hamvi bëri një si kthesë gjysrrethore, dhe ngriti një shtëllungë të madhe pluhuri që u shpërnda rreth  e qark dhe mbuloi makinat e tjera.
Njësia po priste vetëm për ata të dy. Makinat e tjera kishin kohë që ishin kthyer nga inspektimi në pikën e nisjes. Komandanti i aksionit, i bezdisur nga vonesa e tyre si dhe nga pluhuri i ngritur, doli prej një nga makinave të blinduara dhe iu afrua hamvit të tyre.
-          Po ju të dy ku u futët që u vonuat kaq shumë? Doni të na vrisni të gjithëve?- ju bërtiti me zëmërim.
Dejvis bëri të thotë diçka, por ndjeu tensionin dhe pa nofullat e shtrënguara të Lios dhe heshti.
-          Ljutenënt Dejvis! Kur të arrini në qëndër unë dua një raport mbi tryezën time! - tha ashpër kapiteni. - Dhe dua të di arësyen përse nuk ju përgjigjët kërkesë time në radio. – Kapiteni dukej si i xhindosur( beside itself)


                                                                        *     *             *

Lio qëndroi i heshtur tërë kohën pa i hedhur sytë njeriut që qëndronte krahas tij përgjatë gjithë rrugës për në bazë., Për të krijuar përshtypjen se asgjë nuk kishte ndodhur dhe për të thyer akullin, Dejvis e vështroi disa herë si për të hapur bisedë por Lio nuk reagoi.
Admirimi që kishte pasur për Dejvisin i ishte zhdukur. Ai, heroi i tij, nuk  ishte veçse një njeri i ulët që tregonte trimëri me gratë në mënyrën më të shëmtuar që një ushtar mund të sillej me gra të pambrojtura. Ishte i mbushur tërë përbuzje dhe neveritje, por gjithashtu edhe me dhimbje therrëse. Visioni i asaj gruaje të mjerë i dilte para sysh herë pas here, dhe lot i vinin tek sytë. Shtrëngonte nofullat fort që t’i përmbante se nuk donte t’i jepte kënaqësi Dejvisit.
Kur mbërritën në qëndër, pasi parkuan, ai doli nga hamvi duke përplasur derën dhe me hap të nxituar u largua në drejtim të barrakave. Sa hyri, vuri armën në mbajtësen e drurit në hyrje të barrakës dhe vajti u hodh në shtrat me shpresë që Ljutenënt Dejvis nuk do të dukej për një copë herë aty pari.
Mbylli sytë si për të fshirë çdo gjë që kishte ndodhur, por britmat dhe pamjet e ndodhive të mëngjesit i vinin pa reshtur në mëndje. U rrutullua nga njëra anë në tjetrën por nuk po gjente qetësi. Dikush iu ul në anë të shtratit. Duke menduar se ishte Dejvis, Lio kërceu dhe u gjënd në këmbë me një shpejtësi rrufeje në anën tjetër. Në buzë të shtratit pa Gerin, një ushtar të njësisë në ikje. Ishte tip i qetë e fjalëpakë. Lio e shikoi me ngulmim. Ajo çka pa në sytë e Gerit , i dha të kuptojë që nuk ishte hera e parë që kishte ndodhur një gjë e tillë me Dejvis-in dhe Geri dikur kishte qënë në të njëjtin pozicion si ai . Kuptoi se i ishte afruar që t’i jepte mbështetje.   
-          Çfarë do?- e pyeti ashpër.
Nuk e kuptoi përse ja nxorri Gerit inatin që i ishte grumbulluar, dhe u ndje keq, por nuk i duhej ajo lloj mbështetje. Ishte i zëmëruar me gjithçka. Ishte i zëmëruar se nuk dinte çfarë të bënte, as me veten, as me Ljutenënt, dhe as me Gerin që po i rrinte përballë në përpjekje që ta ndihmonte.
Geri u ngrit, e pa pak si me keqardhje, u largua, dhe shkoi tek krevati i tij. Lio u shtri dhe vuri duart nën kokë. Ushtarët e tjerë filluan të vinë një nga një. Zakonisht ata e përshëndesnin kur kalonin pranë shtratit të tij, por sot ishin të gjithë të heshtur dhe një nga një po zinin shtratet të qetë. Zakonisht pas një aksioni të gjithë flisnin duke treguar se çfarë kishte ndodhur. Sot, heshtja mbizotëronte në barrakë.  Hodhi sytë për rreth se iu duk se e kishin me të, sikur të gjithë e dinin se çfarë kishte ndodhur, por secili ishte i përqëndruar në punën e tij. Mbase për faktin se sot kishin hyrë në një fshat bosh dhe nuk kishte pasur aksion, mendoi. Të vetmit banorë kishin qënë gruaja me fëmijën. Ndjejti një copë herë i përhumbur me sytë të ngulur në dërrasat e krevatit sipër tij.
-          Kapiteni të kërkon në zyrë!- dëgjoi papritur zërin e  Dejvisit.
Lio, pa ja hedhur sytë u ngrit në anën tjetër të shtratit, rregulloi uniformën, dhe u nis. Dejvisi i doli anash dhe i kapi krahun sikur donte t’i thoshte diçka. Lio, me një lëvizje të shpejtë, e çliroi krahun prej tij dhe eci me hap të rëndë drejt derës. Të gjithë në barakë e ndoqën incidentin me sy, dhe kur Dejvisi u kthye drejt tyre të gjithë  dukeshin se po merreshin me diçka e sikur s’kishin parë gjë. Megjithatë Dejvisi u ndje i shqetësuar. Vajti tek shtrati i tij, u ul, por nuk po e mbante vëndi. I dukej se të gjithë e kishin përqëndruar vëmëndjen tek ai. Nuk i kishte ndodhur më parë që një ushtar te mos i bindej. U ngrit dhe eci drejt derës. Ndjeu se dhjetra sy po e vështronin nga pas. Shpejtoi hapin dhe doli nga barraka.

*             *             *

Lio nuk dinte se çfarë do t’i thoshte kapitenit. Çfarë kishte ndodhur sot e kishte hedhur jasht orbitës në të cilën kishte jetuar deri tashti. Gjithçka i dukej tepër e ndërlikuar dhe nuk dinte se si të sillej në këtë orbitë të re ku ishte vërvitur. Dhe gjithçka dukej e përmbysur në hapësirën e re ku ndodhej pa dëshirën e tij.
E gjeti veten para zyrave të komandës. I ngjiti shkallët ngadalë, shtyu derën kryesore, dhe u drejtua për në zyrën e kapitenit. Trokiti lehtë dhe pasi dëgjoi komandën që i tha të hynte, hapi derën, hyri brënda dhe pasi nderoi ushtarakisht, prezantoi veten:
-          Prajvët*** Kartër në shërbimin tuaj sër!
-          Qetësohu Prajvët!- tha kapiteni dhe duke i treguar karriken në anën tjetër të tavolinës e  i bëri me shenjë të ulej.
Lio u ul në karriken përballë komandantit. Ai ishte një mesoburrë me reputacion si shumë i ashpër por edhe i drejtë. Lio çuditërisht nuk ndjeu frikë.
-          A  dini përse jeni thirrur këtu prajvët?
-          Jo Sër!- u përgjigj Lio paksa me zë të lartë duke shtrënguar nofullat.
-          Për të raportuar për çfarë ndodhi sot në terren prajvët.
-          Përse po më pyesni mua Sër? Ju keni raportin nga ljutenënt Dejvis, Sër.
-          Natyrisht prajvët! Por ju jeni thirrur të jepni anën tuaj se si rrodhën ngjarjet.
-          Unë nuk kam gjë për të shtuar Sir!
-          Prajvët! Ju jeni këtu se jeni akuzuar  gjithashtu për shkelje të rregullores së ushtrisë dhe mosbindje ndaj eprorit tuaj.
-          Sër! – shpërtheu Lio duke kërcyer nga karrikja. – Jo Sër! Unë nuk kam shkelur asnjë rregullore të ushtrisë Sër!
-          Qetësohu prajvët dhe të lutem ulu!- tha komandanti me një ton që nuk linte asnjë diskutim.
Pasi Lio u ul me fytyrën të kuqe flakë, komandanti vazhdoi:
-          Ja përse ju jeni thirrur këtu prajvët, të jepni anën tuaj të ngjarjes.
Lio e pa i hutuar pa mundur të formulojë dot asnjë fjalë.
-          Unë po pres prajvët Kartër!
Por Lio nuk po ishte në gjëndje të fliste. Ai e pa komandantin sikur kërkonte ndihmë t’i thuhej se çfarë pritej prej tij.
-          Kodit të heshtjes i ka ikur koha prajvët Kartër. - foli kapiteni i qetë pasi priti pak dhe vuri re ngurrimin e tij.
-          Ju duhet të thoni të vërtetën. Sot një njësi e tërë mund të kishte rënë nën kurthin e rebelëve për shkak të vonesës tuaj. Fajtori duhet të mbajë përgjegjsi.
Lio tundi kokën si një njeri që kishte humbur drejtimin dhe nuk dinte nga të shkonte. Papritur nuk i përmbajti dot më lotët që i shpërthyen. U ndje i turpëruar dhe i fshiu me shpejtësi. Pa nga kapiteni, por nuk dalloi asnjë shenjë përbuzje në fytyrën e tij.

                                                                         *    *             *

Kur hyri në barrakë u prit me një qetësi mortore.  Ai eci ngadalë pa parë njeri por ndjente sytë e të gjithëve mbi veten. Shkoi dhe ul në shtrat. U shtri në të duke i kthyer kurrizin Dejvis. Ky i fundit, i zënë ngushtë nga gjithë ata sy që prisnin diçka të ndodhte, u ngrit dhe ul në anë të krevatit të Lios. Me kujdes i vuri dorën në shpatull. Lio kërceu sikur e pickoi gjarpri dhe bërtiti sa kishte në kokë:
-          Mos më prek me ato duar të ndyra!
Dejvis, i shpërfytyruar dhe i nxirë në fytyrë, u ngrit, shkoi anash, dhe mori t’i afrohej gati të përleshej me të si për të mbrojtur nderin e cënuar. Papritur, çdo ushtar përreth brofi në këmbë dhe dolën në korridorin në mes të krevateve si për t’i thënë të mos guxonte. Në këtë çast,një zhurmë u dëgjua, dhe tek dera e barrakës u shfaq skuadra e arrestimit.
Ushtarët e saj me uniformat të ngjashme me ato të paradës, dhe me shiritin e bardhë që ju
kalonte tejpërtej mbi uniformë, ishin tepër imponues. Ata nuk vështruan asnjë njeri por me hap solemn u drejtuan në brëndësi të barrakës. Tërë ambienti sikur u elektrizua dhe u shndërrua në një platformë teatrale. Të gjithëve ju kaluan dridhma në trup.  Një zë i lartë doli nga skuadra:
-          Ljutenënt Dejvis!
Dejvis ngriu në mes të barrakës. Pa përreth sikur të kërkonte ndihmë, por ndeshi në fytyra të ashpra dhe sy të egërsuar. Hapat e rënda dhe solemne të skuadrës së arrestimit i ndjeu si goditje në tru. Sytë iu veshën dhe dalloi disa figura të turbullta t’i afrohen. Ndjeu dy duar të forta që ia përdrodhën duart fort prapa kurrizit dhe ftohtësinë e prangave në kyçet e duarve dhe dëgjoi turbullt fjalët që i adresoheshin zakonisht një të arrrestuari:
-          Ju jeni nën arrest!
 Një frikë e pazakonëshme e kaplloi,  dhe, i mbajtur prej krahësh nga dy ushtarë të skuadrës, hodhi këmbët kuturu.
                                                                         *    *             *
Lio mori frymë thellë dhe u ul në shtratin e tij. Vuri duart në kokë dhe ndejti një copë herë ashtu. Asnjë pipëtimë nuk u dëgjua në barrakë. Të gjithë vazhdonin të qëndronin në këmbë aty ku i kishte gjetur skuadra e arrestimit. Asnjë nuk fliste. Asnjë fjalë inkurajuese nuk u tha. Asnjë fjalë nënçmimi nuk u lëshua. Dukej se askush nuk donte të fliste për sa kishte ndodhur. Dukej sikur donin ta harronin atë që kishte ndodhur pak çaste më parë. Vetëm se, të gjithë ndjenin një si çlirim në ajrin e barrakës. Barra që u kish rënduar shpirtërat për një kohë të gjatë sikur ishte hequr. Barra që i kishte bërë të ndiheshin bashkëfajtorë, e që kishte qëndruar mbi ta për një kohë të gjatë, nuk ishte më aty. Megjithëatë, shumica prej tyre ndiheshin të çliruar që nuk kishte qënë njëri nga ata që e kishte hequr qafe. Nuk do të donin të ishin në vënd të Lios.
U dëgjua një si fëshfërimë. Lio ngriti kokën. Të gjithë po lëviznin dhe po ktheheshin qetësisht në shtratet e tyre pa i thënë asnjë fjalë njëri tjetrit. Faji sikur po shpërndahej në copëza. Dukej sikur jeta në barrakë do të fillonte atje ku ishte ndaluar disa çaste më parë.
Veçse, Lio nuk po ndjehej i çliruar. Dëshëronte të dëgjonte diçka prej tyre. Qoftë edhe të shara. Do të ndihej shumë më mirë sikur dikush të vinte dhe ta shante duke bërtitur. Por asgjë. Ndjehej bosh dhe i vetmuar. Diku, kishte kapur, një vështrim nga ana tjetër e barrakës. Një vështrim pak ndryshe nga ai i të tjerëve. Kishte qënë vështrimi i Gerit. Ai kishte qënë vartësi i Dejvis për një kohë të gjatë. I kishte dhënë një vështrim inkurajues, por njëkohësisht një vështrim që shprehte një turp të thellë të grumbulluar diku në brëndësi të qënies së tij.
Çuditërisht, ai shikim nuk e kishte bërë të ndjehej më mirë. Përkundrazi, e bënte të ndjente një peshë më të rëndë në kraharor. Një si faj e kish kaplluar. Një faj i pakuptueshëm i gurgullonte në kraharor dhe i ngjitej në grykë. Nuk dinte si ta spjegonte atë që po ndjente. Diçka ishte shëmbur brënda tij. Kishte çliruar të tjerët nga një barrë, por kishte rënduar veten në një mënyrë tepër të ndërlikuar dhe të pakuptueshme.
Njëkohësisht, pastërtia në qënien e tij ishte përlyer. Qënia e tij kishte humbur diçka të shenjtë atë ditë. Një qënie e ulët ja kishte vjedhur dhe vrarë atë brutalisht.
E, përsëri, ai ndihej fajtor.
“Përse?”- pyeti veten i hutuar.
Diçka po përpëlitej të formulohej brënda tij që të përcaktonte fajin e paformë. Dhe dikur, papritur i erdhi i shprehur qartë dhe i tingëlloi kthjellët në kokë.
Po! Fajtor! Fajtor!
Fajtor për një grua të cënuar keqazi në fisnikërinë e saj. Fajtor për një ushtar të rrëzuar kishte përdhosur dhe njollosur fisnikërinë e titullit të tij. Fajtor si një dëshmitar inert, jo okular, por fatkeqësisht i pranishëm.
Nju Jork, 1 Shkurt, 2014
Shënim:
*  Ljutenënt - anglisht : Liutenant - toger
**  Hamvi  - anglisht : Humvee - makinë ushtarake amerikane
*** Prajvët - anglisht : Privat - ushtar

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: