Tuesday, 11 February 2014

Njohja me “Kojrrillat”…, sa për fillim!



(Analizë e romanit “Kojrrillat” të Fatmir Terziut)
Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

Njohja me kojrrillat…, është histori më vete! Të shkruash mbi to është guxim, sakrificë…, por edhe
dhunti do thosha, për të njohur hiret dhe kapricjet e shpirtit të tyre. Kojrrillat janë joshje deri në absurditet, të bëjnë pjesë të sekretit, pa e hetuar që je skllavëruar përgjithmonë nën magjinë e misteriozitetit, në të cilin ato të mbërthejnë deri në fatalitet!
Eh, kojrrillat…, janë frymëzim i atyre shkrimtarëve, arti i të cilëve i ka tejkaluar përmasat e individuales, duke u kthyer në vlerë të përgjithshme…! E këtyre konturave të shkrimit u takon edhe Fatmir Terziu…, poet, eseist, kritik, romansier… Megjithëse, të shkruash, qoftë edhe vetëm ca fjalë mbi artin krijues të Terziut, nuk është fare e lehtë, meqë sapo krijon bindjen që është më i suksesshëm në poezi, ai të përvetëson me eseistikën e kur vendos të tërheqësh shigjetën kah njëra prej tyre…, ja, para vetes ke romanin, një zhanër mjaft i kërkuar në artin letrar, që sot, përbën konkurencën e artit të shkruar. Vërtet, nuk e konsideroj të lehtë të sajosh ca paragrafe analitike mbi romanin e Terziut, veçmas për “Kojrrilat”, sepse ka për subjekt një temë të ndishme, investigative, të errët e komplekse…, përplot kode që pa mëdyshje, të shpiejnë në kërkime të fshehta e të skëterrëshme, si domosdoshmëri që të imponon përkushtim letrar e analitik tejet të vëmendshëm.
-Pse romani “Kojrrillat”, më bëri të zhytem në labirinte të thella deshifrimesh, akoma pa i njohur thellësitë e ngjarjes?
Për një çast e ndjeva veten pikërisht si e zënë në “kurth” midis një triniteti të pleksur ngjarjesh: “Tunelit” të E. Sabatos, “Alkimistit”, të P. Coelhos dhe “Kojrrillat e Ibikut” të F. Shillerit.
-Po lidhja me antikitetin e kojrrillave, me ideologjitë e viteve ’40 dhe qasjes postmoderniste të rrëfimit, ku qëndron?
Mendoj se, kojrrilat hedhin një shkëndijë për lajmin ogurzi; ideologjitë e rafinuara që në mënyrë meskine fshehin të vërtetën; përderisa qasja postmoderne e autorit shtjellon rrëfimin, në një formë të re, duke ndërfutur grimca novatorizmi të admirueshëm. A thua, tërësia e ngjarjeve të jetë vetëm një almanak kujtimesh…, nuk e besoj?!
“Kojrrillat” është një roman postmodern që trajton ngjarje të një reliteti të hidhur që vjen si një pleksje e përkalimeve njerëzore nga e dikurshmja tek e sotmja, ashtu lehtë e padiktueshëm, mjeshtërisht hedh dritë në sfondet intriguese të kurthngritjeve. Me gjuhën e Migjenit, do ta quaja: Metaforë e një kohe “idhujsh pa krerë”.
Po pse, pikërisht Kojrrillat? Apo… “Edhe zogjtë kanë më shumë arsye mes njerëzve. Sikur të jenë kojrrilla. Kojrrilla, ky shpend tjetër shtegtar… Po kojrrillat, eh, kojrrillat shikojnë dhe dinë gjithçka, sepse vijnë nga larg dhe me të fluturuar kalojnë mbi shumë troje. Me hijeshinë dhe elegancën e vet, kojrrillat gjithashtu janë simbol i joshjes dhe bukurisë prej vajze. Dikur në të kaluarën, vashat vinin pupla kojrrille në flokët e tyre me shpresën se ato do t’i mbronin nga syri i keq, nga magji dhe nga vështrime ziliqare” (9).
Ngjarja e romanit ka një nismë, në formë kujtimesh. Një skicim mitik i sekretit të kojrrillave. Çështja është: “Sekreti i vdekjes së gruas shqiptare” (Sekreti i Punëve të Brendëshme dhe Privilegji Diplomatik), shkruante në faqen 6 të datës 17 shkurt 1933, “Gazeta Western Dayli Press e Bristolit të Anglisë” (15). Mandej, të mbërthen dilema: si mbyllet ikja e mistershme e Madam Zeinep Vlorës - misteri tragjik i vitit 1932, në Londër? Mbi këtë hamendje humnerash të thella, përplot sekrete, ngrihet interesimi i kryepersonazhit, i cili pa mëdyshje na shpie në sfera të pazbuluara, por që të pashmangshme i kanë fijet e lidhjeve biografike.
Çfarë ishte surpriza e vërtetë e një kryeheroi, si Granit Jetoni, të cilin shpeshherë e zinte gjumi mbi gazeta…, mos ndoshta për të ruajtur kronologjinë mbi shkrimet plot mister të gazetave londineze? Ai edhe vetë deklaron: “Kisha fjetur mbi atë mister të asaj vrasjeje që kishte ndodhur në vitin 1932, në Londër. Çudi, si më kishte zënë gjumi mbi këto gazeta? Po të tjerët, si i ka zënë gjumi për të tërë atë mister, për atë bukuroshe shqiptare, për ato dokumenta…”?
G. Jetoni ka tiparet e Santiagos ("Alkimisti"), vrojton situatat për të vepruar më pas me këmbëngulje, duke ndjekur kod pas kodi. Ai, edhe pse i adhuron kojrrillat, ndien trishtim nga ato. Mund të jetë kjo nga bukuria e brishtë e këtyre shpendëve apo roli ndjellakeq nga “Kojrrillat e Ibikut” – poezi e F. Shillerit. Mbase…, ku i dihet! Kush merr rolin e Odisesë, për të shkelur tokën e premtuar, e ka shenjtërimin e Perëndive apo lakmia e fundit do t’ia vërë kokën në rrezik?! Kur përfundon zbardhja e dosjeve?

Struktura dhe narracioni
Në parametrat strukturorë e narrativë, romani “Kojrrillat” e ruan kontinuitetin e rrëfimit, duke rivendosur ndërlidhje e gjetje të tjera që janë të domosdoshme. Mirëpo, duhet gjurmuar, nëse rrëfimi ka vend për altare perëndish, ngritje fronesh, e nëse është koha e duhur për një përmbysje froni e kënge të re kojrrillash në fluturim?! Romani vjen me një përkryerje funksionale, në shërbim të gjakimit të individit për pasionin ndaj artit dhe në shërbim të një çështjeje gjithëkombëtare..
Mendoj se, autori i qaset rrëfimit me një qëllim të caktuar: të kthejë vëmendjen e studiuesve kah një veçori tjetër..., ecejakeve mbi kode të fshehta e të rëndësishme që presin zbulim... Është koha për këtë nismë! Veçanërisht, kur vepron romani eseistik, ai monografik dhe autobiografik.
Koncepti estetik është sajesë e një origjinaliteti rrëfimor, që ka imazh kulturor të vetin dhe kjo i jep lehtësi ligjërimit rrëfimor mbi parime estetike, i përqëndruar mbi përshtypjet e cilave do nocione estetike. Kjo njohje, veprës i mvesh rrezatimin e jashtëm dhe thellësinë e brendshme.
Një konceptim i këtillë ngrihet konkretisht mbi figurën gracioze të Madam Zeinep Vlorës, fisnikëria e së cilës (ishte nga një derë e fisme) harmonizohej si një shkrirje perfekte me madhështinë shpirtërore dhe elegancën fizike plot finesë e sharm. Një portret i përshkruar vijash eksplicite..., që kornizojnë një bukuri të rrallë gruaje. Përshkrimi më i detajuar i vijave femërore, nënkuptohet nga tiparet e kënduara tek disa këngë, ku ato marrin funksione të ndryshme artistike në këngë, duke u shoqëruar me kompozita e figura poetike që paraqesin dhe vetëdijen estetike të popullit. Vasha e estetikës shqiptare, nuk del vetëm me një portret, por ndryshon, varësisht se në ç’kohë, e çelemente vlerësuese merren për bazë. Ndërfutja e vargjeve të këngëve, siç bën edhe Terziu, mendoj se vjen si rrjedhojë e një kontinuiteti të pashkëputur me vlerat poetike të antikitetit, mbase qysh nga këngët korale, të cilat përcillin një mesazh, me interpretimin e tyre.  
Është mbresëlënës jetësimi i rrëfimit epik, tek përshkrimi i zogjëve në stinën e pranverës dhe imazhi mbi kojrrillat. Romani ka natyrshmëri dhe efikasitet të mjeshtërisë artistike. Në të, jepen tone të matura e të përpikta rrëfimore.
Atëherë, a mund të ngrihet këtu ndonjë parantezë?
Në kontekstin historiko - ideologjik dhe atë politik, ngjarja ka tendencat e romanit hetimor, ngjizet me fiksionin artistik, megjithëse në sfond është një betejë, një e vërtetë e vonuar gjatë kohë. Për këtë zbardhje, G. Jetoni mbështetet në një sërë gazetash që i shquan koherenca. Atij iu desh të lexojë e rilexojë disa prej tyre, e në “Hull Daily Mail” East Ridingut të Jorkshires, e së shtunës së marsit 1933, në faqen kryesore shkruante: “Flokëkuqja bukuroshe… gruaja shqiptare u varros dje në Broook wood, Surrey. Madame Vlora u gjet në prag të Krishtlindjeve e vdekur në Tamiz…”, e më pas i zunë sytë: “Trupi i Madame Vlorës u varros, jo në varrezat e parashikuara”… Dhe në një mbishkrim tjetër: “Rithirret hetimi për vdekjen misterioze të gruas shqiptare”.
Vetë dinamizmi i mendimeve të bëra lëmsh dhe veprimeve të një kohe tjetër, të largët e të mistershme, ndihmohet nga alegoria për të mbarështruar pikëpamje të reja, me efikasitet veprimi, meqë në artin letrar kurrë nuk tërhiqet linja e fundit, veçmas në ajzbergun e sotëm të letërsisë. Narracioni i dendur, përkalimet dhe urat lidhëse, të shpiejnë pa mëdyshje edhe aty, ku dioptria e shikueshmërisë së kritikës mund të jetë gjithfarë dore... Andaj, nuk e precizoj dot, tërë këtë rrëfim të ngjeshur! Vetëm mund të them që një fond i mirë i ngjarjes shtjellohet në rrafshin memoaristik, i pleksur me epistolare (letra e gjetur tek i mbyturi në lumin Tamiz) dhe ëndrrat (fanitja e vashës me bukuri përdëllimtare – E Ujta).
Objektiviteti dhe artistikja në vrasjen e mistershme
Duke gjurmuar në zbulimin e sekretit të tragjedisë dhe duke mbledhur një pas një aktet e rizbulimit, kryepersonazhi, G. J., zhytet në detin e thellë të ngarjes. Sa shumë kode, sa shumë shenjëzime që vëmendshëm duhej ndjekur për të mbajtur të pashkëputur linjën e ngjarjeve labirint, që të fusnin në vorbullën e pafund. Dhe misteri për vrasjen e Madam Zeinep Vlorës, më 1932, në Londër…, vazhdonte të mbijetojë kohën, si një arkë e kyçur, e pa trazuar për kureshtjen e të tjerëve. Tërë kjo, jep një shtrirje dimensionesh semantike, të përcjellura me dimensione metaforike.
Si vetë rrjedha e përroit psikologjik të Xh. Xhojsit shmangen përsiatjet e thella psikologjike, monologu i brendshëm dhe më shumë vend u lihet ëndrrave të fragmentarizuara, që orientojnë në konotacione simbolike pamjesh natyrore dhe epilogun e papërmbyllur të fabulës. Këtu ndizen, si të thuash, ato shkëndijëzat frymëzuese, sa herë që Granitit, lodhja i rëndon mbi shpirt…, por E Ujta krijesë qëndron para tij dhe i flet kësisoj: “-Ju nuk keni ardhur për të gjetur të fshehtat e ujit dhe të tokës, apo jo Granit Jetoni/ Jo, ju s’keni ardhur të trazoni shpirtin e ikur të dikujt... E dini që ikja në pezma dashurie është trisht dhe toka e uji bëhen një, ta zhubrosin atë në fasho tisi të pahapshme? E dini që ju keni ardhur këtu vetëm për një gjë, vetëm... Fuqia...” (19).
Ky synim i sfidimit të fshehtësirave ka ngjyrën e bardhë në fund dhe kjo dendësi mendimesh e përsiatjesh njeh filozofinë e deshifrimit (zbardhjes së konfliktit) dhe qetësisë shpirtërore. Kështu, me gjasë ndodh gjithmonë pas një baritjeje të gjatë... Ai, këmbëngul për një qëllim: “Ju duhet të dorëzoni të paktën ato letra. Ai dokument në firmat e Pavarësisë së kombit tim dhe ju ju nderon. Pse u zhduk ajo? Pse ikën tërë ato dokumenta që i ishin besuar t’i ruante? Ë, pra, a heshtet për identitet? A heshtet? Këtë e dini ju..., apo jo?”(19)
Pra, G. Jetoni kërkon argumente bindëse, përdor dijen dhe gjuhën sugjestive…, po aty spikatet diferencimi i perceptuar? Përse askund nuk ndodhet një epigraf për humbjen e Zeynep Vlorës..., përse?!
Sigurisht, në ngjarje janë të kyçur më shumë personazhe. G. Jetoni rritet nën ndikimin e Leninit dhe Lutfi Çelës…, e disa prej personazheve tjerë edhe mund të kenë ndonjë motivim personal…, gjë që mbetet të shihet! Por të gjithë, pa përjashtim bartin përgjegjësi për veprimet e veta apo vetëm ndeshen për t’u bërë pjesë e kaosit, që të përfitojnë në kohë për interesin e tyre. Dobia e rrafshit historik vjen si gërshetim i individuales me kombëtaren për të shënuar gjurmë, në kujtesën e brezave si thesar njerëzor i dobishëm.
Gjurmimi pas ngjarjes misterioze vazhdon. Dhe kërkimet e hetuesit vijojnë, teksa… “Sërish sytë ia rrokën gazetën Western Morning news, të zones së Devonit të Anglisë…, data 20 shkurt 1933. Faqja 7: “…Gruaja tragjike shqiptare. Vdekje e helmuar dhe e mbytur në sekrete” (14). Pak kohë para se të ikte në zyrën e hetuesi dr. Eduin Smith. Po, pse vallë, G. jetonit nuk I shlyhej nga mendja edhe ai shefi  Policisë, z. Canon, i cili ka deklaruar se trupi është gjetur përmbi ujë afër tregut Louer mall, Hammersmith. (10).
Ai përpiqet që të përmbushë synimet, me të cilat identifikohet vetë si personazh, duke sintetizuar në mënyrë retrospektive…, ndonëse ka fragmentarizim, në pjesët ku ndërthuret më fortë letërsia investigative, duke nxjerrur në pah një periudhë dramatike. Sërish, mendja i fluturoi tek mbishkrimi ku “Gazeta Evening Telegraph e Angusit të Skocisë, faqe5, 31 janar 1933, shkruante: “Vdekja misterioze e gruas së bukur shqiptare në Ditën e Shitjeve me çmime të Reduktuara Për Publikun (Boxing Day). Boxing Day!” (15). Kështu, është e mjaftueshme që të jetë humbur qetësia shpirtërore nga një kureshtje mbi sekrete kojrrillash, e për të tjerat vijnë zgjidhje të njëpasnjëshme. Mendoj se përjetimet e personazheve dhe historia e tyre jetësore nuk ndryshon as nga qëndrimi i ndonjërit prej tyre, as nga vetë autori, ndoshta?!
Dikush, me këtë rast, i del përpara heshtës me naivitetin e të urtit e të sinqertit. Po kush godet me heshtën e dinakut, për të ruajtur pushtetin e të papushtetshmit...? Pse këndojnë kojrrillat, kujt ia dedikojnë mesazhin e tyre ndjellakeq? Këtu thjesht, do të shkonte për shtati vargu i Homerit: “...në vrafsha ty, që je më i madhi kob” (“Iliada”, kanga XXII). Objekti i këngës së kojrrillave, cili është? Çmesazh bart, kujt në fakt i dedikohet? Në këtë, pikaset digresioni, por sa është sistematik dinamizmi i ngjarjes!?
E nga të gjitha këto, gjakimi për të vërtetën më mbërtheu..., e juve, të dashur lexues? Ç’shteg do të mbani, ju...?
Koncepti autorial si koncept ideo-emocional i personazhit.
Në përzgjedhjen e ngjarjes që shtjellohet, frymëzimi shpesh mund të jetë i rastësishëm, mirëpo Fatmir Terziu, e ka përzgjedhur kujdesshëm temën, duke e mbushur  me mozaiqe situatash tjera, të cilat i i përhedh asisoj, që vepra të mbetet, jo vetëm një monument i letërsisë artistike, por më tepër se kaq.
Romani “Kojrrillat” bartet tek lexuesi përmes një fëmije gjashtëvjeçar, që sipas traditës së rrëfimit ka nismën e një udhëtari të panjohur, i cili përmes monologut, thuajse të rëndomtë, fillon sagën e rrëfimit jetësor. Pavarësisht rrjedhës së ngjarjes deri tek thelbi i rrëfimit, pa ndonjë vështirësi sinjalizohet qëllimi i një personazhi të rëndësishëm, njëmendësia e të cilit e vë në lëvizje ngjarjen.
 Rrëfimi në vetën e parë ka mundësuar që më thellësisht të spikaten përjetimet e personazheve dhe historia e tyre jetësore e ndërlidhur me personazhe të tjerë të një gjaku dhe të imponuar, të dy linjave. Përmes një filozofie të paktë, sa mund edhe të lejojë një logjikë fëmije, sërish kuptohet se aty lidhet harku i një dileme universale, ku njihet edhe karakteri i shumanshëm i popullit shqiptar, në periudha të caktuara kohore.  Tek më vonë, bëhet i ditur emri - Granit Jetoni. Rruga e tij jetësore është e destinuar për risi, lidhje ngjarjesh nga e kaluara, gjithmonë me një arsye, se këto janë shenja që duhet të ndiqen, kode që duhet të zbërthehen si ide e rryma mendore që bëjnë tjetërsimin e ngjarjes, nga ajo e thëna dhe e menduara deri atëherë.
Ekziston linja e kompozicionit, megjithëse me të shprehurit e formës artistike, edhe pse ka qëndrim jokritik (heshtja zgjidhja më e mirë), ky roman megjithatë del autobiografik, i besueshëm, bindës.  
Një portret ekzemplar - Granit Jetoni. Vetëm një herë në vepër thuhet emri i personazhit, më pas në vazhdimësi ai është “unë”, përmes përsiatjeve e interpretimit rrëfimor të tij, shpaloset vazhdimësia e ngjarjes së mistershme. Protagonist që ka një reliev psikologjik, me një botë të ndishme sociale e humane, megjithëse nganjëherë e shpërfytyron marrëdhënien e tij me të tjerët.
Ka pak të dhëna të raporteve të të tjerëve me të, ai flet vetëm për veten, në raport me të tjerët. Ai reflekton përmes një bote të brendëshme, duke e lënë anash botën e jashtme të vetme, po natyrisht këtë e bën me anë procedimesh, duke na dhënë dinamikë argumentesh e rrëfimi artistik.
Personazhet më parë përshkruhen në botën e tyre shpirtërore, qëndrimet, vlerat…, pastaj edhe përmbushja tjetër në pozitën dhe botëkuptimin social. Pikëvështrimet rrëfimore, dhuntitë dhe të metat, përshkrimet e hollësishme fizike, si të thuash janë pasim i një imazhi të formësuar qartë psikologjik. Ndonëse, as e shëmtuara estetikisht nuk mund të perceptohet, sipas Kant-it, megjithatë kojrrillat e kanë këtë shkathtësi, e luajnë rolin e dyfishtë. Të duket se, po të arrish të përvidhesh në esencën e këtij romani, vetëvetiu sikur i nënshtrohesh psikoanalizës së Lakant-it: “raporti me veten nuk është spekulativ, por vetja ka tjetrin brenda”. Realiteti modest i autorit ishte pikënisja drejt një koncepcioni, që nganjëherë rezulton pa kufij, me referenca drejt universales. Sa e lodhshme dhe e pasigurtë qe kjo rrugë për G. Jetonin.
Pikëpamjet filozofiko - politike nuk janë atribute të karakterizimit të ndërgjegjshëm estetik të heroit, të imponuara nga autori, por janë cilësi, kufizime të imponuara të kohës. Megjithëse, vetë rrëfimi është tërheqës, pavarësisht linjave rrëfimore, kreativiteti autorial i Fatmir Terziut flet e zbërthen shumë çështje, që në të vërtetë bëhet verifikues i disa lidhjeve që pothuajse pikturojnë situata e veprime, duke u ndërfutur thellësisht edhe në psikologjinë e personazheve.
             Autori pra, përqëndrohet në sagën e individit për të kthyer psikologjinë e shpërndarë të turmës në teori të përbashkët të rrafshit kolektiv. Këtë e bën me idenë që zgjidhjet të kërkohen dhe të gjinden brenda mendësisë shqiptare. Për këtë, sikur e përshkon një dozë krenarie dhe triumfalizmi përgjatë gjithë veprës..., me të drejtë mbase!
Epilogu pak a shumë qe i pritshëm, jo për gjë, por për mesazhin që përcjell. Çdo kush në Shqipëri të ndiej një lloj përgjegjësie për atë që ndodhë dhe kjo të shërbejë si dëshmi për të ardhmen, për brezin e ri..., pa e abstraguar këtë si qëllim transparent të autorit.
Terziu, realisht ofron origjinalitet krijues, të një ngjarjeje të tjetërsuar nga diluftime hijenash, ndërsa thelbi ideor i veprës së tij është shumëdimensional: social, shpirtëror e moral, ndonëse edhe për Terziun, si për shumë shkrimtarë letërsia është zhurma e kulturës, po ashtu edhe indiferenca e saj” (Xh. Kaller). Prandaj, “Kojrrillat paraqet një roman komponentesh utilitare për vetë shkencën e letërsisë dhe të vërtetën historike e morale, e jo vetëm të mbetet me shijen e romanit beletristik.
Romani realizon një përmbushje shpirtërore, si një prehje e pashmangshme pas të gjitha atyre trazimeve emocionale dhe sikur e vë vulën e identitetit të tij mbi atë histori më shumë se vetjake. Ky shkrimtar, krijoi një vepër që të pushton në drithërima flakësh, për të rënë, pa u vonuar gjatë, në krahët e një agonie të trishtë. Po, a nuk është ky synimi i çdo krijuesi?! Vërtet ...artisti shenjtërohet kur ngjall një popull nga vdekja shpirtërore.
Me afinitetin krijues, Fatmir Terziu, brezit të ri, si një porosi të çmuar, ndërsa brezit të vjetër, si një rikujtim i përbotshëm..., i mundëson përsiatjen e duhur mbi një realitet jetësor, ndonëse të trishtë, për ta skicuar atë në një vepër letrare, sa të këndshme për nga vlerat artistike, po aq të vështirë e të rëndësishme për nga komleksiteti i ngjarjes.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: